E shtunë, 30 Maj 2015

0

Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski mund të japë dorëheqjen për t’i hapur rrugë zgjidhjes së krizës në vend.

Në vend të tij mund të zgjidhjet Ministri aktual i Shëndetësisë, Nikolla Todorov, nga radhët e partisë në pushtet VMRO-DPMNE.

Për një skenar të tillë po qarkullon në mediat maqedonase, të cilat u referohen burimeve diplomatike. Qeveria e re do të jetë kalimtare dhe jo teknike apo e shpëtimit kombëtar.

Pjesë e qeverisë së re do të jetë edhe LSDM në opozitë, e cila mund të marrë disa ministri, që do të përcaktohen nga negociatat mes palëve.

Sipas mediave maqedonase, Nikolla Gruevski do të vijojë të drejtojë VMRO-DPMNE-në deri në zgjedhjet e reja, që mund të zhvillohen brenda 6 muajve.

/Tv Klan/

0

Një ditë pas rikonfirmimit si presidentit i FIFA-s, Sep Blater ka akuzuar UEFA-në për fushatën e keqe të urrejtjes ndaj tij në zgjedhjet e fundit në institucionin më të lartë të futbollit botëror.

“Nga ana e UEFA-s dhe e presidentit të saj ka qenë një fshatë e vërtetë urrejtje, unë i fal të gjitha por nuk i harroj”, u shpreh Blater.

“Është urrejtje, jo vetëm nga një person por nga e gjithë organizata UEFA, që nuk ishte e përfshirë në vitin 1998 kur unë u bëra president”, shtoi ai.

Me gjithë zhgënjimin Blater thekson se ende do të kërkojë të ruajë marrëdhëniet me kreun e UEFA-s.

Pas skandalit të arrestimeve për korrupsion të disa zyrtarëve të FIFA-s, Mishel Platini kërkoi largimin e menjëhershëm të Blaterit nga posti i presidentit të FIFA-s./GS/

0

Udhëheqësi i zyrës për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriç, tha se askush nuk mund të shpëtojë nga drejtësia dhe se kriminelët duhet të përgjigjen para gjykatës.

Deklarata e zyrtarit serb vjen pas shtyrjes së seancës parlamentare për Gjykatën Speciale, e cila do të dënojë krimet e luftës në Kosovë.

“Serbia përkrah themelimin e Gjykatës Speciale. Nuk duhet dhe nuk mund t’i iket drejtësisë. Ligjit nuk mund t’i shpëtojë askush. Ata që janë përgjegjës duhet të sillen para bankave të gjyqit”, ka thënë Gjuriç në një deklaratë për të përditshmen serbe “Tanjug”.

Ai theksoi se është thelbësore dhe shumë e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës të merret me këtë çështje.

/GS/

0

Durrës – Ministria e Shëndetësisë ka prezantuar sot në Durrës recetën elektronike. Ministri Beqaj ishte vet atje dhe e përdori këtë arritje edhe për fushatën e Vangjush Dakos. Krahas recetës në fjalë, Ministria e Shëndetësisë ka riprezantuar edhe kartën e shëndetit, aplikacionin e-Barna, si dhe planet afatmesme dhe afatgjata për përdorimin e shëndetësisë elektronike me disa qëllime kryesore.

“Të gjitha prezantimet kanë një fill të përbashkët: Standard i ri transparence dhe shkurtim kohe i komunikimit të qytetarëve me hallka të ndryshme të sistemit. Me miratimin e programit të ri nga fondi i inovacionit, do të mundësohet që në mënyrë ligjore dhe të sigurt do të eliminohen firma dhe vula në shëndetësi. Çdo mjek apo farmacist, me zbatimin e plotë të këtij program, do të ketë një instrument që do ta lidhë në kompjuterin e tij dhe nga ky moment çdo gjë që ai do të nisë do të jetë e firmosur dhe e vulosur dhe do të jetë vetëm e tija. Kjo do të bëjë të mundur të kufizohet pjesa letër dhe do të reduktojë maksimalisht hapësirën që me këto letra të ketë abuzime”, theksoi Beqaj.

/GS/

 

 

0

Të paktën 71 civilë, shumë prej të cilëve gra dhe fëmijë u vranë sot si pasojë e sulmeve

të regjimit në Siri.

Agjencia franceze e lajmeve AFP njofton se 33 civilë të tjerë u vranë në një treg në Al-Báb-it, rreth 40 kilometra në verilindje të qytetit Alepo në një zonë të kontrolluar nga Shteti Islamik (IS).

Sulmet kanë prekur qytetin Al-Bab nën kontrollin e ekstremistëve të ISIS dhe lagjen Al-Char në qytetin Alepo, nën kontrollin e rebelëve sirianë”, bën me dije Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut.

/GS/

0

Para shtatë vjetësh Qeveria dhe Presidenca e Kosovës ishte zotuar se në vitin 2015 do të përmbushnin Objektivat për Zhvillim të Mijëvjeçarit, që kanë për qëllim ta ulin dukshëm varfërinë, e ta rrisin nivelin e edukimit, barazinë gjinore dhe shëndetësinë.

Ligjvënësit kosovarë, përmes një rezolute, në vitin 2008 kanë miratuar Deklaratën e Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara. Atëkohë, ata qenë zotuar se së bashku me Presidencën dhe Qeverinë e Kosovës, do t’i përmbushnin tetë objektivat e kësaj deklarate, përfshirë edhe varfërinë.

Ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në vitin 2008, Gjergj Dedaj, konsideron se autoritetet kompetente nuk e kanë përmbushur këtë zotim.

Në prononcimin për Radion Evropa e Lirë, ai madje thotë se shkalla e varfërisë në Kosovë nuk është zvogëluar, por është rritur dhe kjo çështje, sipas tij, duhet të jetë alarm për Qeverinë e Kosovës.

“Mund të bëhet propagandë zgjedhore, marketing i politikave ditore, partiake, por shkalla e varfërisë në Kosovë jo që nuk është ulur, por në fakt është në rritje e sipër”.

“Kjo është shumë shqetësuese dhe duhet të alarmohen të gjitha institucionet e Kosovës, sepse institucionet përgjegjëse për uljen e varfërisë, më shumë merrem me probleme dytësore, sesa me varfërinë”, konsideron Dedaj.

Edhe ekspertë për çështje ekonomike vlerësojnë se institucionet e Kosovës nuk kanë arritur t’i përmbushin Objektivat e Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara.

Driton Qehaja, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se në Kosovë ende ka mungesë të te dhënave të sakta sa është shkalla e varfërisë.

“Jo nuk është përmbushur dhe ka shumë punë për t’u përmbushur zotimet për uljen e shkallës së varfërisë. Por, së pari duhet të evidentohet se sa është shkalla e varfërisë, pastaj mund të dihet se a është përmbushur ai kriter”, thotë Qehaja.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë thonë se përpjekjet në këtë drejtim nuk kanë munguar.

Muhamet Gjocaj, drejtor i Departamentit të Mirëqenies Sociale që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se niveli i varfërisë, nga kjo ministri matet me numrin e familjeve që gjenden në asistencë sociale.

Ai thotë se ka zvogëlim të numrit të familjeve që marrin asistencë sociale, por ka rritje të buxhetit për këtë kategori.

“Kështu siç po shihet, është përgjysmuar numri i familjeve me asistencë sociale, prapë nuk guxoj të them se është përgjysmuar shkalla e varfërisë, apo është rritur niveli i mirëqenies. Por, megjithatë janë disa tregues pozitivë”, deklaron Gjocaj.

Sipas statistikave zyrtare për vitin 2011, varfëria e përgjithshme është afër 30 për qind, kurse varfëria ekstreme është në 10 për qind.

Por, organizata të ndryshme joqeveritare konsiderojnë se kjo shifër mund të jetë shumë më e lartë.

Ndryshe, në listën e asistencës sociale figurojnë mbi 26 mijë familje, të cilat marrin nga 40 deri 120 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve. Për çdo muaj, rreth 500 familje të reja aplikojnë për ndihma sociale./Rel/

 

0

Komisioni i Disiplinës së UEFA-s ka gjobitur Federatën Shqiptare të Futbollit me 50 mijë euro për ndeshjen Shqipëri – Armeni e luajtur në datë 29 mars 2015 në “Elbasan Arena”, duke dënuar tifozerinë shqiptare për hedhje parullash raciste gjatë lojës. Një lajm të tillë e konfirmon edhe vetë FSHF-ja, e cila njofton se kjo gjobë ka ardhur si shkak i parullave raciste dhe hedhjes se flakadanëve në fushë.

Federata tashmë kërkon sa më shumë mirëkuptim nga gjithë tifozët dhe dashamirësit e futbollit, që të sensibilizohen dhe të mos kryejnë më akte të tilla që dëmtojnë imazhin e futbollit shqiptar.

Duke parë që gjoba është disi e lartë, sipas federatës, këto shuma parash mund të përdoren shumë mirë për infrastrukturën sportive dhe zhvillimin e futbollit në rritjen e cilësisë sportive.

Federata Shqiptare e Futbollit kërkon sa më shumë përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje për të ndihmuar ekipin kombëtar me një përfaqësim sa më dinjitoz.

/GS/

0

Lidhja Demokratike e Kosovës, pritet që të mbaj Kuvendin zgjedhor të dielën, me 31 maj. Për kreun e LDK-së tashmë kanë bërë publike pretendimet kryetari aktual i LDK-së, Isa Mustafa (kryeministër i Kosovës) dhe Vjosa Osmani, (aktualisht deputete e LDK-së në Kuvendin e Kosovës).

Ndërkaq, si pretendent potencial përmenden edhe ish- kryetari i LDK-së dhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe nënkryetari aktual i partisë, Lutfi Haziri.

Lidhja Demokratike e Kosovës, është subjekti i dytë më i madh politik në Kosovë. Kjo parti ka pasur disa palë zgjedhje dhe tre kryetarë të ndryshëm.

0

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, z. Edmond Haxhinasto, së bashku me homologun e tij Malazez, z. Ivan Brajovic, inspektuan segmentin rrugor Hani-Hotit-Vermosh, ku deri tani 50% e segmentit prej 70 km është realizuar dhe kanë mbetur rreth 30 km në proces ndërtimi dhe tenderimi.

Një investim prej 45 milion dollarësh i Qeverisë Shqiptare, u cilësua nga Ministri Haxhinasto si shumë i rëndësishëm dhe një shembull konkret i bashkëpunimit midis dy vendeve.

“Ne kemi shumë më tepër mundësi për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Kufiri për ne nuk duhet të ekzistojë. Zona në të 2 anët e tij duhet të jetë një zonë e përbashkët integrale ekonomike për Shqiptarët dhe Malazezët e këtyre zonave”, tha ai.haxhi

Kjo rrugë do të jetë edhe një mundësi më e mirë, vecanërisht për komunën e re të Gucisë, për të gjallëruar aktivitetin ekonomik.

Duke folur për bashkëpunimin për projekte të tjera të dy vendeve, Haxhinasto u ndal në krijimin shumë shpejt të grupit të përbashkët teknik, me qëllim pregatitjen e studimit të fizibilitetit të “Korridorit Adriatik-Jonian”

Rruga e re që do të ndërtohet është rreth 70 km në Hanin e Hotit dhe do shkurtojë ndjeshëm distancën me 120 km, rrugën nga Gucija në Podgoricë .Në përpjekjet e palës shqiptare Ministri Haxhinasto deklaroi se do bëhet maksimumi që rruga të përfundojë në 6 mujorin e parë të 2017-s.

/GS/

 

0

Janinë – Drejtori i Policisë së Shtetit Haki ÇAKO ka zhvilluar një vizitë pune në Greqi, ku është takuar me Z. Dimitros TSAKNAKIS, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Greke.

Dy krerët e policive kanë diskutuar për një sërë çështjesh të përbashkëta, si lufta ndaj krimit të organizuar, krimit ndërkufitar dhe migracionit të paligjshëm, lufta kundër terrorizimit, etj.

Një pikë tjetër me rëndësi është hartimi i draftmarrëveshjes për ngritjen dhe funksionimin e Qendrës së Përbashkët të Bashkëpunimit Policor në Kakavijë, si dhe finalizimin e protokollit të zbatimit të marrëveshjes së ripranimit të shtetasve të parregullt.

Takimit të zhvilluar në Janinë mes dy drejtorëve të Përgjithshëm të Policisë Shqiptare dhe policisë Greke , i ka paraprirë takimi i zhvilluar më datën 28.05.2015, në Sarandë ndërmjet dy Drejtorëve të Përgjithshëm për Kufirin dhe Migracionin të Shqipërisë dhe të Greqisë , Genc Merepeza dhe Zacharula Tsirigoti.

Në përfundim të takimit, të dy Drejtorët e Policisë kanë dhënë një prononcim për mediat.

0

Beograd – Protokolli për ndërtimin e autostradës Durrës-Nish, lidhje direkte e Serbisë me portin e Durrësit, pritet të nënshkruhet brenda 15 ditësh.

Mediat serbe shkruajnë se nënshkruesit do të jenë dy kryeministrat e dy vendeve, përkatësisht Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç, të cilët citojnë ministren serbe të Infrastrukturës, Zorana Mihajloviç.

Kjo autostradë do të kushtojë 1 miliardë euro, megjithëse pjesa më e madhe e saj në Shqipëri dhe në Kosovë është ndërtuar.

“Serbia dhe Shqipëria prej 6 muajsh janë duke punuar rreth këtij projekti dhe jemi duke përgatitur projektet të cilat dy Kryeministrat do t’i prezantojnë në Vjenë gjatë muajit gusht”, ka thënë Mihajlovic.

Ajo shton se kjo autostradë është tejet e rëndësishme për Serbinë, pasi i siguron asaj dalje në det.

 

0

Shkëlqim Muça do të jetë trajneri i ri i Tiranës për sezonin 2015-2016. Palët kanë qenë në bisedime të vazhdueshme, por në ditët e fundit është arritur dhe akordi final.

Në ditët në vazhdim pritet dhe të hidhet firma e Muçës në kontratë. Burime për “Panorama-Sport” bëjnë me dijë së palët kanë rënë dakord edhe për financat, ku mendohet se trajneri i ri do të përfitojë afro 40 mijë euro në sezon.

Në javët në vazhdim pritet që klubi të dalë zyrtarisht dhe të konfirmojë trajnerin e ardhshëm, i cili do të prezantohet edhe para medieve. Objektivi kryesor i ekipit bardheblu mbetet i pandryshuar, pra titulli kampion.

 

/GS/