E shtunë, 30 Maj 2015

0

Një shpërthim ka ndodhur në një lokal tek shkolla “Vasil Shanto” rreth orës 21:30 të mbrëmjes së sotme. Për shpërthimin e godinës në ndërtim është përdorur rreth 100 gram tritol.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se kanë mbërritur 2 autoambulanca për të transportuar dy persona të plagosur.

Mësohet se pista kryesore e hetimit për këtë shpërthim është konflikti i pronësisë për objektin. Sipas burimeve tritoli dyshohet se është vendosur nga ish-pronari pasi ia kishte marrë Banka pronën.

Ish-pronari i ndërtesës, Arben Bardhi nga Elbasani e kishte lënë ndërtesën si kolateral në bankë për kredi, dhe për efekt të mosshlyerjes së saj Banka ia ka përvetësuar përmes një vendimi gjykate dhe më pas e ka shitur përmes ankandit.
/GS/

0

 

Laçi është fitues i Kupës së Shqipërisë.

Kurbinasit triumfuan 2-1 në finalen përballë Kukësit, luajtur mbrëmjen e sotme në stadiumin “Qemal Stafa”.

Bardhezinjtë gjetën golin e avantazhit që në minutën e 28-të falë një perle të Veliajt.

Megjithatë  verilindorët reaguan mjaft mirë dhe në fundin e pjesës së për gjetën golin e qetësisë me Hasanin.

Vulosi gjithçka Xhemjs që shënoi në minutën e 60’ duke ngritur peshë tifozët kurbinas.

Ky është trofeu i dytë i Kupës së Shqipërisë në historinë futbollistike të Laçit.

/GS/

0

Që nga nisja në muajin shkurt e publikimit të bisedave të përgjuara telefonike të zyrtarëve qeveritar, nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve, kreu i opozitës, Zoran Zaev kishte paralajmëruar zbardhjen edhe të rastit “Monstra“, të vrasjes se pesëfishtë në Smillkovcë.

Por, deri më tani, përveç paralajmërimeve, ai nuk ka zbardhur asnjë dëshmi, përkundër pritjeve të shumta në opinion, te i cili ka dyshime se i gjithë rasti është i montuar nga struktura të caktuara për qëllime politike dhe destabilizuese.

Zoran Zaev, disa herë ka thënë se rasti është shumë i ndjeshëm, me paqartësi e dilema të shumta, nëse vërtetë të dënuarit për këtë rast, janë autorët e vërtetë të krimit.

Por, kreu i Lidhjes social-demokrate të opozitës këtë nuk e ka thënë ende publikisht në konferencat e shumta për media që mbanë për “shkeljet e paligjshme të bëra nga zyrtarët“.

Vonesat në publikimin e bisedave të zyrtarëve për këtë rast kanë nxitur debate nëse Zaev taktizon për qëllime tjera, apo për mos nxitje të trazirave të mundshme.

“Ajo që tani përmendet si rast shumë sensitiv për marrëdhëniet ndëretnike, rasti Monstra është me siguri rast nga i cili do të preken dy partitë që tani përbëjnë koalicionin qeveritar, VMRO-në dhe BDI-në dhe duket qartë se ky rast përdoret nga ana e liderit të LSDM-së për të arritur deri te ndonjë pikë e bisedimeve tek e cila ne si opinion nuk kemi qasje”.

“Paralajmërimi se do të publikojë gjithë atë që posedon rreth këtij rasti të mistershëm dhe zbardhjen e tij deri në fund, sikur u hesht pas takimit të fundit të liderëve, andaj ka hapësirë që të dyshojmë se ka ndodhur diçka brenda apo se ky rast është përdorur për të bërë një presion, apo për të shtyrë para procesin negociues në kuadër të takimit të liderëve“, thotë analisti Xhelal Neziri.

Nga ana tjetër, Sonja Stojadinoviq, njohëse e çështjeve politike, beson se taktizimet e kreut të opozitës më tepër kanë të bëjnë me përgatitjen e opinionit shqiptar me atë që mund të publikohet, për të mos u përshkallëzuar situata, ashtu siç ndodhi me rastin e Martin Neshkovskit, kur u zbardhën bisedat lidhur me vrasjen e tij, e që u përshkallëzuan në dhunë mes policisë dhe protestuesve.

“Paralajmërimet e para të zotit Zaev lidhur me rastin ‘Monstra’ ishin se dëshmitë e publikuara për këtë rast do të jenë ‘bombat’ më të fuqishme që do të zgjidhin problemin me diktaturën në Maqedoni, por ku u panë reagimet dhe protestat për rastin e vrasjes së Neshkovskit, atëherë kreu i opozitës bëri një hap pas duke parë se sa mund të jetë i ndjeshëm rasti Monstra”.

“Besoj se kalkulimet e tij kanë të bëjnë me përgatitjen e popullatës shqiptare me atë se çka do të publikohet në opinion, të mos ketë përshkallëzim të gjendjes dhe në anën tjetër të pastrojë dilemat që kanë të bëjnë me këtë rast, në njërën anë t’i njoftojë familjarët e viktimave se kush në të vërtetë janë vrasësit e bijve të tyre dhe në anën tjetër të nxjerr në dritë të vërtetën për atë që po mbahen në burg“, thotë Stojadinoviq.

Ajo shton se kreu i opozitës e ka për obligim që të zbardh gjithçka që posedon për kërë rast që të mos humb besimin dhe pritjet e shumë njerëzve lidhur me këtë rast.

Por, ndryshe vlerëson analisti, Xhelal Neziri. Ai thotë se publikimi i të vërtetës për rastin “Monstra”, jo që nuk do të lëkund raportet ndëretnike apo të shkaktojë trazira, por do të forcojë edhe më shumë besimin ndaj njëri tjetrit, pasi qytetarët, qofshin shqiptar apo maqedonas, siç thotë ai do ta kenë të qartë një herë e përgjithmonë se kush janë nxitësit e vërtetë të tensioneve ndëretnike.

“Zbardhja e së vërtetës sikur edhe të mos jetë në favor të ndonjë bashkësie etnike në Maqedoni nuk do të përkeqësojë raportet ndëretnike, por përkundrazi do të përfocojë besimin mes tyre”.

“Edhe bisedat që janë zbardhur deri më tani nga lideri i opozitës përmbanin fjalor fyes apo përmbajtje të urrejtjes për shqiptarët, por reagim nga ana e shqiptarëve nuk pati, pasi të gjithë ne dëshirojmë të dimë se çfarë në të vërtetë ndodhi ditën kur u vranë pesë personat në Smillkovcë, në atë që njihet si rasti ‘Monstra’ dhe a janë në të vërtetë fajtor njerëzit që po mbahen në burg“, thotë Neziri.

Vrasja e pesë të rinjve maqedonas në afërsi të liqenit të Smillkovcës kishte ndodhur më 11 prill të vitit 2012.

Ky krim, i cilësuar si rasti “Monstra”, pati shkaktuar tensione dhe trazira ndëretnike në Maqedoni, meqë vepra ishte klasifikuar si terroriste nga qeveria. Për këtë vepër, gjashtë shqiptarë janë dënuar me burg të përjetshëm. /Rel/

0

Një 17-vjeçar është mbytur pasditen e sotme në liqenin e Vorës teksa kishte shkuar për t’u larë me disa shokë.

Nga të dhënat e para dyshohet se adoleshenti ka pësuar infarkt nga kontakti me ujin.

Trupi i pajetë i adoleshentit është nxjerrë nga rezervuari nga polumbarët e forcave RENA.

I ndjeri është transportuar për në spital për t’iu nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore.

/GS/

0

Sep Blater ka marrë mandatin e pestë si president i FIFA-s.

Princ Ali është tërhequr në raundin e dytë për kryetar të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit, duke ia lënë rrugën të hapur Blaterit.

Në raundin e parë Blater fitoi 133 vota, kurse Princi Ali bin al-Hussein 73 vota.

Asnjëri prej dy kandidatëve nuk ka arritur t’i marrë 140 vota apo më shumë, pra 2/3, prandaj u procedua për një raund të dytë, ku mjaftonte shumica e thjeshtë me 105 vota.

Më herët gjatë ditës së sotme Blater ka deklaruar “mbajë përgjegjësinë për stuhinë aktuale”, kurse Princi Ali e ka premtuar sjelljen e “agimit të ri dhe largimin e errësirës”.

Vetëm një ditë më parë presidenti i UEFA-s, Mishel Platini paralajmëroi Blaterin se nëse rizgjidhet në krye të FIFA-s, ekipet evropiane mund të bojkotojnë Botërorin.

/GS/

0

Tifozët e Laçit dhe ata të Kukësit janë konfliktuar fizikisht në autostradë.

Për disa minuta është bllokuar qarkullimi ndërkohë që palët janë goditur me sende të forta.

Sipas të dhënave paraprake dyshohet të ketë të plagosur nga përleshja.

Ndërkohë për të qetësuar situatën është dashur ndërhyrja e uniformave blu.

Dy ekipet veriore zbresin në orën 20:00 tapetin e “Qemal Stafës” për t’u përballur në finalen e Kupës së Shqipërisë.

/GS/

 

0

 

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati i konsideron zgjedhjet e 21 qershorit si një provë litmusi për demokracinë në Shqipëri.

Deklarata  e tij u bë gjatë një takimi me Ambasadoren Audrey Glover, e cila kryeson Misionin Vëzhgues të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore.

Ministri Bushati i shprehu znj. Glover angazhimin e plotë të Qeverisë shqiptare për të krijuar kushtet për një proces të drejtë e të ndershëm zgjedhor, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Ai ka vlerësuar ekspertizën dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR, si një ndihmesë të vyer për arritjen e standardeve demokratike.

Ambasadorja Glover shprehu falënderime për ftesën e Qeverisë shqiptare për monitorimin e zgjedhjeve dhe njohu Ministrin Bushati me punën e deritanishme të Misionit Vëzhgues dhe angazhimet deri ditën e zgjedhjeve. Në lidhje me veprimtarinë pas-zgjedhore, Ambasadorja Glover u ndal tek vëmendja që do të kërkojë procesi i numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultateve.
/GS/

0

Me Kupën e Amerikës që pritet të ngrejë siparin më 11 qershor, le t’u hedhim një sy futbollistëve që do të jenë pjesë e turneut që do të zhvillohet në Kili.

Të 12 ekipet pjesëmarrëse i kanë shpallur tashmë listat paraprake, të cilat do të zyrtarizohen me 23 emrat përfundimtarë brenda 1 qershorit.

/Start/

0

Një 14-vjeçar nga qyteti i Korçës i ka dërguar një letër prekëse kryeministrit të vendit Edi Rama.

Në letër adoleshenti shprehet i shqetësuar për pushimin e babait të tij nga puna si mjek-kirurg dhe kërkon drejtësi nga krerët më të lartë të qeverisë.

Letra e plotë

“Të nderuar Z. Kryeminister Edi Rama, Zv. Kryeminister Niko Peleshi, Minister i Shëndetësisë Ilir Beqaj. Quhem Vangjel Nikolla Nunka, jam 14 vjeç nga Korca.

Kam një kohë të gjatë që ndjehem shumë i shqetësuar dhe nuk fle natën për babin tim të dashur, sepse nuk kanë të mbaruar hallet dhe shqetësimet e tij. Babi im është një mjek Kirurg i Specializuar në shumë vende të Botës si Itali, Japoni, Gjermani, Austri, Bullgari, etj.

Ai zotëron shumë gjuhë të huaja dhe me pasion të madh dhe sakrifica, ka sjellë të reja të shkencës kirurgjikale në qytetin tonë. Nuk e kuptoj pse duhet të vuaje ai kaq shumë???!
Sot në mëngjes ju komunikua nga Drejtoria e Spitalit, prishja e kontrates së punës dhe nxjerrja e tij në mes të kater rrugëve si të papunë.

Ç’farë paturpësi dhe hakmarrje është kjo ndaj familjes time?
Pse duhet te vuaj unë kaq shumë në këtë moshë të mitur, duke e parë çdo minutë deshpërimin e prindërve të mi të dashur?
Oh sa keq po ndjehem!

Zotërinj Qeveritarë, pse heshtni dhe nuk përgjigjeni ndaj letrave të babit tim, duke e lexuar qartë të vërtetën e shprehur në ato letra prej tij. Mos lejoni këtë padrejtesi të turpshme ndaj babait tim, dhe të bëhet shkak i vuajtjeve të pafund të familjes time.

Kë duhet të vrasë ndërgjegjia që une në këtë moshë të vogel të pësoj tronditje kaq të madhe shpirtërore për këtë hakmarrje të shëmtuar që po i bëhet familjes sime të ndershme.

Jam shumë i sigurt se nuk ka njeri me të ndershëm se babai im! Ju lutem shumë të dëgjoni thirrjen e një djali 14 vjeç që kërkon nga ju një përgjigje sa më të shpejtë ndaj letrave që ju ka derguar babai im dhe zgjidhjen e këtij problemi ai të kthehet në vendin që i takon dhe e meriton si kirurg i nderuar ne Spitalin e qytetit të Korçës. Më besoni, po them të vërtetën dhe ato që ndjej thellë në zemrën time. Me respekt, Vangjel Nikolla Nunka, Korçë.”

/GS/

0

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar sot raportin “Gratë dhe burrat në Kosovë”.

Disa fakte të rëndësishme të dala nga ky raport janë:

– Raporti meshkuj/femra: për 100 femra janë 101 meshkuj;

– Jetëgjatësia mesatare: 74.1 vjeç për burra dhe 79.4 vjeç për gra;

– Mosha mesatare e të martuarve: për burra 30.8 vjeç dhe për gra 27.3 vjeç;

– Të dhënat e fertilitetit: 1.9 fëmijë për një grua;

– Koeficienti i maskulinitetit: 112.1 meshkuj, për 100 femra;

– Shkalla e analfabetizmit në popullsinë e moshës mbi 10-vjeçare: 3.85 për qind në mesin e burrave, ndërsa në mesin e grave 3.07 për qind;

– Shkalla e papunësisë: për gratë është 38.8 %, 26.9 % për meshkujt.

Për më shumë informata rreth këtij raporti, klikoni këtu: http://ask.rks-gov.net/

0

Lista e propozimeve për të cilat kanë rënë dakord gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ka 11 projekte prioritare, që duhet të përfundojnë deri në vitin 2030. Ato ndërlidhin vendet e rajonit, njëkohësisht janë zgjatime me korridoret e Bashkimin Europian.

Vendet kanë kohë dy muaj që të përgatisin propozimet e përbashkëta në samitin që do të mbahet në Vjenë më 27 gusht 2015. Komisioni Evropian angazhohet për 130 milionë euro brenda vitit 2015 dhe 1 miliard euro në tërësi për Ballkanin, vetëm nga fondet e para anëtarësimit (IPA 2014-2020). Veç 11 projekteve, është rënë dakord që të përfshihet edhe rindërtimi i hekurudhës shqiptare, si pjesë e Korridorit VIII, me kusht që Shqipëria të paraqesë një studim fizibiliteti dhe projekt financimi të besueshëm.

“Në vazhdim, hekurudha e Korridorit VIII do të jetë nën mbikëqyrje duke përfshirë financimin e mundshëm të studimeve paraprake, lidhjeve të detajuara, dizajnimeve dhe punëve eksploruese me një përfshirje në rrjetin kryesor gjatë rishikimit të ardhshëm të ‘TEN T’”, theksohet në deklaratën e Brukselit. “Ne do të japim mbështetje teknike për Korridorin VIII dhe do të shqyrtojmë planet dhe financimet rreth tij. Më pas, në bazë të rezultateve, që do t’i shohim në takimin e 10-shes, mund ta përfshijmë atë gjithashtu në rrjetin qendror të ndërlidhjes”, është shprehur Violeta Bulc, komisionere e BE-së për Transportin.

Lobimi për korridoret

Gjashtë nga 10 korridoret e transportit paneuropian pritet të kalojnë në vendet e Ballkanit duke krijuar kështu një fushë të re konkurrence. Gara është se cili nga projektet dhe cili segment do të financohet më parë se të tjerët. Dyshja e kryeministrave Rama – Vuçiç nuk është thjesht një afrim për hir të stabilitetit si parakusht për financimet e BE-së, por edhe një gjetje konsensusi për zhvillimin e projekteve të përbashkëta.

Sipas burimeve zyrtare, projektet më konkrete për të cilat dy kryeministrat kanë dhënë mbështetjen e tyre të plotë në Bruksel ishin autostrada Nish – Prishtinë – Durrës, hekurudha që do të lidhë Beogradin me Budapestin dhe autostrada Adriatiko-Joniane që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe Kroacinë në veri dhe Greqinë në jug të vendit tonë. Por, vendi përfiton dhe për hekurudhën lidhëse me Malin e Zi në këtë korridor, (Tiranë / Durrës – Podgoricë). Një projekt tjetër ku serbët po binden të përfshihen është gazsjellësi TAP, që ka mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së.

“Projektet gazsjellëse duhet të reflektojnë interesin e projekteve të komunitetit energjetik, që ka rëndësi për axhendën ndërlidhëse”, theksohet në qëndrimin e përbashkët të gjashtë vendeve të rajonit, të cilat do të angazhojnë “komitetet kombëtare të investimit” për prioritetet në këtë kuadër. Lidhur me infrastrukturën rrugore, Serbia ka tendenca që korridorin numër 10, i cili kalon nëpërmjet territorit të saj, ta paraqesë si më të rëndësishmin.

Maqedonia ka mbështetur korridoret X dhe VIII, për infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, ndërsa për Korridori VIII, është interesuar vetëm për pjesën e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore drejt Bullgarisë dhe ka pasur mbështetjen e këtij vendi anëtar të BE-së. Nga ana e saj, Kroacia mbështet Shqipërinë dhe Malin e Zi për autostradën Adriatiko-Joniane. Në anën tjetër, korridori numër 10, sipas ekspertëve, do të bënte që një pjesë e tregtisë ndërkombëtare që realizohet nëpërmjet Serbisë të zhvendoset në Kroaci, ndërsa me anë të autostradës përgjatë brigjeve të Adriatikut, Kroacia do të fitonte edhe avantazhe tregtare.

Greqia përpiqet që njërin cep të autostradës “Egnatia”, i cili kalon në territoret e saj, ta lidhë me Stambollin, kurse tjetrin ta lidhë me qytetin e Durrësit në Shqipëri që ndodhet në brigjet e detit Adriatik. Në anën tjetër, Athina, me anë të marrëveshjeve që ka nënshkruar me Serbinë dhe Maqedoninë, përpiqet që korridorin 10 ta ndërlidhë me autostradën Egnatia. Korridoret paneuropiane të transportit i interesojnë edhe Turqisë. Korridoret 4, 8 dhe 10 përfshijnë edhe Turqinë brenda sistemit të transportit paneuropian.

Angazhimi

“Ne konstatojmë se në Bashkimin Europian, baza e rrjetit të transportit lidh të gjitha kryeqytetet e BE-së, qendrat kryesore ekonomike dhe portet kryesore të BE-së. Ne njohim faktin se zgjatja e tij në Ballkanin Perëndimor lejon përshpejtimin e politikave dhe reformave rregulluese, përpjekjet të përqendruara dhe investimet në korridoret kyçe dhe ndërlidhjet”, theksohet në deklaratën e përbashkët të gjashtë kryeministrave në takimin e prillit në Bruksel.

“Kjo është korniza në të cilën dëshirojmë të lidhim Ballkanin Perëndimor, jo vetëm në një lidhje fizike, përmes rrugës dhe hekurudhës, por edhe në një lidhje politike e ligjore. Nëse i shtojmë Traktatit për Komunitetin e Transportit rrjetin qendror rajonal, atëherë kjo do të bëhet një marrëveshje e detyrueshme ligjore si për Ballkanin Perëndimor ashtu edhe për BE-në, duke e fuqizuar kështu edhe më tej kredibilitetin e këtij procesi”, është shprehur komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Hahn, në takimin ministerial të Prishtinës. Sipas komisionerit, në gusht do të shfrytëzohet Samiti i Vjenës për të prezantuar një listë të prioriteteve investuese në energji dhe rrjetin qendror të transportit rajonal.

Rrjeti i rrugëve që do t’i propozohet BE-së për financime

Korridori Vc

Bosanski Samac (Bosnja) – Doboj – Sarajevo – Mostar – Bijaca (Kroacia

Korridori VIII

Tiranë / Durrës – Elbasan – Strugë – Tetovë – Shkup – Deve Bair (Bullgari)

Korridori X

Batrovci (Kroaci) – Beograd (Serbi) – Nish (Serbi) – Shkup (Maqedoni) – Bogorodica (Greqi)

Korridori Xb

Subotica (kufiri hungarez) – Novi Sad (Serbia) – Beograd

Korridori 10C

Nish (Serbia) – Gradina (Bullgari)

Segmenti 1

Debeli Brijeg (Border Crossing) – Bar (Mali i Zi)

Segmenti 2

Podgorica (Mali i Zi) – Durrës – Fier – Tepelenë- Qafë-Botë

Segmenti 2a

Gradiska (Kroaci) – Banja Luka (Bosnjë) – Lasva – Travnik

Segmenti 4

Vrsac (Rumani) – Beograd (Serbi) – Podgoricë (Mali i Zi) – Bar (Mali i Zi)

Segmenti 6

Prishtinë – Shkup

Segmenti 7

Lezhë – Prishtinë – Doljevac / Nis (Serbi)

Harta – Për shkak se Serbia kundërshton njohjen e Kosovës, mungon harta me segmentet rrugore, por ekziston vetëm një listë

Hekurudha – Shqipëria përfiton për financime për hekurudhën lidhëse me Malin e Zi në këtë korridor, (Tiranë / Durrës – Podgoricë)

Projekti – Për rindërtimin e hekurudhës shqiptare në kuadër të Korridorit VIII, BE-ja është në pritje të paraqitjes së projektit

Lobimi – Rama dhe Vuçiç patën kompromis në Bruksel për rrugën Nish – Durrës, hekurudhën Beograd – Budapest dhe autostradën “blu”.

 

/Shqip/

 

 

 

0

Ivan Bogdanov, tifozi serb i njohur si “Ivani i Tmerrshëm”, është liruar nga ndjekja penale.

Një Prokurori e Lartë publike në Beograd ka vendosur që Bogdanov nuk ka kryer vepër penale kur u fut në fushën e stadiumit “Partizani” pas ndërprerjes së ndeshjes Serbi – Shqipëri 14 tetorin e shkuar.

“Ndaj Bogdanovit ka qenë e ngritur një padi penale, e cila është hedhur poshtë në një shqyrtim të mëtejmë nga Gjykata për Kundërvajtje”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Huligani, i cili mori famë kur dogji flamurin shqiptar në stadiumin e Xhenovas në vitin 2010, ishte dënuar me tre vjet heqje lirie në Itali. Ndaj tij ka pasur edhe padi të tjera, por kurrë nuk i është shqiptuar masa e largimit nga stadiumet.

Sipas padisë së mëhershme, rasti ndaj Bogdanovit cilësohej si sjellje e dhunshme në ndeshje sportive, por kjo është anuluar për shkak se, sipas Prokurorisë, nuk ka pasur vepër penale, por eventualisht një shkelje për kundërvajtje.

/Start/