E hënë, 25 Maj 2015

0

Pas deklaratës së Diego Armando Maradonës, i cili tha se Blater duhet të largohet nga FIFA sepse është diktator, lidhur me këtë çështje ka folur edhe Mishel Platini duke thënë që Blater nuk duhet të jetë më në postin e presidentit të FIFA-s.

“Nëse Blater rizgjidhet përsëri president, kjo do të jetë e keqe për organizatën botërore të futbollit. FIFA ka nevojë për një lider të ri”, ka deklaruar Platini në një intervistë për L’Equipe.

“Nuk kam asgjë kundër tij, më pëlqen privatisht dhe e respektoj. Ai ka bërë gjëra të mira dhe në situate të vështira ka marrë vëndime të duhura”.

“Ne kemi kaluar gjëra të mira së bashku dhe ka arsye se pse nuk do e sulmoja atë” Zep Blater rikandidon për postin e presidentit të FIFA-s ku si kundërshtar të vetëm ka princin Ali të Jordanisë pas dorëheqjes së Luis Figos dhe Mikael Van Prag.

 

/GS/

Tiranë – Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Gjergj Bojaxhi thotë se situata me banesat sociale është një nga turpet e politikës shqiptare. 12 milion euro janë investuar nga taksat dhe 385 apartamente për të pastrehët mbeten të bllokuara si pasojë e sherreve politike.

“Sot e kësaj dite, janë depozituar nga familjet në nevojë më shumë se 1500 dosje ndërkohë që këto apartamente të përfunduara prej dy vjetësh kanë nisur amortizimin. Janë njerëzit e varfër dhe në nevojë që paguajnë pasojat e betejave politike te PS dh PD në Bashkine e Tiranes. Në vitin 2010 ishte PD që e bllokoi shpërndarjen e tyre në mënyrë që këtë gjë ta bënte kryetari aktual i Bashkisë, Lulëzim Basha. Ndërsa tani i bllokon PS që t’i shpërndarjen ta bëjë z. Veliaj”, tha ai.

Sipas tij, kjo situatë duhet të marrë fund. Bojaxhiu premton se do të bëjë shpërndarjen e këtyre apartamente dhe që institucioni të shkëputet nga konfliktet partiake. Megjithëse vendimet merren nga Këshilli Bashkiak dhe shumicën sigurisht që do ta kenë partitë politike.

“Ne do të flasim troç për problemet reale të Tiranës në një kohë që të tjerët bëjnë teater politik. Ne nuk do të bëjmë politikë por ofrojmë përditë zgjidhje konkrete për problemet kyçe të kryeqytetit”, tha ai.

 

/GS/

0

Punonjësit e zyrave duhet të ndihen rehat me veshjen e tyre, por në të njëjtën kohë të duken sa më profesional. Disa kompani ka një kod strikt të veshjes, ndërkohë që të tjera janë më tolerant në këtë pikë, por ju duhet të jeni të vetëdijshëm se paraqitja juaj reflekton në publik imazhin e kompanisë suaj.

A përbën kjo një shqetësim tuajin të çdo mëngjesi? Pjesa më e madhe e njerëzve ngulin sytë në gardërobën e tyre dhe nuk janë shumë të shqetësuar për veshjen dhe si duken. Kështu ata nisen për në zyre, atje ku kuptojnë se nuk kanë bërë zgjedhjen e duhur për veshjen e tyre. Më e keqja është se ju vazhdoni të njëjtin ritual çdo ditë.

Më poshtë po ju njohim me disa lloje sesi ju mund të të ndjeheni rehat dhe në të njëjtën kohë të dukeni me një veshje të përshtatshme në punën tuaj.

Vishni një fund sipër gjurit

Funde të tilla nuk janë vetëm për sezonin e verës, por ju ato mund t’i vishni edhe në zyrën e punës. Janë vërtet të rehatshëm. Përpiquni të zgjidhni ngjyra sa më natyrale, preferohet bezha ose kaf. Gjithashtu zgjidhni një fund me një prerje të drejtë për një pamje sa më rregullt. Pra mos zgjidhni funde me lule dhe me forma të rënduara- Ju po shkoni për në zyrë dhe nuk po dilni shëtitje në park. Po ashtu në rast se ju jeni të shkurtër ju duhet të vishni një fund të tillë, mos ju frikësoni. Po ashtu zgjidhni xhaketën tuaj që t’i përshtatet fundit, zgjidheni ngjyrë të errët.

Vishni një palë pantallona Khaki

Një tjetër element në veshjen tuaj të profilit serioz janë edhe pantallonat khaki duke i kombinuar me një këmishë të bardhë të thjeshtë. Këmisha mund të jetë me qafë të rrumbullakët apo me formë V, por më e preferuar është ajo me qafë të rrumbullakët. Po ashtu ju mund të provoni ta kombinoni këmishën tuaj me një xhaketë ngjyrë të zezë.

Vishni këpucë me qafa pa lidhëse

Këto lloj këpucësh janë shumë të rehatshme dhe çdokush është në dijeni të këtij fakti. Ato janë mjaft të rehatshme dhe ju mund të ndjeheni të tillë, po ashtu ju mund t’i kombinoni ato me me çdo gjë. Kini parasysh mos vishni të tilla këpucë të materialit lëkurë apo elastik. Zgjidhini një palë që janë të trasha, ashtu sikurse edhe ju nuk të dëshironit që lëkura juaj të mos duket teksa ju përkuleni

/Rovena Dupi/GS/

 

0

Tiranë – Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri shkoi vetë sot në Gjykatën e Lartë ku u zhvillua seanca e dytë e padisë që ai ka depozituar kundër deputetit të Partisë Demokratike, Edi Paloka. Kjo seancë mund të jetë edhe një seancë pajtimi, por Tahiri tha se do ta falte Palokën vetëm nëse ai kërkon falje publike për akuzat e ngritura ndaj tij. Seanca e radhës është caktuar në datën 15 qershor.

 

Është normale, që për ekonomi gjyqësore të mos vazhdonim këtë proces në rast se z.Paloka do kërkonte ndjesë publike dhe do pranonte që ka shpifur. Me sa kuptoj, instinkti politik për të vazhduar këtë lloj dalldie me këto shpifje, është më i madh sesa instinkti për të bërë drejtësi. Dhe në këto kushte, unë besoj që i vetmi pajtim është ai që do të bëjë gjykata. Gjithsesi unë nuk arrij të kuptoj se si një deputet, Kryetar i grupit parlamentar të Partisë më të madhe në opozitë, ka kohë të dalë ditë për ditë në konferenca për shtyp, dhe nuk ka kohë të paraqitet vetë në gjyq, dhe të përballet me të vërtetat që ai pretendon se di, apo të përballet me të vërtetat që unë pretendojë se janë të vërteta absolute dhe ekskluzive”, theksoi ai.

Kështu që besoj kjo është gjithsesi një shenjë injorimi ndaj sistemit gjyqësor dhe ndaj praktikës që duhet të ndërtojmë të gjithë bashkë për ta nxjerrë përfundimisht politikën nga ditët e llumit dhe ditët e vrerit dhe për ta futur në shinat e të vërtetës që duhet të ndajmë bashkërisht përballë publikut”, vijoi.

/GS/

 

0

Lezhë – Përveç Halim Kosovës e Grida Dumës se do të bashkëpunojnë me qeverinë pas zgjedhjeve, edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ofron këtë bashkëpunim, por me një kusht. Nga qyteti i Lezhës, Basha tha se do të bashkëpunonte me qeverinë nëse ajo do të pranonte uljen e çmimit të energjisë elektrike.

Basha tha se dyshja Rama-Meta jo vetëm nuk kanë mbajtur asnjë premtim por e kanë zhytur vendin në varfëri, papunësi dhe mjerim.

Në dy vite kanë bërë të kundërtën e asaj që premtuan për të ardhur në pushtet, rritën taksat, çmimin e energjisë, naftën etj. Pasi nuk mbajtën asnjë premtim, tha zoti Basha, refuzuan dhe amendamentet e PD për ulje taksash, ulje të çmimit të energjisë etj.

“U çuam amendamentet për hallet e problemet e mëdha të Shqipërisë, për premtimet e tyre të harruara. Rrëzuan amendamentin tonë për uljen e tvsh për energjinë elektrike, nga 20 në 6%, në mënyrë që familjet shqiptare ta paguanin më lirë energjinë elektrike, rrëzuan amendamentin tonë për rritjen e rrogave e pensioneve. Të tilla amendamente rrëzuan një nga një, duke përfshirë amendamentin për punësimin e rinisë ku i propozuam të hiqnin taksat për ato biznese që punësojnë të rinj, për të paktën një vit. Refuzuan kështu, jo propozimet e opozitës por refuzuan hallet e problemet e qytetarëve”.

Nga Lezha, kryetari i PD-së Lulzim Basha ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me qeverinë, nëse ajo do të pranojë ofertën e PD për ulje taksash, ulje të çmimit të energjisë dhe naftës,  investime që hapin vende pune dhe përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve. Këto, tha Basha janë interesat jetike të qytetarëve të cilat do i konfirmojnë dhe me votën e tyre të 21 qershorit, ky është prioriteti i PD.

“Po të pranojnë platformën tonë për uljen e çmimit të energjisë me 25% dhe faljen e kamatë-vonesave për energjinë e ujin anembanë Shqipërisë, për uljen e taksës në nivelin më të ulët në Ballkan, 9%, për rritjen e rrogave e pensioneve përtej indeksimit të inflacionit, për financimin me prioritet të sektorëve të diskriminuar, siç është sektori i bujqësisë, turizmi, për nxitjen e punësimit rinor, përmes një regjimi veçanërisht lehtësues për bizneset që hapin vende pune për të rinjtë, ne jemi gati të bashkëpunojmë sepse për ne pushteti nuk është qëllim më vete por është shërbimi ndaj jush, është qëllim i padiskutueshëm. 21 qershori është dita kur ne do i japim mesazhin tonë më të bashkuar e më të fortë që ka dhënë ndonjëherë Shqipëria demokratike”.

 

Në takimet me banorët e Shënkollit, z. Basha është njohur me shqetësimin e banorëve për faturat e larta dhe abuzive të energjisë elektrike, mungesën e subvencioneve, rritjen e çmimit të naftës, çka e ka bërë më të vështirë punimin e tokës dhe dhunën e presionin që policia ushtron ndaj tyre edhe kur dezinfektojnë produktet bujqësore.

Nuk i shohin hallet tuaja, nuk duan t’i dëgjojnë hallet tuaja, papunësinë, varfërinë, taksat e larta, çmimet e papërballueshme të karburantit e energjisë ndaj dhe në 21 qershor thonë nuk është koha të merremi me hallet e shqiptarëve. Unë ju them sot nga Shënkolli, 21 qershori është dita e zgjidhjes së halleve tona”

/GS/

0

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në një fjalë televizive për zgjedhjet vendore, u bën thirrje shqiptarëve që të mos pranojnë të korruptohen nga kandidatët në këmbim të votës.

Sipas kreut të shtetit, kjo është një dukuri katastrofike për shqiptarët. Nishani u kërkon qytetarëve që të mos lejojnë që dita e zgjedhjeve të kthehet në një ditë pazari, por në një ditë feste për demokracinë.

Fjala:

Ka nisur tashmë fushata zgjedhore për të votuar drejtuesit vendorë. Votimi përbën një akt sublim, nga aktet më të rëndësishme njerëzore të shprehjes së vullnetit të lirë në një vend demokratik, kur qytetarët shprehin preferencat për ata prej të cilëve do të qeverisen në katër vitet e ardhshme me bindje dhe shpresë se të zgjedhurit prej tyre do mbajnë premtimet dhe do ta bëjnë punën siç duhet.

Ju ftoj me këtë rast, që këtij momenti sa të rëndësishëm aq edhe delikat, t’i japim rëndësinë që meriton! Vota është mjeti më i efektshëm, instrumenti më i fuqishëm në dorën e qytetarëve për ndreqjen e gabimeve, shërimin e plagëve, sigurimin e paqes sociale si dhe përmirësimin e gjithçkaje tjetër që ka të bëjë me të tashmen dhe të ardhmen e individit dhe të vendit në përgjithësi.

Vota, votimi, u kujton njerëzve se nuk janë shumë të ndryshëm, nuk janë shumë larg nga njëri-tjetri, se fatet e individëve janë të ndërlidhura, se me vullnet pozitiv të përbashkët mund të ndreqen shumë gjëra, mund të përmirësohet jeta, përditshmëria, si dhe mund të gjallërohet dhe shtohet shpresa.

Duke votuar në mënyrë të gabuar, ose duke mos votuar, jemi të pambrojtur, të pasigurt e të paorientuar. Vetëm duke i dhënë rëndësinë e duhur votës mund t’i merrni në dorë fatet tuaja.

Demokraci do të thotë të kesh dhe të respektosh një numër të drejtash themelore të individit në marrëdhënie me bashkësinë. Një nga këto të drejta themelore është e drejta e votës. E drejta e votës që e arritëm me aq mund e sakrifica është një Liri e paçmuar. Lirinë e votës nuk mjafton vetëm ta keni. Duhet edhe të dini ta përdorni.

Përdoreni mirë Lirinë e të votuarit. Nëse lirinë e votës e përdorni si duhet, mund të jetoni të qetë në intervalin mes dy votimeve. Nëse e përdorni keq, shpërdorimin e asaj lirie do ta vuani me pasoja, madje edhe dramatike. Respektojeni dhe votojeni kandidatin që t’ju respektojë ju dhe veten e tij, që brengoset, që sakrifikon, pse jo, edhe vuan, më tepër për ju se për veten.

Mos e shisni votën! Vota nuk ka çmim. Shitja e votës është turpi dhe tmerri më i papërfytyrueshëm që na njollos të gjithëve njëlloj. Kandidati që jua blen votën, nuk ju respekton, vetëm ju gënjen, vetëm ju përbuz, vetëm ju urren. Fenomeni i shëmtuar dhe i padenjë i shitblerjes së votës ka ndodhur në disa nga zgjedhjet e kaluara.

Është e mundur të ankoheni për atë që keni zgjedhur normalisht, por që nuk e ka përligjur atë besim të dhënë. Por të korrektoni sadopak dikë, të cilit votën ia keni shitur, është e pamundur.

Vota nuk merret në këmbim të asnjë favori. Vota vetëm meritohet. Denoncojini përpjekjet për blerjen e votës! Mos u bëni viktima të kësaj dukurie katastrofike, të këtij gabimi fatal, pasojat shkatërrimtare të të cilit vuhen gjatë.

Mbarësia e zgjedhjeve përcakton gjithçka që ka të bëjë me fatet tuaja në marrëdhënie me shtetin. Mos lejoni, mos rrezikoni, që dita e zgjedhjeve të bëhet ditë pazari votash! Le të jetë dita e votimit siç i ka hije një vendi ku demokracia funksionon: një ditë feste. Zgjidhni kandidatë me vizion, bindje, vendosmëri, energji, pasion, frymëzim, kandidatë që e kanë dëshmuar se votën tuaj e meritojnë.

U uroj një fushatë të mbarë dhe korrekte të gjithë kandidatëve në garë dhe stafeve të tyre zgjedhore!

/GS/

0

Një studim i kryer së fundi në Britani ka arritur në përfundimin se vetëm 6 për qind e 5000 femrave të pyetura nuk kanë thënë asnjë gënjeshtër.

0

Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut ka bërë të ditur se militantët e Shtetit Islamik (IS) kanë ekzekutuar së paku 217 njerëz në dhe përreth qytetit Palmira të Sirisë, prejse kanë marrë kontrollin e tij dhjetë ditë më parë.

Grupi me seli në Londër thotë se ka vërtetuar ekzekutimin e 67 civilëve, përfshirë 14 fëmijë dhe 12 gra.

I njëjti burim ka thënë se janë vrarë edhe 150 pjesëtarë të forcave të sigurisë të Sirisë në pjesë të ndryshme të provincës Homs.

Në total, së paku 220 000 njerëz janë vrarë në luftën e Sirisë prej marsit 2011.

/Start/

0

Vaji natyral i farave të lirit, i presuar në të ftohtë përmban acide yndyrore omega-3 që ndihmojnë në reduktimin e kolesterolit dhe presionit të gjakut të shkaktuar nga trigliceridet. Personat që përdorin ilaçe për hollim gjaku duhet të konsultohen më parë me farmacistin ose mjekun e tyre dhe më pas të përdorin këtë produkt.

Ja vetitë kurative të vajit të linit:

  1. Mbron nga sëmundjet kardiovaskulare dhe përmirëson funksionimin e sistemit kardiovaskular.
  2. Kërkimet kanë treguar që vaji i lirit përmban substanca që mbrojnë nga kanceri i gjirit, kanceri i prostatës dhe nga kanceri i kolonit.
  3. Vaji i lirit përmban omega-3 që ndalon shumimin e qelizave kanceroze sidomos në rastet e kancerit të kolonit.
  4. Vaji i lirit i presuar në të ftohtë ndihmon në reduktimin e inflamacioneve të shtresës së brendshme të zorrëve.
  5. Për shkak se krijon ndjesinë e ngopjes, vaji i lirit i presuar në të ftohtë përmban yndyrna dietike që ndihmojnë në humbjen e peshës.
  6. Forcon sistemin imunitar dhe kockat.
  7. Vaji i farave të lirit përmban omega-3 dhe vitaminë B12 që kanë veti kundër plakjes.
  8. Përdoret për parandalimin e sëmundjes së reumatizmës.
  9. Përdoret për kurimin e ekzemës dhe psoriazës.
  10. Vaji i farave të lirit redukton simptomat e sindromës së syrit të thatë.
  11. Acidet yndyrore, vitaminat dhe mineralet që gjenden tek vaji i farave të lirit ndihmojnë në rritjen e flokëve dhe parandalojnë rënien e tyre.
  12. Vaji i farave të lirit suporton sistemin riprodhues, balancon nivelin hormonal dhe shmang sterilitetin.

/Gazeta Start/

0

Maqedonia më shumë se tre muaj po dridhet nga skandali i përgjimeve që shkaktoi krizë të thellë politike në vend, gjë që solli përplasjen më serioze mes pushtetit dhe opozitës.

Dy takimet e liderëve në Shkup dhe takimi i fundit mes Gruevskit dhe Zaevit në Strasburg dëshmojnë gatishmërinë e faktorit ndërkombëtar për tejkalimin e krizës më të thellë politike që ka përfshirë vendin.

Kjo javë sipas analistëve do të jetë vendimtare ose qeveria e Gruevskit do të dorëhiqet, ose do të riformatohet me të vetmi qëllim që mos të eskalojë dhuna, sipas skenarëve të Ukrainës.

Analisti politik Albert Musliu vlerëson se përmes dialogut politik është e mundur që të gjendet zgjidhje. Sipas tij, bisedimet për tejkalimin e krizës politike po zhvillohen me një dinamikë serioze.

“Jo që pres, por jam deri diku i sigurt se bisedimet po zhvillohen me dinamikë serioze. Nuk besoj se Gruevski dhe Zaev kanë qëndruar 10 orë në Strasburg vetëm për të biseduar dhe për të akuzuar njëri tjetrin, ashtu që mendoj se kornizat e bisedimeve veç më janë vendosur dhe normalisht, ky është proces i bisedimeve në të cilin secila palë përpiqet të fitojë sa më shumë për vete”, thotë Musliu transmeton Zhurnal.

Ditë më parë kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi në intervistën e fundit në TV Klan Kosova tha se gjatë javës duhet doemos të zgjidhet kriza politike në Maqedoni në takimin e radhës që do të mbahet mes liderëve politik mes pushtetit dhe opozitës.

Lideri i opozitës maqedonase Zaev me publikimin e audio-regjistrimeve thotë se kryeministri Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë janë të përfshirë në krim, korrupsion, raste të montuara politike, madje edhe në fshehjen e vrasjeve të porositura, si Monstra, dhe rasti i Kumanovës.

E gjithë kjo situatë detyroi Gruevskin që të lëshojë pe dhe nga Kabineti i tij qeveritar të largojë dy ministrat më të përfolur në aferën e përgjimeve, ish ministren e Brendshme Gordana Jankullovska dhe ish ministrin e Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakievski.

Në këto dorëheqje ishte edhe ish Shefi i policisë sekrete, Sasho Mijallkov ku në përgjimet dëgjohet se ai ka qenë “koka” e kontrollit të plotë ndaj gjykatës, policisë dhe institucioneve tjera shtetërore.

Acarimi i raporteve mes pushtetit dhe opozitës arritën kulmin kur më 17 maj opozita maqedonase para Qeverisë mbajti protest gjithëpopullore, ku morën pjesë me mijëra qytetarë të pakënaqur dhe kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Gruevski.

Një ditë më vonë VMRO-DPMNE organizoi protestën në mbrojtje të Maqedonisë para Kuvendit, me qëllim që të demonstrojë se populli jep mbështetje qeverisë aktuale.

0

Policia në Malajzi ka bërë të ditur se ka gjetur 139 varre migrantësh në 28 kampe trafikimi pranë kufirit me Tajlandën.

Shefi i policisë kombëtare, Khalid Abu Bakar, ka thënë se disa nga varret mund të kenë më shumë se një trup.

Kryeministri i Malajzisë, Naxhib Razak, është zotuar se do të gjejë dhe do të ndjekë penalisht përgjegjësit e krimit.

“Jam thellësisht i shqetësuar me varret e gjetura në tokën e Malajzisë, të cilat lidhen me kontrabandimin e njerëzve”, ka shkruar Naxhib në “Twitter”.

Shumica e të vrarëve besohet të jenë myslimanë nga Birmania.

/Start/

0

Qytetarët e Brisbane në Australi tahs e një kohë jetojnë në frikë nga një kangur trupmadh, i cili shëtit pa frikë rrugëve e parqeve, si dhe u hyn nëpër oborre të shtëpive.

Ashtu siç kanë deklaruar edhe qytetarët kanguri është rreth 2 metra i gjatë  dhe rreth 95 kilogramë i rëndë, kurse është parë në një fushë lojërash të fëmijëve, por edhe në fushat e klubit lokal të golfit.

Linda Hellyer, një qytetare e Brisbane, është ndeshur sy më sy me këtë kangur, ndërkohë që ishte duke shëtitur me qentë e saj.

“U kthyem pas një këndi dhe para nesh përnjëherësh u shfaq kanguri shumë i madh. Ai ka muskuj shumë të mëdhenj, mendoj që mu ka dukur edhe më i trupmadh sepse u frikësua nga qentë e mi dhe nxori gjoksin përpara duke marrë qëndrim mbrojtës”, tregon Linda.

Ndonëse ndodh shpesh që kangurët të futen nëpër vendbanime në këtë pjesë ta Australisë, ky kangur dallon nga të tjerët sepse është shumë i madh e muskulor dhe ka pamje frikësuese për njerëzit që gjenden ballë për ballë me të.

Kangurët janë kafshë të egra barngrënëse, mirëpo, kanë të rëna të fuqishme me këmbët e tyre të përparme, që dinë t’i përdorin për të grushtuar atë që i del përpara.

/Gazeta Start/