E mërkurë, 27 Maj 2015

0

 

I fundit në rendin e takimeve të kryeministrit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, ishte ai me kryetarin e Partisë Demokratike dhe kryebashkiakun e Tiranës Lulzim Basha.

Basha e vlerësoi vizitën e Vuçiçit si një hap përpara në intensifikimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Lideri i opozitës shprehu angazhimin e Partisë Demokratike për të mbështetur zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në funksion të zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mundësive për një jetë më të mirë për qytetarët shqiptarë dhe serbë.

Basha tha se “shqiptarët nuk kanë dallime politike kur vjen fjala tek dëshira për të patur marrëdhënie sa më normale bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Serbisë të cilat do të jenë një impuls zhvillimi për dy vendet.”

Kryetari i PD-së tha se “vizioni ynë është integrimi europian i të gjitha vendeve të Ballkanit dhe këtu duhet të orientohen energjitë tona për të çuar përpara projektin final të anëtarësimit në Bashkimin Europian”.

Më tej Basha tha se shpreson që dita kur lidershipi serb të njohë pavarësinë e Kosovës të mos jetë e largët.

“Ky është interesi më i mirë për të dy vendet dhe rruga e vetme për të garantuar paqe, siguri, mirëqenie dhe zhvillim për të gjithë rajonin”, tha ai.

Duke u ndalur tek situata në Luginën e Preshevës, Basha i kërkoi kryeministrit Vuçiç një vëmendje më të madhe nga ana e qeverisë serbe si për sa i përket zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturor të kësaj zone por dhe rritjes së shanseve për punësim dhe arsimim.

Kreu i PD-së kërkoi gjithashtu nga kryeministri serb edhe zbatimin e marrëveshjes për tekstet shkollore në gjuhën shqipe për nxënësit e Luginës së Preshevës.

/GS/

0

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç u prit pasditen e sotme edhe nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani.

Kreu i shtetit vlerësoi zhvillimin e kësaj vizite zyrtare si shumë të rëndësishme dhe si shprehje konkrete e vullnetit për vendosjen e urave të komunikimit mes dy vendeve, por edhe të mirëkuptimit më të mirë mes qytetarëve shqiptarë dhe atyre serbë.

Duke u ndalur tek të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Nishani kërkoi një kujdes dhe mbështetje më të madhe nga ana e qeverisë, veçanërisht zbatimin sa më parë të angazhimeve të mara sa i përket aspektit ekonomik, shoqëror dhe shëndetësor të tyre.

Presidenti nënvizoi se do të kishte qenë e udhës që nënshkrimi i Marrëveshjes për Njohjen Reciproke të Diplomave të realizohej gjatë kësaj vizite, për të dhënë një mesazh më të drejtpërdrejtë të vullnetit pozitiv për t’i çuar përpara marrëdhëniet mes dy vendeve.

Një vend të posaçëm në takim zuri edhe çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku Presidenti Nishani vuri në dukje se vazhdimi i dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve të dakordësuara janë rruga më e mirë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kryeministri Vuçiç vuri në dukje se mbetet realisht i angazhuar për të avancuar marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, dhe se vizita e tij në Tiranë u realizua mbi bindjen e sinqertë për rëndësinë e përparimit të këtyre marrëdhënieve, të cilat i konsideroi kyç për stabilitetin dhe paqen në rajon.

/GS/

0

Një përplasje me armë zjarri ka ndodhur pasditen e sotme në Tiranë, ku për pasojë kanë gjetur vdekjen tre persona.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18: 40 minuta në Bulevardin “Zogu i Parë”, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Tre personat që po udhëtonin me të njëjtin automjet janë qëlluar me kallashnikovë.

Viktimat janë identifikuar si: Mentor Lufi, 32 vjeç; Gerti Goxha, 33 vjeç; Besnik Sulku, 34 vjeç.

Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se dy nga viktimat humbën jetën menjëherë, ndërsa i treti ndërroi jetë në spital.

Të ndjerët mendohet të jenë me origjinë nga Lura dhe sipas informacioneve paraprake kanë qenë me precedentë penalë.

Vetëm pak minuta pas përplasjes me armë, policia ka mundur të arrestojë pranë vendit të ngjarjes dy personat e dyshuar për atentatet.

Ndërkohë të ndaluar janë edhe tre persona të tjerë të cilët mendohen të jenë bashkëpunëtorë.

Në vendngjarje ka shkuar edhe vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe drejtues të tjerë të Policisë.

Gjithçka ndodh në një ditë kur Tirana ishte e blinduar nga forca të shumta policore, të cilat ishin në gatishmëri me rastin e vizitës së kryeministrit serb Aleksandar Vuçiç.

/GS/

0

AKU ka reaguar pas deklaratës së kompanisë së miellit “Agroblend” e cila e cilësonte si të paligjshëm dhe sulm politik bllokimin e aktivitetit të kësaj kompanie pas konstatimeve se në produkt ishte gjendur aflatoksin.

AKU përmes një njoftimi për mediat deklaron se çdo përpjekje nga palë të tjera dhe sidomos të atyre në konflikt të hapur interesi për të kryer inspektim dhe analizë të produkteve ushqimore është e pavlefshme dhe në shkelje të rëndë të ligjit të ushqimit.
Reagimi i plote i AKU

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit deklaron se çdo përpjekje nga palë të tjera dhe sidomos të atyre në konflikt të hapur interesi për të kryer inspektim dhe analizë të produkteve ushqimore është e pavlefshme dhe në shkelje të rëndë të ligjit të ushqimit. AKU do të dërgojë për analizë konfirmuese miellin e bllokuar vetëm në qendrat europiane të referencës. AKU po shtrin kontrollin me vendosmëri në të gjitha qendrat e prodhimit dhe shpërndarjes së miellit si dhe produkteve të tjera ushqimore në të gjithë vendin.thuhet në njoftim.

/GS/

0

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, priti sot Kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Meta e vlerësoi vizitën e Kryeministrit Vuçiç në Tiranë si një moment historik për ecurinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, e cila konfirmon trendin pozitiv të shkëmbimeve dypalëshe, i cili duhet materializuar në një angazhim edhe më konkret për avancimin e projekteve të përbashkëta në rajon.

Kreu i Kuvendit vuri në dukje se dy parlamentet reciproke kanë nisur një bashkëpunim, i cili do të forcohet edhe më tej në mbështetje të axhendës ndërqeveritare për rritjen e shkëmbimeve dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, shprehu kënaqësinë për realizimin e kësaj vizite të parë të një kryeministri serb në Tiranë si dhe mirënjohjen për mikpritjen e ngrohtë që ka gjetur në vendin tonë.

Vuciç nënvizoi se duke pasur parasysh që marrëdhëniet mes popullit serb dhe atij shqiptar janë kyçe në rajon, detyra e politikanëve të të dy vendeve është ndërtimi i mirëbesimit reciprok, me qëllim ngritjen e bashkëpunimit në një stad tjetër.

Meta theksoi se “Shqipëria dhe Serbia janë dy vende të ndërgjegjshme për peshën e tyre specifike në rajon, ndaj dhe bashkëpunimi mes nesh i shërben forcimit të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale”.

Në këtë kuadër u vlerësuan përpjekjet e përbashkëta në nismat rajonale, veçanërisht në drejtim të ndërlidhjes infrastrukturore, energjetike dhe inkurajimit të investimeve reciproke. /GS/

0

Vetëm suksesi në shkollë nuk është i mjaftueshëm për fëmijën. Zbulimi i aftësive të tjera do ta bëjë atë të ndihet edhe më i lumtur. Për të zbuluar aftësitë e fshehura tuaj mund ta drejtoni fëmijën në një degë sporti.

Prindërit u japin shumë rëndësi zgjedhjes së shkollës më të mirë për fëmijën dhe notave të marra në provime, duke i dhënë atij mendimin se suksesi akademik është gjëja më e rëndësishme në jetë.

Janë të shumtë prindërit të cilët përpiqen të mbajnë suksesin e shkollës mbi çdo gjë tjetër. Por për shkak të suksesit shkollor dhe temave të lidhura me shkollën, prindërit dëmtojnë komunikimin dhe lidhjen emocionale me fëmijët e tyre. Komunikimi me fëmijët përqendrohet zakonisht mbi shkollën.

Ata e fillojnë bisedën me fjali si “i ke bërë detyrat?, mëso!, merr nota të mira!, çfarë bëre sot në shkollë?” etj. Në të vërtetë ata nuk bisedojnë me fëmijët, por thjesht i pyesin ata rreth përgjegjësisë shkollore që kanë.

Por nuk është e thënë që çdo fëmijë të mësojë, të ulet e të bëjë detyrat apo të shkruajë. Fëmija mund ta kuptojë mësimin nga dëgjimi i vëmendshëm në klasë dhe nuk ka nevojë të mësojë më shumë. Ai mund të ketë rezultate të dobëta, por nuk do të thotë që nuk ka aftësi në fusha të tjera. Por fatkeqësisht prindërit përqendrohen vetëm në suksesin akademik të fëmijës dhe humbasim mundësinë për të dalluar aftësi të tjera.

Sipas specialistëve amerikanë, ekzistojnë disa fusha ku fëmija mund të pasqyrojë zgjuarsinë e tij si fusha verbale, logjike, matematikore, kinestetike, muzikore, emocionale, sociale etj.

Pra siç shihet, ekzistojnë fusha të ndryshme zgjuarsie dhe të gjitha këto nuk mund të vihen re në shkollë. P.sh. zgjuarsia kinestetike nuk mund të vihet re në shkollë sepse nga fëmijët nuk pritet që të lëvizin, por të dëgjojnë mësimin në heshtje.

Shkurtimisht, përqendrimi i bisedave tona me fëmijën në suksesin e tij akademik dhe çështjet shkollore dobëson komunikimin. Nëse fëmija është i dobët në mësime do ta ndjejë veten të pavlefshëm dhe të pamjaftueshëm. Ajo që duhet theksuar këtu është se e gjithë jeta e fëmijës nuk përqendrohet në rezultatet e tij në shkollë. Një fëmijë i dobët në mësime mund të jetë shumë i mirë në një fushë tjetër. E rëndësishme është që fëmija të mos etiketohet sipas suksesit akademik dhe të nxirren në plan të parë aftësitë e tij duke ia shtuar kështu vetëbesimin. /Start/Aisa Kokiçi/

0

Humbja e shikimit, mpirja e duarve dhe këmbëve, humbja e fuqisë, marrja e mendve, lodhja, urinimi i pakontrolluar janë disa nga shenjat e sklerozës së shumëfishtë. Nëse kurohet me vonesë mund të lërë pasoja të parikuperueshme. Ndërsa lajmi i mire është se nëse kurohet në kohë të sëmurët mund të vazhdojnë jetën e përditshme pa probleme dhe të kontrollojnë krizat e mundshme.

Skleroza e shumëfishtë është një sëmundje e cila shfaqet si rrjedhojë e ndryshimeve në indet e forcuara nervore. Nxitja e sistemit imunitar nga një shkak i panjohur ndikon negativisht në sistemin nervor dhe atë të syrit, duke sjellë ndryshime të padëshiruara.

Kujdes nëse këto shenja zgjasin 24 orë!

Shenjat e sklerozës së shumëfishtë ndryshojnë nga një i sëmurë te tjetri. Shenjat më të shpeshta janë humbje e shikimit në njërin sy, mpirje e krahëve dhe këmbëve, marrje mendsh, humbje ekuilibri dhe urinim i shpeshtë. Këto shenja duhet të zgjasin të paktën 24 orë për t’u specifikuar si krizë.

Te femrat shfaqet 2-3 herë më shumë

Numri i femrave të prekura nga skleroza e shumëfishtë është 2-3 herë më i madh se ai i meshkujve. Shkaku i kësaj ende nuk dihet, ashtu siç nuk dihet shkaku i sklerozës.

Krizat mund të lënë pasoja të pashërueshme

Ka raste kur krizat nuk lënë asnjë shenjë, por në raste të tjera pasojat e krizës mund të shfaqen 10 vite më pas dhe të jenë të pashërueshme. Specialistët këshillojnë të mos lihen pas dore kurat me mendimin se janë më mirë.

Kura pengon avancimin e sëmundjes

Megjithëse skleroza e shumëfishtë nuk ka një kurë të prerë, diagnostikimi i hershëm dhe kurimi parandalojnë avancimin e sëmundjes. Ditëve të sotme sëmundja mund të diagnostikohet pas një krize të vetme. Qëllimi i kurës është të ulë rëndesën e sëmundjes dhe të parandalojë pasojat e parikuperueshme. Të sëmurëve u jepen vaksina të cilat ekuilibrojnë sistemin imunitar dhe gjatë kohës së krizës u bëhet kura me kortizol. Kurat mund të vazhdojnë gjatë gjithë jetës në varësi të të sëmurit. Me ndihmën e kurës me gjilpëra apo hapa i sëmuri mund të vazhdojë pa asnjë problem jetën e përditshme. /Start/Aisa Kokiçi/

0

Milani është hedhur në sulm për të marrë sulmuesin Mario Manzukiç nga Atletiko Madridi.

Drejtuesit kuqezinj me në krye Adriano Galianin kanë zbarkuar në Madrid gjatë ditës së djeshme ku kanë deklaruar se ka ende punë për të kryer një transferim të tillë.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat spanjolle, sipas të cilave Milani është futur bindshëm në garë për sulmuesin kroat.

Një udhë e dy punë për Adriano Galianin, i cili ka pohuar se nuk ka vajtur në kryeqytetin spanjoll vetëm për çështjen e Karlo Ançelotit.

/Start/

0

Ish-kryeministri britanik, Toni Bleir dorëhiqet si ndërmjetësues i paqes në Lindjen e Mesme.

Lajmi jepet nga “BBC”, sipas së cilës ky vendim i Blerit do të zyrtarizohet në fund të muajit qershor.

Bler ishte i dërguari i kuartetit (SHBA, OKB, BE dhe Rusi) në Lindjen e Mesme për të vendosur paqen mes Palestinës dhe Izraelit.

Ish-kryeministri britanik e ushtronte këtë detyrë prej 7 vitesh. /GS/

0

Borusia e Dortmundit ka njoftuar rinovimin e kontratës me mbrojtësin Neven Subotiç deri në qershor 2018.

26-vjeçari i shton kështu edhe dy vite marrëveshjes së mëparshme që i përfundonte verën e ardhshme.

“Jam i kënaqur me vendimin për të qëndruar këtu. Dortmundi është bërë si një shtëpi e dytë për mua. Mezi pres për suksese në të ardhmen me skuadrën dhe me tifozët tanë fantastikë. Kemi shumë punë për të bërë dhe unë jam gati”, u shpreh Subotiç pas hedhjes së firmës mbi kontratën e re.

“Edhe pse është vetëm 26 vjeç, përvoja e gjerë dhe besnikëria ndaj klubit e bëjnë Nevenin njeriun e duhur për Borusian e Dortmundit si në aspektin sportiv edhe në atë personal”, tha drejtori i përgjithshëm i Borusias, Hans-Hoakim Uatzke.

“Neveni erdhi në këtë klub shumë i ri dhe në shtatë vite u bë një borusen i zjarrtë brenda dhe jashtë fushe. Jemi të bindur se ai do të jetë ndër lojtarët tanë kryesorë në sezonet e ardhshme”, deklaroi drejtori sportiv Mikael Zork.

Subotiç, i cili në 186 ndeshje ka shënuar 15 gola në Bundesligë me fanellën verdhezi, iu bashkua Borusias nga Mainci në korrik 2008 duke formuar dyshen e qendrës së mbrojtjes më të re në histori së bashku me Mats Humelsin.

/Start/E.B/

0

Reagimi i fëmijëve kur shohin një të rritur që i bie kuleta

0

Militantët e ISIS-it kanë vrarë së paku 17 ushtarë irakienë pas një serie sulmesh me bomba në provincën Anbar.

Sipas burimeve zyrtare, militantët kanë vendosur bombat jashtë qytetit Falluxha, që kontrollohet nga vetë ata.

Sulmet vijnë në një kohë që forcat pro-qeveritare po zhvillojnë një operacion për dëbimin e Shtetit Islamik nga Anbari.

Ekstremistët kanë marrë kontrollin e disa zonave përreth kryeqytetit të Anbarit, Ramadi.

Ky i fundit ka rënë nën kontrollin e grupit ekstremist më 17 maj./GS/