facebook
twitter
rss
E Premte,   21 Nëntor 2014
Olldashi: Kryetari që humbet zgjedhjet duhet të dorëhiqet
2013.07.05 - 09:27   
 
Tiranë – Partia Demokratike zgjedh më 22 korrik kreun e ri të saj, ndërsa në garë zyrtarisht janë katër kandidatura, ku dy prej tyre janë pretendentët kryesor.  

 Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha, do të përballen më 22 korrik me votën e anëtarësisë, ndërsa siç shprehen ata, do ta pranojnë rezultatin. Olldashi premton se në rast se kryetari i ri i partisë humbet zgjedhjet, ai duhet të japë dorëheqjen.

Intervista e Olldashit dhënë për emisionin “Opinion”:

-Cili ka qenë reagimi i zotit Berisha kur i keni thënë se doni të kandidoni?

Reagimi i zotit Berisha ka qenë ai që është bërë publik. Berisha është një njeri që e ka bërë publik qëndrimin e vet dhe ka qenë që: “Sokol kjo është një garë në të cilën unë do të rri jashtë. Po të kisha pasur parapëlqime, do t’i kisha shprehur në Kryesi, në forume, do t’ua kisha sugjeruar forumeve. Nuk kam as parapëlqime, as mospëlqime në këtë garë dhe kjo është një garë e hapur”. Të njëjtën gjë Berisha e ka deklaruar në Kryesi.

-Është garë e hapur? Që do të thotë që keni shanse ta fitoni zoti Olldashi?

Sigurisht, unë kam hyrë në garë për ta fituar, sepse në garë nuk hyhet për të humbur. Në sloganin tuaj thuhet “Fillimi i ri. Bashkë rikthehemi shpejt”, duket si “defekt teknik, rifillojmë së shpejti”.

-Mendoni se kjo humbje e PD-së ka qenë njëlloj defekti?

Ajo bashkë është e dykuptimtë.

-Çfarë ndodhi me Partinë Demokratike në këto zgjedhje?

PD zhvilloi një fushatë shumë të mirë. Një fushatë që unë do të thosha nga strukturat e veta ka qenë ndoshta më e mira e bërë ndonjëherë e PD-së.

-E prisnit këtë lloj rezultati?

Jo, me thënë të vërtetën nuk e prisja. Nuk e prisja këtë rezultat, por duhet të pranojmë që sondazhet tona kishin një masë prej 20 % të zgjedhësve të pavendosur, gjë që e bënte pritshmërinë vulnerabël, sepse 20% e të pavendosurve është një marzh shumë i lartë. Unë besoj që ka pasur dhe një element tjetër që i ka kushtuar shumë PD-së në këto zgjedhje, dhe ky element ka qenë mosgoditja politikisht e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

-Përse është marrë vendimi për të mos e goditur LSI-në? Ishte vendim i partisë, apo strategji?

Nuk ka qenë vendim i partisë dhe nuk ka qenë as një strategji e mirëqenë. Por, mosgoditja e LSI-së për mua rezulton të këtë qenë një problem i madh.

-Po përse nuk u godit LSI? Ju keni pasur marrëdhënie të tensionuara me LSI-në, pse nuk i goditët në qarkun tuaj?

Sepse ndoshta për zakon elektoral ne e përqendruam të gjithë fokusin tonë te PS-ja, ndërkohë neglizhuam një faktor të së majtës, i cili kishte qenë në koalicion me ne deri në 1 prill dhe që ishte LSI-ja. Nëse i referohemi qarkut të Kukësit, ku për shkak të një lëvizjeje lokale, drejtuesi i PD-së u detyrua të përqendrojë fushatën te LSI-ja sesa te PS-ja, u ruajt rezultati. Aty ku ne u fokusuam kryesisht te PS-ja dhe aspak te LSI-ja, rezultati çedoi.

-Në analizën tuaj personale është një strategji e gabuar dhe jo një votë e shqiptarëve kundër qeverisjes tuaj, zoti Olldashi?

Sigurisht mund të ketë pasur njëlloj lodhjeje nga qeverisja, por nuk besoj se ka një votë masive kundër, për shkak se kjo është një qeveri që ka një bilanc të jashtëzakonshëm.

-Zoti Bamir Topi e konsideron veten opozitar, do të jeni ju për një hapje me figura të tilla të larguara nga PD?

Nuk dua të komentoj asnjë emër të përveçëm, por thashë jo që e konsideron… PD duhet të jetë njëherë e hapur për këdo që është i gatshëm të veprojë si opozitar.

-Ka një hezitim te pjesa më e madhe, që mendojnë se kryetari i ardhshëm i PD-së do të jetë një lodër në duart e Berishës?

Nuk besoj se kjo do të ndodhë, sepse Berisha nuk funksionon kështu. Unë punoj me zotin Berisha që nga vitit 1999, në marrëdhënie të përditshme. Berisha është një njeri që komentohet fare lirshëm dhe debatohet lirshëm.

-Çfarë ka bërë keq Berisha dhe çfarë duhet korrigjuar nga eksperienca e Berishës në 23 vjet?

Berisha është figura që ka dominuar skenën politike në këto 23 vjet. Kam përshtypjen që e vetmja kritikë që do t’i bëja zotit Berisha është që në momente të caktuar është më pasionant nga ç’duhet.

-Çfarë do të korrigjonit në mënyrën se si Berisha ka drejtuar partinë këto 23 vjet?

Besoj se kryetari i ardhshëm i partisë duhet të jetë më kolegjial.

-A ka një thyerje të fortë midis jush dhe zotit Basha?

Mes meje dhe zotit Basha? Absolutisht jo. Unë me zotin Basha kam marrëdhënie shumë të mira. Nuk kemi pasur kurrë thyerje.

-A ekziston rreziku i çarjes në dysh të PD-së?

Në mënyrë kategorike jo. Unë jam absolutisht i vendosur që të mos lejoj veten time të bëj dhe të them qoftë dhe një fjalë të vetme që të bënte cilindo që të mendonte se PD po shkon drejt çarjes. Dhe sigurisht që jam i bindur dhe shpresoj që Basha do të bëjë të njëjtën gjë, sepse është diçka, që mbi të gjitha PD-ja të konsolidohet nga ky proces.

-Cili është mendimi juaj për zotin Basha gjatë karrierës 9-vjeçare në PD?

Unë me zotin Basha kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë gjithmonë.

-Çdo të ndodhë nëse ju do të bëheni kryetar i PD-së? Ç’do të ndodhë me Bashën dhe mbështetësit e tij?

Basha sigurisht që do të jetë pjesë e qenësishme e partisë.

-Çdo të thotë pjesë e qenësishme?

Që unë e mendoj zotin Basha në një nga funksionet drejtuese të PD-së.

-Po nëse Basha fiton garën për kryetar të PD-së? Cili do të jetë qëndrimi juaj?

Qëndrimi im do të jetë njohja e menjëhershme e rezultatit. Respektim i rezultatit. Por, besoj se do ta fitoj unë garën.

-Cilat janë garancitë që nuk do të ketë spastrime të njerëzve me vlerë, që janë konkurrentë apo kundërshtarë të kryetarit?

Kjo parti ka nevojë të rritet, sepse ka marrë një goditje dhe ka nevojë të rigjenerohet prapë me anë të një karte morale opozitare. Sali Berisha i fitoi zgjedhjet në vitin 2005 më një kartë të fortë morale. Sali Berisha u rikonfirmua në vitin 2009 më një kartë të fortë morale. Ne duhet domosdoshmërish të ndërtojmë një kartë të fortë morale mbi të cilën të ngremë gjithë aksionin opozitar, që të kthehemi në pushtet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Dhe çdo njeri i arsyeshëm do të shkonte drejt unifikimit të partisë dhe jo drejt përçarjes së partisë. Në qoftë se anëtarësia e partisë do të më besojë drejtimin e PD-së, unë absolutisht do t’i ofroj të gjitha garancitë edhe statusore që askush në PD nuk mund të bëjë spastrime të funksionarëve.

-Cilat janë këto garanci statusore?

Garanci statusore, që PD-ja sot i ka. Sepse duhet të kemi parasysh që është e vetmja parti që nuk ka në statut përjashtimin, por nga ana tjetër, ka nevojë të forcojë disa mekanizma, sepse duke qenë në opozitë ka nevojë të konsolidojë disa mekanizma që të mbrojë edhe mendimin kritik brenda partisë.

-Zoti Olldashi, Berisha humbi zgjedhjet dhe dha dorëheqjen sipas një premtimi që kishte bërë disa herë. Ndërkohë që edhe zoti Nano dha dorëheqjen kur humbi zgjedhjet. A jeni ju i parimit që në statutin e ri të kësaj partie të sanksionohet parimi që ai kryetar partie që humb zgjedhjet e përgjithshme të japë dorëheqjen?

Berisha ka vendosur një standard moral, i cili domosdoshmërisht duhet të kthehet në një standard statusor.

-Pra ju i qëndroni idesë që kryetari i PD-së që humb zgjedhjet e përgjithshme largohet për t’i hapur rrugën një kryetari të ri?

Po, qartësisht.

-Nëse si kryetar i PD-së do keni nevojë për koalicion me LSI, do ta bëni?

Në asnjë rrethanë.

-As në rast se do të ishit në rrethanat e Berishës në 2009-n?

Në rrethanat e 2009-s sigurisht që do kisha bërë koalicion, por me sjelljen politike që pati LSI nga 2009 deri në 2013-n është e pamundur që me atë parti të bëhet një marrëveshje politike, sepse t’i ndërton një marrëveshje politike dhe ata nënkuptojnë një pazar financiar.

-Si e gjykoni ardhjen e Metës si kryetar Kuvendi?

Si shfaqjen më të shëmtuar të mungesës së moralitetit.

-Ç’domethënë? Të paktën nuk do të ketë arrogancën e Topallit…

Zonja Topalli nuk është kapur kurrë me bllok në dorë. Unë besoj se shumica e shqiptarëve, pa diskutim të gjithë demokratët besojnë se ky vend nuk të ngre në piedestal kur del me bllok në dorë.

-Në qoftë se do të isha votues i PD, pse duhet t’ju votoja ju?

Elementi më pozitiv për të cilin një anëtar i PD do të votonte Olldashin do ishte që unë e kam ndërtuar gjithë karrierën time në PD duke kaluar të gjitha shkallët dhe kjo më ka bërë ta njoh mirë strukturën. Unë e kam nisur marrëdhënien me PD duke shpërndarë trakte në Durrës në 1990-n, kur do bëhej mitingu i parë. Nga traktet kalova në ngjitjen e posterave. Pastaj isha në mbledhjen e themeluese të forumit rinor. Kam qenë pjesë e traumës që pësoi PD në 1997, në këtë rast si gazetar, sesa si pjesë e saj.

-Është kjo e mjaftueshme që një militant i PD t’ju votojë?

Shpresoj që po. Unë i njoh militantët e PD. I njoh personalisht pjesën më të madhe të strukturave të PD-së. Kam përjetuar me ta ditët e mira dhe të këqija. Unë besoj se di si ta ringre strukturën e PD dhe si ta çoj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

-Cili është avantazhi që mendoni se keni në raport me Bashën?

Pikërisht kjo, njohja kapilare që unë kam me strukturën e PD-së dhe fakti që unë e njoh jetën e opozitës. E di se si është opozita.

-Do shkoni të takoni gjithë anëtarësinë?

Kjo është strategji elektorale. Për mua kjo kohë është e mjaftueshme, sepse lëviz në një terren që e njoh. S’kam nevojë të shkoj dhe të prezantohem me njerëzit. Në telefonin tim është treçereku i partisë. /Start/
 



     
  Komento kt Lajm!   
  Emri*   
  Qyteti   
  Prmbajtja e komentit*   
  Kodi*     
 
Sqarim: Njoftojm t gjith lexuesit tan se komentet t cilat prmbajn fjalor ofendues, antikombtar, antifetar, prars NUK DO T PUBLIKOHEN!!!
     
Lajme të ndryshme
Nagatomo-Hondës: Do t’i lyesh flokët vjollcë po humbe derbin?
101- vjeçarja sheh për herë të parë oqeanin, ja reagimi i saj
Kinezë të “dashuruar” me “iPhone 6 Plus”-in
Ruani mëlçinë me këto produkte
Pse na streson jetesa në qytetet e mëdha?
Plaka dhe oqeani
Çfarë atmosfere në derbin e Buenos Airesit! (VIDEO)
Pamjet të rralla të Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore (video)
Blendi Fevziu: Ahmet Zogu nuk ishte tradhtar
Op / Ed
Lajmi i fundit
 Forum
Zgjidh lumturinë Të jetosh nuk do të thotë thjesht të marrësh frymë. Të jetosh do të thotë të mësosh, të zbavitesh, të prodhosh ide, të bëhesh i dobishëm, të zbulosh, të kërkosh strehim... »»
 Eseistikë
Të sistemohet edhe arti! Në përgjithësi ne bëjmë të njëjtat gjëra: vishemi njëlloj, hamë të njëjtat ushqime, shohim të njëjtët filma, dëgjojmë të njëjtën muzikë, informohemi nga të njëjtat kanale komunikimi, lexojmë të njëjtë »»
 Dossier
Shqipëria dhe shqiptarët në tekstet shkollore të Perandorisë Osmane Në tekstet shkollore të Perandorisë Osmane vihet re se janë pasqyruar të gjitha etapat e modernizimit dhe ideologjia zyrtare e kohës. Kështu, në periudhën e Tanzimatit (1839-1876) në tekstet dhe progr »»
Abonohu
Email
(*) Abonohuni këtu nëpërmjet emailit tuaj për të lexuar lajmet kryesore të ditës.

 

[ Stafi | Kreu | Kontakti | Politika e Botimit ]
Copyright 2006-2014 © GazetaStart.com - Të Gjitha Të Drejtat e Rezervuara.