E premte, 3 Korrik 2015

0

Sipas të dhënave zyrtare mesfushori Ibrahim Afellay katalanas, do të largohet nga skuadra e Barcelonës pas skadimit të kontratës së tij në Camp Nou.

Ibrahim Afellay u transferua në klubin e Camp Nou-t para katër viteve, e tashmë i duhet t’i bëja gati valixhet për t’u transferuar në një klub tjetër.

Mesfushori holandez në edicionin e kaluar ishte huazuar në Olympiacos, por klubi grek nuk vendosi ta blejë dhe tashmë ai është futbollist i lirë, ka bërë të ditur e përditshmja sportive katalane “Mundo Deportivo”.

Afellay spekulohet se mund të rikthehet tek ish skuadra e tij, PSV Eindhoven.

/GS/

0

Mësohet se mesnatën e kaluar në aksin Lushnje-Rrogozhinë është aksidentuar ambulanca e RENEA-s e cila po udhëtonte nga Gjirokastra në drejtim të Tiranës.

Si pasojë e këtij aksidenti kanë mbetur të plagosur dy efektivë të policisë dhe një ndihmësmjek.

Policia ka arritur në vendin e ngjarjes po ende nuk dihen rrethanat sesi ka ndodhur aksidenti ku u përfshi ambulance e forcave RENEA.

/GS/

0

Ministria e Shëndetësisë së Egjiptit kanë konfirmuar se kryeprokurori Hisham Berekat, ka humbur jetën gjatë një atentati me bombë.

Në një deklaratë të bërë nga ministria e shëndetësisë së Egjiptit rikujtohet se makina me të cilën udhëtonte Kryeprokurori Berekat ishte bërë pre e një sulmi me bombë gjatë kohës kur po kalonte në afërsi të akademisë ushtarake në lagjen Heliopolis të Kajros.

Gjatë këtij atentati janë plagosur edhe 6 persona të tjerë.

Sulmi është marrë përsipër nga organizata e quajtur “rezistenca popullore”.

Kryeprokurori Berekat ishte emëruar në këtë detyrë pas grushtit të shtetit më 3 korrik 2013.

/GS/

0

Një operacion i ndërmarrë nga policia e fierit ka bërë të mundur prangosjen e dy të rinjve, që u plagosën dy ditë më parë në Ninësh të Mallkastrës.

Riza Feizaj dhe Mariglen Luari akuzohen për kultivim të bimëve narkotike.

Policia e Fierit ka deklaruar se 23 vjecari Alfons Dautaj që u vra në orët e para të së hënës me kallashnikov dhe dy shokët e tij të plagosur kanë qenë kultivuesit e parcelës me 900 bimë narkotike.

Sipas forcave blu, bima narkotike kishte arritur gjatësinë 50 cm ishte gati për tu korrur, dhe personi tashmë i identifikuar, që ka qëlluar ndaj tre të rinjve sipas policisë dyshohet që ka dashur ta vjedhë kanabisin, ndaj dhe ka qëlluar ndaj tre kultivuesve që kanë qenë në gjumë në momentin e të shtënave.

Për pasojë gjeti vdekjen Alfons Dautaj, dhe janë të plagosur rëndë Riza Feizaj dhe Mariglen Luari.

/GS/

0

Deri më tani kemi parë kërcime nga më të ndryshme akrobacie, po ky lloj kërcimi do t’ju mahnisë.

Kërcimtari i quajtur Kenichi Ebina lëviz trupin e tij në një mënyrë e cila duket se sfidon limitet e dhëna nga skeleti njerëzor.

Ai kombinon disa zhanre të muzikës duke përdorur lëvizjet të cilat janë njëkohësisht të sakta dhe precize.

 

/GS/

0

Vëllezërit Arbion dhe Alban Aliko janë marrë në pyetje të dielën nga prokurorë të krimeve të rënda në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, lidhur me akuzat e ngritura ndaj tyre për sulmin me armë ndaj policisë më 24 qershor në Lazarat, ku mbeti i vrarë efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha, dhe u plagosën dy të tjerë.

Ndërkohë, avokati i vëllezërve tha për mediat se nga komunikimi që ka pasur me klientët e tij ata i qëndrojnë pohimit se nuk janë autorë të ngjarjes dhe gjërat do të vërtetohen.

Arbion dhe Alban Aliko, 19 dhe 17 vjeç, u arrestuan pas një operacioni të mirëorganizuar mbrëmjen e së shtunës në fshatin Kardhiq. Pas negociatave të gjata me praninë edhe të babait të tyre Adil Aliko dhe pa pasur mundësi reagimi, ata u vetëdorëzuan te forcat e policisë.

/Start/

0

Frozinone do të luajë në “Qemal Stafa” më datën 7 gusht në një triangolare me Partizanin dhe Teutën.

Lajmin e bën të ditur klubi kryeqytetas duke shpjeguar se miniturneu miqësor do të organizohet në kuadër të trofeut “Egnatia Cup”.

“Ky event ndërkombëtar realizohet falë bashkëpunimit të dy klubeve, Partizanit dhe Frozinones, dhe ‘Associzione Europea Della Via Egnatia’. Detajet e organizimit të turneut që do të zhvillohet më 7 gusht do të bëhen të ditura në vijim”, shkruan faqja zyrtare e Partizanit në “Facebook”.

Frozinone sezonin e ardhshëm do të luajë në Serinë A.

triangolarja

/Start/

0

Megjithëse muaji i Ramazanit tani i bie në stinën e verës dhe koha e qëndrimit pa ngrënë e pa pirë është më e gjatë, nuk duhet të harrojmë se është dhe koha më e pasur me fruta.

E kemi dëgjuar shpeshherë këshillën për të konsumuar sa më shumë ujë në Ramazan, por ç’bëhet me ata njerëz të cilët nuk mund të pijnë shumë ujë? Atëherë zgjidhja vjen me frutat: persona të tillë mund të konsumojnë pjepër apo shalqi, sepse konsumimi i tyre është një alternativë e mirë e plotësimi të nevojës së trupit për ujë.

A e dini se hurma dhe kajsia, të pazëvendësueshmet e tryezës së Ramazanit, janë një depozitë e mirë kalciumi? E pasur me kalcium dhe potas, hurma është një burim i mirë i zëvendësimit të mineraleve të humbura me djersitjen. Krahas kësaj, edhe te femrat të cilat shfaqet shkrirje e kockave këshillohet konsumimi i përditshëm i bulmetit, shoqëruar me hurma apo kajsi. Vlerat e larta të kalciumit janë shumë të dobishme. Mundohuni t’i konsumoni sa më shpesh mes vakteve. /Start/Aisa Kokiçi/

0

Është përkujtuar pasditen e së shtunës në Kllogjer të Sarandës 71-vjetori i genocidit grek mbi popullsinë e pafajshme të Çamërisë.

Në ceremoni merrnin pjesë edhe kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, deputeti çam Tahir Muhedini, kryetari i shoqatës “Çamëria”, Adrian Tana, si dhe shumë çamë të ardhur nga Saranda, Vlora, Elbasani, Durrësi e Tirana.

Pasi u vendosën kurorat me lule te Varri Monumental, pasi u panë e u lexuan emrat e personave që kanë vdekur në kët vend, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, duke folur për mediat i cilësoi varrezat monumentale të Kllogjerit “dëshmi okulare e asaj masakre që ka ndodhur me shqiptarët e  Çamërisë”.

“Sigurisht që është një moment shumë i ndjeshëm dhe emocionues për të gjithë ne anëtarët e komunitetit çam – vijoi Idrizi -. Këta njerëz vdiqën të larguar në një eksod biblik duke lenë pas rreth 20% të popullsisë të zhdukur, të vrarë e të masakruar. Ata u nisën drejt atdheut mëmë, ndaluan këtu në këtë vend dhe fatkeqësisht rreth 2900 prej tyre vdiqën të pamundur nga etja e uria, dhe është edhe një herë tjetër një moment shumë i dhimbshëm për të gjithë anëtarët e komunitetit të shqiptarëve të Çamërisë. Unë jam shumë i lumtur që ne e mundësuam këtë varrezë. Sigurisht që do të ketë një ceremoni shumë të madhe përurimi i kësaj varreze. Eshtë moment jo vetëm për t’i kujtuar, por edhe për të theksuar me forcë se ne shqiptarët e Çamërisë do vazhdojmë betejen tonë në kuadër të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut mbi të cilën është ndërtuar bota e qytetëruar dhe demokratike, për të kërkuar deri në fund me forcë dhe pa asnjë lloj kompromisi të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë, njohjen e genocidit mbi shqiptarët e Çamërisë, fitimin e të gjithë të drejtave pronësore juridike të shqiptarëve të Çamërisë. Nuk do të rreshtim së kërkuari këto të drejta. Në rradhë të parë ne do të kërkojmë heqjen e ligjit të luftës, e cila është tashmë edhe në tryezën e bisedimeve mes dy vendeve. Do kërkojmë riaktivizimin e traktatit të miqësisë për çështjet pronësore dhe sigurisht, në rast të ndonjë refuzimi të shtetit grek ne do t’u drejtohemi gjithë gjykatave ndërkombëtare duke filluar që nga gjykata e Strasburgut. Por e përsëris edhe njëherë me forcë që ne nuk do të rreshtim në një betejë ligjore juridike pa ekuivok deri në fitimin  e plotë të të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë”.

27 qershori është shpallur me ligj si ditë përkujtimore dhe përkon me nisjen e genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

/Start/

0
authors-3

Agron TUFA

119 ARTIKUJ 0 KOMENTE

Zgjedhjet elektorale vendore – qershor 2015 i dhanë Shqipërisë nga jugu në veri, pothuaj si dy vite më parë, një ngjyresë politike menstruale. Cikli demokratik është thyer dhunshëm prej një trandjeje e shkundullime të panatyrshme, prej së cilës ngjyra e mavijtë e ka përfshirë fundekrejt mëmdheun, mu si një gjymtyrë të gangrenizuar. Mbetet vetëm dilema: do të ketë përmirësim vallë gjymtyra (do t’i mbijetojë gangrenës), apo do të duhet të “amputohet”?

Shqipëria është mavijosur prej një dhune të padukshme, bizarre, një dhune të brendshme, që ia ka prishur ciklet e natyrshme demokratike, duke e reflektuar së jashtmi këtë dhunë me teptisjen e mavisë intensive. Shqipëria ka pësuar trandjen e ciklit të proceseve fiziologjike; thënë ndryshe: Shqipërisë i kanë ardhur “ato”… Në simbolikën e ngjyrës, mavija është “simbol diversioni”, “harmoni e kontradiksionit” (Nikola i Kuzanit), “mashtrueshmërisë së jetës tokësore, mirazhit” (Hosrov-i), ndjesi e shqetësimit – “ngjyrë e gjallë, por e pahareshme” (Goethe), “një tingull i sëmurë, diç e shuar dhe pikëllimtare, që i përgjigjet tingullimës së fagotit dhe fyellit” (V. Kandinski) etj.

Sa përputhshëm tingëllojnë këto përkufizime simbolike me epideminë e mavisë politike që ka kapluar Shqipërinë! Me dy-tre rriska qiejsh blu në skaje, kromatika politike e Shqipërisë po shkon drejt kapitullimit dhe nuk është çudi, që në zgjedhjet e ardhshme, të përgjithshme, harta jonë, me blu mund të ketë, mbase, vetëm liqenet dhe vijën bregdetare, gjykuar kështu nga modelet e rezultateve ala-komuniste të disa qyteteve. Po përse, vërtet, çfarë nuk shkon me votuesin masiv shqiptar, që u “mavijos” kështu – nëse ka arsye ta kërkojmë shkakun te votuesi dhe e drejta e tij për të shprehur i qetë e i patrazuar vullnetin e tij të padiskutueshëm demokratik? Mund të numërojmë, nëse i hyjmë kësaj llogarie, dhjetra shkaqe të vogla e të mëdha, e ndër to, edhe faktin se në mbi 50% të së drejtës së tij, “sovrani” ynë, i zhgënjyer e i tëhuajësuar, as që e mori mundimin t’i drejtohej kutisë së votimit. Maksimumi, ky “sovran” e ndoqi në ekran, përmes një kurreshtjeje të përzier me bezdi, kacagjelimin e ndërkryer të kundërshtarëve elektoralë. Pjesa tjetër, më pak se gjysma e “sovranit” nuk e kishte këtë “luks”: i fryrë dhe i pompuar me silikon premtimesh, parash kesh (për ditë të zezë) përsëriti pragmatikisht ritualin në kutitë e votimit, kësaj radhe pa pikë besimi në zemër, duke i hapur kësisoj udhë marshimit të zgjyrës mavi në krejt shtatin e drobitur të mëmëdheut. Sepase tanimë votuesit shqiptarë janë lodhur nga ngjyrat e rrejshme, andaj dhe nuk pranojnë më, më shumë së dy ngjyra. Madje dhe kriteri për të zgjedhur midis sosh përcaktohet nga forca për dominimin total. Nuk bëhet më fjalë për vlera identitare; nuk bëhet më fjalë për bindje botëkuptimore, as për ndjeshmëri të bazuara në doktrina politike, sepse për besueshmëri platformash dhe profilesh garantuese qytetare, si dorëzanë të sprovuar e të ndershëm – as që bëhet më fjalë! Po të ishte kështu, që të besohej në përvojën, aftësinë dhe sinqeritetin e kandidatit, Dr. Halim Kosova do të ishte shpallur fitues në kryeqytet me mbi 80% të votave. Atëherë? Nuk duhet pra ta kërkojmë te votuesi shkakun e rezultatit menstrual të këtyre zgjedhjeve të mavijosura; as tek ata që votuan, as tek ata që abstenuan. Nuk kishte arsye të mbështetej masivisht gjendja thellësisht dëshpëruese e Shqipërisë së sotme e papunësisë; e listave nëpër dyqane; e taksave të larta dhe falimentimeve të pandalshme të bizneseve; e mprehjes së briskut për rrjepje të sofistikuara gjobash absurde dhe çmimesh astronomike; e spastrimit pa të sosur të administratës dhe mbushjes së saj me militantë fushatash; e monopoleve të reja dhe oligarkive kriminale nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, e mungesës së çdo shprese se në këtë vend mund të jetohet; e vjedhjeve dhe grabitjeve të bujshme të pasurisë së shtetit dhe qytetarëve në mes të ditës; e korrupsionit violent e të pandëshkueshëm; e trafikut të organizuar të drogës dhe vrasjeve të porositura politike etj., etj.

Të gjitha këto e të tjera, ishin një shkak i mjaftueshëm që vota e shqiptarëve, në mos ndëshkuese, të kishte qenë, së paku e mjaftueshme e realiste për një ekuilibrim të pushteteve. Dhe ajo që e veçojmë në këtë sfond, është fakti se pse votuesi nuk e mbështeti alternativën opozitare për “ulje taksash, për punë dhe dinjitet”?

Mendoj se nuk është faji i votuesve. Mendoj se votuesi i djathtë, përkundër gjendjes së dëshpëruar të vendit, është ende në një krizë të thellë besimi ndaj opozitës së djathtë. Opozita nuk arriti ta bindë votuesin e saj, sepse që nga qershori i vitit 2013 nuk ka reflektuar sinqertë për humbjen. Nuk ndodhi analiza e premtuar për shkaqet e humbjes, ndër të cilat më të rëndësishme për këtë votues janë: shpërbërja e fizionomisë identitare të së djathtës dhe rrëshkitja në kompromise koloboracioniste me renegatë “jo të një gjaku me të”; hezitimi për të reformuar bazën dhe riciklimi i shumë figurave tashmë të konsumuara, pa vizion, pa energji, madje do thënë: burokratë të bezdishëm; frika gati mistike dhe okulte ndaj personaliteteve të djathta për t’i përfshirë në rigjallërimin e frymës së djathtë demokratike brenda opozitës për të rifituar identitetin e shprishur (përkundrazi, PD-ja u soll me ta në mënyrë fanatike, duke i mbajtur sa më larg, me kujtesën e dikurshme armiqësore të Pleniumeve komuniste).

Po më forcohet përshtypja se PD-ja njëmend nuk e njeh as botën, as psikologjinë e së djathtës. E kush ta njohë? Çunat e gocat e reja pa kujtesë, që prodhojnë degët e PD-së nëpër lagje, apo riciklimi burokratik i ish-drejtorëve dështakë, që kanë përgjegjësi për humbjen? Partia Demokratike si opozitë rrefuzon të bashkëpunojë me ata që e kritikojnë, duke hetuar ndër ta diversionin dhe jo shqetësimin e sinqertë për fatet e demokracisë dhe idealet e dhjetorit 1990, ndërkohë që, nga ana tjetër, nuk ngurron të bashkëpunojë me ish-kundërshtarë të saj botëkuptimorë, të krijojë aleanca me këta ish-kundërshtarë të anatemuar, duke zbuluar para votuesit të djathtë tiparin e saj më të pasinqertë: llogarinë për pushtet me çdo kusht e çdo çmim! Dhe rezultati negativ zgjedhor është, në një masë të madhe, peng i kësaj mungese të sinqeritetit, dekurajim dhe alienim nga një e djathtë e tillë, që nuk e respekton identitetin e zgjedhësit, duke e ftohur, alienuar atë, duke e shtyrë atë drejt abstenimit – në rastin më të mirë, apo duke e braktisur të degradojë në pazare të ulëta elektorale – në rastin më të keq.

Nuk është faji i votuesve. Ata tashmë kanë parë dhe kanë mësuar mjaft nga “aleancat fluide”, nga katapultimet e fryra mediatike të figurave të reja, që janë garanci vetëm për karrierën e tyre, të aftë të kapërcejnë yberin politik me ofertën më të parë, sa herë t’ua dojë interesi personal. Sigurisht, prej një ndërrimi të mënjëhershëm të rregullave të lojës, në lojë e sipër, edhe zgjedhësit humbasin besimin dhe bëjnë llogaritë e tyre, tashmë me rregulla të gatshme loje, të tilla, siç janë kujdesur t’ua ngulisin pashlyeshëm në memorie partitë tona politike.

Mandej dihet: nga çarja e besimit në vlerat e sinqerta të përfaqësimit desakralizohet dhe vota; rrjedhimisht depërton diç tjetër në këtë të çarë: llava mavi e diversionit, llava tejpërshkuese, molepsëse e dhunës, shantazhit, parave dhe premtimeve… mandej dëgjohet si rreh tenja e ngjyrës, si shkallmon prej dy vitesh trupin e drobitur të mëmdheut tonë, të trandur në aksin e saj demokratik.

Opozita duhet të nisë reflektimin e saj të thellë, kësaj here – të sinqertë, të ringrihet mbi baza të shëndetshme identitare, jo sektante, sepse pa një bashkim të sinqertë, moral e shpirtëror, nuk mund të shembet gracka prej vargmalesh oligarkike e financiare në të cilën ka rënë peng sot shoqëria jonë. Opozita duhet t’i ringjallë besimin të djathtës dhe të lëkundurve, se ky vend është edhe i yni, se në këtë vend mund të projektohet e ardhmja jonë dhe e fëmijëve tanë dhe se kjo arrihet ndershmërisht, sipas meritës, “me punë e dinjitet”. Por më së pari PD-së dhe opozitës i duhet të bëjë “ekzorcizmin” brenda rradhëve të saj, nëse ndjen përgjegjësi për të ardhmen e demokracisë shqiptare. Ndërkaq Shqipëria e mavijosur elektorale duhet të kalojë trandjen e thellë tranzitore të shprishjes së natyrshme të cikleve demokratike. Sepse duket ashiqare: tash për tash, Shqipërisë i kanë ardhur “ato”…

0

Zgjedhjet elektorale vendore – qershor 2015 i dhanë Shqipërisë nga jugu në veri, pothuaj si dy vite më parë, një ngjyresë politike menstruale. Cikli demokratik është thyer dhunshëm prej një trandjeje e shkundullime të panatyrshme, prej së cilës ngjyra e mavijtë e ka përfshirë fundekrejt mëmdheun, mu si një gjymtyrë të gangrenizuar. Mbetet vetëm dilema: do të ketë përmirësim vallë gjymtyra (do t’i mbijetojë gangrenës), apo do të duhet të “amputohet”?

Shqipëria është mavijosur prej një dhune të padukshme, bizarre, një dhune të brendshme, që ia ka prishur ciklet e natyrshme demokratike, duke e reflektuar së jashtmi këtë dhunë me teptisjen e mavisë intensive. Shqipëria ka pësuar trandjen e ciklit të proceseve fiziologjike; thënë ndryshe: Shqipërisë i kanë ardhur “ato”… Në simbolikën e ngjyrës, mavija është “simbol diversioni”, “harmoni e kontradiksionit” (Nikola i Kuzanit), “mashtrueshmërisë së jetës tokësore, mirazhit” (Hosrov-i), ndjesi e shqetësimit – “ngjyrë e gjallë, por e pahareshme” (Goethe), “një tingull i sëmurë, diç e shuar dhe pikëllimtare, që i përgjigjet tingullimës së fagotit dhe fyellit” (V. Kandinski) etj.

Sa përputhshëm tingëllojnë këto përkufizime simbolike me epideminë e mavisë politike që ka kapluar Shqipërinë! Me dy-tre rriska qiejsh blu në skaje, kromatika politike e Shqipërisë po shkon drejt kapitullimit dhe nuk është çudi, që në zgjedhjet e ardhshme, të përgjithshme, harta jonë, me blu mund të ketë, mbase, vetëm liqenet dhe vijën bregdetare, gjykuar kështu nga modelet e rezultateve ala-komuniste të disa qyteteve. Po përse, vërtet, çfarë nuk shkon me votuesin masiv shqiptar, që u “mavijos” kështu – nëse ka arsye ta kërkojmë shkakun te votuesi dhe e drejta e tij për të shprehur i qetë e i patrazuar vullnetin e tij të padiskutueshëm demokratik? Mund të numërojmë, nëse i hyjmë kësaj llogarie, dhjetra shkaqe të vogla e të mëdha, e ndër to, edhe faktin se në mbi 50% të së drejtës së tij, “sovrani” ynë, i zhgënjyer e i tëhuajësuar, as që e mori mundimin t’i drejtohej kutisë së votimit. Maksimumi, ky “sovran” e ndoqi në ekran, përmes një kurreshtjeje të përzier me bezdi, kacagjelimin e ndërkryer të kundërshtarëve elektoralë. Pjesa tjetër, më pak se gjysma e “sovranit” nuk e kishte këtë “luks”: i fryrë dhe i pompuar me silikon premtimesh, parash kesh (për ditë të zezë) përsëriti pragmatikisht ritualin në kutitë e votimit, kësaj radhe pa pikë besimi në zemër, duke i hapur kësisoj udhë marshimit të zgjyrës mavi në krejt shtatin e drobitur të mëmëdheut. Sepase tanimë votuesit shqiptarë janë lodhur nga ngjyrat e rrejshme, andaj dhe nuk pranojnë më, më shumë së dy ngjyra. Madje dhe kriteri për të zgjedhur midis sosh përcaktohet nga forca për dominimin total. Nuk bëhet më fjalë për vlera identitare; nuk bëhet më fjalë për bindje botëkuptimore, as për ndjeshmëri të bazuara në doktrina politike, sepse për besueshmëri platformash dhe profilesh garantuese qytetare, si dorëzanë të sprovuar e të ndershëm – as që bëhet më fjalë! Po të ishte kështu, që të besohej në përvojën, aftësinë dhe sinqeritetin e kandidatit, Dr. Halim Kosova do të ishte shpallur fitues në kryeqytet me mbi 80% të votave. Atëherë? Nuk duhet pra ta kërkojmë te votuesi shkakun e rezultatit menstrual të këtyre zgjedhjeve të mavijosura; as tek ata që votuan, as tek ata që abstenuan. Nuk kishte arsye të mbështetej masivisht gjendja thellësisht dëshpëruese e Shqipërisë së sotme e papunësisë; e listave nëpër dyqane; e taksave të larta dhe falimentimeve të pandalshme të bizneseve; e mprehjes së briskut për rrjepje të sofistikuara gjobash absurde dhe çmimesh astronomike; e spastrimit pa të sosur të administratës dhe mbushjes së saj me militantë fushatash; e monopoleve të reja dhe oligarkive kriminale nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, e mungesës së çdo shprese se në këtë vend mund të jetohet; e vjedhjeve dhe grabitjeve të bujshme të pasurisë së shtetit dhe qytetarëve në mes të ditës; e korrupsionit violent e të pandëshkueshëm; e trafikut të organizuar të drogës dhe vrasjeve të porositura politike etj., etj.

Të gjitha këto e të tjera, ishin një shkak i mjaftueshëm që vota e shqiptarëve, në mos ndëshkuese, të kishte qenë, së paku e mjaftueshme e realiste për një ekuilibrim të pushteteve. Dhe ajo që e veçojmë në këtë sfond, është fakti se pse votuesi nuk e mbështeti alternativën opozitare për “ulje taksash, për punë dhe dinjitet”?

Mendoj se nuk është faji i votuesve. Mendoj se votuesi i djathtë, përkundër gjendjes së dëshpëruar të vendit, është ende në një krizë të thellë besimi ndaj opozitës së djathtë. Opozita nuk arriti ta bindë votuesin e saj, sepse që nga qershori i vitit 2013 nuk ka reflektuar sinqertë për humbjen. Nuk ndodhi analiza e premtuar për shkaqet e humbjes, ndër të cilat më të rëndësishme për këtë votues janë: shpërbërja e fizionomisë identitare të së djathtës dhe rrëshkitja në kompromise koloboracioniste me renegatë “jo të një gjaku me të”; hezitimi për të reformuar bazën dhe riciklimi i shumë figurave tashmë të konsumuara, pa vizion, pa energji, madje do thënë: burokratë të bezdishëm; frika gati mistike dhe okulte ndaj personaliteteve të djathta për t’i përfshirë në rigjallërimin e frymës së djathtë demokratike brenda opozitës për të rifituar identitetin e shprishur (përkundrazi, PD-ja u soll me ta në mënyrë fanatike, duke i mbajtur sa më larg, me kujtesën e dikurshme armiqësore të Pleniumeve komuniste).

Po më forcohet përshtypja se PD-ja njëmend nuk e njeh as botën, as psikologjinë e së djathtës. E kush ta njohë? Çunat e gocat e reja pa kujtesë, që prodhojnë degët e PD-së nëpër lagje, apo riciklimi burokratik i ish-drejtorëve dështakë, që kanë përgjegjësi për humbjen? Partia Demokratike si opozitë rrefuzon të bashkëpunojë me ata që e kritikojnë, duke hetuar ndër ta diversionin dhe jo shqetësimin e sinqertë për fatet e demokracisë dhe idealet e dhjetorit 1990, ndërkohë që, nga ana tjetër, nuk ngurron të bashkëpunojë me ish-kundërshtarë të saj botëkuptimorë, të krijojë aleanca me këta ish-kundërshtarë të anatemuar, duke zbuluar para votuesit të djathtë tiparin e saj më të pasinqertë: llogarinë për pushtet me çdo kusht e çdo çmim! Dhe rezultati negativ zgjedhor është, në një masë të madhe, peng i kësaj mungese të sinqeritetit, dekurajim dhe alienim nga një e djathtë e tillë, që nuk e respekton identitetin e zgjedhësit, duke e ftohur, alienuar atë, duke e shtyrë atë drejt abstenimit – në rastin më të mirë, apo duke e braktisur të degradojë në pazare të ulëta elektorale – në rastin më të keq.

Nuk është faji i votuesve. Ata tashmë kanë parë dhe kanë mësuar mjaft nga “aleancat fluide”, nga katapultimet e fryra mediatike të figurave të reja, që janë garanci vetëm për karrierën e tyre, të aftë të kapërcejnë yberin politik me ofertën më të parë, sa herë t’ua dojë interesi personal. Sigurisht, prej një ndërrimi të mënjëhershëm të rregullave të lojës, në lojë e sipër, edhe zgjedhësit humbasin besimin dhe bëjnë llogaritë e tyre, tashmë me rregulla të gatshme loje, të tilla, siç janë kujdesur t’ua ngulisin pashlyeshëm në memorie partitë tona politike.

Mandej dihet: nga çarja e besimit në vlerat e sinqerta të përfaqësimit desakralizohet dhe vota; rrjedhimisht depërton diç tjetër në këtë të çarë: llava mavi e diversionit, llava tejpërshkuese, molepsëse e dhunës, shantazhit, parave dhe premtimeve… mandej dëgjohet si rreh tenja e ngjyrës, si shkallmon prej dy vitesh trupin e drobitur të mëmdheut tonë, të trandur në aksin e saj demokratik.

Opozita duhet të nisë reflektimin e saj të thellë, kësaj here – të sinqertë, të ringrihet mbi baza të shëndetshme identitare, jo sektante, sepse pa një bashkim të sinqertë, moral e shpirtëror, nuk mund të shembet gracka prej vargmalesh oligarkike e financiare në të cilën ka rënë peng sot shoqëria jonë. Opozita duhet t’i ringjallë besimin të djathtës dhe të lëkundurve, se ky vend është edhe i yni, se në këtë vend mund të projektohet e ardhmja jonë dhe e fëmijëve tanë dhe se kjo arrihet ndershmërisht, sipas meritës, “me punë e dinjitet”. Por më së pari PD-së dhe opozitës i duhet të bëjë “ekzorcizmin” brenda rradhëve të saj, nëse ndjen përgjegjësi për të ardhmen e demokracisë shqiptare. Ndërkaq Shqipëria e mavijosur elektorale duhet të kalojë trandjen e thellë tranzitore të shprishjes së natyrshme të cikleve demokratike. Sepse duket ashiqare: tash për tash, Shqipërisë i kanë ardhur “ato”…

0

1.2. Simbolika e ngjyrës në Indinë dhe Kinën e vjetër

Që në lashtësi e deri më sot, në Indi dhe Kinë ekziston një sistem i evoluimit të ngjyrave. Doktrina mbi ngjyrat konsiderohet ezoterike dhe se në një vëllimshmëri të plotë kjo doktrinë qarkullon duke u trashëguar midis të përkushtuarve. Fragmente të veçanta përmbajnë monumentet e letërsisë filozofike e religjioze që kanë mbërritur deri në ditët tona.

Triada e ngjyrave zë një vend parësor në këto doktrina, ndërsa domethëniet simbolike të ngjyrave janë më së shumti të ngjashme me ato që theksohen në kulturat primitive.

India

Ja se çfarë thuhet për ngjyrat në Çhandog Upanishada (sipas komentarit të Shankaraçarit): «ngjyra e kuqe (materiale) e zjarrit – është ngjyra e zjarrit të parë, ngjyra e bardhë (materiale) e zjarrit – është ngjyra e ujërave të para, ngjyra e zezë (materiale) e zjarrit – është ngjyra e zanafillore e tokës. Kështu në zjarr zhduket gjithçka që zakonisht quhet zjarr, ndryshimi (modifikimi, variacioni) është gjithqysh një emër që lind në ligjërim, dhe ka gjithsej vetëm tre ngjyra (forma) të së Vërtetës (cituar sipas V. Ternerit – 1983). Në akord me Çhandoga Upanishadën, gjithë kjo botë është trengjyrëshe (trepjesëshe). Kështu ushqimi shpërbëhet në tri pjesë: pjesa më e rëndë ajo më e errëta (e zeza) del jashtëpjesa e mesme (e kuqja) shndërrohet në kurm dhe së mbrami, pjesa më e lehtë (e bardha) shndërrohet në mendim. Kjo është e vlefshme dhe në lidhje me ujin e pirë që asimilohet në organizmin e njeriut në tre pjesë: urinë (e zezë), gjak (e kuqe) dhe mendim (e bardhë).

Në një vepër tjetër filozofike Sankhjakarika të Ishvarakrishnës tri ngjyrat “bazë” u përgjigjen tre hunave ose “fijeve të ekzistencës së botës” – sattva, raxhas dhe tamas. Huna sattva do të thotë “qenësi”, ngjyra e saj e bardhë simbolizon pastërtinë dhe paqëtimin. Huna e dytë – raxhas (e kuqja) përfaqëson në vetvete zanafillën aktive që lind karmën. Huna e tretë – tamas (e zeza) ndofta kuptohet si gjendje dërrmimi, regresi, prirje drejt alergjisë apatike.

Në këto shembuj shihet që në Indinë e Vjetër ngjyrat “bazë” përfaqësonin forcat (kozmike) kryesore të botës, pjesë përbërëse të universit (shih. gjithashtu Mahabharata, Ramajama etj.).

Fundamenti i fundamenteve për indianët e lashtë është – dielli (Brahman, veda kryesore dhe perëndia më e epërme) nuk ka një ngjyra të përcaktuar, mund të arrihet vetëm me anë të meditacionit, dhe jo në rrafshin ndjesor. Kjo perëndi përmban në vetvete të gjitha ngjyrat ose më saktë, i lind ato. Së këndejmi ekziston nocioni i “dritës së padukshme”, “diellit të zi” etj.

Drita dhe terri (e bardha dhe e zeza) konsideroheshin si tërësi, terri ishte tjetërqenësia e dritës. Në “Rigveda” kjo tërësi (unitet) është shprehur kësisoj: zjarri, i kulluar dhe i ndritshëm në qiell, lëshon shirita të zinj në tokë (ose në objektin e djegur); shiu, që është i zi në qiell (në trajtën e reve të zeza të shiut), bëhet i tejdukshëm në tokë (М. Schneider – 1946).

Perënditë edhe më të ulëta sipas rangut në hierarki kanë një ngjyrë të përcaktuar, satbile (Mahabharata). Ngjyra e perëndisë së dashurisë është e bardha, e vdekje (Kali) – e zeza, e perëndisë së amësisë – e kuqja, për shkak se ajo lidhet me principin e krijimit, veprimit që shprehet me ngjyrën e kuqe (H. Zimmer – 1946). Në tërësi, zotat e mirë dhe forcat e mira – shënjojnë të bardhën, ndërsa të këqijtë – të zezën ose kombinimin e të zezës me të kuqen.

KINA

Në Kinën e Vjetër ngjyra kundrohej gjithashtu në cilësinë e simbolit të forcave dhe elementëve më të rëndësishëm. Në akord me doktrinat ezoterike tre radhë simbolesh (nuancat e ngjyrave, elementët përbërës të natyrës, ndjenjat dhe reaksionet) dalin nga një burim i përbashkët që vepron në nivelet më të thella të realitetit (H.E. Kerlot – 1994). Në “Librin e ndryshimeve: («I czin») ne gjejmë një sistem të këtillë të simbolikës së ngjyrave (shih tabelën 1.2.1.), që del nga principet e teorisë së korrespondimeve.

TABELA 1.2.1.

Ngjyra Stinët Elementi,
objekti
Drejtimet e horizontit Planetët Kafsha-
simbol

Jeshilja

Ose bluja

Pranvera Pema Lindje Jupiteri Drakoni
E kuqja Vera Zjarri Jug Marsi Feniksi
E bardha Vjeshta Metali Perëndim Venera Tigri
E zeza Dimri Uji Veri Mërkuri Breshka
dhe gjarpri
E verdha Fundi
i verës
Toka Qendër Saturni

                                                                        * Sipsa L. P. Siçjev dhe V. L. Siçjev (1975).

1.4. ANTIKITETI

Në epokën e antikitetit formohet një marrëdhënie tjetër ndaj ngjyrës. Përveç marrëdhënieve të ruajtura me ngjyrën si simbol religjioz-mistik dhe magjik, lind gjithashtu dhe marrëdhënia e natyrshme shkencore. Si variant i ndërmjetëm i këtyre marrëdhënieve mund të quajmë përpjekjet e një sëre filozofësh të shquar antikë grekë për të krijuar një sistematikë të elementit të ngjyrës, tashmë jo të natyrës mistike, por natyrore.

Empedokli, duke ndarë katër elementet kryesore, i jep secilit prej tyre ngjyrën e vet. Ujit i përkon ngjyra e zezë; tokës – e verdha; zjarrit – e kuqja; ajrit – e bardha.

Nëse Empedokli, duke përcaktuar ngjyrat e elementeve, mbështetej në përshtypjet pamore, Aristoteli, duke dashur zbulojë ngjyrat e tyre “të vërteta”, përdori një metodë eksperimentale. Sipas Aristotelit ngjyrat “bazë” janë tre: së bardhës (së pangjyrës) i përkon uji, ajri; e verdha – ngjyra e zjarrit, ndërsa e zeza – ngjyra e shkatërrimit ose gjendjes ndërkalimtare (transitore).

Klasifikimi i elementit «tokë» në grupin e së bardhës, shpjegohet me rezultatet e eksperimenteve të Aristotelit me tokat e pjekura, të cilat në fund të fundit, shndërroheshin në të bardha. Duke kundruar me vëmendje flakët e zjarrit, Aristoteli mbërriti në përfundimin se ato më së shumti janë të verdha, se sa të kuqe. Një qasje e ngjashme eksperimentale, natyrisht e shkatërroi aureolën mistike të ngjyrave, i zbriti ato deri në dukuritë e rëndomta të botës fizike.

Roli tradicional i ngjyrës si simbol i fuqive hipersensibile, magjike, ruhej në një shkallë shumë më të madhe në shkollën filozofike të pitagoreanëve, të përvetësuar nga dijet e falltarëve dhe magëve të Babilonisë dhe Egjiptit. Pavarësisht nga përpjekjet për studimin shkencor të fenomeneve të ngjyrës, marrëdhënia ndaj ngjyrës si simbol mistik mbizotëroi tek Platoni dhe neoplatonistët. E bardha dhe e florinjta (e verdha) konsideroheshin nga këto shkolla filozofike si ngjyra hyjnore (ndër to dhe si arsye botërore – Logos), shprehnin të Mirën, të vërtetën, lumturinë, mirësinë, dijen, harmoninë. Ngjyra e errët dhe veçanërisht e zeza shfaqeshin si simbole të forcave të së keqes, fatkeqësive dhe armiqësive ndaj njeriut etj.

Vlen të theksojmë gjithashtu, se marrëdhënia kundrejt ngjyrave në Greqinë e Lashtë u përcaktua në shumëçka jo vetëm si domethënie e tyre e simbolit religjioz apo filozofik, por dhe si kanon estetik dhe përfytyrim mbi të bukurën. Prandaj teprimi i ndjenjës së masës në përdorimin madje edhe të ngjyrave «fisnike» mund të quhej «trashomani». Një raport të ngjashëm, me ndërmjetësinë e princpeve të daocizmit është karakteristike edhe për Kinën e Lashtë, ku ngjyrat tepër demonstrative shfaqeshin si simbol të një jete lapërdhare.

Simbolika e ngjyrës në Romën e Lashtë nuk del jashtë sinoreve të kanonit tradicional. Gjithashtu edhe këtu simbolet më të dashura e të nderuara kanë qenë e bardha, e verdha, e kuqja dhe ngjyra e purpurt. Bluja konsiderohej si atribut i Jupiterit dhe Junonës në cilësinë e zotave të qiellit dhe kishte domethënien e ndjenjës religjioze, të përkushtimit dhe pafajësisë; e gjelbra – ngjyra e Venerës dhe Natyrës simbolizonte pjellorinë e fushave, simpatinë dhe aftësinë; e manushaqta (violet) përkonte me nostalgjinë dhe kujtesën; e verdha (atribut i Apollonit, zotit të diellit) shprehte shpirtmadhësinë, intuitën dhe intelektin; e portokallta – krenarinë dhe ambicien; e kuqja (ngjyra e Marsit) – pasionin, ndjeshmërinë dhe forcat e gjalla krijuese; e trëndafilta (rozë) – ndjeshmërinë dhe emocionin (A. Teillard – 1951; O. Wirth – 1927). Kombinimi i së bardhës me të kuqen shfaqej si simbol i aristokratikes, prejardhjes fisnike. E purpurta konsiderohej si ngjyra e perandorëve dhe pjesëtarëve të oborrit perandorak, duke nënkuptuar pushtetin, madhështinë dhe frymoren. Kur një prijës romak kremtonte triumfin e tij, ai parakalonte në një koçi të mprehur me katër kuaj të bardhë që mbuloheshin nga një velencë fijesh ari, dhe ai vetë – prijësi – vesh e mbathë me petka t’kuqe.

1.5. MESJETA

Pas epokës antike në kohët e mesjetës në Europë ngjyra sërish ia ktheu vetes pozitat sërish, para së gjithash si simbol i fuqive dhe dukurive mistike, çka është veçanërisht karakteristike për Kristianizmin e hershëm.

1.5.1. Simbolet e ngjyrës së kristianizmit

Ndryshimin më të madh thelbësor të simbolikës së ngjyrës në periudhën “pagane” kundrejt asaj “kristiane” e shohim në faktin që ngjyra, tashmë pushoi s’u identifikuari me Zotin, forcat mistike, porse ngjyra shndërrohet në atribute të tyre, cilësi dhe shenja të tyre.

Në akord me kanonet kristiane Zoti e krijoi botën, domosdo edhe dritën (ngjyrën), porse vetë Ai nuk shpihej/reduktohej me dritën. Drita, veçanërisht e dukshmja, është veçse njëra nga hipostazat e Zotit. Prandaj teologët mesjetarë (për shembull Aurrel Agustini), duke përlëvduar dritën dhe ngjyrën, si shfaqje të hyjnores, parapë se prapë këta teologë na dëftejnë se si ato, ngjyrat, mund të jenë të rreme (nga Satanai) dhe identifikimi i tyre me Zotin paraqet në vetvete pasaktësi dhe madje mëkat. Një lidhje të fortë ndërmjet një ngjyre të përcaktuar dhe fuqive mistike, sikundërse vihej re më parë, praktikisht, nuk ka. Thelbin hyjnor është e domosdoshme ta mbërrish me soditjen meditative të brendshme, transhendentale, dhe jo të mashtrohesh nga efektet e ndritshme të jashtme.

Megjithatë vetëm ngjyra e bardhë mbetet pandryshueshëm simbol i shenjtërisë, pastërtisë dhe jetës shpirtërore. Engjëjt në qiej janë të veshur me rroba të bardha, si dhe të shenjtët e martirizuar në emër të besimit. Veçanërisht e rëndësishme konsiderohej një domethënie e tillë e së bardhës si pastërtia dhe papërlyemja, çlirimi nga mëkatet, sikundërse flitet për të në “Zbulesën” e Gjonit”. E bardha në kristianizëm nuk ka domethënie negative, madje dhe qefini i bardhë do të thotë, njëlloj si te popujt primitivë, kalimin në një “botë tjetër” më të mirë, pastrimin nga mëkatet dhe vetëm me këtë ka të bëjë “zia”.

Simbolika e ngjyrave të tjera është ambivalente, madje, në segmente të ndryshme të mesjetës tek njëra apo tjetra ngjyrë në plan të parë dilnin herë domethëniet pozitive, herë negative. Kështu, në kristianizmin e hershëm dominonte simbolika pozitive e ngjyrës së verdhë, si ngjyra e Shpirtit të shenjtë, të zbulesës hyjnore, përndritjes etj. Por më vonë, e verdha merr kuptim negativ, i cili, jo rrallë perceptohet ashtu deri më sot. Në epokën e gotikës, atë fillojnë ta konsiderojnë si ngjyrë të tradhtisë, mashtrimit etj.

E kuqja në Kristianizëm simbolizon gjakun e Krishtit që derdhi Ai për hir të shpëtimit të njerëzve, çka, rrjedhimisht është dhe dashuria e tij ndaj njerëzve.

Ashu si në Romën perandorake, e purpurta në mesjetë konsiderohej si ngjyrë mbretërore. Pjesëtarët e familjes mbretërore madje edhe në zi vishnin petka t’purpurta )por me nuanca pak më të errëta, me mbizotërim të blusë). Në kohën e tashme, kur çiftet mbretërore nuk e keqpërdorin më purpurin në rrobat e tyre, është ruajtur një doke e “zisë së purpurtë” në shtëpitë e mbretërive europerendimore.

Manushaqja dhe bluja konsideroheshin ngjyra mistike, transhedentale. Teologu dhe filozofi Nikola i Kuzanit e ka quajtur ngjyrën e manushaqtë “harmoni të kontradiksionit”. Si shenjë e virtytit të kardinalëve merrej guri i manushqtë ametist. Bluja (e kaltra) për kristianët simbolizonte qiellin, ishte ngjyra e përjetësisë, nxiste paqëtimin, ndershmërinë, shprehte idenë e vetëflijimit dhe butësisë.

Në ndryshim nga bluja transhedentale, e gjelbra shfaqej më “tokësore”, shënjonte jetën, pranverën, lulimin e natyrës, rininë. Ai e dominon artin kristian (E. Levi – 1920). Tok me të, e gjelbra kishte dhe domethënie negative – intrigën, tundimin, joshjen djallëzore (satanai përshkruhet me sy të gjelbër, çka ndofta, qëndron në themel të besëtytnisë se sytë e gjelbër janë shenjë e urrejtjes dhe shpirtvogëlsisë së njeriut).

Marrëdhëniet me të zezën kanë qenë, kryesisht, negative, si ngjyra e së keqes, mëkatit (e kuqja në situata të caktuara, gjithashtu, simbolizon mëkatin – gjakun mëkatar), e djallit dhe ferrit, e gjithaq dhe të vdekjes. Në domethëniet e së zezës, sikundërse dhe tek popujt primitivë, u ruajt dhe madje u shtjellua aspekti i “vdekjes ritualore”, vdekjes për hir të paqes. Prandaj e zeza u bë ngjyra e murgjërisë.

Ngjyrat e kafta dhe të hirta shënjonin njerëzit e thjeshtë. Kuptimi i tyre simbolik, veçanërisht në mesjetën e hershme, ka qenë, ngushtësisht, negativ. Ata kishin domethënien e varfërisë, shpresëpakut, tersllëkut, mizerjes etj.

Vazhdonte të mbetej edhe marrëdhënia ndaj ngjyrës, si ndaj një mjeti magjik. Kjo ka të bëjë, para së gjithash, me alkiminë mesjetare. Ngjyrat në alkimi ndaheshin në “të epërme” dhe “të poshtme”. Në “të epërme” bënin pjesë ngjyrat e njohura për ne të “triadës” – e bardhë, e zezë dhe e kuqe. Ata simbolizonin tre stade të “Shndërrimit të Madh”: materien (lëndën) parësore (të zezën), zhivën (të bardhën) dhe squfurin (të kuqen) rezultat i të cilave ishte krijimi “gurit” (të florinjtës). E zeza përkon me stadin e dekompozimin, kalbjen, nxirjen, pendesën; e bardha – me gjendjen e përndritjes, përnaltësimit, zbulesës dhe mëshirimit; e kuqja – me shkallën e përvujtnisë heqakeqe, përnaltësimit martir dhe dashurisë. E arta kishte domethënien e lavdisë (H.E. Kerlot – 1994). Ngjyrë kryesore bazë (që ishte nëna e të gjitha ngjyrave) në këtë triadë, konsiderohej e zeza. Ngjyrat e mbetura hynin në grupin e ngjyrave të “poshtme”, ose “dytësore”. Në alkimi ekzistonte edhe sistematika e ngjyrave të elementeve kimikë si dhe emërtime specifike të ngjyrave. Për shembull, sermi (argjendi) quhej “mbretëresha e bardhë” (V.L.Rabinoviç – 1979).

                                                                                                                                                (vijon)

Pjesën e dytë e gjeni këtu.

0

“A janë shqiptarët popull që lexon?” – dëgjojmë shpesh të pyetet nëpër studio, sondazhe e intervista. Fill mandej, përzihen të dhënat përmes një mikseri të çuditshëm pseudosociologjik dhe bëhen krahasime – me Evropën po se po, por më rëndom, me periudhën e “artë” të komunizmit, kur njerëzit “e kishin kulturën e leximit”. Po ç’ndodhi që tani s’e kanë?

Sqarimi 1: Çështja e leximit në tipologji kombëtare, si me thënë, duhet shtruar ndoshta, jo “a lexojnë shqiptarët?”, por “çfarë lexojnë?”. Shqiptarët lexojnë, njëlloj si çdo popull tjetër. Por leximi më kontekstin sociologjik varet, e para, nga periudha kohore kur ke hyrë në lexim, kur ke ndërtuar një traditë të pandërprerë me leximin, dhe e dyta, se çfarë lexon. Të dyja na çojnë në faktorë të natyrës historike, të historisë së shkrimit, institucioneve, librit, shkollës, mediave, letërsisë etj., pra, të formimit të shtetit kombëtar, shoqërisë që prodhon një kulturë, e ushqen dhe edukohet me të përmes një pjesëmarrjeje dinamike.

Por ne e dimë që shteti shqiptar, e rrjedhimisht dhe institucionet që krijoi ai, ndër to institucionet kulturore me Librin dhe arsimin si instancë qendrore, nuk kanë më shumë se 80-90 vjet. Në raport me kombet e qytetëruara të botës dhe Evropës në veçanti, koha e komunikimit tonë masiv me librin, përkatësisht leximin, rrudhet në kufijtë e moshës së shtetit. Leximi si gjithçka është traditë, më së pari është traditë që përcillet e mbishtresohet në vetëdijen dhe cilësinë e recipientit. Kombet kulturore të Evropës kanë që nga koha e Gutenbergut traditën e tyre të pandërprerë të leximit, e cila ka ardhur duke u zgjeruar nga qarqet e ngushta elitare deri te masivizimi i leximit. Shkrimtarët e parë shqiptarë të Rilindjes duhet të projektonin më parë Lexuesin e shkrimit shqip, ta bindnin atë se është shqiptar, e jo “turk, elhamdyrlilah”, siç përgjigjeshin asokohe, rëndom. E vetëm mbasi ta kishte bindur shqiptarin se është shqiptar, shkrimtarit tonë rilindës i duhej ta bindte se gjuha e tij e natyrshme, shqipja që fliste në familje, është një gjuhë e lashtë; është e mirë, e bukur, e vlerë… Kujtoni se sa poezi përlëvduese e himnizuese i janë kushtuar gjuhës shqipe nga poetët e Rilindjes, që nga Naimi deri te Fishta e Mjeda.

Vetëm në fillim të viteve njëzetë të shekullit të kaluar, e kryesisht në vitet ‘30 të këtij shekulli ne kemi kushtet si lexues të hyjmë në lexim, pavarësisht se ende pjesa dërrmuese e popullsisë janë analfabetë dhe lulëzimi i shkollave është ende në agun e vet. Kjo traditë leximi vjen duke u zgjeruar dhe e përfton dinamikën e vet sociologjike të komunikimit masiv pas Luftës së Dytë Botërore, mjerisht në një epokë kur leximi ishte, si gjithçka, i kontrolluar, një instrument propagandistik në duart e Partisë-Shtet, që synonte zombifikimin e vetëdijes masive jo përmes vlerave estetike, por përmes agjitacionit paranojak për të shpirtëzuar bocetin ala Frankenshtajn të Njeriut të Ri. Letërsia pushoi së lexuari: ajo propagandohej në shkolla, uzina, qendra pune. Për fat, fijet e leximin u mbajtën të gjalla përmes leximit të letërsisë së përkthyer dhe shqipja si gjuhë artistike, në nivelin artistik, aq sa dëmtohej nga letërsia e modelit të importuar socrealist, aq vitalizohej si kompensim nga gjuha e mjeshtërve të përkthimit me kryeveprat botërore në shqip të antikitetit, klasicizmit dhe realizmit, ndonëse të kontrolluar nga censura.

Leximi ka qenë mjeti kryesor i kulturimit të programuar gjatë periudhës diktatoriale të komunizmit, por edhe mjeti i vetëkulturimit. Sot zbehja e leximit shpesh keqkuptohet pa marrë parasysh ligjësitë që veprojnë në këtë sferë.

Një ndër pikat “e errëta” për t’u sqaruar është çështja se “a ka rënë leximi në krahasim me Shqipërinë e para viteve 1990?”.

Sqarim 2. Po, por sa? Nuk ka statistika, çka do të kishte qenë një fillim i mirë për një hartë të saktë të lexueshmërisë. E shoh edhe unë që ka rënë, por duhet të saktësojmë se kush e braktisi leximin si formë të kulturimit të programuar apo vetëkulturimit në një situatë që nuk është si para viteve 1990. Kush janë pra dezertorët e librit? Unë mendoj se janë pikërisht ata që e “kompensuan” kënaqësinë e aktit të leximit me diçka tjetër, në botën e begatë të alternativave rivalizuese të librit, pra në epokën e ngopjes së hapësirave sociale me mjetet argëtuese të “bumit” teknologjiko-informativ. Telenovela, seriale, shou dhe klipi televiziv, mandej interneti dhe mjetet e teknikës info-virtuale që posedon dhe një fëmijë i shkollës fillore, janë rivalizues të mëdhenj të librit klasik. Kjo është një sfidë për çdo familje dhe gjithandej vërehet një mobilizim e kujdes i madh, në mos për t’i ndaluar fëmijët nga varësia e këtyre mjeteve, së paku të vendosin një ekuilibër të drejtë gjysmëpërgjysmë midis librit dhe mjeteve elektronike audiovizuale.

Pra dezertorët e librit janë ata që e kanë kompensuar e suprimuar librin me diç më zbavitëse se ai. Dhe lavdi Zotit, që librit iu largua kjo kategori dembele me lidhje të dobëta e të sipërfaqshme.

Deduktivisht i bie që radhët e lexuesve do të pësojnë edhe më tej “hemorragji”, derisa sfera e leximit të bëhet akoma më e vogël, por ama harrohet të theksohet finalja e këtij deduksioni: njëkohësisht me zvogëlimin dhe rrudhjen e sferës së leximit ndodh edhe elitarizimi i saj. Leximi është akt i kulluar intelektual, kënaqësi ngushtësisht intelektuale (një mik i imi qe shprehur njëherë në një debat me kundërshtarin e tij agresiv, të një niveli shumë më të ulët intelektual: “Në ndryshim prej teje unë përjetoj dy orgazma (pikërisht orgazma!), njërën të njohur prej gjithkujt, dhe prej teje, fiziologjike pra, dhe tjetrën intelektuale, përmes leximit, të cilën t’i s’e njeh”). Si i tillë, leximi kërkon bashkëpjesëmarrje: ai edhe pasurohet, nëpërmjet leximit, por edhe e pasuron lexuesin, duke përsosur njëkohësisht dy kahje: leximin si proces dhe akt intelektual dhe lexuesin si recipient, që e përjeton dhe mediton mbi të.

Meqenëse me “lexues shqiptarë” nënkuptohen të gjithë lexuesit e gjuhës amtare shqipe dhe meqenëse më shumë se gjysma e tyre janë jashtë Shqipërisë (Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe diaspora), të shohim pak edhe çfarë stereotipesh janë formuar nga lexuesi (kryesisht kosovar) për leximin në Shqipëri. Më së shumti dominon perceptimi se në Shqipërisë komuniste i është kushtuar rëndësi e madhe shkollës – pavarësisht prej përmbajtjes së programeve shkollore.

Sqarim 3: Kjo nuk ka lidhje me dy epokat, por ka lidhje me banalizimin burokratik të shtetit, me mungesën e përgjegjësisë, me format e ndryshme të korrupsionit, nepotizmit dhe me nivelin e ulët të qasjes që i bëjnë pushtet politike e ekzekutive qasjeve ndaj arsimit kombëtar, duke vënë në krye të këtyre strategjive dhe operacioneve delikate militantë kokëqypë partiakë, në vend të ekspertëve me përvojë. Po të shohësh Programet Politike në letër ke parasysh tjetër realitet. Fatkeqësisht Platformat dhe Programet e partive janë vetëm për një ekzistencë propagande. Ato nuk mishërohen praktikisht.

Dikur, në komunizëm, arsimit në aspektin krejt formal të tij, i kushtohej vëmendje. Zbatohej ligji për sistemin e detyrueshëm shkollor – tjetër punë se me çfarë ua mbushnin kaplloqen djemve e vajzave. Shkolla ishte monopol i shtetit komunist, ai kontrollohej imtësisht prej tij: partia vendoste se kë do të shkollonte dhe çfarë do të arrinte prej secilit, ndërkaq që mijëra e dhjetëramijëra të tjerë, kundërshtarë politikë, fëmijë të të persekutuarve, edhe kur ishin të talentuar e të shkëlqyer, po kjo parti-shtet ua mbyllte dyert e gjimnazeve në turi, lerë më universitet!

Tashmë monopolin mbi arsimin e ka jo vetëm shteti, por çdo biznes privat. Inflacioni i të shkolluarve me arsim të lartë, diplomat e universiteteve private, aspektet banale, korruptive, tregu i diplomave në këto universitete, i cili funksionon si Treg Gjize, e ka rrënuar besimin dhe i ka veshur sistemit arsimor një imazh jashtëzakonisht vulgar. Në këtë kuptim Shqipëria trashëgoi sëmundjet postkomuniste në lëmenjtë e arsimit, si shqyerjen e dyerve të universiteteve, banalizimin e dijes, korrupsionin universitar, nën maskën e politikave liberalizuese populiste. Në këto vite ka lulëzuar dhe është shndërruar në mit studimi jashtë shtetit, diku në Euro-Amerikë… Me këtë nuk dua aspak të them se nuk ekzistojnë segmente të shëndetshme të UT-ve tona publike e private. Por ama imazhi është dëmtuar keq.

Perceptimi tjetër nga shqiptarët e Kosovës e më gjerë është se në Shqipëri edhe po përkthehen më shumë libra të letërsisë botërore dhe të fushave të tjera. Si qëndron e vërteta?

Sqarim 4: është e vërtetë, në njëfarë mase. Në Shqipëri biznesi i shtëpive botuese ka nisur më herët dhe kanë pasur më shumë kohë, qetësi e favor për ta zhvilluar. Përkthehet shumë, e do thënë edhe për lumë. Por unë nuk jam nga ata nihilistë që mohojnë të ketë përkthime të mira në shqip, sikundër duan ta paraqesin bardhë e zi një pjesë. Edhe në Kosovë, gjykuar nga panairet, shoh se ka përkthime nga letërsitë e huaja, ndonëse jo si dikur, në kohën e sh.b. “Rilindja”. Për shembull, ka një begati përkthimesh që i gjen në botimet e sh.b. “Buzuku”. Çështje mbetet gjithmonë cilësia e përkthimeve, dorëzania që na bën ta lexojmë autorin e huaj, dhe këtu ka probleme gjithmonë. Nganjëherë shtëpitë botuese funksionojnë si shtëpi sabotuese si për librin origjinal shqip, si për autorët e përkthyer. “Kancer” i përbashkët për biznesin e botimeve është shpërndarja. Kjo ka krijuar idenë se libri nuk shitet. Dhe vërtet, si mund të shitet libri, kur botuesi nuk e shpërndan anembanë Shqipërisë? Anembanë Kosovës?

Unë kam pasur një përvojë shumë të mirë e të gëzueshme si autor pikërisht në Kosovë. Romani im “Tenxherja”, fitues i çmimit “Rexhai Surroi” në 2010-ën, u shpërnda nga sh.b. “Koha” dhe brenda vitit i shiti 1000 kopje, domethënë, të gjitha kopjet. Një mënyrë fantastike funksionimi! Sepse i njëjti roman, i botuar nga “Toena” në Shqipëri nuk u shpërnda në asnjë librari, me përjashtim të “Adrion”-it në sheshin “Skënderbej”. Libri mendoj se nuk shpërndahet. Sepse si ka mundësi që në “Kosovën që nuk lexon”, libri u shit i gjithi, ndërsa në “Shqipërinë që lexon” libri nuk u shpërnda dhe nuk dihet fati i tij? Pra kemi dy qasje: “Koha” veproi dhe u soll si një Shtëpi e vërtetë Botuese, ndërsa “Toena” si një Shtëpi e vërtetë Sabotuese.

Në Shqipëri vërtet botohet e përkthehet më shumë. Por, dalëngadalë, Shoqata Kombëtare e Botuesve po merr gjithnjë e më shumë tiparet e një sekti, një organizate që ushtron dhe ndikon qëllimësitë e saj, axhendat e saj, pikërisht nëpërmjet diferencimit thuajse politik midis shkrimtarëve shqiptarë. Shoqata e Botuesve Shqiptarë po sillet sikur është trashëgimtarja e Lidhjes së dikurshme komuniste të Shkrimtarëve. Njëlloj si LSHA, Shoqata e Botuesve shqiptarë vendos se kush duhet të promovohet fuqishëm e kush të sabotohet, kush të përfshihet në Konkurset Ndërkombëtare (Juritë e të cilëve i hartojnë midis vedit) e kush jo; kush duhet ta marrë, fjala vjen, çmimin “Evropa” me vlerë 5000 euro e me të drejtë përkthimi në 20 gjuhë, e kush, fjala vjen, sidomos nuk duhet ta marrë; kush të pranohet, e kush të mos pranohet në konkurs; ose thjesht: zgjidhet personi të cilit do t’ia bëjnë dhuratë çmimin, mandej hartohen kriteret, posaçërisht, që t’i përmbushë ato vetëm ai, të cilit tashmë ia kanë dhënë në tavolinë çmimin… dhe nuk është fjala te çmimi: fjala është për njohjen, për nishanin, për promovimin e një establishmenti, te atillë, siç i krijonte dikur Lidhja Komuniste e Shkrimtarëve dhe Artistëve (LSHA).

Lavdi Zotit, në Shqipëri ka konkurrencë. Mund ta gjesh një shtëpi botuese… qoftë edhe duke e paguar botimin e veprës…

0

E ZEZA

E dyta përnga rëndësia në jetën e njerëzve primitivë ka qenë ngjyra e zezë. Nëse e bardha nënkupton dritë, atëherë e zeza nënkupton terr, nëse e bardha – jetën, atëherë e zeza – vdekjen, e bardha – pastërtinë dhe rregullin, e zeza – pisllëkun dhe kaosin. Aq më tepër që e zeza është antipod i së bardhës. Optikisht kontrasti i së bardhës dhe së zezës është nga më të fortët; po aq janë të forta edhe kontrastet dhe domethëniet simbolike të këtyre dy ngjyrave. E bardha dhe e zeza kanë të bëjnë me simbolet duale dhe, siç e thekson H. E. Kerlot (1994), në ngjashmëri me të gjitha formulat duale kanë lidhje të drejtëpërdrejtë me mitin e madh të Binjakëve. Gjymtyrët e çiftit dual (njerëzit, kafshët, bimësia etj.) kanë ngjyrë kundërvënëse çka pasqyron kundërvënien e dy botëve.

Si shembull sjellim domethëniet më simbolike të ngjyrës së zezë për fisin Ndembu (V. Terner – 1983).

1. E liga, gjërat e këqija;
2. Mungesa e suksesit, pastërtisë;
3. Vuajtja;
4. Sëmundja;
5. Shtrigania dhe mëngjia;
6. Vdekja (ndër to dhe ajo ritualore);
7. Joshja seksuale;
8. Nata, terri.

E zeza është antitezë e së bardhës, ana e përkundër e jetës. Gjithësa është më negative në jetën e njerëzve primitivë e shpreh e zeza. Forcat e liga dhe armiqësore për njeriun, sipas njeriut primitiv i ka e zeza. Në ndryshim nga “magjia e bardhë”, ‘magjia e zezë” u drejtohet forcave të së keqes dhe e shpie njeriun në vdekje dhe mallkim.

Ndër domethëniet më të rëndësishme të ngjyrës së zezë janë – mosqenësia, vdekja, kaosi, shkatërrimi. Ngjyra e zezë shfrytëzohet në ritualet e magjisë, tema e të cilave lidhet me vdekjen, fundin apo ndërprerjen e diçkaje, me ndërhyrjen në jetën e njeriut të forcave armiqësore etj. Së këndejmi bëhet i qartë roli i së zezës në ritualet e inicimit. Ngjyrosja me të zezë e shtriganëve, nënkupton ritualin e vdekjes – mbarimin e një etape të maparshme të ekzistencës.

E zeza përdorej gjithashtu edhe për mbrojtje nga mëngjia dhe mësyshi, porse kuptimi i kësaj mbrojtjeje simbolike në krahasim me të bardhën është i tjetërsojtë. Nëse ndaj së bardhës, sipas njeriut primitiv, e keqja është e papushtetshme, përdorimi i së zezës do të thotë se bartësi i saj nuk zotëron asgjë që të mund të shkaktonte zilinë apo urrejtjen. Nisur prej kësaj simbolike, të sapolindurin e lyenin me të zezë, nxinin kafshët, shtëpitë (guri i zi i themelit) etj. E zeza ishte ngjyra e magjisë dhe shtriganisë. Marrëdhëniet ndaj “magëve të zinj” ishin armiqësore dhe marrëdhënie të frikës ndaj tyre. Banesat e njërëzve që dyshoheshin se bëjnë shtrigani, lyheshin me të zezë. Shprehja “ai ka mushkëri të zezë” nënkupton se ai është një njeri me nijete të këqija.

Pavarësisht se gjithçka që simbolizonte negativen në jetën e njeriut primitiv simbolizonte të zezën, kjo ngjyrë zotëronte jo vetëm domethënie negative, por edhe pozitive, d.m.th., në ndryshim nga e bardha, ngjyra e zezë ishte një simbol ambivalent. Për shembull, ndër fiset e rajoneve të thata të Afrikës, e zeza nderohet si ngjyrë e reve të shiut, ndërsa njerëzit me ngjyrë shumë të zezë, konsiderohen shumë të bukur. Interesante është lidhja e së zezës me joshjen seksuale. Tek Ndembu e zeza konsiderohet si një ngjyrë eksituese e pasionit seksual, prandaj femrat e kësaj tribuje i lyejnë kastile me të zezë organet e tyre seksuale. Në rast të një akti seksual të suksesshëm në natën e parë të martesës në pragun e të sapomartuarve derdhin blozë të zezë.

Origjinën simbolike të së zezës duhet ta kërkojmë gjithashtu dhe në përvojën psikobiologjike të njerëzve primitivë. E zeza – është mungesa e dritës, natë, kur aktiviteti i njeriut është i ulët dhe ai nuk mund të orientohet mirë në mjedisin rrethues, bëhet i pambrojtur nga natyra dhe nga grabitqarët. E zeza është mungesa e vetëdijes, gjumë i ngjashëm me vdekjen, ngjyra e shkrumbit dhe e shkatërrimit. Lumi i zi është lumi i vdekjes dhe harrimit sipas Elena.P. Bllavatskës (1888) dhe J.G. Frazer (1911), të cilët kanë theksuar se ngjyra e zezë simbolizon tek njerëzit primitivë sferën e brendshme apo nëntokësore, Burimin e Fshehur, prej të cilit del mençuria zanafillore (e zezë, okulte apo e pavetëdijshme).

E KUQJA

Përmbyll triadën e ngjyrave “bazë” për njerëzit primitivë. Në ndryshim nga e bardha dhe e zeza, e kuqja bën pjesë tëk ngjyrat kromatike dhe nga të trija është ka simbolikën më ambivalente. Sipas të dhënave të V. Ternerit, për Ndembu e kuqja shpreh të ashtuquajtura “gjëra të kuqe”, të cilat janë të bëra nga gjaku dhe argjila e kuqe. Domethëniet simbolike të së kuqes përcaktohen nga “lloji” i gjakut:

1. Gjaku i kafshëve;
2. Gjaku i lehonës;
3. Gjaku i të gjitha femrave (gjaku menstrual);
4. Gjaku i procedurave, synetit;
5. Gjaku i vrasësit;
6. Gjaku i mëngjive dhe shtriganive (e lidhur me nekrofagjinë).

Të gjitha “gjërat e kuqe” ndahen në dy kategori, në varësi nga fakti nëse sjellin mirësi apo ligësi. Por, pavarësisht nga valenca e tyre, të gjitha “gjërat e kuqe” zotërojnë një fuqi, pa të cilën njeriu vdes dhe kjo fuqi është gjaku.

Fuqia është domethënia kryesore e së kuqes dhe me këtë shpjegohet roli i saj në cilësinë e mjetit magjik.
Për shembull, në ritualin kushtuar lindjes së një fëmije, atë e ngjyosnin me pulla të kuqe në kokë, në organet seksuale dhe në pjesë të tjera të trupit me qëllim që ai të rritej i shendoshë dhe i fortë (Е. Vunderlih – 1925). Po sipas këtij autori lyerja me të kuq e dorës pra hyrjes në shpellën primitive shërbente për të trembjen e demonëve të këqinj. Lyerja me bojë të kuqe e fytyrave të luftëtarëve, duhej t’u jepte atyre fuqinë magjike, trimërinë dhe njëkohësisht të tmerronte armiqtë. Si simbol të forcës, e kuqja përdorej dhe në cilësinë e mjeteve kundër magjive dhe mësyshit.

Njerëzit primitivë e konsideronin të kuqen si ngjyrë shëruese, të aftë për të shëruar plagët dhe për të përtërirë shëndetin. Me këtë qëllim në pjesët e djegura të trupit vinin lecka të kuqe ose argjilë të kuqe. Gjithashtu lyheshin me gjak ato objekte, të cilat kërkonin t’i bënin të gjalla (H.E. Kerlot – 1994).

Një rol të rëndësishëm ka luajtur ngjyra e kuqe në ritualet e pastrimit. Pjesëtarët e fisit që merrninpjesë në procedurën e synetit, duhet përgjatë një kohe të caktuar të mbajnë në duar dhe në qafë sende me ngjyrë të kuqe.

Në kombinim me ngjyrën e bardhë, e kuqja përbën të ashtuquajturin “çift të vitalitetit jetësor” i cili simbolizon forcat pozitive, fuqinë, nderimin, pushtetin dhe pasurinë. Në çift me të bardhën nivelohen domethëniet negative të së kuqes dhe, përkundrazi, në kombinim me të zezën, përforcohen anët negative të ngjyrës së kuqe, merr një karakter të kobshëm dhe nga pikëpamja e magjisë simbolizon forcat e këqija.

Domethëniet simbolike të së kuqes shpjegohen me lidhjen që kishin të lashtët me gjakun. E kuqja është lumi i tretë i Zotit të Epërm, ngjyra e njërit prej lëngjeve më të rëndësishme të organizmit njerëzor. Madje lidhja e së kuqes me gjakun për vetëdijen e njërëzve primitivë është më e rëndësishme se me zjarrin.

Kryesimi i së bardhës, së zezës dhe së kuqes në simbolikën e ngjyrave vërehet praktikisht në të gjitha fiset që jetojnë tash me sistemin e organizmit primitiv në Afrikë. Këto janë fiset Dogoni, Mani, Baktu, Semangi, Sakai etj. (L. Griale – 1950, V. Terner – 1983). Një tablo e ngjashme vërehet edhe në Madegaskar. Në fiset primitive të këtij ishulli e zeza shpreh pandryshueshëm të keqen, tersin, ndërsa e bardha – gëzimin, dritën, shpresën, pastërtinë; e kuqja – forcën, energjinë, pasurinë, suksesin (A. Leib – 1946). Vizatimet e shpellave të aborigjenëve australianë janë realizuar, gjithashtu, me këto tre ngjyra. E bardha tek ata simbolizon ujin, ndërsa e kuqja – gjakun (С. Мountford – 1962). Praktikisht, domethënie të ngjashme të ngjrave “bazë” vërehen edhe në Amerikën e Veriut të indigjenët e fisit Çiroki: e bardha – paqe, lumturi; e kuqja – sukses, ngadhnjim; e zeza – vdekje.

Në spektrin e ngjyrave të njerëzve primitivë ekzistojnë dhe ngjyra të tjera. Në veçanti bluja dhe e verdha. E verdha “priret” (në planin simbolik) drejt së bardhës, ndërsa bluja – drejt së zezës.

Një ngjashmëri principiale të simbolikës së ngjyrës të popujt primitivë në pjesë të ndryshme të botës na mundëson që fill pas V .Ternerit të traktojmë një triadë ngjyrash si arketip të njeriut. Për njeriun primitiv tre ngjyrat “bazë” – nuk janë thjesht dallimet në perceptimin pamor të pjesëve të spektrit, por shkurtime apo koncentrime të domethënies së pjesëve të ndryshme të sferave të mëdha të përvojës psikobiologjike, të cilat prekin si mendjen, ashtu edhe gjithë organet e tjera të ndjenjave dhe që lidhet me marrëdhëniet parësore kolektive. Përderisa kjo përvojë ka si burim vetë natyrën e njeriut, ai rezulton gjithpërfshirës për të gjithë njerëzit si përfaqësues të rracës njerëzore. Prandaj kuptimi simbolik i triadës së ngjyrave është principialisht i ngjashëm në kultura nga më të ndryshmet.

(vijon)

Pjesën e parë e gjeni këtu.

0

Këto ditë qeveria botoi në Fletoren Zyrtare një paketë shtesë me ligje që detyrojnë çdo qytetar që ka dosje apo dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit. Ligji penalizon me gjoba të ndryshme ata qytetarë, që duke i pasur këto dokumente, nuk i dorëzojnë. Vihet re një mobilizim i madh për të nisur nga puna e zbardhjes së dosjeve të diktaturës (më saktë seleksionimit të njëanshëm të atyre që kanë tepruar), për t’i përdorur, me sa duket, në momentin më të parë të madh, siç janë, për shembull, Zgjedhjet e Parakohshme, ose në rastin më të mirë, Zgjedhjet e Përgjithshme të vitit 2017. Duke botuar e publikuar në forma të ndryshme multimediale, pushteti e mazhoranca, me anë të Ligjitë të Dosjeve “Veliaj”, do ta “shpartallojë e dërrmojë” kundërshtarin e vet, ende pa hyrë në lojë. Si duket maskarada e këtij ligji pritet të mishërohet praktikisht, meqë u miratua pa ndonjë kundërshtim të dukshëm të opozitës. Le ta kalojmë në retrospektivë historikun dhe problematikën që hap ky ligj dhe efektin e tij të “bombës me veprim të ngadaltë”:

1. Ligji për “Të drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, i paraqitur nga ish-ministri i Çështjeve Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, u porosit nga qveria aktuale “Rilindja” për t’iu kundërvënë “Ligjit të Lustracionit”, që kishte nisur të diskutohej rreth një vit më parë nga shoqëria civile dhe Grupi shqiptar i të Drejtave të Njeriut. Ligji i Dosjeve “Veliaj” u depozitua në Parlament pak ditë pas depozitimit të “Ligjit të Lustracionit” të rishkuar, pasi një “Ligj Lustracioni”, i paraqitur në Parlamentin shqiptar në vitin 2008, qe rrëzuar në vitin 2009 nga Gjykata Kushtetuese në konsultim me ekspertet e Komisionit të Venecias, si ligj që binte ndesh në disa aspekte me liritë dhe të drejtat kushtetuese të njeriut.

Për Ligjin e ri të Lustracionit, të përmirësuar, Komisionet parlamentare u shprehën, duke e trajtuar atë njëlloj si Ligjin e Lustracionit të rrëzuar në vitin 2009, se gjoja “ai bie ndesh me të drejtat kushtetuese të shtetasve shqiptarë”. Kjo u bë pa u diskutuar, pa u analizuar, pa u krahasuar me Ligjin e Lustracionit të vitit 2009, të paraqitur nga qeveria e djathtë e asaj kohe. Për më tepër, në Komisionin e Ligjeve në Kuvend, ky verdikt u dha duke rrëmbyer në mënyrë flagrante atributet e Gjykatës Kushtetuese, së cilës i takonte ligjshmëria për ta dhënë këtë verdikt. Kjo i hapi udhë të diskutohej vetëm “Ligjit për Hapjen e Dosjeve” të porositur nga mazhoranca nëpërmjet ish-ministrit Veliaj.

2. Ligji i Hapjes së Dosjeve – “Veliaj” është kundërshtuar në mënyrë sistematike nga shoqëria civile, nga Institucionet e Pavarura (Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit – ISKK) dhe nga intelektualë e analistë të lirë në shtypin dhe mediat shqiptare e sidomos nga shoqatat e ish-të Përndjekurve Politikë.

Kundërshtimi i ligjit “Veliaj” për Hapjen e Dosjeve konsistoi, përkundër propagandës së dendur qeveritare të hartuesve dhe inicuesve, në rrëzimin e pretendimit të tyre, se ai ishte “Ligji Gjerman i Hapjes së Dosjeve” dhe se ky ligj “vinte në zbatim përvojën gjermane mbi Hapjen e Dosjeve”.

Kundërshtimi ndaj këtij ligji u përshkallëzua deri në një Peticion të gjerë apelues drejtuar Parlamentit shqiptar, me mbështetjen e elitës intelektuale të Gjermanisë dhe vendeve të tjera të Evropës, përfshirë këtu edhe nënshkrimin e këtij Peticioni publik nga qindra intelektualë shqiptarë. Ky peticion i ndërmarrë vullnetarisht nga shkrimtarja dhe gazetarja Lindita Arapi, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, mblodhi paraprakisht 100 firmat mbështetëse nga Gjermania dhe Evropa dhe u zgjerua në Shqipëri me mbështetjen e intelektualëve shqiptarë, ku në përfundim të dy javëve, rezultatet dhe apeli i 1000 firmave të Peticionit iu dërgua Parlamentit shqiptar me një letër të hapur publike, që Hapja e Dosjeve në Shqipëri të bëhej paralel me Lustracionin. Mazhoranca dërmuese në Parlament nuk e përfilli kundërshtimin e gjerë të Ligjit që kishte hartuar vetë dhe e miratoi këtë Ligj, brutalisht, siç pritej.

3. Ligji i miratuar i Hapjes së Dosjeve, pa asnjë aspekt Lustracioni të së kaluarës diktatoriale të shoqërisë shqiptare, është në thelb vetëm se një akses individual i atij qytetari që dëshiron të shohë në dosjen e tij (nëse ka pasur një të tillë në Sigurimin e Shtetit komunist), se cili person e ka spiunuar. Asgjë më shumë. Ligji nuk merr asnjë masë parandaluese për rizgjedhjen në organet drejtuese politike e publike të atyre strukturave shtetërore komuniste që e kanë konceptuar, urdhëruar dhe ushtruar me zell dhunën mbi qytetarët shqiptarë. Ligji nuk synon evidentimin dhe publikimin e strukturave të larta të Partisë dhe Sigurimit të Shtetit, të Titullarëve dhe Organeve Drejtuese të ish-diktaturës, të cilët ushtrojnë edhe sot karrierën politike e institucionale në Shqipëri. Ligji reduktohet vetëm në aksesin informativ të qytetarëve për të parë në dosjen e tyre, se kush i ka spiunuar. Asgjë më shumë se kaq!

4. Meqenëse ligji për Hapjen e Dosjeve nuk e pastron shoqërinë shqiptare nga elementët e trashëguar nga diktatura, nga personazhet dhe veprimtarët e saj, me të cilët është tejngopur hapësira institucionale e politike e Shqipërisë, atëherë edhe efekti i Ligjit “Veliaj” mbi Hapjen e Dosjeve do të jetë në fakt një mbyllje e re, me dryn, çelsat e së cilës do t’i ketë tashmë një kastë politike, e cila, për ironi të fatit, është trashëgimtare e drejtëpërdrejtë e kupolës së diktaturës së djeshme komuniste. Atëherë, cilat “dosje” pritet të hapë ky ligj i mbylljes së Dosjeve, i kontrolluar tashmë ligjërisht e administrativisht nga establishmenti shtetëror i dikaturës? Dihet… Dosjet e atyre bashkëpunëtorëve të ditur, të cilët oficerët operativë, strukturat e dhunës dhe terrorit psikik e psikotropik komunist ushtronin mbi qytetarin e frikësuar, bijtë e “mëkatarëve” të deklasuar, pinjojtë e mjerë të familjeve të arratisura kundëkomuniste etj., etj., d.m.th., shkallarja më e mjerë e fatkeqe e të mundurve në diktaturën staliniste shqiptare.

Ja, pikërisht këto dosje do të hapë Ligji i Mbylljes së Dosjeve. Të gjitha rastet që dikatatura komuniste ka mundur të implikojë nën terror e shantazh, ose pothuaj shumicën dërrmuese që përbëjnë këtë kategori.

Atëherë çfarë përfitimi ka shoqëria shqiptare kur media dhe forumet mediatike të shtypit dhe hapësirës elektronike virtuale t’ia servirin popullit “rezultatin” e Hapjes së Rezervuar të Dosjeve vetëm për këtë kategori të turpshme viktimash? Sepse vetëm për të ngritur perceptime publike synon qartazi ky ligj. Vetëm për të kryer një atentat të dytë mbi këtë kategori mjerane syon ligji, çka do të thotë rehabilitim i imazhit të tyre “fajtor” për nga trashëgimia e drejtëpërdrejtë e origjinës së pushtetit piramidal komunist.

Kësisoj, sipas kësaj llogarie, perceptimit publik do t’i thuhej: “Ja përse është fjala… ja, cilët ishin spiunët, bashkëpunëtorët e Sigurimit… pikërisht ata, pinjojtë antikomunizmit, “bashibozukëve”, “Ballit Kombëtar”, “Legalitetit”, “Bajraktarëve”, “Koloboracionistëve” etj., etj… Dikur Enver Hoxha i pati quajtur këto klasa si plehërat e historisë. Prandaj i persekutoi. Kemi ndjerë dhimbje për ta. Por tani dosjet u hapën dhe shiheni: shoku Enver paskësh pasur të drejtë: vërtet plehëra të historisë paskan qenë!

Këtë e vetëm këtë synon e këmbëngul të arrijë Ligji “Veliaj” për Hapjen e Dosjeve, e mbështetur brutalisht nga mazhoranca dërrmuese e majtë në Parlament, e cila e porositi Ligjin, e krijoi atë vetë, e përzgjodhi duke eliminuar Ligjin e Lustracionit, e miratoi dhe tash priten frutat e hidhura të një Ridënimi e Ripenalizimi të po asaj klase mbi të cilën pinjojtë e sotëm të Establishmentit komunist patën ushtruar një gjenocid gjysëmshekullor. Për çfarë tjetër i shërben shoqërisë demokratike shqiptare ligji “Veliaj”? Për restaurimin e ish-komunistëve, për justifikimin e krimeve të tyre, për zbutjen e prejardhjes së pinjojve të establishmentit të vjetër, dhe në fund, për recidivizma të gjithmundshëm, sikundër në fakt po ndodhin. Ka të drejtë Bedri Blloshmi, i cili në një intervistë me rastin e dekorimit të shoqes Vito Kapo, shkruan:

Para disa kohësh mora vesh që u dekorua ‘për merita të shquara’ Vito Kapo, gruaja e Hysni Kapos. Unë po ju tregoj dokumentin e mbledhjes së Presidiumit të Kuvendit Popullor të asaj kohe, ku kjo shoqe që dekorohet tani, ka qenë anëtare e atij Presidiumi dhe ka firmosur në 24 maj të vitit 1973 pushkatimin e katër njerëzve, katër djelmoshave të rinj: Skënder Dajës, Dervish Bejkos, Pal Zefit dhe Hajri Pashajt. Në bazë të dokumenteve që unë kam gjetur, del se edhe Hysni Kapoja ka qenë dakord me pushkatimin e katër të burgosurve të Spaçit. Kështu që ne ish-të persekutuarit politikë presim që të dekorohet edhe shoku Hysni. Kujtoj këtu se Hysni Kapo ka dhënë porosi edhe për pushkatimin e dy poetëve të Bërzeshtës, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Ju lutemi botojeni këtë procesverbal, pasi flet shumë. Do të shikoni se çfarë qëndrimi kanë mbajtur atje që nga Haxhi Lleshi, Rita Marko, Aranit Çela, Bilbil Klosi, Vito Kapo, Dhimitër Shuteriqi e të tjerët që kanë firmosur dënimin me vdekje të katër njerëzve”.(“Dita”, 16 shkurt 2015)

Në fakt, me triumfin e ligjit “Veliaj” u hapet rruga pikërisht dekorimeve të tilla, pasi ata do të na dalin “burrat më të mirë”, “patriotët” më të shquar, “martirët” më të persekutuar. Sepse ky mësim synohet t’u përcillet brezave të ardhshëm. Ndaj dhe është afërmendsh ajo që në mbyllje të intervistës së tij Bedri Blloshmi e parashikon ironikisht: “Madje ndonjë ditë unë dhe shokët e mi bashkëvuajtës nuk do të çuditemi sikur të dekorohet edhe Aranit Çela. Kur u dekorua Vito Kapo dhe Feçor Shehu, pse të mos dekorohet edhe Araniti? Madje atij i takon më shumë dekorata, pasi ka qenë një nga xhelatët më të egër të diktaturës”.

Tashmë nuk është fjala për kurrëfarë ironie: Ligji “Veliaj” u hap udhën këtyre vakive dhe zëreni sikur kanë ndodhur tashmë. Është thjesht çështje kohe…

1

Hyrje

Shumëkush prej nesh është argëtuar në fëmijëri duke kundruar përmes qelqeve me ngjyra të ndryshme: ja një cope xhami blu – dhe bota dukej serioze, e rreptë, e trishtë; një tjetër xham me ngjyrë të verdhë dhe, padashje, të vjen të buzëqeshësh: gjithçka perceptohet festive, edhe nëse dita është e ngrysur. Punë e pavend, e pakuptimtë? – mund të mendojë ndokush.

Që nga koha e Isak Njutonit ngjyrat pothuaj e kanë humbur funksionin e tyre magjik, ritualor. Dikur ngjyrat konsideroheshin thuajse të hyjnishme, por shkenca objektive ka treguar se ngjyrat janë veçse ndjesi subjektive që lindin gjatë bashkëveprimit të valëve me gjatësi të ndryshme elektromagnetike mbi analizator. Kjo varet objektivisht nga karakteristikat e përthyerjes, reflektimit dhe përthithjes së valëve të dritës së atyre mjediseve dhe sipërfaqeve të objekteve, të cilat gjenden ndërmjet burimit të rrezatimit dhe syrit të njeriut, e po ashtu, në fushëpamjen e shikimit. Njeriu subjektivisht mund të mos i ndjejë ngjyrat (verbëria e ngjyrës), ose mund t’i perceptojë të deformuara (daltonizmi). Aspektet objektive të perceptimit të ngjyrës studiohen nga fizika optike, ndërsa aspektet subjektive – nga perceptimi fiziologjik dhe psikologjik i ngjyrës.

I pëlqen apo jo dikujt një ngjyrë e caktuar, çfarë mendon vallë ai për të, çfarë asociacionesh i shkakton, kjo nuk i intereson fizikës optike, as asaj fiziologjike, e po kështu as psikologjisë së perceptimit të ngjyrës. Kjo nuk do të thotë aspak se nuk ka të tilla shkenca, për të cilat çështje të kësaj natyre nuk do të paraqisnin interes. Mirëpo për më të shumtën e tyre ata kanë një rëndësi të dorës së dytë, si etnografia, psikologjia e emocionit, teoria e ngjyrës dhe poetika e letërsisë.

Në këtë skicë na intereson që nëpërmjet një sistemimi të simbolikës së ngjyrave në historinë e kulturave të ndryshme, të zotërojmë një tablo të kësaj simbolike, një histori të saj, para se të operojmë me funksionin simbolik të ngjyrave në një vepër letrare, aq më thekshëm kur kjo ka të bëjë ngushtësisht me strukturën semiologjike autoriale të poezisë.

 

1. Simbolizmi i ngjyrës në historinë dhe kulturën e njeriut

Problemi i simbolizmit të ngjyrës është një nga problemet qendrore të studimit mbi marrëdhëniet mbi ngjyrën dhe psiqikën. Origjina e kuptimit të simbolit të ngjyrës, përmbajtjes së tij, marrëdhëniet ndaj një dukurie apo një tjetre dhe ngjarjeve në jetën e njerëzve, diferencimet ndërkulturore në simbolikën e ngjyrës – ja disa nga çështjet kryesore të këtij problemi.

Sasia e simboleve të ngjyrës është mjaft e kufizuar edhe pse e shumtë. Më së shpeshti në këtë cilësi përdoren “ngjyrat bazë”, tek të cilat bëjnë pjesë zakonisht e bardha, e kuqja, bluja, jeshilja, e verdha dhe manushaqja. Kjo listë mund të ndryshojë në varësi të literaturës konkrete të kulturës.

Mund të veçojmë tre tipa bazë të simbolikës së ngjyrës. Ngjyra në vetvete (d.m.th., e izoluar nga format dhe ngjyrat e tjera) paraqet në vetvete tipin e parë të simbolit të ngjyrës që dallon për nga shumëkuptimësia dhe kundërvënia. Tipin e dytë të simbolizmit të ngjyrës e përbëjnë kombinimet e ngjyrave që përmbajnë dy ose më shumë ngjyra dhe që përbëjnë një tërësi simbolike, kuptimi i së cilës nuk shpihet në shumën e domethënieve të ngjyrave të marra veçmas. Kombinimi i ngjyrave dhe formave përfaqësojnë një tip të tretë të simbolizmit të ngjyrës – simbolikën e formave të ngjyrës, madje dhe të figurave abstrakte gjeometrike (rrethi, kuadrati, trekëndëshi), ashtu edhe të objekteve konkrete fizike, për shembull, simbolika e gurëve të çmuar.

Përveç formave demonstrative-ndjesore dhe vizuale të simbolit të ngjyrës, ekzistojnë dhe “metaforat gjuhësore dhe ligjërimore” të ngjyrës. Ata shfrytëzohen gjerësisht në ligjërimin e zakonshëm e sidomos letrar çka përbën një komponent të padiskutueshëm në gjuhët bashkëkohore e madje, shumica prej tyre kanë lindur jo shumë kohë më parë (për shembull, traditat letrare, avangardiste).

Simbolika e ngjyrave ka një origjinë shumë të lashtë, me zanafillë ato kohëra kur njeriu u mësua të nxjerrë dhe shfrytëzojë ngjyrat e natyrore. Që nga ajo kohë simbolizmi i ngjyrës ka bërë një rrugëtim të gjatë. Tradita e simbolikës së ngjyrës tashmë është bjerrur, veçanërisht në vendet industriale, në të cilat mbizotëron marrëdhënia utilitare ndaj ngjyrës.

Nga momenti i lindjes së tij, simbolizmi i ngjyrës ka qenë lidhur ngushtësisht me magjinë dhe religjionin (fenë). Ngjyra është kundruar si atribut i fuqive magjike, sakrale, hyjnore, dhe në raste të veçanta edhe si hyjnia vetë. Vetë ndarja e magjisë në të “bardhë” dhe të “zezë” dëshmon për rëndësinë e rolit të ngjyrave në ritualet e magjive.

Është e vështirë ta vlerësosh rolin e ngjyrave në vetëdijen religjioze të njerëzve. Siç na dëshmojnë hulumtimet historike dhe etnografike përfytyrimet mistike të njeriut dhe simbolika e ngjyrave kanë qenë të lidhura ngushtë e ndërsjelltaz.

1.1. Ngjyra dhe magjia në popujt primitivë

Në vizatimet e shkëmbinjve të popujve primitivë ndeshen më së shpeshti tre ngjyra – e bardha, e zeza dhe e kuqja, që na lejojnë të nxjerrim përfundimin mbi rolin e veçantë të këtyre ngjyrave në jetën e njeriut të lashtë. Siç e kanë nënvizuar studiuesit e ndryshëm, mbizotërimin e këtyre ngjyrave nuk mund ta shpjegosh, për shembull, me lehtësinë e presë së tyre. Domethënia prioritare e këtyre tre ngjyrave konfirmohet nga studimi i dokeve të popujve primitivë të bashkëkohësisë që rrojnë në Afrikë, Amerikën e Jugut, Amerikë etj. Një meritë të veçantë këtu i përket etnografit anglez V. Ternerit (1983), i cili mblodhi një material të madh faktik për “klasifikimin e ngjyrave” ndër popujt primitivë, e veçmas, të fisit afrikan Ndembu.

Vëzhgimet e dokeve dhe ritualeve Ndembu si dhe bisedat me pjesëtarët e fisit, i krijuan mundësinë Ternerit të përshkruajë me imtësi domethëniet simbolike të tre ngjyrave “bazë” në jetën e njeriut primitiv.

Ndembu i lidhin këto tre ngjyra me tre lumenjtë (thelbet) e një Zoti që përfaqësohet përmes tyre. Domethëniet konkrete simbolike të secilës ngjyrë (lumë) janë:

E BARDHA

1. E mira;

2. Burimi i fuqisë dhe shëndetit;

3. Pastërtia;

4. Kamja;

5. Fuqia;

6. Mungesa e dështimeve, lotëve, vdekjes;

7. Parllëku ose pushteti;

8. Takimi me frymët e të parëve;

9. Jetë, vitalitet;

10. Shtatzëni ose lindje fëmije;

11. Trimëri në gjueti;

12. Bujari;

13. Përkujtim i shpirtrave të gjyshërve;

14. Miqësi;

15. Oreks në të ngrënë;

16. Shumim, pjellori;

17. Dukshmëri për syrin (qartësi, dukë, mundësi);

18. Burrërim ose pjekuri;

19. Pastrim, larje;

20. Mungesë shpotie.

Midis domethënieve të paraqitura ne nuk ndeshim asnjë negative. Në tërësi ngjyra e bardhë për Ndembu do të thotë mirësi, begati, lumturi, progres.

Ky përgjithësim i domethënies së ngjyrës bardhë është universale për të gjithë popujt primitivë, si të lashtësisë, ashtu edhe të bashkëkohësisë. E bardha për ta është simbol i qenies, paqes dhe jetës.

Ngjyra e bardhë përdorej gjithashtu edhe në ato rituale magjike të njerëzve primitivë, të cilëve u bëhej apel në emër të forcave të mira si dhe për t’u mbrojtur nga veprimi i frymëve dhe hyjnive të këqija. Ngjyra e bardhë i joshte zotat e mirë, dhe i trembte të këqijtë. Ndër më të rëndësishmit prej këtyre ritualeve, kanë qenë ritualet e kushtuar lindjes, inicimit, martesës dhe vdekjes.

Le të ndalemi pak më imtësisht në rolin e së bardhës në ritualet funerale. Ngjyra e bardhë për të lashtët nuk kishte domethënie negative, aq më tepër nuk ka qenë simbol vdekjeje, ngjyrë zie. Në çfarë kuptimi pra ka përdorimi i saj në një ritual të tillë? Jeta përfytyrohej nga të lashtët si serialitet lindjesh dhe vdekjesh. Pjesëtari i vdekur i fisit nuk konsiderohej si i zhdukur pa gjurmë, i tretur përfundimisht në mosqenësi. Vdekja kundrohej si një transformim, si një ndërkalim në një cilësi të re. I vdekuri, ose mishërohej sërish në një pjesëtar të lindur të fisit, ose shndërrohej në një frymë/shpirt/hyjni. Prandaj prania e së bardhës në funerale (lyerja e të vdekurit me bojë të bardhë etj) nuk bart karakter negativ, por dëften një “jetë të re” të të vdekurit të fisit.

Ngjyra e bardhë përdorej edhe si mjet mbrojtës nga mësyshi dhe mëngjia. Forcat e liga nuk mund t’i shkaktonin dëm njeriut, kafshës apo banesës, nëse ata qenë të shënjuara me bojë të bardhë, apo nëse qenë mbështjellë me amuletë të bardhë.

Një rol të rëndësishëm ka luajtur e bardha dhe në ritualet e flijimeve. Zotave dhe shpirtrave të mirë përpiqeshin t’u bënin fli kafshë të bardha apo të lyera me të bardhë.

Për njerëzit primitivë – e bardha është jo vetëm një simbol i hapur ndjesor, por edhe nocion që shpreh bazat e parimeve të sjelljes moralo-etike. Kështu në një radhë popujsh afrikanë deri më sot ekzistojnë zakonet e betimin “ për atë mushkëri!”. Nëse ai që ka bërë betimin dëshiron të nënvizojë që, qëllimet e tij janë të ndershme dhe se nuk ushqen asfare prapamendimesh, atëherë kastën ai thotë se “e kam të bardhë mushkërinë”. Prandaj është me vend të flasim për rolin e reglamentuar të së bardhës në sjelljen e njerëzve primitivë, si një kriter origjinal, me ndihmën e të cilit njerëzit organizonin sjelljen e tyre. Në këtë aspekt ngjyra e bardhë mund të kundrohet si një shenjë psikologjike – d.m.th., si një mjet i udhëheqjes së njeriut me funksionet dhe sjelljet e tij psiqike. Siç e tregon V. Terner (1983), Ndembu kanë nocionin e “sjelljes së bardhë”.

Cilat janë burimet e simbolikës së ngjyrës së bardhë tek njerëzit primitivë? V. Terner mendon se rrënjët e simbolikës së të bardhës (sikundërse te të gjithë ngjyrat e tjera kryesore) duhet ta kërkojmë në përvojën psikobiologjike të njeriut. Është e padyshimtë lidhja e ngjyrës së bardhë me dy prej lëngjeve më të rëndësishme (pëlhurave) të organizmit njerëzor – spermës dhe qumështit, të cilat quheshin të shenjta nga njerëzit e lashtë. Ndërmendim që Ndembu e trajtojnë të bardhën në cilësinë e njërit lumë të perëndive të epërme. Lëngu pllenues dhe qumështi bëjnë pjesë në thelbin e jetës së njeriut, duke qenë nga ato zanafilla, prej të cilave njeriu primitiv vuri në hesap ekzistencën e tij dhe prandaj ngjyra e tyre mori kuptimin e begatisë, jetës, shëndetit etj.

Përveç kësaj, e bardha është dritë, ditë, kur njeriu është më aktiv dhe krijues se kurrë, kur ai e percepton mjedisin rrethues qartë dhe saktë. Nga pikëpamja optike, e bardha është etalon i pastërtisë, e përkundërt me kaosin dhe pisllëkun dhe prandaj shërben si model i pastërtisë mendore dhe i sjelljes. Të tilla janë burimet kryesore psikobiologjike të simbolikës së ngjyrës së bardhë, e cila na lejon të kuptojmë domethënien e saj magjike në jetën e njeriut primitiv.

(vijon)

0

Ç’është miniatura?

Miniatura është një vepër e vogël letrare. Se nuk është e thënë, që çdo vrojtim jetësor të bëhet tregim, novelë apo roman. Prandaj miniatura është një ndër zhanret e prozës së shkurtër që endet në kufijtë midis poezisë dhe prozës. Ky kufi përcaktimi prozë/poezi për miniaturën bëhet i dukshëm nëse teksti i miniaturës rrëfen (më saktë do të ishte të thonim jo rrëfen, por konstaton).

Miniatura është një term letrar, i huazuar nga piktura. Në pikturë ajo është një krijim me përmasa të vogla me korrnizë. Termi e ka prejardhjen nga fjala «minium» një emërtim i një nuance të së kuqes, e cila përdorej nga mjeshtrat e vjetër të miniaturës, qw nga mesjeta.

1) Ashtu si në pikturë, tipari i parë karakteristik letrar i miniaturës është përmasa e vogël. Ajo mund të përbëhet prej dy-tre fjalish delikate. Për shembull: “Shtëpia ime ngrihet aq lart, sa mund të dëgjosh dhe kollitjen e Zotit” (Tonino Guerra), por masa e saj mund të përfshijë edhe një tekst relativisht të vëllimshëm.
Megjithatë, jo çdo vepër e shkurtër është miniaturë. Për shembull, në poezi: hajku është një formë e veçantë me detyra dhe kuptime të caktuara. Kështu dhe miniatura është një formë e veçantë, dhe aspak jo një novelë e shkurtër apo një tregim dhe, për më tepër, nuk është një fragment novele.
2) Miniatura në prozë (ndryshe nga minuatura në poezi) duhet të ketë njëfarë zanafille syzhetore. Por miniaturës nuk i duhet veprimi në vetvete, për shkak se veprimi është tipik për romanin, novelën apo tregimin, ku veprimi është pragmatika e tekstit, mundësia e ekzistencës së tekstit. Në këtë kuptim miniatura nuk e kërkon një veprim të ngjashëm – veprimin si të tillë. Veprimet në miniaturë janë shumë simbolike; shpesh ato jepen të kushtëzuara, me penelata; detajet nuk luajnë rol kuptimor, por ato janë thjesht elementë që ndihmojnë të dalë sa më në pah qartësia e tablosë. Pezullimi i veprimit në një miniaturë, nuk do të thotë se kemi të bëjmë me ngrirjen e subjektit. Kjo ka të bëjë me pezullimin kuptimor të simbolit. Me fjalë të tjera, duke theksuar rolin e veprimit ne mund të zhdukim kuptimin e simbolit dhe atëherë miniatura zhduket. Sikundërse në roman, nëse zhdukim veprimin duke ruajtur simbolizmin, edhe romani zhduket. Syzheti (subjekti) në miniaturë shërben për pezullimin e simbolit. Sepse, siç thamw, miniatura nuk rrwfen, por konstaton.
3) Me praninë në të të subjektit, miniatura dallon edhe nga eseja (kujtimet, arsyetimet filozofike, vëzhgimet), përderisa а) perceptimi autorial i botës së jashtme dominon mbi perceptimin e brendshëm autorial. (Në thelb, miniatura, nëse shprehemi krejt formalisht, është një vepër epike ose dramatike, edhe pse e vogël); b) brenda miniaturës është gjithëherë e pranishme dinamika. Kjo dinamikë nuk është syzhetore, por kuptimore ose emocionale.             Dinamika (veprimi) në miniaturë duhet të ekzistojë, me qëllim që të shohim në makrro-objektiv procesin e formësimit të njëfarë dukurie, e cila dhe është, në thelb, dhe problemë dhe konkluzion njëherësh. Me fjalë të tjera: një shembull tipik i miniaturës janë kuadret e lindjes së fluturës nga fshikëza në filmat dokumentarë të BBC për Natyrën e Egër. Kryesorja këtu nuk është fakti, «se si përparon syzheti (subjekti) i shndërrimit të fshikëzës në flutur, por ai mendim, i cili është shprehur me simbolin e kalimit të fshikëzës në flutur.
Nëse nuk do të ketë perceptim autorial të botës së jashtme dhe dinamikës, atëherë do të na përftohet një skicë e pastër apo një ese.
4) Miniatura ndryshe nga batuta, anekdota, tregimi i shkurtër etj., nuk rrëfen, nuk na tregon për diçka, nuk përsiat (eseja), nuk ndërmend, po konstaton një gjendje apo një veprim domethënës, bart në vetvete një kuptim të qartë konkret. Kësisoj, miniatura ka një detyrë krejt tjetër: të krijojë një tablo në korrnizë, të realizuar në mënyrë elegante, me një kuptim dhe me një veprim për hir të një ideje apo trilli të mirëmenduar.
Këtu si shembull mund të shërbejnë detyrat, të cilat u japin nganjëherë kurseve të para në shkollën teatrore: të paraqesin me disa lëvizje apo kthime të kokës Urrejtjen, Smirrën, Brishtësinë, Sinqeritetin, Dhimbjen Shpirtërore etj., – me disa lëvizje tepër të përpikta e vendimtare. Një tregim i shkurtër e i talentuar mund të jetë një tangjente (por vetëm një tangjente, pasi detyra e tij ka të bëjë me tjetër gjë) me miniaturën, po ja që miniatura tregim nuk mund të jetë kurrësesi.
5) Miniatura duhet të jetë PROPORCIONALE! Kjo do të thotë, se ajo mund të prekë plotësisht një temë globale, por nga kjo ajo nuk shndërrohet në një vepër të prerë, në një fragment, të kufizuar me ndofarë momenti të veçantë; ajo, si të thuash, tkurret, duke ruajtur proporcionet.
6) Këtu menjëherë na lind një pyetje e rëndësishme: me cilat mundësi artistike, karakteristike për miniaturën mund të përmbushet një detyrë e tillë (tematika globale, për shembull)? Për miniaturën tipike është karakteristik simbolizmi, zotësia për të kapur/gjuajtur tek e vogla – të madhen, tek e rastësishmja – të pazakontën, në gjësendin e vogël – të gjithë botën. Ja një shembull i thjeshtë i një ilustrimi të figurshëm: duhet të përpiqesh të tregosh «diellin në një pikë të vogël uji»
7) Në miniaturë nuk ka mundësi; përsa përmasat e vogla s’të lejojnë të krijosh tipizimin e imazheve, që shpesh janë karakteristikë e formave më të mëdha narrative, prantaj tek miniatura krijohen imazhe e alegori më simbolike, të cilat bartin një karakter universal. Konceptualisht tregimet (novelat, romanet) nisen nga e Veçanta (situata e veçantë, personazhi i veçantë) tek e Përgjithshmja (tipikja). Ndërsa miniatura niset nga e Përgjithshmja (simbolizmi – koncentrimi i cilësive), pwr tw mbwrritur tek e Përveçmja.
8) Përmasat e vogla të miniaturës bartin në vetvete dhe tipare të tjera dalluese në planin artistik: në vend të parë, përpunimi skrupuloz, eleganca. Këtu kemi një analogji të plotë me miniaturën e pikturës, e cila kërkon një sy të mprehtë dhe duar të sigurta. Dhe madje do të shtoja edhe: ashtu siç janë të rëndësishme ngjyrat tek miniatura e pikturës, ashtu dhe në miniaturën letrare është e rëndësishme stilistika e spikatur, ritmi/melodika dhe struktura (për këtë kemi folur më sipër).
Kështu pra, miniatura NUK ËSHTË tregim i shkurtër apo novelë, por është një vepër e përmbyllur letrare e përmasave të vogla, e ndërtuar në imazhet autoriale dhe me një fabul në themel, që nuk rrëfen, por që demonstron, duke qenë dinamike, proporcionale, me një dominante në aspektin simbolik të veprimit nën një kuptim të nënvizuar qartë.

Duke bërë një rezyme të gjithçkaje që thamë, tek miniatura, para së gjithash, vërejmë këto karakteristika:

  1. Vendosja e qartë e detyrës (detyrë mund të jetë tema globale, një problem, si dhe një çështje private);
    2. Ana strukturore (ndërtimi i mirëmenduar, që përthith në vetvete përmbylljen, proporcionalitetin);
    3. Anën syzhetore, dinamika si një kusht i dëshirueshëm, por jo kryesuese – kushtimisht për hir të demonstrimit të ideve;
    4. Simbolizmi (është i mirëpritur, nëse atë e kërkon tema);
    5. Stilistika karakteristike, eleganca e formës;
    6. Ritimi/melodika – janë të dëshirueshme;

Më poshtë po japim disa shembuj nga miniaturat e Tonino Guerrës (ital. Tonino Guerra; 16 mars 1920 – 21 mars 2012, Santarcangelo di Romagna) – poet italian, shkrimtar dhe skenarist, ka shkruar skenarë për kinoregjizor të tillë si Frederico Felini. Mikelanxheo Antonjoni, Andrej Tarkovskij, Lukino Viskonti, Françesko Rozi dhe Teo Angelopullos).

 

Tonino Guerra

 

PRITJA

Aq i dashuruar ishte, sa vazhdoi të qëndronte brenda, fill pas derës, me qëllim, që kur ajo t’i binte ziles, ai t’i hidhej menjëherë në përqafim dhe t’i thoshte, se e dashuron. Në kokë i jehonte vetëm një pyetje: «Po ti, a më do?»
Por ajo nuk i ra ziles, dhe ai u plak. Dikur-dikur, dikush trokiti në derën e tij, por ai u tremb dhe vrapoi, që të fshihej pas dollapit …

 

SAHATI ME ZILE

Një tregëtari të varfër arab i kishte mbetur vetëm një sahat me zile për shitje, të cilin ai e nxirrte në dukje duke e vënë mbi qilimin e tij të vogël e të pluhurosur. Kishte vënë re, se për disa ditë me radhë, një plakë e vjetër interesohej për sahatin me zile. Ishte një beduinkë e njërit prej atyre fiseve që shkojnë nga t’i çojë era.
“A do që ta blesh?” – e pyeti ai një ditë.
“Sa kushton?”
“jo shumë. Por nuk e di, a dua ta shes menjëmend. Nëse zhduket dhe ky sahat, unë nuk do të kem më punë “.
“Po atëherë përse e nxirrni në shitje?”
“Sepse, kjo më jep ndjesinë e jetës. Po ty pse të duhet? A nuk e sheh, që ky sahat nuk ka as akrepa?” “Po, por ai rreh…”
Tregëtari e kurrdisi sahatin, dhe u dëgjua rrahja e metaltë kumbuese. Plaka mbylli sytë dhe mendoi, se në errësirën e natës mund t’i dukej, sikur përbri saj rreh një zemër tjetër.

 

DYER TË HAPURA

S’dihet, se kush i nxiti të sëmurët të marrin me vete çarçafët e pistë, rrobdëshambret e bardhë dhe skufjet dhe të nisen për të kapur flutura. Ata e rrethuan kopshtin, duke e qarkuar me një rrjetë të hollë kundër mushkonjave. U përftua një kafaz i lehtë e konkav, ku lëvrinin në kurth, duke u fiksuar me këmbë pas vrimave të rrjetës, një mizëri flatrash luspore, që kishin fluturuar prej qytetit me blerim të përcëllluar, pikërisht në kopshtin me lehe e shkurre të lulëzuara të spitalit për të sëmurët mendorë.

Në fund të fundit, pacientët i kërkuan kryemjekut t’ia çojnë murgeshës sanitare në qendër të qytetit dhe t’i lëshojë në liri të gjitha fluturat. Dhe kështu u veprua.

Në shesh u mblodhën shumë njerëz, dhe, kur murgesha zgjidhi konopin me të cilin ishte mbërthyer rrjeta, në ajër u përnda me vrull një e re e tërë me flutura. Lëvizja rrugore u ndërpre, sepse të gjithë i tronditi ajo ngjarje e pazakonshme. Po kur njerëzit i ranë në të kuptimit të këtij gjesti, atëherë ata, në shenjë solidariteti, i hapën dyert e çmendinës, që t’u dhurojnë të mbyllurve atje liri dhe dashuri.

FOTOGRAFIA

Sesi një mbrëmje, në tramvaj, ai ndjeu se dikush po e tërhiqte për dore. Një ushtar i ri u ngrit dhe i liroi vendin, siç bëjmë me më të moshuarit. Ndjeu njëfarë pështjellimi, por u ul: kjo i bënte vaki për herë të parë. Me t’u kthyer nga dritarja, përtej të cilës nuk dallohej asgjë, përveç territ të natës, ndjeu papritmas t’i rëndojë përnjëherë gjithë barra e viteve të tij. Që prej asa nate ai u mbyll brenda katër mureve të shtëpisë, por ato nuk mund ta mbanin dot brengën e tij. Në një prej mëngjeseve mori një letër prej një qyteti të largët. Me të hapur zarfin, ai ndeshi me fotografinë e një gruaje të zhveshur e të plakur. Pa asnjë nënshkrim, pa asnjë shpjegim. Vuri syzet dhe u vu të kërkonte në fytyrën e rrudhur tipare të njohura: ajo ishte e vetmja femër, të cilin e kishte dashur me shpirt gjatë gjithë jetës së tij. Me që e njihte mirë madhështinë shpirtërore të së dashurës, ai e rroku menjëherë kuptimin e asaj dërgese. Duke ia qëlluar saktë vuajtjeve të tij, gruaja nuk pati turp t’i tregonte trupin e saj të rrëgjuar, që ai të bindjej, se ndjenjat janë më të forta se trupi.

TRIADA

Një njeri tha njëherë, se është pemë.
I frikësuar, vrapoi të këqyr veten në pasqyrë dhe pa, se ishte zhabë.

0

Parafjalë

Shumëkush, i nxitur nga dëshira me përcjellë përmes një ngjarje apo historize një mësim moralo-didaktik, që ka vlerë përgjithësuese, mendon se po shkruan një tregim.

Por shumica e historive të shkruara (me ose pa art), nuk janë tregime. Rregullat dhe tiparet e një tregimi ne i kemi përshkruar në një kaptinë më vete dhe ju i njihni tashmë. Ka shumë gjasë që ju të jeni të prirur të shkruani e të ndjeni më afër vetes zhanret e shkurtra të prozës që janë parabola/paravolia ose miniatura. Janë zhanre të prozës së shkurtër, shumë simpatike, të cilat, nëse realizohen me mjeshtëri përbëjnë gurë të çmuar që shkëlqejnë gjithmonë, në të gjitha kohërat, falë alegorizmit që i jep përcjellja e saktë e elegante e mendimit apo vegimit tuaj mbi botën. Ato nuk kërkojnë shumë kohë. Ato kërkojnë frymëzim, një gjendje inkadishence shpirtërore dhe një përqëndrim e skrupulozitet gjuhe në latimin e detajeve.

Mbi të gjitha, në realizimin e paravolive she miniaturave rëndësi të madhe ka ndjenja e masës dhe e vetëkontrollit për të mos e tepruar me gjuhën dhe shprehjet inflative.
Këto zhanre të prozës së shkurtër kanë dhe një të mirë tjetër: idenë e tyre ju mund ta mbani gjatë në mendje, mund ta përsosni e mund të provoni variante të shumta, deri në gjetjen e një kyçi final që është zgjidhja ideale. Prandaj këto zhanre ngjajnë shpesh me pikturën, një pjesë të vogël muzikore ose me poezinë.
Për vetë natyrën e saj të shkurtër (një gjysëm faqje deri ne dy-tre fletë) paravolia ose miniatura mund të shkruhen lehtë në çfarëdo rrethane, me çfarëdo mjeti shkrimi. Mjafton që ju të keni të qartë kokë figurën dominuese që ju ka pushtuar, gjë e cila varet nga prirja juaj e brendshme për të parë flatrat e një ideje të madhe nga një ngjarje e vogël, nga një episod i rëndomtë i përditshmërisë.

Praktikisht ushtrimin në këto zhanre mund ta bëjë gjithkush që ka dëshirë të shkruajë, por përtej ambiecies së thjeshtë, mësoni se shpesh, në këto “embrione” të vogla rrëfimtare, fshihet një subjekt i mirëfilltë, që me kohë mund t’ju pushtojë imagjinatën për të shkruar një novelë apo një roman. Shpesh ka ndodhur, që nga një paravoli, ta ketë nisur zanafillën e vet një roman i madh (sikundërse është paravolia “Portat e ligjit” e Franz Kafka-s), ndërsa nga një miniaturë, të ketë shpërthyer atmosfera e një romani të tërë (sikundërse ka ndodhur me shumë miniatura të Wirginia Woolf).

 

Parabola (Paravolia)

Parabola, ose siç e quan Konstantin Kristoforidhi ynë – paravolia – ka tërhequr vëmendjen e njerëzve që nga lashtësia. Histori të shkurtra, që përmbajnë mençuri, janë përcjellë nga brezi në brez. Duke ruajtur një parashtrim të qartë, paravolitë i sugjeronin njeriut të thellohet mbi kuptimin e vërtetë të jetës, ose të jetë i vëmendshëm nga shuma e përvojave të brendshme mendore e emocionale.

Në secilën paravoli, gjendet e fshehur një e vërtetë, një parim universal, apo më saktë – universalet e ekzistencës sonë të përditshme. Këto të vërteta universale kapen nga paravolia dhe trajtohen si detaje të veçanta, që nënkuptojnë të tërën e plotë përmes një detajet, ashtu siç një tipar apo mis fytyre na lë të nënkuptojmë reliefin e një profili (psh, përmes hundës, syve, buzëve, lëvizjeve të duarve etj). Tradita orientale arabo-perse e periudhës klasike sufije është veçanërisht e begatë në këtë drejtim, por edhe kulturat e lindjes së largët kanë një traditë autentike alegoriko-filozofike.

 

Instruksion:

  1. Paravolia është një tregim i vogël në zhanrin letrar didaktiko-alegorik, që bart në vetvete një urtësi morale ose religjioze.

    2. Paravolia sipas simptomave të saj kryesore është shumë e ngjashme me fabulën. Termat «paravolia» dhe «fabula» i kanë përdorur, duke u bazuar jo aq në ndryshimet e tyre zhanrore, se sa në domethënien stilistike të këtyre fjalëve. Paravolia është një vepër e një «niveli» më të epërm, se sa fabula, që ka shpesh një kuptim të rëndomtë e tokësor.

    3. Paravolitë, ashtu si fabulat, kanë pasur karakter aludues. Në to theksohej drejtimi moralo-religjioz. Për shkak të kësaj natyre dhe karakteret e njerëzve jepeshin të përgjithësuara dhe skematike. Paravolí kanë quajtur ato vepra letrare, të cilave thjesht nuk u ka shkuar dot emërtimi «fabul». Përveç kësaj, fabulat kanë një syzhet (subjekt) të përfunduar, gjë të cilën paravolia nuk e ka. Ajo nënkuptom një bashkëpjesëmarrje aktive të recepientit për ta vazhduar situatën e hapur kuptimore me imagjinatën e gjallë. Situata të tilla mund të jenë horizontet me një perspektivë të hapur në fatet njerëzore e kolektive.

  2. Paravolia është një tregim interesant didaktik. Ajo ka një specifikë, e cila tërheq vëmendjen e lexuesve dhe që e karakterizon atë shumë saktë. E vërteta në Paravolitë asnjëherë “nuk gjendet në sipërfaqe”. Ajo i zbulohet çdocilit në këndshikimin e duhur, për shkak se njerëzit janë të gjithë të ndryshëm dhe gjenden në etapa të ndryshme të zhvillimit të tyre. Kuptimi i paravolisë përkapet jo vetëm me anë të arsyes, por edhe me ndjenja, me gjithë qenien.
  3. Në kufijtë midis shekujve XIX —XX, paravolia zbukuronte veprat e shkrimtarëve klasikë. Specifikat e saj stilistike mundësonin jo vetëm laryshinë e përshkrimit të prozës artistike, paraqitjen e karaktereve të heronjve në veprat letrare dhe dinamikën e subjektit, por edhe të tërhiqte vëmendjen e lexuesit ndaj përmbajes moralo-estetike të veprës. Paravolinë e ka përdorur shpesh L. Tolstoi (Kujtoni veprat “Sa tokë i duhet njeriut”, “Çfarë e mban gjallë njeriun”, “Tri vdekje”, “Pullaliu”, etj). Me ndihmën e paravolisë kanë shprehur pikëpamjet e tyre morale e filozofike Dostojevski, Kafka, Prusti, Sartri, Kamy etj., ndërsa në prozën tonë, paravolinë e kanë përdorur Migjeni, Anton Pashku, Martin Camaj dhe mbi bazën e paravolisë është shkruar më e bukura novelë e Kutelit “E madhe është gjëma e mëkatit, etj).
    Paravolia edhe sot provokon një interes të padyshimtë tek lexuesi bashkëkohor.

 

Çfarë duhet mbajtur parasysh

Paravolia sugjeron të shihni në çdo episod të jetës suaj jo atë që është në të vërtetë, por një vizion që shpaloset në perspektivë, nëse gjerat do të rriteshin deri në absurditet. Kjo sugjeron që thellimi në domethënien e situatave, t’ju vërë vazhdimisht në meditim për të parë njëfarë figure që rritet e bëhet dominuese, sepse bota e paravolisë është një “nëse” e guximshme.
Kijni parasysh gjithmonë, që mësimi i paravolisë nuk është vetëm përvojë personale, ndaj karakteri i saj është impersonalizmi, ku të gjithë lexuesit të gjejnë përvojën e tyre në rrëfimin tuaj.
Mos e ngatërroni paravolinë me batutën apo më keq akoma – me anekdotën. Brenda një paravolie përmbyllet vizioni jetësor i përvojës së një njeriu apo një kolektivi njerëzish. Batuta vetëmsa shpërfaq një aspekt të mendjmprehtësisë që shkelqen nga zgjuarsie dhe spekulimi, ndërsa anekdota sugjeron zgjidhje argëtuese paradoksale me qëllim për rrokur botën në anormalitetin e saj. Paravolia gjithmonë është vegim i pashqitshëm në një përmasë të dhënë njëherësh e të pandryshueshme të realitetit në të cilin përthyhet përvoja simbolike e një filozofie të tërë të jetuari.

Nëse shkruani ditar, mbani shënime apo shihni ëndrra veçanërisht mbresëlënëse, ju tashmë keni një material të begatë për ta përpunuar me procedurat meditative. Zgjidhni atë që është më produktive në plan-perspektivë të figurshme simbolike dhe alegorike. Është një lëndë që shpesh mund t’ju njohë me prirjen tuaj të brendshme.

Vigjilenca në këtë vetëkredhje meditative mund t’ju bëjë t’i përjetoni realitetet në mënyrë artistike, por këtu qëndron thelbi i sugjerimit tonë. Ide ka gjithandej. Idetë pluskojnë në ajër. Ju vetëm duhet të hyni nën lëkurën e tyre, të plazmoni me to botëra që ju binden ligjësive tuaja.
Hidhni menjëherë në letër, qoftë edhe një fjali, sa për të fiksuar turbullirën e parë të një mendimi apo imazhi mendor. Kjo është e mjaftueshme sa për fillim. Gjithçka tjetër fshihet brenda kësaj fjalie të parë dhe ju duhet të shterroni prej saj gjithë realietet imagjinare në të mirë të një ideje, të cilën ju, për një arsye a për një tjetër, e ndjeni më të afërt.
Ju dëshironi? Atëherë ju mundni…

 

 

 

0

(Fjalë në ceremoninë e dekorimit të fshatit Blliçe me titullin "Nderi i Kombit")

Në Shqipëri, për çdo krahinë gjatë viteve 1943-1944 është shënjuar, si rregull, një fshat, në cilësinë e flisë. Ai fshat është bërë “shembull” për të terrorizuar treva të tëra, të afërta e të largëta, që në rast mosbindjeje, do t’i ndiqte i njëjti fat. Nuk po i hyjmë një liste të imtësishme duke i shënuar këtu të gjitha fshatrat e bërë shkrumb nga terrori komunist dhe nuk ka pasur ndonjë parapëlqim Jug-Veri në zgjedhjen e fshatrave që do të bëheshin “shembuj” terrori. E rëndësishme është të shënjojmë se plani për të bërë ploja kolektive mbi fshatra të “pabindur” bëhej nga emisarët jugosllavë. Ata ia përcillnin këto plane skllavit të tyre, Enver Hoxhës, dhe ky i përkthente këto urdhëra në qarkore. Mjafton të kujtojmë masakrën mbi fshatin Starovë (Pogradec) i cili me urdhër të Dushan Mugoshës u kthye në shkrumb. Nën flakët e shtëpive, ndërsa fshati digjej, pushkatoheshin dhe torturoheshin burrat. Në këto tortura merrte pjesë vetë Dushani. Në fund, prej 200 shtëpive të shkrumbuara të fshatit, mbetën të paprekura vetëm pesë. Pas kësaj ploje, Mugosha i drejtohet Enver Hoxhës: “Fatin e Starovës do të kenë shumë shpejt të gjithë fshatrat nacionaliste të Shqipërisë” (“Lufta Civile në Shqipëri 1943-1945”, Uran Butka, f.244, Maluka, Tiranë 2005). Këto metoda terrori nuk vonuan dhe u përhapën anembanë Shqipërisë, duke kulmuar me një terror të paparë në veri dhe veçanërisht në Dibër, ku në fillim të Operacionit të Dimrit, Enver Hoxha lëshonte qarkoret për çetat partizane që kishin hyrë në terren: “Të krihen e të mitralohen rëndë pyjet e Dibrës. Të digjen kullat e parisë” (po aty). Të gjitha këto ekspedita ndëshkimore terrori për nënshtrimin e krahinave bëheshin në kushtet e mungesës së plotë të ndonjë ushtrie e garnizoni gjerman. Tehu i luftës ishte drejtuar kundër popullatës civile. Kështu pati ngjarë edhe në qarkun e Dibrës, ku qenë grumbulluar edhe njësi të partizanëve maqedonas.

Një ndër ekspeditat më të egra terroriste partizane gjatë viteve 1943-1944 ishte krahina e Fushë-Alijes (Fushë-Çidhna), në të cilën partizanët shqiptarë nuk u lanë gjë mangët ushtrive serbe të disa dekadave më parë. Ku qëndronte ndryshimi midis serbëve dhe këtyre shqiptarëve, përderisa rezultati ishin shtëpitë e djegura dhe fshatarët e pushkatuar?

Komunistët me aspektet terroriste të luftës civile në Dibër (dhe gjithkund gjetkë) hapën një çarje të madhe në historinë tonë kombëtare. Dihet se me çfarë egërsie u kthye terrori nëpër zonat e Dibrës, e në mënyrë të veçantë në fshatrat e Çidhnës fill pas instalimit të diktaturës. Ekspeditat ndëshkimore të Sigurimit të shtetit, pushkatimet në mesnatë sipas listave të zeza, burgimet, internimet, kërcënimet dhe shantazhi vazhduan me dekada, duke e deklasuar gjithë Çidhnën dhe Dibrën mbarë. Jo më kot si qark operativ i veprimtarisë së Sigurimit të shtetit, Dibra vinte fill pas Shkodrës dhe është një ndër tre rrethet me numrin më të lartë të pushkatimeve.

Komunizmi e goditi ashpër fshatin tuaj, duke mos lënë asnjë familje pa një të pushkatuar. E goditi që në kohë të luftës dhe vazhdoi ta thellojë persekutimin deri në ditën e rënies së tij. Sipas udhëheqësve komunistë të luftës, Dibra duhej shtypur e nënshtruar.

Një muaj pas Konferencës së Labinotit, me anë të një dokumenti të datës 20 tetor 1943, Enver Hoxha shkruan në një letër drejtuar Haxhi Lleshit: “Në asnjë mënyrë të mos lejoni që përfundimet e luftës të mbarojnë me një biçim kompromisi si ky rregullim që u bë në Peshkopi në mes Parisë dhe neve. Brigada e III ka ardhur atje që të bëjë spastrime në shkallë të gjerë në radhët e reaksionarëve. Po të paralajmërojmë që brigada që do të kryejë këto spastrime, duhet të veprojë indipendente nga bataljonet e Dibrës. Këtë e kemi bërë për dy arsye: e para që populli të mos thotë gjë dhe të mos armiqësohet me batalionin tuej… dhe e dyta pse batalionet e vendit nuk mund të jenë aq të ashpra sa Brigada e cila përbëhet prej elementash që s`janë vendas" (dosja 53, viti 1943).

Nga një tjetër burim, po për këtë datë të 20 tetorit 1943, pikërisht në ditarin partizan të Haki Stërmillit shkruhet: “U shpartalluen reakcionarët në Peshkopi… Ata patën 74 të vrarë përveç numrit të shituemve, kurse na patëm 13 dëshmorë e të plagosun… mes tyne Vladani nga Mali i Zi. Dëshmia e Vladanit në vendin tonë më mallëngjeu… Lufta e përbashkët kundër robnisë fashiste nuk kishte me pasë sigurim fitorjeje dhe baza të shëndosha në zemrat e popujve tanë po të mos jepeshin dëshmorë nga të dyja palët, për të njëjtën çashtje dhe në vendet e njeni-tjetrit… Edhe sot bie dëshmor nji malazes në tokën shqiptare po për atë ideal që luftojnë e bien shokët e tij shqiptarë në malet tona dhe ata të Jugosllavisë" (Fq. 97, “Shtigjet e lirisë”, NF 1967).

Në këto pak rreshta si minimum kuptojmë se nuk bëhet fjalë për një luftë midis okupatorit, por për një luftë civile midis një strukture të armatosur nën udhëheqjen e komunistëve dhe popullsisë vendase. Një ushtri kundër popullit të vet. Madje një ushtri shqiptare e përbërë qëllimshëm me “elementë që s’janë vendas”, siç thuhet në letrën e Enver Hoxhës për Haxhi Lleshin, pra, prej elementësh që s’duhet të kishin mëshirë, niset sipas urdhrit të drejtuesve të luftës, të cilët, siç e dimë kanë qenë serbë, për të bërë “spastrime në shkallë të gjerë”. Ky spastrim duket se ka ndodhur në të njëjtën datë me letrën e Enver Hoxhës. Haki Stërmilli numëron 73 të vrarë (reaksionarë) dhe midis 13 të vrarëve në atë betejë vëllavrasëse, i dhimbset pa masë Vladani nga Mali i Zi. Nuk e di nëse hashashi ideologjik e botëkuptimor ia ka mbajtur të mpirë trurin aq gjatë, sa edhe pas luftës të mos e dallonte këtë ndjenjë aq të panatyrshme.

Sot është një ditë e shënuar, një ditë e gëzuar për banorët e fshatit Blliçe, për gjithë komunën e Çidhnës, për krejt Dibrën, për të gjitha ato krahina që i rezistuan dhe i mbijetuan terrorit komunist të diktaturës.

Sot i kthehet dinjiteti i mohuar gjatë gjysmë shekulli të pasluftës së Dytë Botërore një prej fshatrave-simbol të rezistencës antikomuniste. Qëndresa juaj hyn sot, me dekretin e Presidentit të Republikës, në krenarinë e ligjshme të ndërgjegjes së kombit, në panteonin e nderit sepse gjyshërit dhe prindërit tuaj u pushkatuan, u burgosën, u internuan duke mbrojtur vlerat njerëzore dhe dinjitetin njerëzor përballë egërsisë dhe gjenocidit komunist. Ky është nder për Blliçen, Dibrën dhe Shqipërinë. Vlerë për brezat e rinj, që do të krenohen me guximin, burrërinë dhe qëndresën e të parëve tuaj.

Gjesti i Presidentit të Republikës sot, me dhënien e titullit më të lartë “Nderi i Kombit” për fshatit tuaj të martirizuar do të thotë: “Asgjë nuk është harruar, asgjë nuk duhet të harrohet, sepse sakrificat në emër të dinjitetit njerëzor duhet të shndërrohen në mësim të historisë”.

Mbi fshatin Blliçe, sikundër në gjithë zonën dhe krahinën, sikundër në mbarë Dibrën u zbatua me egërsi të pashoqe lufta e klasave, privimet nga punët, nga e drejta për shkollë, nga e drejta për pronë, nga e drejta për lëvizje, nga e drejta për të ruajtur besën, bujarinë, mikpritjen si cilësi e virtyte që e kanë karakterizuar shqiptarin. Komunizmi kishte programuar një gjenocid eksperimental, deri në tjetërsimin e vendit nga dhuna.

Ky gjest sjell paqen dhe rrugën e pajtimit. Sepse vetëm nëpërmjet njohjes dhe respektimit të vuajtjes, vetëm duke vlerësuar qëndresën e asaj pjese të popullit shqiptar, të martirizuar nga gjenocidi komunist, ne mund të gjejmë mirëkuptim të përbashkët shoqëror për të ardhmen për ndërtimin e një shoqërie të lirë e demokratike evropiane.

Por ky gjest i Presidentit, z. Nishani, duhet përshëndetur për t’u shtrirë në të gjitha ato vende ku topografia e terrorit komunist kullon gjak shqiptarësh të pafajshëm.

 

0

Fjala si bazë letrare

Stanley Kubrick është një prej pak regjisorëve të cilët kanë qenë ithtarë të konceptit krijues antiletrarocentristë. Ai e ka refuzuar diktaturën e fjalës, “centrizmin letrar”, por jo fjalën në përgjithësi. Fjala është e pranishme në etapat më të ndryshme të krijimit të filmave të tij, e cila mandej del në role nga më të ndryshmit. Madje do të thoja, se marrëdhëniet e Kubrikut me fjalën janë të ndërlikuara, por mjaft të përcaktuara, prandaj po përpiqemi në këtë vështrim modest t’i klasifikojmë këto marrëdhënie.

Është me rëndësi të vërejmë se Kubriku, në një masë të pakrahasueshme me çdo regjisor tjetër shfrytëzon veprat letrare si bazë të krijimtarisë së tij kinematografike. Vladimir Nabokovi dhe Entoni Bërxhes, Artur Klark dhe Stifen King, Hemfri Kobb, Piter Xhorxh dhe Gas Hasford, Uiliam Thekëri e Artur Shnicler – librat e tyre u bënë burime frymëzimi për Stenli Kubrikun. Për më tepër ai, padyshim, është një prej atyre regjisorëve për të cilët roli vizual i imazheve është më i rëndësishëm se roli i fjalëve. Nga ana tjetër, mund të thuash me plot besim se Kubriku i kthehet letërsisë jo me qëllimin për ta ilustruar atë.

Kubriku e mori lavdinë si regjisor që parapëlqen spektaklin para fjalës. Atëherë na lind pyetja, përse vallë baza letrare e tërheq dhe e motivon aq shumë për të krijuar imazhe të këtij tipi?

Nëse imagjinojmë pak që krijimi i një gjuhe verbale ka qenë dikur proces i përkthimit dhe përmbledhja e të gjitha gjuhëve të tjera në një gjuhë të vetme unike, atëherë antiletrarocentrizmi në art përpiqet të realizojë një proces të përkundërt me ripërtëritjen e gjuhëve të tjera, duke anashkaluar konstruktet verbale gjegjëse. Kinematografia si një art sintetik, që zotëron mundësinë e përdorimit të gjuhëve të ndryshme, na del këtu si një sferë optimale. Një nga arsyet sipas të cilës Kubriku vazhdimisht i kthehet letërsisë, është dhuntia e tij unikale e “përkthyesit nga gjuha verbale”.

Kubriku shfrytëzon një teknologji të ndërlikuar tre a më shumë shkallëshe në krijimin e imazheve. Baza letrare përpunohet në skenar, i cili, nga ana e tij, kuptimësohet si një radhë domethëniesh filozofike e simbolike, dhe kjo radhë e fundit vizualizohet nga Kubriku. Në një përfundim të tillë na lejon të mbërrijmë krahasimi me librin e Bërxhesit në filmin gjegjës të Kubrikut ose, në veçanti, krahasimi i dy “Odiseve kozmike” – të përpunuar në libër, dhe filmit.

Skenari

Lufta me letrarocentrizmin u bë për Kubrikun luftë me skenaristët dhe skenarin – ai është gjithmonë i pakënaqur me skenaristët; ata ia vështirësojnë punën, ndërhyjnë në filmin e tij; puna me të i humbet kohë, pará dhe energji, dhe si rezultat, pas filmit, në kokën e shikuesit mbeten disa imazhe, por jo fjalë.

“Efekti në film arrihet me kombinimin e paraqitjes dhe muzikës. Skenat më të fuqishme, që të mbeten në mendje – janë ato në të cilat personazhet flasin”1.

Kubriku krijon metodën e tij të punës mbi skenarin – zhduk përpunimin e detajuar të syzhetit, duke lënë vetëm koherencën dhe kuptimin qëndror të përgjithshëm të blloqeve të mëdha të skenarit, të cilat ai jo rrallë i zbardh në titra. Ai vepron si artist/piktor, që propozon një vepër dhe një emërtim verbal, i cili mandej i jep ndofarë orientimi shikuesit, lexuesit dhe dëgjuesit. Në një variant më të kulluar kjo specifikë është realizuar në filimin e tij “Odisea kozmike”. Një metodë e tillë pune me skenarin i jep dorë Kubrikut të shkëpusë lidhjen ndërmjet fjalës dhe krijimit të imazhit. Piter Grinueji, që e ka quajtur varësinë stadiale të filmit nga skenari një prej demonëve të kinematografit, vëren një dallim principial ndërmjet imazheve, “në zanafillë të të cilëve ka qenë fjala” dhe të atyre që prej zanafille janë vizuale. Padyshim që duke nisur nga “Doktor Strejnxhllav-i”, në filmat e Kubrikut mbizotërojnë pikërisht të tilla imazhe. Dhe pikërisht atyre ai ua detyron sekretin e madhështisë së tij si regjizor.

Fjala si replika e figurantit

Kubriku nuk të lë mundësi të rendësh në mundësinë e shqyrtimit tradicional kinokritik të kuadreve dhe formulave të tipit “regjisori kërkon të thotë me anë të kësaj këtë e atë gjë etj”. Ai e arrin efektin duke i vënë të gjitha këto fomulime të kuadreve në buzët e heronjve të sekuencave. Heronjtë, ashtu si rezonerët (figurantët) e teatrit të shekullit XIX, shprehin “mendimet kyçe” të filmit. Kjo është një prej trukeve kryesore të Kubrikut, me anën e të cilëve ai krijon stilin e vet personal që e identifikon atë. Duke parashtruar “direkt” mendimet kryesore, Kubriku ua lehëtëson punën edhe kritikëve, edhe shikuesve. Ai ua kursen mundin nga përpjekja e klishesë – “regjisori ka dashur të thotë…”, në përplasjen diskrete: “regjizori këtu thotë…”. Ai demonstron faktin se ka diçka që mbetet pas asaj kur të gjitha janë thënë. Kësisoj, fjala te Kubriku është në raport kontrapunkti në lidhje me paraqitjen. Ky truk e çliron paraqitjen nga lidhja e saj me fjalën. Paraqitja (vizualja) pushon së qeni vizualizim i fjalës, ndërsa fjala, nga ana e saj, pushon së dubluari paraqitjen. Në këtë mënyrë Kubriku realizon një prej strategjive të tij më kryesore, që drejtohet në shkëputjen e gjenezës së paraqitjes nga fjala.


Teksti pas kuadrit

Për herë të parë Kubriku e shfrytëzon tekstin pas kuadri në filmin “Puthja e vrasësit”, dhe që nga kjo përvojë e bën këtë një element tëpërhershëm të filmave të tij. Ky truk ka një rëndësi të madhe për synimin e perceptimit të shikuesit. Teksti jashtë kuadri e shtresëzon pamjen, duke e përzier paraqitjen dhe tregimtarin në shtresa të ndryshme kohore. Këtë truk shfrytëzon dhe një regjisor tjetër, Aleksej German, duke dëshiruar të krijojë distancën e duhur ndërmjet shikuesit dhe paraqitjes dhe të japë qëllimin e intonacionit të tregimit. Gjithashtu Kubriku ndërkall tregimtarin, dhe shikuesi e sheh filmin me sytë e tregimtarit (rrëfyesit) me po atë distancë të tregimtarit, d.m.th. teksti jashtë kuadri regullon qëllimin e shikuesit. Rëndësia e një qëllimi të tillë duket qartë te filmi “Lufta e yjeve” në të cilin është zgjedhur saktë intonacioni i rrëfimit: “Shumë kohë më parë, në një galaktikë shumë të largët…”. Kubriku është një mjeshtër i zgjedhjes së intonacioneve të qëlluara.

Duke shfrytëzuar tekstin jashtë kuadri, Kubriku në një shkallë të ndjeshme e shkëput varësinë e kamerës nga efekti i buzëve pëshpëritëse dhe kënd-pamjeve, të kushtëzuara nga nevoja “e qartësisë së kuptueshme, se cili po flet” – shtendoset domosdoshmëria robëruese e dialogut, çka i jep regjizorit një shkallë të re lirie në ndërtimin e paraqitjes. E tillë është për shembull kjo liri në filmin “Portokallja mekanike”, në të cilin shfrytëzohet monologu jashtë kuadri i Aleksit. Kubriku shijon kënaqësinë e trukeve të kinematografisë pa zë, prej nga zë fill edhe pika jonë e klasifikimit të mëposhtëm.


Titrat

Titrat ndërmjet kuadrove janë një element i kinolojës, që të jep dorë të ndërkallësh pak qartësi, duke ruajtur ndërkaq, heshtjen. Titrat janë një truk po aq organik për stilin e Kubrikut, sikurse dhe përdorimi i tekstit të diktuar pas kuadrit. Përsosurinë më të madhe në përdorimin e titrave Kubriku e mbërrin në “Odiseja kozmike”, ku titrat “THE DAWN OF MAN” (“Në ag të njerëzimit”) janë dhënë në paraqitjen madhështore të një agu të purpur prehistorik, “JUPITER MISSION 18 MONTHS LATER” (“Fluturimi drejt Jupiterit 18 muaj më pas”) në sfondin e hapësirës kozmike, të hapërdarë midis yjeve, dhe anijes kozmike që pluskon në kuadër, “JUPITER AND BEYOND THE INFINITE” (“Jupiteri dhe pas kufirit të pafundësisë”) – në një sfond pothuajse të zi, që lëviz para ngadalë në ekran, duke krijuar ndjesinë e përsosurisë dhe patosit kozmik me të cilin është përshkuar e gjitha kjo pamje e çuditshme.

Sa i përket zgjidhjes paraqitëse të titrave, pa të cilën nuk ndodh të jetë asnjë prej kuadrove të Kubrikut, këtë do ta shohim në paragrafët e mëposhtëm.


Fjala si paraqitje

Marrëdhënia me fjalën si paraqitje është një veçanti e rëndësishme stilistikore e antiletrarocentriste e regjizorit britanik Piter Grinuej. Kubriku procedon kështu në zgjidhjen vizuale të titrave: dhe në ndërmjet-kuadret, dhe në kuadret finale (fillestare). Në “Doktor Strejxhllav” këto titra të mrekullueshme janë me shkrim dore, të bëra nga dekoratori Kenon Adam, në “Berri Lindon” – kemi shriftin (fondin e shkrimit) e shtypshkrimit të shekullit XVIII. Në ato tablo ku Kubriku nuk zbaton një truk të caktuar paraqitës për shkrimin e titrave, ai u kushton ayre shumë vëmendje; ato nuk janë kurrë “disa syresh”; shkrimi i tyre është i studiuar dhe i përkryer, siç janë të gjitha elementët e Kubrikut.

Në të gjithë filmat e tij më të mirë Kubriku shfrytëzon fjalën si element të paraqitjes. Në “Doktor Strejxhllav” këto janë mbishkrimet mbi bomba (“HI THERE!” dhe “DEAR JOHN”), e po ashtu dhe një fletë në të cilën i çmenduri Jack the Ripper deshifron kodin e përgjigjes së avionëve. Ornamentet nga frazat “Peace On Earth” (“Paqja në tokë”) dhe “Purity Of Essence” (“Pastërtia e lëngjeve tokësore”) në fletë – është shenja e çmendurisë së gjeneralit – në po të njëjtën cilësi na shfaqet edhe tek filmi “THE SHINING” (“Shkëlqimi”), ku një pako e tërë me letër është e mbuluar me zbukurime të së njëjtës frazë “All work and no play makes Jack a dull boy”.

Në estetikën e sekuencave një rol të rëndësishëm luajnë mbishkrimet mbi instrumente, “mbi pajimet e avarisë për përdorim individual”, në revistat e avionëve, e po ashtu në pllakatet e gjithmundshme paralajmëruese e ndaluese të mbishkrimeve në bazat ushtarake. Duhet thënë se për shumë regjisorë, mbishkrime të këtij lloji mund të jenë elementë të rastësishëm, por vetëm te Kubriku jo. Në filmat e tij ato janë gjithmonë të kuptimësuara si elemente estetike. Një klasifikim i tillë ka të bëjë tërësisht me filmin “Odiseja kozmike”: “instruksioni i përdorimit të tualetit në gjendje të papeshë” dhe mbishkrimet në pajimet elektronike të instrumentave të ndryshëm.

Kështu duhet të përmendim zbatimin ready made, për shembull, të logotipit Coca-Cola dhe të tjera të këtij modeli. Kutitë dhe vazot me logotipe shfrytëzohen aktivisht edhe te “Shkëlqimi” në skenat e depos së produkteve.

Në “Portokallja mekanike” fjala përdoret si element i dizajnit në bar “Lopa”. Ky përdorim i realeve relativisht jofilmike u bë modë në fillim të viteve ‘70, ndërsa fillesën e ka me lulëzimin e dizajnit të shriftit nga mesi dhe fundi i viteve ‘60. Kubriku e përvetëson këtë estetikë dhe e shpie atë deri në përsosje – kuadret nga “Odiseja kozmike” dhe “Portokallja mekanike” mund t’i gjesh nëpër shumë katalogje të dizajnit të viteve 60-70.

Në “Xhaketën metalike” shumë mbishkrime reklamash dhe shërbimi punojnë në krijimin e estetikës së filmit. Një shembull i përdorimit tjetër të fjalës si paraqitje është edhe mbishkrimi në kaskën “BORN TO KILL”, që fqinjëron me pacifikun, dhe mbishkrimet në kaskat e po atij lloji, por edhe mbishkrimet në murin e shtabit të gazetarëve “FIRST TO GO LAST TO KNOW”. Të gjitha këto janë mishërimi i shembujve vizualë të fjalës.


Fjala si kumbim

Një domethënie të madhe Kubriku i jep tempit dhe akcentit të zërit që kumbon nga ekrani. Një prej anëve më të rëndësishme të rimishërimit të zërit Kubriku konsideronte dhuntinë e imitimit të akcenteve të ndryshme. Xhon Bakster shkruan se “në kërkim të zërit për kompjuterin HEL 9000 u shpenzuan aq shumë energji se sa në gjetjen e aktorëve”2. Kubriku provonte zëra të ndryshëm, duke përfshirë dhe zërat femërorë, derisa të mos ndalej në “në shkallën më të epërme të qetësisë dhe racionales së zërit mesatlantikas” të Dugllas Rejn-it.

Një sforcim i tillë i rolit të kumbimit të fjalës dhe gjegjësisht ulja e rolit të domethënies verbale mund të kundrohet si një truk i drejtuar kundër centrizmit të fjalës.

Fjala si ornament

Ky truk, që u çua deri në përsosmëri nga Federiko Felini bashkë me Tonino Guerran, te Kubriku ndeshet krahasimisht më rrallë. Për shembull, në “Shkëlqimi”, kemi skenën ku gjellëbërësi i tregon Uendit përmbajtjen e produkteve në depo dhe shpipton me zë emërtimet e gjithë produkteve të cilat ia tregon asaj – të gjitha me një zë të shpejtë e monoton. Ky ornament fjalësh i duhet Kubrikut, me qëllim, që në sfond të tij të tingëllojë e vetmja frazë e kuptimtë e cila i drejtohet Denit.

 

…………………………………………………………………………………………………………………………………….

[1] Klod Benjer. Stenli Kubrick: të ecësh përpara, duke menduar të shkuarën.-“Za rubjezhom”, revistë 1995, No. 37.

[2] Bascter John.  “Mbi filmat e S. Kubrick”, p. 171.

 

0

Premisë

Që të shkruash një roman të sukseshëm, duhet t’u përmbahesh tre rregullave. Për fat të keq, këto tre rregulla askush nuk i di.

Kjo shaka mund të bëjë të qeshë, me gjasë, vetëm një shkrimtar tjetër, mirëpo do t`ia vlente ta kujtosh, sepse, sikundër çdo shaka tjetër, ajo përmban një pjesë të së vërtetës. Sepse nëse në një novelë të suksesshme fusim hollësira, do të përftonim një strukturë aq të thjeshtë, sa do ta besonim pa farë vështirësie, se praktikisht gjithkush mund të shkruajë një rrëfim në akord me një plan treshkallësh. Duhet të marrim heroin ?, ta vendosim atë në situatën Y, dhe të përpiqemi, që të ndoshë ngjarja Z. Tak-fak, dhe romani gati. Mandej vjen suksesi, lavdia dhe paratë. Kuptohet, që nëse do të kishte qenë aq e lehtë, të gjithë do të ishim bërë milionerë, por nuk është aspak kështu – dhe sa më shumë të vrasim mendjen mbi këtë çështje, aq më e ngatërruar do të na duket ajo. Pse? Fakti se një farë gjëje na duket e thjeshtë, nuk do të thotë, se ajo nuk fsheh përbrenda misterin. Romani mënjëmend është I THJESHTË, po aq sa ç’është e thjeshtë një lule, po le ta provojë pra dikush ta krijojë këtë lule. Për njeriun kjo është e pamundur: ai mundet veçse ta ndihmojë lulen të rritet. Në mund të mbjellim farën e mendimit, mund t’i kushtojmë asaj vëmendjen tonë, ndërsa më tej na mbetet veçse të presim. Fjala “autor” rrjedh nga fjala latine auctor, që në një përkthim tekstual do të thotë “ai që bën të lindë diçka”, ekzekutuesin. Megjithëse ne mund të përpiqemi të ndërtojmë një roman, ashtu sikundër bën një fëmijë duke ndërtuar një kala rëre, bërthama e një rrëfimi të qëlluar do të jetë gjithmonë një “autorësi” misterioze, d.m.th., një veprim, falë të cilit kjo autorësi do të rritet në një rrugë krejt natyrale. Askush nu i njeh këto tre rregulla, të cilat garantojnë shkrimin e një rrëfimi të suksesshëm, sepse edhe pse të tilla ekzistojnë, ato është e pamundur t`i njohësh.

A e ke vallë atë që duhet?

Cili tip njeriu ia vlen të merret me shkrimtari, veçanërisht me romane. Nëse nuk e di, nëse ke aq durim sa t`i shkosh shkrimit të një romani deri në fund, apo talent, që romani të dalë i mirë, atëherë ka vetëm një mundësi për ta provuar. Shkruaj dhe do të bindesh. Nëse dyshon a do t’ia vlente t’i futeshe një shtegëtimi të tillë të vështirë, t’i shkoje deri në fund, atëherë duhet që në fillim t’i bësh vetes disa pyetje. A të pëlqen të lexosh? A ka bërë vaki, që në çastet e trazirave shpirtërore ti ke kapur penën dhe letrë? A të interesojnë njerëzit, dhe motivet e veprimeve të tyre? A e njeh mirë historinë, të cilën je i etur t`ua tregosh të tjerëve? Po sinqeriteti, të mjafton ta përcjellësh hapur, ashtu siç ka ndodhur e siç do të doje të ndodhte? A t’i ka lëvduar ndokush ndonjëherë tekstet e tua?

Në një mënyrë a në një tjetër, të gjithë shkrimtarët e mirë i janë përgjigjur në mënyrë pohuese këtyre pyetjeve.


Tri gjëra që duhen për të pasur sukses

Mendoj, se tre gjëra i duhen një shkrimtari rishtar për të qenë i sukseshëm: lumturi, talent dhe punë këmbëngulëse. Sa i përket lumturisë, ne nuk kemi asnjë pikë ndikimi mbi të (megjithëse ndodh, që njerëzit quajnë lumturi te të tjerët atë që në realitet është veçse fryt i një punë këmbëngulëse). Nëse flasim për talentin, d.m.th., për dhuntinë e krijimit të një cilësie të re, – mund të flisnim pak më shumë, por e rëndësishme për talentin është të të zhvillojnë në vetvete vetëm atë, që na është dhënë. Rrjedhimisht, vetëm puna varet tërësisht prej nesh. Sigurisht, ndodh, që të kemi momente të frymëzuara, dhe atëherë mjafton të kesh penën në dorë, por, rëndom, shkrimi i një romani është një luftë: ndjenja mbizotëruese është diskomforti. Nëse autorët do të kishin shkruar vetëm nën ndikimin e frymëzimit, raftet e bibliotekave do të kishin mbetur të zbrazëta.

Harku prej tetë pikash

Por për ata që e provojnë shkrimin e një romani; për ata që kanë besim se do ta çojnë deri në fund, duhet të themi, se romani ka një skemë strukturore e kompozicionale, të cilën mund ta ndjekin shkrimtarët fillestarë. Kjo skemë nuk është fjala e fundit, por skema më e dendur e romaneve klasike dhe moderne. Ajo sugjeron një diagramë përgjatë së cilës duhet shtjelluar fabula (syzheti). Çdo fabul klasike duhet të kalojë përmes tetë fazave, që po i quajmë harku prej tetë pikash:
1. Zanafilla, d.m.th., gjendja zanafillore
2. Impulsi i parë
3. Qëllimi
4. Papritshmëria/ befasia
5. Zgjedhja vendimtare
6. Pika kulminante (klimaks-i)
7. Kthesa
8. Zgjidhja

1. Zanafilla (Stazis)

Është gjendja zanafillore e atij realiteti, që paraqitet në rrëfim (novelë/roman); ajo që i hap udhë shprehjeve “se si njëherë”. Kjo gjendje zanfaillore mund të përmbajë një farë konflikti ekzistues, dhe madje njëfarë qëllimi/synimi, por përveç kësaj, ajo duhet të jetë një ditë që nuk dallon aspak nga ditët e tjera të rëndomta. Çështja, se në çfarë vendi duhet të fillojë romani, paraqet nganjëherë një problem menjëmend të vështirë. Disa vepra përmbajnë një stazis të zgjeruar (për shembull, romani i Uiliam Stironit “Zgjedhja e Sofisë”), të tjera vepra të bëjnë vetëm se t`ia qëllosh kësaj pike nistore të rrëfimit dhe menjëherë kërcejnë tek fraza tjetër, dmth, tek faza e impulsit të parë.

2. Impulsi i parë

Është një ngjaje, në të cilën heroi apo heroina nuk mund të ndikojnë, dhe që për faj të tij/saj dita e rëndomtë shndërrohet në ditë të jashtëzakonshme. Ai (impulsi) mund të jetë i një përmase tepër të gjerë, ose krejtësisht lokal, rëndësia e Tij mund të mos vlerësohet në momentin e parë, por nga ky moment heroi nis të të jetojë e të shtejllohet. Më parë heronjtë ekzistonin në një gjendje pezullie, kaediograma e tyre praqiste njafarë linje të drejtë,dhe pikërisht kjo ngjarje jep penelatën e parë në linjën e pulsit të tyre.

3. Qëllimi

Me efktin e ngjarjes/situatës, të quajtur impulsi i parë, kemi përcaktimin që i bën protagonisti qëllimit të tij konkret. Kur ky impuls është i pakënaqshëm, qëllim është kthimi në gjendjen e mëparshme nistore; nëse impulsi është i kënaqshëm, qëllimi mund të jetë përpjekja për ta ruajtuar atë apo kënaqësinë akoma më të madhe prej tij.

Qëllimi (ose mund ta quani objektivi) mund të ndryshojë në masën e shtjellimit të ngjarjeve, por në këtë rast, qëllimi/objektivi më i vonë duhet ta gëlltisë të mëparshmin, dhe falë kësaj “ngrihet steka” (pretendimi). Për shembull, historia mund të nisë me përpjekjen për të gjetur paratë, të cilat mandej do të ndryshonin gjendjen (mundësitë për të pretenduar apo realizuar dashurinë), ndërsa dashuria nga ana e saj do të shndërrohet në luftë për mbijetesë.


4. Papritshmëria

Qëllimi i motivuar dhe i parashtruar qartë – është një fillim i mirë për romanin: heroi duhet të ndeshet me pengesat. Sidoqoftë, diçka e papritur duhet të ngjasë.

Një papritshmëri e tillë mund të jetë e kënaqshme, dhe t`i ndihmojë heroit apo heroinës në përpjekjet drejt qëllimit, por një rol akoma më të madh në rrëfim luajnë papritshmëritë e pakënaqshme. Surprizat, me të cilat lëviz aksioni i një rrëfimi të caktuar, janë ironitë e paradokset, ngjarjet që e shmangin apo e ndalojnë udhën e heroit drejt qëllimit. Papritshmëria është konflikti i konkretizuar; atë mund ta shkaktojë një njeri tjetër ose njëfarë faktori në mjedisin e heroit, ai mund t`ia behë papritur, ose si rezultat i shtjellimit të ngjarjeve.

Me qëllim që surpriza të shkaktojë një efekt të pritshëm, dy elementë duhet të mbeten në barazpeshë: gjasa dhe befasia. Një surprizë e menduar keq deshifrohet me dhjetra faqe përpara, prandaj atë është më lehtë ta parashikosh, dhe është e mërzitshme të presësh, deri kur të ngjasë. Po megjithë që disa papritshmëri të parashikuara lehtë kanë në vetvete një kuptim të caktuar, edhe atëherë pritshmëria e lexuesit mbetet e pashpërblyer.

Megjithatë papritshmëria nuk mund të ngjasë, nëse ngjarja e planifikuar nga autori shtjellohet në korrnizat e realitetit, që krijon vetë autori. Nëse surprizën mund ta parashikosh, lexuesi e ndjen veten të mashtruar, dhe vendos se ti je një autor koti.

Në të njëjtën kohë ruajtja e balancës ndërmjet këtyre dy elementëve (faktorëve) të shpie në shfaqjen e atij minuti të mahnitshmë, kur lexuesi i thotë vetes i habitur: "Po pra! Si nuk ia qëllova dot që në fillim!".

5. Zgjedhja vendimtare

Nëse vendosim në udhën e heroit pengesa të pakapërcyeshme, ai shkon pa shpresë drejt perspektivës së qorrsokakut, derisa ndesh murin dhe kësodore, historia mbaron. Nese duam që ai të bëjë më tutje, duhet të ndryshojmë kursin e drejtimit të tij. Që të kapërcejmë barrierat, ia vlen të gpranojmë një zgjedhje të veshtirë – atë, që e quajmë zgjedhja vendimtare. "Po tani, çafarë duhet të bëj?” – pyet heroi. “Si mund t`ia dal kësaj?”.

Fjala dramë rrjedh nga greqishtja e vjetër – drama, dhe do të thotë “aksion, veprim”. Jo ajo, që ngjet si rrjedhojë e rastësisë, dhe as ajo që është bërë prej ndonjë tjetri, por veprimet e njerëzve, të vënë para pengesave. Çfarë lloj veprimi duhet të ndërmarrë heroi ynë? Ai duhet të bëjë një zgjedhje, dhe kjo do të thotë, se ai duhet të gjejë një mënyrë si të përgjigjet, si të reagojë. Ku qëndron ndryshimi ndërmjet përgjigjes së menduar dhe reaksionit automatik? Në marrjen e një vendimi – heroi apo heroina vendosin vetë, vetëdijshëm apo pavetëdijshëm, për një zgjedhje të tillë, e jo për një tjetër, madje edhe nëse kjo zgjedhje i shpi ata të përmbahen nga veprimet. Shkrimtari presupozon, se ekziston një zgjedhje e lirë: heronjtë tanë mund të gabojnë, të jenë impulsivë, të çmendur, mund të gjenden nën presionin e rrethanave, por edhe atëherë ata mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre, sepse kjo i afron ata drejt qëllimit. Derisa heroi në një mënyrë a në një tjetër nuk përgjigjet për aktet e tij, ne kemi të bëjmë me rastësinë, kaosin.

6. Pika kulminante

Zgjedhja vendimtare, të cilën duhet ta bëjë heroi, shfaqet në trajtën e pikës kulminante, kur zgjedhja e tij mishërohet në realitet. Për shembull: papritshmëri konsiderohet një grabitës, i cili është futur në një shtëpi, zgjedhja vendimtare është vetëmbrojtja, që ndërmerr i zoti i shpisë, ndërsa pika kulminante do të jetë ai moment, kur e qëllon grabitësin. Nganjëherë zgjedhja dhe pika kuminante bashkohen ndërmjet vedi, duke u shndërruar në një veprim, në raste të tjera ndërmjet tyre mund të kalojë një kohë e gjatë.

Surprizat në roman luajnë një rol të rëndësishëm atëherë, kur ato kombinohen me ato zgjedhje të vështira, që duhet të ndërmarrë heroi. Prandaj papritshmëritë pozitive nuk ndihmojnë në përforcimin dinamik të fabulës. I vlen të mbajmë mend, që temë kryesore është gjendja shpirtërore e njeriut: ngjarjet janë interesante vetëm atëherë, kur në to pjesëmerr protagonisti. Intriga dhe tendosja janë rezultat i ndërtimit virtuoz të pengesave në rrugën e heroit, të tillë, që të jenë të pashmangshme për t`u kapërthyer në një lufë të papajtueshme.

Pengesat ekzistojnë për atë, që protagonisti, me t`u gjendur në një situatë pa rrugëdalje, t`i nënshtrohet sprovës dhe gjatë kësaj sprove me të të ngjasin disa ndryshime të rëndësishme dhe serioze. Nëse ai gjithë me këmbëngulje vazhdon të mos i ndahet qëllimit të tij, duhet ta detyrojmë që në bëjë një zgjedhje vendimtare (dmth,. të marrë vendim në situatë krize), dhe kjo zgjedhje ta shpjerë atë në ndryshimin e kursit.

Papritshmëria, zgjedhja vendimtare dhe pika kulminante janë nocione që mund të shtjellohen pafunsësisht, por mund të parashtrohen dhe fare thjesht,m siç po bëjmë ne. E rëndësishme është, që konflikti ta ngërthejë lexuesin. Dhe megjithëse akcenti në roman  mund të jetë bërë për krijimin e atmosferës së alarmit apo për provlemin e zgjedhjes, pika kuminante është ai element i domosdoshëm, pa të cilin të gjitha të tjerat janë të pamundura. Maja e rrëfimit, ashtu sikurse impulsi i parë apo papritshmëria, – kanë karakterin e ngjarjes, diçka, që ka vend në botën e përshkruar konkrete. Kjo pikë nuk duhet me doemos të jetë spektakël, por, padyshim, duhet të jetë e dukshme. Grekët e vjetër e ndolonin të shfaqeshin/luheshin në skenë torturat fizike të njeriut dhe vdekja, por ky parim ka kohë që është tejkaluar dhe nuk shqetëson askënd. Nëse romani që ti shkruan, të mundëson ta bësh një gjë të tillë, je i lirë, por shkalla e motivimit dhe e zinxhirit shkak-pasojë duhet të jetë përligjia artistike e domosdoshme.


7. Kthesa

Aristoteli e përkufizonte kthesën, si “ndryshimin e vrapit të ngjarjeve në anën e përkundërt me drejtimin e ngjarjeve të heroit”, të cilat “rriten nga parimi i domosdoshmërisë ose probabilitetit të vetë përbërjes së fabulës, si rezultat i ngjarjeve të mëparshme”. Thënë ndryshe, kthesa vjen si rezultat i ngjarjeve, që kanë ngjarë para kësaj kohe – dmth, papritshmërive, zgjedhjeve dhe pikës kulminante.

Mund të dyshosh, nëse ka pikë kulminante, e cila nuk të shpie në kthesën e aksionit, që të ketë ende ndonjë qëllim tjetër përveç spektaklit. Spektakli është një veprim për hir të vetë veprimit, efekt për hir të efektit. Elefantët në  “Aida”, specefektet e shtrenjta të filave, ndërthurjet e sesit dhe dhunës – të gjitha këto janë shembuj të spektaklit, të cilin Arsitoteli e vinte në fund të listës se mjeteve dramatike. Nëse çështja për detyrën e një skene konkrete përgjigja juaj do të jetë: “S’ka asnjë detyrë, thjesht duket mirë e këndshëm”, atëherë mos u habit, nëse lexuesi një skenë të tillë e merr për mashtrim. Respektoje intelektin e lexuesve, sepse janë ca të paktë ata që u mjafyon thjesht spektakli. Dhe unë nuk kam parasysh vetëm funksionin letrar: t’i paraqesësh lexuesit një rrëfim, të cilin mund ta ndërkallësh në një fabul të mirë e të qëndrueshme, dhe një një çorbë të tipit “tani kjo…, mandej ajo…, e mandej ajo tjetra”.

Nësi ti ke ndërmend të përfshish në strukturën e romanit pikën kulminante, atëherë rrjedhojë e saj do të jetë patjetër kthesa. Atëherë situata konkrete prej një ngjarje të veçantë, të pa lidhur me asgjë (të cilën mund ta heqësh pa i shkaktuar asnjë dëm romanit, gjë të cilën mund ta bëjë redaktori) shndërrohet në ngjarje, që vendos për ndryshimin e situatës së heroit. Disa kthesa bien në sy menjëherë (kthesa klasike – është vdekja, më ekstremalja në ndryshimin e mundshëm të situatës së heroit), të tjerat jo.

Kthesa duhet të jetë e pashmanshme dhe e besueshme. Asgjë nuk mund të ndodhë thjesht kot, vetvetiu, ndryshimi i fatit të njeriut nuk mund të ndodhë pa ndonjë shkak të argumentuar. Romani duhet të zhvillohet e shtjellohet organikisht njëlloj si përditshmëria, jeta: pamëshirshëm, vërtetësisht dhe me gjithë kohën përpara që sjell ndryshime.

Tekefundit është e pamundur të ngatërrosh të pashmangshmen me të parashikueshmen. Romani nuk është një fragment nga jeta: ai është shumë më i sitemuar dhe shumë më i paparashikueshëm. Në roman s’ka vend për të, mund të parashikosh vetëm atë, se çfarë ka ngjarë, dëri në “se si njëherë…” Mandej fillon drama.


8. Zgjidhja

Mendoj se e kuptoni se çdo me thënë “zgjidhje”. Në thelb, ajo është një “stapis” i ri, zanafillë e re. Heroi ynë kthehet si të thuash në situatën zanafillore, ndërsa kardiograma e tij stabilizohet sërish.

 

0

(Këshilla për shkrimtarët rishtarë)

ÇFARË ËSHTË TREGIMI

Para se të nxitojmë të japim disa udhëzime për shkrimtarët rishtarë, se si të shkruajnë një tregim, besoj së është me vend të sqarohen disa kushte që përbëjnë natyrën e zhanrit të tregimit dhe llojet më të dendur që ndeshim në këtë formë të narracionit.

1. Në shkencën e letërsisë ekzistojnë përkufizime të ndryshme të tregimit si zhanër letrar. Por pa marrë parasysh disa ndryshime, të gjithë shkencëtarët dhe teoricienët bashkohen në një pikë: tregimi është një prej formave të vogla të narracionit ose të letërsisë epike, në të cilën jepet përshkrimi i njëfarë ngjarjeje nga jeta e një heroi.

2. Sipas Xhek Londonit, “tregimi është uniteti i ndërtimit, situatës dhe veprimit”. Koha e shkurtër e ngjarjeve të paraqitura, sasia e pakët e personazheve veprues janë specifikat e kësaj forme të vogël letrare.

3. Uniteti i veprimit është i kushtëzuar me vëllimin e veprës. Si rregull, në tregim pëshkruhet një ngjarje, e më të rrallë, dy deri në tre ngjarje, të cilat bëhen kryesore: ato ngjizin syzhetin (subjektin). Por edhe në rastin kur në një tregim ngërthehet një periudhë relativisht e gjerë nga jeta e personazheve, ai gjithësesi i kushtohet shtjellimit të një veprimi dhe konflikti (themelor).

4. Uniteti i veprimit është i lidhur drejtëpërdrejtë me situatën e përshkruar në tregim (ose me tërësinë e ngjarjeve). Në tregim shtjellohet rëndom një fill fabular, me një ndryshim/këmbim kryesor të situatës. Prandaj veprimi në tregim ndodh në një sasi të pakët (reptësisht të kufizuar) vendesh, e më së shpeshti – vetëm në një vend.

5. Në hapësirën e tregimit ekziston një hero kryesor, e shumta dy. Kjo nuk do të thotë që personazhet veprues (personazhet dytësorë) të mos jenë më shumë. Por të gjithë ata kanë role funksionale, detyra e tyre është të krijojnë një sfond për një zbërthim sa më të qartë të karakterit të heroit kryesor. Shpesh ndeshen tregime, të shkruara në vetë të parë. Kjo të jep mundësinë jo vetëm të raportosh mbi ngjarjet që ndodhin, por edhe të shprehësh raportin e drejtpërdrejtë të personazhit ndaj asaj që paraqitet.

TREGIMI PËRSHKRIMOR, TREGIMI NOVELISTIK DHE TREGIMI EPOPÉ

Në varësi nga përmbajtja tregimet ndahen në tre tipe: përshkrimorë, novelistikë dhe nacionalë-historikë ose tregimi epopé.

1. Tregimi i tipit përshkrimor tregon jo një episod kyç nga jeta, por ngadalësinë e rrjedhës së këtij episodi. Për rrëfimin përzgjidhet jeta normale e një njeriu ose e një grupi njerëzish në momentet më tipike për ta. Rrëfimi ka një karakter “moralo-përshkrues”, sepse në veprat e zhanrit përshkrimor shpesh vizatohet gjendja moralo-jetësore e një apo tjetër mjedisi. Tregimeve të këtij tipi i takojnë, për shembull, “Shënimet e një gjahtari” të Ivan. S. Turgenievit. Në letërsinë shqipe ilustrime të këtij lloji gjejmë në një dyzinë të mirë me rrëfenja nga proza e Mitrush Kutelit dhe Ernest Koliqit.

2. Tregimi i tipit novelistik zbërthen karakterin në ngjizje të heroit. Në bazën e rrëfimit kemi një ngjarje që ka ndryshuar botëkuptimin e personazhit, ose disa rrethana nga jeta e heroit që e kanë sjellë atë te ky ndryshim. Rrëfimi i tipit novelistik dallohet për nga mprehtësia e konfliktit dhe zgjidhjes së shpejtë të tij (shpesh të papritur). Një shembull i shquar i tregimit novelistik, është, sipas meje, “Joniç” i A. P. Çehovit apo “Bilbilat e Plepishtit” të E. Koliqit.

3. Përanash tipave përshkrimorë dhe novelistikë të tregimit, disa teoricienë veçojnë edhe një lloj të tretë, që e quajnë tregimi nacional-historik (ose tregimi “epopé”). Te ky lloj në cilësinë e ilustrimit kanë klasifikuar tregimin “Fati i njeriut” të ?ihaill Shollohovit. Unë do t’i shtoja edhe një model tjetër këtij klasifikimi, e pikërisht tregimin e njohur, mjaft të gjatë të Alesandër Sillzhenicin-it “Një ditë nga jeta e Ivan Denisoviçit”.

 

SI TË SHKRUANI NJË TREGIM

Mundimet e krijimtarisë i kanë njohur, së paku në njëfarë shkalle, shumica e shkrimtarëve rishtarë (fillestarë). Disa njerëz kanë dhuntinë të lindin e të përkundin në mendje ide gjeniale, por në letër ata zor se shtrohen. Herë tjetër duket se vepra u përgjigjet të gjitha kanoneve, por, me ta lexuar atë, shkrimtari zhgënjehet plotësisht. Një palë thonë se krijojnë netëve, të tjerë parapëlqejnë ta bëjnë këtë që në mëngjes me filxhanin e kafes përpara. Por kryesorja është frymëzimi, përndryshe vepra del e ftohtë, jo interesante.

Juve ju duhet:

Për të shkruar një tregim, ju duhet pak kohë e lirë, një kompjuter, e po ashtu një liri e plotë veprimi. Ju duhet të mbeteni në vetmi, përndryshe jeta me ngjarjet e veta përreth jush mund t’ju shpërqendrojë nga linja syzhetore.

Udhëzime:

1. Kështu, në çdo vepër janë të pranishme elementë të tillë si pikëlidhja, pikëzgjidhja, shtjellimi i subjektit, dhe padyshim më kryesorja – kulminacioni. Ato mund të pozicionohen në atë renditje që ju pëlqen juve më shumë. Këto elementë janë shumë të rëndësishëm për faktin se ato zbulojnë atë për të cilën do të shkruhet tregimi juaj, e pikërisht idenë e veprës. Kësisoj, para se të filloni tregimin, ju duhet të kuptoni se për çfarë dhe përse doni ta shkruani atë. Të paktën të keni një ide, sado të vagullt në fillim.

2. Pasi t’ju jetë shfaqur ideja, mund të filloni ta mishëroni në letër. Mos mendoni se keni për të pasur sukeses menjëherë. Disa i shkruajnë tregimet me pjesë, duke nisur nga fillimi, mesi apo fundi. Mund të përshkruash dy apo tre prej skenave më të qarta, të cilat do të ngjasin në tregimin tuaj, dhe mandej t’i ulni, kur t’u vijë radha, në vendin e tyre të duhur.

3. Kur të gjitha pjesët e tregimit të jenë shkruar, provoni të luani me kompozicionin, zhvendosni, spostoni disa pjesë duke ua ndërruar vendet. Mandej shkëputuni nga puna për një apo dy orë. Shëtisni, ndiqni diçka krejt tjetër (film, spektakël a ndeshje), luani me ndonjë lojë. Mandej kthehuni dhe lexojeni edhe njëherë tjetër tregimin. Kjo do t’ju ndihmojë të shihni gabimet kryesore faktike dhe ortografike.


SI TË MËSOSH NGA PËRVOJA E MJESHTRAVE

Kur lexon tregimet e Çehovit, për një kohë të gjatë ndjeni jehonën e personazheve, ndjeni pëshpërimat e tyre, dialogjet dhe monologjet, përshkrimet portretizuese e, sigurisht përshkrimet e objekteve dhe natyrës. Gjithë këtë atmosferë letrare, që nuk të lëshon mund ta quajmë “pas-shije”.  Për të ndjekur këshilla për fillestarët, mund t’i heqim mënjanë të gjithë autorët dhe të mbetemi vetëm me një autor, për shembull, me një dyzinë tregimesh të Çehovit. Ai është një profesionist i fjalës lakonike, të ndihmon më shumë se qindra doracakë në çështjet e stilistikës së një zhanri aq të vështirë, siç është tregimi.

Shpesh, shkrimi i një tregimi dinjitoz është shumë më i vështirë se sa shkrimi i një romani, një vepre të vëllimshme! Përse? Gjithçka është e qartë dhe logjike: në tregim intriga duket menjëherë; subjekti është i vogël, i shkurtër, me një sasi të kufizuar personazhesh, marrëdhëniet e autorit ndaj ngjarjeve dhe heronjve influencojnë çdo rresht. Po nëse autori nuk arrin të shpjegojë sjelljen e heronjve, nëse nuk duket thelbi dhe qëllimi i rrëfimit, lexuesi mund të mos i kuptojë ato në parim, prandaj shtrohet pyetja: për hir të ç’kaje u përpoqët aq shumë, çfarë deshët të thonit me tërë ato rreshta, ku qëndron “morali”…?

Ja disa rregulla të përgjithshme që duhen mbajtur parasysh kur të filloni shkrimin e një tregimi:

1. Në hapësirën e 1-2 paragrafëve të parë duhet të parashtrohet një pikëlidhje intriguese, qëllimi i së cilës është të zgjasë më tej rrëfimin në kokën e lexuesit, ta tundosh, t’i “hedhësh grepin”. Ky paragraf mund të jetë edhe një përshkrim autorial, edhe një skenë e vogël apo dialog i personazheve kryesorë apo jokryesorë. Por nuk duhen kurrësesi zgjatje në këtë pjesë, dhe nëse ju pëlqen të zgjateni, më mirë t’i ktheheni më vonë, pasi të keni intriguar më parë lexuesin me thelbin e asaj çka do të rrëfeni. Shkruani për “kryesoren”, ndërsa te pikëlidhja mund të ktheheni kur të ndjeni se pikërisht tani e dini se si ta “mashtroni” lexuesin, si ta intrigoni atë.

2. Që në embrionin e krijimit të tregimit autori duhet ta dijë qartë, përse e ka trilluar subjektin, duhet ta përfytyroni me mend linjën e subjektit, të dini, çfarë të bëni me heronjtë më tej, si të ndaheni me ta. Në roman të njëjtën gjë mund ta bëni duke e zgjeruar situatën dhe të harroni për të; heronjtë mund të bëjnë edhe pa fantazinë tuaj, puna e tyre është të jetojnë, puna juaj – të ndiqni e të verbalizoni ngjarjet që prodhon situata. Madje shpesh fundi i veprës mbetet i panjohur për autorin. Këtë rrëmujë tregimi nuk e duron. Nëse autori nuk e ka të qartë finalen që në frazën e parë, tregimi gjatë udhës ka gjasa të shkërrmoqet apo të humbasë unitetin e veprimit, të kohës e të ngjarjes…

3. Sipas Çehovit, një finale e papritur, një përmbyllje paradoksale e ngjarjeve është shenjë e një tregimi shumë të mirë. Lexuesi, me të mbyllur librin me një tregim të tillë të mirë, kalon si minimum një ditë të tërë në mendime, duke përjetuar, medituar e duke iu rikthyer edhe njëherë tregimit. E rëndësishme është që një “pas-shije” e tillë ta detyrojë lexuesin t’i kthehet sërish e sërish tregimit dhe më gjerë, krijimtarisë së autorit.

4. Është shumë e rekomandueshme që, për tregimin si zhanër, të aplikohen pyetjet thelbësore, që janë “vertebra” e tregimtarisë: “Çfarë? Ku? Kur? Nga? Si? Përse?” etj.

5. Mos shkruani mendime apo meditime të gjata prej një gjysëm faqjeje, nëse nuk jeni në gjendje ta zotëroni e mbërtheni periudhën e ligjëratës gjuhësisht e stilistikisht, si Tolstoi apo Dostojevski… Fjalitë e shkurtra nuk të pengojnë të bëhesh, madje, klasik në këtë zhanër!

Flakeni nga koka, se me anë të rrëfimit tuaj në tregim, keni për t’i përcjellë lexuesit ndonjë “moral”, si në fabul. Nëse ka një moral tregimi juaj, ai është efekti i pas leximit dhe kuptimet e fshehura “mes rreshtash”. Si rregull, kjo pjesë e moralit është përmasa subkoshiente e krijimtarisë dhe se atë e vënë re lexuesit e jo autori. E çuditshme, por kjo është bukuria thelbësore e krijimtarisë artistike…

Mendoj se jo të gjithëve u pëlqen një tregim, në të cilin janë përshkruar vetëm veprime. Për shembull: “Ai erdhi. I hodhi një sy pusullës. Iku”. Interesante? Kam përshtypjen se jo. Interesante do të ishte të lexoje, për shembull: “Ai erdhi atë mëngjes të ftohtë e të lagësht. Sapo hyri brenda, në të djthtë të sobës, mu përbri, në murin e zhvoshkur nga shtresat e gëlqeres, varej një pusullë, e cila mezi mbahej në mur. Me ta lexuar, koka e tij mbeti e anuar pakëz, siç qe në fillim, por tashmë dukej se kishte ngrirë. Asgjë nuk tha. Vetëm sytë e tij dukej se nxirrnin jashtë tërë pikëllimin e hirtë të dimrave të gjatë, që e mbulonin si me një batanije të lagësht ushtarësh atëj provincë të humbur lagune. Mandej, me një lëvizje të prerë, doli nga ai shtangim, këputi pusullën nga muri, e rrasi thellë në xhepat e xhinseve dhe doli”.

Nëse ju pëlqen, përafërsisht, kjo trajtë narrative, unë do të përpiqem t’ju mësoj se si ta shfrytëzoni. Përndryshe, nëse do të përdorim fjalë të thata dhe thjesht të përshkruajmë atë që vjen e para në mendje, tregimi nuk do të ketë vlerë.

6. Ka shumë rëndësi t’i jepni krahë idesë suaj në fillim, trillit, imagjinatës, punës së mendimit, pa u menduar gjatë për gramatikën. Gjatë këtij shkulmi instinktiv, ju duhet “të krijoni tekst”, dhe vetëm më vonë mund t’u ktheheni me mendje të ftohtë “teprimeve të gjuhës”, për t’i rregulluar fazat në një kumbim të plotë e të harmonishëm.

7. Cilidoqoftë objekti i tregimit, në çdo rast e situatë, ju duhet të ndjeheni absolutisht të lirë, pa menduar për paragjykimet dhe për faktin se si do të dukeni ju në sytë e lexuesit të individualizuar, konkret, me emër. Nëse kjo ndodh, zanafilla juaj “irracionale”, ajo që përbën stihinë e poezisë së tekstit, do të mbetet e pranguar nga ajo që quhet CENSURA. Respektimi i censurës të çon drejt stereotipeve, shtampave, klisheve dhe prodhon një ligjërim të shterpët parafabrikat.

8. VETËCENSURA është stukturimi shpirtëror i brendshëm dhe me këtë do të luftoni gjithë jetën. Në fakt vetëcenzura është një nocion i mjegullt, edhe pse ndikon në llojin e ligjërimit tuaj letrar. Me vetëcesurë në procesin e shkrimit do të kuptojmë një “dozë vetëpërmbajtjeje”, një farë frike, tabuje frenuese që ju pengon të prekni palcën e objektit a dukurisë. Si rregull, për të shmangur këtë “barrierë” duhet t’i edukoni vetes shkrimin thuajse automatik në momentet e frymëzimit. Teprimet mund t’i rishikoni gjatë fazës redaktoriale.

 

3

I. Këneta e mashtrimit

Nëse shkenca e Letërsisë shqipe do të ndërmerrte një seri të posaçme studimesh krahasuese e kontenstuese rreth veprave letrare më të propaganduara të realizmit socialist (1945-1990), atëherë gjithë korpusi, gjithë repertori letrar i kësaj epoke, do të duhej t`i nënshtrohej një dekonstruktivizmi shumëplanësh, si në analogji me modelet e imituara nga veprat e socrealizmit sovjetik, ashtu dhe në raportet e manipulimit të vetëdijshëm me reale historike, faktografi, ngjarje e persona. Shpesh autorët e socrealizmit shqiptar kanë penalizuar e dënuar në të njëjtën masë, e madje dhe më hidhur se sa vetë drejtësia komuniste, fate njerëzish, familjesh e grupesh të tëra shoqërore, duke e shumëfishuar krimin e diktaturës, duke e përjetësuar atë në tekstet e historisë, literaturës shkollore e propagandistike, e cila mandej përbënte pikënisjen e rimarrjes së këtyre subjekteve kriminale nga letërsi tek piktura, nga piktura tek teatri, nga teatri tek kinemaja etj.

Një shembull i manipulimit me të vërtetën dhe shumëfishimin e krimit komunist përbën romani “Këneta” i Fatmir Gjatës. Deri në vitin 1991 romani “Këneta” i Gjatës gjendej në të gjitha antologjitë me tekste të detyrueshme  të shkollave të mesme, ndërsa në shkollat tetëvjeçare herë pas here ka qenë i pranishëm në trajtën e fragmenteve. Kuptohet që fakultetet dhe institutet e specializuara për letërsi e studionin romanin në mënyrë të zgjeruar. Autori i romanit, Fatmir Gjata, anëtar i përhershëm i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të RPSSH, shkrimtar profesionist, ka qenë partizan dhe mbas luftës, studioi në Institutin e Letërsisë “Gorki” në ish-Bashkimin Sovjetik. Ka pasur gjithmonë një karrierë konstante administrative në strukturat e kulturës së shtetit komunist. Romani “Këneta”, i botuar me 1959 e bëri Fatmir Gjatën një ndër korifenjtë zyrtarë të realizmit socialist dhe vetë veprën, një nga modelet e metodës.

Subjekti i romanit “Këneta” flet për vitet e para pas luftës, kur në Shqipëri është vendosur i ashtuquajturi “pushtet popullor” i diktaturës së proletariatit. Personazhet, që përbëjnë përçuesit e dy botëve që përplasen janë dhënë sipas skemës së njohur të dogmës së socrealizmit bardhë e zi: në njërën anë është Stavri Lara, një ish-partizan, që sapo është kthyer nga lufta, ku e dinin të vdekur.  Kthimi i tij është përshkruar sipas mitologjisë socrealiste të luftës, në frymën e romaneve sovjete të luftës. Stavri Lara kthehet papritur, pas peripecish të gjata e të pabesueshme, kur në shtëpi e dinin të vrarë. Ndalon i përmalluar para shtëpisë së tij të vjetër njëkatëshe, troket, por ia hap një qiraxhi. Nga fqinji, ish mësuesi i tij, me vajzën e të cilit ka qenë i dashuruar (Rina) dhe i besatuar, Stavri merr vesh se familja e tij është shpërngulur në një shtëpi të madhe e të bukur si një pallat të një ish-borgjezi, e ky është bash ai qiraxhiu që gjeti në karakatinën e shtëpisë së vjetër. Stavri është përfaqësuesi i atyre që kanë ardhur në pushtet dhe do të themelojnë moralin e ri të drejtësisë, barazisë e vëllazërisë. Po sa çuditshëm tingëllon, kur pasi ka treguar mes familjarëve të tij tërë mikro-Odisenë e tij romantike të mbijetesës nga kampet naziste, zhvillon, që nga dushi ku po lahet, këtë dialog me të ëmën:

“- Ku e keni gjetur këtë peshqir? Sa i madhe e i bukur qenka!
– Se mos kemi vetëm këtë. E kemi mbushur shtëpinë. Kemi marrë kolltukë, një raft me pasqyra, dy qilima, perde, takëme për të ngrënë bukë me dymbëdhjetë peceta. Janë të atyre borgjezëve <…>
Ç`e do kur s`morëm edhe ca! Po s`desh yt atë! "Të marrin edhe fukarenjtë e tjerë", thoshte! Po shtëpia si të duket? Nuk është si pallat?
– S`e kam parë mirë, po pallat më duket!
– A e di se e kujt është? E atij që rri tani në kotecin tonë.
– Ashtuu? E atij burrit me gjyzlykë?
– Hëëë! Ç`ka qenë ai! Të vëllanë ia pushkatuam. Një djalë e ka të arratisur në Itali. I kanë hedhur një milion franga tatim1”.

Pas si lexon këtë katastrofë të gjithanshme etike e njerëzore e ke të pamundur të shpresosh ndonjë refleks mendimi të shëndetshëm tek këta përfaqësues të shtresave të përmbysura që sapo kanë marrë pushtetin. Pra vjedhja, grabitja, okupimi i shtëpisë, pushkatimi i të vëllait dhe gjobitja e tij, janë fakte krejt normale e të rëndomta për “diellin” e moralit të ri komunist që po lind. Stavri Lara ngarkohet nga strukturat udhëheqëse si sekretar partie për të mbikëqyrur punënimet për tharjen e Kënetës së Maliqit. Me imazhin e tij përmblidhen të gjitha tiparet e mira të njerëzve dhe shtresës që ai përfaqëson, sipas estetikës socrealiste: thjeshtësia, durimi, këmbëngulja, vigjilenca, humanizmi, guximi etj. Nga ana tjetër kemi personazhet negativë, që përbëjnë aleancën e së keqes, sipas kanonit socrealist, të mishëruar në përfaqësuesit e shtresave borgjeze, inxhinierëve e teknikëve të shkolluar, ish-nxënës, bashkëpunëtorë e agjentë njëherësh të Hari Fullcit dhe shërbimit sekret amerikan e anglez. Ndonëse të zotë e me kulturë, ata paraqiten nga autori si njerëz me shpresa e ideale të papajtueshme me komunizmin dhe shtresën e varfër që ka marrë pushtetin. Prandaj ata gjatë punës (që kalit karakteret) e thellojnë përbuzjen dhe urrejtjen për pushtetin dhe masat që janë bërë zotër të tij, derisa bëhen nervozë, histerikë, duke bërë çmos ta sabotojnë tharjen e Kënetës. Pra, tema e njohur dhe e përjetshme në letërsi, e luftës së të mirës ndaj të keqes, përfton në versionin socrealist të F. Gjatës një trajtë skematike, vulgare, të motivuar aq dobët, duke e bërë kontrastin aq absurd e të pabesueshëm, sa ia ul edhe ato pak vlera, kryesisht përshkrimore e ambientale, me të cilat nis romani. Kundërshtarët, përveçse janë të një botëkuptimi tjetër me personazhin pozitiv, ata janë edhe agjentë, edhe antishqiptarë, edhe të degjeneruar moralisht, të tillë, që përbëjnë një çerdhe vesesh.

Heroi qendror i romanit, sekretari i partisë me 5 klasë fillore, përpos një drame intime dashurie, të ndërprerë për rrethanat e fatit gjatë luftës(dramë e cila gjen zgjidhje të lumtur në faqen e fundit të romanit, si kurorëzim e shpërblim për triumfin personal e shoqëror të tharjes së Kënetës) është i gjithëdijshëm: ndonëse me 5 klasë, ai i njeh hollësisht projektet e mëparshme që kanë bërë për tharjen e kënetës inxhinierët e huaj të paraluftës; di të bëjë fjalime, të shkruajë kryeartikuj, të bindë vullnetarët e demoralizuar, të dyshojë e të pikasë i pari veprimtarinë sabotuese e komplotuese, të tërhiqet e të kërkojë falje, duke u përpjekur ta fitojë njeriun e ndershëm e patriot në shërbim të popullit, edhe kur ky gjendet në grupin e inxhinierëve sabotatorë (inxhinieri i vjetër Mborja).

Sfondi i ngjarjeve të romanit është lufta për disiplinimin dhe shfrytëzimin e stihive të natyrës (këneta), kantieri i ndërtimit, barakat e fjetjes ku punojnë disa mijëra punëtorë, të cilët pas punë mësojnë në kurse kundër analfabetizmit, shohin teatër apo filma politikë (“Lenini më 1918”), situata folklorizante, dialogë, portrete brigadierësh, punëtorësh, prania e të cilëve është një skemë demagogjike këmbëngulëse për të thënë se “këneta është tharë me punën vullnetare të disa mijëra fshatarëve të frymëzuar e të ndërgjegjësuar nga partia”, duke mbuluar kësodore faktin historik rrëqethës, se nuk ishin vullnetarët ata që thanë me forcën e krahëve kënetën e Maliqit, por disa mijëra të burgosur politik që i dërguan në atë kamp vdekjeje.

II. Këneta e Vdekjes

Tridhjetë e dy vjet pas botimit të parë të romanit të Fatmir Gjatës “Këneta” (1959), bazuar mbi realen e njëjtë të tharjes së kënetës së Maliqit botohet romani i autorit Makensen Bungo “Këneta e vdekjes” (Phoenix, 1996). Autori, një ish-maturant i Normales së Elbasanit u arrestua për pakënaqësinë që kishte shprehur mbi fatin e Kosovës, e cila pas luftës gjoja çlirimtare, mbeti nën shtetin jugosllav. Rrëfimi autorial i kësaj vepre, ashtu si “Këneta” e F. Gjatës, është në vetën e tretë. Por ndryshe nga Gjata, Makensen Bungo nuk flet për tablo epike të përgjithshme me linjat rrëfimore që mobilizojnë narrativën mbi  aktet e personazheve antagonistë. Rrëfimi i Makensen Bungos i përmbahet fillim e fund fatit të një grupi të burgosurish politikë, që nisen me 3 mars 1948 nga burgu i Elbasanit për në Maliq dhe kthehen sërish në burgun e Elbasanit (tashmë të përgjysmuar) në nëntor të vitit 1949. Ndryshe nga romantizmi socialist, teksti i Bungos të bën me dije se është shkruar “tatuazh” mbi lëkurë, pasi vetë ai ishte një ndër të mbijetuarit e kënetës së vdekjes.

Rrëfimi është shkruar nga perspektiva e narratorit që dëshmon në mënyrë kronikale përditshmërinë  e detajuar të një realiteti permanent vdekjeprurës në kënetë, ku ndaj të burgosurve ushtrohen sistematikisht, ditë e natë, eksperimentet më çnjerëzore, të tilla që mund t`i ndeshesh vetëm në arsenalin e torturave nëpër kampet naziste të shfarosjes. 

Tipologjia zhanrore e këtij rrëfimi auto(biografik) në veprën letrare është, tashmë, gjerësisht i njohur në repertorin e krijimtarisë letrare, që e merr lëndën drejtpërdrejtë nga përvoja reale e kampeve dhe burgjeve, të tilla si romanet e Primo Levit (“A është vallë njeri ky?”), Imre Kertezhit (“romani i një të pafati”) Aleksandër Sollzhenicinit (“Arkipelagu Gulag”, “Një ditë e Ivan Denisoviçit”, “Pavioni i kancerozëve” etj), rrëfimet e Varllam Shallamovit (“Tregimet e Kolimës”), Fatos Lubonjës (“Ridënimi”), At Zef Pllumit (“Rrno vetëm për me tregue”), Visar Zhitit (“Rrugët e ferrit”, “Ferri i çarë”) etj.

Panorama që hapet para lexuesit është ngjethëse: të rinj, burra, pleq, që veç para pak vitesh kishin qenë elitat e shoqërisë shqiptare, profesorë, shkrimtarë, klerikë, tregtarë, mjekë e inxhinierë, i shohim si humbasin fizionominë fizike e morale, duke u kredhur në llucën e kënetës nën një terror të pandërprerë rrahjesh e sakatosjesh, kërcënimesh e shantazhesh për t’i thyer në nder, në dinjitet, në ç’kanë më të shenjtë. Ky është kampi i Vloçishtit, fronti më i vështirë i Kënetës së Maliqit, i rrethuar, siç thotë autori “me një gardh prej pesë rrathë telash me gjemba, i lartë mbi tre metra. Pranë këtij gardhi, nga jashtë, në çdo pesë metra ishin ngritur truproje mbi katër metra të larta, në të cilat ditë e natë qëndronin policë me helmeta në kokë, me automatikë në gjoks dhe me revole e bomba në brez. Te këmbët kishin nga një mitraloz me disa krehra fishekësh. Në kamp, edhe në natën më të errët, shikohej mirë, sepse kudo ishin vendosur llamba elektrike: mbi çdo derë, në çdo cep barake, si brenda ashtu edhe jashtë, ndërmjet telave me gjemba, në çdo truproje. Veç këtyre, në mes të kampit, mbi një shtyllë të gjatë, ishin vendosur nga të gjitha anët katër llamba të mëdha elektrike2”. Ky përshkrim që na sjell Makensen Bungo për kampin/kantierin, nuk përkon aspak me përshkrimet e tablove romantike të Fatmir Gjatës ku s`ka asnjë polic, as që bëhet fjalë për të dënuar, por përkundrazi, me mësim për vullnetarët, pas punës, me koncerte/vallëzime, teatro e kinema.

Ndonëse peizazhi i skëterrshëm i punës në kënetë është shumë i gjerë ku pjesëmarrin mijëra të burgosur politikë dhe fare pak ordinerë nga burgjet e rretheve të ndryshme të Shqipërisë, ndonëse jeta në frontin e punës dhe në kamp u nënshtrohet rregullave të njëjta terrorizuese, shkrimtari nuk merret me një pasqyrim kaq të gjerë, por kufizohet në fushëpamjen e dëshmisë së vet vetëm tek fati i të burgosurve të Elbasanit, madje kamera e vëzhgimit dhe përjetimit të tij përqendrohet tek fati i një grupi shokësh idealistë, ish studentë të Normales, që kishin qenë aktivistë të Rinisë Nacionaliste në kohën e luftës. Patosi i rrëfimit të romanit është mbijetesa ekzistenciale e secilit në kushtet e punës rraskapitëse, shantazhit të urisë torturuese, rrahjeve e poshtërimeve  të programuara nga komanda dhe depersonalizimit. Grupi i miqve Normalistë jeton me shpresën që t’i mbijetojnë kënetës, pa i lënë eshtrat në llucën e saj, ku i varrosnin të gjallë të burgosurit dhe kjo shpresë, përbën dhe paradoksin absurd, se maksimumin e saj shpëtimtar, njeh rikthimin e sërishëm në burg. Disa thyhen, duke i dhënë fund jetës me vetëvarje, apo duke shkuar vetëdijshëm drejt telave ku i pret kositja e sigurt e plumbave të rojeve, dikush thyhet duke pranuar bashkëpunimin si spiun i komandës, por dikush tjetër nuk jeton gjatë me këtë zhburrërim dhe i jep fund jetës me vetëvrasje. Syzheti kompozicional është i thjeshtë: ai i përmbahet një radhe kronologjike episodesh të ndarë në kapituj, të titulluar sipas këtij rendi: Kapitulli I “Drejt së panjohurës”, Kapitulli II “Kapter Zeneli”, Kapitulli III “Urata”, Kapitulli IV “Gjeometri”, Kapitulli V “Le të vdesin caristët”, Kapitulli VI “Tregtarët”, Kapitulli VII “Përplasja”, Kapitulli VIII “Nuk vritet i gjithë populli”, Kapitulli IX “Fajtor pa faj”, Kapitulli X “Frika e hakmarrjes”,  Kapitulli XI “Vetëvrasja”, Kapitulli XII “Jeta në diktaturë”, Kapitulli XIII “Martesa”, Kapitulli XIV “Mallkimi i nënës”.

Parakalojnë në këto episode figura të rëndësishme reale të kulturës shqiptare, shkrimtarët Et’hem Haxhiademi, Mitrush Kuteli dhe Arshi Pipa. I pari, siç e dimë, vdiq në burg, i dyti i mbijetoi kënetës së vdekjes duke trashëguar një sëmundje të vertebrës, ndërsa i treti, Arshi Pipa, u arratis pas lirimit dhe botoi në Romë më 1959-ën vëllimin “Libri i Burgut” në të cilin gjendet poema sonetike “Kanali” me 26 tingëllima danteske ku përshkruhet horrori i pabesueshëm i torture të skëterrshme të të burgosurve politikë që thajnë Kënetën e Maliqit.

III. Kronotopia e Kënetës si strumbullar intertekstual

Përveç romaneve “Këneta” të Fatmir Gjatës dhe “Këneta e vdekjes” të Makensen Bungos, episodi historik dhe topografik i Kënetës së Maliqit ka ushqyer në letërsinë shqipe dhe një radhë tekstesh letrare të zhanrit memuaristik. Shkrimtarët memuaristë rreth kësaj realeje historike e toponimike kanë qenë, kuptohet, vetë të burgosur, që u shfrytëzuan si skllevërit e faraonëve për tharjen me krahë të kënetës. Mbresëlënëse e ngjethëse mbi punën në këtë kënetë janë memuaret e At Zef Pllumit, Ejëll Çobës (“Jetë e humbun”) dhe Sulejman Xhixhës. Praqet interes në këtë drejtim memuaristika e Ejëll Çobës për faktin, se dorëshkrimi i tij është shkruar në vitin 1975, çka na garanton parimisht, se koha kur e ka shkruar, nuk ka qenë aspak e volitshme për çfarëdo tundimi “hiperbolizues”. Si Çoba, ashtu dhe Atë Zef Pllumi e Sulejman Xhixha përshkruajnë përafërsisht të njëjtin realitet konkret, të ngjashëm me romanin “Këneta e Vdekjes” të Makensen Bungos, por aspak të ngjashëm me romanin “Këneta” të Fatmir Gjatës. Këtyre dëshmive u bashkohen edhe  kujtimet e Skënder Stefanllarit dhe e Ylber Merdanit, ish të burgosur politikë, që kanë përjetuar punën e detyruar në kampin e Maliqit3. Por më i afërt me versionin e M.Bungos është poema sonetike “Kanali” e Arshi Pipës, e cila është e pajisur me një komentar të hollësishëm që sqaron kontekstin e poezive.

Përftohet, kësisoj, një repertor i larmishëm tekstesh letrare, historike, kinematografike e memuaristike rreth të njëjtës realjeje historike të një vendi të caktuar e veprimi të caktuar: tharja e Kënetës së Maliqit (1946-1949), ose në terminologjinë e Mihaill Bahtin-it, një kronotopi tekstesh të ndryshme, që përbëjnë një intertekst brenda një teksti të kulturës, ndonëse kundërthënës.

Vendi qëndron në kujtesën tonë kulturore ku i përket kujtesës individuale për ta rizgjuar dhe vënë në lëvizje. Ky është kuptimi i thellë i kësaj thirrjeje të vazhdueshme, për metonimi, të interteksteve4. Për ne ka rëndësi rizgjimi dhe lëvizja e këtij repertori tektesh për vendin dhe kujtesën duke i konfrontuar ato për hir të ndriçimit të raporteve që ata mbajnë me të Vërtetën. Teskti socrealist i Gjatës u shndërrua në një metaforë po aq edhe metonimi intertekstuale, duke manipuluar me të Vërtetën në shërbim të ideologjisë. Pra kronotopia e Kënetës këtu na shërben në cilësinë e kujtesës intertekstuale të autorëve që përmendin e përshkruajnë të njëjtin referent (tharjen e kënetës). Identiteti kulturor i një vendi shfaqet kështu në i rëndësishëm se sa pamja e tij ngushtësisht gjeografike; janë lidhjet e tij me letësinë ato që kanë rëndësi, pasi ato na përplasin në një nyjë të dukuptimtë kohore të historisë dhe kulturës. Në fakt rishkrimi i tekstit të kënetës është bërë pa ndonjë polemizim të drejtpërdrejtë me të parin tekst nistor, atë të F. Gjatës, por ekskluzivisht si zotërim e dominim të “unit” të projektuar e të dëshmuar nga rrëfimi auto(biografik) e memuaristik, sikundër edhe letrar. Në këtë mënyrë, rishkrimi i një teksti nga këndvështrime të ndryshme përvojash empirike, i mbivendoset tekstit të më parshëm duke e fshirë atë nga gjithë rrafshet e të vërtetave. Në këtë mënyrë historia e vendit dhe kujtesës së parë vjen në një pikë të tillë, sa nuk njihet më. Fakti që ne mund të thërrasim, në lidhje me një kronotopi kulturore një shumësi tëkstesh që e përmendin atë, tregon qenësinë e përhershme dhe gjallërinë e letërsisë.

Interteksti është pra strumbullari rreth të cilit lidhen subjekti, shkrimi dhe kujtesa. Qenësia e përhershme e vendit duhet në fakt të dëshmojë, para së gjithash, për shndërrimin e unit dhe cënueshmërinë e tij themelore: nëse vendi mbetet, subjekti (i lexuesit, psh) i cili rikthehet aty ka ndryshuar thellësisht5 nga ballafaqimi me tekstet e tjera rreth të njëjtit kronotop. Referenca kulturore, ngaqë ajo është rrjedhojë e një kujtese të gjallë dhe vepruese, dëshmon për vazhdimësinë dhe lidhjen e unit. Uni këtu mund të shfaqet si parim identiteti: është uni ai që i bashkon copëzat e teksteve të ndryshme dhe i mbledh përtej ndarjes së kohërave dhe veprave. Puna e kujtesës rreth veprave mbi kënetën nxjerr në sipërfaqe copëza të së kaluarës dhe këtu është pushteti i saj kryesor: përreth ndërgjegjes së një subjekti mund të rrotullohen copa e fragmente tekstesh, të cilat përmbajnë realitetin që ato thonë. Intertekstualiteti është në zemër të marrëdhënies që subjekti mban me kujtesën, realitetin dhe letërsinë. Kështu të gjitha tekstet autoriale që janë shkruar me referencë tharjen e Kënetës së Maliqit kanë brenda tyre konceptimin e tyre të realitetit: subjekti është para së gjithash mbartës i një kulture dhe i një tradite shkrimi që duhet t`i zgjojë. Përllogaritja e shkrimtarit profesionist të realizmit socialist, Fatmir Gjata, ka qenë themelimi i një tradite të re leximi dhe ndjeshmërie të lexuesit, që tash e mbrapa do të lidhet jo me vërtetësinë e fakteve, por me shfrytëzimin koniuktural të tyre në shërbim të botëkuptimit të ideologjizuar komunist; që lexuesit duhet t`i afrohet një model manipulativ “edukimi të ndjenjave” të “njeriut të ri”, pavarësisht çmimit të së Vërtetës. Tekstet që pasuan për romanit të Fatmir Gjatës nuk hynë në polemikë me romanin, por e “skartuan” atë, e fshinë, duke ofruar në vend të trillit të tij manipulativ një realitet empirik tronditës me gumëzhimat e rënda mortore me të burgosur që përpiqen të mbijetojnë në zgrip të eksistencës fizike. Intertektualiteti i këtij repertori është pra vendimtar për të ndriçuar raportet e shumta estetike, etike, psikologjike e metafizike që ka Letërsia me të vërtetën dhe moralin e shkrimtarit. Interstekstualiteti është vendimtar gjithashtu, sepse shkrimi nënkupton gjithmonë një kujtesë tekstesh, kujtesë e cila dëshmon njëkohësisht për vazhdimësinë e unit dhe për rrjedhjen e kohës: thirrja e këtyre teksteve e lejon subjektin të nënshkruahet brenda realitetit, historisë dhe letërsisë6.

IV. Raporti me të vërtetën në tektet mbi Kënetën e Maliqit

Nëpërmjet romanit “Këneta” të Fatmir Gjatës, që njeh mbi tetë ribotime me tirazh llahtarisht të madh, të përfshirë në të gjitha tekstet shkollore-universitare, të përfshirë në kolanën “seria e romanit të zgjedhur (srz)”, të përcaktuar si lexim të detyrueshëm në shkollat tetëvjeçare, të mesme dhe universitare, të përfshirë në të gjitha antologjitë shkollore, – u ndërtuan deri në vitin 1990 perceptime të rrejshme mbi të vërtetën. Thelbi i romanit “Këneta” të shkrimtarit komunist Fatmir Gjata, niset nga një e vërtetë, por shkrimtari i partisë këtë të vërtetë e shndërron tërësisht të përmbysur, të falsifikuar dhe në fakt, falsifikimi i kësaj të vërtete është një rivrasje e shëmtuar e viktimave dhe martirëve që u dënuan. Personazhet e veprës – Abdi Sharra, Kujtim Shaqiri, Vasil Minga, Zyraka, Enxhenio Skutarini, Harry Fulci, në roman paraqiten si sabotarë, armiq të popullit e të partisë dhe agjentë të ndryshëm e sidomos të imperializmit amerikan. Prandaj si të tillë duhej të dënohen dhe vërtet janë dënuar. Përballë tyre del ndonjë personazh letrar me ideale të reja socialiste, me një zgjuarsi të veçantë për “zbulimin e armiqve të popullit” dhe me besnikëri të plotë ndaj idealeve të partisë. Tema e romanit është tharja e kënetës së Maliqit në vitin 1946, kur sapo ka zënë rrënjë regjimi komunist. Brezat shkollorë që e kanë lexuar kanë krijuar një pështypje të veçantë nga vepra, kanë ndjerë kënaqësi dhe i kanë urryer “armiqtë e popullit”! Mirëpo me kalimin e kohës, me ndryshimin e rrethanave politike, me të dhënat e bazuara në të vërtetën e kësaj ngjarjeje, na del një realitet tjetër, të cilin shkrimtari Fatmir Gjata nuk kishte guxuar ta paraqiste si të tillë. Nuk ishin ushtri të huajsh ata që varnin të shkolluarit në Perëndim, por ishin dora vetë, komunistët shqiptarë, që ngritën trekëmbëshat në vjeshtën e fundit të vitit ‘46. Partia Komuniste shqiptare me levat e saj të propagandës e përdori gjerësisht si referencë dhe edukim për brezat gënjeshtrën e madhe të “inxhinierëve sobotatorë”. Mjafton të kujtojmë demarshin e kësaj propagande në artin socrealist. Çfarë ka të vërtetë në realet historike të romanit të F. Gjatës?

Pas largimit të paralajmëruar të misionit amerikan nga Shqipëria, Sigurimi i Shtetit, me orientim “nga lart”, filloi me ngut hartimin e listave të individëve proamerikanë, për të vazhduar spastrimet e përgjakta të radhës. Në këtë kuadër u përgatit dhe u zbatua skenari për ndëshkimin e të ashtuquajturve “sabotatorë” të tharjes së Kënetës së Maliqit. Anëtarët e grupit ishin inxhinjerë dhe kuadro të aftë, që kishin mbaruar politeknikumin e Harri Fulcit, mandej studimet e larta në universitetet e Europës dhe hikoheshin me frikë patologjike si kundërshtarë të regjimit komunist, sikundër ngjau, pa përjashtim, më vonë, me të gjithë elitën intelektuale properëndimore.

Gjyqi-skenar nisi pak ditë para largimit të misionit amerikan nga vendi ynë, nën tamburet e një propagande frenetike që mbyste çdo mendim e qëndrim të ndryshëm nga opinioni publik i kohës. Dështimi i tharjes së Kënetës së Maliqit në afatet e vëna palogjikshëm nga partia komuniste, ishte vetëm sfondi tragjik ku u lujat ndëshkimi tragjik për “koka turku” mbi inxhinjerët e pafajshëm. Ky gjyq synonte, me gjasë, për të deskretituar Harri Fulcin dhe për ta shmanur ndikimin e shkollës teknike amerikane në prag të kthesës dhe izolimit të plotë të Shqipërisë nga Perëndimi7.

Të japim disa të dhëna në përballje me romanin “Këneta”:
Avdi Sharra, si personazh letrar, është Avdyl Sharra i vërtetë, 35 vjeç, inxhinier i ndërtimtarisë i diplomuar në Romë, i caktuar si kryeinxhinier në tharjen e kënetës së Maliqit. Më vonë i dënuar me varje!
Kujtim Shaqiri, personazh letrar, është Kujtim Beqiri i vërtetë, 30-vjeçar, inxhinier, fitues i medaljes së artë në Universitetin e Vjenës. I caktuar si drejtor i punimeve në kënetë. I dënuar me varje!
Vasil Mano, personazh letrar, me emër të vërtetë Vasil Minga, mbaron fakultetin e inxhinjerisë në Kroaci dhe kthehet në Shqipëri, së bashku me bashkëshorten e tij –
Zyraka Mano (kroate), e cila del në roman me po atë emër letrar. Të dy dënohen me pushkatim për sabotim dhe “tradhti” ndaj popullit dhe atdheut! Para ekzekutimit ajo i drejtohet të shoqit dhe një inxhinjeri italian ne fjalët: “Ngrini sytë nga qielli të na shikojë Zoti, se Ai dhe ne e dimë që jemi të pafajshëm!”8, fill pas të cilave pushkatohet dhe ajo, edhe pse ishte shtatzanë. Po ashtu dënohen me pushkatim drejtori i shkollës, Fulci dhe inxhinieri italian, Eugenio Scaturo, në roman, Skutarini.

Dhe gjithnjë, duke gjurmuar shkrimet rreth kësaj ngjarjeje mësojmë se në tharjen e kënetës së Maliqit nuk ka marrë pjesë populli, as punëtorë vullnetarë të partisë, por të burgosurit politikë nga të gjitha burgjet e Shqipërisë, nën masa të rrepta sigurie e në kushte e masa ndëshkuese mesjetare. Këneta e Maliqit ishte shndërruar në një kamp të tmerrshëm ku bëhej shfarosja e “armiqve të popullit e të partisë”! Prandaj është e qartë se ngjarjet rreth kënetës së Maliqit janë shtrembëruar dhe janë hartuar ashtu siç i ka pëlqyer regjimit komunist.

A do ta shkruante ndryshe shkrimtari Fatmir Gjata po të ishte gjallë?! Përveç romanit ka edhe një film të kinostudios “Shqipëria e Re” (“Vitet e para”) për ta kanonizuar masivisht versionin zyrtar komunist, po ashtu edhe dokumentarë mbi këtë diavoliadë. Në kënetën e Maliqit, sipas versionit të propagandës komuniste punonte “populli, rinia jonë heroike”, ndërsa e vërteta është krejt ndryshe: Kontigjenti që realizoi në kushte naziskine këtë vepër, ishin të burgosurit politikë. Disa nga shifrat që afrohen janë se rreth tre mijë të burgosur kanë punuar atje. 63 vetë kanë vdekur në punët e vështira, janë pushkatuar, janë varur në kohën e tharjes së kësaj kënete. Masat represive që u ushtruan në kënetën e Maliqit u përkasin metodave të nazistëve. Përditshmëria e të burgosurve kalonte nëpër kushtet ekstreme: mushkonjat, norma e rëndë e punës, ushqimi i pakët, rrahja, ndëshkimet poshtëruese deri te groposja në kanal, mungesa e teknologjisë (mjetet përbëheshin prej lopatës, kazmës, tokmakut, dekovilit, dinamiti). Tharja e kënetës kërkoi shfrytëzimin mizor të energjive të mijëra vetëve, ndërkaq shteti refuzonte kredi dhe makineritë moderne që përdorte bota në tharjet e kënetave.

Sipas Visar Zhiti, shkrimtari Makensen Bungo që punoi atje si i dënuar, përshkruan llahtarin, ujërat e turbullta të kënetës, që iknin duke marrë me vete kufoma dhe skelete njerëzish. Policia vriste këdo, si të donte. Prandaj dhe në titull është shtuar ndajshtimi përfundues “e vdekjes”. Nisur nga kjo, shemra e tij “Këneta”, mbase lë të nënkuptohet “kënetën e partisë”. Në atë kënetë kanë punuar si të burgosur dhe dy kolegë të shkrimtarit, prijëtari i rrëfimit shqip, Mitrush Kuteli, me poetin e studiuesin, profesorin në universitetet amerikane, Arshi Pipa, i cili arriti të nxjerrë nga ai burg “Sonetet e Kanalit”, të cilat i botoi në Romë, më 1959 në vëllimin “Libri i burgut”9.

Ndryshe nga Fatmir Gjata, në sonetet e Pipës ne ndeshemi me atmosferën e kobshme danteske, në rrathët më drithërues të “Ferrit” ku punonin të dënuarit politikë, sikundër na e jep këtë afresk të makthshëm soneti hyrës i poemës së tij “Kanali”:

Nga Korça bumbullon. Currila shiu
Rrjedhin prej mushamas mbi krena e shtroje.
Pështillen, struken gjindja ndër mbuloje:
Nji lamsh ku qelben recka e mish njeriu.

Mbramje. Dikush përmbri qet gjak për goje.
Këndon letas mbatanë nji fmi arixhiu.
Ky grindet për pak ujë qi shoku i piu;
Ai shan se i vodhën bukën. Hin një roje.

Shkopinj e shqelma. Britma. Frin bilbili.
Pushim. E dergjet lodhja, pran secili,
E flen kush mundet për atë natë me fjetë.
10
Si lazaret rënkon e fshan baraka.
Nesër të gjithë i pret kanali, brraka,
Veç atyne qi i pret nji vorr i shkretë.

Pasi kujton thënien e Danillo Kishit se “shkrimtarët nuk janë ndërgjegjja e kombit, sepse në mesin e tyre ka shumë qelbanikë”, në çast të dalin përpara personazhet e Fatmir Gjatës nga romani “Këneta”. Në këtë rast nuk ke si të mos shtrosh dilemën se, po të ishin gjallë ata personazhe, si do të silleshin vallë me autorin e tyre? Çfarë do të bënin gjithë ata inxhinierë shqiptarë, që autori i librit i shpalli sabotatorë, dezertorë dhe armiq të atdheut!? Dhe së fundi do të ishte me vend të ngremë një pyetje kuaziretorike, së cilës na takon t’i përgjigjemi njëherë e mirë: Si do t’ia bëjmë ne, si shoqëri, me botën e librave të mbushur me shtresa të trasha gënjeshtrash?

 

……………………………………………………………………….

[1] Gjata Fatmir “Këneta”, roman, fq 26, Sh.B “Naim Frashëri”, Tiranë 1973
[2] Makensen Bungo “Këneta e vdekjes”, Phoenix, Tiranë 1996
[3] Videoregjistrime bisedash, arkivi i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK, 2014)
[4] Nathalie Piégay-Gros, “Poetika e intertekstualitetit”, fq 119,  “Parnas”, Prishtinë 2011.
[5] Nathalie Piégay-Gros, “Poetika e intertekstualitetit”, fq 121,  “Parnas”, Prishtinë 2011.
[6] Po aty, fq. 122
[7] Musta Agim “Antologji e Krimit Komunist”, fq. 81, Qendra Shqiptare e Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës, Tiranë 2006,
[8] Musta Agim, po aty, fq 83
[9] Zhiti Visar, “Panteoni i nëndheshëm”, fq 34, OMSCA-1, Tiranë 2009.
[10] Pipa Arshi “Poezia” fq. 295, Dukagjini 1998, me përkujdesjen e Rexhep Ismajlit.

 

1

Një ndër kauzat më të mëdha e më të ndjeshme të shoqërisë postkomuniste shqiptare – hapja e dosjeve dhe Lustracioni i shoqërisë – po shpartallohet trishtueshëm e në mënyrën më banale në kuotën e demokracisë alla shqiptare të vitit 2015. Çerek shekulli pas rënies së diktaturës komuniste përbën një hark kohor mëse të mjaftueshëm, përgjatë të cilit ne i kemi pasur të gjitha mundësitë e ndarjes definitive me fantazmat e së shkuarës, me fajësinë e padurueshme të krimeve monstruoze që përlyenin gjithë qytetarët shqiptarë dhe, më së fundmi (jo nga rëndësia)  të nxirrnim një mësim të madh moral, me vlerë historike nga përvoja jonë e hidhur në të mirë të së ardhmes dhe brezave që vijnë. Kjo mundësi çerekshekullore vdiq dje – aty ku kanë vdekur përgjithësisht të gjitha kauzat e mëdha kombëtare e shoqërore – në Kuvendin e Shqipërisë! Akti qe i shkurtër. Thjesht një seancë e komisionit të ligjeve, punimet e së cilës u zhvilluan në një stil gjysmë ilegal, mes një atmosfere tejet të shpërqendruar politike, në një parlament të bllokuar nga show mediatik i krimit dhe korrupsionit parlamentar, me episode të ngjashme si në filmat e Martin Scorcese-s mbi mafien. Spikama e formatit të personazheve dominuese në situatën e nxehtë (Doshi, Frroku, Meta, Bami, etj.) e eklipsuan edhe njëherë çështjen e ligjeve mbi hapjen e dosjeve, në një sallë të dominuar nga maxhoranca, pa praninë e përfaqësuesve të interesit, shoqatave apo instituteve respektivë.

Maxhoranca në komision kaloi ligjin e aksesit për informim të qytetarit me dosjen personale, kush ka pasur një të tillë nga Sigurimi i Shtetit ose, siç njihet shkurt, Ligji Veliaj i Hapjes së Dosjeve. Meqenëse është folur mjaft rreth këtij ligji të hartuar nga qeveria e maxhoranca, fill pasi në Parlament qe depozituar nga shoqëria civile Ligji i Lustracionit, ne do të përqendrohemi shkurtimisht, thjesht e me pak fjalë të prezantojmë thelbin e këtij Ligji dhe mandej të argumentojmë se pse Ligji Veliaj është ligji i Mbylljes së Dosjeve, degjenerimit përfundimtar të tyre, ndotjes definitive të këtij diskursi madhor e moral për shoqërinë tonë.

I porositur, siç thamë, me ngut të madh (siç beh rëndom mendimi i lig sherrxhi për t’iu kundërvënë suksesit të mundshëm të dikujt) ligji u shkrua nergut dhe iu dha z. Erion Veliaj ta depozitojë në Parlament me emrin dhe iniciativën e vet dhe ta trumbetojë me të madhe si Ligji “gjerman” i Hapjes së Dosjeve. Ligji Veliaj plasi si epidemi nëpër media, studio, tubime e turne në terren rretheve të Shqipërisë, duke përsëritur deri në absurd atributin kinse të tij: ligji “gjerman”, stili “gjerman”, modeli “gjerman…”, fryma “gjermane”, aq sa në këtë refren papagalli ranë edhe disa gjermanë simpatish të majta… Nuk do të hyjmë në hollësi krahasuese midis Ligjit gjerman dhe Ligjit Veliaj, që pretendon se është “gjerman”. Ne do të ndalemi në disa pika të dallueshme edhe për qorrat:

1. Ligji gjerman u krye paralelisht me Lustracionin që në fillim të zbatimit të tij, sidomos kur në periudhën pas lëvizjes qytetare (1990) deri në vitin 1992 këmbeu elitat politike e intelektuale të ish-RDGJ-së, kohë në të cilën elitat e kompromentuara me hierarkinë e lartë komuniste të udhëheqjes dhe strukturat bashkëpunëtore të  STAS-it u larguan nga funksionet politike e publike, për t’u mbyllur në sferën e aktivitetit privat.  Më tej, ligji ka vazhduar me amendime e përplotësime në detaje të imëta deri në vitin 2013, duke ua bërë të pamundur ligjërisht njerëzve të kompromentuar me diktaturën riciklimin e tyre në pushtetet politike e publike. Pra, qytetarët kishin të drejtë të njiheshin me dosjet e tyre, por nga ana tjetër, Autoriteti garantonte që kandidatët e kompromentuar në të shkuarën me STAS-in dhe hierakinë udhëheqëse të komunizmit do të dekonspiroheshin publikisht. Në këtë pikë, Ligji Veliaj s’ka asgjë të përbashkët me të për nga qëllimi.

2. Ligji gjerman e sheh hapjen e dosjeve dhe dokumenteve sekrete si një akt të rëndësishëm për njohjen e diktaturës, ndonëse ato nuk janë i vetmi mjet. Ligji shqiptar “Veliaj” jep vetëm një akses të mjerë personal për të parë se çfarë ka në dosjen e tij dhe asgjë më shumë.

3. Ligji gjerman i obligon institucionet shtetërore për të kontrolluar të dhënat e personit që rekrutohet në staf, pavarësisht deklaratës së detyrueshme që çdo punonjës duhet të paraqesë në togun e dokumenteve të detyrueshëm për “pastërti të figurës”. Ligji “Veliaj” as që e vë këtë ujë në zjarr.

4. Ligji gjerman e garantonte hapjen e dosjeve dhe dokumenteve sekrete për t’i shërbyer personit dhe publikut, që të njihen me krimet e diktaturës komuniste, duke mbajtur qëndrim ndaj persekutorëve dhe bashkëpunëtorëve të STAS-it, sikundërse ndaj hierarkëve komunistë (sekretarët e partive), duke mos i zgjedhur në asnjë funksion shtetëror e publik. Ligji kinse gjerman “Veliaj” e ka mprehur synimin vetëm tek bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit, ata që në zhargonin popullor quheshin “800 Lekësha” dhe nuk i sëkëlldisin fare hierarkët ish-komunistë, ish-ministrat, ish-sekretarët, ish-kryetarët e Frontit apo të levave të tjera të PPSH-së, sikundërse as drejtuesit dhe strukturat e Sigurimit të Shtetit me ish-hetuesit, ish-prokurorët, ish-gjykatësit, etj…

Pra, ligji kinse gjerman “Veliaj” bën vetëm një gjë: të mundëson, me gishtin ndër buzë (shshshsht!) të shohësh, në mirëbesim, vetëm dosjen tënde dhe… të heshtësh përjetë… ta mbyllësh gojën gjer në varr! Për Lustracion, as që bëhet fjalë!

Ndërkaq, e kemi thënë tashmë, se projektligji për Lustracionin, i hartuar nga z. Aleksandër Meksi në konsultim të gjerë dyvjeçar me juristë shqiptarë, gjermanë, polakë e çekë, u hodh poshtë. Ky projektligj Lustracioni që i kishte të gjithë elementët për një qasje definitive ndaj të shkuarës së errët komuniste, ndonëse u depozitua i pari në Parlament në emër të shoqërisë civile (duke iu hequr emri i hartuesit të tij), u hodh poshtë në të mirë të ligjit të paraporositur qeveritar – ligjit kinse gjerman “Veliaj”. Deputetët e maxhorancës e hodhën poshtë p/Ligjin për Lustracionin me argumentin se gjoja “bie ndesh me Kushtetutën”, pa pritur aspak që për këtë të shprehej, siç i takon me kompetencë ligjore, Gjykata Kushtetuese! Në fakt, qeveria kishte nxjerrë disa ditë para se të shtroheshin për diskutim dy p/ligjet njëfarë lajmi në media, disi të ndrojtur e nxitimthi, me dy-tre rreshta, ku bëhej me dije se ekspertë të OSBE-së e kanë konsideruar p/ligjin e Lustracionit si “antikushtetues”. Vini re: përsëri nuk shprehet Gjykata Kushtetuese, e cila ka tagrin e argumentimit, por OSBE, çka nënkupton se, meqë e ka thënë OSBE, s’ia vlen mundi më t’i drejtohesh Gjykatës Kushtetuese! Por një interesim i thjeshtë telefonik i yni me zyrën e OSBE-së, nëse mund të na e konfirmonin zyrtarisht deklaratën që kanë dhënë ekspertët e tyre mbi pavlefshmërinë dhe antikushtetutshmërinë e p/ligjit të Lustracionit, na informoi se nga ana e tyre nuk rezulton të ketë dalë një lajm i tillë. Pra? Dikush ka marrë kompetencat për ta përfaqësuar “në mirëbesim” OSBE-në për t’iu kundërvënë fiktivisht Ligjit të Lustracionit në emër të një organizate me prestigj dërrmues, pa autoritetin ligjor vendimmarrës.

Kështu, Ligji kinse gjerman Veliaj, që synon t’i mbyllë përgjithmonë dhe ato pak dosje dhe dokumente sekrete të Sigurimit të Shtetit, konsiderohet thuajse i miratuar në parlament. Ka mbetur thjesht çështje procedure. Maxhoranca dërrmuese sigurisht që do ta miratojë ligjin e porositur prej saj me “haxhele”. Kështu do t’i vihet kapak kauzës madhore të Dosjeve, transparencës dhe Lustracionit të shoqërisë për t’u amnistuar njëherë e përgjithmonë krimi, kriminelët dhe trashëgimia e restauruar komuniste në duart e pinjojve trashëgimtarë. Sidoqoftë, se çfarë është në thelb Ligji “Veliaj” i Mbylljes së Dosjeve, do mundohemi ta përcjellim përmes një analogjie, qëllimisht të trashë, por se boll të prekshme:

Imagjinoni se keni para jush një bashkëshort në moshë tashmë të shtyrë. Ju e njihni këtë bashkëshort, sepse keni dëgjuar që në vegjëli për brengën dhe traumën që ka bartur ai me dekada tok me të shoqen, e cila pjesën më të madhe të jetës e kalon nëpër pavijonet psikiatrike. Dikur, në muajin e tyre të mjaltit ka ngjarë tragjedia e tyre: një bandë burrash të dhunshëm e kanë përdhunuar të gjorën deri në zali. Pas kësaj ngjarjeje, gruaje e re nuk qe më në gjendje të vijë plotësisht në vete, andaj trauma më e madhe, ajo e vetëdijshmja, i kaloi të shoqit, i cili me dhjetëvjeçarë e shoqëroi nëpër spitalet psikiatrike, gjithnjë me shpresën e shërimit të saj dhe me shpresën e shpagimit ndaj personave të panjohur që ia bënë atë gjëmë. Mirëpo, një ditë dhjetori, krejt befas këtë zotëri me moshë të thyer e ndalon në rrugë një çunak me kollare alla komsomolas.
– Mirëdita xhaxha, – i thotë.
– Mirëdita… – thotë plaku.
– Ju jeni filani, – i thotë komsomolasi, – e di… jam në dijeni të plagës suaj që bartni përbrenda me vite e vite, qysh kur ju ndodhi…
– Kush je ti mor bir? – pyet plaku.
– Ndiqmëni xhaxha! Unë do t’ju tregoj shkaktarët e vërtetë të fatkeqësisë suaj më të madhe, e cila ju ka shkatërruar jetën tuaj bashkëshortore. E kam këtë mundësi.
Dhe plaku, aspak indiferent për fjalët që i thotë tipi komsomolas, e ndjek pas në zyrë, duke mërmëritur me vete “pa të shohim”…
Plaku ulet ku i thonë dhe pret me se do ta habisin. Tipi alla komsomolas ka zbritur nga raftet një dosje të pluhurosur e të lidhur me fjongo. E hap, shëtit sytë, kthen disa fletë dhe ia vë përpara plakut, duke ia kallxuar me gisht katër emrat:
– Ja, pra, xhaxho, janë këta katër të poshtër përdhunuesit e gruas suaj të gjorë këtu e sa vjet më parë. Ja ku i keni emrat e tyre: filani, filani… Doni t’i dini rrethanat, planin, pritën, hollësitë?
– Jo, – thotë plaku, duke mbyllur kapakët e dosjes. – I fiksova emrat… m’u gdhendën në tru. Rrofsh o bir, po a s’më thua, si mund t’i gjej këta dinsëzë? Deri më tash isha mirë, se nuk ua dija emrat, i kisha turbull, pa trajtë, pa fytyrë, pa emra… por tani… s’më thoni dot se ku t’i gjej?
– Aha, kollaj fare xhaxha… Që të katër janë njerëz të mëdhenj, në poste shumë të larta… njëri është në Gjykatën e Lartë, tjetri deputet në Parlament, i treti është miliarder, kurse i katërti… as… guxoj ta them dot.
– Po atëherë pse m’i tregove emrat e tyre? – revoltohet plaku. – Çfarë mund t’u bëj unë atyre?
– T’i rruaç për mëngjes, xhaxha, – thotë komsi me kollare.
– Po pse m’i kallxove?
– Se kështu thotë ligji, xhaxha, ligji i ri i shtetit që e kam hartuar unë, – justifikohet me krenari komsomolasi ynë.
– Cili ligj more?! Ç’parashikon ai ligji yt? Pse nuk ua hidhni prangat?
– Jooooo xhaxh, jooo… ule zërin, ule… shshshsht! – vë gishtin në buzë komsi ynë dhe i shkel me finokëri syrin. – Ky informacion ishte i rezervuar vetëm për ju, tek pullë dhe kurrë mos ta marrë vesh njeri tjetër!
– Po ligji! Po prangat! – sa nuk ulërin plaku i përndezur nga zemërimi.
– Shshshsht, xhaxho, ule zërin, të lutem… qetësohu… dhe tani dëgjo: ne jemi shtet i lirë, demokratik, që ruajmë dhe respektojmë të dhënat intime, personale. Kaq kishim për detyrë t’ua themi, thjesht mbase juve ju intereson t’i njihni nga afër përdhunuesit e gruas suaj… të shkretë. Kaq kam në dorë unë si Ministër hartues i këtij ligji.

Brenda kësaj analogjie do ta gjejnë veten të gjitha viktimat e komunizmit, njerëz të survejuar, të dënuar, të spiunuar. Ligji i Veliajt u jep mundësinë ta njohin fytyrën e keqbërësit, e cila deri dje ishte abstrakte, ndërsa tani bëhet konkrete, e mishëruar me një qenie me emër e mbiemër, për të cilët ligji i Veliajt nuk parashikon as edhe një masë. Maksimumi i mundshëm që mund të nënkuptojë ky ligj është: “Nëse dëshironi të kini turp, kini. Nëse nuk dëshironi, mos e vrisni mendjen”.

Por, po të kemi parasysh se para disa ditësh, një gazetë e përditshme botoi një speciale të z. Aleksandër Meksi ku dëshmon me dokumente autentikë urdhrat e ish-Ministrit të Brendshëm të diktaturës në vitin 1990 për zhdukjen e 29 mijë dosjeve të periudhës 1982-1992, bëhet e qartë se sa shumë është kujdesur nomenklatura për ta pastruar veten dhe ata persona të përpunuar që do t’i riciklonte në demokraci si elita politike në spektrin e partive tona. Është e qartë se spastrimi i dosjeve ka vazhduar, kryesisht për ata aktorë të sotëm të politikave dhe zotëruesve të monopoleve ekonomike-arsimore e kulturore. Dhe nëse hapen ato dosje të mbetura, le të ngushtohet sfera e tyre tek ca mjeranë me njolla në biografi, mbi të cilën u lëshua egërsia e makinës së regjimit për t’i thyer me çdo kusht (sepse ata që nuk thyheshin kalonin nëpër të gjithë nivelet e lebetisë). Kështu ligji Veliaj drejtohet vetëm ndaj këtyre mjeranëve, shkallares më të fundit e më minore të diktaturës, duke mbrojtur bishat e vërteta, Komitetin Qendror të PPSH-së, Komitetet e Partisë nëpër rrethe, të gjithë kuadrot e ministrive, gjithë establishmentin e propagandës, shtypit, Sigurimit, instituteve, Lidhjes së Shkrimtarëve, Akademisë, Kinostudios, Ushtrisë, etj, etj.

Dhe kur ligji Veliaj i Mbylljes së Dosjeve do të hapet për këta mjeranë, shërbëtorë të dobët e fatkëqinj, atëherë do të duken dhe frutat e hidhura të kësaj stine mashtrimtare: trashëgimia enveriste e veshur me petkun e sjelljes liberale “politkorrekte”, me nënqeshje e cinizëm do të nisë të pëshpërisë gjithë e më fort, deri në sokëllimë, se “ja, dikur shoku Enver i pati konsideruar këto klasa si fundërrinat e historisë. Ne nuk i besuam, por, ke parë ti, që shoku Enver paskësh pasur të drejtë! Ja, dosjet u hapën dhe shiheni vetë kush paskan qenë ata për të cilët ndjenim dhimbje, mëshirë, keqardhje…  Njerëz të ulët, që spiunonit njerëzit e tyre”. Ligji Veliaj i Mbylljes së Dosjeve po përgatit ridënimin, rideklasimin e krundeve të diktaturës, për t’ia mveshur mandej këtë imazh gjithë klasës martire që duroi peshën e dhunës më të egër, gjenocidin stalinist shqiptar për një gjysmë shekulli.

Në tragjedinë antike greke, të gjitha dramat e Sofokliut, Euripidit apo Eskilit, kur viheshin në skenë, kryenin funksionin më të rëndësishëm artistik (estetik dhe edukativ) – katharsis-in aristotelian: njeriu, duke e përjetuar intensivisht dramën në gjithë trajektoren e saj, me kulmin dhe zgjidhjen, filtrohej shpirtërisht përmes perdes së valë të lotëve. Ky ishte katharsis-i, pastrimi. Dosjet e komunizmit tek ne duhet të përmbushin pikërisht këtë rol, pastrimin tonë të dhimbshëm nga e keqja dhe ky proces është një pasurim i madh shpirtëror e moral, me vlerë për të nesërmen.

Ligji i Dosjeve “Veliaj”, që po miratohet në Parlament, është tallje me dramën e vërtetë shqiptare. Ky ligj synon që tragjedinë tonë ta vërë në skenë si komedi. Se një tragjedi pa katharsis është më keq se një komedi.

 

0

(In memoriam me rastin e vdekjes së shkrimtarit të madh turk Yasar Kemal 1923-2015)

Janë të pakët ata shkrimtarë, të cilëve u bie shorti i lumtur të lëshojnë rrënjë aq të thella në tokën amtare, në popullin e tyre, aq sa bashkatdhetarët e tij ta quajnë shprehës të shpirtit të tyre, simbol të ndershmërisë, sinqeritetit, dinjitetit. Një tipi të tillë i shkon plotësisht për shtat shkrimtari i madh, tashmë klasik i padiskutueshëm i letërsisë turke të shekullit XX, Jashar Qemali.

I lindur në Hemite-Gynseli të rajonit Muradije pranë Adanasë me 1923 ku kaloi fëmijërinë, Jashar Qemali (emri i vërtetë Kemal Sadik Gynseli) ende djalë i njomë njohu punën e rëndë: që të fitojë bukën e gojës ai e braktisi shkollën dhe që aso kohe ndërroi mbi dyzet lloje punësh. Fati i solli shkrimtarit të ardhshëm një sërë sprovash të mundimshme, përvoja të rënda e të hidhura, të cilat veçse e forcuan karakterin e pavarur të djaloshit, i mprehën aftësitë vëzhguese, e bënë zemrën e tij më të ndjeshme ndaj dhimbjes dhe barrës së vështirë njerëzore, duke e njohur më afër njeriun e thjeshtë, masën anonime të popullit turk, me të cilin ai e shkriu veten e tij.

Që në fëmijëri, si rezultat i një aksidenti humbi syrin e djathtë, kur i ati po ndante një dash kurbani për festën e Kurban-Bajramit, ndërsa në moshën pesë vjeçare përjetoi para sysh vrasjen e të atit në xhami, një ngjarje traumatike kjo, që i shkaktoi tronditje të fortë nervore me pasoja humbjen e të folurit për disa vjet me radhë.

Në shkollën fillore të fshatit Jashar Qemali shkoi vetëm kur arriti moshën 9 vjeç.

Ndonëse lexuesi shqiptar e njeh shkrimtarin Jashar Qemal përmes dy romaneve të tij “Shtylla” në vitet shtatëdhjetë dhe “Memet Imcaku” në fillim të viteve tetëdhjetë (plus disa tregimeve të poakta në shtypin periodik apo ndonjë antologji), për jetën e këtij shkrimtari ka pasur më fort pasaktësira dhe legjenda, mendoj, jo të paqëllimshme. Kështu, shkrimtari ynë Dritëro Agolli, duke dashur, me gjasë, t’ia përshtasë shkrimtarin legjendës së njeriut të varfër, të dalë nga populli, i injoron faktet biografike të jetës së Jashar Qemalit dhe na afron një imazh qëllimshëm të reduktuar të jetëshkrimit të tij, sikundër e gjejmë në parathënien e romanit “Memet Imcaku”: “Letërsinë ai nuk e mësoi në universitete, pasi ka mbaruar vetëm shkollën fillore. Universitetet e tij kanë qenë rrugët, arat, lumejtë, uzinat dhe profesorë kanë qenë njerëzit dhe librat, veçanërisht fshatarët dhe rapsodët me këngët dhe historitë e tyre1”. Sigurisht që ndikimi i librave, rapsodëve dhe krijimtarisë popullore është i jashtëzakonshëm në formimin e personalitetit dhe imagjinatës artistike të Jashar Qemalit, sikundërse i njohur është edhe roli i vetëkulturimit apo nxënies autodidakte për shumë shkrimtarë, por Agolli nuk kishte pse t`i bënte Jashar Qemalit ndere të tilla krejt të panevojshme, duke fshehur faktet e formimit të tij.

Kështu pra, pas mbarimit të shkollës fillore në fshatin e tij të lindjes, Jashar Qemali kryen arsimin e mesëm në Kadirli. Në vitet e rinisë, pas shkollës së mesme, ai sërish vazhdon të punojë herë hamall, herë punëtor në fabrikat e pambukut, mandej në një fermë orizi, herë traktorist e rojtar kanalesh vaditëse të fermerëve të pasur, gjithmonë duke vëzhguar nga afër jetën e fshatarëve të provincave dhe nganjëherë, siç pohon shkrimtari vetë, duke u mësuar këtyre fshatarëve se si të vjedhin ujë natën, pahetueshëm, prej kanaleve vaditëse.

Në vitet 1941-1942 Jashar Qemali punoi mësues në një shkollë fshati, e mandej ndihmës bibliotekar ku pati mundësi të njohë e lexojë letërsinë më të mirë turke dhe botërore.

Duke njohur mirë pasionin e djaloshit për letërsinë bashkëfashtarët e tij arritin të grumbullonin një shumë të mjaftueshme parash dhe e dërguan të studiojë në Universitetin shtetëror të Stambollit. Pas mbarimit të universitetit Jashar Qemali ka punuar për një kohë të gjatë gazetar i të përditshmeve turke (“Xhumhuriet”), e më vonë, kur fama e tij në ngjitje kapërceu kufijtë e Turqisë, ai u bë shkrimtar profesionist (1963).

Poezinë e tij të parë Jashar Qemali e shkruajti që në fëmijëri, për vdekjen e xhaxhait të ti cub. Publikimin e nis që në vitin 1939, ndërsa në vitin 1944 boton tregimin e tij të parë. Në vitin 1962  bëhet anëtar i Partisë së Punës së Turqisë. Me 1967 themelon gazetën e përjavshme shoqërore-letrare “Ant”, e cila doli deri në vitin 1971. Dy romanet e tij të parë qënë ndaluar nga censura në Turqi për shkak të kritikës së mprehtë sociale. Probleme të tilla me cesurën do të ketë shpesh deri në ndalimin dhe burgimin për shkak të propagandës seperatiste. Sidoqoftë vepra e Qemalit është vlerësuar shumë në Turqi e jashtë saj. Shembull janë mbi tetëmbëdhjetë çmime të rëndësishme letrare deri tek nominimi disa herë për çmimin nobel. Këto ishin disa fakte biografike.

Veprat e Jashar Qemalit i kushtohen kryesisht jetës së punëtorëve turq e kurdë në të kaluarën e në të tashmen. Këto vepra dallohen për humnaizmin e thellë, poetizmin depërtues, të mbushura me imazhe folklorike; subjektet sillen në sfondin e ngjarjeve tragjike në fshatin turk, ku nuk pushon lufta kundër shfrytëzimit dhe dekompozimit social me format atavike të fuedalizmit tipik krahinor dhe sidomos me prirjen fanatike e patriarkale të jetesës. Mund të gjesh ende në hapësirën e provincave  turke fshatra të ngjashme, ashtu siç përshkruhen në romanet e shkrimtarit.

Suksesin e madh letrar Jashar Qemalit ia solli romani i tij “Memet Imcaku” (1955), që u bë një dukuri e shënuar në letërsinë turke. Në këtë roman Jashar Qemali na shpërfaq në një dritë të re imazhin e cubit fisnik, sepse ai na paraqet nga një perspektivë tashmë e re luftën për një jetë të drejtë e me dinjitet, luftë të cilën e vazhdon këmbëngulshëm në mënyrën e vet çdo brezni fshatarësh. Romani menjëherë që përkthyer në më se 40 gjuhë të botës.

Në vitet ’50 të shek. XX në Turqi merr hov idustrializimi, në mënyrë të veçantë teknologjizimi i bujqësisë. Në këtë periudhë Jashar Qemal gjen dhe konfliktet tipike për zgjerimin dhe zotërimin e tokave pjellore, tok me pasojat që rëndojnë për fshatarët e varfër. Jashar Qemali i ka pasqyruar në veprat tij thelbet dramatike e tragjike të këtyre konflikteve deri në rebelime të armatosura. Veçanërisht i këtij karakteri është romani “Ince Memed” – Memet Imcaku. Jashar Qemali jo vetëm përshkruan bëmat e heroit tij epik me të njëjtin emër të veprës, që u bë legjendë, i cili qe i detyruar për shkak të arbitraritetit të Abdi agës të dalë cub në male dhe të fillojë luftën për drejtësi, por njëkohësisht na rrëfen dhe për fosilizimet arkaike të së shkuarës në mentalitetin e shoqërisë.

Linja syzhetore e romanit është rebelimi i Memet Imcakut, që del kundër arbitraritetit të agait mbi mjerimin e fshatarëve. Përshkrimi i ngjarjeve ngjet në sfondin e një lufte të gjatë të fshatarëve kundër agait, zotëruesit të të gjitha tokave të pesë fshatrave në malet e Tourusit. Lufta përmbyllet me vrasjen e Abdi agës nga Memet Imcaku dhe shpërndarjen e tokës të gjithë fshatarëve, dhe, në finale, me ikjen e sërishme të Memetit në male dhe transformimin e tij në një hero legjendar.

Siç ka shkruar vetë Jashar Qemali – Inxhe Memed është  një – ”hero me pahir”, domethënë hero atë e bëri situata që u krijua në shoqëri dhe në vend. Autori krijoi me Memet Imcakun një imazh përmbledhës të heroit bashkëkohor popullor përmes sintezës së legjendave, përrallave, proverbave dhe motiveve të folklorit turk.

Mirëpo “Memet Imcaku” shënon vetëm fillimin e famës së Jashar Qemalit si shkrimtar. Për një kohë të gjatë ai i kërkonte temat e tij me mjaft durim e këmbëngulje, sikundërse dhe heronjtë e tij, e në mënyrë të veçantë manierën e tij adekuate stilistike që t’i përshtatej veprës. Për trilogjinë  “Shtylla/ Orta Direk” (1960), “Toka- hekur, qielli-bakër” (1963), “I pavdekshmi” (1969), kemi tashmë tablo të gjera që përshkruajnë jetën e fshatit në çdo qelizë, përpjekjet dhe sakrificat prekëse të të varfërve, që janë të detyruar të punojnë tej fuqive nën diellin përvëlues në fushat e pambukut të Çukur-Ovasë për fare pak grosh, me një shpresë të vakët, se mos ia dalin të shlyejnë borxhet, të cilët u rëndojnë si barrë kërrusëse mbi supe përgjatë gjithë jetës.

Në të gjitha këto vepra Jashar Qemali rikrijon tablo epike e elegjiake të kohës, vendos problemet më të rëndësishme të historisë nacionale, mediton mbi çështjet rrënjësore të qenies dhe ekzistencës. Një dimension i tillë i shtrirë i problematikës, kuptohet, ia ka ndryshuar dhe vetë karakterin romanit-epope, duke i dhënë atij tipare të reja.

Veprat e Jashar Qemalit janë pritur brenda e jashtë Turqisë gjithmonë me interes. Arsyeja e këtij interesi nuk është vështirë të kuptohet, ngase në veprat e këtij shkrimtari lexuesi gjen kolizionet ngërthyese dramatike, probleme të rëndësishme jetike, morale dhe etike, që e kanë trazuar gjithmonë popullin turk. Imazhet e Jashar Qemalit rriten në mënyrën më bindëse.

Mjeshtëria dhe troçësia e shkrimtarit, karakteri i tij polemik e ndonjëherë pamfletist, karakteristik për romanet e tij të para dhe, sidomos idetë politike të majtizmit të tij ekstrem në fillim kanë nxitur jo pak oponentë për ta fajësuar shkrimtarin në dendësimin e qëllimshëm të ngjyrave, në tendencën për të paraqitur vetëm “anët me hije të jetës”. Për fat të keq lexuesi shqiptar njeh vetëm dy romane të Jashar Qemalit, pikërisht të kësaj periudhe. Por një njohje e mirë e veprës së tij, sidomos periudha e pjekur e pas viteve 1970, zbulon gjuhën dhe mjeshtërinë e begatë në strukturat semantike të romaneve të të tij, një poetikë të veçantë e të ndërlikuar të romanit, ku edhe në zymtësinë dhe fatalitetin e situatave feks një dritë e çmendur që vjen duke u forcuar, që  është dhe zanafilla optimiste, ashtu siç shndrin drita e hollë, e padukshme, sa një majë gjilpëre nga sytë e heroit të tij më popullor, Memet Imcakut.

Maniera narrative e Jashar Qemalit është e kuptimësuar filozofikisht dhe e shpirtëzuar poetikisht. Parabolat, këngët, metaforika, reminishencat nga repertori popullor i japin veprës së tij të gjerë e të larmishme një kumbim të veçantë këngëzues, një poetizëm në kuptimin e lartë të kësaj fjale. Ndërsa në novelat “Legjenda e Binbogut” dhe “Tre legjenda anadolliane” autori u kthehet direkt gojëdhënave popullore, duke i rikuptimësuar ato në dritën e filozofisë bashkëkohore dhe të problematikës morale. Megjithatë theks të spikatur i vihet lidhjes me të shkuarën, në të cilën Jashar Qemali sheh mjetin e arritjes së të tashmes. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për një novelë të vogël me titull “Legjenda e malit”, të ndërtuar në frymën e rrëfenjës popullore me përfshirjen e gjerë të elementeve të ndryshëm folklorikë.

Jashar Qemali është kryesisht romancier. Leximi i romaneve të tij, rëndom të vëllimshëm, krijon përshtypjen, se për një fluturim apo kërcim pindarik atij i duhet të ndehë flatra të mëdha. Por kjo është veçse përshtypja e parë. Por edhe proza e tij shkurtër, tregimet dhe novelat shfaqin një anë të çmuar të dhuntisë së tij si njohës i hollë i psikologjisë dhe koloritit fshatar; humori i hollë çehovian, simpatia e thellë për të dobëtin dhe të pambrojturin, i cili bie lehtë në kthetrat e demogogëve dhe egoistëve.

Për fat të keq, deri më sot njohja jonë me krijimtarinë e këtij shkrimtari të madh turk kufizohet me dy romanet e tij të hershme, ku talenti dhe dhuntia e tij ende nuk ishte shfaqur me tërë forcën e poetizmit dhe psikologjisë tejpërshkuese. Ky është një fakt, që për kulturën tonë letrare kërkon një vëmendje në perspektivë, për të njohur më mirë veprat e pjekura të shkrimtarit.

Disa nga veprat më të rëndësishme të Jashar Qemalit, siç i ka klasifikuar kritika turke janë “Teneqja” (1955);, “Toka -hekur, qielli-bakër” (1963), “Efe nga Çakirxha” (1972), “Legjenda e malit” (1970), “Cubi” (1972), “Nëse e vret gjarprin” (1976), “Zëri i gjakut” (1991), dilogjia “Zotërit e visit Akçasaz” (“Vrasje ne pazarin e Kovalit” (1973) dhe “Jusuf o i vogëlthi Jusuf” (1975), që rrëfen jetën e endacakëve turq, sikundërse dhe vëllimi me tregimi “Përvëima” (1952) tok me librin me reportazhe “Ky bend nga skaji në skaj” (1971).

…………………………………………………………….

1Dritëro Agolli: Vepra e një personaliteti të madh të letërsisë turke, parathënie e romanit Memet Imcaku të Jashar Qemal, fq 5, sh.b Naim Frashëri, Tiranë 1983

 

0

Nuk jam në dijeni të hollësishme për marrëveshjen pozitë-opozitë lidhur me çështjen e personave me poste publike, që kanë precendte penale.

Por shohim, si gjithmonë, zhurmën që prodhohet në media dhe, gjykuar nga situata informative e diskursive që i instalojnë qytetarit tonë analistët (të njëjtit!) nëpër studio, kuptohet lehtë se është fjala për një rregjim fiktiv të tranferimit të fajit tek kundërshtari.

Kjo është gjëja që më së paku i intereson shoqërisë sonë, e cila po çuditet e neveritet nga bëmat e përfaqësuesve që ka zgjedhur vetë majtas apo djathtas qofshin ata. Sigurisht qytetari ynë kur i ka votuar, pa paragjykim, qoftë edhe kur votën e tij ka pranuar ta shesë në këmbim të mjerimit të vet, e ka ditur së paku, se përfaqësuesit e tyre nuk janë engjëj të rënë nga qielli. Ajo që e trondit sot qytetarin tonë është shkalla e paskrupullt e zhytjes dhe njehësimit me krimin e gjithëllojshëm, që këta përfaqësues e kanë pasur e që tash, ka teptisur e ka dalë në rrugë, ditën për diell.

Por ciladoqoftë "marrëveshja", edhe nëse ajo ndodh sa për sy e faqe, ajo nuk ka funksionuar e nuk mund të funksionojë, përderisa tonin po e diktojnë shantazhet, përbetimet, killerat dhe tritoli. Dhe e gjithë kjo kulturë lemeritëse, që po instalohet më të gjitha rrafshet e përditshmërisë tonë, ka ngjallur një psikozë të rëndë frike e pasigurie, duke e shndërruar habitatin tonë shoqëror në një xhungël. Instrumentat ligjor janë, nuk duhen shpikur. E keqja nuk qëndron tek ligjet dhe institucionet, por tek vullneti për t`i zbatuar ato institucionalisht. Një vullnet i tillë nuk ekziston, sepse vetë institucionet që duhet t`i zbatojnë këto ligje, komandohen nga struktura të kriminalizuara.

Rendi publik ka dështuar në përballje me ta. Madje me një dështim fantastik, duke u vetëdiskretituar. Drejtësia po ashtu. Partitë kryesore të pozitës dhe opozitës, që janë tutorë të vërtetë të figurave të inkriminuara në pushtet, kanë përgjegjësinë për këtë gjendje të pashpresë ankthi e pasigurie.    

Çdo mendje e shëndoshë, normale, nuk do të dëshironte ta shihte vazhdimin e jetës së vet e të familjes së tij këtu, në perspektivën e një Shqipërie të tillë ku sundon retorika dhe tritoli, droga dhe vrasjet e porositura. Kjo që po shohim sot, është veçse pasoja. Shkaku është higjena e pistë politike që e ndërton identitetin e saj me portrete të errët banditësh e killerash. Përndryshe – pyesim ne – nga na erdhi ky lloj antropoidi? Nga Marsi? Dihet pra, politika e lartë i solli në pushtet. Ndaj unë nuk kam asnjë pritshmëri kur palët politike përlyhen e zhyhen në krim e korrupsion.

Po cilat janë vështirësitë që e bëjnë të pamundur kryerjen e këtij procesi  dekriminalizimi në mënyrë të besueshme dhe të qëndrueshme? A ekziston ndonjë mundësi e tillë, që kjo dukuri mbisunduese, në mos krejtësisht, të paktën të ketë një kufi, që jep shpresë, se në të ardhmen me përpjekje e vullnet të mirë të mund të vihet nën kontroll?

Vështirësia kryesore është degradimi i elitave politike. Fatkeqësisht ata (partitë e mëdha politike) e kanë në dorë përfaqësimin, mënyrën si të përfaqësohen. Ata kanë të drejtë të zgjedhin dhe zgjedhin më të pasurit, më të fortët, më të aftët për të kallur tmerr e shantazh. Kur nuk kanë siguri, partitë veprojnë si superbanka.

Në bashkëpunim me elementët e kriminalizuar, investojnë paratë e krimit, për të përftuar një të ardhme të sigurtë të horizontit kriminal në krejt vendin. Krediti i bankës së krimeve e vetpërfton identitetin duke u shumëfishuar, tashmë duke ardhur në pushtet, me një hapësirë të pamatë, të shfrenuar, me kushte e asete te reja, i mbrojtur nga politika e lartë dhe ligjet e shtetit dhe, sidomos, me një sistem drejtësie e cila u shërben në rolin e foljeve ndihmëse e gjysmëndihmëse.

Ne kemi paraë mjaftueshëm e deri në bezdi, se si këto mekanizma gjasme ligjor veprojnë arbitrarisht e në mënyrë selektive nga policia tek gjyqet, duke ushtruar një terror e dhunë arbitrare mbi subjekte private e të vobegëta, ndërsa heshtin e ndërtojnë alibi kur ndeshin me krimin e strukturuar në sistemn, me korrupsionin që po trand Europën. Kësaj i thonë të kapësh e të ndëshkosh pa mëshirë një hajdut xhepash dhe të heshtësh e të përligjësh vrasjet tronditëse, aferat, kartelet e drogës që i udhëheq dhe drejton politika e lartë në parlament.

Dhe deri sa të kemi një qasje të tillë mentale të politikës, e cila zgjedh të identifikohet në këtë mënyrë, zor se do të ketë shpresë për dekriminalizimin e pushtetit. Sepse një qasje e tillë terrorologjike, mbush radhët e Parlamentit dhe institucioneve publike të shtetit me këtë format terroristi. Ajo që kemi në dorë tash për tash, është vota për t`i hequr qafe. Por dhe kjo kërkon guxim të madh, vetëdije të palëkundur, sepse liria e votës tënde, vjen duke u ngushtuar nga presioni i parasë, shantazhit, premtimeve dhe formave të tjera frikësimit.

Një ditë as këtë luks më nuk do ta kemi. Një ditë edhe kjo pandehmë, se krimi mund të ndëshkohet me votë, mund të mos jetë më shpresë. Atëherë çafrë ndryshimi ka midis një diktature politiko-ideologjike dhe një diktature banditeske? Që të dyja të kallin tmerr dhe lemeri.

Shoqëria shqiptare sot është më e tradhëtuar se kurrë; atë e kanë tradhëtuar përfaqësuesit e zgjedhur prej saj, institucionet e rendit dhe drejtësisë, sikundër se dhe instrumentat e tjerë shtetërorë të shtrëngimit e detyrimit, të gjobës dhe ndëshkimit, pa krijuar asnjë shtegdalje tjetër, përderisa premtimet për punësim, drejtësi e rend publik, dolën shakaja më e hidhur e më e tejzgjatur e pushtetit, që i nxorri stoqet 300 ditëshe me suksese mu në autostradë… si duket, për të na i shitur për pesë pare spec djegës.
 

1

(Letra përcjellëse dërguar Parlamentit shqiptar me firmat e peticionit për Hapjen e plotë të Dosjeve të diktaturës dhe Lustracionin në Shqipëri)

I nderuar kryetar i Parlamentit, z. Ilir Meta,

Me nismën tonë personale, të shkrimtares dhe gazetares së “Dutsche Welle” në Bon, znj. Lindita Arapi dhe timen, nisëm që nga shtatori i vitit 2014 një fushatë mbështetjeje për apelin drejtuar Parlamentit shqiptar mbi hapjen e plotë të dosjeve të diktaturës dhe Lustracionin në Shqipëri.

Ka qenë një shqetësim i vjetër e i përhershëm qe ne e kemi pasur, si shumë të tjerë, shqetësim i cili rritej kohë pas kohe, duke parë mënyrën se si ka vazhduar të trajtohet çështja e dosjeve dhe Lustracionit në Shqipëri. Por shkak i fortë për nisjen e këtij peticioni u bë një takim që kemi pasur në 9 mars të vitit 2013 në Parlamentin gjerman me dy eurodeputetë. Pyetja jonë ishte e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë: “Përse ndër shumë detyrat që u jepni qeverive shqiptare për arritjen e standardeve të BE-së nuk u nisni dhe kryedetyrën: të pastrojnë të shkuarën komuniste, trashëgiminë e saj me hapjen e dosjeve dhe Lustracionin?”. Përgjigja e eurodeputetëve ishte gjithmonë e njëjta: “Nuk mund të ndërhyjmë në këtë problem, përderisa këtë nuk e ka ngritur shoqëria civile shqiptare”.

Atëherë ne nisëm një lëvizje të tillë, duke ia filluar nga elita intelektuale e Evropës dhe duke zbritur në Shqipëri. Ajo që na habiti dhe gëzoi, ishte gatishmëria dhe mirëkuptimi i njëqind firmave nga Evropa, intelektualë që na mbështetën, siç duket edhe nga peticioni, nga gjithë harta e vendeve të Evropës. Nga data 28 janar e në vijim peticioni është firmosur edhe në Shqipëri në format e drejtëpërdrejta dhe online. Pa asnjë organizim, peticioni drejtuar Parlamentit shqiptar është firmosur spontanisht dhe me vullnet të lirë, në mungesë të çdo forme imponuese.

Ne mendojmë se peticioni përfaqëson mjaftueshëm mbështetjen rreth çështjes së hapjes së plotë të dosjeve sipas ligjit gjerman, si hap paraprak për Lustracionin e domosdoshëm të politikës dhe shoqërisë shqiptare dhe, që të mos keqkuptohemi, apeli ynë është jo për ligjin që keni parashikuar ju në agjendën parlamentare. Pra jo për ligjin e hartuar nga z. Veliaj, i cili ligj, përkundër propagandës, nuk është ligji gjerman dhe nuk shpreh thelbin e transparencës që parashikon hapja e plotë e dosjeve të ish-Sigurimit të shtetit komunist. Me fjalë të tjera, ky ligj, të cilin e kemi studiuar imtësisht, mund të shërbejë si alibi për një akses informativ në dosje, por që në fakt ai amniston kategorinë më të rëndësishme të organeve të dhunës dhe përndjekjes, që kombinonin luftën e egër të klasave dhe terrorin masiv verbal e joverbal. Ne i nderuar kryetar nuk propozojmë ligje e projekt-ligje, sepse kjo nuk është në tagrin tonë, por gjithashtu nuk mund të pranojmë një linjë të tipit “fast-food”, që i prodhon ligjet nergut si në një sprint sportiv. Pastaj projekt-ligji i z. Veliaj nuk ka asnjë element të Lustracionit.

I nderuar kryetar i Parlamentit shqiptar, z. Ilir Meta,

Ne, nismëtarët e peticionit, shpresojmë fort te ju, se do të gjejmë te personi juaj një mirëkuptim të plotë dhe se çështja e hapjes së dosjeve të diktaturës dhe Lustracionit do të shtrohet me seriozitet dhe se, duke pasur parasysh dështimet e kaluara, qasja ndaj kësaj çështjeje nuk do të degradojë në një aksion të zbehtë, gjysmak, i cili në vend që ta zgjidhë këtë çështje kryesore të shoqërisë, të prodhojë probleme të reja, akoma më të rënda.

Shqiptarët duhet të ndahen njëherë e përgjithmonë nga fantazmat e diktaturës dhe trashëgimia kriminale e komunizmit jo më me retorikë, por me ligj, ashtu siç i kanë bërë shoqëritë e tjera postkomuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Duke shprehur edhe njëherë besimin tonë në mirëkuptimin tuaj, ju përshëndesim me të parat fjalë që iu drejtua Papa Gjon Pali II besimtarëve në sheshin San-Pietro: “Toutus tuus!” (mos kini frikë!).


Në emër të nismëtarëve të peticionit për hapjen e dosjeve dhe Lustracionin,
Agron Tufa, shkrimtar,
Drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK)

0

Parlamentit shqiptar, kryetarit të tij, z. Ilir Meta

I nderuar Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë, zotni Ilir Meta,

Nisur nga një shqetësim i hershëm, i gjerë dhe i përhershëm publik, që ka të bëjë me mungesën e plotë të vullnetit politik për dënimin ligjor të krimeve të komunizmit në Shqipëri përgjatë 24 viteve pas rënies së diktaturës, më lejoni t’ju drejtohem me këtë epistulë, për t’u dhënë zë, siç besoj unë, edhe atyre qindra mijëra bashkëqytetarëve tanë, të cilët, në një mënyrë a në një tjetër kanë pritur të vendoset drejtësia, ligji, transparenca dhe paqja e përgjithshme kombëtare në shoqërinë tonë.

Mjerisht, kjo nuk ka ndodhur! Njerëzit tanë, qoftë nga radhët e viktimave të komunizmit, qoftë nga radha e të paprekurve nga dhuna e survejimi komunist, kanë pritur me vite vullnetin e njëmendët të klasës sonë politike për një ekzorcizëm të plotë të së keqes, të drejtësisë dhe transparencës dhe janë zhgënjyer, kanë humbur besimin. Të alienuar nga masa të rrejshme, gjysmake, që synojnë çaktivizimin e problemit me show të shumtë politikë e mediatikë, ata tashmë kanë kaluar në një monolog të topitur, që është rezultat i pafuqisë së tyre. Ç’gjendje më të dëshpëruar se kjo mund të ketë për një shoqëri, së cilës i rrëfehet se rruga jonë e së ardhmes janë dyert e Bashkimit Europian? Si mund të synohen ato dyer të qytetërimit me këto trauma që i tërheqim prej së shkuarës, me këtë lëndim të pamort e me këtë pamje të egërsuar dhe me eshtrat e mijëra qytetarëve të pushkatuar, të cilëve ende nuk u dihen varret? Dhe dyert e qytetërimit europian, i nderuar zotëri, nuk hapen kanatësh për të hyrë, më së pari, xhelatët e kriminelët që ushtruan mbi bashkatdhetarët e tyre persekutimin më të pashembullt në historinë e pasluftës së Dytë Botërore! Atëherë shtrojmë pyetjen: çfarë mësimi moral po u lëmë ne brezave pasardhës? Mos vallë atë që pohon në vargjet e tij një poet shqiptar: “Fitimtarët – fitimtarë, të mundurit – të mundur përsëri”?

Sepse, për hir të së vërtetës, kujtesa jonë kolektive nuk mund të reduktohet në një kujtesë peshku – sikur e gjithë kjo fatkeqësi kombëtare të paskësh ndodhur në shekujt antikë! Kujtesa jonë – po, është topitur nga mosdashja e klasës politike për të vepruar, për t’u përballur me të keqen, por kujtesa jonë është aty, ndryshe nga ç’mendojnë relativizuesit e saj të politikës së lartë se, me gjasë, koha është aleate e mosveprimit dhe harrimit të krimeve. Gabohen, zotëri, gabohen rëndë! Kujtesa është aty – tatuazh në lëkurën e atyre që u morën dhunshëm, u pushkatuan mesnatash pa gjyqe, u burgosën dhe u dërguan nëpër kampet e shfarosjes me punë të detyruar. Kujtesa është aty, edhe pse xhelatët e djeshëm ligjërojnë drejtësinë dhe të drejtën ligjore nëpër katedra universitetesh e akademish, edhe pse kanë zënë pozicionet më të larta në hierarkinë e drejtësisë, edhe pse kanë arritur majat marramendëse të politikës së lartë, të drejtimit të institucioneve shtetërore, arsimore e kulturore. Viktimave dhe bijve të tyre u takon të përballen në këto instanca të larta të shtetit me persekutorët e tyre të paskrupullt. Dhe kjo është e neveritshme, e papranueshme, e turpshme! Ky qenka çmimi i lirisë dhe cilësia e saj? A e keni pyetur ndonjëherë këtë popull që përfaqësoni, zotëri, se ç’mendim ka ai për higjienën e përfaqësimit nga politika e lartë deri në institucionet edukuese?

Një peizazh të qartë ua dha, zotëri, sondazhi i kryer nga z. Eduard Zaloshnja i para dy javëve, me shifra shokuese, sipas të cilit 83-84% e popullsisë (ish-të persekutuar nga komunizmi ose jo) ishin për hapjen e dosjeve dhe Lustracionin.

Një përgjigje, gjithashtu të qartë, e jep peticioni publik me firmat e elitës intelektuale të Europës dhe Shqipërisë, që ju bën apel për hapjen e plotë të dosjeve sipas ligjit gjerman dhe Lustracionin. Pra, shoqëria shqiptare e ka dhënë opinionin e saj se çfarë mendon, duke qenë si gjithnjë në avangardë të zhvillimeve. A do t’i përgjigjen vallë përfaqësuesit e saj të zgjedhur në Parlament, apo do të bëjnë si gjithmonë “një vesh shurdh e një sy qorr”, siç ka ngjarë deri më tash? E drejta do ta donte, që përfaqësuesit e zgjedhur prej po këtij populli të majtë e të djathtë ta dëgjonin se çfarë mendon populli që i ka zgjedhur. Përndryshe, po kjo e drejtë do t’i detyronte parlamentarët tanë ligjvënës të viheshin në kërkim të ndonjë populli tjetër.

I nderuar kryetar i Parlamenit, zotni Ilir Meta,

Ju e dini po aq mirë sa unë (në mos më mirë), se hapja e dosjeve dhe Lustracioni është i vetmi akt i ndershëm publik që na bën të një higjiene mendore, shpirtërore e civilizuese me atë Europë, të cilën e mëtojmë më aq ëndërrim. Ju, i nderuar kryetar i Parlamentit, bashkë me kolegët tuaj, e dini po aq mirë (në mos më mirë), se rrënjët e së keqes shqiptare gjenden në kënetën e së shkuarës diktatoriale dhe se prej andej na vijnë frytet e hidhura të përditshmërisë sonë traumatike. Dhe po kaq mirë sa unë (në mos më mirë), ju e dini, i nderuar kryetar i Parlamentit, se pa e “drenazhuar” këllirën e kësaj kënete, që na llangos çdo çast përditshmërinë tonë, nuk ka shtegdalje tjetër morale përballë fëmijëve tanë, përballë brezave që vijnë. Ata do të na lypin llogari të rreptë, neve, bashkëkohësve, bashkëmoshatarëve, se si pranuam të ndërtonim një ngrehinë kaq perverse e kaq të keqvendosur të shoqërisë, duke i pasur të gjitha mundësitë e një zgjedhjeje të lirë. Dhe kjo, i nderuar kryetar, në rastin më të mirë. Në rastin më të keq, ata do të trashëgojnë dobësitë tona, veset tona, mjerimin tonë! Po unë nuk dua, sikundërse dhe ju, sikundërse çdo bashkëkohës me vetëdije të shëndoshë morale, të turpërohet para “gjyqit të historisë”, i cili nuk toleron, por ngre gishtin e akuzës për të na shënjuar me turp për atë që kishim mundësi ta bënim dhe nuk e bëmë; për atë ndotje të madhe që lejuam të ndodhë para syve tanë. Sepse i kemi pranuar kriminelët tanë, u kemi falur një karrierë që ata as e kishin ëndërruar. I inkurajojmë përditë të nxjerrin sheshit nga shpirti i vet satanik idhujt e tyre me portrete dhe gjithë pajën e nostalgjisë; i kemi lënë në katedra auditorësh të na mësojnë të njëjtat dokrra si në kohën e lugatit; i kemi lënë të na bëjnë drejtësinë; u ofrojmë mikrofonat dhe studiot të shprehen, ndërkohë që po të hapej goja e viktimave, gjak do të rridhte!

Dhe, të më ndjeni, i nderuar kryetar, këto që ju shkruaj nuk janë profka e as retorikë. Në vigjilje të dërgimit të Peticionit për hapjen e plotë të dosjeve sipas ligjit gjerman dhe, pandashëm me të, të Lustracionit, ju siguroj se mbështetja e elitës intelektuale të Europës dhe Shqipërisë është vetëm majë simbolike e një mbështetjeje të gjerë gjithëpopullore, nëse ju do ta ndërmerrnit këtë hap të domosdoshëm, edhe pse të vonuar. Çfarë kuraje tjetër ju duhet? E kam fjalën, i nderuar zotëri, për hapjen e plotë të dosjeve të diktaturës dhe Lustracionin, jo për gjysmëligje, gjysmëalibi që predikojnë pedagogjikën e mashtrimit dhe alibisë, që amnistojnë adeptët e meshave të zeza publike, pjesëtarë të zellshëm në ritualin e dhjetëra mijëra flive anembanë Shqipërisë. E kam fjalën për transparencë dhe Lustracion të shoqërisë dhe jo për rehabilitim përfundimtar të rrënjëve të së keqes shqiptare.

Ne, i nderuar zotni kryetar, jemi të vetëdijshëm përballë përllogaritjes cinike, se “nuk kemi gjë në dorë” dhe se “nuk mund ta ndryshojmë gjendjen” me peticionin tonë (që dikujt mund t’i duket i pafuqishëm, e ndoshta qesharak). Por jua them me bindje të plotë, se po shfrytëzojmë të vetmin mjet demokratik që ende e kemi në dorë (nesër nuk i dihet), se ne, nismëtarët e këtij peticioni, njëmend që nuk e kemi në dorë për ta ndryshuar gjendjen, por brenda fuqisë së fjalës dhe vullnetit tonë, jua bëjmë me dije, se herëdokur, kur të gjendemi përballë pyetjes asgjësuese “ç’bëtë ju, bashkëkohësit e lirive demokratike?”, së paku do të dimë si të përgjigjemi: “Bëmë aq sa kishim në dorë!”. Përgjegjësitë e tjera, i dashur kryetar, rëndojnë mbi ju!

 

Me respekt, Agron Tufa,

Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK)
bashkënismëtar i Apelit drejtuar Parlamentit shqiptar për hapjen e dosjeve dhe Lustracionin.

1

Qyteti! Fytyra e tij përhap tmerr!
Muret e tij! Atij as vetë zoti s’i afrohet!

“Enlil gjithkund…”

 

Urbanizmi (nga lat. urbs – qytet) – është reflektimi në letërsi (në tematikën e saj, imazhet dhe stilin) i qytetit të madh me një teknikë të lartë dhe industri shumë të zhvilluar, me një psikikë të veçantë të jetës qytetare, të lindur dhe të formësuar nga mjedisi urban. Tematika qytetare, është shfaqur mbizotërueshëm në çerekun e fundit të shekullit XIX dhe ka marrë një rëndësi të madhe në letërsi në masën e zhvillimit të kapitalizmit industrial, duke nxjerrë në plan të parë realizmin (Dikens, Drajzer, Theker, Balzak, Zola – në Perëndim dhe Çehovin, Nekrasovin dhe Dostojevskin në letërsinë ruse. Nga letërsia likuidohen kështjellat, vilat dhe sarajet, natyra dhe kopshtet. Objekt përshkrimi tashmë bëhet makineria, fabrika, hekurudha, turma, masa njerëzore si një tërësi e vetme.

Por gjurmët e para të ndikimit urbanistik mbi poezinë duhet t’i kërkojmë drejtpërdrejtë, saso e çuditshme qoftë, në tekstet e lashta sakrale. Në papiruset egjiptiane të datuara 15 shekuj p.e.s., në fjalën shfajësuese të librit të të Vdekurve; në këtë tekst numërohen disa dhjetra zota, që identifikohen me ngulimet konkrete dhe nëse qyteti bëhet qendër, hyjnia e tij bëhej zoti më i epërm, si në shembullin e Tebës dhe Amonit, ngase për Lindjen e lashtë është karakteristike tendenca e identifikimit të mbretit në qiell me mbretin në tokë. Apo siç ndodh në një poezi hetite, “Lutjet e Mursulusës në kohë të murtajës”, ku heroi i lirik i lutet zotit Hatusas, ta shpëtojë qytetin nga murtaja.

Kështu ka lindur mitologjia e qytetit, që rregullon jetën qytetare, sikundërse përralla që rregullon jetën e fshatit. Në fshat nuk kemi të bëjmë me utilitarizëm të pastër; dallimi ndërmjet qytetit dhe fshatit në poezi ka të bëjë më shume në fizionominë e ndryshme të kulturës dhe gjuhës së imazheve, përmes të cilëve shprehet dhe përcillet kjo fizionomi – gjuha është plazma, që ushqen trupin e kulturës.

Në ndryshimin midis qytetit dhe fshatit qëndron një prej burimeve që e dallojnë kulturën e lojës nga kultura e flive. Loja nuk e kërkon flinë – artet lojacake janë të lidhura me shtijaninë, ironinë – në lojë gjithçka ngjet si me të tallur, jo menjëmend. Qyteti ka mundur të zhvillojë anën lojacake të kulturës: në sistemin e vlerave abstrakte flija bëhet “gjithnjë e më pa gjak”. Qytetari mund të sakrifikojë kohën e tij, vëmendjen, energjinë, komfortin, dëshirën – jo për gjithë jetën, por për pjesë të vogla të saj. Mënyra e jetës së një qytetari përbëhet prej “kënaqësive qytetare”, të pakushtëzuara me kornizat kohore të ritualit. Një prej përcaktimeve të kulturës urbaniste, e dhënë në “Epin e Gilgameshit” e përshkruan qytetin So një vend të tillë:

Ku njerëzit vishen me petka festare
Dhe ditë për ditë vetëm festa i pret

Urb-i – qyteti, sipas Maks Veberit bart njëherësh disa simptoma: 1) sasiore – për numrin e madh të banorëve; 2) sociologjike – për shkak të mungesës së njohjeve personale ndërmjet njerëzve; 3) ekonomike – për shkak të jetës së banorëve që mbahet nga llogaria e tregëtisë dhe e prodhimit; 4) prania e tregut në trajtën e këmbimit të përhershëm të mallrave në sheshin e banimit. Përveç kësaj, nocionet e të drejtës politike dhe e shtresimeve klasore kanë lindur pikërisht në qytet, sikundërse në veçoritë e lindjes së artit, është krijuar shkenca mbi llojin e tij bashkëkohor dhe religjioni. Që nga lashtësia të gjitha këto karakteristika herë bashkë e herë veçmas janë shfaqur në mbretëri a perandori të ndryshme, dhe kanë patur pasqyrimin e tyre në poezi.

Në himnet dhe mitet e kanonit të Nipurit, 3 mijë vjet p.e.s., qyteti është një vendqënrim i zotit Enlil, sikundër dhe qytetet e tjera të Lindjes së Lashtë me të gjithë zotat e tyre; qyteti është një territor i shenjtë, rezidenca e mbretërve dhe priftërinjve të parë. Vedat indiane janë një krijim i kulturës qytetare, ekuivalente me letërsitë e vjetra sumere, bibilonase, hetite, perse dhe hebreje. Prandaj është me vend që, Hastinapura dhe Ajod’hja (nga Mahabharata dhe gjegjësisht Ramajana ) janë dhënë në poema në një mjedis mjaft të populluar me një shumësi pallatesh dhe fortesash. Në përshkrimin e Ajho’djas është e pranishme karakteristika tipike e qytetit: “Në qytet shtëpitë janë ngjitur e në shpinë të njëra-tjetrës, me burrat fisnik dhe gratë e virtytshme”.

Memfisi, Betlehemi, Sodoma dhe Gomorra… Qyteti i Përjetshëm dhe Roma… Atlantida, Shamballa, Jerusalemi qiellor… …në këto emra qytetesh ka pak materie njerëzore, shumë lëndë mistike, dhe shumë shenjtëri…

Gjithë poezinë e p.e.s. dhe pas e.s. ia vlen ta shohësh nën dritën e analizës së urbanizmit. Sepse është mjaft interesant interpretimi hermetik i marrjes së Trojës, ku Helena e çliruar na del një shpirt që rraskapitet në materie. Por nëse vihemi në pjatën tjetër të peshores së tekstit, epopeja homerike është e shprehur krejtësisht si një veprim gjeopolitik dhe fabula kryesore i kushtohet qytetit.

Në mesjetën e hershme qytetet bëhen shtabe të peshkopëve, në oborret e sundimtarëve shfaqet luksi dhe nocioni i qendrës politike. Diç e ngjashme ndodh edhe në Lindje, ku poetët gjallërojnë oborret duke i mbushur ato me panegjirika të zjarrta. Gjithë letërsia e kësaj epoke – është satirë filozofike, këshillë teologjike, lirikë dashurie dhe epos heroik, – të gjitha të formësuara në stilet vendase. Jo rralle poezia bart dhe faktorin e fuqishëm ideologjik në luftën kundër pushtuesve. Në shekullin XIV me shfaqjen e romaneve kuruaze (të kortezizë) ngjet në Evropë një prej thyerjeve kryesore në historinë e poezisë – ajo përfton një status të ri dhe shkëputet nga arti oral. Përveç deklamimeve poetët nisin të shkruajnë edhe për veten!

Në shekullin 16, me shtypjen e mijëra librave masat e shumta qytetare patën mundësinë të njihen me romancat apo të kenë “librin e tyre popullor”. Por është ende shumë larg për t’u ndjerë “shpirti i qytetit”. Shfaqen syzhete fantastike, utopike “Atlantida e Re” dhe “Qyteti i diellit”, që delegojnë ligjet sociale. Në këtë kohë shfaqet e qeshura e shtrembër e Iluminizmit, goja e uritur e racionalizmit, derisa në shekullin 17 letërsia ka autorët e saj të mëdhenj – Rabële, Gongora, Milton etj.

Era e romantizmit nxjerr të fundmen psherëtimë të idileve fshatarake, pas së cilës duken formacionet e para të stileve, që asfiksojnë njëri-tjetrin me tragjizmin dhe shumëllojshmërinë e ngjyrave në luftë për të zënë një vend nën diell.

Poezia e mirfilltë moderne qytetare me realet urbane fillon me simbolistët francezë, të cilët e shformojnë e tallin dhe ironizojnë në mënyrë parodike mitin, traditën si të tillë, dhe bukurinë gjithaq. Poezia e simbolistëve është një sulm i cili sublimon linjën shformuese (deformacionale), që sado e çuditshme qoftë përmban aq sens artistik sa të lërë shenjën e një stili të qëndrueshëm dhe logjik te shëmtia që portretizon. Artur Rembo bën një sulm edhe më të dhunshëm ndaj bukurisë dhe tradicionales tek poezia “Për të thënë në lidhje me lulet”. Remboja vë në lojë poezinë e luleve – trëndafilat, manushaqet, zambakun, lulakët. Poezia moderne kërkon një tjetër tip flore. Të mos u këndohet hardhive, por duhanit, bimëve të pambukut, dhe zhardhokëve të patates; loti mbi një qiri vlen më shumë se një lule dhe po ashtu ngatërrimi i skajshëm e mjegullues i bimësisë së egër, vlen më fort se vegjetacioni francez.

Moderniteti dhe poezia e qytetit

Një tekst poetik me këtë natyrë, paraqet qëndrimin e Rembosë kundrejt modernitetit, një qëndrim ky ambivalent, si i Bodlerit. Ky qëndrim nënkupton përçmim, kur modernitet do të thotë përparim material dhe ndriçim shkencor; nënkupton pranim, kur moderniteti sjell përvoja të reja, ashpërsia dhe ngrysja e të cilave kërkon po ashtu një poemë të ashpër dhe “të errët”. Rezultati: “poezia qytetëse” e Rembosë.  Kjo gjendet tek “Iluminacionet/ Ndriçimet”. Fuqia e kësaj poezie është praktikisht e pamatë, pasi shndërron qytetin-ëndërr të Bodlerit në një qytet superdimensional. Pjesët më të bukura gjenden tek “Qytet apo qytete”. Skema inkoherente imazhesh ngrenë qytetet e ardhshme ose imagjinare, qytete me një këmbë në çdo epokë, e që e kthejnë përmbys tërë rendin hapësinor; sende masive lëvizin, tinguj e zhurma; konkretja dhe abstraktja kryqëzohen mes tyre; mes vilave të kristalta dhe palmave të bakërta, mbi kratere dhe gjire, aty , pikërisht aty ngjet “kolapsi i apoteozës”. Aty gjenden deti dhe kopshti artificial, salla e kishës pesëmbëdhjetë këmbë e gjerë dhe e ndërtuar me çelik, dhe po ashtu shandanët gjigantë; pjesët e larta të qytetit janë kaq  sipër saqë pjesët e ulëta të tij, syri nuk mund t`i kapë fare. Këto qytete kanë kundërshtuar gjithçka qe mbart një sens familjariteti.  Nuk ka kurrfarë monumenti supersticioni; asnjëri prej miliona banorëve nuk e njeh tjetrin e megjithatë secila prej jetëve të tyre është po aq obsesivisht monotone sa tjetra.  Këta njerëz janë fantazma; verbëria e tyre prej drurësh dhe netët e tyre verore janë si tym qymyri. Vdekja është pa lot dhe dashuria pa shpresë dhe “një goxha krim hungërin ankueshëm mu në plehrat e rrugës.”

Cili do mund t’i zhbënte këto imazhe të pleksura; cili do arrinte të gjente një ndjesi qetësie në to? Kuptimi i tyre gjendet tek vet kaosi. Duke u prodhuar nga një imagjinatë e përndezur, kaosi superpërmasor, bëhet i pashpjegueshëm, e megjithatë  një simbol i perceptueshëm nga ana shqisore, një simbol  i konfliktit material dhe fizik në modernitetin urban – simbolikë e terroreve të tij, që janë edhe mahnitja e tij përthithëse.

Një ndër urbanistët me të mëdhenj në poezinë moderne është simbolisti belg Emil Vernharn, i cili në vëllimin “Murgjërit” e sheh qytetin si vendin e degradimit të përbashkët. Dekadenca totale formësohet që në ciklet “Katastrofa” dhe “Varvashkat e zeza”. Verharn i këshillon qytetit “të vdesë nga përbuzja e zezë ndaj vetes”. Në librin “Fushat në jermi” formësohet tashmë imazhi i “qytetit oktapod”, që të tërheq drejt ëndrrave të parealizueshme, duke i ngashnjyer dhe përpirë njerëzit e fshatrave me tentakulat e veta; ky është qyteti që e gëlltit në tym diellin e vet, që i kthen njerëzit në turma të pa tru, me ëndrrat e ngjyera në alkool dhe me etjen pragvdekësore të

“Disa minutave heshtje,
Që sytë të mbyllen pa llahtarë”.

Ciklet “12 muaj”, “Qytetet-oktapodë”, “Fshtrat e fantazmëta” përbëjnë një trilogji urbaniste. “Qytetet-Oktapodë” e pasqyrojnë më plotësisht thyrjen e shekullit dhe plagët e tij.

Rrënjët e lirikës urbane në poezinë shqipe

Tema e qytetit në letërsinë realiste shtjellohej në të kundërt me prirjen e kritikës së re social-ekonomike, me prirjen e saj për të fshehur anët negative; nënvizohej kontrasti i mjerimit qytetar dhe luksi; tërhiqnin vëmendje qoshet e kryeqyteteve, llagëmet, manastiret; peizazhi qytetar vizatohej në tonë hirta e të pista, të ngrysura; paraqitja e qytetit merrte menjëherëë karakter grotesk. Këtë linjë të paraqitjes së qytetit kapitalist e vazhdoi natyralizmi (Zola, Lemonje, Blasko-Ibanjez et).). Përshkrimi i qytetit, i industrisë së tij, i ndërmarrjeve, bankave, fabrikave, magazinave marrin rëndësi dominuese. Krijohen epope të tëra për qytetet (“Lurd”, Paris”, “Roma” te Zolai). Interesi për prodhimin e shtyn në plan të dytë interesin ndaj njeriut; zvogëlohet roli i heronjve individualë, vendin e tij e zë masa e patrajtë (“Zherminal” tek Zolai).

Qyteti bëhet diçka asfiksuese dhe armiqësore për disa tradita letrare, si unanimistët francezë, por edhe tek shkolla të caktuara amoderniste dhe avangardiste, si tek Imazhinizmi rus, sikundërse bëhet ushqimi kryesor i ideve dhe imazheve te futuristët italianë e rusë, apo te surrealistët.

Në letërsinë shqipe, është tepër e vështirë të hetosh një zanafillë të hershme të lirikës urbane, sikundërse edhe e letërsisë qytetëse në përgjithësi.

Edhe rasti i Jeronim De Radës me poemën “Miloosat”(1836), heroi i të cilës është “Bir i Sundimtarit të Shkodrës”, erë qyteti nuk duket gjëkundi nëpër rreshtat e poemës. Më saktë, nëse e pranojmë, kemi të bëjmë me një qytet të çuditshëm, ku kalojnë lopët dhe tufat e bagëtive, ku mbledhin ullinj dhe korret gruri etj. Më gjasë De Rada e ka marrë si konvencion qytetin e Shkodrës, për ta mbushur me realet e fshatrave arbëreshe.

As në vitet ’30 nuk evoluuan paradigma e lirikës urbane. Shfaqjet e saj të para i kemi tek Koliqi në disa prej poezive, dhe veçanërisht në ciklin e soneteve për Shkodrën – “Tingëllimat e mallit”. Por edhe në këto poezi, mbizotëron detaji me funksion dekorativ, romantik. Nuk ndjehet “shpirti i qytetit”, psikika e veçantë e tij dhe, herë-pas herë në qytet ndërhyjnë malet, fushat, ograjat, kopshtiet, të cilat përzihen me zanet e kumbanoreve, dhe më të rrallë gumëzhima e fëmijëve të shkollës, e qytetarëve në shëtitje.

Duket se ka të drejtë Arshi Pipa në esenë “Barinjtë dhe fshatarët në letërsinë shqipe”, duke theksuar se qyteti hyn në poezinë tonë vetëm me vetëdijen postromantike të Migjenit.

Tema e fshatarësisë përshkon tërë historinë e letërsisë shqipe, – thotë Pipa, duke përfshirë edhe atë të diasporës. Në fakt, sipas Pipës, historia e Shqipërisë është një histori e fshatareve të lirë dhe e barinjve që nga koha kur ata u shfaqën si një grup i dallueshëm në Ballkan, e deri në konstituimin e vendit si shtet i pavarur. Eseja i vë detyrë vetes të identifikoje tipat e ndryshëm të fshatarësisë në traditat e ndryshme letrare, të karakterizuara nga pohimi se ato zhvillohen në formë delte, në mënyre të pavarur, për t’u bashkuar në një pikë të caktuar që historikisht përfaqësohet nga Lidhja e Prizrenit (1878). Nga këta tipa, disa prej të cilëve janë karakteristikë për tradita te caktuara letrare, si bujku arbëresh, bariu luftëtar gegë, fshatari i përzënë toskë, ka edhe një tip që është i përbashkët për të gjitha traditat dhe ky është banditi fshatar. Arsyeja për prevalencën e këtij tipi duhet kërkuar, sipas Pipës, në varfërinë e gjatë të fshatarësisë shqiptare. Letërsia tradicionale, sipas Pipës, e sublimon mungesën që krijon varfëria në heroizëm. Shkrimtari qe i dha fund letërsisë tradicionale epiko-romantike dhe post-romantike ishte vetë Migjeni.

Qyteti në poezinë dhe prozat e Migjenit është lirika urbane, qytetare, e patosit social-kritik. Gjithsesi dekoracioni qytetës tek Migjeni, me lypset, studentët, lagjet e varfra, përbën thyerjen parë të madhe në traditën e gjatë të poezisë pastorale-folkloriko-patriotike shqiptare. Me poezinë e Migjenit hyn pikërisht “psikika dhe shpirti i qytetit” ndonëse modeli social, ironia, sarkazma, toni epik etj, duket se janë të importuara nga letërsia socio-humanitare jugosllave e viteve 20-40 me Kërlezhën, Dhurdo Sudetën, Antun Simiç, Kristo Smirnevski apo hungarezin Atila Jozhef.

0

1. ÇFARË PËRFAQËSON MUSINE KOKALARI

Musine Kokalari është e para shkrimtare femër, që në peizazhin tonë letrar afirmohet në fund të viteve ‘30, ndërsa në fillim të viteve ‘40, ajo është tashmë, ndonëse në moshë të re, një shkrimtare referenciale si për autoritetet letrare në Shqipëri, ashtu dhe për studiuesit e huaj. Skicat e saj që fillojnë të botohen që në 1937-ën në gazetën “Shtypi”, – një variant sui generis i narrativës letrare etnografike, përbëjnë një seri etydesh që ravijëzojnë me pak penelata situata ambientale përplot kolorit gjuhësor në përputhje me imazhet tipike psikomentale e psiko-emocionale të folësve, veçanërisht të femrës shqiptare.

Janë këto zëra – habitati natyral që e mbështjellin bashkëkohësinë e shkrimtares nga mëngjesi në darkë. Janë këto zëra të brendshëm që çlirohen përmes rrëfimit dhe pohojnë sekretet, të vërtetat e përditshmërisë, ashtu siç përjetohet ajo me tragjikën personale, komizmin personal dhe ambientin gjuhësor personal. Janë këta zëra që përfaqësojnë instancat, funksionet dhe rolet në familje dhe shoqëri, të cilët me ngjyresën e zërit njerëzor na rrëfejnë me pëshpërimë, larg syve të botës, se çfarë i mban gjallë ata: durimin, shpresat, qëndresën, ngushëllimin në një botë që ndryshon me shpejtësi dhe thellon moskuptimin midis kohërave dhe brezave. Dhe janë këta zëra që përpiqen të çlirohen nga paraliza, e cila përndryshe sjell përkeqësimin e regjistrave dhe e fut familjen/shoqërinë në krizë.

Musine Kokalari e ka kapërcyer përvojën e rrëfimit miniaturesk që në botimet gjatë kohës së studimeve në Institutin Femëror “Nëna Mbretneshë” (1937-1938) me poezitë dhe skicat, kryesisht me tematikë sociale. Gjatë kohës që studion për letërsi në Universitetin e Romës (1940-1942), lënda e saj letrare është riprodhimi stilistik i ligjërimit etnografik të zërave të shtëpisë, që na zbulojnë karaktere dhe situata, të cilat, përmes ritualit dhe besëtytnisë vizatojnë detajet e tablosë së përgjithshme si dëshmi autentike e përditshmërisë urbane. Këtë eksperiment me situatat ambientale dhe koloritin e zërave ajo e kurorëzon me librin e saj të parë “Siç më thotë nënua plakë” (1939), për të cilin Lasgush Poradeci shkruan: “Musine Kokalari ka një talent që meriton të vihet në dukje. Zënia e Jetës, kapja e saj në fond dhe në formë dhe shfaqja imediate, pa asnjë ndërmjetësim, kjo është origjinalitet, origjinalitet letrar”. Këtë nivel të narrativës miniatureske, sipas skicës letrare minimaliste etnografike Musine Kokalari e thellon më dukshëm në librin e saj të dytë “…Sa u tunt jeta” (1944), dhe tashmë, me këtë libër kemi jo vazhdimin e eksperimentit me narrativën popullore, por një projekt të qartë artistik, për çka dëshmojnë edhe 30 faqet e romanit të pambaruar “Teto Nurijeja” (1943) i mbetur në dorëshkrim. Me këtë trashëgimi të ndërprerë dhunshëm nga diktatura komuniste, Musine Kokalari mbetet e para shkrimtare femër në letërsinë shqipe, që spikati në peizazhin letrar të viteve ‘40 me zhanrin e saj origjinal të miniaturës minimaliste etnografike, në të cilën shtrohen problemet e femrës shqiptare në një kontekst shoqëror maskilist, sikundërse promovohen për herë të parë tiparet e shkrimit letrar feminist në letërsinë shqipe.

 

2. KONTEKSTI LETRAR I KRIJIMTARISË SË MUSINE KOKALARIT

Zhanrin miniaturesk të skicës e kanë përdorur në vitet ‘20-‘30 të shek XX. edhe shkrimtarë të afirmuar para Musine Kokalarit, por miniaturizmi etnografik i saj synon të fiksojë nëpërmjet ligjërimit karakteristik ambiental një botë të tërë autentike, jo si ekzotikë lokale, por si një thurimë zërash që derdhen njëri në tjetrin në formë monologjesh a kuvendimesh, duke zbuluar në këtë akt shqetësime të brendshme një botë të tërë dis’harmonike me peshën e brengave dhe hareve. Shpesh kjo narrativë minimaliste është trajtuar në mënyrë të cekët, si diçka ekzotike, sipërfaqësore. Përkundrazi, ne mendojmë se ajo çfarë e bën qartësisht të dallueshme risinë e skicës miniatureske në tekstin letrar të Kokalarit, nuk është ligjërimi mimetik i zërave dhe karaktereve, por anatomia psiko-mentale e zërit të brendshëm, zërit të familjes si institut thelbësor në shoqërinë shqiptare.

Në repertorin e teksteve tona letrare nuk ishte ndeshur më parë një zhanër i tillë kaq pranë folësit, me një intonacion bisedimor kaq të identifikueshëm me karakteret e përditshmërisë dhe me situata ambientale të përshkruara – të gjitha këto – të dhëna me një kopraci të ndershme dhe me një kompozim të thukët, lakonik. Musine Kokalari ka një meritë të veçantë për begatimin e letërsisë shqiptare, duke krijuar një tip të ri zhanri, të dallueshëm e origjinal dhe të pangjashëm me asnjë shkrimtar tjetër në fund të viteve ‘30 – fillim të viteve ‘40 të shekullit XX. Miniaturat etnografike si krijime ngushtësisht letrare, përpos gjendjes së konservuar të ligjërimit popullor me interesin gjuhësor që paraqesin, na shpalosin edhe ndjeshmërinë botëkuptimore të protagonistëve si instanca përfaqësuese të shoqërisë sonë të atyre viteve, në kapërcyell të modernizmit. Shkrimtarja ka fiksuar gjendjen e shoqërisë shqiptare në fazën e kalimit të saj nga sjellja simboliko-ritualore në sjelljen e saj racionale pragmatike.

Veçantinë e miniaturës etnografike me detaje minimaliste të Musine Kokalarit mund ta përcaktojmë me këto elementë konstantë:
– mungesa e syzhetit në kuptimin tradicional të termit;
– parimi i lokalizimit të veprimit;
– dëshmitë e detajuara në përshkrimin e ambienteve/vendeve, kohës dhe njerëzve;
– marrëdhënia me edukimin estetik etik, ritualor, dhe me kushtet e protagonistëve;
– vëmendja e spikatur ndaj karakteristikave sociale të tipave dhe mjedisit;
– paraqitja e realitetit në një “prerje” sociale;
– tendenca e qartë në përzgjedhjen e dukurive të dëshiruara, përpjekja për të krijuar imazhe tipike.

Në një fazë më të pjekur të krijimtarisë së saj, miniatura letrare etnografike e Musine Kokalarit përfton një unitet kompozicional, duke kapërcyer fragmentarizmin e mëparshëm ishullor të librit “Siç më thotë nënua plakë”. Në librin e dytë “…Sa u tunt jeta”, nuk janë më protagonistë zërat e veçuar, karakteret, por kemi shfaqjen e një personazhi dominues, rol të cilin e luan jo njeriu, por riti. Është riti i dasmës shqiptare në variantin lokal të Gjirokastrës që përbashkon e përthyen botërat mentale, emocionet, frikërat, besëtytnitë – gjithë çfarë përbën fytyrën e fatit si një kompozicion i kulmeve më domethënëse në jetën e njeriut: lindja, martesa, vdekja. Libri nis me përpjekjen për ndërmjetësimin e lidhjes së një çifti dhe përshkon gjithë trajektoren e tij, deri në ceremonialin e dasmës, përmes një sfondi familjar të nginjur me paragjykime, intriga, pasiguri, besim, ngazëllim dhe keqardhje. Secila hallkë lidhëse në zinxhirit e rrëfimit miniaturesk është gdhendur me një përpikëri skruploze në stilin e një gjerdani gurësh. Rituali me repertorin e gjesteve dhe ceremonive solemne shkon drejt kurorëzimit të tij simbolik, përmes një sfondi të harlisur muzikor.


3. TRASHËGIMIA LETRARE E MUSINE KOKALARIT

E lindur me 10 shkurt të vitit 1917 në Adana të Turqisë, dhe vdekur në vitin 1983 në internim, pas sëmundjes së kancerit, Musine Kokalari është femra intelektuale më e spikatur në hartën kulturore, shoqërore dhe politike shqipfolëse. Pas mbarimit të studimeve fillore “Qiriazi” dhe të mesme – Instituti “Nëna Mbretëreshë” (1937) në Tiranë, ajo mbaron studimet për letërsi në Universitetin e Romës (1940-1942). Si shkrimtare, nga viti 1937 boton krijimet letrare në shtypin e kohës me pseudonimin “Muza”. Boton librin e parë me miniatura letrare “Siç më thotë nënua plakë” (1939); librin e dytë në këtë zhanër “…Sa u tunt jeta” e boton më 1944; po atë vit boton përmbledhjen me përralla të stilizuara popullore shqiptare “Rreth vatrës”. Lë të pambaruar dorëshkrimin e romanit “Teto Nurieja” (1943). Nisi të përkthejë nga italishtja disa novela të Luixhi Pirandelos dhe romanin “Pinoku” të Carlo Collod-it, por arrestimi ia ndërpreu punën e nisur. Po ashtu në dorëshkrime është gjetur dhe një antologji letrare me autorë shqiptarë nga Rilindja deri në fund të viteve ‘30. Ka shkruar një numër të madh studimesh gjuhësore e etnofolklorike.

Musine Kokalari ka lënë në dorëshkrim studimin historik, biografik e filozofik “Naim Frashëri” (1940-1941), librat memuaristikë “Jeta ime universitare” (1940-1942) dhe “Si lindi partia social-demokrate” (1972). Publicistika e Musine Kokalarit paraqet angazhimin e saj të drejtpërdrejtë me organizimin e lëvizjes së rinisë antifashiste dhe antikomuniste, që në Romë e më vonë në Tranë. Artikujt e saj botohen me pseudonimin “Tacita”, në fillim në revistën ku është bashkëthemeluese “Gruaja shqiptare” (1943) dhe më vonë në gazetën që nxirrte vetë, “Zëri i lirisë” (1944), organ i Partisë Social Demokrate, anëtare bashkëthemeluese e së cilës është që nga viti 1943, bashkë me Skënder Muçon dhe Isuf Luzajn. Si demokrate me bindje politike e botëkuptim perëndimor, ajo nuk e pranon instalimin e pushtetit komunist në Shqipëri. Persekutimi komunist mbi familjen e saj nis që në vitin 1944 me vrasjen e dy vëllezërve të saj. Gjatë nëntorit 1944 arrestohet dy herë. Në vitin 1945 përfshihet në lëvizjen aktive politike me një grup intelektualësh duke kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve të 2 dhjetorit. Arrestohet më 23 janar 1946 dhe me 18 qershor të këtij viti del në gjyq tok me 36 personalitete. Në seancën gjyqësore, ndërsa nga salla bërtasin se ajo duhet të dënohej me vdekje në litar dhe kryetari Frederik Nosi e pyeti se a e dëgjonte atë që kërkonte populli, Musineja me qetësi i përgjigjet: “Nesër këtë do të thonë edhe për ju!”. Dënohet me 30 vjet burg dhe kryen 16 vjet. Pjesën tjetër të jetës, deri sa vdes më 1983 e kalon në internim. Në vitin 1993 presidenti i Republikës e nderon pas vdekjes me medaljen “Martir i demokracisë”, ndërsa ne vitin 2007 i jepet titulli “Nderi i Kombit”.

Si shkrimtare Musine Kokalari, nisur nga vlerat origjinale letrare, për të cilat argumentuam më sipër, duhet të përfaqësohet me miniaturat etnografike minimaliste nga librat “Siç më thotë nënua plakë” dhe “…Sa u tunt jeta”. Një ide sa më përfaqësuese të stilit të saj origjinal letrar e gjejmë te miniaturat: “Siç më thotë nënua plakë”; “Kulloi Odaja”; “Ulërima e qenit”; “E gjeta…”; “U! U! E kur kështu?”; “Nënë e vajzë”; “Dasmë… Sa u tunt jeta”.

4. ARGUMETI I PËRFAQËSIMIT

Përzgjedhja me titujt e miniaturave të mësipërme jep një ide të mjaftueshme e solide për modelin e narrativës origjinale letrare që krijoi shkrimtarja Musine Kokalari në fund të viteve ‘30, gjysmën e parë të viteve “40. Përkatësia gjinore e shkrimtares në gjirin e një shoqërie tërësisht maskiliste, patriarkale dhe të prapambetur…, e ka orientuar krijimtarinë e saj drejt formacionit të një shkrimi feminist, me problematikë femërore. Femra e këtyre miniaturave letrare na paraitet në të gjitha moshat, rolet dhe funksionet e saj në familje dhe në shoqëri.

Në miniaturën e parë me titull “Siç më thotë nënua plakë”, ndeshim një monolog të dendur të mamës plakë, një zë i cili shpreh pakënaqësinë për mënyrën e sjelljes, jetesës, veshjes dhe idealeve që ka vajza, duke parë tek ajo mishërimin e një shkëputjeje dhe përjashtimi që i bëhet brezit të nënave. Monologu lakonik është një lloj revolte për humbjen e autoritetit dhe ndikimit të saj mbi të bijën, një lloj alienimi midis dy brezave në një situatë të cilën nëna tashmë nuk e ka më nën kontroll. Toni i përgjithshëm i monologut ruan brishtësinë e naivitetit të një brezi nënash të pezmatuara, të cilat nuk ndeshin te bijat shëmbëllimin e idealeve të tyre tradicionale familjare. Ky hendek midis dy botëve të lë mbresën e një buzagazi sa zbavitës, aq dhe të keqardhës.

“Kulloi Odaja” – një miniaturë që riprodhon ritualin e vajtimit, duke e përqasur vdekjen e djalit të ri, të vetëm në familje me përjetimin tragjik të prindërve pleq që lë pas; rituali i vajtimit na flet me vargje aluduese për vendin e pakompensueshëm dhe gjendjen e pangushëllueshme të prindërve të tij në prag të pleqërisë.

“Ulërima e qenit” – është një etyd miniaturesk për atmosferën e ankthshme që ngjall besëtytnia e një qeni që angullin përvajshëm gjithë natën. Teto Hasieja është një plakë që s’vë gjumë në sy dhe e torturojnë parandjenjat për gjëmën që ndjell ulërima e qenit. Mendja e saj është e shpërndarë te djali që ka larg. Ajo gdhihet e pagjumë dhe shkon të lehtësohet me një fall filxhani te komshika e saj, teto Nefizeja. Ajo e qetëson për merakun, por në të vërtetë vdekja ndodh në orët e ditës. Shenjat paralajmëruese dalin të sakta: vdes një burrë i ri në lagje, duke lënë prapa 5 kalamaj të vegjël. Nokturni i përzishëm i vdekjes është skicuar me natyralitetin funeral.

Minuaturat e vëllimit “…Sa u tunt jeta”, siç e kemi theksuar, paraqesin në vetvete një roman etnografik ritualor, ku dasma ka funksionin e personazhit qendror. Dasma kryhet në Gjirokastër, me të gjitha ritet, zakonet, përgjegjësinë shpirtërore për t’i bërë dhe zbatuar si duhet ato. Jeta shfaqet si një teatër, me pamjet e saj imponuese, me aktorë dhe spektatorë, me këngë dhe me valle, me portrete nusërie, me këshilla nëne, me lot ndarjeje, por me poezinë dhe gëzimin e jetës së re. Të gjithë pjesëmarrësit, zonjat e mençura, vajzat e bukura në pritje të dasmës, burra krenarë, i japin një përkryerje qytetit të gurtë. Megjithatë, vepra është endur mbi një lëndë etnografike e zakonore, brenda realitetit social, përmes analizës së disa karaktereve apo më saktë, zërave, duke skicuar një varg portretesh dhe me skena lirike të kursyera, po mjaft prekëse.

Të gjitha miniaturat minimaliste etnografike që kemi propozuar më sipër ilustrojnë virtytet më të mira artistike të prozës letrare të Musine Kokalarit. Ato paraqesin një gdhendje tepër të vështirë të karaktereve dhe imazheve, zbulojnë nëpërmjet detajesh minimaniliste peshën e një bote të gjallë, organike, me një dozë të ndjeshme verizmi, fotografimi të brendshëm të hollësive sociale e ritualore dhe të shoqëruara me një buzagaz infantil e të përmbajtur.
 

___________

Krijimtaria e marrë në shqyrtim bazohet në botimin dvëllimësh: Musine Kokalari: Vepra 1 dhe 2, Geer, 2009.

1

Fjala është për gjëmat që kanë sjellë në histori librat e këqij. Më saktë për antilibrin, i cili ka ndihmuar jo pak për ta kthyer njerëzimin në stadin e kafshërisë. Dhe libra që i kanë bërë keq njerëzimit ka ndoshta më shumë se sa i pandehim. Mbase më shumë se sa librat e mirë… ku ta dish! Nuk ekziston ndonjë Gjyq i librave.

Do të ishte megjithatë, mjaft interesante të ekzistonin Tribunale të veçantë edhe për librat dhe jo, fjala vjen, për kriminelë. Kështu, do të ishte mjaft kërshëritëse të bëhej me dije, e të transmetohej ndërkombëtarisht procesi tribunal i Hagës jo vetëm për Millosheviçët, Karaxhiçët, Mlladiçët etj, etj, por edhe për libra të shkrimtarëve, që i kanë bërë krime jo më pak të përbindshme njerëzimit.

Ka qëndrime të ndryshme ndaj librave, përcaktime të ndryshme, ndër të cilët me pëlqen të veçoj njërin, atë të H.L.Borhesit: "Nëpërmjet veglave të ndryshme që përdor njeriu, vegla më e çuditshme është libri. Të gjitha të tjerat mund t’i quash zgjatime të tij fizike. Mikroskopi dhe teleskopi janë vazhdimësi e syrit, telefoni – vazhdim i zërit, plugu dhe shpata – i duarve. Por libri është një punë krejt tjetër, libri është  vazhdim i kujtesës dhe i imagjinatës".

Por kur flitet për librat, sigurisht, kihet parasysh vlera e tyre, nënkuptohet, sigurisht, respekti e nderimi i padiskutueshëm dhe mendja menjëherë zhvendoset në sfera të përnaltësuara, ngase shpesh, qytetërimin e sotëm njerëzor e identifikojnë me qytetërimin e librit. Por këtu nuk është fjala për libra të mirë, që ndriçojnë, pasurojnë, fisnikërojnë e begatojnë jetën, shpirtin, intelektin e imagjinatën e njeriut.

E të ishte për mua, do ta dërgoja në Tribunal pjesën dërrmuese të veprave socrealiste. Sigurisht një gjyq të tillë me dënime më të tmerrshme se çdo Tribunal, e bën me kalimin e kohës vetë Koha, kjo seleksionuese e pamëshirë dhe dënuese e padiskutueshme. Dhe koha vepron ngadalë, pandalshëm në konsekuencën e vet, duke u dhënë pabujë secilit e çdokujt hakun. Koha herëdokur vendos për librat, pa zhurmë, të drejtën për ekzistencë. Po nëse Koha si kategori metafizike është një nocion i gjerë e i papërcaktueshëm, koha jonë njerëzore na shtyn të përjetojmë emocione. Kështu, ndër dënimet më shembullore, në frymën që jep koha për një libër, mendoj se është Shpërfillja.

Ndaj librit në përgjithësi, jo ndalimi siç bënin komunistët e censura të tjera, jo djegia, siç bënin nazistët, por shpërfillja është mënyra më e tmerrshme e dënimit.

Megjithatë një Tribunal për disa libra, qoftë dhe në kuptimin figurativ, duhet ta bëjmë. Aq të shumtë janë në kulturën tonë, sa nuk di nga t`ia fillosh. Ama, mbyll sytë dhe me del njëri përpara: "Mërgata e qyqeve" i Nasho Jorgaqit. Pse pikërisht? Ndoshta ngase, kjo fantazmë e komunizmit që hiqet zvarrë me e pa biçikletë së bashku me autorin e saj, ndryshe nga gjithë ndyrësitë socrealiste, është botuar demonstrativisht dy herë pas rënies së komunizmit. Njëherë në vitin 2002 dhe njëherë në 2013-n. Cilët janë arsyet pse i duhet dorëzuar një tribunali ky libër.

Rromanit me dy vëllime i Nasho Jorgaqit "Mërgata e qyqeve" i bëhet jehonë nga deladeshtë e faqeve të kulturës dhe studiove televizive tani, në vitin 2013.  Romani i Nashos është modeli ekzemplar i romanit "bunker", ndër më të shëmtuarit që ka pjellë realizmi socialist. Ky roman-dobiç  është një kipc i lig i romanit socrealist sovjet (si pjesa dërrmuese e romaneve socrealiste shqiptare) të Aleksej Tolstoit "Emigrantët". Në romanin "Mërgata e qyqeve", autori i tij, Nasho Jorgaqi, përcjell idenë, se çfarë "plehërash" e "fundërrinash", ishin mërgimtarët politikë shqiptarë  dhe se si ata bëheshin vegla të botës kapitaliste euroamerikane etj, etj.

Çfarë mund t`i thotë lexuesit të sotëm vallë ky roman i ribotuar nga sh.b "Dudaj", përveç nostalgjisë së viteve të qenit?
Romanin N. Jorgaqi e ka shkruar sipas mekanizmit të prodhimit të bunkerëve letrarë. Në një intervistë në muajin janar 2007, në gazetën “Tirana Observer”, Nasho Jorgaqi e shpjegon: "Ideja e romanit i lindi në Durrës, pastaj, shpjegon autori, “unë vij në Tiranë dhe takohem me një mikun tim që punonte në kundërzbulim në Ministrinë e Jashtme… ai më premtoi një takim me Kadri Hazbiun… ai (Hazbiu) më mirëkuptoi, por edhe pse ishte Ministër i Brendshëm, u gjend përpara një problemi… Kështu që doli nevoja të pyetej në Komitetin Qendror. Atëherë iu drejtova Ramiz Alisë, që mbulonte sektorin e propagandës dhe të kulturës…

Mbasi u mor leja që ishte aq e rëndësishme, atëherë unë fillova nga puna”. A mund të flitet për vlerë letrare të një vepre, kur ajo është bërë për të kënaqur shijet e shefit të propagandës, ndërsa shefi i propagandës përfaqëson një regjim kriminal? Nëse përgjigja është po, atëherë vlera e kësaj vepre është vrasëse, si vepra e çdo vrasësi me pagesë.
Janë me dhjetra intervistat e N. Jorgaqit që vetëlëvdohet papushuar për vlerën e romanit të tij, për jehonën e tij dhe jashtë shtetit (se paska ende sponsorë nga ish-Sigurimi i shtetit që shpenzojnë për sagat e tyre) dhe për gjoja "vërtetësinë" e tij, të cilën nuk e mohojnë as kundërshtarët, d.m.th., personazhet e librit! Ndërsa gazetareve të kulturës u duket babaxhan dhe i hapi faqet për broçkulla këtij vampiri, të tepruar nga diktatura.

Të konsiderosh "Mërgata e qyqeve" I, II si vepër letrare dhe të jesh krenar për të, siç është Nasho Jorgaqi, e disa eminenca letrare sot, ne fund të vitit 2014, për një vepër të shkruar me miratimin e Kadri Hazbiut – Ministrit të Brendshëm, Ramiz Alisë – shefit të propagandës dhe Enver Hoxhës – diktatorit, është njësoj si një shkrimtar gjerman të thotë se jam krenar për veprën që kam shkruar me miratimin e Himlerit – Ministrit të Brendshëm, Gëbelsit – Ministrit të Propagandës dhe Adolf Hitlerit – diktatorit. Një qëndrim i tillë është i rrezikshëm për të gjithë shoqërinë. 

 

0

Në mars të vitit 2013, një grup specialistësh të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, me ndihmën dhe ndërmjetësimin e fondacionit gjerman Konrad Adenauer, bëri një vizitë disaditore në institutet e Kujtesës së Diktaturave në Berlin dhe disa qytete të tjera gjermane, duke u njohur me përvojën konkrete të përballjes me krimet dhe trashëgiminë e dy diktaturave naziste dhe komuniste. Ditën e fundit, grupit tonë i ishte rezervuar një takim në Bundestag me dy eurodeputetë gjermanë. Përfaqësuesit tanë, ndër të tjera, ngritën shqetësimin e ringjalljeve recidiviste të nostalgjisë për diktaturën nga segmente politike dhe akademike, të cilët, në mungesë të një Ligji të Lustracionit, kanë marrë kurajë për sjellje brutale dhe gjeste provokuese.

Eurodeputetëve iu kërkua në atë takim që politikës dhe parlamentit shqiptar, ndër detyrat që BE i cakton për përmbushjen e standardeve në rrugën e integrimit europian, t’i caktohet si kryedetyrë pastrimi i të shkuarës komuniste dhe ndërprerja e trashëgimisë së saj, hapja e dosjeve dhe Ligji i Lustracionit, tok me një strategji e platformë të qartë veprimi për dekomunistizimin e shoqërisë dhe institucioneve të saj.

Përgjigjja e dy eurodeputetëve ishte se këtë çështje të mprehtë duhet ta ngrinte vetë shoqëria civile shqiptare, nëpërmjet levizjeve dhe OJQ-ve të saj. Duhet një lëvizje e brendshme e shoqërisë civile që BE të mund të reagonte në këtë drejtim dhe ky ishte kushti, sipas tyre.

A ka vallë tek ne shoqëri civile, të atillë, të shëndetshme? A ka në Shqipëri shoqata që çështjen e higjienës së ndërgjegjes e vënë si gurin themeltar të çdo vizioni dhe aksioni demokratik? A mos vallë të gjitha OJQ-të tona veprojnë sipas skemës së paracaktuar të ndërtimit “kioskë”, ku në bazën e themelimit të tyre janë pagëzuar nga trinia djallëzore: një ish-oficer i Sigurimit të Shtetit, një politikan dhe një biznesmen, që sponsorizon aktivitetet, deri në formimin e një profili të mediatizuar? Mandej dihet, pas një stazhi të gjatë në emër të gjoja të drejtave dhe lirive qytetare, kur liderët e këtyre shoqatave të jenë afirmuar në publik, shoqata OJQ heq mandej maskën dhe prek “destinacionin” e paracaktuar nga pagëzuesit, me fjalë të tjera, pjesëmarrjen në Parlament, si parti politike.

Këtë nuk mund t`ua thoshe dot eurodeputetëve gjermanë. Rrezikoje të mos kuptoheshe.

Për më tepër, kjo pyetje më ka munduar dhe besoj, jo vetëm mua. Mirëpo pikërisht gjatë vitit të shkuar pati një iniciativë të Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut, i cili kërkoi mbështetje nga grupet e interesit për një Platformë të re të Ligjit të Lustracionit, lëvizje e cila menjëherë “zgjoi” disa “të interesuar” të tjerë, të cilët gjithashtu, nxituan të shpallnin dhe ata nga një Platformë të Lustracionit. U mediatizuan kështu dhe disa iniciatorë paralelë, grupime politike e institucione të pavarura, që i mundonte pikërisht çështja e pastrimit të shoqërisë nga krimet e diktaturës. Kuptohet, asgjë nuk u finalizua. Si në të gjitha rastet e tjera të këtyre dy dekadave.

Sërish gjatë këtij muaji debati këmbëngulës u shtrua, tashmë në një nivel të ri dhe me një aleancë me të gjerë: Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut në bashkëpunim me dy deputetë, znj. Mesila Doda dhe z. Shpëtim Idrizi, ndërmorën zyrtarisht hapin konkret, duke e depozituar në Parlamentin shqiptar Plaformën  e Ligjit të Lustracionit, me kërkesën për ta përfshirë atë në agjendën e diskutimeve parlamentare. U shfaqën dhe opinionet e para rreth domosdoshmërisë së një zgjidhjeje nga pena të njohura, të cilat këtë ndjeshmëri publike e kanë trajtuar vazhdimisht. Por sërish nxituan nga pushteti ekzekutiv përpjekjet për ta rivalizuar këtë nismë, me idenë se ky Ligj (Lustracioni), po përkthehet nga modeli gjerman (a thua se nuk ishte përkthyer më parë ai që u rrëzua, i vitit 2009!), për ta dërguar dhe ata në Parlament. Një situatë tashmë e përsëritur, e gjitha deja-vû.

Zhvillimi më i ri gjatë dhjetë ditëve të fundit, është mbledhja e Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut dhe grupimit rishmëtar “Studentët e Dhjetorit”, të cilët në një prani më të gjerë të gazetarëve të njohur dhe përfaqësuesve të shoqatave të ish të Përndjekurve Politikë, diskutuan për një Lëvizje të strukturuar e të organizuar, tashmë jo vetëm thjesht për Ligjin e Lustracionit, por për një Platformë të plotë të Dekomunistizimit të Shoqërisë nga trashëgimia kriminale e diktaturës komuniste.

Përgjatë këtij çerekshekulli pas rënies së diktaturës, kurrë nuk ka pasur një apel më të guximshëm, më të qartë e më të plotë rreth çështjes më të nxehtë publike, politike e shoqërore, të ndarjes njëherë e mirë me trashëgiminë e komunizmit. Kampet, si gjithnjë, në fillim të kësaj lëvizjeje janë ndarë në dy pjesë: skeptikë dhe optimistë. Skeptikët ndahen në dy pjesë: njëra që thotë se nuk mund ta kryejë pastrimin e shoqërisë ajo forcë politike e cila rrjedh gjenealogjikisht nga shkaktarët e vërtetë të krimeve të dikataturës dhe pjesa tjetër, ajo qeveritare dhe proqeveritare, tund argumentin se ky ligj përbën dhunimin e të drejtave të njeriut dhe është antikushtetues, ndonëse këtë përgjigje duhet ta japë Gjykata Kushtetuese. Nga ana tjetër, optimistët kanë shpresë se shoqëria, megjithë konfiguracionin e saj, do ta mbështesë kauzën e tyre të drejtë shoqërore dhe se me vullnet politik, ashtu siç ka ndodhur në një sërë vendesh ish-komuniste, si: Gjermania, Çekia, Hungaria, Polonia, Sllovakia e Rumania, çdo pengesë ligjore kushtetuese mund të kapërcehet, në analogji të plotë me vendet që cituam.

Parashikohet një fillim i nxehtë për muajt e parë të vitit 2015. Shoqëria shqiptare, përpos problemeve ekonomike, papunësisë dhe rritjes së çmimeve, duhet të dalë nga topitja e ta provojë veten edhe përballë një testi vendimtar të raportit të saj me të shkuarën komuniste, ndonëse në këtë pikë është më e vonuara nga të gjitha shoqëritë ish-komuniste të kampit. Sepse nuk është fjala tashmë vetëm për Lustracionin, por për një ndërmarrje të gjerë të një ekzorcizmi të plotë, të këputjes së të gjitha verigave që e mbajnë atë peng të mendësisë, nostalgjisë dhe veprimit të figurave të errëta, të ricikluara në hapësirën postkomuniste në të gjitha instancat e pushteteve politike, ekonomike, kulturore e akademike të shoqërisë sonë.

Nëse lëvizja do të jetë e sinqertë dhe e vendosur (të më falin për rezervat e mia skepticiste) dhe mbështetja intelektuale e shoqërisë do të jetë gjegjësisht po e tillë, shoqëria shqiptare ka shansin t’u japë fund, siç thotë shkrimtari Ismail Kadare, “historive të saj që përfundojnë me qen”. Atëherë e tashmja dhe e ardhmja e kësaj shoqërie do të jenë të pastruara nga gjëja më e shëmtuar e diktaturës, që është trashëgimia e saj aktive. Por që kjo lëvizje të gjejë mbështetje të gjerë publike të kauzës së saj, mbështetësit e saj duhen sqaruar qartë për se bëhet fjalë, duke filluar që nga Ligji i Lustracionit deri tek thelbi i Platformës së Dekomunistizimit. E rëndësishme është transparenca e ligjit përpara se ai të miratohet në Parlament, në mënyrë që Lëvizja, mbështetësit dhe të interesuarit për të, ta dinë se çfarë ligji po miratohet, sa i konsultuar është ai me ekspertët në përputhje me trajektoren specifike të reales komuniste shqiptare. 

Meqenëse për mua personalisht kjo çështje ka qenë, që prej rënies formale të komunizmit, një gjendje e përhershme të menduari dhe të vepruari, një regjim i tendosur meditativ, plot zhgënjime dhe përvoja skepticiste, do të desha të paraqes disa shqetësime paraprake, që t`i kenë parasysh organizatorët e lëvizjes për pastrimin e shoqërisë nga e shkuara dhe dekomunistizimin e Shqipërisë, pa e vënë në diskutim mbështetjen time të natyrshme.

E para ka të bëjë me përballimin e ekspertizës së argumentit në debatin publik mbi Ligjin e Lustracionit dhe për këtë, duhet një grup i përgatitur ekspertësh ligjorë, të cilët të dinë të artikulojnë juridikisht qartësinë e qasjes, por ama, të tillë ekspertë që këtë çështje ta kenë pasur “gjendje të përhershme të menduari e të vepruari”. Së dyti, kam bindjen se pengesa më e madhe për Lustracionin nuk do të jenë partitë tona politike parlamentare, por sistemi ynë i drejtësisë, i cili paraqet në vetvete një palimpsest të së keqes, pasi drejtësia jonë në instancën e Gjykatës Kushtetuese do të bëjë çmos për ta rrëzuar sërish ligjin, ashtu si në vitin 2009, për shkakun e thjeshtë se nuk do të dëshironte t`i vinte vetes bombën poshtë këmbëve. Nëse në Europë, sistemi i drejtësisë përbën efektin anësor të partive politike në pushtet dhe parlament, në Shqipëri është diametralisht e kundërta: partitë politike parlamentare janë efekti anësor që prodhon sistemi i drejtësisë. Gjykata jonë Kushtetuese, në lidhje me çështjen e Lustracionit, paraqet një rimishërim trashëgimor në frymë dhe vullnet të paraardhësve të tyre të drejtësisë komuniste të diktaturës.

Si do ta përballojë këtë pengesë lëvizja për Lustracion dhe Dekomunistizim?

I treti, por jo i fundit shqetësim, që doja të shtroja për nismëtarët e lëvizjes është fakti i dëshirueshëm (nëse do të jetë  i mirëqenë), se në rastin e kapërcimit të dy pengesave të para, atëherë sa siguri do të ketë në besueshmërinë e Autoritetit të Lustracionit, kur nga artikulimet e deritashme politike thuhet se në përbërjen e tij, “do të zgjidhen persona me integritet moral, që gëzojnë besimin e shoqërisë”? Pikërisht në finale, na vjen një fraza më irracionale, e cila nuk i jepet asnjë dekonstruktimi logjik. Kush janë pra, ata që propozojnë, vendosin dhe na garantojnë për garancinë? Në ç’mënyrë? Kjo pyetje, ndonëse e fundit, është e një rëndësie vendimtare, duke pasur parasysh gjendjen e dëmtuar të dosjeve, pjesën thuajse plotësisht të zhdukur për personat që janë ende gjallë dhe në majë të karrierës. E nëse këta persona të Autoritetit të Lustracionit nuk do ta kenë këtë kauzë “gjendje të përhershme të menduari e të vepruari”? Atëherë çfarë sigurie ka në qerthujt e pasigurisë?

1

Mund të përcaktosh – dhe tashmë e kanë përcaktuar – gjenezën intelektuale të dy prej ideologjemave që kanë përshkuar në këtë shekull pjesën më të madhe të njerëzimit. Megjithatë, ende na kanoset rreziku, a thua se në to, prapëseprapë, paskan gjalluar dofarë idesh të thella e të mëdha, prej të cilave edhe sot të ketë mbetur ndonjë grimcë e vlefshme. Është fjala për komunizmin dhe nazizmin. Praktika tragjike e tyre na la një përvojë të padenjë për respekt. Ata nuk meritojnë më (pavarësisht përpjekjeve për të na i rikthyer) asnjë rehabilitim. Është e papranueshme gjithaq edhe demagogjia e fisnikërimit të tyre, pasi secili në llojin e vet ka falsifikuar dhe manipuluar me idenë e së Mirës.

Marksizëm-leninizmi e shiste veten si trashëgimtar të traditës me zanafillë Heraklitin dhe Demokritin. Ai e nxjerr prejardhjen e vet nga Lukreci, epoka e Iluminizmit, Hegeli dhe gjithë zhvillimi i shkencës së Pozitivizmit. Ndryshe me nazizmin, që pretendon, sidoqoftë, të mos e ketë dhe aq vulgare gjenezën, duke e konstruktuar atë në zanafillë, me tragjedinë greke, Herderin, Novalisin, Hegelin e interpretuar ndryshe, Niçen dhe, ta pret mendja, e bazonte të drejtën e tij me zhvillimet e shkencave që nga koha e Darvinit.

Ky është një iluzion, i cili sjell një rrezik shtesë: kompromentimin e të gjithë emrave që ata përmendin. Do të rrezikonim nëse do të fajësonim Hegelin dhe çdo filozof apo shkencëtar tjetër nga sa përmendëm, për faktin se na kanë lënë të tillë pasardhës.

Megjithatë, janë pikërisht këto manipulime dhe falsifikime, më saktë, monopolizime mbi idenë e së Mirës – shkaku tragjik që ka përcaktuar fatin e veprës së shumë shkrimtarëve e mendimtarëve, të cilëve u ra të krijojnë brenda këtyre dy sistemeve politike.

Ne kemi përvojën tonë shqiptare, e cila duhet përcaktuar si “e turpshme dhe tragjike”, produkti pesëdhjetëvjeçar i së cilës, kur e sheh të shpërndarë nga bukinistët trotuareve apo brigjeve të Lanës, të trishton jo më pak se muranat e ngritura ndanë rrugëve automobilistike, në përkujtim të të aksidentuarit. Në të dy rastet, asociacioni të shpie në atmosferën e përzishme, mortore. Në sisteme të tilla vlerash, kjo atmosferë ishte e pashmangshme.

Gjendja shpirtërore e aktivistit të Partisë dallon për nga besnikëria fanatike ndaj sistemit. Direktiva “nga lart” rindërton të gjitha polet e mendjes dhe perceptimit gjer në periferi. Si rezultat, gjuha shndërrohet, metamorfozon: ajo nuk i shërben më komunikimit, përshkrimit apo sqarimit, por krijimit të lidhjes ndërmjet sistemit dhe realitetit. Kësaj gjuhe i përket një rol magjik: t’ia nënshtrojë realitetin botëkuptimit. Kjo është një “gjuhë liturgjike” dhe çdo formulim i saj shenjon përkatësinë e folësit ndaj sistemit, kërkon nga bashkëbiseduesi që edhe ai të jetë i përfshirë në të. Fjalët e tij më me rëndësi janë kanosja dhe simbolet e pushtetit. Kjo më së shumti i shkon përshtat “traditës” së sistemit komunist, që në vendin tonë edhe sot e kësaj dite e ndjejnë veten si peshku në ujë (mjafton t’u hedhësh një sy gazetave dhe liderëve të spektrit politik ose fakturës së ligjërimit gjuhësor të politikanëve).

Nën pushtetin e ideologjisë është e pamundur të mbetesh i mençur apo mendjekthjellët. Nazizmi ka tunduar e më pas, kompromentuar disa mendimtarë të mëdhenj: Hajdegeri apo Karl Shmiti etj., janë, megjithatë, raste specifike. Ata më së shumti projektuan tek nazizmi idetë e tyre dhe për nazizmin vetë, këto ide ishin të huaja: antimodernizmi i thellë, antidemokratizmi i thellë, nacionalizmi, kthimi në metafizikë, – të gjitha këto nazizmi sikur i përvetësoi, por i përvetësoi me atë rezervë, për çka ato përbënin vlerë idesh në jetën intelektuale të filozofëve: me rezervën e mendimit, thellësisë, metafizikës. Këta filozofë ranë pre e iluzionit të gjenezës.

Sidoqoftë, marksizëm-leninizmi nuk ia doli t’i qorrollepsë disa nga mendimtarët e mëdhenj të dorës së dytë, si p.sh., Llukaçin, Brehtin, Aragonin, anipse edhe këta nuk vonuan ta humbnin talentin e tyre sapo ngjëruan çorbën komuniste.

Partitë komuniste kanë mundur të lavdërohen me zell kapadaiu e karagjozi me figura shkrimtarësh të mëdhenj në radhët e tyre: me Aragonin, Bretonin, Elyarin, Gorkin, Majakovskin, Pikason, Lanxhevenin, Nerudën, Hikmetin, porse kujdeseshin gjithnjë që t’i mbanin ata të shtëmëngur, anash, duke u lënë vetëm mundësinë e përfshirjes me raste, sipas gjendjes shpirtërore, sipas leverdisë, sipas rrethanave. Sidoqoftë, pa marrë parasysh karakterin sipërfaqësor të partishmërisë së tyre, dhe piktura e Pikasos (shih. “Lufta në Kore”), dhe poezia e Nerudës, Hikmetit, Majakovskit dhe Aragonit, veçse kanë humbur e degraduar nga kjo gjë.

Për realitetin shqiptar mund të thuhet, si për çdo realitet tjetër komunist, se edhe shkrimtarët tanë, madje me dëme më katastrofale, patën të njëjtin fat, anipse çdocilit sot, nga gjithë krijimtaria në prozë e poezi, mund t’u nxjerrësh me rafinerim nga një libërth-fletorkë në përkujtim të grimëçastit kur Shkrimtari hapi gojën të flasë, porse s’arriti të nxjerrë veçse një gogësimë të zgjatur. Natyrisht, çështja e sasisë është e diskutueshme dhe përjashtime bëjnë një, dy, tek e shumta tre shkrimtarë.

Në diskutime të ndryshme është naivitet e pikëllim njëherësh të shohësh se si fryhen si kaposhë shumë nga shkrimtarët tanë kur thonë se “të gjithë shkrimtarët e mëdhenj kanë qenë të majtë”. Unë them se mendimtarët e mëdhenj dhe shkrimtarët e talentuar përcaktohen nga karakteri dhe niveli i neverisë që kanë prej çdo përcaktimi ideologjik. Arti mund të mbijetojë vetëmse estetikisht, qoftë dhe brenda regjistrave të provokimit. Mendimtarët e mëdhenj përmbyllen në sisteme ideologjike vetëm përsa i përket rrjedhës së rastësishme të pasioneve, natyra e të cilëve gjendet jashtë ideologjisë. Por, duke iu avitur bërthamës së saj, pasionet ftohen dhe shpesh mbeten vetëm precipitate derdimenomanie.

E, meqë jemi te precipitatet, a mundet vallë, në kulturën tonë të të gjitha sferave, të ngjitet kjo tipologji deri te brezi i “Pepsi-Cola”-s? Sa herë mundohem t’u shpjegoj studentëve të mi logjikën e gjërave që përbënin ankthin e përditshmërisë komuniste para viteve 1990, ndesh një sforcim për ta rrokur me mend vështirësinë e tyre. Dhe e di se kurrë s’ka për të ndodhur përjetimi as i një historie të vetme, as i të gjitha historive që përbëjnë sfondin psikologjik kolektiv të kësaj epoke. Ata nuk mund ta rrokin me mend aktivitetin psikik dhe pulsimin e ankthit të njeriut në diktaturë, gjendjen e tij të përhershme të të qenit "i arresetuar" në këtë botë, njëlloj siç ndodh me personazhet e Franc Kafkës, prandaj brezat e rinj priren ose t’i totalizojnë skematikisht gjërat në bardhë e zi, ose të jenë krejt indiferentë ndaj realeve që nuk i kanë prekur dhe ndjerë në lëkurën e tyre. E shumta, ata që s’e kanë përjetuar epokën e diktaturës dhe mekanizmat e funksionimit të saj, e shohin atë si një roman jo shumë tërheqës, ndërsa mua, si një tip që po u rrëfen sagën kronikale të një sëmundje, të një lëngate të gjatë, e cila dikë e mori e dikë, falë Zotit, e la për të dëshmuar, më gjysmë goje, të fiksuar, të zymtë e konfuz.

Brezi “Pepsi-Cola” është një qytetërim radikalisht i ndryshëm; jeton në koordinata radikalisht të ndryshme kohore, sociale dhe metafizike. Dhe janë këta breza formacioni i recipientit të ri, që kurrën e kurrës nuk do të marrë fare mundimin t’i përjetojë, t’i marrë seriozisht, pa le më të vrasë mendjen për socrealistët. A është mirë kjo? Edhe mirë, edhe keq. Gjithsesi, e keqja e tyre, pra mosinteresimi për ekzistencën e socrealizmit, ka përsëri një të mirë të madhe. Thjesht ata s’do të kenë punë fare me kompromentimin e kujtesës.

E di se do të më kundërshtojnë. Sepse nuk është çështje erudicioni, formimi, refleksioni a ku di unë. Është çështje vetëdijeje tjetër, ndjeshmërie të re. Dhe pamundësia ka të bëjë me faktin që vetëdija nuk ndryshohet si “Njeriu i ri”. Ajo nuk është më një fëmijë që mund të birësohet. Socrealizmi është i jeratisun prej Zotit më të pamëshirë, Zotit të Historisë, të linçohet me harrimin më përjashtues nga brezi më i ri që po vjen – generation “Pepsi-Cola”.

Në asnjë epokë kulturore s’gjen një përjashtim kaq kategorik sa ky.

0

 

*Fjala para të mbijetuarve të Kampit të Shfarosjes në Bënçë të Tepelenës, i cila ka ekzistuar si një “Aushvic” për 2500 famije nga Veriu i Shqipërisë në përiudhën 1949 – 1954.

 

Të dashur e të nderuar qytetarë fisnikë të Shqipërisë, – ju që i mbijetuat sprovës më të vështirë të mbijetesës fizike, morale e psikologjike të Tepelenës, më tmerrshmit prej kampeve komuniste të internimit, duke dëshmuar qëndresën me virtytet tuaja njerëzore, ashtu siç i trashëguat prej dyerve tuaja të larta!

Jam shumë i lumtur dhe i emocionuar, që ia dolëm të mblidhemi së bashku këtu, në këtë vend vuajtjesh e kujtese të pashlyeshme njëherësh, për të bërë një homazh simbolik për gjithë ata dhjetëra mijëra të internuar nëpër kampet e shfarosjes gjatë diktaturës. Le ta kujtojmë pra sot në këtë tubim kalvarin e dhimbshëm të familjeve shqiptare, ato mijëra gra dinjitoze, ata mijëra fëmijë e të mitur të pafajshëm, ata mijëra pleq fisnikë që u përballën me shkallën me të ulët të barbarisë komuniste!

Le t’i kujtojmë me nderim të thellë ata fëmijë, të rinj, pleq e plaka, të cilët mbetën përjetësisht peng i dheut shqiptar të Tepelenës. Detyra jonë njerëzore e qytetare është t’i kujtojmë, sepse ata që nuk i mbijetuan këtij kampi shfarosjeje përbëjnë pa diskutim shembullin më të lartë të dinjitetit tonë. Por, veçanërisht jam i lumtur t’ju shoh sot të bashkuar këtu, ju, të mbijetuarit e skëterrës komuniste, si dëshmi dhe jehonë e familjeve tuaja të ndritura, patriotike.

Ju i mbijetuat Tepelenës dhe keni krenarinë e ligjshme të ngadhënjimit tuaj, sikundërse na mbushni me krenari edhe ne, edhe brezat që vijnë, sepse dëshmoni të gjallë, që diktaturat e përgjakshme tiranike, sado të egra qofshin, kanë karakter nomad, të përkohshëm. Përkundrazi, vlerat e fisit të lartë njerëzor janë të përjetshme.

Ju i mbijetuat Tepelenës! I mbijetuat, sepse në përballjen e madhe midis sojlinjve dhe sojsëzëve, në përballjen e madhe me të keqen – me më të keqen e të këqijave – kur kanosej ekzistenca juaj fizike dhe e familjeve tuaja – sado e egër qe sprova, ajo nuk e mposhti dot gjenin qëndrestar e të pashkatërrueshëm të sojlinjve.

Ky është fakt dhe ne jemi bashkë këtu, dëshmitarë dhe triumfues. Dhe do të triumfojë bashkë me ne edhe Kujtesa për çfarë ka ngjarë, Kujtesa e kalvarit tuaj, të cilën më kot rreken ta përgjumin, ta përdhosin, ta ndalojnë, apo të përdorin me hipokrizi vetëm në agjendë të servilizmave hipokritë zyrtarë, t’ia përshtatin kujtesën e martirëve një imazhi turistik të dukjes para vizitorëve të huaj. E mandej, ikonat e martirëve t’i heqin nga bulevardet, për t’i plasur në errësirën e pluhurin e bodrumeve. Kjo është forma më cinike e talljes me Kujtesën e të martirizuarve. Por ajo nuk është pronë, nuk është monopol për ta përdorur për imazh të jashtëm: plaga e saj dhemb nga brenda, jo nga jashtë.

Pikërisht këto medalje të plagëve në kujtesën tonë kemi nderin ta promovojmë sot në këtë “Aushvic shqiptar” me botimet e Institutit tonë të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, duke pasur vazhdimisht ndihmën e paçmuar financiare e bashkëmendimtare të z. Thomas Schrapel me fondacionin “Konrad Adenauer” që ai drejton. E zgjodhëm Tepelenën si kryesimbol të vuajtjeve tona çnjerëzore nën diktaturën Komuniste për të promovuar vëllimin e tretë të “Fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist”. Jam i lumtur që ky vëllim, ky inventar i qytetarëve tanë të persekutuar bëhet me praninë tuaj, pasi personazhet e atyre faqeve jeni ju dhe të afërmit tuaj, ju të gjallët dhe 250 martirët, gra, pleq e foshnja, varret e të cilëve diktatura i rrafshoi me buldozer. Por këtu jemi të gjithë të pranishëm, ju që mbijetuat, por edhe shpirtrat e të dashurve tuaj: ata janë këtu, përreth nesh. Gjithkush është në gjendje të vendosë kontaktin personal me ta: ata janë duke na ndjekur, përreth nesh; duke na miratuar.

Në mbyllje të kësaj fjale, më lejoni të shpreh çlirimin tim prej një pengu të hershëm: kam ëndërruar gjithmonë t’ju mblidhja së bashku, këtu, në vendin e Krimit, ku ju, të pambrojtur, u ndeshët me barbarinë satanike dhe ndonëse me çmim të rëndë, përmes privimesh e sakrificash, Mbijetuat! Ajo që ju bashkon ju dhe ne, përmes shembullit tuaj, është një histori dinjiteti, për të cilin shoqëria shqiptare ka nevojë dhe është borxh përjetë.

0

1. Endur me të shenjtën

Ndër piktorët më të mëdhenj shqiptarë, Lind Delia është më i veçanti. Peneli i tij në të gjitha gjinitë e pikturës, portret, peisazhet, tablotë apo vizatimet prek instinktivisht frymën e të gjitha shekujve njëherësh, duke krijuar portrete dhe peisazhe të përjetshme. Lashtësia dhe moderniteti kanë një alkimi mistike në ngjyrën dhe subjektet e Lin Delisë, një alkimi që të fton drejt raporteve transcedentale me të përkohshmen dhe të përjetshmen. Plagët e paraqitur në kurmin e Krishtit apo të shenjtëve të tjerë, përjetohen si trauma kolektive të njerëzimit, si shtjella kohore të së keqes, prej të cilave mund të dilet vetëm me përvujtninë, dashurinë dhe madhështinë e sakrifikimit në emër të dashurisë për Hyjin. E veçanta e artit të Lin Delisë është se portretet e tij, ashtu sikurse fytyrat e një bashkësie i paraqet në një unitet metaforik, si gjymtyrët e një dhimbje të përbashkët. Tablotë me motive mitologjike dhe folklorike kanë një aurë të shenjtë, që spikat në identitetin e qëllimit, idesë së përbashkët të fatit dhe martirizimit. Kjo krijon një forcë të qendërzuar edhe në idile, edhe në tema jo sakrale.

Gjithë veçantia e artit piktural të lin Delisë është shpërngulja dhe frymimi i subjekteve evangjeliste mes një peisazhi karakteristik shqiptar. Dekori është i ngopur me elemente dhe shenja intime të veshjeve, detajeve etnografike dhe ekspozimit në natyrën të hapur. Notat e forta ekspresioniste të pikturës së tij krijojnë një përmasë opozicionale midis së shenjtës dhe profanes, midis dhunuesve dhe martirëve. Të gjitha këty fytyra, shprehi, miset dhe grimasat e përvuajtura nëpër portretet e tij të dhimbshme kanë një origjinë atdhetare, çka duket qartë, me të gjithë materien drithëruese para ferrit të dhunës e përndjekjes.

Shkalla e gjërë e kuptimeve dhe asociacioneve që ngjallin këto portrete, peisazhe e tablo na flet për një penë prej mjestrave të lashtë, për një sintezë të artit antik dhe ikonografisë me përvojat më të rafinuara moderniste të shekullit XX. Veprat pikturale të Lin Delisë krijojnë një ep liriko-religjioz të dhimbjes, durimit dhe dinjitetit njerëzor në përballimin e së keqes. Në disa portrete duket qartë furia shkatërruese e kohës, habia se ç`është e aftë të bëjë koha me njeriun, por nga ana tjetër spikat si kontrast i fortë thelbi dinjitoz e vital i njeriut. Seria e portretevce femërore e ka më evidente këtë veçanti. Mbi të gjitha ambiguiteti simbiotik i kohërave dhe thelbit të përjetshëm të njeriut është merita kryesore e artit të Lin Delisë.


2. Kalvari i shenjtëve dhe apostujve në përditën shqiptare

Seritë e portreteve me shenjtorë e shenjtore, që të veshur së jashtmi me një habitat të murrmë, të errët – më saktë – me një pigment prej materjeje myshku (myshku e mugu i kohërave, një kore e myshkët që mbështjell thelbin e pandrsyhueshëm magmatik të besimit në hyjin) – janë një polemikë e përndezur, ndonëse e kamufluar artistikisht me furinë rrënimtare të dhunës verbale komuniste mbi besimin dhe të shenjtën në jetën publike. Ka dhe një seri nudosh në krijimtarinë e Lin Delisë ku thelbi femëror përcillet nëpërmjet formave të bymyera e të qarkuara nga një tonalitet rozë në mavi, si një aludim i së përkohshmes, i lëndës efemere, madje një pjesë e këtyre nudove, duket sikur kanë të ndërkallur një polemikë të brendshme, pa hyrë në relacion me fytyrën (sepse fytyra zakonisht nuk duket, ose e ka humbur individualitetin e vet, ngaqë është e kthyer në profil të vagëlluar); nga ana tjetër kjo polemikë e brendshme midis efemerizmit të lëndës dhe kalimit, përkundër idesë pagane të bjerrjes e tretjes së hireve, zgjon asociacione të forta me "enën e shenjtë të pjellorisë", me shenjtnimin e dëshirës si porosi të Hyjit, që thotë: "shtohuni e shumohuni e përhapeni farën tuaj anembanë dheut". Të ngërdhesh të shenjtën tek publikja dhe publiken tek e shenjta, si dy thelbe përplotësuese të një uniteti trup-e-shpirt – kjo është eklektika e Lin Delisë në tematikën e krijimtarisë. Në portretet e shumta me shenjtorët e famshëm të ungjijve dhe të shenjtëve të  tjerë të njohur, kemi zbritjen e tyre në tokën iliro-shqiptare; tiparet e tyre kanë një trishtim ekleziastik, por edhe një grimë të impostuar dramatizmi pikëpyetës për diç të gjëmshme që po avitet. Hetohet pra një alarm i kontrolluar me skepticizëm në nuancat dramatike të ndonjë tipari në mimikë, një farë furtune fatkeqësish, që herëdokur do të kalojë. Këmbëngulja për t`i kthyer në një trull shqiptar, për t`i zbritur këta shenjtë dhe apostuj me këmbë në një tokë të zjarrtë apokaliptike që zien nga horrori komunist, – kjo me sa duket ka qenë zismika qëndërzuese e penelit të Lin Delisë, ose përndryshe, momenti që përjetësoi piktori jo më sipas sentencës së Horracit: "ndalo moment!", por më fort sipas sentencës së një vargu të J. Brodskijt: "ndalo moment! Ti s`je aq i bukur, sa ç`je i papërsëritshëm!".

3. Kush është Lin Delia

Lin Delia lindi në Shkodër (3 shkurt 1926) në një familje të thjeshtë shkodrane, e cila më pas, edukimin shpirtëror dhe artistik do t’ia besonte personaliteteve të kolegjit françeskan “Illyricum”. Këtu ai u njoh edhe me përfaqësuesin kulturor më të rëndësishëm të botës françeskane në Shqipëri, Atë Gjergj Fishtën, admirimin për të cilin më vonë ai do ta shprehte në portretin që i kushton poetit, i ekspozuar sot në kishën “Zoja e Shqiptarëve” në Detroit. Mbas vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri, Lin Delija arratiset në Jugosllavi më 1948. Mbas një purgatori hetimi e kërcënimesh ai u lejua të vendosej në Titograd (Podgorica e sotme), dhe më pas, falë talentin të tij si piktor, u dërgua në Herceg Novi, ku diplomohet për pikturë pranë një shkolle modeste arti. Ndërkohë njihet me mjeshtrin e mirënjohur të pikturës me ngjyresa ballkanase, Kujaçiq, konturet dhe prerja e qartë e figurave të të cilit tërhoqën vëmendjen dhe nxitën admirimin e Lin Delisë, i cili shihte tek kjo teknikë një shprehje të përafërt me mënyrën e tij të modelimit e të vizatimit. Formimi më i plotë profesional i tij vijon me frekuentimin e Akademisë së Arteve të Bukura të Zagrebit gjatë viteve ’50 dhe sidomos të Akademisë së Arteve të Bukura të Romës, me një bursë studimi falë përkujdesjes së veçantë të Ernest Koliqit. Në Romë ndjek kurset e piktorëve të njohur Mario Mafai dhe Amerigo Bartoli, të së ashtuquajturës Shkolla Romane e pikturës. Diplomohet më 1959. Pikturat e Lin Delisë së viteve ’50 karakterizohen nga imazhe të errta, të përftuara nga përzjerje ngjyrash me tone të mprehta, duke theksuar edhe më tepër dramacitetin e personazheve të paraqitura. Kompleksiteti i kalimeve tonale e lidh pikturën e kësaj periudhe, punuar gjithnjë në vaj, me Shkollën Romane. Ndër punimet e pikturuara dhe të ekspozuara në galeri të ndryshme të kësaj periudhe spikasin: Burri me këmishë të bardhë, Autoportret, Kryqëzimi, Martirizimi i Shën Sebastianit, Peizazh, Studio e piktorit, Mater Dolorosa. Gjatë fillimit të viteve ’60 Lin Delija ftohet të ekspozojë në galeritë më të njohura të artit në Romë. Merr pjesë në edicione të ndryshme të Ekspozitës së Artit të shenjtë me temë “Zoja e artit bashkëkohor”, së bashku me skulptorin Fazzini e piktorët Purificato dhe Bartoli. Në këtë periudhë, teksa ekspozon në galerinë “Lo Sprone” në Firence, ai pranon postin e docentit të kursit të pikturës në Akademinë e Lirë të Arteve të Bukura, themeluar nga imzot Luigji Stefani. Nga kjo përvojë zë fill edhe përfshirja e tij e gjatë e pasionale në mësimdhënien e pikturës, e cila do të kulmojë pas njëzet vitesh me themelimin e Akademisë “Carlo Cesi” në Antrodoco. Me pikturën “Zoja e Shqiptarëve” përvijohet te Lin Delija i viteve ’60 një mënyrë e veçantë e konceptimit të së shenjtës brendashkruar botës së traditës shqiptare, duke sjellë një varg veprash që karakterizohen nga përfshirja e objektit sakral në një mjedis me elemente peizazhi, veshjesh dhe shprehjesh gjestuale e fizionomike karakteristike shqiptare.

Lin Delia, piktori që do të përshëndetej si një artist i rrallë në shumë vende, në Shqipëri, në atdheun e vet, ka qenë më i pavërejtur se një fantazmë. Kjo ndodhte për arsyen e njohur se në gjysmën e dytë të shekullit, prej Shqipërisë ishin larguar, ndër të tjera, shenjat e epërme të qiellores, të hyjnisë e të transhendentales. Të mbetura pa to, pëlhurat e piktorëve, ashtu si gjithë artet, do të shkretoheshin si rrallëkund. Duke u arratisur nga Shqipëria, më 1948, për të kërkuar lirinë, në radhë të parë në art e pastaj në jetë, pikërisht në kohën kur i është dukur se ka lënë pas vetes gjithçka, e ka kuptuar se ka ndodhur e kundërta, ka marrë gjithçka e s’ka harruar asgjë. Me Lin Delinë ndodhi ajo dukuri e njohur në botë, kur piktorët e ikur nga vendet e tyre, donin apo s’donin, merrnin me vete pamjet, dritat dhe hijet, dhe gjithçka që lidhej me artin e pikturës. Lin Delija, në vendet e huaja, kryesisht në Romë ku studioi, e më pas në Antrodoko, ku u vendos, kaloi nëpër këtë rrugëtim. Ajo që për piktorët e tjerë ishte më e thjeshtë, ngaqë shpesh kishte lidhje me nostalgjinë, për piktorin e mërguar shqiptar vetvetishëm merrte një ngarkesë dramatike. Bashkëkombësit e tij ishin të ndarë tragjikisht nga bota, ndaj, duke i sjellë ata në pëlhurat e tij, sidomos në ato me motive të shenjta, kishte iluzionin ndoshta se iu jepte lirinë e pamundur.


4. Krishti i ndal në Shkodër

Lin Delija shkoi edhe më larg, duke kryer një nga ato mrekullitë që mund të ndodhin vetëm në art. Sepse vetëm në art mund të ndodhte që shqiptarët e tij, fytyrat, vallet, tirqet e xhamadanët e qëndisur, jo vetëm që çliroheshin nga vetmia, por qëllonte të gjendeshin befas midis ngjarjeve planetare, ato që kishin ndryshuar botën, si ajo që jepet në tablonë e famshme “Hyrja e Krishtit në Jeruzalem”. Ngjante krejtësisht surrealiste, që njerëzit e pikturuar, të cilët jo vetëm s’mund të kishin qenë kurrë në atë ndodhi të moçme, por ndoshta nuk ekzistonin ende si popull, të buisnin befas rreth e qark, në pritjen e Birit të Zotit. Kështu duhej të ishte sipas logjikës së gjërave, por jo asaj të artit. Sipas Delisë ishte normale që pikërisht shqiptarët e tij, ata, vendi i të cilëve, i vetmi në kontinent, e kishte dëbuar Krishtin, ta prisnin tani si në dasmë. Tabloja e krijuar më 1987 ishte profetike. E pabesueshmja do të ndodhte tre vite më pas. Pikturon gjithashtu Fytyrën e Krishtit, e cila sot bën pjesë në Koleksionin e Artit Modern të Vatikanit, Shën Mërinë e Popullit, pjesë e Koleksionit të Artit e Spiritualitetit në Muzeun “Pali VI” dhe Maria në Golgotë që  ruhet sot në Muzeun “Lin Delija-Carlo Cesi” në Atrodoko. Piktura e tij nis të fitojë ndërkaq një paletë ngjyrash të forta.  Më 1963, Delija vendoset përfundimisht në Antrodoko, ku krijon një lidhje të veçantë shpirtërore me peizazhin karakteristik të krahinës, një peizazh dramatik që i kujtonte natyrën përreth Shkodrës. Disa nga peizazhet  e tij janë “ripërjetim” i kësaj bote të vogël.

Ndërkaq në galerinë “La Botteguccia di Donna Tania” në Romë Lin Delija paraqet gjatë një ekspozite personale veprat: Shkodrani, Tri Hiret, Pëshpëritja e malsorëve, Shkodrania, Shtregulla në Shqipëri, Lule, Kitaristi dhe Peizazhi; ndërsa në Firence ekspozohet një seri pikturash ku disa nga personazhet e njohura biblike që rikthehen nga vdekja, si psh. Lazri dhe bija e Jairit, në zhvillimin artistik të dramës duken se përjetojnë përmes qënies së tyre ngadhnjimin mbi vdekjen. Edhe këtu personazhet janë të veshura me kostume tradicionale shqiptare. Duket se në të gjitha pikturat e Krishtit të kryqëzuar, kjo kodër është Shkodra, d.m.th., Shqipëria, aq sa duke i parë këto variacione të shumta tematike të kryqëzimit mund të thuash, se Lin Delia i mëshon një semantike: "Krishti u ndal në Shkodër".

Gjatë viteve ’70 vërehet kalimi i punimit nga vaji në tempera. Ky ndryshim vjen për shkak të shqetësimit të rëndë alergjik që i shkakton piktorit një prej lëndëve përbërëse të vajit, si trementina. Si fillim, ndoshta për të përftuar kontrapunkte kromatike të veçanta, ai përdor një teknikë përzjerjeje me akrilik. Ngjyrat e kthjellta dhe të ndriçuara bëhen gjithnjë e më të pranishme. Një numër i madh galerish dhe hapësirash ekspozuese mirëpresin punimet e tij. Ekspozimet më të shumta e të përsëritura ndodhin kryesisht në Romë, Firence, por tablotë e tij do të ekspozohen edhe në Vatikan, Palermo, Modena, Breshia e Nju Jork. Ndërsa në Gjermani do të ketë disa ekspozita rradhazi. Radio Televizioni publik italian i kushton më 1979 një dokumentar-intervistë me regji të Gjon Kolndrekaj. Ndër veprat e spikatura të kësaj periudhe janë edhe tablotë Rita, Vajzë me kitarë, Lavdi e agustinianëve, Mali Xhiano, Don  Karlo, Sekreti i tmerrshëm, Heronjtë, Tri Maritë, Samaritania.

Në maj të vitit 1981 Lin Delija takohet me Nënë Terezën dhe realizon një seri pikturash e vizatimesh me imazhin e saj. Ndërkaq themelon në Antrodoko, Villa Mentuccia, “Akademinë e Lirë të Arteve të Bukura – Carlo Cesi”. Të kësaj periudhe janë edhe tablotë e mirënjohura Vallja shqiptare dhe Nudo e shtrirë. Ndonëse gjatë gjysmës së dytë të viteve ’80 do të shfaqen edhe shqetësimet e para shëndetësore, ai vijon punën dhe ekspozimet e shumta. Të këtyre viteve janë tablotë: Grua në dritare, Liqeni i Shkodrës, Hyrja e Krishtit në Jeruzalem, Shkelësja e kurorës, Njeriu që sheh, Shën Çeçilja. Mbas një largimi të detyruar prej 46 vjetësh Lin Delija rikthehet në Shqipëri më 1992, ku shumë shpejt i vihet punës për të realizuar tablotë e mëdha për Katedralen e Shkodrës, disa prej të cilave mbetën të papërfunduara. Në dhjetor të vitit 1993 disa punime të tij u ekspozuan në mjediset e Ambasadës të Shqipërisë në Romë. Dhjetëvjetëshi i fundit, me stezurat likuide dhe serialitetin e subjekteve në kërkim të zgjidhjeve të reja, dëshmon për arritjen e madhe të Lin Delisë: tema e pikturuar përbën rezultatin e dialektikës mes gjestit dhe lëndës. Në pranverën e vitit 1994 ai goditet nga një iktus dhe ndërron jetë më 9 prill, në Romë, por “jeta” e tij artistike, ndonëse postume, shfaqet më e dendur se kurrë. Qëllimi fundor i artistit qe mbërritur, ashtu siç e kishte pohuar shpesh herë në gjallje të tij: “fare in modo che l’opera profumi di pittura”. E bashkë me veprën, padyshim, edhe jeta e tij.

Më 24 maj 2010 Lin Delisë iu dha titulli “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.

0

Edhe çerek shekulli pas rënies së komunizmit në Shqipëri, Historiografia jonë e linjës zyrtare, ajo që formon perceptimet në shkolla e institucione të dijes,  nuk është e aftë, apo më mirë nuk do që të përballet me të vërtetën, ciladoqoftë ajo.

Nga kjo mosdashje demonstrative vazhdon të deformohet raporti ynë shoqëror me të vërtetën, veçanërisht me të vërtetën historike, që prek "lavdinë" e të shkuarës komuniste. Tani s`?emi pse habitemi, s`?emi pse dyshojmë, përderisa profesorët historianë të PPSH-së kanë trashëguar të gjithë monopolin zyrtar mbi dijet, arsimin, institutet dhe akademinë. Në këto katedra, njëlloj si në kohën e diktatorit, jep shpirt çdo e vërtetë, çdo dëshmi, çdo ndjenjë kurreshtje e kërkimi për faktin  historik, të mbështjellë ndër shtresa të shumta gënjeshtrash dhe propagande.

Historinë e Luftës dhe të periudhës më të turpshme të kombit tonë, – komunizmit – e kanë shenjtëruar, e shpallin të paprekshme, me anë të pedagogjisë së mashtrimit dhe alibisë, bash pjellat e vetë atij sistemi, të cilët, sa më shumë plaken, aq më shumë parajonakë, nostalgjikë e mashtrues bëhen (edhe duke marrë frymë me pipëz, prapë gënjejnë, deri në frymën e fundit), aq sa tashmë s?anë gjësend tjetër për të maskuar, sepse haptazi, siç e keni parë, kërkojnë publikisht e politikisht rikthimin e Enver Hoxhës me portrete, me jubile e festa: po, po, zyrtarisht kërkojnë rehabilitimin e tij!

Në mizërinë e krimeve të komunizmit, krimet e komunistëve gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare përbëjnë një nga kapitujt më të trishtuar e më makabër të historisë sonë. Kjo luftë që përbashkoi shpirtin e protestës, dinjitetit dhe  frymën e rezistencës patriotike të qytetarëve shqiptarë ndaj pushtuesit të huaj, degjeneroi pak e fije drejt një çarjeje të pandalshme kombëtare, duke degraduar në aspekte të përndezura të një lufte civile. Sepse vetë lufta partizane, siç e dimë nga faktet arkivore, të cilat establishmenti i historianëve komuniste nuk denjon tí publikojë, nuk u udhëhoq nga ata që merrnin vendimet në interes të aspiratave të shqiptarëve liridashës, por nga karrieriste servilë, eunukë pa personalitet, që u bënë vegla të Partisë Komuniste Jugosllave.

Meqë këtë vit pritet të kanonizohet në rrang shtetëror Lufta NÇL, është me vend të hapim një parantezë. Do të kishte qenë e ndershme dhe e drejtë, që kësaj lufte t`i numëroheshin dhe anët e saj të errëta, pjesa e saj e hidhur e tragjike, të cilën rreken ta fshijnë nga memoria jonë kombëtare. Rikuptimësimi i përvojës sonë historike do të kishte qenë më i dobishëm, nëse thuheshin publikisht këto të vërteta, pavarësisht nëse i pëlqen apo s’i pëlqen kjo ndokujt.

Të tregohet e vërteta e trishtueshme e ?Revolucionit që hëngri bijtë e vet”, e revolucionit që, sidomos gjatë luftës hëngri bijtë e saj më të mirë, më të sinqertë, më të ditur e më patriotë. I tillë ka qenë një ndër figurat e shquara të elitës udhëheqëse gjatë luftës, Mustafa Gjinishi, i cili përpos përpjekjeve të vazhdueshme për të pajtuar frontin nacionalist të Ballit, Legalistëve dhe nacionalistëve të pavarur në dy konferencat e Pezës dhe Mukjes, ishte dhe kreu i misionit koordinator me aleatët perendimor.

Erudicionin, popullaritetin që kishte në të gjitha rrethet e bindjet politike dhe sidomos simpatinë që gëzonte tek oficerët e misionit aleat gjatë luftës, nuk mund ta duronte kurrësesi Enver Hoxha dhe tutorët e tij serbë e sllavë. Ekziston, për fat të mirë,  në vitet ‘90 një minimonografi e pasur dhe e thukët, me faktë e dokumenta mbi Mustafa Gjinishin me titull ¨Po të bashkohemi, fiton Shqipëria”.

Autori i saj, historiani Uran Butka, na shpalos bindshëm të prejardhjen e Mustafa Gjinishit nga një derë nacionaliste, hedh dritë mbi formimin e tij intelektual e politik si opozitar i Monarkisë, flet për burgjet dhe veprimtarinë e tij ilegale në kohën e pushtimit, shumë më parë se të themelohej nga jugosllavët PKSH, e mandej, nëpërmjet dokumentash e kujtimesh pasqyron rolin kyç që ka luajtur Mustafa Gjinishi në bashkimin e fronteve politike e luftarake kundër pushtuesit. Reputacioni i tij në këto rrethe nacionalistësh, sikundërse respekti që gëzonte në radhët e partizanëve kishin rënë me kohë në sytë e Miladin Popoviçit dhe Enver Hoxhës.

Tregues është kompleksi inferior i Popoviçit, i cili nuk arriti dot të futej në mbledhjet e Konferencës së Pezës, në të cilën Tafari, Mustafa Gjinishi, ishte perdonazhi kryesor i saj. Frika se mos personaliteti dhe reputacioni i Mustafa Gjinishit do ta  eklipsonte për së afërmi protagonizmin e Enver Hoxhës (aq më tepër që Gjinishi kishte fituar respektin dhe simpatinë e aleatëve), i shtynë Miladin Popoviçin dhe Enver Hoxhën të detajonin me hollësi planin tipik të vrasjes së pabesë.

Nga sa i njohim tashmë mënyrat e likidimit që u bënte Enver Hoxha shokëve të tij, mund ta përfytyrojmë delegimin e misionit special, që ai i dha Hysni Kapos dhe Liri Gegës tok me 70 veta të gatshëm, e ndoshta do t’iu kujtohet fraza e tij e parapëlqyer:  “Dekorojeni me një plumb kokës”. 

Nuk ka më pikë dyshimi për vrasjen Mustafa Gjinishit të porositur nga Enver Hoxha. Mjafton të lexohet me kujdes monografia e vogël e Uran Butkës, që riprodhon nga shumë pikvështrime okulare e epistolare të vërtetën makbre të kësaj vrasjeje të pabesë. Dhe akoma më i shëmtuar është akti pas vrasjes – urdhëri për t’ia hequr fshehtas eshtrat nga varrezat e deshmorëve të Peshkosi, për tía varrosur buzë prroit të Llasenit. Dëshmitë janë e vrasjes së porositur të Mustafa Gjinishit janë të shumta. Tash ato mund tí gjesh në AQSH, jo më me aludime, por të troçëta dhe prej vetë Enver Hoxhës.

Për vite e dekada figura e këtij luftëtari erudit me zemër të shqetësuar për Shqipërinë e përçarë dhe për fatin e orientimit të Shqipërisë kah aletaët perëndimor, është lënë në harresë nga historiografia zyrtare komuniste e postkomuniste. Duket se për atyre që mbajnë për turp e pa të drejtë monopolin zyrtar të perceptimit mbi Historinë, nuk u intereson aspak të prishin apo përmbysin anatemën me të cilën e ka damkosur Enver Hoxha Mustafa Gjinishin. Pra, ka mbetur ende po ai perceptim derdimen që përhapi Enver Hoxha me librin e tij “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”.

Në kujtimet e Gjeneralit Davies kemi këtë përshkrim të Mustafa Gjinishit: “Pastaj vinte Mustafa Gjinishi, që kishte ngritur krye kundër Zogut dhe bashkëpunoi me Abaz Kupin kundër Italisë më 1941. Ai e fliste mirë anglishten, që i dha përparësi në marrëdhëniet me ne, por ngjalli dyshimet. Kur e njohëm, ramë në një mendje për të bashkëpunuar dhe të bisedonim me të për çështje të ndjeshme dhe delikate, pasi ai qe njeri i arsyeshëm.

Gjithashtu Gjinishi kishte një prirje të këndshme humori. Nëse Mustafai do të udhehiqte shtetin në vend të Enverit, vështrirë se do të bëhej lodër në duart e Rusisë. Enveri e dinte mirë këtë, pasi në gushtin e vitit 1944 Mustafai u vra “në pritë me gjermanët”. Por sipas mendimit tonë atë e “hoqën qafe”1.

Interesant është të sjellim një episod nga monografiza e Uran Butkës, një dialog të Mustafa Gjinishit me mikun e tij të hershëm Hasan Dostin.

Hasani: – Kush ka influencën dhe forcat më të mëdha? (Para Mukjes)
Mustafai: – Nacionalistët.
Hasani: – Kush do të fitojë?
Mustafai: – Po të bashkohemi, do të fitojë Shqipëria.

Hasani: – Po të mos arrihet bashkimi, do të fitoni ju, sepse e dini dobësinë tonë: ne si demokratë që jemi, nuk mund t’ju konsiderojmë armiq e t’ju luftojmë pa skrupull, siç bëni ju ndaj nesh.
Mudtafai: – Po të fitoni ju, e di se nuk ka për të më hyrë asnjë gjëmb në këmbë, përndryshe s’dihet se si do të vejë fati yt dhe imi bashkë (sipas Viktor Dostit, i pranishëm në atë bisedë)2.

Mua më duket se pikërisht në këtë dialog mes dy miqsh të rreshtuar në dy fronte politike të ndryshme të luftës, fshihet natyra esenciale e natyrës dhe humanizmin atdhetar, që përbën dallimin në cilësitë njerëzore. Dhe drama më e madhe, ajo që pasoi, ishte pikërisht brenda hamendësimit “po të fitoni ju”, drama dhe tragjedia që mbuloi tërë Shqipërinë për gjysmëshekulli, duke paraprirë epilogun e saj të zi me vrasjen e organizuar të Mustafa Gjinishit, kësaj figure qëndrore të mirëkuptimit mbarëshqiptar.

———————————–

1- Gjenerali Davies "Aventura ilire", Qendra e Studimeve Ndërkombëtare", f. 56, Tiranë 2010
 2- Uran Butka "Ringjallje", fq. 222, "Konica", Tetove, 1996

 

2

(Mbi albumin e sapobotuar të Lekë Pervizit "Nga rrathët e ferrit", botim i ISKK, 2014)

Albumi që ju ofrojmë me këtë botim të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK), na paraqet realitete të një Shqipërie fare pak të njohur, ndoshta vetëm nga ajo pjesë që mbeti apo një tepricë e vogël, që i mbijetoi skëterrës komuniste. Një pjesë përfaqësuese e këtyre pikturave që kemi mbledhur në këtë Album, i kanë mbijetuar ferrit komunist, fatmirësisht, bashkë më autorin e tyre, "piktorin e kampeve", siç është bërë zakon ta quajnë, zotni Lekë Pervizin, piktor, shkrimtar, poet, publicist, historian e përkthyes, një arkivë e gjallë memoriale me energji të pashtershme, ndonëse udhëton drejt të 86-ve në moshën e tij. Lekë Pervizi është ndoshta mishërimi më i saktë i atij karakteri të papërkulshëm që kishte parasysh Atë Zef Pllumi për atë, që ndjen brenda vetes imperativin "Rrno, për me tregue".

Autori i këtyre pikturave, portreteve, grafikave e vizatimeve është gjallë, por jo të gjithë, e ndoshta pjesa dërrmuese e personazheve të lapsit e thënjgjillit të tij, nuk është më. Ata na vijnë si jehonë e një të shkuare tragjike e çnjerëzore falë mjeteve rrethanore që i fiksoi lapsi e thëngjilli i bashkëvuajtësit të tyre, Lekë Pervizit.

Ata portrete, etyde dhe skena të populluara me dijetarët e fisnikët e Shqipërisë mbetën prore në fletët e zverdhura të piktorit të ri, që ndau të njëjtin kalvar vuajtjesh e kuraje me ta, për t`u madhuar shpirtërisht e për të mos u përkulur para terrorit të policëve të kampeve, apo punës së rëndë dërrmuese dhe urisë shfytyruese. Secili portret në këto krijime të piktorit bart diçka nga hijet e hadesit komunist dhe duket sikur rreh të çajë mjegullimën e kohës barbare, peng i së cilës mbetën. Dhe duke i njohur, ne na sëmbon një brengë shumë më e mprehtë, se ajo që shpreh në vargjet e tij lapidare poeti ynë i vjetër, Pjetër Budi:
"Ku janë ata pleq bujarë,
që qenë përpara ne,
e ata trima sqimatarë,
të shpejtë si rrufe?"

Kështu parakalojnë duke çarë mjegullimën e kohës përmes grafitit e thënjgjillit personalitetet e shkencës, artit, mendimit dhe fisnikërisë shqiptare – Reshit Mulleti, Ernest Dosti, profesor Ali Cungu, Ylber Starova, shkrimtari Mitat Arianiti, doktor Nedim Kokona, oficer Valentin Pervizi, Viktor Dosti, Ibrahim Sokoli, filologu e përkthyesi prof. Guljem Deda, Pjetër Bardheci, Dr. Sandër Sara, Loro Muzhani, Dr. Ali Erebara, Latif Spahiu e Eshref Frashëri, Tomor Dine, deri tek malësorët Llesh Dodë Gjini, Gjin Lleshi, Bajazit Kaloshi, mbesat e autorit Eva dhe Edi, nëna, dhe portretet e Bebës, që më vonë do të jetë bashkëshortja e tij, deri tek djemtë e piktorit Leonard, Dorian e Aurel Pervizi.

Pikturat, vizatimet, skenat dhe etydet e Lekë Pervizit nuk u krijuan në kushte normale, për t`i paraqitur para syrit vlerësues të jurive në ndonjë përvjetor të partisë apo jubile çlirimi. Ata fiksuan atë përditshmëri të kampeve të vdekjes, për të dëshmuar ekzistencën me tmerret e privimet e saj nën egërsinë e kërbaçit dhe mizorive të policëve, siç na paraqiten në skenat e vizatuara brenda kampit dhe në punë të detyruar. Këto skena, grafika, kompozime janë lënda e errët e një përditshmërie të përzishme, që brezave të sotëm nuk arrin t`ua rrokë truri. Virtyti artistik është i mpleksur në këto krijime me ankthin e mbijetesës në atë mënyrë, sa bëhet i pamundur (dhe i panevojshëm) kufiri midis etikes dhe estetikes.

Në zhaurimën mortore që kanoset të pllakosë çdo natë kampet e Kuçit, Turanit, Tepelenës apo Porto Palermos, nuk ka kohë për ajgëtime estetike a stërhollime manierish, sepse në beft rri vdekja, në çdo çast: vdesin fëmijët nga uria dhe epidemitë, vdesin pleqtë e të rinjtë nga puna e rëndë dhe, në mbijetesën e çdo dite, mblidhet mbrëmjeve ky fis i naltë njerëzor për të biseduar për shkencën e artin, diskutohen vargjet e përkthyera nga poetë latinë e italianë, për të qëndruar me dinjitet përballë shuarjes së ngadaltë në këto kampe vdekjeje, ku kishin grumbulluar familjet më patriotike të Veriut të Shqipërisë.

Andaj dhe piktori i këtyre kampeve, Lekë Pervizi, i biri i një akademisti ushtarak, zâmadh në historinë e Shqipërisë mbretnore, kapiteni i klasit të parë, Prenk Pervizi, e ndjente peshën e këtyre grimçasteve të ikshme ku jeta e njeriut tretet fir, duke lënë një kujtim të vagullt, që zor t`i mbijetojë kujtesës. Dhe përmbushja e detyrës së kujtesës është një mision i lartë njerëzor, në çfarëdo realiteti të imponuar të ndodhesh.

Duke i fiksuar me ç`të mundë e si të mundë, Lekë Pervizi na e përvijon me dramacitetin e artit këtë detyrë njerëzore, pa i bërë apelin penelit të tij, në do t`i pëlqejë kujt apo jo. Dhe ky grimëçast i fiskuar me përshkënditjen krijuese është shkarkuar me shpejtësinë e blicit të rrufesë dhe bart duhmën e shkrumbit të rrufesë, tashmë jo sipas imperativit të famshëm të Horacit latin – "kape çastin", por si në postulatin poetik e dramatik të poetit nobelist rus, Josif Brodskijt (gjithashtu një ish i internuar në BRSS):

"Ndalo grimëçast! Ti s`je aq i bukur, sa ç`je i papërsëritshëm".

Tani, në kushtet kur ne, me plotë të drejtë, duhet t`u drejtohemi këtyre vendeve të vuajtjeve e dhimbjeve, "Aushvicëve shqiptarë", si Vloçishtit, Beratit, Tepelenës e Porto Palermos, për turpin tonë të parrëfyeshëm nuk gjejmë më gur mbi gur! As burgjet drithëruese, as kampet e shfarosjes. Duket sikur kujtimet e atyreve, që i rrëfejnë këto mizori, kanë ndodhur dikur heret, në një pakujtesë që i përket, fjala vjen, periudhës para Krishtit. Sepse në këtë topografi me dhimba e sfilitje njerëzore nuk ka mbetur një tullë, a një dërrasë.

Ajme! Nuk ndodhi si me vendet e tjera ish komuniste. Burgjet dhe kampet e shfarosjes nuk u kthyen në apele njerëzore të kujtesës. Në këtë vend ku u derdh gjithë egërsia e pashoqe e komunizmit, nuk u kujdes kush, jo për muze, por as për një tabelë të thjeshtë! Ish burgjet dhe kampet e internimit thuajse janë zhdukur nga faqja e dheut, herë nën babëzinë e mbivendosjes së projekteve industriale, herë me mbivendosjen e projekteve bujqësore. Ka arritur momenti i turpit të madh, sa ne të mos i identifikojmë më dot. Ajo që ka mbetur e vetmja gjurmë për të dëshmuar, janë skicat e kampeve, portretet dhe etydet e Lekë Pervizit.

Në një bisedë të ngeshme që kemi patur me autorin e krijimeve të këtij Albumi, zotni Lekë Pervizi na shpjegon, se rruga e tij pasionante për pikturën i qe ndërprerë brutalisht në vitin 1950 kur e arrestuan bashkë me të vëllain, pa e mbaruar dot Liceun:

Bëra konkursin si gjithë të tjerët, megjithëse unë isha piktor. Mbaj mend Nexhmedin Zajmin, që erdhi aty dhe më pyeti: “Ti djalë, ku ke studjuar përpara?” “Këtu në gjimnaz,”- gënjeva unë.

E kisha fjalën për gjimnazin “Qemal Stafa”. “Pse nuk të kam parë atje?” – tha Nexhmedini, sepse ai ishte profesor në atë shkollë. Me siguri mori vesh diçka, por, jo shumë, sepse unë insistova në timen. Erdhi dita kur do të shpalleshin fituesit e konkursit dhe ishte edhe një si tip inagurimi. Shkova unë të shoh në listë dhe emri im nuk ishte i përfshirë. Ishte një listë prej nëntë a dhjetë vetësh.  Ca miq të mitë që ishin aty, më thanë: “Ti rri aty mënjanë, se shkojmë ne dhe dëgjojmë se çfarë thonë profesorët.”  Kur njëri nga profesorët që ishin në juri shikoi listën, u shpreh i habitur:

”Një… Lek Pervizi, ku është? Pse nuk është emri i tij në listë?! Ne e kemi vënë në krye të listës.” “Do të ketë bërë ndonjë gabim sekretarja,”- i thonë të tjerët. Kur shokët më treguan këtë episod, atëherë zbrita poshtë dhe i them profesorit: “Si ka mundesi, profesor, që emri im nuk del aty në atë listë.“ Ngeli. Dhe pastaj më tha me zë të lartë: “Shiko more djalë, unë jam kryetar i komisionit prej gjashtë vetash që kemi shqyrtuar punët e gjithsecilit. Emri yt ka qenë në krye të listës. Po se çfarë ke ti me drejtorinë a se ç’ka drejtoria me ty, ne nuk e dimë. Prandaj ne detyrën tonë e kryem.”

“Ashtu ?! Falemnderit” – i thashë unë, dhe shkova tek drejtori dhe e pyeta se si ishte puna. Ai përpiqej të justifikohej me “jo kështu… e jo ashtu…” . Emrin e kishte Selman Kasapi. “Më vjen keq si i bëni këto punë. Pse nuk e shoh unë se ç’bëhet?”- i them. Ata ishin të gjithë bylmez të ardhur nga kooperativat, dhe plani ishte që të pranoheshin me një pjesëmarrje formale në konkurs. Atëherë, drejtori u detyrua dhe e pranoi: “ E vërtetë që ai vizatimi yt ishte i mirë”. Pastaj me tha: “Hajde pasditen e ditës tjetër, ora kaq..e kaq”. U rregullua puna, se s’kishin nga t’ia mbanin.

“Por kujdes, se gabimin më të vogël që do të bësh..”- nuk la pa më thënë.  Keshtu shkoi puna, që më në fund u futa në shkollë. Kam qënë shok i Sali Shijakut e të tjerë artistëtve që u bënë shumë të njohur më vonë, si: Kristaq Rama, Vilson Halimi, Vilson Kilica. Aty u afirmova. Isha nxenësi me i mirë, saqë më nxorrën edhe në tabelë të nderit, duke më ngatërruar edhe emrin madje; ma kishin vënë “Lek Pervaza”. Aty arrita të tërhiqja vëmendjen. Thoshnin çfarë ka ky fenomen që vizaton më mirë se neve.  Janaq Paço, skulptori i famshëm, në orën e plastikës u thotë nxënësve: “Interesant ky Pervizi! Si ju duket?” Ata nuk kishin se çfarë të thoshnin. Dhe më tha: “E di se si është puna, o Lekë? Ti përgatitu të japësh maturën.” 

Unë i thashë “faleminderit porofesor, por më mirë ta ndjek në mënyrë të rregullt se kam më përfitim.” Po, sigurisht, unë e bëra se s’doja të bija në sy duke e ditur sa çfarë halli kisha. Domethënë kishte dhe njerëz të mirë, si Zajmi, psh. Por më i miri ishte profesor Buza. Zajmi mund të kishte një lloj ideje të vagullt rreth meje, kurse Buza na njihte mirë pasi kishte mbarua në Firence, kur baba ishte inspektor i studentëve në Itali. Buza ishte nxënës në Akademinë e Arteve te Firences dhe kishte lidhje me babën e kishte respekt të madh për të dhe familjen tonë. Ai na njihte mirë edhe për një arsye tjetër: familja e tij erdhi me rekomandim të Bajram Currit në Shqipëri, rekomandim që i vlejti edhe për shkollim e gjëra të tjera, duke qenë që Bajram Curri ka qenë mik i ngushtë i babës.

Duke bërë këtë rrëfim, nuk po mburrem me aftësitë e mia, por dua të tregoj se kishte njerëz të mirë që mundoheshin të të ndihmonin, edhe pse nuk mundeshin dot. Buza më thërriti vaçan një ditë dhe më sugjeroi të bëja vizatimet e disa dekoreve shqiptare që të përfitoja edhe ndonjë lek. Më dha një letër për të hyrë në Muzeun Etnografik dhe kur i bëra vizatimet, ai ngeli pa mend. “Bravo të qoftë!”- tha. Pastaj më ngarkoi të bëja kopertinën e një reviste për motivet Shqiptare që do shtypej në Çekosllovaki dhe më dha bojërat, më liroi dhomën në Institutin e Artit. Përzgjedhja bëhej me konkurs. Puna ime u pranua menjëherë. Pra, arrita që më ndihmën e tij, të bëja edhe ndonje lek më tepër. Dhe njherë më sugjeroi që të përdorja emrin e ndonjë shoku, që të mos dilnin paratë në bankë me emrin tim, gjë që mund të binte në sy. E merr me mend se çfarë telashesh krijoheshin?

Keshtu e disi stabilizova gjëndjen. Por, atë kohë, të gjithë profesorët ishin dora jonë.  Sadik Kaceli kishte familjen e vëllait të internuar në Berat. Kur bënë ekspozitën e parë të pesëvjecarit, Kaceli më mori vetëm mua nga studentët e Liceut, për të punuar me të në ekspozitë. Ky ishtë një favorizim. Por, pikërisht në kulmin e favorizimeve, më arrestojnë mua edhe vëllain tim, pa dhënë asnjë argument. Bëhet fjalë për muajin Maj të vitit 1950.

Duke u ndeshur në një moshë të re me përvojën e privimit, raskapitjes, urisë dhe vdekjes, arti i piktorit të ri Lekë Pervizi, i kalon menjëherë kapitjt ëndërritës të fazave "romantike", që është karakteristikë për çdo piktor rishtar. Ai shndërrohet vetëdijshëm apo pavetëdijshëm në një bartës të kumtit që duhet të përcillte për njerëzimin, ashtu siç ka ndodhur, fjala vjen me Vladislav Sivekun, Francizek Reih-un, Jerzy Adam Brandhuber-in apo Jan Komsk-in në kampet naziste të përqendrimit në Aushvic. I përfshirë ai ata në realitetin e përditshmërisë së kampeve më të tmershme shqiptare të shfarosjes, Lekë Pervizi i përshkruan ato në dëshminë e tij gojore, duke na sjellë koordinatat dhe detajet nga këto vende ku gjalluan e mbijetuan një pjesë e të internuarve. Prandaj po përcjellim një fragment të rrëfimit të Lekë Pervizit-narrator, për të pasur një ide se çfarë ishin këto kampe:

Tepelena ka histori të gjatë, se kur i hoqën nga Berati familjet për t’i dërguar në Tepelenë, nuk ishte krijuar akoma kampi i Tepelenës, por i strehuan në disa baraka në Turan, që kishin qenë baraka për italianët dhe në Veliçor. I kanë futur drejt e në rifuxhio, pa asnjë pajisje, asgjë fare. Kur i internonin njerëzit, i merrnin me rrobat e trupit. Të internuarit flinin në gurë ose mbi derrasa. Kur i morën në Turan dhe i futën në rifuxhio, ka qenë verë, korrik a gusht. Në këtë grup ka qenë edhe gruaja ime, foshnjë atëherë, sepse ajo ishte internuar me mamën e vet. I trasferuan atje 40 makina, me rreth 2000 e ca vetë brenda, dhe i hodhën në rifuxhio,  pa asnjë konditë, pa banjo ku edhe uji u jepej me racion nga një depo e madhe me cimento, me nga një sapllake në ditë.

Kjo situatë ka qenë në Turan. Për t’u larë s’kishte asgjë; u duhej të merrnin ujë nga nje vije, por, që ishte edhe e pisët. Buka e te internuarve vinte nga Berati; ishte bukë misri. Pra, bënte gjithë atë rrugë dhe kur mbërrinte, ishte krejt e thërmuar dhe jo e gatuar mirë. Të internuarve iu jepnin vetëm atë bukë, nga 500 gramë në ditë. Në këto kushte, menjëherë, plasën sëmundjet. Kjo ka ndodhur në Turan, para se të zhvendoseshin në Tepelënë dhe mama kishte qenë aty.

Filluan të sëmuren në masë dhe vdisnin shtatë vetë në ditë, siç na ka treguar kushërira jonë, nëna e Ndue Palit. Mjek jo, ilaçe jo, ushqim jo, e si do të shkonte ndryshe?! Vetem brenda nje nate, në një kazermë, vdiqën 33 fëmijë. Po vdisnin njerëzit me radhë. Gruaja ime, foshnjë ne ate kohë, ka shpëtuar kot. Ishte si “nata e pafajshëmve” në Bibël: sipas historisë, kur mori vesh mbreti Herod që kishte lindur ai që do zinte vendin, dha urdhër që të vriteshin të gjithë femijët e asaj moshe. Abdurrahman Kaloshi, një nga miqëtë tanë, tregonte se nuk i dilte kohë as për të hapur varret.

Çfarë të bëntë komanda?! Nuk ishte faji i komandës. Urdhëri ishte se sa të vdisnin njerëzit, të varroseshin menjëherë duke u hedhur gëlqere sipër, e më pas t’u digjeshin rrobat. Ajo natë e tmerrshme u bë problem dhe erdhën një ekip me mjekë nga Tirana, të cilët kishin vënë duart në kokë nga skena e tmerrshme që gjetën. Ky tip internimi ishte teoria e Manush Myftiut, për të cilin ai zgjodhi Tepelenën. Gruaj ime ka qenë nga të paktat foshnje që i mbijetuan. Interesant është fakti që ajo quhet Xhuliana, por, ngaqë e ëma nuk dinte shqipen se ishte malazeze, dhe “bebja” këtu e “bebja” atje, asaj i ngeli emri “Beba” siç e njohin të gjithë të internuarit. Atëherë pasi erdhi komisioni, morën vendim dhe e zhvendosën kampin ushtarak në Tepelenë, në kazerma të shtruara me shtretër druri dykatësh. Një kazermë mbante më shumë se 600-700 vetë.

Nganjëherë edhe 1000 vetë, se të vegjëlit zinin pak vend. Aty filluan tu jepnin dy lugë supë në ditë dhe e kthyen bukën në bukë gruri. U përmirësuan disi kushtet. Por, filloi puna e detyruar: nga 15 vjeç e lart filluan punën, që ishte punë kafshërore nga mëngjesi deri në darkë, duke prerë e transportuar dru në kurriz nga malet e Tepelenës. Kjo ishte veçanërisht e rëndë për gratë.  Të aftë e të paaftë për punë, nuk donin të ia dinin. Norma ishte sa të donte polici. Burrat i vinin të mbanin shtylla: një pjesë i prisnin, dhe një pjesë i transportonin në kurriz.

Mes tyre më kujtohet një Dom Nikollë Mazreku, intelektual, por, i fortë me trup. Valentini tregon se si merrte për vete pjesën e trashë të trungut, dhe nuk ia linte atij, për t’i lehtësuar barren. Borë e dimër, nuk donin t’ia dinin fare. Filluan edhe këtu të vdisnin njerëzit, dhe duke vdekur kërkonin bukë. Kam qenë vetë aty. Po të ishte fëmija mbi 4 vjeç, nënat i çonin në punë, përndryshe i ngarkonin me punë rrotull në kamp, si: të shkonin e të merrnin dru për furrat a të punonin në një perimore që Dega e Brendshme e kishte bërë për vete. Të njejtën gjë edhe për pleqtë. Por, higjiena që ishte më e mirë se në Turan, i shpëtoi të internuarit në Tepelenë. Këtu, kazermat italiane kishin ujë, banjo, dhe kushte më të mira fjetjeje.

Ky Album është një ndër dëshmitë që i ka rezistuar kohës. Le ta marrë gjithkush si dëshmi, si art i mbijetuar, si shkas për të medituar mbi egërsinë e konservuar në eshtra të komunizmit shqiptar mbi elitën dhe aristokracinë mendore e shpirtërore të kombit tonë, mbi ata që shënuan një çarje të thellë e zor të riparueshme midis Veriut e Jugut, midis të krishterëve e myslimanëve, midis kohërave e brezave. Dhe, padyshim, le të mbetet ky Album, si homazh për ata që nuk arritën t`u mbijetojnë kampeve komuniste të vdekjes.

 

 

 

0

5. Marrëdhëniet e shtetit dhe shoqërisë ndaj krimeve të komunizmit dhe viktimave të tij

Qëndrimi i klasës politike shqiptare ndaj të shkuarës komuniste dhe krimeve e pasojave të komunizmit në Shqipëri, përgjatë këtyre 24 viteve ka qenë shpërfillës. E ashtuquajtura e djathta shqiptare, e përdori retorikën antikomuniste vetëm si maskë, për të fituar elektorat në shtresën e viktimave të regjimit, duke u marrë regullisht votat dhe duke mos i përfaqësuar ata në asnjë nivel politik e administrativ. Në thelb, të dyja partitë e mëdha politike shqiptare, e majta, Partia Socialiste dhe e djathta, Partia Demokratike, vijnë prej një origjine të përbashkët dhe përfaqësojnë si klasë, atë tipologji të intelektualit të indoktrinuar komunist të fundviteve 1980.

Nëse socialistët vetëm në verë të vitit 1991 ndryshuan thjesht emrin, por jo eksponentët e asaj partie-shtet të diktatorit Enver Hoxha (PPSH), Partia Demokratike, që duhej të shprehte opozitën, përfshiu elitën e zyrtarëve më të sukseshëm të intelektualëve të formuar gjatë komunizmit, ish sekretarë partie, nga ata që F. Dostojevskij i quan "intelektualë me uniformë". Lideri i demokratëve, Sali Berisha, që kur mori pushtetin me 1992, mbahet mend për frazën pseudohumaniste që e përsëriste shpesh, gjoja në emër të pajtimit kombëtar: "Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë"! Për ironi, "vuajtësit", ende vuajnë, ndërsa "fajtorët" kanë bërë karrierë marramendëse në piramidën e politikës dhe pushtetit, në Parlament, në qeveri, në oligarkinë ekonomike. Ata trashëgojnë gjithë institutet, akademinë, Qendrat e dijes dhe arsimit, duke diktuar linjën e perceptimit zyrtar.

Prandaj sot kemi mbërritur në një situatë ku hipokrizia, cinizmi dhe dyfishësia karakterizojnë marrëdhënien e shtetit dhe politikës përballë 30% të shtresës së popullsisë shqiptarë, që janë ish të Përndjekurit Politikë. Atyrë askush, asnjëherë nuk u shqiptoi një "më fal" të thjeshtë. Për ta nuk Drejtësia nuk u vu asnjëherë, qoftë dhe simbolikisht. Pëkundrazi, koha kalon dhe mbi këtë shtresë fyerjet, cinizmi dhe dyfishësia shtohen në pikat më të ndjeshme, të cilat po i përmbledh më poshtë:

1. Mbahen Rezoluta në Parlament (në frymën e KiE) për Dënimin e Krimeve të Komunizmit, por nga ana tjetër rezolutat nuk kalojnë në ligj për dënimin e diktatorit Enver Hoxha dhe hijerakëve të udhëheqjes komuniste. Enver Hoxha dhe ministrat e kohës së tij vazhdojnë të mbajnë ende gradat dhe titujt;
2. Nuk bëhet asnjë përpjekje për gjetjen e eshtrave të të pushkatuarve nga diktatura në vendet e ekzekutimit të tyre;
3. Nuk dëmshpërblehen ditët e burgimeve politike, ndonëse ligji është miratur që në vitin 2003;
4. Nuk u kthehen pronën dhe pasurinë e konfiskuar;
5. Nuk ka memoriale për rezistencën antikomuniste. Mungojnë librat, tesktet shkollore/universitare, filmat artistikë e dokumentarë, muzetë, që të dëshmonin përvojën e pësekutimit komunist.
6. Kjo shtresë fyhet më karrierën politike-administrative të ish-persekutorëve të tyre.
7. Të mbijetuarit nga burgjet e diktaturës fyhen nga kremtimet e jubileve dhe përkujtimeve zyrtare e shtetërore të ish-hierarkëve të komunizmit.

8. Tekstet e linjës zyrtare të Historisë e Letërsisë, që formojnë perceptimin e shkollarit dhe universitarit nuk janë dekomunistizuar. Kanonin në këto tekste e bëjnë ende po ata historianë të diktaturës.
9. Nuk ka asnjë vëmendje shtetërore për përkujtimin e ngjarjeve të rezistencës antikomuniste, përkujtimin e ngjarjeve të përgjakshme e tragjike, siç janë revoltat në ish-burgjet komuniste.
10. Fyerja thellohet kur ende sot, rrugët, sheshet, institucionet, gjithë hapësira publike mban emrat e ish persekutorëve të tyre. Kjo hapësirë vazhdon të mbetet ende e pa dekomunistizuar.
11. Mediat e shkruara dhe vizive vazhdojnë përditë me sagën narrative mbi "bëmat" e udhëheqësve komunistë dhe Enver Hoxhës, duke ndërtuar për këta kriminelë një perceptim publik "romantik", diçka analogjike me ikonën e stampuar të Che Gevarës.

12. Qindra burgje e kampe internimi të punës së detyruar janë fshirë nga faqja e dheut, pa asnjë shenjë. Mbi ta janë vendosur tashmë projekte bujqësore e industriale. Ndërkohë që ato pak burgje, të braktisur në mëshirën e fatit rrënohen çdo ditë në gërmadha, pa i funksionalizuar në të mirë të kujtesës muzeale.

6. Qasja e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit

Në shkurt të vitit 2010 Parlamenti shqiptar, i dominuar nga e djathta, miratoi krijimin e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, fill pas dështimit në Gjykatën Kushtetuese të Ligjit të Lustracionit. Instituti është institucion publik, qendror, i pavarur dhe gëzon statusin e personit juridik me financim nga buxheti i Shtetit, krejt në analogji me një rrjet Institutesh të Kujtesës mbi Diktaturat që veprojnë në Europën Qëndrore e Lindore ish-komuniste.

Detyra e Institutit, me pak fjalë, është të studiojë dhe vlerësojë objektivisht periudhën e regjimit komunist, duke filluar nga krimet e Luftës Nacional-Çlirimtare (lufta e dytë Botrore). Deri në fund të vitit 2011 Instituti mbeti një akt në letër, e mandej, kur caktua struktura dhe organika e këtij Instituti, u pa qartë, si gjithmonë, dyfishësia: organika e Institutit u la me një staf prej 15 vetësh. Më i vogli prej këtyre Instituteve të rrjetit, me sa dimë ne, është Instituti bullgar me gjithsej 122 specialistë.

Në këto kushte, me një staf shumë të vogël, për të përballuar një gamë të madhe detyrash dhe në mungesë absolute të mbështetjes buxhetore për projektet (qeveria u kufizua vetëm në pagesën e rrogave të stafit), Instituti ynë u përqendrua në një strategji sa më pragmatike dhe u vu në kërkim të gjetjes së mbështetjes financiare të projekteve në orgnizatat e huaja e vendore.

Projektet ku jemi të përqendruar më së shumti ne, janë:

1. "Fjalor Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist", një seri voluminoze që shkon, përafërsisht, në 12 vëllime. Në këtë projekt në u nisëm nga ideja, se pas çdo lufte apo katastrofe civile, gjëja më e arsyeshme është hartimi i një inventari të saktë me qytetarët e vrarë e të dëmtuar. Fjalori paraqet tre kategori qytetarësh të persekutuar politikisht nga regjimi komunist, sipas akteve gjyqësore të dënimit, apo pa gjyq: a) të pshkatuarit b) të dënuarit me burg c) të internuarit. Çdo zë në "Fjalor…" paraqitet detyrimisht me ndërmjetësinë e "dëshmisë penale", si akt i dënimit politik nga shteti komunist. Që në gërmat e para, gjatë punës së hartimit të "Fjalorit", ndeshëm në parregullsinë e dokumentimit në arkiva dhe dosje. Mungonin kryesisht emrat e qytetarëve të pushkatuar pa gjyq, sipas listave të zeza në periudhën 1944-1953, e cila është dhe periudha kur Partia Komuniste e Shqipërisë implemntoi medotat sovjete të kohës së "terrorit të madh" stalinist. Kjo e çonte katërfish, sipas llogarive tona, numrin e qytetarëve të pushkatuar nga diktatura.

2. Kolana memuaristike "Ad Memorandum", që përfshin një seri me memuaret më të zgjedhura të intelektualëve shqiptarë që vuajtën burgjet dhe internimet komuniste, kryesisht kujtime, ditare, epistolare.

3. Kolana e bisedave të videofilmike me të mbijetuarit nga diktatura komuniste, e cila parashikon dhjetra vëllime dhe ka nisur të botohet si sëri vëllimesh nën titullin "Zërat e mbijetesës".

4. Konkursi "Si i morën gjyshërit tanë", narrativa e zgjedhur sipas konkursit me klasat e larta të gjimnazeve të Shqipërisë. Kjo ide është marrë nga përvoja e Institutit "Memorial" të Moskës, të cilin e pata vizituar në vitin 2007 dhe qëllimi është po ai: të krijohet një lidhje e brezit të tretë nëpërmjet kujtesës së persekutimit.

5. Seria me studime dhe dëshmi dokumentare nga arkivat e shtetit, që shoqëria shqiptare nuk i njeh. Studimet prekin periudha të Historisë së Shqipërisë nën diktaturë dhe janë botime monografike e tematike, siç e tregojnë dhe titujt: "Kryengritjet e para antikomuniste 1945-1948"; "Gjyqi special mbi intelektualët"; "Sistemi i triskëtimit", "Konfiskimi i pronës private dhe grabitja e arit", "Gjenocidi mbi kulakët"; "Gjenocidi mbi besimet fetare dhe ndalimi i fesë me Kushtetutë"; "Krimet e komunistëve gjatë Luftës së dytë Botërore"; "Instalimi dhe funksionimi i Sigurimit të Shtetit", "Falsifikimi i veprës letrare e shkencore gjatë komunizmit"; "Tortura dhe shantazhi psikologjik në hetuesitë komuniste"; "Manifestet e turpit" (akt-ekspertizat e dënimit të shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë, të shkruara nga sivëllezërit e tyre në bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit); "Koloboracioni dhe Koloboracionizmi gjatë dhe pas luftës së Dytë Botërore në Shqipëri" etj.

6. Kolana me veprat e rëndësishme nga letërsia botërore të përkthyera në burgjet dhe kampet e internimit (këtë vit po përgatitim veprën e plotë të Dostojevskit të përkthyer në burg), përkthime të cilat kanë një histori dhe qarkullonin të kopjuara me dorë nga burgu në burg, shpesh të shkruara në qeli në letra cigarjeje.

7. Ngritja e një muzeu me sendet personale dhe punimet arstistike të ish të burgosurve politike.
8. Ëorshop-e me studntët, nxënësit e gjimnazeve, mësuesit e lëndëve të Historisë së Shqipërisë dhe Letërsisë Shqipe gjatë regjimit komunist dhe dogmës së socrealizmit.
9. Paraqitja e një Draft-Marrëveshje për një Platëformë të Përbashkët Kombetare me Ministrinë e Arsimit mbi edukimin shkollor dhe hyrjen në kurriculat mësimore të një lënde të veçantë "Shqipëria nën diktaturën komuniste", njohjen e rinisë shkollore-universitare me Krimet e Komunizmit nëpërmjet memuaristikës, fakteve dokumentare, Albumeve nga burgjet dhe Kampet e internimit, dokumentarë dhe materiale të tjera filmike. Për fat të mirë kemi gjetur një mirëkuptim me Ministrinë dhe jemi në prag të zyrtarizimit të kësaj Platforme.
10. Prodhimi i filmave dokumentarë mbi aspekte të ndryshme të persekutimit komunist, duke synuar një komunikim sa më të shpejtë, të lehtë e tërheqës me brezat e rinj.
11. Ngritjen e disa pllakave memoriale në vendet ku kanë qenë burgjet apo kampet e vdekjes së punës së detyruar.
12. Konferenca tematike e diskursive mbi shtembërimin, falsifikimin e fakteve historike, gjendjen e teksteve shkollore dhe simboleve komuniste.

13. Bashkëpunimi me shoqata e ish-të Përndjekurve Politikë, për gjetjen e eshtrave në vendet e ekzekutimit. Tani sapo kemi nisur një bashkëpunim me institutin polak të Kujtesës, me drejtorin e këtij Instituti, z. Lukas Kaminski, për një mbështetje me instrumentat teknologjikë, të gjetjes së eshtrave në vendet e ekzekutimit. Kjo është një çështje shumë e ndjeshme për familjet e të pushkatuarve dhe shoqërinë shqiptare, pasi janë rreth 5 mijë të pushkatuar nga dikatura, qe ende nuk kanë një varr.

Pas tre vite pune intensive, mund të them modestisht, se Instituti ynë ka tërhequr vemendjen e publikut dhe sidomos të studiuesve e historianëve të linjës jozyrtare për bashkëpunime shkencore dhe projekte të përbashkëta me ne.

Diktatura në Shqipëri ka rënë, së paku formalisht, që nga viti 1991. Shoqëria shqiptare u ndesh më pas, me me aspektin më të vështirë të një diktature të egër, siç ka qenë regjimi komunist shqiptar, me trashëgiminë e saj, të aktorëve të saj, të institucioneve dhe mendësisë së saj.

E kaluara kriminale e aktorëve të saj politikë e shoqëror ka vazhduar të përdoret si rekrutim politik e si instrument shantazhi nga qeveritë e ndryshme. Mungesa e transparencës, mungesa e një trubunali ku të vendosej drejtësia, ka çuar në përhapjen e një epidemie morale që nxit korrupsionin dhe krimin ekonomik e politik në dëm të së ardhmes së qytetarëve shqiptarë.

Mungesa e higjenës mendore e shpirtërore të klasës politike shqiptare, standardet e dyfishta, hipokrizia dhe intrigat e tradhëtuan veten në një gjest domethënës në vitin 2012, kur lideri i partisë në pushtet propozoi radhazi kanditin për Presidentin e ri të Republikës, dhe të tri herët kandidati u tërhoq nga gara në prag të votimit, për shkakun e thjeshtë e të neveritshëm, se partia kundëeshtare zotëronte dosjen e implikimit të tyre në shërbim të Sigurimit të Shtetit komunist. Kjo mbase është arsyeja, se pse Shqipëria është i vetmi shtet, ku dështoi Ligji i Lustracionit. Dhe s`kish si të ndodhte ndryshe, kur tërë sistemi gjyqësor dhe organet kushtetuese të drejtësisë janë mbushur me figurat gjakatare të diktaturës, kontrollohen prej tyre apo prej bijve të tyre.

Jehona e gjatë e diktaturës vazhdon në Shqipëri dhe dalja e shqiptarëve prej saj, me sa duket shënon daljen në një diktaturë të një tipi tjetër, e cila nëmos jo aq e egër sa diktatura moniste, është një tip diktature demagogjike dyjare, ordinere e vulgare që stimulon një moçal shoqëror ku qelbën të tria kohët, sidomos e ardhmja. Poeti im i dashur, Josif Brodskij ka një varg, që thotë: "Për të harruarh një jetë – njeriut i duhet të kalojë, si minimum, edhe një jetë tjetër".

Më ndjeni për analogjinë, mbase të sforcuar, por nëse këtë pohim poetik e shpërngulim nga konteksti personal i heroit lirik të Brodskijt dhe e aplikojmë në sferën kolektive të kujtesës shqiptare mbi diktaturën komuniste, atëherë e vërteta e poetike shndërrohet në një dramë shoqërore kombëtare: "Për të harruar një jetë të kolektive – shoqërisë i duhet, si minimum, të kalojë edhe një jetë tjetër ". Pra, edhe pesëdhjetë vjet të tjera…


(fund)

0

(Vazhdim)

 

4. Hapat shtetërorë për rehabilitimin e shtresës së ish të përndjekurve politikë në Shqipëri

Rënia e komunizmit e gjeti Shqipërinë në një bankrrot total ekonomik e sidomos intelektual. Shoqëria shqiptare nuk ishte në gjendje të kuptonte përmasën e katastrofës së gjithanshme. Me të kishte ngjarë një zinxhir i plotë alienimi, zombifikimi. Shoqëria shqiptare nuk ia kishte idenë e katastrofës që kishte ngjarë. Nuk ndiqeshin, dënoheshin, ekzekutoheshin, burgoseshin dhe persekuoheshin vetëm bartësit e ideve politike të kundërta me ideologjinë komuniste, por edhe familjarët e tyre. Vetëm të burgosur politikë nga periudha e diktaturës (1944 – 1990), në një popullsi me rreth 1 – 3 milionë banorë sipas të dhënave të fundit rezultojnë 64.135 persona, me një mesatare burgimi mbi 8.9 vjet. Janë internuar dhe dëbuar nga familjet dhe vendet ku jetonin e punonin mbi 220 mijë vetë. Diktatura ekzekutoi me dhe pa gjyqe 21. 300 qytetarë, ndërsa humbën jetën nga torturat në hetuesi, burgje dhe kampet e punës 10.200 persona. 533 të burgosur politikë humbën aftësinë mendore. Persekutimi shkonte deri në lidhjet e dyta e të treta farefisnore. Rehabilitimi shoqëror, ekonomik e psikologjik i tyre përbën ende një ndër problemet më të mprehta që ka shoqëria shqiptare.

Me rënien e komunizmit dhe vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri, në vitin 1991, si në të gjitha vendet e Europës Lindore dhe Qendrore, janë bërë përpjekje për t’u shkëputur nga e kaluara totalitare. Këto përpjekje janë shprehur në një sërë masash ligjore, institucionale dhe financiare, të cilat përfshihen në konceptin e “drejtësisë tranzitore”. Një nga instrumentet e përdorura në këtë kuadër është dhe legjislacioni për pastërtinë e figurës (lustracioni).

    1. Parlamenti shqiptar, nëpërmjet ligjit 7514, datë 30.09.1991 “ Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë,” ka deklaruar qëndrimet politike dhe ligjore për trajtimin e të dënuarve dhe të përndjekurve politikë, si dhe aspiratat për ndërtimin e një shoqërie të lirë dhe demokratike, që respekton dhe mbron të drejtat njerëzore bazë. Në preambulën e këtij ligji, ndër të tjera, pranohet se “…gjatë 45 vjetëve, shumë qytetarë shqiptarë janë akuzuar, gjykuar, dënuar dhe burgosur, internuar apo përndjekur për shkelje të natyrës politike duke dhunuar të drejtat e tyre civile, sociale, morale dhe ekonomike.” Po në këtë pjesë, Parlamenti “…u jep ish- të burgosurve dhe të përndjekurve politikë pafajësinë” dhe në emër të shtetit juridik u kërkon falje këtyre njerëzve për dënimet politike dhe vuajtjet që kanë pësuar në të kaluarën.

Pas fitimit të amnistisë, në këtë vit, u themelua Shoqata Kombëtare e ish të Përndjekurve Politikë në Shqipëri. Me kohë u ngritën dhe shoqata të tjera, që rritën presionin mbi parlamentin shqiptar për të drejtat e tyre dhe e detyruan atë të hartonte një sërë ligjesh. Kështu kemi:

    2. Ligji 7666, datë 26.01.1993 “Për krijimin e komisionit për rivlerësimin e lejeve për ushtrimin e avokatisë dhe për një ndryshim në ligjin 7541, datë 18.12.1991 “Për avokatinë  në Republikën e Shqipërisë” ka pasur për objekt pastrimin e figurës në funksionin e avokatisë. Ky ligj ndalonte ushtrimin e avokatisë nga persona që kishin qenë ish-oficerë të Sigurimit të Shtetit dhe bashkëpunëtorë të tyre; ish- anëtarë të komiteteve të Partisë së Punës të Shqipërisë, si dhe punonjës të aparateve  të tyre në qendër, rrethe e rajone; ish- drejtues të organeve shtetërore në qendër dhe rrethe; ish- punonjës të burgjeve dhe kampeve të vuajtjes së dënimit. Gjithashtu, ndalimi shtrihej edhe te  personat që kishin mbaruar studimet në Fakultetin e Drejtësisë mbi bazën e arsimit të shkollës së lartë të partisë; që kishin qenë ish- kryetarë të zyrave të kuadrit të të gjitha niveleve; që kishin marrë pjesë si hetues, prokurorë ose gjyqtarë në proceset politike  speciale, të montuara; që kishin kryer funksione të larta drejtuese në organet qendrore të drejtësisë; që kishin përdorur dhunë fizike ose psikike gjatë hetimeve apo veprimeve të tjera; që kishin marrë pjesë në vrasjet në kufi. Ndalimi për ushtrimin e avokatisë për personin që prekej nga ligji ishte 5 vjet. Kundër vendimit të marrë sipas këtij ligji mund të bëhej ankim në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

    3. Kushtetutshmëria e ligjit të përmendur më sipër u bë objekt shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese, mbi bazën e kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Gjykata Kushtetuese e deklaroi ligjin në fjalë antikushtetues. Kjo Gjykatë, ndër të tjera, u shpreh se rivlerësimi i lejeve të ushtrimit të profesionit binte në kundërshtim me dispozitat kushtetuese për sistemin gjyqësor, të cilat parashikojnë se avokatia ishte një profesion i lirë e rrjedhimisht, i vetadministrueshëm. Më tej, Gjykata mbajti qëndrimin se ndalimet e ligjit cenonin kriterin demokratik të vlerësimit individual dhe jo kolektiv të figurës dhe cilësive të avokatëve, të drejtën kushtetuese për të zgjedhur profesionin dhe vendin e punës, si dhe parimet e ndarjes së pushteteve dhe prezumimit të pafajësisë (shih vendimin e Gjykatës Kushtetuese (GJK) nr.8, datë 21.05.1993).

    4. Në vitin 1995 u miratuan dy ligje që lidhen me pastërtinë e figurës: Ligji nr. 8001, datë 22.09.1995 “Për genocidin dhe krimet kundër njerëzimit kryer në Shqipëri gjatë sundimit komunist për motive politike, ideologjike dhe fetare” (Ligji për genocidin) dhe ligji nr. 8043, datë 30.11.1995 “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik” (Ligji për verifikimin e figurave). Ligji për genocidin  kishte si qëllim përshpejtimin e çështjeve penale që lidheshin me krimet kundër njerëzimit për motive politike, ideologjike, klasore dhe fetare, organizuar dhe kryer nga shteti komunist, si dhe të ndalonte që ish- drejtues të lartë në funksione politike, të zgjedhura, ekzekutive e gjyqësore gjatë sistemit komunist, si dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit të mund të zgjidheshin në organet qendrore dhe lokale të pushtetit apo të emëroheshin në administratën e lartë të shtetit, në sistemin gjyqësor dhe në masmedia, deri në 31 dhjetor 2001.

    5. Qëllimi i ligjit për verifikimin e figurave ishte sigurimi i pastërtisë së jetës demokratike të shtetit shqiptar në periudhën e tranzicionit postkomunist. Sipas këtij ligji, organet dhe funksionet që do t’i nënshtroheshin verifikimit të figurës ishin: Presidenti i Republikës, të zgjedhurit, funksionet drejtuese në ekzekutiv dhe në administratën shtetërore, drejtues në Forcat e Armatosura dhe forcat e policisë, ndihmësgjyqtarë, gjyqtarë, prokurorë dhe policia gjyqësore.  Gjithashtu, verifikimit do t’i nënshtroheshin dhe drejtuesit e redaktorët në RTSH dhe ATSH; gazetarët dhe punonjësit me detyrën më të lartë në gazetat me tirazh mbi 3000 kopje; funksionet drejtuese në bashkësitë ekonomike, institucionet shtetërore financiare dhe të sigurimeve, si dhe në bankat shtetërore; rektorët dhe drejtorët në universitete dhe shkolla të larta. Në mënyrë të përmbledhur, për të shërbyer në funksionet e mësipërme, personi duhej që, gjatë gjithë periudhës 28.11.1944 gjer më 31.03.1991, të mos kishte qenë drejtues në strukturat politike të Partisë së Punës, i zgjedhur, drejtues në ekzekutiv ose në administratën shtetërore, oficer dhe bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit apo i ndonjë shërbimi të huaj analog, denoncues ose dëshmitar i rremë në proceset politike, hetues, prokuror ose gjyqtar në procese politike speciale.

    6. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dhe Grupi Parlamentar i Partisë Social Demokrate paraqitën kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për deklarimin antikushtetues të dy ligjeve të sipërpërmendua. Gjykata Kushtetuese, me vendimin e datës 31.01.1996, në tërësi, rrëzoi kërkesat e këtyre dy subjekteve (me përjashtim të pretendimit për jokushtetutshmërinë e dispozitës që parashikonte që gazetarët e gazetave i nënshtroheshin kontrollit dhe dispozitës, sipas së cilës Ministri i Drejtësisë lejohej të bënte kërkesë për verifikimin e kryesive të partive dhe shoqatave politike) (vendimi i GJK nr.1/1996). Sipas Gjykatës, dy ligjet përcaktonin kufizime të arsyeshme dhe iu përgjigjeshin kërkesave morale të shoqërisë demokratike në Shqipëri.

    7. Sipas parashikimeve të ligjit për verifikimin e figurave, për zbatimin e tij, ngrihej një komision shtetëror i përbërë nga 7 anëtarë. Kundër vendimit të Komisionit personi që i nënshtrohej verifikimit mund të ankohej në Gjykatën e Kasacionit brenda 7 ditëve nga dita e komunikimit. Komisioni i ngritur sipas ligjit ushtroi veprimtarinë e tij deri në fund të vitit 2001.

    8. Duke filluar nga viti 1996, ligjit për verifikimin e figurave iu bënë disa ndryshime, të cilat, kryesisht, ngushtuan fushën e veprimit të tij. Kështu, me ligjin nr.8151, datë 12.09.1996, u përjashtuan nga verifikimi i figurës të zgjedhurit dhe kandidatët për t’u zgjedhur në organet e pushtetit vendor. Ndryshimi i dytë, në maj të vitit 1997 (Ligji nr.8280, datë 13.05.1997), ngushtoi rrethin e pozicioneve dhe cilësive të mbajtura gjatë sistemit komunist që konsideroheshin si kusht pengues për të shërbyer në funksionet publike të përcaktuara sipas ligjit (në ndryshim nga ligji bazë fakti që një person kishte qenë i zgjedhur, në funksione politike jo të larta, në funksione ekzekutive, gjyqtar, prokuror ose hetues etj., gjatë sistemit komunist nuk përbënte një kusht pengues…). Dy ndryshimet e fundit ligjore (ligjet nr.8232, datë 19.08.1997 dhe nr.8280, datë 15.01.1998) kufizuan edhe më tej fushën e veprimit të ligjit dhe bënë disa ndërhyrje në procedurat e funksionimit dhe vendimmarrjes së komisionit për kontrollin e figurës. Ligji për verifikimin e figurave, sipas parashikimit fillestar, i pushoi efektet në 31 dhjetor 2001.

    9. Me datë 30. 10. 2006 në Parlamentin shqiptar u mbajt një seancë e posaçme për dënimin e krimeve të komunizmit, dënimin e diktatorit Enver Hoxha dhe heqjen e të gjitha titujve dhe dekoratave të tij  dhe të bashkëpunëtorëve të tij. Kjo seancë në Parlament u shtjellua në trajtën e një Rezolute duke i referuar Rezolutave të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe konkretisht: Rezolutës 1096 (1996) "Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste"; Rezolutës 1481 (2006) "Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste", si dhe vendimeve të Konventës së Parë Kombëtare të Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Përndjekurve Politikë dhe Qendrës Shqiptare të Rehabilitimit të të Mbijetuarve të Torturës "Për dënimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri, datë 12. 05. 2006.

Seanca Parlamentare paraqiti Rezulutën e saj të përbërë prej 17 pikash, ku i bëhej thirrje shoqërisë shqiptarëve dhe të gjitha instituteve të saj për dënimin e krimeve të komunizmit.

    10. Me datë 22.12.2008, Kuvendi miratoi ligjin nr. 10034 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”, Ligj i cili me ankim të Partisë Socialiste dhe Partisë Social-Demokrate u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese me Vendimin nr 9. datë 23.3.2010.
Duhet theksuar se në përbërjen e trupës së Gjykatës Kushtetuese, të gjithë anëtarët, pa përjashtim, bënin pjesë në aparatin e dhunës, akuzës, torturës, gjykimit dhe dënimit komunist. Shumë prej tyre kanë dhënë dhjetra dënime me vdekje gjatë rregjimit diktatorial të Enver Hoxhës.

Megjithatë duhet theksuar, se përfshirja e shtetit në ndihmesën ndaj shtresës së ish të përndjekurve politikë ka qenë fragmentare. Në vitin 1994 e emetuan bono privatizimi (letra me vlerë për të blerë aksione në ndërrmarrje pronë shtetërore që privatizohen) dhe disa syresh iu shpërndanë të përndjekurve politikë në këmbim të viteve të tyre burgim apo dënim me internim. Por vetëm një pjesë shumë e vogël e ish të përndjekurve arrriti të përfitojë nga ankandet dhe të bëhet pronare (vetëm 0.15% e numrit të tyre të përgjithshëm). Një kompani e ngritur në vitin 1995 (kompania "Anglo-adriatika"), e cila mblidhte bonot e privatizimit për të blerë ndërmarrje shtetërore, pesë vjet më vonë falimentoi, duke mos arritur t`u shpërndajë asnjë divident pronarëve të saj (me dhjetra mijëra qytetarë shqiptarë, kryesisht ish të përndjekur politikë).
Në Shqipëri sot gjenden mbi 50 mijë të mbijetuar nga burgjet dhe internimet politike komuniste: situata aktuale materiale dhe shpirtërore e tyre është produkt i indiferencës së shtetit dhe shoqërisë.

Ish të dënuarit politikë nga regjimi komunist janë organizuar sot në shumë shoqata, të cilat kanë kontradikta me njëra-tjetrën. Është e vështirë t`i rendisësh këto shoqata në kërkimin e diçkaje të përbashkët. Megjithatë, në janar të vitit 2002, Shoqata e ish të burgosurve Politikë të Shqipërisë i paraqiti Parlamentit shqiptar një projekt-ligj mbi Dëmshpërblimin e tyre për vitet e burgut dhe internimit gjatë diktaturës. Komisioni i Ligjeve i Parlamentit shqiptar, pasi e gjeti projekt-ligjin të rregullt dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit dhe ligjet e tjera, si dhe me konventën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, pas disa muajsh zvarritje e kaloi projektligjin për shqyrtim në një seancë parlamentare (korrik 2002). Pas debatesh të shumta, Parlamenti vendosi t`ia kthente sërish qeverisë për rishikim, duke qenë se kjo e fundit ankohej, se fatura financiare e ligjit ishte e papërballueshme. Parlamenti këshilloi që për shumën e dëmshpërblimit të bihej dakort mes qeverisë dhe përfaqësuesve të shoqatave të ish të përndjekurve politikë. Janë zhvilluar që atëherë raunde bisedimesh mes përfaqësuesve të qeverisë shqiptare dhe të shoqatave në nivel teknicienësh. Në fund, Shoqata e ish të Përndjekurve Politikë paraqiti një variant më të reduktuar dhe me faturë financiare më të ulët. Edhe pse kërkesat ishin më modeste për nga kostot ekonomike, sërish qeveria shqiptare nuk u përgjigj. Ish të përndjekurit  atëherë kaluan në protesta paqësore përpara parlamentit dhe kryeministrisë me pankarta dhe megafonë duke kërkuar të drejtat e mohuara. Situata u acarua nga ndërhyrjet e dhunshme të policisë mbi demonstruesit, duke i rrahur ata. Kjo situatë e detyroi Presidentin e republikës të thërriste në janar 2003 një mbledhje me përfaqësues të lartë të qeverisë, Parlamentit dhe shoqatave të të dënuarve dhe përndjekurve politikë. Nga mbledhja qeveria caktoi një grup pune brenda Ministrisë së Financave, i cili realizoi disa takime periodike me përfaqësues të ish të përndjekurve. Sërish këtyre të fundit, si gjithmonë, u mungoi ekspertiza ekonomike. Prej kësaj përfituan përfaqësuesit e qeverisë, të cilët u përpoqën të merrnin përsipër rolin e legjislativit, duke kërkuar të ndryshohen nene të caktuara të ligjit të shtatorit 1991 për të Përndjekurit Politikë në Shqipëri, si dhe nenin 27 të kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, i cili përcakton masën e dëmshpërblimit me lekë për çdo ditë paraburgim dhe burgim pa faj. Të revoltuar nga këto makinacione, përfaqësuesit e ish të Përndjekurve Politikë u ngritën sërish në protesta publike. Një devijim shqetësues i këtyre protestave ishin revoltat ndaj vetë Shoqatës së ish të Burgosurve Politike dhe Kryetarit të saj, i cili u akuzua për marrëveshje prapa krahëve me qeverinë. Ata e sulmuan dhe e pushtuan godinën dhe ambientet e Shoqatës. Zhvillime të tilla e dëmtuan imazhin e lëvizjes së ish të përndjekurve politikë dhe i dhanë kohë qeverisë të fitonte kohë. Kryeministri i qeverisë socialiste aoskohe ia kaloi çështjen e dëmshpërblimit dhe të vetë projekt-ligjit Gjykatës Kushtetuese për interpretim. Por pas një reflektimi disa mujor në konstatimet e saj, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se kjo kërkesë nuk mund të shqyrtohet nga kjo Gjykatë, pasi është jashtë juridiksionit të saj. Gjithashtu ajo theksoi, se nuk është rasti që të bëhen interpretim përfundimtar, sepse nuk është bërë asnjë interpretim më parë nga organet shtetërore. Një qëndrim i tillë u vlerësua nga Kryeministri si "mosdenjim për ta shqyrtuar këtë çështje në seancën gjyqësore, dhe pa asnjë bazë kushtetuese dhe ligjore". Ish të përndjekurit politikë sërish kaluan në protestë, sërish mbi ta u ushtrua dhunë policore.Po çfarë kërkojnë, edhe sot e kësaj dite ish të Përndjekurit politikë nga qeveritë shqiptare? Kërkesat e pasqyruara në projekt-ligjin për dëmshpërblimin kanë të bëjnë me:

a) Kompensimin pasuror ose financiar për konfiskimet e kryera nga regjimi komunist ndaj ish të Përndjekurve politikë (ata përbëjnë dhe pjesën dërrmuese të ish-pronarëve, që nuk u është kthyer apo kompensuar prona).

b) Kompensimin financiar në lekë (monedha kombëtare e Shqipërisë) të letrave me vlerë, që kanë ngelur tërësisht të papërdorshme.

c) Kompensim financiar (në lekë) gradual të punës së papaguar, të kryer nga ish të dënuarit gjatë viteve të burgut.

d) Krijimin e azilit të pleqve për ish të dënuarit dhe të përndjekurit politikë.

e) Ideimin dhe zbatimin e politikave nxitëse për punësim dhe integrim në shoqëri të ish të përndjekurve politikë.

Shtresa më e privuar e më e vuajtur e shoqërisë shqiptare, që përbën 30% të popullsisë besoi fort, se me ndëshkimin me votë të qeverisë së majtë, problemet e saj do t`i zgjidhte ardhja në pushtet, në vitin 2005 e qeverisë së djathtë, e cila ka ditur të luajë me ta kartën e antikomunizmit. Por me ardhjen në fuqi të qeverisë së djathtë, doli se karta antikomuniste kishte qenë një demagogji e pastër. Ligji i Dëmshpërblimit dhe kompensimit të tyre, u mor me entuziazëm pas vitit 2005 nga e djathta, dhe filloi të shpërndajë këstet e para në fund të mandatit qeverisës (2007-2008), sa për të krijuar idenë për një mbështetje në një mandat të dytë, mandej e braktisi totalisht idenë e Dëmshpërblimit të ish të Përndjekurve Politikë, duke u justifikuar me krizën ekonomike globale që ka përfshirë botën. Protesat vazhduan edhe ndaj qeverisë së djathtë, aq sa në vitin 2012 në këto protesta dy ish-të burgosur politik u vetëdogjën.

Rrotacioni politik i viti 2013 me fitoren e së majtës në pushtet, kishte shpallur një platformë të posaçme të zgjidhjes së Dëmshpërblimit dhe çështjeve që shqetësojnë shtresën e ish-të Përndjekurve politikë. Tani, pas më shumë se një viti nga ardhja e së majtës në pushtet, jo vetëm që Dëmshpërblimi nuk ka filluar të jepet, por ka filluar të fryjnë erërat e nostalgjisë komuniste për Diktatorin dhe diktaturën me thirrje të hapura recediviste për rinvlerësimin e figurës gjakatare të Enver Hoxhës. Këtyre thirrjeve u paraprijnë historianët komunistë që përbëjnë dhe monopolin institucional zyrtar të shtetit shqiptarë, siç janë Paskal Milo (paradoksalisht njeriu, të cilin qeveria socialiste e ka vënë në krye të komisionit për reformimin e arsimit kombëtar (!).

0

1. Pse ishte i veçantë sistemi totalitar komunist në Shqipëri

Sistemi totalitar-komunist në Shqipëri u përmbys në fund të dhjetorit të vitit 1990. Për afro gjysmë shekulli diktaturë, Shqipërinë e sundoi me dorë të hekurt lideri i saj, Enver Hoxha, në rrugë të përgjakshme, duke eleminuar në fillim çdo kundërshtar politik e më vonë, pothuaj të gjithë bashkëpunëtorët e tij të ngushtë në qeverisje.

Përgjatë afro 50 viteve, që nga viti 1941 deri në vitin 1990, Partia Komuniste Shqiptare kaloi nga terrori i fshehtë në terror të hapur, që në vitet 1944-1948 kulmon me operacionet e spastrimit dhe nënshtrimit të zonave të ashtuquajtura "antikomuniste" në Veri të vendit. Në harkun e këtyre viteve organizoheshin, krahas gjyqeve popullore në stilin e Nurenbergut, që përfundonin me pushkatime dhe dënime të rënda, si dhe me ekspedita ndërshkimore të Sigurimit të Shtetit në terren, sidomos në zonat "rebele", duke ushtruar masivisht pushkatimet pa gjyq, sipas listave të zeza.  

Autorët e "Libri i Zi i Komunizmit" nuk e paraqesin fare rastin shqiptar, me sa duket, per shkak te mungeses se informacionit. Shumë nga studiuesit e huaj dhe vendas që e njohin historinë e diktaturës komuniste shqiptare në kontekstin krahasues, pohojnë se ajo paraqet variantin më të egër të stalinizmit në të gjithë kampin e vendeve ish-komuniste.

2. Çfarë e bën më të egër komunizmin shqiptar nga vendet e tjera të Europës Lindore?

    1) Diktatura komuniste u vendos përmes një luftë Çlirimtare, që pak nga pak, nga vitit 1943, lufta kundër okupaturit degjeneroi në luftë civile, duke goditur, përveç formacioneve të tjera politike pjesëmarrëse në  luftë, edhe popullsinë e  pafajshme civile, duke përhapur terror me pushkatime, masakra të mëdha e djegie shtëpish.
    2) Ishte një nga diktaturat më të gjata e më të egra të tipit stalinist. Ekzekutimet, torturat dhe keqtrajtimet, burgosjet masive për arsye politike dhe internimi i familjeve të tyre vazhduan deri në vitin 1990.
    3) U ndërmorën reforma ekstreme, si: konfiskimi total i pronës private, ndalimi i ushtrimit të çdo profesioni privat, ndalimi i besimit, deri në përjashtimin e tij nga Kushtetuta.
    4) U zhvillua një luftë e ashpër fanatike klasash, që penalizonte pasardhësit e afërt e jo aq të afërt të kundështarit politik, duke u mohuar të drejtën e arsimimit të mesëm e të lartë pasardhësve, bijve dhe nipave, deri në në ndalimin e të drejtës së martesës, përveçse brenda brenda klasës së tyre të dekasuar.
    5) Pas prishjes së marrëdhënieve me ish- BRSS, komunizmi shqiptar ishte i vetmi vend në Europë që zbatoi modelin maoist kinez të totalitarizmit në stilin e jetës, art, politikë etj. Në fund të viteve `70, pas prishjes së marrëdhënieve me "vëllaun" kinez, Shqipëria bëhet një vend i papërshkueshëm nga asnjë i huaj. Pushkatimi dhe internimet vazhdojnë.

3. Llojet e përndjekjeve politike

Llojet e përndjekjes politike përfshinin:

Dënimet penale:

– Dënim me vdekje
– Dënim të përjetshëm
– Dënim me 25 vjet burg
– Internim (si një plotësim i dënimit)

Dënimet aministrative:

– Dëbim/internim
– Punë e detyruar pa pagesë
– Heqje e të drejtës së lëvizjes nga vendi i internimit
– Heqjë ë të drejtës për të ushtruar profesionin (përfshij artin dhe sportin)
– Shkarkim nga postet drejtuese
– Transferim
– Presion për t`u divorcuar
– Përjashtim nga shkolla e lartë
– Heqje e të drejtës së pensionit

Dënimet nuk jepeshin vetëm për "veprimtari" kundër shtetit apo Partisë, por edhe për "shfaqje të ndikimeve ideopolitike të ndryshme" apo për stil jete "borgjezo-revizioniste". Kodi Penal parashikonte dhënien e dënimit me vdekje në ato raste kur nuk ishte ndërmarrë ndonjë veprimtari armiqësore apo kur kjo e fundit nuk kishte sjellë asnjë pasojë. Dënimi me vdekje parashikohej edhe në nenet e Kushtetutës për "agjitacion e propagandë", arratisje, sabotazh në art e kulturë, etj. Gjatë viteve të para të vendosjes së diktaturës, ishte mjaft i përhapur diskriminimi i qytetarëve që i përkisnin shtresës së pasur të shoqërisë shqiptare apo familjeve me një të kaluar intelektuale e politike.

Torturat dhe keqtrajtimet

Në Shqipërinë komuniste përdorimi i torturës në zyrat e hetuesisë dhe burgjet ndalohej me ligj. Por, në të vërtetë, tortura përdorej gjerësisht në qelitë e hetuesisë, në vendet e paraburgimit dhe ato të kryerjes së dënimit apo në kampet e internimit me punë të detyruar. Në të shumtën e rasteve duart e të arrestuarit prangoseshin pas shpinës së tij dhe shtrëngoheshin shumë. Sipas dëshmive të mbledhura, tortura është përdorur që gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare.
Në Muzun Historik Kombëtar të Tiranës, në pavionin e gjenocidit komunist, janë të paraqitura 20 lloje të torturës fizike. Llojet e torturës janë:

1. Jeleku i torturës.
2. Tortura seksuale duke dëmtuar organet gjenitale.
3. Rrahja e rëndë.
4. Privimi nga gjumi, ushqimi dhe qëndrimi në këmbë për ditë me radhë.
5. Tortura elektrike.
6. Varja në qafë e zinxhirëve të trashë.
7. Varja prej krahësh në një dritare apo çengel në mënyrë që vetëm gishtërinjtë e këmbëve të ceknin në tokë.
8. Mbushje e gojës me kripë.
9. Ekzekutime të rreme, ngritja e një trekëndëshi apo të shtëna në ajër.
10. Zhytja e kokës në një fuçi me ujë.
11. Djegia e lëkurës me cigare ose hekur të nxehtë.
12. Hedhja e alkoolit në duar ose flokë dhe më pas ndezja e tij.
13. Thyerja e kockave dhe shkulja e mishit me pinca.
14. Dhënia e ushqimeve shumë të kripura dhe më pas lënia pa ujë.
15. Futja në ujë të ftohtë dhe lënia lagur gjatë dimrit.
16. Pakësimi gradual i ushqimit.
17. Përdorimi i substancave kimike.
18. Vendosja e helmetave në kokë.
19. Prangosja këmbë e duar për një periudhë të pacaktuar kohore.
20. Përdorimi i zgjojve të bletëve ndaj të burgosurve të zhveshur.

Disa metoda të tjera të torturave të përdorura në burgjet komuniste shqiptare janë përmendur në një Studim të profesor Agim Mustës (historian, ish-i dënuar politik), i cili, përveç pervojës së tij, ka mbledhur edhe rrëfimet e bashkëvuajtësve të tij. Për disa metoda kanë dëshmuar edhe klientët e trajtuar nga Qendra Shqiptare e Rehabilitimit të të Mbijetuarve të Torturës, por edhe nga qindra rrëfime që ka mbledhur Instituti ynë me të mbijetuarit e diktaturës. Ata rrëfejnë për të tjera lloje torturash:

1. Arkivoli i hekurt.
2. Groposja deri në grykë në gropën e fekaleve.
3. Lidhja dhe ekspozimi ndaj diellit.
4. Përdhunimi i familjarëve në sy të të ndaluarit.
5. Kafshimi me qen ndaj atyre që tentonin të arratiseshin.
6. Shtrati i hekurt (i burgosuri shtrihej i zhveshur mbi një shtrat të hekurt të cilin e nxehnin gradualisht).
7. Futja e maceve në rrobat e grave dhe më pas ngacmimi me shkapo i tyre, në mënyrë që të dëmtonin organet gjenitale dhe pjesë të tjera të trupit.
8. Fryrja me pompë e anusit.
9. Tortura dentale.
10. Hedhja e vajit të nxehtë në pjesë të zhveshura të trupit.
11. Vendosja e vezëve të ziera nën sqetulla dhe shkulja e thonjve me pinca.
12. Ecja zbathur mbi prush.
13. Ngacmimi i plagëve me bajonetën e pushkës.

I njëjti autor përmend, se përveç torturave fizike, për shkatërrimin e personalitetit të viktimave përdoreshin edhe tortura psikologjike. Disa nga llojet e torturave psikologjike më të përdorura ishin:

1. Privimi – privimi i viktimës ndaj ndijimeve shqisore: nga gjumi, kontakti me njerëz, drita natyrale dhe artificiale. Privimi nga larja dhe kryerja e nevojave fiziologjike.
2. Kërcënimi – viktima kërcënohej vazhdimisht me tortura, vrasje dhe asgjësim të familjarëve e miqve të tij.
3. Poshtërimi – viktima poshtërohej nga hetuesit me tallje dhe sharje me fjalë të rënda

Gjatë hetimeve, viktimat nuk torturoheshin vetëm për marrjen e informacionit, por edhe për t`i dëmtuar ata fizikisht dhe mendërisht, si dhe për të terrorizuar pjesën e shoqërisë shqiptare jashtë burgjeve. Tortura ushtrohej në 26 rrethe administrative të Shqipërisë, ku kishte 26 Degë të Punëve të Brendshme. Në Tiranë, Korçë dhe Shkodër kishte Drejtori të Punëve të Brendshme.

Në çdo Degë të Punëve të Brendshme kishte një numër qelish me përmasa 2m X 1.2m. Por krahas tyre kishte qeli, të cilat quheshin speciale dhe kishin përmasa 1m X 0.5m, ku i arrestuari as të rrinte në këmbë as mund të shtrihej, por vetëm mund të qëndronte këmbëkryq.

Në mars të vitit 1993, gazeta e shoqatës së ish-të përndjekurve politikë të Tiranës "Ringjallja", botoi një listë me 186 emra të personave, të cilët akuzoheshin për përdorim të rëndë të torturës, terrorit dhe dhunës kundër popullsisë. Të akuzuarit për këto krime ishin:

a) Oficerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme;
b) Prokurorë dhe Gjykatës;   
c) Hetues të çështjeve politike;
d) Drejtues të lartë të organeve të Sigurimit në qendër ose rrethe;
e) Komandantë të burgjeve ose kampeve të punës.

Përdorimi i torturës është një realitet i konfirmuar edhe në dokumentacionin për torturuesit. Në librin "Dosjet e diktaturës" të profesor Pjetër Pepa, janë botuar qindra faksimilie të ish-drejtuesve të lartë të Sigurimit të Shtetit, të marra nga arkiva e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë komuniste. Po ndalemi në tre-katër prej deklaratave tipike të drejtuesve të lartë të Sigurimit të Shtetit. Kështu, Lefter Lakrori deklaron:

"Në rastin e Kryengritjes së Shkodrës, ne u dërguam për të ndihmuar zhvillimin e hetimeve. Më pas erdhi me ne edhe Vaskë Koleci. Ne kishim të drejtë të përdornim torturën, shumë njerëz vdiqën në duart tona. Çdo i arrestuar u torturua".

Naum Bezhani (hetues), deklaron:

"Që prej kohës kur unë kam qenë në degën e Sigurimit të Korçës, dy persona kanë vdekur për shkak të torturave. Për ta u tha se u vranë gjatë tentativave për t`u arratisur. Përdorimi i torturës gjatë viteve 1945-1947 ishte shumë i madh. Koçi Xoxe dhe Vaskë Koleci (respektivisht Ministri i Punëve të Brendshme dhe Drejtori i Sigurimit të Shtetit 1945-1948), jo vetëm që nuk na ndaluan, por na mësuan dhe na shtynë në këtë lloj praktike. Rreth torturave të përdorura në këtë përiudhë ishin vendosja e peshave të rënda në qafë, futja e fekaleve në gojë, rrahja e të burgosurve nëpërmjet një të burgosuri tjetër provokator, etj".

Kopi Niku deklaron (oficer i lartë i MPB):

"Koçi Xoxe, ish-Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Brendshme gjatë periudhës 1945-1948, deklaroi para trupit gjykues:

"Unë kam urdhëruar që të arrestuarve t`u jepej më pak ushqim, më pak ujë dhe që duhej të torturoheshin për vdekje. Në shkurt të vitit 1945, ne e urdhëruam Vaskë Kolecin që të pushkatonte në Veri të Shqipërisë pa gjyq. Për ekzekutimet unë u vura në dijeni dhe ato u bënë me urdhër të shokut komandant (bëhet fjalë për Enver Hoxhën). Kishte edhe një vendim të byros për këtë".

 

 

 

 

2

20 gusht 2014. Pasi mbarova disa punë të ngutshme në Tiranë, do të kthehesha sërish në Dibër, te shtëpia e prindërve ku kisha lënë tashmë atje time shoqe me fëmijët. Dola në Laprakë, ku midis disa radhësh me pallate fshihen furgonat që nisen për në Peshkopi. Gjeta një furgon gati në të nisur dhe, për fat, kishte vetëm një vend bosh.

Ulem, hedh sytë nga udhëtarët e tjerë dhe më vjen mirë që përreth meje nuk ka asnjë fytyrë të njohur, me të cilën të hysh në kuvendim. Në këto udhëtime të gjata rraskapitëse, çdolloj bisede shndërrohet në torturë shtesë. Jam pranë dritares në sediljen e fundit, ndërsa në të majtën time janë dy pleq, njëri me kasketë, tjetri me flokë krejt të zbardhur, të shkurtër. Nga veshja e tyre hetoj njëfarë përkujdesjeje, ndonëse kostumet e zinj janë kombinuar me këmisha aspak të përshtatshme, me vija të gjera, madje, ai plaku i skajit tjetër, te dritarja, mbi këmishë kishte veshur një jelek të hollë leshi ngjyrë portokalli. Bën vapë e madhe dhe furgoni mban erë të athët djerse, të cilën ajri që hyn nga të dy dritaret e para, gjysmë të hapura, nuk arrin ta zhdavarisë plotësisht. Njëfarë plake në rreshtin e dytë të sendiljeve vjell herë pas here, duke e zhytur kokën në qeset e celofanit që ia ofron një djalë i ri, me gjasë, i nipi. Asoherë edhe duhma bëhet më shpuese, e tillë që të pështjellon rropullitë. Përpiqem të mos i mbaj sytë. Hedh vështrimin nga dritarja dhe ujërat e gjelbër të digës së Shkopetit duket sikur e shpëlajnë përfytyrimin. Shoferi e kap situatën dhe menjëherë rivendos po atë kasetë me këngë që i kishim dëgjuar në xhiron e parë, njëra më e pështirë se tjetra. Ndoshta përvoja e tij thotë se këto këngë largojnë vëmendjen e udhëtarëve nga vjelltina. Tashmë plaka është mbështetur si e alivanosur në shpinore, me sy gjysmë të perënduar. Dikush shan me zë të trashë e të ngjirur qeverinë shqiptare që gënjen vazhdimisht dhe që kurrë nuk e ndërtoi Rrugën e Arbrit.

– Or ti, teveqel, – ia pret plaku që kam përbri, në të majtën time, – në dorë e kishe ti bashkë me atë Salë hajdutin… Pse nuk e ndërtove?

– Boll rrugë ka ndërtue Sala, or mixhë, – ia pret ai, një zeshkan me zë të ngjirur dhe shton: – Tani ua kemi lanë në dorë ju të kuqve, ta bani dhe ju njiherë belí, se votat i përlatë! Bëjeni të paktën veç një rrugë, këtë që po na trazon plënc e zorrë!

– Po, po… me at’ mendje bani fllad vetes ti. Qeveria jonë veç me ju fry n’bythë ka mbetë, se paret na i skërllupi Sala!

Një vajzë në ndenjësen para meje kthen fytyrën e thartuar nga xhami, mandej kërruset mbi një celular. Për të satën herë plaku përbri kërkon të hyjë në bisedë. Tani rreh me këmbëngulje të shkepë prej meje ndonjë miratim, ndonjë fjalë solidariteti:

– Hala i mbajnë shpresat te Salë Marrja, a e dëgjon?

Unë tund kokën në mënyrë të papërcaktuar, pa ia ushqyer kuvendimin. Pasi ka kaluar një kohë boll e gjatë, mesoburri zeshkan e me zë të ngjirur kthehet përgjysmë në profil dhe i hedh fjalën plakut bri meje, i cili kuvendon me zë të ulët me plakun tjetër:

– Me ty e kam, or Xhemë! A po më dëgjon? Si ju priti Komiteti i Veteranëve more? Apo nuk jua vari torbën fare?

– Mos na e baj gajlen or teveqel i kapajtëm, – ia priti si bubullimë Xhema. Pa shih këndej… n’daç me e dijtë, na ka pritë e na ka sajdisë vetë zonja ministre! Keni me e pa ju, tradhtarët, se çfarë feste kemi me ngrehë!

– E di, e di or mixha Xhemë! Pashë nji shoqin tuej tue shkrujt me bojë të kuqe nji parrullë te Ura e Drinit: “Mirësevini Veterëanë të Dibrës!” Po a s’më thue bre mixhë, sa kokrra bëheni?

– S’ka ç’të hyn n’alet ajo punë ty, – ia ktheu, s’di pse i nxehur, plaku dhe me këto fjalë, duket se e mbylli komunikimin me zeshkanin e ngjirur.

Ra prapë heshtje. Pleqtë dukeshin si tepër të mbajtur për të qenë në moshën e veteranëve pjesëmarrës në LANÇ. Dikur gjeta rastin dhe pyeta Xhemën:

– Çfarë moshe jeni, or mixhë?

– Paj, i kceva të gjashtëdhjetë e tetat kët motmot… Shoqi em asht nji vjet mbrapa meje. Pse po pyet or djalë?

– Kot… në fakt, jo krejt kot, – zura të shpjegoj. – Desha me e ditë a keni marrë pjesë në luftë… meqë dëgjova se ju paskan thirrë në ministri, si veteranë. Me nji fjalë, ju jeni pjesëmarrës në Luftën Nacional-Çlirimtare, apo jo?

– Po, në njëfarë mënyre po, po…

– Por, mixhë, në luftë nuk merret pjesë në njëfarë mënyre: o keni marrë, o s’keni marrë…

– Po, mor po! Kemi luftue… unë e shoqi em!

– E qartë! Por nëse keni marrë pjesë, atëherë sa vjeç i bie të keni qenë në fillim të luftës? Më falni or mixhë, por nga sa thoni ju për moshën që keni, i bie që ju të keni lindur në 1946 dhe shoqi juej një vit ma vonë. E që të marrësh pjesë në një luftë duhet që, më së pari, të keni pasë lindë. Por ju të dy keni lindur pas Lufte, apo jo? Atëherë, veteranët e cilës luftë jeni ju?

– Or Xhemë, – e tundi në krah shoku i vet, – pse mor i bekum e zgjat muhabetin tërkuzë?

Por Xhema rrihte me dalë prej siklteti në mënyrën e vet, sepse tani njerëzit në furgon ishin kthyer për të dëgjuar bisedën dhe dhe një pjesë kukuriseshin me të madhe.

– Papapa…! Qenke djalë i keq ti, – u ndez Xhema, – po ty, a të rren mendja me më kap në rrenë mor pizeveng provokator? Kemi luftue, posi! Kemi luftue me diversantat, ditë e natë bile! E e kam për kreni! Poooo… për kreni e kam!

– Aha, këtë thuej or mixhë! Paske qenë me Sugurimin! Qenke nga ata veteranët që kanë vrarë shqiptarët, jo okupatorin… E kuptova! Por s’e kuptoj pse ofendon kur mund të përgjigjeshe i qetë.

– Se ti nuk po pyet si njeri, ti po provokon… – tha i nxehur Xhema.

– Jo bre mixhë, jo… Të pyeta sa me të nxjerrë në rrenë. Tani na thuaj, kush është provokim, pyetjet e mia, apo rrena juaj?

– Po ty, çafrë të hyn n’alet?

– Më hyn që ç’ke me të… Se ju merrni pensionin, jo si veteranë, por si ish-sigurimsa. E paratë e këtyre pensioneve merren nga taksat e mia e të gjithë taksapaguesve. Atëherë ç’punë keni ju të dy me vetranët e luftës?

Këtu mixha Xhemë luajti menç krejt, se brofi menjëherë në këmbë, por ndodhi kthesë e fortë: koka iu përplas në tavanin e furgonit dhe ra perdredhtaz prapë në vendin ku qe ulë. Mbas do grimë kohe i briti me një zë të idhtë shoferit:

– Or ti, djali i timonit! Pa ndale maqinën… ndale të thom!

– Pse mor mixhë? – tha mbyturazi shoferi që qeshte nën zë.

– Ndale mor po t’thom! Ja ke me e zdripë këtë qepazen m’tokë, ja do t’zdripi vetë!

Për çudi, shoferi mori një kthesë tjetër, gjeti një vend të gjerë e të volitshëm, e ndali makinën dhe hapi derën. Mandej, i kthyer nga fundi ku ishim ulë ne, i briti gjithë nerva veteranit Xhemë:

– Deshte me e nadalë furgonin? Qe ku e ke derën e hapur. Afrohu e merr lekët e tua mbrapsht dhe zbrit poshtë… në mos, do vij vetë me të flakë përjashtë, sa çel e mshel sytë! Ai zotnia atje nuk të ka kurrnji faj. Hë pra, zbrit…!

Por Xhema nuk lëvizi. Mandej, i nxehur si një fëmijë, me damarin e kërcyer të ballit dhe fytyrën e ndezur prush, shpalli:

– Heu, a qashtu ma bane, a? Epo për inatin tand e të gjithë qepazeve ktu, nuk e luej kambën prej vendit!

Fill mandej shpërtheu një e qeshur e fortë, e përgjithshme. Atëherë shoferi ngriti të dy krahët, sikur të shfajsohej përpara të gjithëve, para kalamallëqeve kapriçoze të tipit “epo ç’ti bësh?”. Mandej, duke ndezur makinën iu kthye për herë të fundit veteranit Xhemë:

– Epo nëse nuk do të dalësh, ulu e trys aty ku je dhe shuj, se po nise prapë, vallahi, vetë kam me të kapë për krahësh e për kambësh e kam me t’fluturue si presh, në një nga kthesat e Qafë-Buallit!

0

Gjithkund thonë se masmedia na i mori lexuesit. Njëmend që tele-ekrani rrëmbeu shtresa të tëra njerëzish, që dikur lexonin. Pjesa dërrmuese e inteligjencies së viteve ‘90 harxhojnë 3-4 orë para televizorit, pa e ndjerë se këto orë diçka i “heqin” pa kthim. Televizioni i sotëm është strukturuar në dy tipa komunikimi. Tipi i parë është ndërtuar i gjithi mbi serialet dhe klipet, çka ngjan fort me sa kemi folur më lart për letërsinë. Klipi e ndalon kohën, e shpërthen, e copëton apo e entropizon atë. Seriali gjithmonë e përtyp dhe e zgjat në mënyrë viskoze këtë kohë, herë pas herë ndërkall pjesët e harruara, digresive, e bën përvojën tonë të pandërprerë nga dita në ditë, duke nxituar ngadalë drejt qëllimeve të mira e të bukura (dasma, pasuria). Edhe klipi, i cili në këtë kuptim na vë në qorrsokak: çfarë shohim ne në thelb? Rrëfimi ndalon, dhe njëfarë enigme që na jepet përmes imazhit pamor, është gjithmonë e pamjaftueshme; na çon diku jo tamam, duke na shtrënguar pavullnetshëm të mendojmë, çfarë fshihet pas aludimeve – ky është një tip tjetër narracioni. Është karakteristike, që adhuruesit e teleserialeve nuk i durojnë dot reklamat, për shkak se ato i shpërngulin në një sferë tjetër të përvojës.

Një tjetër pol të lexuesit të sotëm dua ta paraqes në një kuptim tipologjik. Ky është lexuesi i poezisë, një ekzemplar njerëzor absolutisht i zhdukur, sepse ai gjithnjë në fakt gjendet në njëfarë gjendjeje zhdukjeje. Kjo mundësi ekzistence, e cila të jep ndjesinë e zgripit në kufij, e organizon krejt ndryshe përvojën e tij: këtu njeriu nuk ka frikë të hyjë në ujërat e ditës së fundit. Poezia e shtrëngon atë të kontaktojë me një përvojë të tillë, e cila është ekstremale, jo pa rrezik, e cila në çdo situatë është problematike, enigmatike.

Këto janë polet, po çfarë ka ndërjet tyre? Ndërmjet tyre, më duket, se nga njëra anë, janë copëzat dhe fragmentet e asaj me çka kemi jetuar, përderisa në kulturë, në letërsi asgjë nuk zhduket; ajo kalon në një vend tjetër, në role të tjera dhe përfton në qëndismën e përgjithshme një ngarkesë tjetër kuptimore. Kështu lind një tip tjetër i auditorit: publiku grumbullohet rreth një kanali të ri të komunikimit.

Ka edhe një formacion tjetër, krahasimisht të ri, megjithqë si mundësi e organizimit të realitetit, si tip përvoje, është mjaft i vjetër, së paku, i njëkohshëm me modernin, vetëm se për Shqipërinë postkomuniste ai është i ri,  – letërsia e modës. Sot është në shpërthim e saj letërsia e modës. Mund ta quash atë “letërsia me llak, lustër e shkëlqim”. Letërsia me llak e lustër nuk duhet të të “impenjojë”. Një rradhë e tërë komponentësh të tekstit e sinjalizojnë për këtë lexuesin e letërsisë së modës, se ky është pikërisht libri që i përshtatet takatit të tij.

Këtu kupton, se letërsia ka përshkuar udhë nga udhëtimi “përmes hadit” te Bodleri dhe Rembo deri tek aventura e këndshme e pushimeve dhe Wik end-i. Ne mund ta ndjekim këtë rrugëtim: si janë diferencuar tipat e ndryshëm të shprehjes letrare, si janë kristalizuar ato në zhanre të ndryshme, në forma të ndryshme botimesh, në tipa të ndryshëm marke.

Çfarë bëjnë vallë sot mediat për letërsinë, bashkë me letërsinë dhe pranë letërsisë? Mediat nuk e zgjedhin, por e ndryshojnë lexuesin: në projektin modern të letërsisë leximi kuptohej krejt ndryshe. Media sot po skicon kufijtë brenda letërsisë, ndërmjet letërsisë së vjetër e të re, ndërmjet tipave të saj të ndryshëm. Skicon kufijtë dhe ndryshon kuptimet: çfarë është çfarë. Pyetja dramatike që shtrohet sot mund të jetë kjo: prej çfarë duarsh e marrim ne sot kulturën në tërësi dhe letërsinë në veçanti? Sot një palë lexues blejnë ato libra që rekomandon rubrika e “Top Channel” apo “Zonë e Lirë” (pa llogaritur studiot e tjera, faqet e ndritshme të revistave të modës apo faqet e të përditshmeve), ndërsa një palë tjetër – çfarë ka hyrë në short-listën e çmimeve të huaja të buker-priz apo të konkurseve tona vjetore të çmimeve. Lexuesit gjithmonë e marrin letërsinë të rekomanduar prej disa autoritetesh dhe prandaj lexojnë në një mënyrë të veçantë. Librat që i lexojmë sipas këshillës së pedagogut ose sipas rekomandimit të “Top Channel” apo “Zonë e lirë”, – janë libra të ndryshëm në thelbin kuptimor, madje edhe nëse kemi të bëjmë fizikisht më po të njëjtin libër. Supozojmë se kemi rënë dakord që një vepër të caktuar ta quajmë klasike. E rëndësishme është të kujtojmë, që për këtë gjë kemi rënë dakord. Edhe sot pedagogu apo kritiku letrar – nuk është as arbitër, as këshillues: atë e pret përpara sprova të luftojë për autoritetin e vet. Në të njëjtën kohë, bëhet po aq i rëndësishëm fakti që një teto kuzhine, e cila nuk sheh asgjë përveç teleserialeve, të na rrëfejë, fjala vjen, romanin “Krim dhe ndëshkim”. Ndërkaq aktivizohen disa potenciale të letërsisë, kulturës.

Vertikaliteti, që përmendëm pë poezinë dhe artet pamore, sikundër dhe shprehja letrare e veprës serioze, nuk zhduket, ai ndryshon. Ndoshta, sot figurë kryesore po bëhet jo autori, por lexuesi. Ai sot është bërë orientues. Hierarkia zhvendoset në vetëdijen e lexuesit. Ky nuk është komplot kundër letërsisë, por janë, më saktë, çeta partizane. Sikundërse dikur partizanët kanë qenë shkrimtarë-avangardistë.

Mediat krijojnë dhe mbështesin një tip të ri të personazhit dhe të autorit si personazh: mediat krijojnë yjet, krijojnë (e pretendojnë të garantojnë) reputacionin. Ne sot, duke marrë në dorë librin e N.N, kemi dijeni që më parë për të nga mediat. Reputacioni i tij është krijuar, dhe ne e marrim atë si të tillë të gatshëm, sikundërse libri i shkruar prej tij. Mediat e mbështesin letërsinë, por e shtrëngojnë atë të ndryshojë me pahir, të aplikojë teknikën e manipulimit masiv: rrugëtimi i letërsisë tek lexuesi, parapërgatitja e auditorit të ardhshëm në trajtën e studiove televizive me elementet e show-t, replikave e diskutimeve të aktorëve, që shpesh as nuk e kanë lexuar veprën, dhe sidomos të reklamave.

Mediat ndërkallin njëfarë ndryshimi në vetë teknikat e shkrimit, çka është më e lehtë ta ilustrosh jo në shembullin e televizionit dhe kinemasë, por në shembullin e Internetit. Në sytë tanë shohim se si merr hov e zhvillohet seteratura si një tip i veçantë i letërsisë, e cila madje as që ka ndërmend të dalë e botuar në versionin tradicional, në trajtë letre.

Interneti është i strukturuar si një komunitet sitesh, horizontalisht. Ne kemi dëshmuar më lart, se letërsia në çdo përhapje të saj horizontale, nuk ka pikë kuptimi pa aksin e saj të hierarkisë vertikale. Atë mundet ta paraqesë klasika, mësuesi i shkollës apo profesori i universitetit, në përgjithësi njëfarë autoriteti. Ndërsa seteratura punon pa akset e hierarkisë. Kam ndeshur forma të tilla të letërsisë, të cilat as që e parashikojnë idenë e hierarkisë, klasikës dhe traditës. Një rast i freskët ilustrues është ekzistenca sot e letërsisë turke gjermanishtfolëse në Gjermani. Është letërsi joturke dhe jogjermane, por një sociolekt, të cilin e flasin turqit e gjermanisë. Ajo letërsi është e shenjuar me një term pezhorativ e mohues, nga pikëpamja e gjermanit, me emërtimin “gjuha e ardhacakut”. Kjo literaturë s’e ka ndërmend të akomodohet me gjermanishten. Është një letërsi pa traditë. Ajo kurrë nuk hyn në shkolla, por ekziston si një sit për të vetët. Po pse ta çojmë aq larg? Një fenomen i ngjashëm po formësohet me sociolektin e emigrantët tanë në Greqi e Itali. Letërsia sot nuk na shpie më në komunitetin e përfytyruar tradicionalisht; ajo krijon direkt tipin e komunitetit, që përbëhet nga lexuesit e kësaj letërsie.

Gjigandi legjendar i mitologjisw, Prokrusti, në akord me mitin, i ftonte udhëtarët të bujnë e të çlodhen në shtëpinë e tij. Mandej u shtronte të flenë në shtratin e paramenduar: atyre që ishin shtashkurtër, Prokrusti ua tërhiqte këmbët, ndërsa shtatgjatëve, që u dilnin këmbët jashtë shtratit, ua shkurtonte me sëpatë. Në të dyja rastet udhëtarët i priste vdekja në shtratin e Prokrustit.

Ndoshta ky është imazhi më i saktë, se si e reprezanton sot letërsinë measmedia, në kulmin e bumit të teknologjisë së mjeteve të informimit masiv.

0

Të gjitha punimet pozitiviste për sociologjinë e letërsisë e shohin atë (letërsinë) pikërisht nga ky këndvështrim: si një nga mjetet e komunikimit; dhe këtu na lindin pesë pyetje themelore të informimit komunikativ (ato i ka formuluar Harold Lasuell):

 

kush përcjell,
çfarë përcjell,
kujt ia përcjell,
përmes cilit kanal dhe
me çfarë efekti.

I lëmë mënjanë këto pyetje si pak a shumë të gatshme. Jo më pak e rëndësishme, sipas meje, është krijimi i njëfarë komuniteti të padukshëm, brenda të cilit ky mesazh transmetohet dhe me të cilin krijohet ky qarkullim prej pesë pikash.

Letërsia në këtë kuptim është jo vetëm mjet komunikimi, por edhe mundësi  përfshirje në vetë këtë komunitet. Gjithmonë në komunikimin letrar, kam përshtypjen se duhen ndarë dy përbërës dramatikë, të cilët gjenden në raporte konfliktuese me njëri-tjetrin, dhe ky konflikt është shumë i rëndësishëm; ai është kuptimkrijues, është një nga trampolinat e shprehjes letrare. Nga njëra anë, të përcjellësh kuptimin, dhe nga ana tjetër – të dëftesh apo të provokosh vetë kushtet, që të japin mundësinë e krijimit të këtij kuptimi, të skicosh njëfarë komuniteti, ku përmes përfshirjes në të, të shndërrohemi jo vetëm receptues të këtij kuptimi, por, në një farë mase, edhe krijues të tij.

Në aktin e bashkimit me këtë komunitet të padukshëm, që e kuptojnë mesazhin, ne e rikrijojmë veten si njerëz, që jetojnë me kuptimin, që e krijojnë dhe i rrokin kuptimet dhe që ua transmetojnë kuptimet e lindura dhe të zbërthyera të tjerëve. Arti, letërsia në të kuptuarit e ri, modern – është rikrijimi i vetvetes në cilësinë e njeriut, të aftë për të lindur kuptime jo vetëm për vete dhe për të tjerë të ngjashëm, por edhe për të tjerë të panjohur, për dofarë "personash të tretë", të cilët këtu dhe tani mungojnë.

Ose, tjetërsoj, kemi rikrijim të komunitetit, përmes pjesëmarrjes në të cilin na jepet mundësia të lexojmë kuptimet e mesazhit. Ne e zbërthejmë mesazhin jo sepse njohim gjuhën, por sepse bëjmë pjesë në këtë komunitet. Dhe këtu njëri nga planet e komunikimit i lëshon vendin kushteve të tjetrit; ato janë të lidhur me njëri-tjetrin dhe e mbajnë njëri-tjetrin. Ato, në këtë kuptim, gjenden në një bashkëlidhje të përhershme magnetike.

Ne mund të dallojmë në tipa të ndryshëm të letërsisë, në zhanre të ndryshme të saj, në tipa të ndryshme të poetikës, mbizotërimin e njërës a tjetrës tendencë: tendenca për të përcjellë mesazhin, apo për të transmetuar, sikundër ka thënë Valter Benjamini, "aurën" e bashkimit tonë, të ekzistencës sonë të përbashkët, të përfshirë në kuptim.
Sikundër e kuptoni, jo rastësisht po i vij rrotull asaj sfere, që zakonisht quhet religjioze ose sakrale. Së këndejmi vijnë dhe fjalët "përfshirje", "pjesëmarrje", "kungatë" etj. Midis një morie gjërash që ndjek letërsia, ajo, sigurisht, ndjek dhe përvojën e ekzistencës së njeriut në sferat sakrale: raportet tona me objektet, të cilat bujnë përtej kufijve të ekzistencës sonë. Por të cilat, pikërisht pse gjenden përtej përvojës sonë, dalin në cilësinë e kushteve, të kushteve të ekzistencës sonë të përbashkët si krijesa të arsyeshme, që e kuptojë njëri-tjetrin dhe bartin për njëri-tjetrin njëfarë kuptimi.
Letërsia del në llojin e vet një analoge, një zëvendëse e praktikave të tilla.
Dhe së mbrami – në lidhje me mundësitë e poezisë, arteve pamore. Ato jo vetëm ndjekin praktikat sakrale, ato i bëjnë domethëniet sakrale ose gjenetikisht të lidhura me parimin sakral të strukturës së shprehjes.

Çfarë bëjmë vallë kur lexojmë poezi?
Sepse dihet që ne nuk lexojmë varg pas vargu.
Kuptimi i poezisë nuk lind nga lëvizja e syve tanë pas vargjeve, njëherë njërin, pastaj tjetrin e kështu me radhë.
Kuptimi i poezisë është vertikal.

E thënë ndryshe, përmes mesazhit të drejtpërdrejtë pason një përbërës tjetër, aksi vertikal, i cili menjëherë na largon nga kuptimi, dhe vetëm parandjenja e këtij kuptimi na ndihmon të receptojmë fjalë pas fjale, fjali pas fjalie.
Ne nisemi nga prezumimi, se e gjithë plotmëria e kuptimit tashmë është dhënë. Mendimi nuk është shfaqur, por ai është.
Ky supozim është një kusht i mundësisë së çdo mesazhi të pjesshëm, fjalisë, poezisë etj.
Kjo sa i përket sferës. Tani prekim situatën e tashme dhe mundësitë e tipologjizimit të lexuesve.

Kam përshtypjes se ne sot, tani dhe këtu, në Shqipërinë e pas viteve 1990-2000, jemi të pranishëm, pjesëmarrim dhe jetojmë në njëfarë stadi  të një kristalizimi tjetër, ka gjasë, të vdekjes së letërsisë dhe medias në cilësinë e mjeteve të komunikimit. Ndërmjet mundësive të ndryshme të komunikimit, teksteve të tipave të ndryshëm, nga ato letrare deri tek ato pamore (Interneti dhe mjetet e tjera.), po ngjet një rishikim tjetër marrëdhëniesh dhe tok me të, të rutinizimit, ndryshe nga tipat e tjerë tradicionalë të komunikimit, të gatshëm, të zakonshëm për shtresat tona, njëfarë flakje e kësaj "lëkure" dhe mënjanimi nga sfera e diskutimit.

 

Vijon…

0

12.00

Normal
0

false
false
false

EN-US
X-NONE
X-NONE

/* Style Definitions */
table.MsoNormalTable
{mso-style-name:”Table Normal”;
mso-tstyle-rowband-size:0;
mso-tstyle-colband-size:0;
mso-style-noshow:yes;
mso-style-priority:99;
mso-style-qformat:yes;
mso-style-parent:””;
mso-padding-alt:0in 5.4pt 0in 5.4pt;
mso-para-margin-top:0in;
mso-para-margin-right:0in;
mso-para-margin-bottom:10.0pt;
mso-para-margin-left:0in;
line-height:115%;
mso-pagination:widow-orphan;
font-size:11.0pt;
font-family:”Calibri”,”sans-serif”;
mso-ascii-font-family:Calibri;
mso-ascii-theme-font:minor-latin;
mso-fareast-font-family:”Times New Roman”;
mso-fareast-theme-font:minor-fareast;
mso-hansi-font-family:Calibri;
mso-hansi-theme-font:minor-latin;}

(Mbi romanin e Evegenij Zamjatin-it "Ne", Botimet "Zambak" 2014)

Në kulturën letrare botërore, pikërisht në letërsinë e sferës së ideve, që u praprin epokave, letërsia shqipe, për fat të  keq, ballafaqohet me tepër vonesë, e madje disa prej kryeveprave të letërsisë së huaj ende nuk "flasin shqip". Për këtë mund të numëronim një radhë shkaqesh të natyrave të ndryshme, por nuk përbën ngushëllim gjetja e shkaqeve, kur pasoja mbetet e pandryshueshme. Ne komunikojmë me përvojat e letërsisë botërore me një, e disa herë, me sy shekuj vonesë. Edhe pse ka kaluar thuajse një çerek shekulli nga rënia e diktaturës, ashtu si në shumë sfera të shkencës dhe dijes, edhe kultura jonë letrare vazhdon ende të vuajë pasojat e izolacionit.

Më e thekshme kjo vihet re në peizazhin ende të cunguar të letërsisë botërore në shqip, e në mënyrë të veçantë  për atë përvojë të shekullit XX, jetën e së cilës ne si kulturë letrare jo vetëm nuk e kemi bërë, por as nuk e kemi njohur, sikundërse ka raste kur njohja bëhet aq e nxituar, aq pa përgjegjësi, sa do të ishte më mirë të mbetej një njohje e pakryer, se sa njohje që çon në keqkuptime. Kryesisht këto keqkuptime janë shtuar me vite nga përkthimet e këqija, sidomos me paradigmat artistike të modernizmit, avangardës dhe postmodernizmit euroamerikan,  tradita të cilat kanë qenë, siç dihet, të ndaluara tek ne pas Luftës së Dytë Botërore, në epokën ideologjike të socrealizmit.

Nëse në sistemin tonë letrar kombëtar janë përthithur vlera, modele, tradita stilistike e mjete shprehëse, të cilat,  falë disa përkthimeve të goditura kanë begatuar ligjërimin letrar të shqipes me përvoja të panjohura më parë, sot, ende mbetemi të vonuar e të privuar prej disa përvojave të tjera pikante, e disa herë, të domosdoshme për ne. Një traditë e tillë ende jo krejt e njohur për kulturën tonë letrare është zhanri i antiutopisë (ose: distopia), të cilin vetëm vitet e fundit kemi patur rastin ta njohim në përkthimet tona përmes dy shkrimtarëve të famshëm anglezë – Xhorxh Oruell ("Ferma e kafshëve" dhe "1984") dhe Aldos Hakslli ("Më e mira e botëve" dhe "Dyert e perceptimit").  Këto ditë kësaj tradite të madhe të zhanrit të antiutopisë iu shtua themeluesi i saj, shkrimtari Evgenij Zamjatin, me romanin "Ne", të shkruar që në vitin 1920, fill pasi autori kishte parë të hidhnin rrënjë para syve të tij filizat e një antiutopie shtetërore-totalitare, në atdheun e vet, të sapodalë nga një revolucion zëmadh e me pretendime të një humanizmi universal. Duke e përkthyer këtë roman, shpesh mendoja se lexuesi shqiptar është ndoshta adresati më i saktë, i cili përvojën shtypëse totalitare të Shtetit Unik dhe sunduesit  të vetëm Bamirit (Mirëbërësit) sapo e ka kaluar në kurrizin e gjyshërve dhe prindërve dhe me siguri, jehona e shtetit total, survejues, nuk e lë të qetë ende, për asnjë çast.

II

Evgenij Ivanoviç Zamjatin (1884-1937) është një ndër klasikët e modernitetit letrar të shekullit XX, jo vetëm në Rusi, por në mbarë botën.  Nëse mendohesh, pa e shtrembëruar shpirtin, se cili prej shkrimtarëve më të mëdhenj rusë është themelues i një zhanri të ri në traditën botërore, atëherë gjendesh në vështirësi për të dhënë një përgjigje të saktë. Kë të quash? Pushkinin me zhanrin e romanit në vargje? Gogolin me poemën në prozë? Dostojevskin me romanin e tij polifonik? Leskovin me rrëfimin e tij paravolik? Mund të quash fare mirë Andrej Platonovin me prozën e tij antiutopike, por me gojëplotë e pa mëdyshje ia vlen të ndalesh vetëm tek Evgenij Zamjatini me romanin "Ne".
Sepse ata që kanë lexuar tashmë veprat e zhanrit të antiutopisë (utopia e keqe, ose në shkencën e letërsisë angleze – distopia), romanin "1984" të Oruellit apo "Më e mira e botëve" të Haksllit, nuk e dinë se pionier e themelues i këtij zhanri është Evgenij Zamjatini dhe se gjithçka zë fill tek romani i tij "Ne", shkruar në Rusi më 1920, përkthyer e botuar së pari në anglisht më 1924, ndërsa në gjuhën amtare ky roman u lejua  të botohej vetëm në vitin 1988!

III

Pas Revolucionit të Tetorit të vitit 1917, Zamjatini ishte ndër shkrimtarët më të njohur rusë, me një popullaritet gjerësisht të përhapur në elitat letrare ruse. Deri asokohe  ai kishte shkruar një varg novelash, tregimesh e pamfletesh dhe gëzonte famën e një "Gogoli të ri". Me bindje revolucionare bolshevike, ai nuk ishte një ndër intelektualët "armiq" të pushtetit të ri. Për nga profesioni ai ishte inxhinier i ndërtimit të anijeve, ndërsa u bë i famshëm si ndërtues akullthyesesh, për çka herë pas here ftohej në Angli me projekte inxhinierike. Gjithçka u zymtua në jetën e shkrimtarit me romanin e tij të ri në dorëshkrim "Ne". Ndonëse romani nuk u botua, filloi një fushatë e egër demaskimi e propagande kundër Zamjatinit, madje edhe disa prej miqve të tij letrarë, shkrimtarë që kishin përqafuar dogmën e socrealizmit, iu përveshën  për të mos lënë prej ish-mikut të tyre "gur mbi gur".

Romani "Ne" është bilanci i krijimtarisë së Zamjatinit, moment i shartimit të skepticizmit futuristik në pemën letrare botërore (një vajtim për fatin tragjik të personalitetit njerëzor në kushtet e totalitarizmit të ardhshëm), i cili u rrit si një pyll i harlisur në shekullin XX e deri sot.

Veprimi i romanit "Ne" ndodh në Shtetin Unik të së ardhmes, i cili është i ndarë me një Mur të Gjelbër nga bota e jashtme. Banorët e tij janë njerëzit-numra të udhëhequr nga Bamiri (Mirëbërësi), çka përbën metaforën kulmore të social-darvinizmit, një fole e përsosur milingonash njerëzore, e përllogaritur matematikisht, ekstremisht racionale, që ka për të gjitha shfaqjet e jetës reglamentin e saj, deri në "Tabelën e ditëve seksuale" të përcaktuar me grafik për çdokënd. Apartamentet në këtë botë kanë mure të qelqta, arti ka statusin e shërbimit shtetëror, banorët, të cilët bëjnë periodikisht operim për të larguar organin e fantazisë – përputhen me jo-lirinë e tyre, përderisa "ndërgjegjja personale është vetëmse sëmundje e rrezikshme"; ata refuzojnë vullnetarisht "unin" e tyre dhe shkrihen me pavetoren "Ne", duke u shndërruar në dofarë funksionesh, detaje të makinës gjigande shtetërore.

Romani është shkruar në formën e ditarit, të cilin e mban D-503, ndërtuesi i Integralit, një agregat i fuqishëm, destini i të cilit është t`i nënshtrojë "Bashkimit të arsyes së dobishme" qytetrimet e Universit. Pra, ky agregat do të fluturojë drejt planeteve me qytetrime të panjohura duke i bërë ata "sus", që të pranojnë me forcë lumturinë, d.m.th., t`i detyrojë ata të jenë të lumtur. D-503, matematicien, është në mahni nga bukuria matematikore me të cilën është ndërtuar harmonishëm Shteti Unik. Megjithatë, ai, pavullnetshëm, është i detyruar të kalojë sprova të rënda. Për një kohë të gjatë ai është i magjepsur nga dashuria ndaj I-330, një ndjenjë e panjohur në botën e Shtetit Unik dhe për herë të parë mendja e tij e kulluar kristalore turbullohet. I-330, kryengritëse, përpiqet të shkatërrojë gjithçka që D-503 deri atëherë e ka pranuar pa diskutim si etalon të më të mirit, më të përsosurit prej organizimeve shoqërore. Kjo është një periudhë tronditjeje në jetën e tij, një kohë alarmi i dëshiruar dhe stuhie e brendshme. Ashtu si njerëzit e parë në parajsë, D-503 është vënë para zgjedhjes së vështirë: ose lumturi pa liri, ose liri pa lumturi. Por D-503 nuk është në gjendje të tejkalojë inercinë e botëkuptimit të tij, të cilin ia kanë rrënjosur që prej lindjes numrat e Shtetit Unik, më të mençurit numra nga shoqëritë e të gjitha kohërave. Duke iu ndriçuar gjithçka përreth tij me një dritë të ndritshme e verbuese të pasionit të dashurisë ndaj I-330, ai në fund të fundit e tradhëton të dashurën për Shtetin Unik dhe fill pas operimit që ia largon organin e fantazisë, ndjek si spektator me zemrën e ftohur dhe logjikën e pashmangshme ndëshkimin e saj me vdekje.

Inkuizitori i Madh, i përshkruar dikur prej Dostojevskit, triumfon në këtë botë të së ardhmes, duke u  fshehur nën guaskën e Bamirit. Padyshim që në ndërtimin e kësaj antiutopie zamjatiniane ka pasur një precedent të fortë real dhe kjo është pikërisht Rusia bolshevike (Shteti Unik) me udhëheqësin e saj Stalinin (Bamiri). Fill pas shkrimit dhe leximit të romanit prej disa botuesve, shkrimtarëve dhe kritikëve, interesi ndaj tij u rrit, por në një drejtim tjetër: edhe pse në dorëshkrim, filloi fushata kundër autorit, duke filluar me Dmitrij Furmanovin, shkrimtar dhe komisar, autor i romanit "Çapajev", i cili shkroi: "Romani "Ne" është një pamflet-utopi përplot ligësi mbi mbretërinë e komunizmit". Pas tij vërshuan sulmet e panumërta. Zamjatinit i hiqen menjëherë nga skena dramat e tij, që ishin në pikun e suksesit. I ndalohet botimi. Ndërkaq, vetë autori, shkruan: "Ky roman është një sinjal për rrezikun që i kanoset gjithë njerëzimit nga pushteti i hipertrofizuar i makinave dhe pushteti shtetëror – pa rëndësi se cili". Romani "Ne" mbeti libri më i rëndësishëm i Zamajtinit, që luajti njëkohësisht një rol fatal në jetën e tij. Pas përkthimit dhe botimit të romanit në një sërë gjuhësh të huaja, shtypi sovjet botonte fragmente të përkthyera të romanit për të ushqyer kompaninë e sulmeve të shfrenuara për një diskreditim popullor të tij.

Në vitin 1931 Zamjatini i shkruan letër Stalinit për ta lejuar të largohej jashtë shtetit, ku shkrimtari, pasi i paraqet Udhëheqësit gjendjen e rëndë të sulmeve ndaj tij, të cilat i barazon me dënimin me vdekje, i kërkon që ta këmbejë "vdekjen letrare" me shpëtimin e jetës dhe ta lërë të largohet  nga Rusia. Për fat të mirë, një rol pozitiv në marrjen e vendimit për ta lënë të lirë Zamjatinin, luajti padyshim, Maksim Gorki. Në tetor të vitit 1931 Evgenij Zamjatini, bashkë me të shoqen, braktisin Rusinë dhe largohen përfundimisht në Paris. I gjendur jashtë rreziku, Zamjatini në Paris u mundua të rrëfente për tragjedinë e inteligjencies ruse dhe për format e dhunshme që shteti sovjet ushtronte mbi artistët e shkrimtarët. Por, për çudi, askush prej intelektualëve francezë nuk e besoi. Dhe kjo kishte ngjarë edhe më parë, por ngjau edhe më pas, me disidentë të tjerë rusë: inteligjencia franceze e asaj kohe ishte e molepsur në masë nga një dashuri absurde e platonike ndaj komunizmit dhe Bashkimit Sovjetik. Në këto kushte, Evgenij Zamjatini u mbyll në botën e vet hermetike derisa vdiq në vitin 1937, pa e ditur se me romanin e tij kishte hapur një traditë të re letrare në letërsinë botërore të shekullit XX: traditën e romanit antiutopik dhe se ai ishte i pari që kishte hapur shtegun. 

IV

Në vitin akademik 1919-1920 E. Zamjatini mban një kurs leksionesh në Shtëpinë e Arteve të Shën Petërburgut me titull "Teknika e prozës artistike". Në vitin 1929 ai përgatit librin "Si shkruajmë", që grishte të "kënaqë interesin e krijuesve rishtarë pikërisht për teknikën e prozës artistike". Njëra prej eseve të këtij libri është ajo me titull "Përtej kulisave". Ajo nis kështu: "Në Shtëpinë e Arteve nisa një kurs të  teknikës së prozës artistike; më takoi për herë të parë të kundroj veten time pas kulisave – dhe disa muaj pas kësaj përvoje nuk arrija të shkruaja më. Gjithçka në dukje ishte mirë, fletët e bardha si çarçafë të saposhtruar, ideja mbi të përgjumet dhe sapo nisja, kisha një si zgjim të beftë, fill pas të cilit gjithçka zhdukej, sepse tashmë unë kisha nisur me vetëdije të përndiqja veten, mekanikën  e ëndrrave, ritmin, asociacionet, imazhet. Vetëm më vonë, gjatë kohës së punës, kur u mësova të harroj që unë e di se si shkruaj, vetëm atëherë arrita t`i shpëtoj kësaj topitjeje ". Në esenë "Pas kulisave" Zamjatini flet jo vetëm për prototipat e zakonshëm për shkrimtarët, po dhe për fabulën, për pëlhurën muzikore, ritmin prozaik, për imazhet pamore, ndërsa në shtojcën e esesë për teknikën e prozës artistike, ka sjellë edhe planin e novelës së tij "Ishullorët" me variante të ndryshme të pikëzgjidhjeve.

Ndryshe prej shkrimtarëve të "brendësisë" së vrullit të drejtpërdrejtë irracional, Zamjatini, çfarëdo të ketë thënë a menduar për veten e tij, është një mjeshtër konstruktor i prozës. Drita e esëllt e vetëdijes ndriçon skutat më të errëta të botës së tij. Jo rastësisht vepra kryesore e Zamjatinit (romani "Ne") është  shkruar në zhanrin e prozës intelektuale, ku gjendet "teza abstrakte, ideja" dhe ku konstrukti triumfon dukshëm mbi materien dhe materialin. Por, padyshim, imazhet e brendshme, embrionet zanafillore të prozës së Evgenij Zamjatinit, ndër to, sigurisht edhe farëza e idesë së romanit antiutopik "Ne", kanë zanafillë irracionale, thelb fantazmagorik, diç të vegimtë dhe paradoksalisht absurde, njëlloj siç bën vaki me ëndrrat dhe maskat simbolike të tyre kur profetizojnë një fat apo fatet e gjithë njerëzimit.

Në fund të kursit të leksioneve mbi "Teknikën e prozës artistike" për shkrimtarë të rinj, Zamjatini u thotë krijuesve diçka që ka lidhje me proceset subkoshiente të krijimit, për çka vetë shkrimtari ishte vetëdijësuar tashmë. Eshtë një histori paravolike që e ka sajuar shkrimtari; ajo më së shumti i shërben jo vetëm rastit të Zamjatinit, por çdo shkrimtari të prirjes së tij:
E pyetën njëherë dyzetkëmbëshin:
– Nga cila këmbë e filloni lëvizjen?
 Dyzetkëmbëshi heshti në kërkim të përgjigjes. Ai jo vetëm nuk u përgjigj, por "harroi" të lëvizë.

1

Sprovat e përkthimit të hekzametrit

Nga historiku i përkthimeve të dy eposeve të Homerit, prej përkthimit të parë në gjuhën latine të Odisesë nga greku Liv Androniku (shek. III para Kr) e deri tek përkthimet më të reja të gjuhët moderne, është shfaqur një tendencë që të përkthehet më parë Odiseja, e pastaj Iliada. Kjo tendencë, si të thuash e përhershme, zakonisht shpjegohet dhe arsyetohet nga përmbajtja pak a shumë më narrative dhe më interesante e Odisesë të një shtrese më e gjerë lexuesish, si edhe nga fakti se përkthyesit mendojnë se Odiseja është më e lehtë për t’u përkthyer se Iliada.

Nga historiku i përkthimit shqip shohim një tendencë tjetër, e cila manifestohet deri në momentin kur u bë përkthimi integral i këngëve homerike. Te shqiptarët përkthyesit e këngëve homerike më tepër i ka tërhequr Iliada sesa Odiseja dhe kjo dukuri, sipas studiusit, profesor Engjell Sejdajt, “lidhet drejtpërsëdrejti me qëndrimin që rilindasit shqiptarë kishin ndaj këngëve homerike, para së gjithash, si burim historik1”.

S’do mend, se përveç këtij faktori, po sipas Engjell Sejdajt, “janë edhe disa momente të tjera karakteristike që i kanë tërhequr përkthyesit e këngëve homerike që ta përkthejnë Iliadën. Këto kanë të bëjnë me epikën tonë, përkatësisht me këngët popullore shqiptare, në të cilat këndohen veprat heroike të individëve dhe të gjithë popullit shqiptar2”.

Përkthimin në gjuhën shqipe të Iliadës së Homerit e ndeshim për herë të parë në vitin 1896, por vetëm këngën e parë. Autori i përkthimit ishte Naim Frashëri, i cili më 1886 e kishte botuar turqisht (shih Monografia mbi Naim Frashërin nga Dh. Shuteriqi).

Në vitin 1938 shtypshkronja françeskane në Shkodër nxorri në botim këngën e XXIII të Iliadës (Vrasja e Hektorit) të përkthyer prej prof. Frano Alkaj, i cili ishte i diplomuar në letërsinë klasike në universitetin e Bukureshtit. Botimi shoqërohej nga një panoramë mbi poezinë epike helene të shkruar po nga përkthyesi.

Përkthim i plotë i veprës së Homerit u realizua rreth viteve ‘60 dhe u botua më 1965 duke pasur si autor helenistin Gjon Shllaku. Ekipi redaktues përbëhej prej 6 vetësh midis të cilëve edhe Spiro Çomora i cili e shoqëroi botimin me studimin e tij: “Iliada dhe bota homerike”. Përkthimi i vitit 1965 ishte në gegërisht.

Pas futjes në burg të përkthyesit shtëpia botuese “Naim Frashëri” realizoi një botim të dytë i cili u theksua: i ripunuar. Ripunimi konsistonte në kalimin e gjuhës nga gegërisht në atë zyrtar të vendosur në kongresin e drejtëshkrimit më 1972. Botimi karakterizohej nga mungesa e ekipit redaktues, gjë e cila të çon në përfundimin se nuk ka pasur as ripunim dhe as ribotim me lejen e përkthyesit. Kjo duhet pasur parasysh kur krahasohen dy botimet e fundit të Iliadës.

Problemi i veprës së Homerit në Shqipëri nuk ka ngjallur diskurse pasi helenisti Gjon Shllaku ishte i paarritshëm në këtë fushë, por duke studiuar letrat shqipe vihet re një interpretim tendecioz i veprës së Homerit duke nxjerrë prej saj ngjarje të reja dhe tepër të diskutueshme. Pikërisht ky fenomen përbën të renë në fushën e homerizmit. Punimet diku karakterizohen si vepra letrare e diku shkencore pa qenë asnjëherë mirëfilli të tilla3.

Duke qenë se përkthimi i dy poemave homerike në shqip erdhi pas një tentative të gjatë, njëherë në toskërisht nga Naim Frashëri, mandej fill në gegnisht nga pater Gjergj Fishta, të dyja këto tentativa vetëm sa e përndezën kurreshtjen dhe sfidën e përkthimit të tyre, gjersa përfundimisht variant i përballjes vendimtare me Homerin rezultoi gegnishtja, nëse nuk llogarisim këtu përvojën e Spiro Çomorës me përkthimin e 12 këngëve të para të poemës Odiseja4.

Gegnishtja e kishte dhe madhështinë dhe forcën e përballjes së kësaj detyre për shkak se gjedhja e saj e njihte përvojën e poezisë heroike, duke patur në repertorin e saj 10 rrokshin e Këngëve të Kreshnikëve, sikundërse dhe leksikun e ngjashëm e mbase adekuat për tablotë epike të luftës. Këto kanë qenë arsyet që kanë ndikuar t’i përvishen përkthimit të Iliadës më parë se Odisesë jo vetëm Naimi, por edhe Fishta, Frano Alkaj, Nikollë Daka dhe Gjon Shllaku. Nga ana tjetër, përkthimet e mëparshme të Iliadës nga N. Frashëri, Gj. Fishta, F. Alkaj e Nikollë Daka e të tjerë, jo vetëm që kanë ndikuar në procesin e përkthimit të plotë të Iliadës, por e kanë ndihmuar përkthyesin Gjon Shllaku, si modele zanafillore, anipse Shllaku e zgjidhi çështjen e përkthimit të hekzametrit në mënyrë individuale. Prandaj dhe përkthimi dhe botimi i saj përpara Odisesë na paraqitet i arsyeshëm. Përkthyesi integral i Iliadës, Gjon Shllaku, sigurisht i ka parë dhe studiuar modelet pararendëse në përballjen e mjeteve shprehesë të shqipes me këtë monument të përbotshëm të letërsisë.

Përkthimi në gegnisht i Homerit, sikundërse dhe në fillim të viteve ’60 përkthimi i Dantes, si minimum vërteton një gjë: forcën vitale e të paskajtë që zotëronte gegnishtja edhe në agoninë e grahmave të veta të fundit, përderisa këto monumente janë edhe shkëlqimet e fundit madhështore të mahnisë së gegnishtes, para vendimit të dënimit të saj me heshtje, të ndërmarrë shtetërisht me vendosjen e normës letrare të gjuhës zyrtare standarte.

Kontributi dhe fati i Nikollë Dakajt

I sapokthyer nga diplomimi në Romë, Nikollë Dakaj nis një aktivitet të dendur letrar në vitet ‘30-40, së bashku me një grup intelektualësh të rinj shkodranë. Krijmtaria e tij rrok një diapazon të gjerë, kryesisht me krijimtarinë letrare dhe sidomod, me përkthimet nga poezia greko-latine dhe italiane, e më vonë, me studime monografike mbi etnosin e fisit dhe koinenë e gjuhës letrare.

I preferuar nga organet letrare më prestigjioze të kohës si “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Shkëndija”, Balli i Rinisë”, “Tomorri i vogël”, “Cirka”, “Jeta kristjane”, “Vatra shqiptare” etj, ai shfaqet, siç e dimë, me pseudonimet e veta letrare Basho Jona, Melibeu, N.D, N.L etj.

“Për Nikollën dhe për shumë si Nikolla shoqnia e atëhershme ka qenë e pashpirt, meskine dhe shtypëse, – pohon përkthyesi i madh Gjon Shllaku. Në nji vend tjetër të lirë ai burrë intelektual do të kishte ndritë e do të ishte nderue, dhe do të kishte lanë vepra kolosale. Por me gjithë humbjet e shkrimeve nga konfiskimet gjatë dy burgimeve të tij edhe djegies së banesës ku ma vonë u ba klubi i “Vllaznisë”, prapëseprapë ka lanë punime me vlera të mëdha, me të cilat do të mbetet modelisti par excellence i Autorëve të Mëdhenj Klasikë”5.

I vlerësuar nga njohësit e thellë të poezisë dhe figurat e mëdha të albanologjisë, Nikollë Daka ishte një poet, e më së pari, një nga përkthyesit më të talentuar të viteve dyzetë. Një nxënës i gjimnazit françeskan, i rritur dhe i edukuar nga njerëzit më të mëdhenj të kulturës shqipe, një krijues i mëkuar me stihinë e vet gjuhësore – gegnishten shkodrane të Fishtës, nuk mund të jetë ndryshe përveçse krijesë e gjuhës, medium i potencialit energjitik gjuhësor të kësaj trashëgimie. Kultura dhe njohja e thellë e greqishtes dhe latinishtes, si dhe e letërsisë në tërësi e shtynë Nikollë Dakajn, fill pas studimeve, tek përvojat e para përkthimore, në rradhë të parë, të Homerit. Nikolla e bëri sprovën e parë të përkthimit të Iliadës, duke e përkthyer Homerin me Hekzametër. Është e qartë se gjuha e kulturës me të cilën qe mbrujtur e formuar Nikollë Dakaj, qe e papranueshme për pushtetin. Të mbaje të pandëshkuar gjuhën që përfaqësonte Nikolla (apo anasjelltas), do të thoshe se mban gjallë nëpërmjet kësaj gjuhe gjithë trashëgiminë gjigande të traditës dhe repertorit të shkrimësisë gegnishte. Këtë sistemi survejues e represiv komunist nuk do t’ia falte.

Para tij vetëm pak vite më parë një tentativë e kishte bërë dhe Frano Alkaj. Njohësi dhe mësuesi në gjimnaze tona në atdhe i gjuhës greke të vjetër dhe latine, Frano Alkaj, pati përkthyer dy këngë të “Iliadës”, këngën XXII – “Vrasja e Hektorit” (1938) dhe këngën XXIV – “Varrimi i Hektorit” (1941). Në përkthimin e “Vrasjes së Hektorit” pati përdorur termin kanunor ndore:

“Hektor, o anmik i amshuem, mos m’ fol për ndore!
Se paqë s’ ka vu jo kurr luani e robi e as ujku me qingja…”

 
“Mbaj mend që një kritik – më vjen keq që nuk e kujtoj emrin dhe revistën ku qe botuar shkrimi – kujton Anton Çeta, e pati kritikuar ashpër, thua se kish bërë ndonjë herezi, përkthyesin e talentuar për përdorim të këtij termi, që simbas tij nuk kishte të bënte fare me etikën  homerike.

Për fat ne nuk mund të bëjmë një krahasim vargjesh të caktuara midis përkthimeve të Frano Alkajt dhe Nikollë Dakës, për shkak se ata kanë përkthyer këngë të ndryshme nga Iliada. Ne mund të bëjmë, sigurisht një krahasim duke marrë si bazë fragmente të ndryshme të Iliadës dhe në këtë krahasim të shohim bukurinë e kumbit shqip të gegnishtes në përdorimin e këtyre dy mjeshtrave. Kjo mund të ketë vlerë, përsa i përket leksikut dhe sintaksës poetike, receptimit estetik të ligjërimit poetik, pasi vetëm Frano Alkaj dhe Nikollë Daka na kanë dhënë modelet e një përkthimi me hekzametër, gjithnjë, nëse nuk harrojmë, që një përvojë të tillë e ka kaluar shumë më vonë edhe Spiro Çomora, tek Odiseja në dymbëdhjetë këngët e para të saj.

Problemi i Hekzametrit ka qenë një problem i madh për të gjitha gjuhët latinë, neolatine, gjermanike, anglo-saksone e sllave. Vështirësia qëndron në skemën rrokjesore e ritmike të hekzametrit6. Në ndonjë rast, siç është përkthimi i Homerit në rusisht nga Gnediçi, rrokjet e gjata të greqishtes së vjetër nuk përkojnë me ekuivalentet e tyre në rusisht, andaj përftohej, skema me një daktil plus një spondej, që janë si shumë, të barabartë përnga gjatësia e kumbimit me hekzametrin. Ky eksperiment me skemën rrokjesore të hekzametrit ka hyrë në prozodi dhe njihet si “hekzametri rus”.

Ndërkaq i kthehemi përvojës shqiptare të hekzametrit. Kemi për herë të parë një model të Frano Alkajt në vitin 1938 të këngës së 24 të Iliadës. Po japim vetëm 25 vargjet e para:

Lodrat mbaruen e çetat e ushtrive
T’ shpërdame n’ turma u kthyen ke anit e zgavrra.
Dhe mirë darkue m’ nji gjumë t’ âmbel kan ramun.
Nerkaq Akili tue kujtue për mikun,
5    Loçken e zêmres, zhgrehej n’ váj as gjumi,
    Qi shtron gjithëkêndin, s’ po i a  mbyllë qerpikun;
    Veç herë m’ nji krah rrotllou herë siellu m’ tjetrin,
    Trimnín kujtote e at shpirt bujár t’ Patroklit
    E punët e mdhaja, qi me tê kisht kryemun
10    Edh’ aq mjerime zbashkut vuejtë e luftat
    E rrebta kundra anmiqsh e n’ sa rreziqe
    Ishin pershkuemun valët tue rrahun t’detit,
    Kto n’ mend perbluete lott tue i rrjedhë si gurra,
    E tash m’ nja’ n brî e herë më shpinë veç shtrihej,
15    Mandej permbys me ftyrë për dhé; te e mbramja
    Prej shtratit fíll tue flakurue si i çmêndun
    Per t’ gjatë po êndej gjithëkah bregut t’ detit.
    Veç teksa shifte t’ bardhë tue shkrepë agimin
    Mbí tokë e dete, ai persri i shilote
20    Hamshorët e shpejtë, e tue e lidhë mbas kerri
    Rreshanë Hektorin po e cvarriste mbrapa,
    Dhe tue e rrotllue trí herë rreth trupit t’ dekun
T’ Patroklit, rishtas kthehej me pushue
M’ shatorre t’ vet, tue e lânun shtrî per dhé
25    Me ftyrë ne pluhen zhye at trup te dekun.

Siç shihet, hekzametri i Alkajt, nuk është i pastër; ai varion nga 10-12 rrokshi, tek 14-15 rrokshi, duke na kujtuar më së shumti jo hekzametrin e pastër, por metra të parregullt, të përzier, ndonëse dinamikë, çka është karakteristike jo për epokën homerike, po për kohën e dezintegrimit të hekzametrit, e cila përkon me poetikat romake në fillim të erës së re, si tek Horaci, Katuli, Properci, Tibuli, Ovidi apo Seneka. Duke ndjekur këtë zgjidhje të skemës, na përftohet njëmend një skemë e shkathët, e gjallë, dinamike, por bukuria e vargut shijohet, duke e lënë të pazgjidhur skemën prozodike të hekzametrit, dhe kjo është shumë e rëndësishme, pasi problemi mbetet ende: a është në gjendje shqipja të përcjellë vargun homerikë, në atë trajtë rrokjesore, siç gjendet në veprat e Homerit?

Përkthyesi kur hyn në “betejë” me një gjuhë, nuk hyn i vetëm dhe, sidomos, nuk përfaqëson vetëm vetën. Etika e përballjes tashmë shtrihet shumë më përtej personales, për shkak se pas shpinës së poetit-përkthyes qëndron nderi dhe dinjiteti i gjuhës amtare. I vetmi që ia ka dalë kësaj përballje të vështirë “homerike” na rezulton djaloshi i ri asokohe, Nikollë Dakaj. Nuk dua të ripërsëris mbresën e jashtëzakonshme që la përvoja përkthimore e Dakajt në këtë përballje dhe jo vetëm me Homerin e Virgjilin, por edhe me Horacin, Tibulin, Propercin, Lukrecin dhe, jashtë hekzametrit edhe me kolosë të rilindjes italiane (Dante, Petrarka), sikundërse dhe italiane (Manzoni, Leopardi, Karduçi).

Ja modeli hekzametrik i Nikollë Dakajt nga kënga e parë e Iliadës, që në shqip përbëhet prej 17 rrokjesh me cezura të paregullta:

Mnin, rrënimtare këndomë, oj Zan’ ti t’Akil Pelejas
T’zeza hidhrime Akejve e cila u solli me mija:
Shpirtën t’mdhej kreshnik’sh në Ferr sa shumë gorromisi,
Trupat e tyne mandej ajo pré ua bani po qenvet,
Shuj’ dhe shpezve të malit, e Zeusit u bante vullnesa,
Qyshse s’pari u kapën ndër vete dhe u kacafytën
Mbreti i burrave t’dheut Atreu, e hynér ai Akili.
Kush qe ay hy që degam’ ktyne t’dyve u shtini t’u zejshin?
Bir’ i Laton’s e i Zeusit. Në mbretin huj mbasi mori
T’zez’ ky n’ushtri ma lëshoi nji dergjë, u faronte po gjindja,
Qysh asobote që Krizin Atrejasi njat meshtarin
Pat napërkamb’ … Ky kish ardh’ tek anit e shpejta t’akejvet
T’bin’ për të nxjerrë, e dhanti kish sjellë të panumër me vete.
Flamurin n’dorë edhe mbante të larshigjetues Apolonit
Maje skeptri t’artë, edhe u lutej Akejve të gjithvet,
Veçanërisht, por Atrejve të dy, sundimtarëvet të gjindjes:
“O ju Atrejë e ju mir’ ndër kollçikë, o Akejç, të mbërthyem,
Ju ata zota po u dhanshin, t’Olimpit që rrijn’ ndër pellaze,
Krejt m’ja shemb’ ju Priamit mbretnin’ shndoshë n’atme me kthyem
T’dashunën mue me ma nxjerr’ time bi, e dhanti me i pëlqyem
Largshigjetuesin Apol tu’ nderuem të birin e Zeusit”
Tjer’t sa qenë asobote në godi kan’ ramun Akejatt
Mir’ me u ndam me meshtar e dhantit t’i pranojnë të shkëlqyeshmet;
Po kurrqysh jo për shtat nuk i ra Agamemnonit Atrejas,
Keqas prandej e përzu’ dhe fjalë i flakroi të rrebta:
“Ma mos të baj, o plak, me të zan’ rreth anijeve zgavrra,
As tash ktu tu’ tallë, as rishtazi mbrapa tu’ kthyem,
Skeptri se gja nuk të vlen besa ty, as ai flamur’ i hyjit.
Vet’ até kurr s’e lëshoj ma parë’, e pleqnia ta zaje
Larg prej atmje n’at Arg, përmbrenda pellazeve t’mija,
Vejk’ tue bam edhe mue bri shtrati ajo tu’ m’gjetun.
Hiqmu tash, ma mos të m’ndezësh, shnoshë ti po deshe të ndahesh”.

Ky është modeli i hekzametrit shqip i demonstruar prej Nikollë Dakës, me atë leksik burrnor, të burrave të rrptë e të hyjve, me leksikun, trajtat e përftesat e një gjuhë të randë, solemne e të sprovueme në vargun heroik.

Duke folur në parathënien e Antologjisë së përkthimeve të Nikollë Dakës, është me vend të citohet mendimi i profesor të antikitetit, Muzafer Xhaxhiut, i cili thotë: “E folmja e veriut s’është thjeshtë një dialekt, por është trung me degë e gjethe. Këtë e shohim qartë në shkrime letrare origjinale apo përkthime. Nuk është puna te disa ndryshime fonetike, morfologjike, drejtshkrimore, është diçka përtej këtyre: muzikaliteti, shprehshmëria koncize lapidare, sintaksi poetik, po mbi të gjitha tharma etno-psikologjike që sjell kjo e folme në rrjedhën e shekujve”7.

Mbasi ia ka dalë mbanë modelit të parë, solemn e serioz, Nikollë Dakaj i lejon vetes edhe eksperimentin në gjuhën gjysmë letrare, gjysmë standarte, tashmë me dhjetrrokësh të rimuar, porse kjo është krejt tjetër gjë: është vazhdimi i ëndjes e i lojës. Ja një fragment i hyrjes së këngës së parë “Grindja”:

Këndona, burrnesha e dheut,
At mëninë e Akil Peleut,
Që plot kobe Akejve u solli,
Shumë edhe n’Skëterrë përcolli
Shpirtra t’rreptë heronjsh, përdhé
Tue ua lanë kufomat pré
Qenve e shpendëve për t’i ngranë,
Si vetë Zeusi e kishte thanë, (etj).

Në përfundim mund të themi, se domethënia e kontributit përkthimor të Nikollë Dakajt, pret të çmohet e vlerësohet, pasi është i pari përkthyes në të duja të folmet shqipe toske dhe gege, përfshij edhe standartin letrar, që ka arritur të sjellë modelet e hekzametrit në shqip. Jo vetëm të Homerit, siç patëm rastin ta dëshmojmë, por eshe të një morie poetësh grekë e latinë, nga antikiteti i hershëm, deri në kohën e dezintegrimit të hekzametrit. Për këtë duhet t’i jemi mirënjohës, pasi gjedhja dhe modeli i tij kanë mbijetuar dhe mund e duhet t’i kthehemi si një trashëgime tepër të vyer. Jeta e këtij pionieri të letërsisë dhe përkthimit që e hidhur, e mundimshme si e shumë korifejve të letrave shqipe, por për fat, harrimit, izolimit dhe vdekjes në harresë gjatë diktaturës komuniste, ka mundur t’i mbijetojë vetëm gjuha shqipe e tij, dhe nëpërmjet saj edhe ai vetë me dashurinë prekëse ndaj verbit shqip.

 

………………………………………………………………………………………………………………………………………………….

800×600

Normal
0

false
false
false

EN-US
X-NONE
X-NONE

MicrosoftInternetExplorer4

/* Style Definitions */
table.MsoNormalTable
{mso-style-name:”Table Normal”;
mso-tstyle-rowband-size:0;
mso-tstyle-colband-size:0;
mso-style-noshow:yes;
mso-style-priority:99;
mso-style-parent:””;
mso-padding-alt:0in 5.4pt 0in 5.4pt;
mso-para-margin:0in;
mso-para-margin-bottom:.0001pt;
mso-pagination:widow-orphan;
font-size:10.0pt;
font-family:”Times New Roman”,”serif”;}

[1] Engjëll Sejdaj “Homeri dhe Iliada e tij (II)  Filologjia 11, 2003. fq 116, Prishtinë.

[2] Po aty

[3] Genc. K. Hoti: Iliada dhe Homeri në Shqipëri.

[4] Spiro Çomora “Odiseja”, Naim Frashëri, Tiranë 1973

[5] Gjon Shllaku  në librin “Nikollë Dakaj “Antologjia e poezisë së madhe botërore”, Naim Frashëri, 2008, fq 14.

[6] Siç tregon edhe vetë fjala (heks-a “gjashtë” – metron “masë”) hekzametri është varg prej gjashtë masave (ose këmbësh), që do të thotë prej gjashtë takteve (muzikore). Këto masa mund të jenë nga tri ose dy rrokjesh, që do të thotë se në të masë trirrokëshe mund të jetë vetëm daktili (- v v), kurse dyrrokëshe vetëm spondeu (- -) ose trokeu (- v), të cilët përcaktohen sipas kuantitetit të rrokjes, që do të thotë, se një rrokje mund të jetë e gjatë ose e shkurtër (nga natyra ose pozita që ka në fjalë). Meqenëse Iliada (dhe Odiseja) është kënduar vetëm në këtë varg, duhet patur parasysh vetëm tri masa (daktil, spondej dhe trokej), dhe nga këmbimi I tyre mund të dalin 32 hekzametra të ndryshëm, kurse marrëdhëniet e rrokjeve të gjata me të shkurtërat janë një e gjatë sa dy të shkurtëra, përkatësisht rrokja e gjatë ka vlerën e notës (pentagramike) katërtaktëshe, kurse e shkurta tetëtaktëshe. Prej këtyre gjashtë masave (të hekzametrit) e fundit është përcaktuar të jetë dyrrokëshe, d.m.th., trokej, kurse ajo e parafundit (e pesta) zakonisht është tetërrokëshe, që do të thotë daktil.

Prandaj nga kjo skemë:

–     –     –     –

– vv/ – vv/ – vv/ – vv/ – vv/ – v

 

Ose

–     –     –     –     –     –

– vv/ – vv/ – vv/ – vv/ – vv/ -vv/ – v

Mund të (këndohen) recitohen vargjet e para të Iliadës:

 

Meinin a/ eide, the / a, Pe/ leia/ deo Achi/ leos

Ulome / nen, he / myli A / chaiois/ alge e/ theken

 

Ose vargjet e para të Odisesë në shqip në përkthimin e S. Çomorës:

Muzë tre / gomë për / burrin me / mendje aq/ shumë pje/ llore

Që, pasi/ pirgjet e / shenjta ia / shembi qy/ tetit të / Trojës.

[7] Prof. Dr. Muzafer Xhaxhiu në librin Nikollë Dakaj “Antologjia e poezisë së madhe botërore”, fq 6. Naim Frashëri, Tiranë 2008.

0

(Vigodskij dhe shkolla e tij psikologjike)

1. Ndërrimi i botëkuptimit shkencor

“Për çdo shkencë, – shkruante Lev S. Vigodskij1, – herët a vonë vjen një moment, kur ajo duhet të ndërgjegjësohet për veten si një tërësi, të kuptimësojë metodat e saj dhe ta fokusojë vëmendjen tek ato fakte dhe nocione, me të cilat ajo operon” (Vigotskij L.S. 1982, f.310). Nxjerrja e bilancit, si rregull, ngjet në momente të veçanta të historisë.

Dihet që dekadat e para të shekullit XX, psikologjia në tërësi dhe pjesa e saj përbërëse – psikologjia e fëmijëve – përjetonte një krizë të thellë. Sipas fjalëve të U. Xhejmsit (William James), psikologjia nuk ishte ende shkencë, por gjithqysh një “shpresë për të qenë shkencë”. Pra ishte një krizë e objektit, metodës dhe interpretimit të fakteve, që shkaktohej nga kundërthënia midis kërkimeve shkencore dhe kërkesave praktike. Për daljen nga kjo krizë lypej përpunimi i një shkence të re të përgjithshme, që t’i korrespondonte kushteve historike dhe logjikës së zhvillimit të shkencës së psikologjisë.

L.S. Vigotskij e ndjente veçanërisht thellë, se mundësia e ekzistencës së psikologjisë si shkencë është e lidhur, para së gjithash, me zgjidhjen e problemeve metodologjike. Duke hulumtuar shkaqet e krizës në psikologji, ai zbuloi në të gjitha konceptet e zhvillimit të psikikës bashkëkohore me të, një rrugë të gabuar, dhe kjo rrugë e gabuar ishte, sipas tij, “qasja natyralistike”, “biologjiste”, e cila përpiqej “të vendosë në të njëjtin plan zhvillimin psikologjik të kafshëve me zhvillimin e fëmijës”. Kësaj qasje Vigotski iu kundërvu me konceptin e tij të “zhvillimit kulturoro-historik të zhvillimit të psikikës”.

Ne do të përdorim nocionin “paradigma” si një nocion shkencor më rigoroz (krahasuar me nocionet “koncepti” apo “teoria”), që orientojnë psikologët në ndërgjegjësimin e çështjeve fondamentale për shkencën e tyre. Këtë e sugjeron dhe Tomas Kun-i me përkufizimin e tij mbi paradigmën: “Paradigma është pranimi i të gjitha arritjeve shkencore, të cilat përgjatë një kohe të caktuar i japin botës së shkencës modelin e shtrimit të problemeve dhe zgjidhjen e tyre”. Shtojmë, se vetëdijësimi për paradigmën është gjithmonë shenjë e pjekurisë së një shkence.

Gjithë veprimtaria shkencore e L.S. Vigotskijt ka qenë përqendruar në një drejtim: që psikologjia të mund të kalojë “nga përshkrimi i thjeshtë i studimit empirik dhe fenomenologjik i dukurive drejt hapjes/zbulimit të thelbit të tyre”. Ai ngulfati metodën eksperimentalo-gjenetike të hulumtimit të dukurive psikike, sepse mendonte që “problemi i metodës është zanafilla dhe baza, alfa dhe omega e gjithë historisë së zhvillimit kulturor të fëmijës”. L.S. Vigotskij përpunoi dijen mbi moshën si njësi e analizës së zhvillimit fëminor. Ai propozoi një të kuptuar tjetër të zhvillimit, kushteve, burimit, formës, specifikës dhe forcës intriguese të zhvillimit psikik të fëmijës; përshkroi epokat, stadet dhe fazat e zhvillimit fëminor, e po ashtu kalimet ndërmjet tyre në ecurinë e ontogjenezës; ai evidentoi dhe formuloi ligjet bazë të zhvillimit psikik të fëmijës. Pa ekzagjerim mund të themi, se Vigotskij bëri gjithçka, që psikologjia e fëmijëve të ishte një shkencë solide dhe origjinale, e cila të ketë një objekt të vetën, një metodë dhe ligjësi të saj; ai bëri gjithçka që kjo shkencë të mundej të zgjidhte detyra të rëndësishme praktike të mësimit dhe edukimit të fëmijëve, t’u qaset në mënyrë të re problemeve moshore të diagnostikës normative të zhvillimit psikik.


2. Teoria e Vigodskit mbi zhvillimet psikike të fëmijëve

E vërteta e teorisë së Vigotskit ndriçoi jo vetëm konfuzionin bashkëkohor të teorive biologjiste të zhvillimit, por paralajmëroi gjeneratat e ardhshme të shkencëtarëve nga huazimet jokritike të huaja për botëkuptimin shkencor. Vigotskij shkruan: “Për arsyetimin dialektiko-materialist problemi i zhvillimit është qendror dhe bazal për të gjitha sferat e realitetit dhe për të gjitha sferat e dijes shkencore. Megjithatë jo çdo zgjidhje e këtij problemi na përafron tek kuptimi i vërtetë i dialektikës objektive të realitetit. Këtij kuptimi të vërtetë i kundërvihen jo vetëm teoritë metafizike, që e mohojnë në rrënjë vetë idenë e zhvillimit, por dhe teoritë, që sjellin ide mashtrimtare të zhvillimit”. (Vigotskij L. S. , 1932, f. 12).

Në këto ide mashtrimtare bënin pjesë, para së gjithash, teoritë e evolucionizmit empirik, rreziku i rilindjes të të cilave ndjehet në psikologjinë fëminore përgjatë dekadave të fundit. Karakteri empirik i këtyre teorive, shkruante Vigotskij, “na shpie në atë situatë, që nuk ke të bësh me një bazë teorike, nga se ato përfshijnë në mënyrë eklektike dhe asimilojnë elemente heterogjene”.

Problem qendror për psikologjinë e Vigotskit bëhet problemi i vetëdijes. Vigotskij shkruan se, enigmat e vetëdijes, po edhe të psikikës në përgjithësi nuk mund t’i fusësh në kurthe metodologjike, as parimore. Dihet që U. Xhejmsi pyeste, a ekziston vallë vetëdija, dhe përgjigjej, që në ekzistencën e frymëmarrjes ai nuk dyshon, por në ekzistencën e vetëdijes dyshon. Sipas Vigotskit një shtrim të tillë të çështjes mund ta pranosh vetëm nga pikëpamja gnoseologjike. “Nga ana psikologjike vetëdija është një fakt i padyshimtë, një realitet parësor i shkallës së parë, një fakt me rëndësi të jashtëzakonshme, dhe jo një efekt anësor ose i rastësishëm… Përderisa nuk do të vendoset qartë e guximshëm problemi i vetëdijes dhe psikikës në qendër të hulumtimeve dhe përderisa ato të mos hulumtohen në eksperimentalisht në rrugë objektive, nuk ka zhvillim për këtë shkencë”.

Vigotskij e përcaktonte sferën e hulumtimeve të tij si “Psikologji kulmore” (psikologjia e vetëdijes), e cila i kundërvihet dy teorive të tjera – “sipërfaqësores” (teorisë së sjelljes) dhe “të thelluarës” (psikoanalizës). Ai e kundronte vetëdijen si një “problem të strukturës së sjelljes”.

Sot ne mund të themi, se tre sferat e qenies së njeriut: ndjenjat, intelekti dhe sjellja – hulumtohen sipas konceptesh të larta psikologjike – psikanaliza, teoria e intelektit dhe biheviorizmi. Por prioriteti në zhvillimin e “psikologjisë kulmore”, apo psikologjisë së zhvillimit, i takon traditës së metodologjisë që hapi Vigotskij.

Me të drejtë të plotë mund të themi se Vigotskij realizoi detyrën e transformimit të psikologjisë në bazë të një analize të thellë filozofike.

Për Vigotskin çështjet më me rëndësi ishin:
– Në çfarë mënyre njeriu gjatë zhvillimit të tij del përtej sinoreve të natyrës së tij “kafshërore”?
– Në çfarë mënyre në procesin e jetës së tij shoqërore ai zhvillohet si një qenie kulturore dhe krijuese?


3. Kundërshtimi i konceptit biologjist

Sipas Vigotskit, njeriu në procesin e zhvillimit të vet është ngritur deri krijimi forcave të reja të sjelljes së lartësuar. Vetëm në procesin e jetës shoqërore, shkruan ai, kanë lindur dhe janë rritur kërkesat e reja njerëzore, ndërsa kërkesat natyrore të njeriut kanë pësuar ndryshime të thella.

Merita e L.S. Vigotskit është se ai ishte i pari, që futi principin historik në sferën e psikologjisë së fëmijëve. “Deri më tash, shkruante Vigotskij, janë ende të shumtë ata që priren ta paraqesin në dritë të rreme idenë psikologjisë historike. Ata e identifikojnë historinë me të kaluarën. Të hulumtosh diçka historike do të thotë për ta të studiosh me patjetër fakte të së shkuarës. Kjo është një mënyrë naive të kuptuari – të shohësh një cak të pakalueshëm ndërmjet studimit historik dhe studimit të formave të pranishme. Ndërkaq studimi historik do të thotë thjesht aplikim i kategorisë së zhvillimit ndaj hulumtimit të dukurive. Të studiosh diçka historike, do të thotë ta studiosh atë në lëvizje, në rrjedhë. Kjo është në thelb të kërkesës së metodës dialektike” (Vigotskij L. S., 1984, f. 62).

Çdocila formë e zhvillimit kulturor, e sjelljes kulturore është tashmë produkt i zhvillimit historik të njerëzimit. Shndërrimi i materialit natyror në formën historike, nga pozitat e Vigotskit, është gjithmonë proces i një ndryshimi të ndërlikuar të vetë tipit të zhvillimit, dhe aspak jo i një pjekjeje organike. Vërejmë, se në këtë konkluzion arrijnë jo vetëm psikologët. Sipas antropologëve, përgjatë formësimit të tipit bashkëkohor të njeriut (Homo Sapiens) është krijuar menjëmend një tip i ri zhvillimi.

Konceptet më të njohura perëndimore të zhvillimit të fëmijëve para dhe pas Vigotskit e kanë përshkruar procesin e zhvillimit të fëmijëve nga pozitat e paradigmës natyralisto-shkencore, që përbën bazën e qasjes natyraliste në zhvillimin e psikikës së fëmijës.

Nga pikëpamja e Vigotskit, të gjitha teoritë bashkëkohore të perëndimit e përshkruanin ecurinë e zhvillimit të fëmijëve si kalim nga ekzistenca individuale, humanoide, antropocentrike ndaj jetës në cilësinë e një anëtari të merituar të shoqërisë. Prandaj nuk është e habitshme, që problem qendror të psikologjisë perëndimore pa përjashtim mbetet deri më sot problemi i sociologjizimit, problemi i kalimit nga ekzistenca biologjike në jetë në cilësinë e personalitetit të sociologjizuar. L.S. Vigotskij doli kategorikisht kundër një interpretimi të tillë të zhvillimit. Për të rruga e procesit të zhvillimit kalon nga socialja tek individualja. Zhvillimi i psikikës është një proces i individualizimit. Funksionet më të larta psikike lindin më së pari si forma kolektive të sjelljes, si forma bashkëpunimi me njerëz të tjerë dhe vetëm si rezultat i kësaj ato bëhen funksione individuale të vetë fëmijës. Kështu, gjuha/ligjërimi – është në fillim një mjet komunikimi ndërmjet njerëzve, por në ecurinë e zhvillimit ajo bëhet cilësi e brendshme dhe nis të përmbushë funksionin intelektual.

Kushtet e zhvillimit, sipas paradigmës shkencore-natyraliste, – janë trashëgueshmëria dhe mjedisi. Kushtet e zhvillimit në paradigmën kultiror-historike janë – specifikat mitologjike të trurit dhe komunikimi. Kushtet e zhvillimit më vonë janë përshkruar nga A. N. Lentjev-i. Në akord me teorinë e tij, këto kushte duhet të vihen në lëvizje nga veprimtaria e subjektit. Veprimtaria lind si përgjigje e kërkesave. Kërkesat gjithashtu nuk janë të lindura, ata formohen, madje kërkesa e parë e një fëmije është kërkesa për komunikim me të rriturit. Në bazë të saj fëmija hyn në komunikimin praktik me njerëzit, kërkesë që më vonë realizohet përmes objekteve dhe përmes gjuhës/ligjërimit.

Burimin e zhvillimit psikologët perëndimorë e kërkojnë brenda individit, në natyrën e tij. Në paradigmën kulturoro-historike në cilësinë e burimit të zhvillimit të funksioneve të epërme psikike merret mjedisi. Sipas Vigotskit, burimi i zhvillimit gjendet jashtë fëmijës, mjedisi hyn në marrëdhënie e zhvillimit të funksioneve të epërme psikike. Në këtë kuptim njeriu është një qenie sociale, jashtë marrëdhënieve të ndërsjella me shoqërinë ai kurrë nuk i shtjellon dot ato cilësi, të cilat janë kristalizuar si rezultat i zhvillimit të gjithë njerëzimit.

L. S. Vigotskij nënvizonte, se marrëdhënia me mjedisin ndryshon me moshën, dhe për pasojë ndryshon dhe roli i mjedisit në zhvillimin e fëmijës. Ai theksonte, se mjedisin duhet ta kundrosh jo në mënyrë absolute, por në mënyrë relative, pasi ndikimi i mjedisit përcaktohet nga përjetimet e fëmijës. Dhe është pikërisht Vigotskij ai që ngulfati për herë të parë nocionin e përjetimit kyç.

Kuptimi i formës së zhvillimit si përshtatja, adaptimi i fëmijës me mjedisin e tij rrethues është tipari kryesor i konceptit natyralistik. Sipas Vigotskit, zhvillimi psikik i fëmijës ngjet në rrugën e përvetësimit të formave të përpunuara historike dhe mundësive të veprimtarisë. Në ndryshim prej tij tipi biologjik i zhvillimit ngjet si përshtatje me natyrën, në rrugën e trashëgimisë së cilësive të llojit dhe/ose në rrugën e grumbullimit të përvojës individuale. Njeriu nuk ka forma të lindura të sjelljes në mjedis. Zhvillimi i tij ngjet në rrugën e përvetësimit të formave të përpunuara historike dhe mundësive të veprimtarisë.

4. Specifika e zhvillimit psikologjik tek fëmijët

Specifika e zhvillimit fëminor nuk i nënshtrohet veprimit të ligjeve biologjike, si te kafshët. Ajo u nënshtrohet veprimit të ligjeve shoqëroro-historike. Nga niveli i zhvillimit të shoqërisë varet përmbajtja e zhvillimit të fëmijës dhe intervali i fëmijërisë.

Në “Leksionet mbi pedagogjinë” L.S. Vigotskij formuloi një sërë ligjesh të zhvillimit psikik të fëmijës:
Zhvillimi fëminor ka një organizim të koklavitur në kohë: ritmin e tij, i cili nuk përkon me ritmin e kohës, dhe ritmin e tij, i cili ndryshon në vite të ndryshme të jetës. Kështu, një vit jetë në mituri nuk është i barabartë me një vit jete në adoleshencë.
Ligji i metamorfozës në zhvillimin fëminor: zhvillimi është një hallkë e ndryshimeve cilësore. Fëmija nuk është thjesht një i rritur i vogël, i cili di më pak apo mundet më pak, por është një qenie, që zotëron në mënyrë sasiore një psikikë të dallueshme.
Ligji i mospërputhjes/disnivelit të zhvillimit fëminor: secila anë në psikikën e fëmijës ka një periudhë optimale të zhvillimit. Me këtë ligj ka të bëjë hipoteza e Vigotskit mbi strukturën kuptimore dhe sistemore të vetëdijes.
Ligji i zhvillimit të funksioneve të larta psikike. Funksionet e larta psikike lindin së pari si forma të sjelljes kolektive, si forma të bashkëpunimit me njerëz të tjerë, dhe vetëm së mbrami ato shndërrohen në funksione të brendshme individuale të vetë fëmijës. Shenjat e dallueshmërisë së funksioneve të epërme psikike: ndërmjetësia, vetëdijësimi, arbitrariteti, sistematika. Ata formësohen në jetë e sipër dhe ngjizen si rezultat i zotërimit me mjete speciale, me instrumente të përpunuara në ecurinë e zhvillimit historik. Në zhvillimin e tyre funksionet e larta psikike kalojnë përmes një radhë stadesh.

Sipas Vigotskit, forca shtytëse e zhvillimit psikik është mësimi. Ka rëndësi të theksojmë, se zhvillimi dhe mësimi janë procese të ndryshme. Sipas fjalëve të Vigotskit procesi i zhvillimit ka ligjet e veta të ecurisë vetjake.

"Zhvillimi, – shkruan ai, – është një proces i formësimit të njeriut apo personalitetit, që piqet përgjatë lindjes së cilësive të reja në çdo periudhë specifike për njeriun, të përgatitura më parë nga gjithë ecuria e zhvillimit paraardhës, por që nuk gjenden në trajtë të gatshme në nivelet më të hershme".

Të mësuarit, sipas Vigotskit, është një moment i brendshëm, i domosdoshëm dhe i përgjithshëm në procesin e zhvillimit të fëmijës jo me veçoritë natyrore të njeriut, por me specifikën historike të tij.

Të mësuarit nuk është identik me zhvillimin. Të mësuarit krijon zonën e afërt të zhvillimit, domethënë e thërret fëmijën në jetë, e zgjon dhe vë në lëvizje proceset e brendshme të zhvillimit, të cilat në fillim janë të mundura për fëmijën vetëm në sferën e marrëdhënieve të tij të ndërsjella me mjedisin rrethues dhe në bashkëpunim me shokët, por mandej, duke përshkuar gjithë ecurinë e brendshme të zhvillimit, bëhet pasuri e vetë fëmijës. Nocioni “zonë e zhvillimit të afërt” – është rrjedhojë logjike e ligjit të formësimit të funksioneve të larta psikike.

L.S. Vigotskij realizoi hulumtime eksperimentale të marrëdhënies midis të mësuarit dhe zhvillimit. Ky studim i nocioneve jetësore dhe shkencore, është hulumtimi i përvetësimit të gjuhëve amtare dhe të huaja, i ligjërimit me gojë e me shkrim, i zonës së zhvillimit më të afërt. Kjo e fundit është një zbulim autentik i Vigotskijt, që njihet tashmë prej gjithë psikologëve në mbarë botën.

Zona e zhvillimit më të afërt – është distanca midis nivelit aktual të zhvillimit të fëmijës dhe nivelit të mundshëm të zhvillimit, i përcaktuar me anë të detyrave, të zgjidhura nën udhëheqjen e të rriturve. Siç shkruan Vigotskij, “zona e zhvillimit më të afërt përcakton funksionet, që nuk janë pjekur ende, por që gjenden në procesin e pjekurisë; funksione, të cilat mund t`i quajmë jo fryte të zhvillimit, por sythe, lule të zhvillimit”. “Niveli i zhvillimit aktual karakterizon sukseset e zhvillimit, bilancin e zhvillimit për ditën e djeshme, ndërsa zona e zhvillimit më të afërt karakterizon zhvillimin mendor për ditën e nesërme”.

Nocioni zonë e zhvillimit më të afërt ka një domethënie të rëndësishme teorike dhe lidhet me probleme të tilla fondamentale të psikologjisë dhe pedagogjisë së fëmijëve, si lindja dhe zhvillimi i funksioneve të larta psikike, raporti i të mësuarit dhe i zhvillimit mendor, forcat shtytëse dhe mekanizmat e zhvillimit psikik të fëmijës.

Zona e zhvillimit më të afërt është një rrjedhojë logjike e ligjit të formësimit të funksioneve të larta psikike, e cila formohet së pari në veprimtarinë e përbashkët, në bashkëpunim me njerëz të tjerë, dha pak nga pak bëhet proces i brendshëm psikik i subjektit. Kur procesi psikik formësohet në veprimtarinë e përbashkët, ai gjendet në zonën e zhvillimit më të afërt; pas formësimit ai bëhet formë e zhvillimit aktual të subjektit.

Fenomeni i zonës së zhvillimit më të afërt dëshmon për rolin udhëheqës të të mësuarit në zhvillimin mendor të fëmijëve. “Të mësuarit është vetëm atëherë i mirë, shkruante Vigotskij, kur ai i paraprin zhvillimit”. Atëherë ai zgjon dhe nxit në jetë shumë funksione të tjera, që gjenden në zonën e zhvillimit më të afërt. I zbatueshëm në shkollë nënkupton, që të mësuarit duhet të orientohet jo aq në funksione tashmë të pjekura, që kanë kaluar ciklet e zhvillimit, se sa në funksionet që janë pjekur. Mundësia e të mësuarit në shumëçka varet nga zona e zhvillimit më të afërt. Të mësuarit, kuptohet, mund të orientohet në ciklet tashmë të ezauruara të zhvillimit – dhe ky është pragu më i ulët i të mësuarit, – por ai mund të orientohet në funksione ende të papjekura, në zonën e zhvillimit më të afërt, çka karakterizon pragun më të lartë të të mësuarit. Ndërmjet këtyre pragjeve gjendet dhe periudha optimale e të mësuarit. “Pedagogjia duhet të orientohet jo në të djeshmen, por në ditën e nesërme të zhvillimit të fëmijëve, – shkruante Vigotski. Fëmija në shkollë realizon veprimtari të cilat i japin atij mundësinë e rritjes. Kjo veprimtari i ndihmon atij të ngrihet më lart nivelit të tij”.

Si çdo ide me vlerë, nocioni i zonës së zhvillimit më të afërt ka një rëndësi të madhe praktike për zgjidhjen e çështjes mbi afatet optimale të të nxënit, madje ajo është veçanërisht e rëndësishme si për masën e fëmijëve, ashtu dhe për çdo fëmijë në veçanti. Zona e zhvillimit më të afërt – është një simptomë, një kriter në diagnostikën e zhvillimit mendor të fëmijës.

Një prej dëshmive të ndikimit të mësimit në zhvillimin psikik të fëmijës na e ilustron hipoteza e Vigotskit mbi strukturën sistemore dhe kuptimore të vetëdijes dhe zhvillimit të saj në ontogjenezë. Duke e propozuar këtë ide, Vigotski doli vendosmërisht kundër funksionalizmit të psikologjisë bashkëkohore me të. Ai mendonte, se vetëdija njerëzore nuk një shumë e proceseve të veçuara, por një sistem, një strukturë e tyre. Asnjë funksion nuk përparon i izoluar. Zhvillimi i secilit funksion varet nga fakti, se në cilën strukturë hyn ai dhe çfarë vendi zë në të. Kështu, për shembull, në moshën e hershme në qendër të vetëdijes ndodhet perceptimi, në moshën parashkollore – kujtesa, në moshën shkollore – mendimi. Të gjitha proceset e tjera psikike përparojnë në secilën moshë nën ndikimin e funksioneve që dominojnë në vetëdije. Sipas Vigotskit procesi i zhvillimit psikik ka të bëjë me rindërtimin e strukturës sistemore të vetëdijes, e cila është e kushtëzuar nga ndryshimi i strukturës kuptimore të saj, domethënë me nivelin e zhvillimit të përgjithësimeve: “Hyrja në vetëdije është e mundur vetëm përmes gjuhës”. Dhe kalimi nga një strukturë e vetëdijes në një tjetër realizohet falë zhvillimit të domethënies së fjalëve, ndryshe – përgjithësimeve/gjeneralizimeve. Nëse në zhvillimin sistemor mësimi nuk tregon ndikim direkt, atëherë më zhvillimin e përgjithësimit dhe, për rrjedhojë, me ndryshimin e strukturës kuptimore të vetëdijes mund të drejtosh drejtpërdrejt. Në ecurinë e të mësuarit si rezultat i formimit të përgjithësimeve rindërtohet gjithë sistemi i vetëdijes. Prandaj, sipas Vigotskit, “një hap në të mësuar mund të nënkuptojë njëqind hapa në zhvillim”, apo “mësojmë për një kopek, dhe na e shpërblen zhvillimin me një rubël”.

 

…………………………………………………………………………………………………………………………………………..

[1] Lev Semjonoviç Vigodskij (1896-1034) – shkencëtar rus, psikolog, krijues i teorisë kulturoro-historike të zhvillimit të funksioneve të larta psikike. Nocion kyç në punimet e tij psikologjiko-shkencore është koncepti i interiorizimit të funksioneve të larta psikike tek fëmijët. Punimet e tij mbi psikologjinë e artit e renditin atë ndër figurat qëndrore te “formalizmit rus”.

0

 

 

 

 

"Shekulli i njëzetë"
"Para revolucionit"
"Hëna"
"Partneri"
"??nformisti"
"Perandori i fundit"
"Bukuria e rëshqitshme"
"Tangoja e fundit në Paris"

Kthimin i madh i Bernardo Bertoluçit në Itali, pas pesëmbëdhjetë vjet mungesë krijimtarie, duhej të ishte bërë sensacion *që në fakt nuk u bë). Në një pres-konferencë ai shpalli se gjithë këto vite ia kishte shpifur punën kutërbimi prej kufome i korrupsionit. E sidoqoftë ai u kthye dhe shumë shpejt ndodhën ndryshime: në zgjedhje fituan të majtët. Bertoluçi xhiroi në Toskanë një afresk të madh liriko-epik “Bukuria e rëshqitshme” (1996) dhe telefilmin kamer "Robërimi" (1998) për dashurinë e një anglezi dhe një afrikanie në sfondin e "qytetit të përjetshëm". I pari të ngjan si një konspekt i kinoromaneve të mëparshme, i dyti u quajt prej gazetarëve "Tangoja e fundit në Paris". Megjithatë Bertoluçi nuk e arriti nivelin e sukseseve të mëparshme.

"Bukuria e rrëshqitshme" vazhdon serinë e shiritave të regjizorit për amerikanët që udhëtojnë nëpër botë në kërkim të identitetit të tyre. Çehovjan për nga dramaturgjia, rilindas për nga zgjidhja e piktoriale (peisazhet e Toskanës janë të nginjura me një bukuri pothuaj mistike) dhe mprehtësisht bashkëkohor për nga muzika, filmi nuk i solli regjizorit ngadhënjimin në Kanë. "Më mirë të kishte realizuar “Lolitën” e Nabokovit, – thumboi dikush prej gazetarëve. Muzën e re të Bertoluçit, Liv Tejlor-in e kanë quajtur Lolitën amerikane, ndërsa fytyrën e saj të ndjeshme më parë se të fillonte festivali i Kanës e konsideronin si emblemën e tij. Tejlor luan vajzën nga Nju-Jorku, e cila vjen në Itali që të takojë të atin dhe të humbasë virgjërinë. Kur pas shumë përpjekjesh të pasuksesshme kjo arrin të ngjasë, salla shpërthen në ovacione ironike.  Asgjë e ngjashme me atë drithërimë të shenjtë që provokonte çdocili gjest artistik i regjizorit italian në kohën e lavdisë së tij të epërme.

Lavdia në fjalë filloi me "??nformistin" (1970) dhe sosi me "Perandorin e fundit" (1987), megjithëse i pari nuk ka qenë zanafilla, ndërsa i dyti ka qenë fundi i karierës së Bertoluçit. Megjithë kthesat më të forta e të papritura në të, ndejhej gjithnjë pandërprerja, ndërsa filmi i ri e zvarriste pas vetes fillin e asosacioneve nga e kaluara.

Para së gjithash, – me fatin e gjeneratës që ka kaluar përmes vitit 1968. Pikërisht atëherë u shfaq filmi "Partneri" që mbështetet mbi fabulën e njohur të “Sozisë” së Dostojevskit, ilustroi idetë teatrale të Antonen Artosë. Ky qe një teatër i shpërngulur në rrugë ku njerëz ekstravagantë gjezdisnin me "faqoret e Molotovit", përshëndesnin parrullat revolucionare, duke qenë ndërkaq e prapta ekcentrike e realitetit. Vetë realiteti i momentit historik fshihej diku ndërmes skeleteve të konstrukteve intelektuale, por sot ai lexohet e deshifrohen saktë. Për të tillë filma thonë se ata janë "të datuar" ose: ata "kanë mbetur në kohën e tyre", dhe në rastin e dhënë ky është më shumë një kompliment.

Bertoluçi i ka dhënë përkufizimin një epoke të tërë, duke e quajtur atë që në filmin e tij të dytë me "Para revolucion". Një tjetër përkufizim programatik është ajo e regjizorit Marko Bellokkio: filmi i tij "?ina është afër" aludonte me titullin e tij se për ku janë drejtuar vështrimet e inteligjencies së majtë perëndimore – që nga Sartri e deri tek studenti rishtar.

Sigurisht, ishte edhe Rusia. Megjithëkëtë nga një shqyrtim më i imët ajo  na dilte aspak një vend idealistësh, sikundër dukej prej së largu. Fundi i një epoke të bukur iluzionesh dhe shpresash qe po ajo 68-ta.  Gjersa studentët në kryeqytetet perëndimore trondisnin rendin kapitalist, ushtarët sovjetikë me një cinizëm perandorak pushtonin Çekosllovakinë, duke kallur rebelim të plotë në mendjet e majta.

Në ndryshim nga shumë të tjerë, Bertoluçi diti të kundërvinte dhe të analizonte. Pjesën më të madhe që bëri ai në vitet ’70, mund ta bashkosh në një cikël të quajtur "Pas revolucionit": në të mund qenë përfshirë në radhë të pare, të tillë filma-metafora, si "Tangoja e fundit në Paris" (1972) dhe "Hëna" (1979). Në to ruhet ende aroma e utopisë romantike, porse mbizotëron hidhësira e mësimeve të esëllta.

"Tangoja e fundit" është njëri prej konvulseve më të thekshme të lirizmit individual, njëri prej shkulmeve më të forta drejt lirisë së të gjitha niveleve: ekzistenciale, sociale, ndjesore, artistike. I pagëzuar paraprijës i kinematografisë erotike, ky film i shembi edhe bastionet e fundit të çenzurës.

Në simpoziumin italiano-sovjetik të organizuar në vitin 1973 në Romë nga Sergej Gerasimov, pa e mohur talentin e Bertoluçit, ai deklaroi, që filmi i tij i fundit është mbushur me një "Pathos të ulët". Ai u zotua se ky film kurrë nuk do të shfaqet në Bashkimin Sovjetik ku problemet seksuale nuk ekzistojnë. Kinokritiku Rostisllav Jurenjev tha, që ia ka frikën talentit të Bertoluçit, sepse "të dëftesh me të tilla imtësira një copëz të neveritshme tëlyni – është e krupshme".

Pjesmarrësit italianë të simpoziumit qënë të habitur me seksofobinë aq të tërbuar të miqve dhe u përpoqën t’i bindin se nuk duhet t’i qasesh artit nga pozicioni i një prifti fashati. Gjëja më pikante kishte të bënte me faktin, se si përputheshin pikëpamjet e komunistëve ortodoksalë me ato të konservatorëve të djathtë. Të fundit kërkonin të sakrifikojnë artin për hir të "ndjenjës së turpit". Të parët bënin apel për të parë tek Moska, duke thënë se atje "gjakojnë të ndërtojnë një shoqëri të shëndoshë morale, ku tëlyni përdoret si produkt ushqimor, dhe jo për të tilla qëllime, si në filmin e fëlliqur të Bertoluçit".

Sot kjo gjë tingëllon anekdotike. Por atëherë redaksia duke sulmuar “Tangon e fundit” u bë goditje e rëndë për regjizorin komunist. Bertoluçi bëri një film politik – ende jo krejt antiborgjez, porse pa radikalët e majtë dhe  iluzionet anarkiste, fiktive rezulton arratisja e Zhanës së re nga robëria e rutinës borgjeze: natyra e saj merr të vetën, dhe ajo do t’i jepet "dashurisë së përtejkufijshme". Tjetër punë – seksi (roli fatbardhë i Marlon Brandosë): ky superburrë që ka humbur orientimet që të ndjehet gjallë, e vendos veten dhe të dashurën në një situatë ndërmjet jetës dhe vdekjes. Megjithatë sadomazohizmi dhe ekzibicionizmi i tij janë dhënë prej regjizorit jo pa ironi. Kërkimi i lirisë personale në fillim përmes ekspansionit social e mandej përmes atij seksual mbërrijnë në qorrsokak, ndërsa rebelimi i revolucionarit të dëshpëruar përmbyllet me demonstrimin publik të prapanicës së vet.

"Tangoja e fundit" mbeti në histori jo si model kacagjeljesh politike, por si një kryevepër e kinosë lirike. Kamera e Vittorio Storaros është aq e ndjeshme saqë arrin të fiksojë madje edhe lagështirën që nginj ajrin parisien. Heroizëm të vërtetë kryejnë aktorët që luajtën marrëdhëniet dhe situatën e skajshme. Bertoluçi dëshmoi statusin e regjizorit numër një të kinemasë post-avangardiste. Sikundërse në çdo film të tij, në këtë film ka vallen “tangoja e fundit” që ka hyrë në çdo antologji, të cilën e ekzekutojnë heronjtë e filmit në pikun e dalldisë e të çmendurisë. Si gjithnjë te Bertoluçi kemi dhe këtu “meditimet për kinematografinë” çka e afron regjizorin me idhujt e tij Godarin dhe Antonionin.

Edhe më kompakt dhe i pikëllimtë është filmi “Hëna”, gjithë nostalgji për vitet 60-të kur njërëzia kërcenin me entuziazëm tuist, siç thotë heroina e filmit, "ende beson në diçka. Por kjo ka të bëjë me të kaluarën. Ndërsa veprimi ndodh dy dhjetëvjeçarë më pas, kur heroina me djalin e saj adoleshent kthehet nga Amerika në Itali, në vendet e rinisë së saj. Drama e mardhënieve incestuale të djalit me nënën shtjellohet në sfondin e narkomanisë dhe veseve të ulëta të “ditës” romake; ajo shpihet nga regjizori në nivelin e mitologjisë bashkëkohore dhe estetizmit operistik. Në këtë film Bertoluçi – djalë i poetit të famshëm – i jep hakun temës së tij të përhershme kërkimit të t’et, luftës me fantazmën e t’et, në kuptimin e drejtpërdrejtë ose metaforik – atëvrasjes.

Ndërmjet Marksit dhe Frojdit, ndërmjet Dovzhenkos dhe Viskontit – i tillë është diapazoni i Bertoluçit në vietet ‘70-të. Në mesin e dhjetëvjeçarit regjizori vizitoi Moskën dhe punën e parë që bëri – shkoi tek varri i Dovzhenkos: klasiku sovjet ishte për të “gjyshi” që ushqeu “etërit” e brezit të tij, domethënë neorealistët. Ndërsa veten Bertoluçi e quante veten veçse një “djalë të jashtëligjshëm” të tyre, por ama i bekonte të parët e tij të largët.

Ai pati sjellë asohere në Rusi gjigandin pesëorësh “Shekulli i njëzetë” dhe i dha një rëndësi të veçantë se si do të kalonte shfaqja e kësaj epopeje revolucionare në kryeqendrën e botës komuniste. Në pres-konferencë Bertoluçi lëshoi bubullima e vetëtima në adresë të SHBA, ku kasetashitësit prenë nga filmi disa episode, duke parë në to “tepër shumë flamuj të kuq”. Megjithatë, nëse mysafiri do të kishte qenë më vigjilent, do të kishte vënë re, që “cenzura” e publikut moskovit që drejtuar veçse në njërën anë: shikuesit deheshin në ekran në skenat kyçe erotike (për këso punësh Bertoluçi s’e ka shokun) dhe largoheshin duke pirë në kuzhinë, pa ua vënë veshin episodeve të luftës revolucionare – sidoqë ishin jo më pak të frymëzuara.

Bertoluçi interesohej seriozisht për “individualitetin social” të Rusisë dhe psikologjinë e saj kolektive. Mos vallë për këtë ai kërkoi të shfaqë një kopje të filmit të tij “Konformisti” që s’dihej si kish rënë në ekranin sovjet? Rezultati i eksperimentit intuitiv i tejkaloi gjitha parashikimet.  Personat zyrtarë u nevrvozuan dhe e shoqëruan regjizorin në sallë me një pakënaqësi të dukshme.
"Ne duhet t’ju paralajmërojmë, – i tha një njeri, – në Bashkimin Sovjetik nuk ekziston një dukuri e tillë, si homoseksualizmi.

Ndryshon dhe karakteri i joshjes së tij ndaj Kinës. Bertoluçi tashmë nuk e kundron komunizmin kinez si alternativë romantike ndaj botës borgjeze. "Perandori i fundit" në përgjithësi nuk është ideologjik: regjizori, siç e ka pranuar vetë, ka qenë i infektuar nga urtësia mijvjeçare e kinezëve dhe ka dashur të tregojë, se si përmes të gjitha kataklizmave ruhet pandërprerja e kulturës së tyre ritualore. Në vetë komunizmin kinez Bertoluçi ndjente diçka prej konfucianizmit – si të thuash po atë ide të ndreqjes së njeriut.

"Perandori i fundit" – është një kinoroman epik dhe njëkohësisht – monofilm. Duke gjetur heroin ideal në personin e perandorit Pu I, regjizori kultivoi një pemë shumë të fortë fabulare, ku degëzimet e ngjarjeve mbyllen megjithatë në trungun bazë. Porse vetë trungu është i privuar nga monolitizmi. Revolucioni e ndan vendosshmërisht fabulën e jetës së heroit në “para” dhe “pas”. Para – është gjendja trashëgimore e kokës së familjes perandorake, regjenti-anglez, intrigat oborrtare, përpjekjet për të ndjekur idetë e monarkisë së civilizuar, dhe si përfundim ndodh e papritura – kthimi i turpshëm në një protektorat japonez, në duart e të cilit perandorit i është lënë roli i një marionete.  Pas – vijnë vitet e burgut maocedunas.  Dhe më tej – egzistenca anonime mu në fundin e llumit të piramidës shoqërore.

Gjith çfarë është “përpara”, është ndërtuar sipas modelit, të provuar së pari në “Konformisti”. Shkëlqimi piktoresk në rekonstruktimin e epokës “para përmbytjes”, impulseve dhe regëtimave të saj, ekzotizmit dhe dekadencës së saj, shumëzimit në misterin e kohës së humbur dhe misterin e Lindjes.  Epoka e “para revolucionit” – mu si një puçër e shtrydhur – është shterruar nga shkulmet e energjisë kolosale.

"Perandori i fundit" më shumë nga çdo tjetër film i Bertoluçit na ndërmend (dhe duke na ndërmendur, përgënjeshtron) “Shekullin e njëzetë” me mitologjinë e tij të kulteve agrare, pothuajse përuljen pagane para forcave natyrore, me pushtetin e vitalizmit dhe erotikës mbi vrujimet njerëzore. Ai ishte i vetmi prej filmave të regjizorit italian, ku veprimi zgjatej dhe “përpara se”, dhe “më pas se”, porse shpirtërisht i koncentruar “në kohë” të revolucionit. Kjo ditë fatkobe shpreh në kuptimin metafizik thelbin e gjithë shekullit XX dhe, si minimum, ka madhësi të barasvlerëshme me të.

Edhe është ajo, edhe s’është ajo – në  "Perandori i fundit", veçanërisht në pjesën e tij të dytë. Regjizori tani e sheh revolucionin jo emocionalisht, porse objektivisht në shmang, duke arritur që në fillim një barazpeshë të mahnitshme, urtësi të qetë në vlerësimin e ngjarjeve. Pu I-në më e kollajtë do të qe ta fajësoje në konformizëm, në atë që ai vetë e ndolli fatkeqësinë në vendin e vet. Por Bertoluçi nuk beson më në parapërcaktimin social apo në lidhjen e drejtpërdrejtë të konformizmit me patologjinë. Në skenën "dashuri treshe" të perandorit dhe dy mikeshave të tij dëgjohet një rimë me episodin e njohur të “Shekullit të njëzetë", ku dy heronjtë përpiqen të fitojnë përvojë seksuale me një prostitutë. Duke mbetur këngëtar i erotikës jotradicionale, Bertoluçi tani nuk ia bën hallall sinqeritetit të saj dhe e thellon enigmatizimin e ritualeve kineze. Dhe duke e treguar heroin e vet – dekadent dhe pleboy – ne burg, autori e ndërron rakursin edhe më fort: prej një piktori të apasionuar ai shnërrohet në kronikan dhe biograf asketik.

Pas shumë vitesh ish-Perandori dhe tanimë ish-i burgosuri befas dallon torturuesin-edukatorin e tij që përpiqet të regullojë veset e huaja për klasën punëtore.  Sheh në turrmë komunistët e shfuqizuar nga pushteti, të degdisurit në riedukim prej huenbinëve “të revolucionit kulturor”. Dhe Bertoluçi – ish-kontestatori dhe revolucionari – me hapjen e kësaj distance para sysh sheh gjithashtu rininë e tij, kur i dukej se “Kina është afër”, thuajse një të zgjatur dore.

Gjithçka përsëritet, dhe gjithçka kthehet në të kundërtën e vet! Pushteti i ideologjive, trashëgimtarëve të privelegjeve – është i përkohshëm, ndërsa janë të qëndrueshme veçse rezultatet e lirisë së torturuar përbrenda njeriut. Bertoluçi konstaton pafrutshmërinë e përpjekjeve si të përshtatesh në ecjen e historisë, gjithë pa e ndryshuar atë. Porse kjo nuk do të thotë  që prej njeriut asgjë nuk varet; thjesht urtësia vjen rëndom tepër vonë. Vonë është për të ndreqë gabimiet. Por asnjëherë nuk është vonë që vullnetarisht që të shlyhesh. Regjizori tashmë ç’prej kuri është larg prej idesë së “drejtëpërdrejtë” të kinematografisë politike. "Sot duhet të dish të përcjellësh emocionet pa asnjë element provokimi, – thotë ai.  – Kamera nuk është automat dhe nuk ia vlen ta përdorësh me një të tillë cilësi".

Duke ekranizuar romanin e Pol Boullzit "Nën mbulojën e qiejve" (1990), Bertoluçi fiton një qetësi të palëkundshme dhe harmoninë e përkryer nën forcën shpërthyese të pasioneve. Ky është një fil kryevepër i "psikologjizmit optik", i qartë deri në haluçinacion, si mirazhi i shkretëtirës marokene, të jep të ndjesh gjithë thellësinë e shembjes së ndërgjegjies që ka humbur nga kontakti i drejtpërdrejtë i realitetit. Jo vetëm realitetit natyror, fizik, por edhe realitetit të ndjesive. I përpirë prej humnerës pasqyrë të reflekseve, njeriu bashkëkohor nuk është i aftë të dashurojë. Dhe ai sërish e përfton këtë aftësi, veçse duke shkuar puqazi në kufi me vdekjen dhe barbaren, përtej kufijve të civilizimit, “tjetërqenies". Kështu qeveris Bertoluçi me heronjtë e tij – turistët mendjelehtë, kështu qeveris me ta jeta, kështu qeveris me ta Lindja arabe. Në këtë sferë kufijtare-ekzistenciale, dhe vetëm në të, mund të bëhet i arritshëm vetidentifikimi i dëshirave, instikteve, seksit. Bertoluçi pa mëshirë dhe gjakftohtë rrëfen gjithçka që ka njohur arti mbi njeriun, duke preferuar, megjithatë, rrudhjen e iluzioneve të tij.

Mundësi dhe kusht i ekzistencës artistike për Bertoluçin ç’prej kohësh ka qenë udhëtimi. Por jo i tillë, sikundër kryejnë heronjtë e tij "Nën mbulojën e qiejve". Vetëm në fillim udhëtimi qe për të arrati – arrati prej shterrjes së problematikës italiane. Mandej atë e pushtoi ideja të bëjë një film super të preferuar për tregun ndërkombëtar: si dramë personale përjetohej fakti që shikuesi pushoi së shikuari më kinema evropiane. Regjizori rezikoi të bashkojë në  "Perandorin e fundit" spektaklin e kostumizuar efektuoz me parabolën filozofike për ç’gjë dhe Hollivudi i pagoi një koleksion të tërë “Oskarësh”.

Mënjëherë u lëshuan akuzat për kompromise. Madje jo vetëm ideologët e Hollivudit por edhe ata kinezë. Duke marrë leje për të xhirruar "qytetin e mbyllur", vend në të cilin pushtetarët kinezë nuk i lejojnë të huajt, Bertoluçi me vetëdije iu shmang koklavitjeve politike. Ai nuk deshi të demaskojë as perandorin, as revolucionarët që linçuan, as ushtrinë sovjetike që e morën robër dhe i dorëzuan në duart e pushtetarëve të rinj. Regjizori i kishte bërë llogaritë se arritja e Lindjes prej evropianëve kishte qenë gjithnjë e sipërfaqshme. Dhë bëri gjithçka që të shkëputej nga “paragjykimet perëndimore”. Ai i shmangej madje edhe detajeve të imëta: si, për shembull, kinezi hyn në shtëpi sapo tyë ketë mbaruar së tymosuri cigaren. Atë e mahniste pandërprerje ndjesia se njerëzit këtu përherë buzëqeshin. Ai e kërkoi enigmën e kësaj buzëqeshje, jo më pak të mistershme se ajo e Xhokondës.

Vetë Bertoluçi e konsideron arratinë e tij dialektikisht: "Unë ika dhe i kalova vitet 80-të në kërkim të shoqërive dhe kulturave që ishin ende të afta të prodhonin kinematografi, – ato ishin Kina, India, Nepali, bota arabe. Ndofta dhe Turqia. E megjithatë kinemaja është pasqyrë e atij vendi ku ti ke lindur. “Perandori i fundit” – është filmi im më italian. Vetëm pas nëntë “oskareve” e kam ndjerë veten sërish italian”

Porse kjo ngjau, më gjasë, shumë vonë – kur prestigji i kinemasë italiane ra ndjeshëm. Kinematografia e madhe ja, ka tash çerek shekulli që nuk jep më filma të mëdhenj. Ajo gjallon veçse në memuaristikën sentimentale dhe arkivat hollivudianë, në jehonën e “Italisë së vogël” nga filmat e Kopolës dhe Skorsës.

Kur i dhanë “Oskarin” e nderit Felinit, Xhulieta Mazina qau; u përlot edhe Sofia Loren që kishte marrë çmim. Kjo koloni e vockël italiane njerëzish të shquar në sallën hollivudiane të gramurit dukej provinciale. Sa i shkon kinematografit bashkëkohor gjithçka që tingëllon jo në gjuhën angleze. S’ka pak që në Hollivud nderuan Roberto Beninin – komikun e gjeneratës së re, të cilit tashmë i është caktuar të mishërojë imazhin e përgjithshëm të italianit – llafazan, të marrosur dashurie, qesharak dhe në thelb mjaft të mjerë.

Italianët, tragjikisht pasionantë, njëri pas tjetrit ikën në botën tjetër – Viskonti, Pazolini, Roselini dhe, së fundi, Felini. Pothuajse nuk kanë mbetur më mjeshtra të komedisë së vjetër italiane. I pafuqishmi dhe i shurdhëti Antonjioni duket si një fenomen i shkëputur jetgjatësie.

Bertoluçi u shtrëngua të distancohej prej atdheut edhe për të ruajtur imazhin e vet në një epokë përplot devalvacione. Ai tanimë, me gruan e vet inglize dhe vëllanë e saj, dramaturgun Mark Pellou, bashkëautorin letrar të Bertoluçit, i përket, si me thënë, kolonisë anglishtfolëse në itali – të ngjashme me atë, të cilën ai e ka paraqitur në filmin “Bukuria që rrëshqet”. Ai është i veti në mes të huajsh, dhe i huaj në mes të vetëve.

Pas vdekjes së mjeshtërve të mëdhenj të kinemasë italiane Bertoluçi përftoi vetë statusin e patriarkut, perandorit të fundit të kinoperandorisë jetime evropiane. Çdo filmi të tij të ri , duket se nuk i mbetet më asgjë e re për të qenë ngjarje. Por kjo është veçse në dukje.

Një tjetër supergjigand "Budda i vogël", xhiruar nën egidën e kinokompanisë Ciby 2000, u bë dështimi më i hatashëm i regjizorit për gjithë jetën. Ky film ia mori erzin. Dhe megjithëse Bertoluçi nuk pajtohet me vështirësit, kundërveprimi i buddistëve ortodoksalë në xhirrimet e këtij filmi doli me të vërtetë i mallëkuar.

Diç edhe e prisnim, por këtë nuk e prisnim prej tij: që jeta e Budës do të traktohet si një komiks, si videoklip – dhe e gjitha për hir të asaj që të joshë publikun rinor. Jo mëkot prindërit e fëmijës, në të cilën u reinkarnua (rimishërua) shpirti i Lamës së vdekur tibetian, shndrijnë të pastruar nga llomi i jetës së përditshme dhe u vezullin buzëqeshja me tridhjetë e dy dhëmbë, si në personazhet e operave naive. Jo mëkot princin mitik Sid’hartën, të njohur botërisht si mishërimin e Budës e luan Kian Rivz – symbol biseksual i Hollivudit të ri, të cilin gjatë kohës së xhirimeve në Nepal  e gjuanin vashat e djemoçat e rinj vendas.
 Llogaria e bërë mbi shikuesit e patundueshëm nuk u justifikua: ata e kuptuan pa u gabuar falsitetin dhe i kthyen shpinën. Bertoluçi nuk qe i suksesshëm edhe në një qëllim tjetër të tij, në të cilin i rrente mendja. Ndjehet se edhe atij ia kandej të besonte në forcën magjike të budizmit. Gjatë kohës së teledebateve ai deklaroi, vërtet, se nuk beson në rimishërimin e shpirtrave. Porse e kundërshtoi menjëherë njëri prej pjesmarrësve të shout që u betohej të gjithëve se një grua që qe ulur në rradhën e dytë – ishte rimishërimi i nënës së tij të ndjerë.

"Buda i vogël" përmbyll ciklin shumëvjetor të bashkëpunimit të Bertoluçit me Vittorio Storaron: pas këtij filmi ai vendosi të bëjë pushim. Poet dhe filozof i dritëhijes edhe kësaj here ai i nginji kuadret e filmit me meditimet e tij vizuale. Ndjeshmëria e kamerave dhe fiksimi me kamer i fakturës së gjallë na ndërmend Bertoluçin e parë. Por vetëm na ndërmend, si havjari sintetik, havjarin e vërtetë.

Duke parë "Budën e vogël", është e pamundur të mos vrasësh mendjen se si do ta kishin bërë vallë këtë mit Viskonti apo Pazolini (nën ndikimin e fortë të të cilëve qe formuar Bertoluçi), nëse do të kishin qena gjallë ata. Ndofta konteksti kulturor do të kishte qenë më i gjerë, ndërsa nënteksti më i thellë. Po edhe vetë Bertoluçi i njëzet vjetëve më parë do mund të kish realizuar një film krejt tjetër. Do të thotë vallë kjo që kinemasë prestigjioze evropiane i është lënë të zgjedhë në të mirë të stilit të skicës didaktike? Kjo mbase shpreh përpjekjen e të menduarit pozitiv në fund të mijëvjeçarit të dytë të erës kristiane. Kërkimi i lirisë individuale doli aq tragjike, sakur edhe eksperimentet kolektive. Evropa don të zgjojë në vetvete naivitetin e fëmijës. Nuk ka më kinematografë, Brenda të cilit të mund të ekzistonjnë klasikët dhe hierarkitë në kuptimin e mëparshëm të fjalës. Është thellësisht simbolike që në prag të qindvjetorit të kinematografisë iku nga jeta Felini, me emrin e të cilit është e lidhur mitologjia e krijimtarisë autoriale të ekranit. Cifël e ndritshme, porse e pakuptimtë e më të mbramit – mbetet Godari. Dhe megjithëse optimistët betohen që në kinotortën jubilare duhet të digjen jo 100, porse vetëm 1 qiri (për qindvjetorin e parë!), e ardhmja e artit ekranor përfytyrohet i ndryshëm prej asaj, të cilën deri para pak kohësh e përfytyronin kinomaniakët.
Ndofta tanimë kinematografia kurrëqysh s’ka për të qenë  art, porse iluzion i konstruktuar, produkt specifik i realitetit virtual. Bertoluçi nuk do t’i nënshtrohet kësaj, por as mundet ta injorojë atë. Ai sot më shumë se kurrë është “tjetër”. Në të kaluarën ka mbetur një riosh i mahnitur, poet dhe bir poeti, terrorist intelektual, shpartallues i moralit të vjetër. Tani Bertoluçi, i cili në vitin 2002 mbush 62-vjetorin e tij – është një mondan ideal, mjeshtër i rafinuar.

Ata që e njohin nga afër Bertoluçin dëshmojnë se ai është në masën e duhur i rregullt dhe i vëmendshëm, në kundërshti me profesionin e tij, nuk është autoritar, ndërsa dobësia e tij e vogël është të jetë – paksa “lart” mbi të tjerët. Ai mund t’ia lejojë vetes këtë. Bertoluçi me humbje minimale i mbijetoi jo vetëm krizës së moshës së mesme, porse dhe krizës së një epoke të tërë. Ai e reduktoi ekstremizmin e iluzioneve, nxorri në plan të parë punën e vështirë për harmonizimin e personalitetit dhe kulturës.

0

1. PSE ARSHI PIPA DHE FARË PËRFAQËSON

Dikur Martin Camaj shkruante se “Shqipëria do të jetë vërtet e lirë, vetëm atëherë kur shqiptarët do të kenë mundësi të lexojnë, të studiojnë dhe të lexojnë veprat e shkrimtarëve të tillë të mëdhenj si Arshi Pipa”. Gjithkushi mund ta receptojë dhe të ndërtojë meditimin e vet si të dojë mbi këtë test të Camajt për një shkrimtar shqiptar. Por për mua fjalët e Camajt janë një kut matës i perceptimeve që ndërton shoqëria ndaj shkrimtarit të vet dhe, së këndejmi, vihet në provë një e vërtetë më e madhe: a i duhen shoqërisë shkrimtarët dhe çfarë roli luan shkrimtari në psiken dhe konstruktin moral e shpirtëror të shoqërisë, së cilës i drejtohet.

Arshi Pipa përbën një ndër rastet e rralla, madje për çdo kulturë të madhe, që me një pesonalitet të gjithanshëm kulturor preku njëkohësisht disa sfera të saj. Në rastin e Pipës, ai preku sferat më të ndjeshme të shkencës e letërsisë sonë siç janë Historia e Letërsisë, Studimet kritike dhe kritika e tekstit, filozofia, gjuhësia, përkthimi artistik e politologjia. Gjithashtu, Pipa përbën rastin ndoshta më ekstrem të mohimit, dëbimit dhe refuzimit jo vetëm gjatë kohës së komunizmit, por dhe më pas, gjer sot e kësaj dite. Pipën e kanë frikë ende dakademikët shqiptar. Është një urrejtje e vjetër klasore, e inferiorit ndaj superiorit, e të përkohshmit ndaj të përjetshmit. Në linjën zyrtare, që për fat të keq e përfaqëson Akademia e Shkencave, Pipa vazhdon të refuzohet njëlloj si në kohën e Enver Hoxhës. 

Përballë Historisë së Letërsisë shqipe (përballë Historive ekzistuese të deritashme të Letërsisë shqipe) dhe historianëve të saj, Arshi Pipa gjendet dyfish i përjashtuar, me dy statuse: njëherë si studiues dhe kontribues në formësimin e një mendimi dhe premise për shkencën e Historisë së Letërsisë, dhe njëherë tjetër – i përjashtuar si autor i kësaj letërsie. Si kontribues i shkencës së Historisë së Letërsisë shqipe, Pipa ndjehet edhe tash që po flasim i përjashtuar, për shkakun e njohur, se kjo shkencë ende nuk e ka përfillur të kontributin më serioz e shkencor që paraqesin veprat e tij, si ato të natyrës së kritikës së tekstit me autorë e vepra të veçanta që nga fundi i viteve ’30, ashtu dhe me trilogjinë e tij të famshme “Albanica”: “Letërsia shqiptare: perspektivat e saj sociale”.

Asnjë nga veprat shkencore të Pipës nuk u përfill si dje, për shkaqe të njohura të shkencës zyrtare komuniste, si sot, për shkaqe të panjohura, ose të mefshtësisë intelektuale e institucionale në botën tonë shkencore-filologjike. Ndërkaq, duhet thënë se ky përjashtim nuk ka qenë i ndërsjelltë. Pipa nuk ka qenë asnjëherë indiferent për zhvillimet procesuale të letërsisë shqiptare dhe shkencave letrare, veçanërisht ndaj Historisë së Letërsisë. Përndryshe interesimi dhe, më së mbrami, punimet e tij konkrete në këtë lëmë, tregojnë për një vëmendje dhe pritje të përhershme, me të cilën i ndiqte ai zhvillimet letraro-filologjike. Arshi Pipa nuk e pa të arsyeshme të shkruante një Histori të Letërsisë, megjithëse aftësitë nuk i mungonin.

Contemporary Albanian Literature (1991) nuk është mirëfilli një Histori Letërsie. Nuk mund të mendohet se nuk qe i vetëdijshëm për mungesën dhe mangësitë. Në parathënien e Albanian Literature: Social Perspectives, ai shprehet: “Asnjë nuk është e kënaqshme. Më e mira prej tyre, Historia e Letërsisë Shqipe (1959-1960) botim dyvëllimësh me autorë kolektivë, është informative, por e njëanshme dhe me boshllëqe” 2. Prezantimi i Letërsisë Shqipe në botimet akademike dhe enciklopeditë3 dëshmojnë për një konfigurim të qartë të vështrimit të Letërsisë Shqipe në thellësi dhe gjerësi. Ndërsa vepra Trilogjia Albanica  dëshmon për metodikën bazë të këtij studimi.  E botuar më 1978 ajo na vjen vonë ne lexuesve shqiptarë, aq më tepër që ajo është ende e papërkthyer.

Një arsye tjetër pse e zgjodhëm për  ta propozuar Pipën si autor antologjish është, se letërsia që shkroi dhe botoi ai, përbën, së paku, një dëshmi faktike, të botuar, të asaj letërsie artistike që quhet disidente, ose më saktë, disidenca letrare. Meqë vazhdimisht është mohuar ekzistenca e saj në Shqipëri, atëherë libri voluminoz i Arshi Pipës me poezi "Libri i burgut" (Romë 1959) i mbyll gojën njëherë e mirë këtij mohimi.

2. “KANALI” – UNIKALITETI I ARTIT

Në kapitullin IV të vëllimit "Libri i Burgut", kemi poemën "Kanali", që përjetëson tmerret e  Kampit të Vloçishtit, Korçë, (Korrik B nanduer, 1948). Në këtë kapitull është përfshirë cikli prej njëzet e katër soneteve me titull të përbashkët “Kanali” dhe një sonet me titull “Tingëllim i këputun”. Ky cikël paraqet një tërësi unike tematike dhe artistike, të papërsëritshme në poezinë shqipe. "Është një sketerrë më e tmerrshme sesa Ferri i Dantes, sepse ky është ferri i njerëzve të pafajshëm e jo i mëkatarëve. Është materia e Parajsës e transplantuar në Ferr”, ka shkruar shkrimtari Rudolf Marku.

Poeti Arshi Pipa në shënimet me të cilat e ka shoqëruar vëllimin “Libri  burgut”, lidhur me ciklin “Kanali” ka lënë këtë dëshmi: “Ato u shkruejtën gjatë intervalit të ndenjës sime në Spitalin e Korçës dhe në burgun e Korçës.5” Autori i kësaj kumtesë ka patur rastin t`i shohë vetë këto poezi, të shkruara në origjinalin prej letër cigareje. Pra, ky cikël i jashtëzakonshëm i soneteve të Arshi Pipës, është shkruar pothuajse me një frymë, ngase, siç pohon Pipa periudha e “pushimit” në spital zakonisht ishte e shkurtër dhe pasonte rikthimi në punën  e rëndë në kamp. Nga kjo pikëpmaje, pra nga rrethanat në të cilat krijoi poeti, ai mbase mund të krahasohet me Dante Aligierin, i cili një pjesë të “Komedisë Hyjnore”6 e pati krijuar në shpellë, ku qe fshehur, për të shpëtuar nga ekzekutimi i dënimit me vdekje, që i ishte shqiptuar nga kundërshtarët politikë.

Cikli i soneteve “Kanali” është një rrëfim poetik tronditës dhe i nuancuar me detaje të shumta, për jetën e të burgosurve në burgjet dhe në kampet e punës në periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri. Në secilën njësi sonetike shpaloset një pikturë e jetës së këtyre njerëzve në zgripc të ekzistimit, në vorbullin e rrëmbyeshëm të vuajtjeve e të torturave të tmerrshme. Këta njerëz janë shumë (1300 -1600 vetë), edhe kolektivitet i gjendur në një fatkeqësi të përbashkët, po edhe individë konkretë, të cilët goditen nga fati i keq. Arshi Pipa ka lënë edhe shënime të shumta në fund të poemës, si prova dëshmie lidhur me ngjarjet që përshkruan në sonete, duke përmendur edhe vende, ngjarje e emra njerëzish, si viktima po edhe si ekzekutorë të dhunës së shfrenuar. Këto shënime mund të sqaronin mjaft receptimin artistik të veprës, duke e bërë këtë poemë një vepëri të jashtëzakonshme në tërësinë e saj dokumentare dhe artistike.

Që në sonetin e parë të ciklit “Kanali”, Arshi Pipa ka pikturuar ( po të huazojmë e ta modifikojmë një shprehje të tij nga shënimet përcjellëse), gjendjen e të burgosurve në barrakën ku nuk kishte as kushte elementare të jetës, po ku ata jetonin dhe luftonin për t’i shpëtuar shfarosjes. Vuajtja e njerëzve të lodhur e të drobitur nga puna e rëndë e nga kushtet e këqia atmosferike e të strehimit, sëmundja vdekjerurëse që herr njerëzit, pastaj degradimi moral i disave, në kushtet e skëterrshme të jetës, dhe dhuna që ushtrohet mbi ta nga njerëzit e pushtetit, madje harxhimi i të gjitha energjive dhe përpjekja për të shpëtuar nga shfarosja, janë kuadri i kësaj pikture tronditëse poetike:

Nga Korça bumbullon. Currila shiu
Rrjedhin prej mushamas mbi krena e shtroje.
Pështillen, struken gjindja ndër mbuloje:
Një lamsh ku qelben recka e mish njeriu.

Mbramje. Dikush përbri qet gjak për goje.
Këndon letas mbatanë nji fmi arixhiu.
Ky grindet për pak uj qi shoku i piu:
Ai shan se i vodhën bukën. Hin nji roje.

Shkopinj e shqelma. Britma. Frin bilbili.
Pushim. E dergjet lodhja, pranë secili,
E flen kush mundet për atë natë me fjetë.

Si lazaret rënkon e fshan baraka.
Nesër të gjithë i pret kanali, brraka,
Veç atyne qi pret një vorr i shkretë.

Përgjatë gjithë soneteve kalojnë gjendjet e makthit, torturës, dhunës, varrosjes për së gjallë në llucën e kanalit, një zhaurimë mortore e rrahjes e sakatimit të të burgosurve që ndërtojnë veprat e mëdha të socializmit nën dhunën ekstreme të policëve. Vloçishtë është një variant shqiptar i holokaustit nazist apo i Gulakut dhe Kolimës ruse. Tematizimi kaq identik i këtyre gjendjeve të dhembshme të degradimit të njeriut, është rezultat i përvojës së njëjtë, ndërmjet Pipës e Shallamovit. Këtu edhe mund të kuptohet çështja e ndikimit të përvojave personale në krijimin e veprave me tematika të afërta ose edhe të ngjashme, që nuk janë rrjedhojë e ndikimeve direkte të një autori te tjetri.    

Pas gjithë atyre mundimeve, pas gjithë atyre torturave të përjetuara, sërish poeti dhe njeriu Arshi Pipa është shumë racional, gjakftohtë dhe njerëzor. Ai  nuk shqipton ndonjë urrejtje iracionale dhe as kërkon ndonjë hakmarrje. Ai vetëm kërkon që torturuesit e tij dhe të shokëve të tij, te emërtohen me çfarëdo emri tjetër, po jo me emrin shqiptarë, sepse këtë emër ai e do të pastër, të pa asnjë njollë. Dhe si kurorë e këtij ligjërimi të dhembshëm, por gjithnjë të kthjellët, është soneti i XIV, në të cilin poeti i thur një lavdi forcës së besimit të njeriut. Ai argumenton se “besimi i ngultë, forca e shkakut” i ka ndihmuar atij dhe disa të tjerëve që të mbijetojnë në ato kushte , për të cilat shkenca nuk ka përgjigje se si është e mundur të shpëtojë njeriu. Pas argumetnimit të shpëtimit me forcën e besimit në veten, Pipa shpalos besimin  në atdheun, në të ardhmen e tij:

Se nuk dyshuem na kurr qi shpejt a vonë
Nga tyranija e randë atdheu do t’ shkundesh,
Dhe si nji perlë e nxjerrun thellë prej fundesh

Ma e bukur do t’ shkëlqente besa jonë.
Vuej por qëndro! Merr zemër te burrnija!
E vdis tue brohoritun: Rroftë Shqipnija!8       

Kështu, përmbledhja  e fijeve kryesore të ideve poetike të kësaj kryevepre të Arshi Pipës, bëhet me poteza të shpejtë, në disa vargje gjithsej. Poeti thotë se nuk është dyshuar se tirania do të shkundej dhe se atdheu sërish do të dilte në dritën e lirisë, se besa për të qëndruar do të shkëlqente atëherë më shumë se kurrë, se vuatja duhej të mundej nga qëndresa dhe se forca e ka burimin  te burrnija dhe mbi të gjitha, si një formulë e përjetshme poetike dhe atdhetare, njeriu shqiptar duhet të vdesë duke brohoritur “ Rroftë Shqipnija”. Pra, një urim dhe një urdhër i përjetshëm i zemrës dhe shpirtit të çdo atdhetari të pamposhur.

3. ARSHI PIPA DHE VEPRA E TIJ

Arshi Pipa është lindur në Shkodër, Shqipëri, në 1920. Pas diplomimit në liceun shtetëror të Shkodrës, (Ndarje Klasike) në 1938 studioi filozofi në Universitetin e Firences. Disertacioni i tij, “Morali dhe feja në Bergson” (E. P. Lamanna, kosultant), mbaroi në 1942 dhe mori gradën e doktorit në filozofi. Në 1941-shin, u emërua mësues filozofie në liceun shtetëror të Tiranës. Në atë kohë jepte mësim në licetë shtetërorë të Shkodrës dhe Tiranës, 1942-44. Pas luftës, ishte mësues i italishtes dhe shqipes në kolegjin e mësueseve në Tiranë. Në Prill 1946, u arrestua, për shkak të kundërshtimit të tij për të vepruar në përputhje me politikën e regjimit shqiptar. Dokumentimi i dhjetë viteve (1946-56), i kaluar në burgjet dhe në kampet e punës së detyruar, gjendet në “Libri i burgut” (Prison notebook,1959). Në 1957-ën u arratis për në Jugoslavi, ku jetoi si refugjat për vite.

Gjatë asaj periudhe, përktheu në shqip përzgjedhje nga poezia lirike latine (250 faqe), me përkthime, me kapituj mbi metrikat dhe shënime) Emigroi në Shtetet e Bashkuara në 1958-ën. Emërimi i tij i parë ishte në kolegjin, Philander Smith, Little Rock, Arkansas, ku jepte mësim filozofinë (1960). Gjatë vitit akademik pasues, drejtoi departamentin e gjuhës italiane në universitetin e qytetit të Xhorxhias, shkolla e gjuhëve dhe gjuhësisë dhe gjithashtu jepte mësim filozofi, në kolegjin e arteve të lira (verë, ’61, dhe ’62). Ishte pedagog i gjuhës italiane në universitetin Kolumbias në vitet 1961-62, dhe profesor asistent i gjuhës italiane në universitetin e Delfit, Garden City, vitet pasuese gjatë të cilave ai gjithashtu jepte mësim tema filozofike në kolegjin Adelphi Suffolk. Nga viti 1963-66, ishte profesor asistent (Profesor asistent i perkohshem në vitet 1963-64 ), në departamentin e gjuhës italiane në universitetin Kalifornisë, Berkli.

Atje jepte mësim kurseve të letërsisë moderne italiane dhe seminaret e kritikës letrare, (De Sanctis, 1963, Croce, 1964, Vico,1965 ), aq mirë sa dhe në gjuhën shqipe, letërsi dhe folklor, ( 1965 ), Në vitin 1966, drejtoi disertacionet PhD. Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minesotës dhe Mineapolis, në fillim si profesor shoqërues ( 1966-69 ), dhe më pas si profesor i gjuhës Italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane, ( Departamenti i gjuhëve Romane gjatë vitit 1968 ). U bë pjestar i UM, si anëtar i zotuar, dhe shërbente si mbështetës në ndarjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane. Programi për gradat e Master-it u themelua në vitin 1968, ndërkohë ai ishte drejtues i gradimeve studimore në gjuhën italiane. Temë-diplomat për master dhe disertacionet e PhD, u shkruan nën drejtimin e tij.

I ka dhënë mësim kurseve të padiplomuara të gjuhëve, të ndara në kurse të ulët dhe të larta, kurseve të qytetërimit dhe kulturës ( gjithashtu në Anglisht ) dhe, në veçanti, kurseve të padiplomuara për shkrimtarët e mëdhenj, ( Dante, Boccaccio, Manzoni, Leopardi ), zhanre ( Poezinë kalorsiake. Letërsinë Utopike ), dhe temat krahasuese (Marksizmi dhe Ekzistencializmi në tregim dhe dramë ), përfshi seminaret ( Ungaretti dhe Montale, Vico dhe Croce ). I U ka dhënë gjithashtu mësim sëbashku, kurseve të diplomuara të gjuhëve Frënge dhe Italiane, ( Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinë Italiane ), duke pasuar me themelimin e programeve të Master-it në gjuhët Frënge dhe Italiane ( 1970 ), të ndërtuar përmes nismës së tij. Publikimet dhe referatet e tij shkencore ( në Anglisht, Italisht, Frengjisht dhe Shqip ), janë në: (a) poezi; (b) estetikë dhe filozofi; (c) kritikë letrare.

Në poezi kemi katër volume me vjersha në Shqip: Lundëtarë ( Sailors, 1944 ), Libri i burgut ( Prison Notebook, 1959 ), Rusha ( 1968 ), dhe Meridiana ( 1959 ); Në Estetikë dhe Filozofi kemi artikuj të ndryshëm dhe shumë referate shkencore, ( disa prej tyre janë mbajtur në konferenca të huaja dhe kongrese ndërkombëtare në Amsterdam, Londër, Uppsala, Palermo, Venecia; Në kritikë letrare puna e tij ka lidhje me letërsinë Italiane, po aq sa dhe me atë Italo-Shqiptare dhe me letërsinë dhe kulturën Shqiptare. Shkrimet e tij në letërsinë italiane janë më shumë në fushën e specializimit të tij, letërsi bashkëkohore (Montale dhe Ungaretti në veçanti ). Ka botuar gjithashtu artikuj mbi Danten, De Sanctis, Manzoni dhe Moravia. Monografia e tij “Montale dhe Dante” (1968 ), ka patur dhe një botim në italishte, “Montale e Dante” (1975 ). Artikujt, reçencat dhe kritikat e tij janë botuar në “Italica”, “Italian Quarterly”, “The Romanic Revieë”, “Comparative Literature”, “Books Abroad”, “Belfagor”, “Le ragioni critiche”; “Revue de litterature comparée”, “Revue des études italiennes”. Artikuj dhe revista mbi Italo- Shqiptarët si edhe letërsinë dhe kulturën Shqiptare, i ka botuar në: “Südost- Forschungen”, “Zeitschrift für Balkanologie”; “Comparative literature studies”, “Books Abroad”, “Rivista di letterature moderne e comparate”, “Mondo operaio”, “Revue des études sud-est européennes”. Rezultati i kërkimeve të tij mbi Italo- Shqiptarët si edhe kulturën dhe letërsinë Shqiptare janë “Trilogia Albanica ( 1978 )”, e cila përbëhet nga tre libra: "Vargu popullor shqiptar: Struktura dhe zhanri i tij", "Jeronim De Rada”, "Letërsia Shqiptare: Perspektivat sociale." (për një paraqitje më të detajuar mbi punën studimore të Pipës shih shënimet në fund të shkrimit )

Përfaqësimi i krijimtarisë së Arshi Pipës në antologjitë shkollore/universitare me ciklin poemik "Kanali" ilustron, njëherësh, jo vetëm modelin e tij si artist i pathueshëm, por edhe shkallën më të lartë të artit poetik që u shkrua si përjetim i drejtpërdrejtë nga puna në kampet shfarosëse të komunizmit. Në këtë kutim, Arshi Pipa ka për letërsinë shqiptare të njëjtën rëndësi që kanë Aleksandër Sollzhenicini dhe Varllam Shallamovi për letërsinë ruse.
 

————————————

1- PIPA, Arshi. Contemporary Albanian Literature. East European Monographs, no. 305. Boulder. Distributed by Columbia University Press. 1991. (175 fq.)
2- PIPA, Arshi. Albanian Literature : Social Perspectives (Trilogia Albanica III) Albanische Forschungen 19. Trofenik: Munich, 1978 shënimi 1, fq.7.
3-PREMINGER, Alex. (ed.) BROGAN, T.V.F. ËAMKE, FrankY.; HARDISON, O. B. Jr. and MINER, Earl assoc. Editors: The Neë Princeton Encyclopedia of Poetry and Poetics, ed. by and. Princeton University Press, N. York, 1980 fq.27-28
BÉDÉ, Jean – Albert and EDGERTON,Ëilliam B. Columbia Dictionary of Modern European Literature. Second edition, fully revised and enlarged. Columbia University Press. N. York, 1980 (first edition 1947) Albanian Literature, Fq. 12-13 ; 252-53 ; 535
THEMSON, S. (ed.) Harvard Encyclopedia of American Ethnic Groups, (albanians). Harvard University Press : Cambridge Mass., 1980 ( në bashkëpunim me Peter Priftin.) fq. 23-28
ËINNER, J & ËINNER SCHENKMAN, Th. (eds.) The Peasant and the City in Eastern Europe (The Peasant in Contemporary Albanian Literature), Cambridge, Mass., 1984 (219-36)
BONNEFOY, Yves (ed .) Dictionnaire des Mythologies. Flammarion, Paris 1981. V. I, fq. 5-7
4-Vepra përfshin, siç shprehet autori në parathënie, tre libra: Albanian Folk Verse: Structure and Genre (Trilogia Albanica I) Albanische Forschungen 17. Trofenik: Munich,1978 (191 fq) Hieronimus de Rada (Trilogia Albanica II) Albanische Forschungen 18. Trofenik: Munich, 1978 (319 fq.) Albanian Literature : Social Perspectives (Trilogia Albanica III) Albanische Forschungen 19. Trofenik: Munich, 1978 (292 fq.), prandaj u quajt Trilogia Albanica. Shih parathënien e librit të parë, fq. 9.
5- Po aty, fq. 433.
6- Në këtë syth, jemi mbështetur në shumë të dhëna e gjykime nga libri i çmuar i z. Milazim Krasniqi "Soneti në poezinë shqipe", Pen-Qendra e Kosovës, Prishtinë 2006
7- Po aty, fq. 295.
8- Po aty, fq. 318.

 

4

1

Një njeri si unë, që ka parë e përjetuar kohërat më të neveritshme, sikundër ka qenë adoleshenca dhe një pjesë e rinisë nën diktaturën komuniste, – them se ia din vlerën lirisë.

Një njeri si unë, i mohuar në dëshirat më thelbësore e më personale në komunizëm, e di ç`do të thotë të jesh i mohuar dhe i refuzuar, e për më tepër, i mallkuar, sikundër na dukej atëherë, gjithësia e përjetësia e rreme komuniste. Një njeri si unë, përpiqet ta administrojë lirinë që ka dhe të mos ua mohojë atë të tjerëve, të bindjeve e identiteteve të ndryshme dhe kjo është thebësore, po kaq thelbësore, sakundër mbrojtja e lirive të tua. Por liritë janë lehtësisht të cënueshme, të kompromentueshme e sidomos të keqkuptueshme. Na duhet pra, sërish e sërish të japim sqarime mbi keqkuptimet, me qëllim që të jemi të qartë, që mënyra se si e administroj unë lirinë time, të mos ekslipsojë e të mos lëndojë lirinë e të tjerëve. Dhe anasjelltas, natyrisht.

Të ishte kaq e thjeshtë! Sepse liritë e shprehjes së mendimit krijojnë pashmangshëm keqkuptime, të cilat nuk i bëjnë mirë as atyrë që e ndjenë veten të lënduar, as atij që i shpreh, e sidomos, kur fjala është për kulturën e peticioneve. Më e mira do të kishte qenë të mos përziheshe në ujrat e turbullta të peticioneve. Por ja që ndodh dhe menjëherë, keqkuptimi që e kemi gratis në Shqipëri, të detyron të shpjegohesh.

Fjala është për peticionin që nënshkruajta bashkë me dhjetra intelektualë për "Mbrojtjen e vlerave tradicionale të familljes". Nuk vonoi dhe për ditë me radhë u dyndën shkrime, qëndrime e vënie para akuzash, për "intolerancë", "prmitivizëm" e mungesë "emancipimi", shumica sosh duke m`i dërguar në adresat e mia personale, fb, e madje me telefonata. Arsyeja? Të zeherosurit nga nënshkrimi i peticionit pretendojne se me ky peticion "cënon liritë e homoseksualëve, gay-ve, LGBT" etj. Sikur të ishte shtruar kështu pyetja e pjesëmarrjes në një peticion publik, sigurisht që do mendohesha mirë. Por vullneti im ka qenë, ashtu sikundur u shtrua çështja, për Familjen, për Familjen tradicionale që ka qenë, është e shpresoj se ka për të mbetur shtylla themelore e më e rëndësishme e një shoqërie.

Tjetër punë se media me skupe e tituj redaksish e përqendroi vektorin e këtij peticioni drejt homoseksualëve, propagandës së gay-ve mbi modelin e familjes alternative etj, etj. Por firma ime e vetëdijshme në atë peticion, paskësh prishur e thartuar shumë turinj. Madje një sosh, femër, me aktivitet botues në Shqipëri dhe Kosovë, gjeti këto ditë një mënyrë shumë të çuditshme të shprehjes së indinjatës ndaj meje, duke hequr demonstrativisht  nga botimi një parathënien time për një librër me poezi të një poetje të re shumë të talentuar, me arsyetimin se "nuk pranoj të botoj një gjoja intelektual, intolerant ndaj homoseksualëve". Sigurisht poetja e re, M. B, reagon dhe i vë kusht botues F. B, që "në rast se ju e hiqni nga libri im parathënien e prof. Agronit, atëherë ky është cënim flagrant i lirisë së tij, i lirisë sime dhe i lirive në përgjithësi. Atëherë nuk keni pse e botoni fare librin tim".

Botuesja F. B me aktivitet midis botës shqiptare e gjermane, e gjendur përballë kësaj sfide, tërhiqet, por ama, tinëzisht, e boton librin pa parathënien, si fakt të kryer, duke u justifikuar se gjoja, "kështu vendosi bordoi". "E kush ishte ky bordi"? – e pyeta autoren e nevrikosur të librit, që e njihte mirë strukturën e kësaj shtëpie "sabotuese". – "Pa ja, një është ajo vetë… tjetri është bashkëshorti i saj! Kaq është "bordi"…

2

Çështjes se kush apo çfarë e rrezikon familjen, mund t`i përgjigjesh në forma konkrete e të larmishme, qofshin këto fenomene sociale, sekte, tendenca revolucionare apo doktrrina social-ideologjike, sikundërse dhe shfaqet e tmerrshme e të bollshme të dhunës së vetë prindërve, bashkëshortëve dhe fëmijëve në familje. "Perversioni" apo "Sodoma e Gomorra" që gjenden në tekstin e peticionit është gjithashtu një shenjues i gjerë për kah realet shpesh të kamufluara që futen në jetën dhe psikikën e fëmijëve. Ja një shembull i thjeshtë:

Po punoja në studion time. Nga dera gjysmë e hapur dëgjoja zërin e ngritur të televizorit ku 4 fëmijët e mi po ndiqnin një film me zana në "Beng-beng". Po më shqetësonte fort një muzikë e përshpejtuar me ritmin e 3/4 që shoqërohej me rrënkime të zgjatura e ofshama aq diskrete, sa mendova se fëmijët kanë lëvizur pultin dhe po shohin ndonjë film pornografik. Ashiqare… ishin ritmet që shoqërojnë aktin seksual. Për habinë time, në ekran ishte një dyluftimi i një zane me një përbindësh dhe ofshamat e zgjatura fëmërore dilnin nga përpjekjet e zanës për t`i rezistuar përbindëshit…
3

Një ndër gjërat që më shqetëson, si njeri privat, me botëkuptim të djathtë, është fati i Familjes shqiptare. Dhe besoj se botëkuptimi nuk diskutohet; ai është pjesë e një thurrime përvojash, leximesh e krahasismesh dhe si i tillë s`ka pse të fshihet, s`ka pse të mos shprehet me vullnet të lirë. Mirëpo keqkuptimet edhe kur shprehesh qartë, shumëfishohen. Paragjykimi që e kemi të vetmen gjë gratis në shoqërinë tonë shqiptare, përpiqet medoemos të kapërcejë matanë rrafshit të shprehjes tënde. Konkretisht, unë isha një ndër ata që i dhashë "ok" peticionit për mbrojtjen e vlerave të Familjes. Tjetër punë ajo, se si luhet me titujt dhe skupet mediatike në gazetë. A përbën vallë problem, pse Agron Tufa qenka shprehur "pro" mbrojtjes së vlerave të familjes? A e kam këtë të drejtë, njëlloj si çdo manifestim që bëhet haptazi, publik?

Unë mendoj se po, ndonëse kam marrë deri më tash jo pak mesazhe agresive s`e "nuk duhet ta kisha firmosur kurrësesi!"; se me këtë paskam lënduar aq shumë njerëz (Zot ruana!) dhe se "figura ime, deri para kësaj tepër e respektuar, tani më i bëka me vjellë", se "në mënyrë demonstrative, heqin dorë nga leximi i çdo gjëje që shkruan pena e tij (d.m.th., pena ime)" etj., etj. Po mirë, thoja me vete, kë paskam shkelur aq fort në kallo, që paskam shkaktuar një reaksion të tillë? Ku qëndron zhgënjimi? Pse u shpreha pro Familjes!? Pyesja veten: mos ka ndonjë gjë të turpshme kjo? Të gabuar? Monstruoze? Jo dhe jo!

Kritizerët të më ndjejnë. Kam qenë për mbrojtjen e Familjes si institucion, në përgjithësi, nga çdo faktor që ajo rrezikohet, por vullneti im nuk është drejtuar në mënyrë të fokusuar tek një komunitet i caktuar i gay-ve apo LGBT-ve. Kjo më shtrëngon të jap sqarime. Pra, unë flas për vete, për botëkuptimin tim mbi Familjen, për atë që ndjej unë për familjen time si prind, e jo për Familjen në përgjithësi, që mjaft të lënduar po e shajnë në shpërthim histerie me zhargone vulgare, si duket, për reaksionin simbolik që u shkaktoi ky institucion, fill pas peticionit.

Pra, edhe njëherë: duke mbështetur peticion "pro" vlerave të Familjes, as nuk më ka shkuar në mendje të objektivizoja në kuadrat imazhin kërcënues të një armiku të vetëm, e më përveçëm, identitetet seksuale të LGBT-ve. I respektoj liritë individuale e grupore të gjithcilit dhe kam një paaftësi të plotë për të ndjerë minimumin e fobisë karshi tyre.

Le të luftojnë për të drejtat e tyre, le të rregullohen ndërmjet tyre, le ta konceptojnë martesën si zgjidhje më të mirë, e po mundën, le të krijojnë familjet e tyre, të gjejnë ngushëllim e të falin dashuri. Por për botëkuptimin tim kjo është diçka e huaj, e paperceptueshme, por mua më shqetëson Familja natyrale, jo ata. Ata janë njëmend pjesë e keqardhjes sonë të përbashkët familjare, e kurrësisi jo model. Të na ndjeni, por btëkuptimi nuk shkon aq larg, sa t`i pranojë për model! A kanë të drejtë të gëzojnë liritë e tyre? Sigurisht!  Për këtë ka ligje dhe s`ka pse t`u duhet mendimi im, leja ime, apo e kujdto tjetër. Deri këtu mbahet për bukuri kufiri i tolerancës sime prej të djathti liberal, por jo më tej…
4.

Nuk më pëlqen aspak, që ky model familjeje të propagandohet publikisht si "më i suksesshmi", si "kurorëzimi i harmonisë" (kjo dhe mund të ndodhë, kushedi, por unë nuk e besoj dhe ky është kufizimi im); nuk më pëlqen që niveli i propagandës publike të shpërthejë me parrullën "e ardhmja është e jona(sic!)" dhe jam kundër formave të imponimit të shtrirjes së këtij proklamimi tek fëmijët e moshave shkollore, në trajta didaktike, pa qenë nevoja,  se, gjoja, "të jesh homoseksual përbën një vlerë". Janë të gjitha fakte të imëta që pak e fije po na grumbullohen në përvojën tonë të përditshme kur na vijnë fëmijët në shtëpi. Nuk mendoj se ka ndonjë prind, i cili të ndjejë ndofarë fije kënaqësie kur t`i kumtojnë se fëmija e tij është homoseksual. Çfarë prisni të thotë ky prind – "U sa mirë, lavdi Zotit"?

Megjithatë, nuk them, se ndihem personalisht i rrezikuar dhe se këto situata dalin jashtë kontrollit: kjo do të ishte e tepërt. Ajo është çështje jashtë nesh e mbi ne. Ne mund t`u edukojmë fëmijëve tolerancën, që të kuptojnë logjikisht, se tjetërsia e tjetrit nuk cënon asnjë marrëdhënie të intelektit e bashkëveprimit për qëllimet e përbashkëta shoqërore. Homoseksualët shqiptarë kanë shoqatat e tyre dhe ligji i mbron, ua garanton liritë me kushtetutë. Shteti shqiptar, parlamenti, miraton çdo vit një buxhet, në përputhje me standardet e vendeve të BE. Ky është fakt. Dhe nëse do t`u cënoheshin të drejtat ligjore, do ta kisha për nder të protestoja për ta, sigurisht në mënyrën time, me penë.

Por nga ana tjetër mbroj e do ta mbroj mendimin, se Familja tradicionale është vlerë e shenjtë dhe se ajo nuk mund të konkurrohet me një model tjetër alternativ, për t`u bërë "më e shenjtë" se ç`është. Flas për familjen time, të përvojës dhe botëkuptimit tim, pa iu referuar rasteve fatkeqe me skrupuj të përbindshëm, që fshehin në gjirin e tyre jo pak familje shqiptare të këndej e andej kufirit. Dhe në fund, i gjithë ky debat më duket krejtësisht shterp.

E lexova dhe e rilexova tekstin e peticionit. E pranoj, se duhet të ishte shkruar në një mënyrë të tillë, që të evitohej ndonjë aludim që përqendrohet tek homoseksualët, pasi në të vërtetë, janë gjëra të tjera të mëdha, të rënda e të thella, që e brejnë si kancer Familjen e shoqërinë shqiptare, probleme të akumuluara me vite e telashe të reja që e shtohjnë përditë barrën e ekzistencës tonë.

E sikur ndjeshmëria jonë publike të kishte qenë në lartësinë e detyrës qytetare, do të duhej të shqetësohej fort për Krimet e Komunizmit, Dekomunistizimin e teksteve shkollore, trashëgiminë enveriste dhe korrupsionin e sotëm politik e adminstrativ dhe jo të të tregonim një ndjeshmëri të sëmurë pë "të poshtmet" e njerëzve. Shqetësimi për fatet e një shoqërie, nuk është shqetësimi për "të poshtmet" e burrave dhe grave. Fati i një shoqërie nuk mbahet peng nga halli i "të poshtmeve" që kanë anëtarët e saj, as nga indisiplinimet hormoniale… Pyetja shtrohet: "çfarë ke në tru, jo çfarë ke në brekë!". Sepse vendimet i merr truri, jo "të poshtmet"… Por kur "të poshtmet" dalin në rrugë e pretëndojnë të bëhen çështja e ditës, e për me tepër "modeli" për vendim-marrje politike e kushtetuese, atëherë pse nuk u dashka treguar, se për veprime të tilla njerëzimi ushëhiqet nga arsyeja e jo nga "të poshtmet"?
 

1

(Letër publike për ministren e MZHUT, znj. Englantina Gjermeni)
1

E përnderuara zonja ministre,

Kohët e fundit pata fatin të lexoj një roman të jashtëzakonshëm me një titull të zakonshëm – "Nata fantazmë". Nuk jua rekomandaj ta lexoni, e dashur ministre, sepse është një libër për nervafortët  – roman i vëllimshëm, i tipit tolstojan, që na risjell të përjetojmë në një mënyrë shumëplanëshe e kapilare substancën e terrorit të përditshëm psikik gjatë diktaturës komuniste. Rrëfimi përfshin dhjetra fate personale e familjare të shoqërisë së një province nga banorët e thjeshtë, deri në nivelet piramidale të pushtetit qëndror. Shkurt, një epope e trishtuar aheroike. Por nuk është ky thelbi që më shtyn t`ju shkruaj, znj. ministre… I habitur fort nga ky zbulim, kërkova të mësoj më shumë për autorin e romanit, shkrimtarin Sokrat Shyti.

Madje ia dola të gjej ndër bukinistët tanë edhe dy romane të tjera të këtij autori – "Madam doktroresha", dhe romanin e parë të trilogjisë "Zhgënjimi (I)". Është e tepërt të shtoj, se provova të njëjtën mahnitje. Po prapë, znj. ministre, nuk është ende ky thelbi i kësaj epistole. U interesova për autorin dhe mezi arrita të marr vesh, se ai ishte gjallë e madje, jetuaka në Tiranë. Me disa përpjekje të tjera, njëlloj si në përralla, arrita të gjej një numër kontakti dhe e ftova z. Shyti për një kafe. Më tha se s`ishte në gjendje të mirë shëndetësore të dilte dhe se, po të doja, isha i mirëseardhur t`i bëja një vizitë në shtëpi: "Pyet për ish-kopshtin nr. 9, tek Shallvaret", më tha dhe, në të vërtetë e gjeta lehtë. Kështu, zonja ministre, ngjita shkallët e atij ish-kopshti gjysëm të rrënuar, me mure të zhvoshkura nga lagështira e igrasia dhe, duke çarë përmes një duhme të rëndë, përzier me erë perimesh, hyra në një habitat të allasojtë, që përbënte banesën e shkrimtarit misterioz, Sokrat Shytit.

Ai banonte, bashkë me zonjën e tij të moshuar, në një hapësirë 45 m2, që konfigurohej prej një dhome të vetme prej 25 m2 dhe një banjoje të përbashkët që e ndanin me komshiun. Ndërsa paradhomën e zinte tërësisht një krevat bashkëshortor dhe atë kishin regulluar si dhomë fjetje. Të flasësh për mobiljet, znj., ministre, të lëshon kurajoja njerëzore: dy-tre kolltuqe dhe një dollap rrobash (i cili qe vendosur në mes të asaj qele, për ta ndarë skematikisht me kuzhinën), – mobilie, të cilat kishin qenë, mbase, krenaria e interierit në fillim të viteve `60, por tani, pas gjysëm shekulli, duke shtegëtuar në internimin e gjatë 30-vjeçar të familjes, dukeshin të shfytyruara prej çdo identiteti e origjine. Isha i pataksur prej sikletit dhe angushtisë, znj., ministre, sepse nuk e besoja kurrë, që një shkrimtar, i cili kishte patur aftësinë të më mahniste me fuqinë e penës, të jetonte në një katakomb të tillë mizerabël. Nga ana tjetër duhej ta përmbaja veten e të përqendrohesha në qëllimin e vizitës time.

Shkrimtari, si duket, e kishte pikasur tronditjen time, andaj nxitoi të më fuste në një hulli natyrale të kuvendimit: më ftoi të ulesha dhe zonja e tij na solli dy gota për të uruar mirëseardhjen. Mbi një si biçim tavoline, ndërmjet nesh, ishin vënë pirg do dosje të fryra, tek të cilat më kishin mbetur sytë.

"Mund t`i shohësh, z. Agron… janë, gjithësej, 10 romane e disa novela që i mbijetuan internimit… me dorëshkrimet e tjera, nuk pata fat…
"Çfarë po thoni", – ndërhyra unë, – "keni qenë në internim?"
"Jo shumë…", – tha, duke u munduar të shkërbejë një buzagaz ironik: "gjithëqysh, vetëm 27 vjet…".
"27 vjet!!" – … dhe thoni "jo shumë…"!?
"Po… derisa u strehuam në këtë banesë, bëhen plot 30 vjet, zotëri…"
"Hëm… dhe thoni, se ju kanë humbur dorëshkrime të tjera?" – pyeta, duke marrë në dorë njërën nga dosjet.
"Jooo… jo! Të tjerat m`i dogjën në oborrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme… dhe, për më tepër, para syve të mi… si me thënë, për inat…".
"Kur ka ngjarë kjo, z. Sokrat… se… të më falni, unë nuk di asgjë për ju…"
"Eh, more zotëri i dashur!… kjo ka ngjarë… nëse saktë… në shtator të vitit 1963! Histori e gjatë…".

Dhë vërtet, znj., ministre, historia e tij, ashtu si kalvari i tij familjar, ishte e gjatë e pikëllimplote, absurde dhe indinjuese, siç ka qenë në gjendje të prodhojë saga të tilla mizore vetëm stalinizmi ynë. Por një vigjilencë e ndjenjës së masës më thotë të mos zgjatem, e nderuar ministre, përveçse në disa detaje të thukëta, sa për të krijuar një ide, se kush ishte shkrimtari Sokrat Shyti, e pse këtë rrëfim ua adresoj juve. Të tjerat, le t`ia lëmë shkrimtarit të dergjur në mizerjen e vet të tashme, nëse nuk e ka shkruar tashmë…
 
2
I kthyer nga studimet në Univesitetin shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti punon në radio "Diapazon" (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga rregjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nese e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë "Madam doktoresha" dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit. Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti e internojnë familjarisht me nënën dhe motrën e vogël në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës.

Për 27 vjet rresht familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nështrohet punëve të detyruara. Pëgjatë 27 viteve ai është i shtrëguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë tek i Plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasollje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pas rënies së komunizmit, vazhdoi të qëndrojë edhe për tre vjet të tjera në atë vend vuajtjeje dhe vetëm në vitin 1993, kur dy fëmijët iu bënë për shkollë, arrin të shpërngulët pa plang në Tiranë, ku së bashku me 9 familje të tjera të internuarish politikë, pushteti i atëhershëm i strehon në ish-kopshtin nr 9.

Pas viteve `2000, me mundime të mëdha e falë ndihmës së dashamirëve të tij, Sokrat Shyti ia del të botojë në tirazh të pakët e lidhje të thjeshtë 3-4 libra – një pjesëzë të vockël të krijimtarisë së tij. Me kohë, fëmijët rriten, martohen, krijojnë familjet e tyre dhe lavdi Zotit, shpëtojnë nga ajo shtrofkë klaustrofobike prej 25 m2. Po, fëmijët shpëtojnë, por prindërit mbeten aty… dhe tani, edhe këtë strehë të vogël, të vetme e të frikshme, shteti kanoset t`ua marrë, sië pata rastin të mësoj e trishtohem në fund të vizitës sime…

3
Tani jemi bash në thelbin e problemit, e nderuara znj., ministre. Bashkëshortët Shyti, të strehuar pas 30 vjetësh internim politik, tok me 9 familje të ngjashme në ish-kopshtin nr. 9 (të përshkruar më lart), pra, këta dy pleq 73 vjeçarë, të dy të sëmurë, Ministria juaj e Zhvillimit Urban (MZHUT) u kanoset t`i nxjerrë jashtë. Kështu thotë një shkresë e Juaja e datës 5. 05. 2014 me nr. protokolli 1282/3, e cila ia delegon kompetencat Entit Kombëtar të Banesave (EKB), që u bën me dije bashkëshortëve Shyti, si më poshtë: "Duke Ju referuar dokumentacionit të paraqitur nga Ju rezulton se të ardhurat e familjes e tejkalojnë kufirin e përcaktuar në VKM 456, datë 16. 04. 2008, pra janë mbi 14000 lekë për frymë (pasi Ju keni 18.941 lekë të ardhura në muaj dhe Znj. Shyti ka 17.969 lekë në muaj) dhe për këtë arsye Ju duhet të paguani vlerën e plotë të truallit (sic)".   

Ju, e nderuara zonja ministre, e dini, se këta pleq duhet të paguajnë vlerën e këtij, apartament i thënshin, 1ax1b prej 45 m2, që vlerësohet për m2, siç e kanë vlerësuar specialistët e EKB koston, me 50 dollarë. Dhe mirë! Por ju këmbëngulni gjithashtu në shkresë (d.m.th., zyrtarët tuaj), që përveç kostos së shfrytëzimit të banesës, bashkë me këtë "furrik" të zymtë t`u shisni këtyre pleqve të rrëgjuar edhe truallin, ku po sipas specialistëve tuaj, një metër katror i kësaj ngrehine-kalbësirë të shitet me 1250 dollarë!

A menjëmend mendoni, zonja ministre, se këta 73 vjeçarë të sëmurë do të jenë në gjendje të paguajnë, përgjatë 25 viteve një shumë fikse që arrin vlerën 48.000 dollarë?! Seriozisht e keni?! Që për 25 vite (a thua se kemi të bëjmë jo me pleq, po me Terminator 1.2.3.4.5 etj!), këta pensionistë të paguajnë çdo muaj nga 162 dollarë (njërin nga pensionet)?! Njëzet fishin e kostos së përcaktuar po nga specialistët tuaj!

Atëherë me çfarë mbetet të jetojnë këta dy pleq të sëmurë, që një shumë të tillë e harxhojnë për ilaçe? Asnjë lek, znj., ministre… asnjë lek! Këta pleq të sëmurë e të rraskapitur për 30 vjet në internim, nuk mund të jenë blerës trualli me 1250$ për çdo metër katror karrakatinë!

Diktatura komuniste, pasi u grabiti lirinë dhe i detyroi të punojnë si skllevër të papaguar, i hodhi si vemje, ndërsa ju sot, me absurditetin e ligjit, po i shtypni përfare! A nuk mendoni, znj., ministre, se këtyre njerëzve, para se t`u kërkoni e t`i kërcënoni të paguajnë këtë shumë të çmendur, shteti shqiptar duhet t`u paguajë qindfishin, mijëfishin, çdo ditë, përgjatë 27 vitëve që i ka shfrytëzuar, shkelur e poshtëruar, e prapë të mos ua shlyejë dot kurrën e kurrës! Para tyre gjithë shteti ynë, gjithë shoqëria jonë është borxh deri në fyt. Zbatojini ligjet tuaja, ato që keni gjetur gati nga qeveria e mëparshme dhe të tjera, që i bëni përditë, – por provoni t`i zbatoni për multimilionerët – ata qindra biznesmenë, që kanë zaptuar falas çdo pëllëmbë trualli të këtij vendi në qytete e bregdet, e që ju sponsorizojnë të vini në pushtet! Në këtë rast, askush nuk mund të fshihet me nihilizëm pas sloganit "çdo qytetar është barabartë para ligjit", sepse ja, pikërisht në rastin kokret, "ligji nuk është i barabartë para qytetarit!".

Çfarë cinizmi, znj., ministre! Kërcënoni dy pleq të sëmurë, ish-të internuar të komunizmit t`ju blejmë një mall, të cilin s’guxojnë as ta ëndërrojmë, e jo më ta bëjmë pronën e tyre, edhe sikur ta rinisin jetën nga e para! Se, po të kishim aq të ardhura, kujtoni ju se do t’i ngrysnim netët në këtë ngrehinë-ahur!?…  Le të marrin pra guximin reporterët televizivë, t`ua sjellin pamjet e llahtarisëse në ekran, nëse s`ju lejon agenda e punëve ministrore ta shihni me sytë Tuaj! Unë tani, zonja ministre, nuk po flas më për shkrimtarin Sokrat Shyti, që komunizmi i shkatërroi barbarisht  ëndrrat, talentin, pasionin, rininë dhe vitet e jetës, që nuk kthehen më… Unë po flas për atë grimë humanizëm ndaj këtyrë njerëzve, të cilin humanizëm – ju si klasë politike – e majtë apo e djathtë, e shfrytëzoni vetëm si ekzotikë të retorikës elektorale, si demagogji, sa të vini në pushtet. Por, zonjë e nderuar ministre, është me vend t`jua kujtoj, me këtë rast, një thënie të Ciceronit: “ligjet duhet të çrrënjosin veset dhe të mbjellin virtytet”.

Në një shtet, zonja ministre, ku 24 orë flitet për Demokraci, kurrsesi s’duhet të përmenden fakte tronditëse e mizore, si këto që ndodhin realisht, e sidomos, kur titullaret i institucioneve këmbëngulin me kokëfortësi cinike t’i kundërvihen faktit jetik, ta shesin "sapunin për djathë", ata duhet të tregohen, para së gjithash, njerëzorë, të arsyetojnë sipas thelbit të ligjit, të marrin parasysh shëndetin e qytetarit, pamundësinë reale të pagesës së këstit mujor, (një pension i plotë), kur pensionistët gjenden në reçension të përhershëm ekonomik dhe me shumë vështirësi mezi përballojnë mbijetesën!…

Në Platformën tuaj të kaolicionit qeverisës "Rilindja" ju keni, e nderuar znj., ministre, një kapitull që flet për ndjeshmërinë që do të tregoni ndaj kësaj shtrese ish-të përndjekurish, të parehabilituar e të margjinalizuar në shoqërinë shqiptare. Ja pra tek e keni një mishërimin e një rasti ideal të një pasoje të rëndë të komunizmit! Ish i internuari për 27 vjet, qytetari Sokrat Shyti, ju ka shkruar personalisht. Po ju? Ju, përmes zyrtarëve tuaj, i keni dërguar në derë zbatimin pa eukivok të ligjit, që e shtrëngon – o të paguajë 48.000 dollarë, o të thyejë qafën në esfel!

Jam kurioz dhe jam në pritje ta di, zonja jonë ministre, se ku fshihet sekreti "humanist" i Platformës së qeverisë "Rilindja" përballë kësaj pasoje konkrete të komunizmit. Shpresoj për një zgjidhje humaniste, zonjë e nderuar dhe, nëse vërtet do t`ia dilni ta zhdavarisni këtë absurditet të ligjit ndaj një viktime të komunizmit, unë, zonja (dhe jo vetëm unë), do t`ju duartrokas, pa qenë më nevoja t`ju shkruaj një tjetër letër të tillë, me përmbajtje kaq të pikëlluar…

—————–
*Autori është Drejtor i Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK)

 

0

I

Me rënien formale të sistemit komunist në Shqipëri nuk pati asnjë përpjekje serioze, të bazuar në një strategji të qartë studimi dhe analize mbi kuptimësimin e asaj tragjedie të gjithanshme që kaloi shoqëria shqiptare përgjatë gjysmëshekulli nën diktaturë. Të vërtetat rrënqethëse të kalvarit që përjetoi pjesa më fatkeqe e popullit shqiptar mbetën të panjohura për publikun e më përveçmas, për ata që humbën njerëzit të familjeve dhe për ata të mbijetuar që e provuan në lëkurën e vet mizorinë e burgjeve komuniste dhe kampeve të internimit.

Sistemi arsimor me nivelet e tij, shkolla dhe Universiteti, vazhduan të mbajnë një qëndrim shpërfillës ndaj kësaj drame shoqërore e kombëtare; currikulat shkollore vazhduan të trajtojnë të njëjtin qëndrim, si në komunizëm, duke u mjaftuar me disa terma të thatë kritikë ndaj qeverisë komuniste, a thua se në kujtesën shoqërore nuk ka ekzistuar një terror i pandërprerë mbi liritë dhe të drejtat qytetare.

Komunizmi si ideologji dhe sistem qeverisjeje u rrëzua, siç thamë, formalisht, por mbeti e pacënuar trashëgimia e tij; po ato mësues e pedagogë, po ato shkrimtarë e shkencëtarë, po ata gjyqtarë e prokurorë, po ata ish-burokratë e instruktorë të PPSH-së vazhduan të drejtojnë katedrat, Institutet shkencore dhe Akademinë, të jenë autorët e teksteve, të prijnë drejtësinë vetë ose përmes të bijve, shkurt, të njëjtët njerëz që i patën shërbyer shkecës dhe arsimit komunist më parë, tani u bënë "gardianë" të trashëgimisë së komunizmit në sferat e dijes, shkencës dhe shkollës, drejtësisë dhe politikës; ata kontrolluan tashmë institucionalisht gjithë trashëgiminë, kanalet e saj për adresatin nostalgjik, duke imponuar institucionalisht edhe linjën zyrtare që do të legjitimonte, mandej, çdo perceptim.

Edhe nëse ka (dhe në fakt ka) historianë, teoricienë apo studiues që i kundërvihen dhe e kontestojnë linjën zyrtare të historiografisë sonë, kontenstatorët, pavarësisht argumenteve, dëshmive, përgënjeshtrimeve të bazuara në dokumenta arkivorë, janë të dënuar të mos përfillen nga perceptimet që ndërton linja zyrtare dhe vetëdija masive e qytetarëve është e privuar nga një komunikim i plotë dhe cilësor me informacionin e këtij kontestimi. E linja zyrtare, siç e theksojmë, ka dëshmuar bindshëm në mosreagimin e vet, se është veçse zgjatim i trashëgimisë së komunizmit në kushte, gjoja, liberale të lirisë. Kanë kaluar 24 vjet nga rënia e komunizmit dhe atë që nuk e ka bërë këmbëngulshëm sistemi arsimor e edukativ në Shqipëri në lidhje me rishikimin/rishkrimin e historisë apo zhvarrosjen e të vëretetave ngjethëse të diktaturës, ka tentuar ta bëjë, në masën e saj, Media.

Të paktën, shoqëria shqiptare, kryesisht gjeneratat e reja, kanë patur të vetmin shans të mësonin diçka rreth Krimeve të Komunizmit mbi qytetarët shqiptarë vetëm nëpërmjet informacioneve apo rubrikave mediatike rreth ngjarjeve historike, epidsodeve të terrorit, ekspeditave ndëshkuese, rebeleimeve dhe kryengritjeve kundërkomuniste, sikundër dhe për fatin e personaliteteve të dënuar, pushkatuar apo internuar nga rregjimi komunist. Këtë mision mediat tona e kanë përcjellë, sigurisht, jo me ndofarë strategjie krejt të vetëdijshme, por spontanisht e instinktivisht, në disa forma e formate, prej të cilëve më të dallueshëm e më me traditë kanë qenë:

a) botimi pjesë-pjesë i memuaristikës së të mbijetuarve nga burgjet apo kampet komuniste të internimit (nëse aktiviteti botimor mund të konsiderohet si pjesë e Medias).
b) Ndiriçimi i ndonjë figure të rezistencës antikomoniste në raste përvjetorësh apo jubilesh përmes mediave të shkruara, virtuale apo vizive.
c) Dosierët e posaçëm, të tipit minimonografikë ku në qendër të tyre elaborohet figura qëndrore e një heroi (të gjallë apo të vdekur) të rezistencës kundrakomuniste apo të burgjeve të komunizmit ose një ngjarje tragjike për të cilën, gjatë komunizmit, ose është heshtur, ose është paraqitur kryekëput e gënjeshtërt.
d) Dokumentarë specialë televizivë apo kinematografikë mbi fatin e një protagonisti apo një grupi kundërkomunist, me gjithë dëshmitë, faktet, argumentet dhe dokumentacionin e arkivave.

Ekzistenca e mediave të shkruara dhe vizive e ka rritur me vite interesin për këto tema, të cilat, duke mos patur vendin e natyrshëm ku të analizohen, kanë gjetur njëfarë ngushëllimi duke e zhvilluar këtë narrativë, së paku në shtyp, radio, TV apo rrjete sociale virtuale. Kësisoj rrjetet mediatike kanë patur efektin lehtësues për t’i çiruar sadopak mijëra bashkëqytetarë tanë fatkeqë, që panë me sy tmerrin e buhenvaldëve dhe aushvicëve komunistë, në mënyrë që kujtesa e tyre ta shpërthejë rrethin e ngallmuar dhe  narrativa e tyre traumatike të mos mbetet e mbyllur, por të përcillet për një një komunikim më të gjerë me shoqërinë, me synimin për t`u shndërruar në përvojë. Madje pordukt i kësaj përkrahjeje të pastër Mediatike, sidomos për zhanrin e memuaristikës, ka qenë, para pak vitesh, fushata promovuese në media i trilogjisë “Rrno vetëm për me tregue” i priftit françeskan At Zef Pllumi, që u kurorëzua me një suskes të bujshëm. Mandej kjo vepër u përkthye dhe u botua në italisht vitin e kaluar, me tirazhin 17 milionë kopje, nën kujdesin e Silvio Berluskonit. Duhet theksuar, se i njëjti libër (trilogjia “Rrno vetëm për me tregue”) qe botuar, së pari, në vitin 1995-1996, por askush nuk e mori mundimin të shkruante 2 rreshta. Libri mund të quhet zbulim i mediave vetëm pas ribotimit, 10 vjet më vonë,  në vitin 2006! Meqë jam një njohës i mirë dhe sistematik i kësaj leterature të dëshmisë, mund të pohoj pa e tepruar aspak, se ekzistojnë tashmë, si fakte, së paku rreth 20 tituj të rëndësishëm veprash memuaristike, të cilat, edhe pse nuk e kanë patur fatin e Atë Zef Pllumit, janë pothuaj të një rëndësie a niveli të përafërt me të. Po, ne kemi një ndër trashëgimitë më të çmuara të rezistencës së vetëdijes intelektuale, kemi një kujtesë jo më pak dramatike se kampet e GULAK-ut dhe Kolimas, me shembu karakteresh të pathyeshëm as nga situatat më ekstreme të mizorisë, por duhet të keni parasysh, se këto manuskripte, edhe në rastin kur janë botuar personalisht nga autorët e tyre, edhe në rastet kur ato janë botuar prej të afërmve të tyre, postmortum, paraqesin botime të varfëra, në tirazh të pakët, simbolik, sipas takatit të xhepit, dhe kësisoj, ato nuk kanë bërë një jetë leximi, sepse u flakën kioskash e bukinistësh, duke mos patur fatin e takimit me lexuesin e gjerë. Një ndër këto shembuj, për shembull, është dhe një ndër romanet me rrënqethëse e të trishtuar të shkruar nga një ish i burgosur, Makensen Bungo me titull “Këneta e Vdekjes”. Libri, i shkruar si një roman memuaristik me ngjarje e personazhe të vërtetë, është një kronikë e hollësishme e përditshmërisë mortore të të burgosurve në kënetën e Maliqit, pra, një libër për nervafortët e po atij niveli të romaneve të Imre Kertezh-it apo Hertha Mylerit… Fatkeqësisht në e kemi humbur mundësinë të dëgjojmë këto zëra të hadesit tonë komunist, që ishin zërat dhe narrativa gojëmbyllur e elitës më të kulturuar e idealistë të kombit tonë. Pra një turp, që nuk rrëfehet e s`do të mund të rrëfehet i plotë ndonjëherë…!

II

Kur çështja shtrohet për zbardhjen e krimeve të komunizmit dhe rishkrimin e historisë me të vërtetat e varrosura në periudhën komuniste, reagojnë menjëherë historianët zyrtarë: “Me këtë problem duhet të merren historianët…” dhe këtu qarku absurd mbyllet, sepse janë po ata historianë që kanë shkruar njëherë historinë sipas versionit të PPSH-së dhe janë po vetë ata, të njëjtët historianë dhe sot, që si më parë, kanë monopolin zyrtar për të vendosur a duhet, nëse duhet, si duhet e çfarë duhet rishikuar.  Në heshtjen bashkëfajtore me krimin, të institucioneve të arsimit kombëtar, e vetmja që është përpjekur ta trazojë këtë heshtje të nënkuptimtë ka qenë Media, sipas mundësive të saj. Ne e dimë mirë, që Media, për vetë natyrën e saj, nuk është instrumenti ideal i shembjes së përfytyrimeve të rreme e manipuluese dhe ngulitjes shkencore e metodologjike në sistemin e dijeve shkollore e universitare. Sepse, çdo emision televiziv apo çdo numër gazete, fill pas konsumimit ditor, që të nesërmen shndërrohen në “bibliografi të rrallë1”, siç thotë semiologu rus Jurij Llotman, madje edhe në kushtet e hapësirës së siteve virtuale në internet. Por duhet pranuar, se shërbimi mediatik ka qenë i vetmi, që ka sjellë herë pas here dëshmi tranditëse dhe roli i saj, nëmos më tepër, ka arritur ta mbaj gjallë dhe të shtruar në mënyrë permanente çështjen e krimeve të komunizmit në Shqipëri. Disa gazeta si “Panorama”, “Standard”, “Mapo”, apo “Gazeta shqiptare”, kanë arritur tashmë një traditë të konsoliduar në rubrikat speciale të dosierëve me një material pikant faktografik e dokumentar. Sigurisht, të njëjtët media të shkruara shoqërohen vazhdimisht me një kundërefekt apo efekt anësor, pasi krahas dëshmive mbi krimet e komunizmit, me po aq liberalizëm pasqyrojnë në mënyrë kronike edhe “eposin” e bëmave komuniste dhe po aq dendur hapen në mënyrë recidiviste me portretin e diktatorit dhe bashkëpunëtorëve të tij krimenelë, për të vazhduar mandej telenovelat e press-it të verdhë me kujtimet e zhganit të ish-shërbëtorëve, nostalgjikëve, ish-zyrtarëve pensionistë, rrobaqepës, gjëlltorë, këpucarë, truproja, shoferë etj, etj., në stilin e “çfarë i tha Enveri Teme Sejkos në vesh tek Uji i Ftohtë në vitin…”. Megjithatë, në mungesën katastrofike të një diskursi intelektual, akademik e shkencor mbi plojën tragjike të komunizmit, mbi fatin e njeriut dhe shoqërisë sonë në diktaturë, janë mediat ata që kanë guxuar të shqiptojnë disa thërrime të vërtetash.

Kryesisht nëpër faqet e shtypit të shkruar janë shfaqur, përmes polimikave, edhe pozicionet që mbrojnë palët inicuese të diskursit, përkatësisht mbrojtjtësitë e trashëgimisë së enverizmit dhe studiuesve kontenstatorë. Mbrojtësit e trashëgimisë komuniste (rrjedhimisht edhe të krimeve të komunizmit) janë në pozicione komode, pasi kanë legjitimitetin e vendimmarrjes institucionale, pavrësisht fakteve dhe dëshmive të bollshme që grumbullohen çdo ditë. Linja e përvijuar trashëgimia komuniste në traktimin dhe imponimin e historiografisë shqiptare praqitet me ikonat publike të këtij qëndrimi dhe përbën një falangë të mirëorganizuar ideologjikisht, siç janë Kristo Frashëri, Paskal Milo, Pëllumb Xhufi, Xhelal Gjeçovi etj, ndërsa linja e kontenstatorëve jashtë linjës zyrtare përfaqësohet më plotësisht nga historiani Uran Butka, e mandej, Romeo Gurrakuqi, Çelo Hoxha, Vasfi Baruti, autori i këtyre radhëve etj.

Trashëgimtarët e historiografisë komuniste, që kanë patur bekimin shtetëror në monopolizimin e shkencës së historisë konfrontohen me palën kontestuese

a) për periudhën e ashtuquajtur të luftës nacional-çlirimtare dhe
b) për natyrën kriminale e represive të diktaturës së Enver Hoxhës.

Trashëgimtarët e thellojnë manipulimin, duke e përvetësuar krejtësisht periudhën e luftës çlirimtare si meritë eksluzive vetëm të partisë komuniste, duke përjashtuar nga kjo pjesëmarrje formacionet e tjera politike e të pavarura, siç janë luftëtarët e Ballit Kombëtar të udhëhequr nga Hysni Lpenica, Skënder Muço, Safet Butka, Alush Lleshanaku etj; luftëtarët e Legalitetit të udhëhequr nga Abaz Kupi dhe formacionet e pavarura nacionaliste të ushëhequra, që në fillim nga mujo Ulqinaku, mandej nga Kryezinjtë e Gjakovës dhe Muharrem Bajraktari. Trashëgimtarët e linjës komuniste nuk pranojnë për asnjë moment, se e ashtuquajtura luftë çlirimtare nuk degradoi në episode të përgjakshme të luftës civile, duke e braktisur misionin e luftimit të okupatorit. Ata i përfshijnë të gjithë dëshmorët dhe luftëtarët e lirisë së këtyre formacioneve si koloboracionistë, pavarësisht, se këtë pretendim asnjëherë nuk kanë mundur ta vërtetojnë dot.

Përkundrazi, pala kontenstatore, edhe pse në shurdhëri të plotë shtetërore, dëshmon me të fakte e dokumenta të pakundërshtueshëm, që lufta nacional-çlirimtare nuk është pronë vetëm e komunistëve dhe se ajo, shpërtheu shfrenueshëm në një fushatë ushtarake spastrimesh, terrori civil dhe çarjeje kombëtare2, duke shfrytëzuar për këtë dëshmitë dhe raportet ushtarake të vetë komunistëve nga AQSH3. Pala kontestatore vërteton me dosje e dokumenta arkivale, që terorri i pandërprerë shtetërorë kaloi përmes kryngritjesh të përgjakshme kundërkomuniste4. Linja e trashëgimisë komuniste në historiografinë tonë zyrtare këmbëngul se gjatë ushtrimit të pushtetit Enver Hoxha e transformoi shoqërinë tonë drejt një mirëqenijeje e modernizimi, duke eleminuar analfabetizmin, fuqizuar arsimimin e detyruar dhe ndërtuar vepra të mëdha me vlerë publike, ndërkohë që kontenstatorët dëshmojnë për përmasën reale të terrorit, vrasjeve pa gjyq sipas listave të zeza5, burgjet dhe kampet shfarosëse të punës së detyruar si Maliqi, Tepelena apo Porto-Palermo. Në fakt në mediat tona të shkruara dhe vizive vazhdon një rivalitet kujtesash: kujtesa e xhelatëve që mbron persekutorët dhe kujtesa e viktimave të pangushëlluara, që vujtën burgjet dhe nuk kanë një varr për të pushkatuarit.

Po u referohemi tutujve të polemikave midis Kristo Frashërit dhe Uran Butkës, si përfaqësuesit më tipikë të kësaj dikotomie nëpër faqet e GSH, pasi vetë titujt na udhëzojnë të ndjekim tendencën e tyre. Kristo Frashëri: “Kush e vrau Miladin Popoviçin?”6, “U tregoj historinë studentëve të mi, Milo e Duka”7, “Qeveria e Nolit e dështuar, Zogu pati ligje osmane”8, “Mit’hat Frashëri atdhetar derisa bashkëpunoi me hitlerianët”9, “Uran Butka, historian partiak”10, “Përplasjet e Konicës me vëllezërit Frashëri për Greqinë e xhonturqit”11, “Toptanasit të përçarë, gjysma agjentë të sulltanit, gjysma patriotë”12, “Si e mbaj mend unë Qemal Stafën”13, “Politika e Qeveria të mos ndërhyjnë në histori”14, “Shteti komunist i lejoi vetë shqiptarët të hynin në ambasada”15, “Komunizmi la trashëgimi të pasur”16, “Komunistët përfituan nga gabimet e Ballit Kombëtar”17, “Stalini nuk e konsideronte komuniste partinë e Hoxhës”18, “Balli Kombëtar, as anëtarët nuk e dinë kur u themelua”19, “Përplasjet, kush e themeloi Ballin Mithat Frashëri apo Faik Quku”20, “Krerët e Ballit në llum politik, me ligjet e tyre u vranë antifashistët”21, “Mithat Frashëri, sherr për kryesinë e Ballit”22, “Përçarja e Ballit, gjysma kuislingë, gjysma luftë kundër hitlerianëve”23, “Synimi i Ballit, të gjithë shqiptarët të luftojnë Komunistët”24, “Balli bashkëpunoi me grekët, edhe pse ata donin jugun”25, “Safet Butka, profesori im na tha ‘mos shkoni në demonstrata’”26, “Hoxha luftoi si pasardhës i nacionalistëve rilindës”27, “Luftën e fituan partizanët, të drejtuar nga Enver Hoxha”28, “1939, Qemal Stafa na porositi nga burgu të bënim rezistencë”29, “Safet Butka hoqi dorë nga protesta e 5 prillit 1939”30, “Vlerësoj vetëvrasjen e Safet Butkës, Urani tregon përralla”31.

Le të ndjekim titujt e disa shkrimeve e polemikave të studiuesit Uran Butka, pjesa dërrmuese e të cilave janë polemika direkte me Kristo Frashërin: “E vërteta e luftës së Mallakastrës më 1943”32, “Familjet e mëdha dhe komunizmi”33, “Masakra e 1951, Prokurori dhe Gjyqtari: I pushkatuam pa gjyq 22 vetë”34, “Haxhi Lleshi për Masakrën e Tivarit: Mirë ua bëmë kosovarëve”35, “Kristo Frashëri shtrembëroi të vërtetën për 50 vjet me radhë”36, “Kundër Kristo Frashërit, ballistët e luftuan fashizmin”37, “Qeveria angleze njoftoi krijimin e Ballit Kombëtar”38, “1943, Balli urdhëroi çetat e veta të ndihmonin partizanët”39, “Kristo Frashëri gabon për Mukjen, është i njëanshëm”40, “Marrëveshjen e Mukjes e prishi Popoviçi”41, “Lufta civile nisi më 1 tetor ’43, ja letra e KQ”42, “Komunistët i vranë kosovarët për hir të jugosllavëve”43, “Safet Butka, antifashist para 7 prillit 1939, organizonte demonstrata me studentët”44, “Enveri urdhëroi, ‘të asgjësohen nacionalistët’”45, “Kryengritja e Shkodrës, komunistët sulmuan bashkë me jugosllavët”46, “326 vlonjatë u dorëzuan për në kampet e shfarosjes”47, “Frashëri gënjen, protestat më 1939 i nxiti Safet Butka”48, “Frashëri, peng i mendësive komuniste”49.

Besoj se kjo panoramë titujsh është e mjaftueshme për të patur një ide mbi shtrimin dhe llojin e diskursit mediatik dhe sidomos, për mospajtimin principial të këndvështrit të palëve mbi të vërtetat e luftës dhe të regjimit të Enver Hoxhës. Prezantimi i këtij peisazhi mediatik të polemikës së hapur na bën me dije, se çështje të tilla kaq themelore e thelbësore të historiografisë shqiptare, duhej të rroknin debate shkencore të niveleve akademike me studime të argumentuara, veçse ky nivel i lakmueshëm, siç e kemi treguar, është tashmë pronë e privatizuar, monopol në duart e një kaste ish- dhe ende historianësh, të cilët i kanë shërbyer rregjimit të Enver Hoxhës deri në thinjën e fundit me grada sa qe gjallë, dhe vazhdojnë në mënyrë aq të përbetuar t`i shërbejnë edhe sot pas vdekjes së tij, në kinse demokracionë tonë.

Falë këtyre inkurajimeve dhe thirrjeve të hapura nostalgjike e recediviste të politikanëve të lartë për të nderuar kultin e diktatorit apo kalendarët e festave komuniste lidhur me të dhe rregjimin e tij, kemi tashmë një situatë, që thuajse ka dalë jashtë kontrollit: portretet e Enver Hoxhës pluskojn n`ajri nëpër ceremonitë zyrtrare shtetërore, edhe pse me gjysmëzëri e simbolikisht janë konsumuar akte seancash parlamentare për dënimin e krimeve të komunizmit, edhe pse herë pas here KiE dhe BE hortojnë Rezoluta mbi dënimin e krimeve të komunizmit, hapjen e dosjeve, pastrimin e së shkuarës kriminale dhe miratimin e Ligjit të Lustracionit. Shqipëria e vitit 2014 synon dyert e BE duke mësyrë drejt tyre më një pyll duarsh që mbajnë portretin e ish-diktatorit në zemër të ceremonive zyrtare-shtetërore.

Ndërkaq brezat rriten, shkollohen dhe nuk mësojnë dot atë çfarë ka ngjarë. "Generation Pepsi-Cola", duke mos patur asnjë informim për nayrën e sistemit komunist dhe terrorin shtetëror gjysmëshekullor, mjaftohet në të shumtën e herëve me një perceptim derdimen, aq sa arrjnë të kapin në median vizive e virtuale dhe, me sa duket, pak nga pak, në vetëdijen e tyre vetë figura e ish-diktatorit po shndërrohet në një farë ikone ekzotike, si Che Gevara, për ta mbajtur të stampuar në bluza, siç ka patur rastin ta konstatojë autori i këtyre radhëve.

Ndonëse mediat e shkruara vazhdojnë të luajnë një rol me kontribut të padyshimtë duke botuar dossierë specialë, shkrime e analiza publicistike në një luftë të pabarabartë e të pamjaftueshme që nuk qet askënd fitimtarë, prapëseprapë, në realitetitin tonë, duhet pohuar, se këto media janë të vetmet deri tani që i kanë dhënë hapësirë narrativës së dëshmive për krimet e komunizmit në Shqipëri.

Duke mos pasur asnjë kujdes të njëmendët shtetëror që të mundësontë zhburgosjen e arkivave, implementimin e Ligjit të lustracionit, apo qoftë dhe botimin e kolanave studimore e memuaristike të dëshmive (deri në këtody vitet e fundit), martirizimi i elitave intelektuale nën komunizëm, lufta e klasave, zombizimi i gjithë shoqërisë që kaloi një ndër diktaturat totalitare më të pashembullta, do të vazhdojë të tingëllojë si legjendë dhe të përftohet në mënyrë aberrative me ato pak mundësi që u jepen mediave.

Nga ana tjetër një kontribut ndonëse të pakët, por cilësor kanë dhënë format audiovizuale të medias me emisione speciale në “TV Klan”, RTSH, “Top Channel” etj, por edhe me filma dokumentarë siç janë “Martirët”50, që hap një panoramë të persekucionit intelektual nga Gjyqi Special deri tek Grupi i Deputetëve “Bashkimi demokrat” dhe kryengritjen kundërkomuniste të Malësisë së Madhe dhe Postribës. Ekzistojnë dokumentarë që janë produksione të kompanive televizive privatë mbi figura të martirizuara si Musine Kokalari, Vilson Blloshmi e Genc Leka apo dokumentari ihershëm i RTSH-së mbi poetin Havzi Nela të varur në gusht të vitit 1998, sikundërse ekziston tashmë një dokumentar i mirë i Beti Njumës “Në emër të Pafajësisë”, që na njeh mjaft bindshëm me fatin tragjik të 22 intelektualëve të pushkatuar pa gjyq, në 26 shkurt 1951, me alibinë e hedhjes së një bombe në ish-legatën sovjetike. Por surprizën më të madhe e shkaktoi vitin e kaluar një regjisore bullgare, Adela Pejeva me filin dokumentar “Divorce albanian stylle”51, një film që kishte fituar nga viti 2007 të gjitha çmimet në Europë, e që për fat të keq, tek në u shfaq 6 vjet më vonë, në emisionin “Opinion” të gazetarit B. Fevziu. Filmi merr në shqyrtim nga perspektiva e sotme fatet e thyera të ish-studentëve shqiptarë që u kthyen nga studimet prej vendeve të kampit socialist, dhe patën mëkatin të martohen me gra të huaja. Ndiqet ngga persepktiva e sotme fati i tre burrave shqiptarë dhe tre grave të huaja, se si ndërhyrja mizore e brutale e shtetit komunist shkatërroi jo vetëm jetët e tyre personale, por edhe të familjeve dhe të afërmve të tyre, duke shkaktuar tragjedi me përmasa ndërkombëtare. Interesant është të vihet re fakti, se si hetuesit, gjyqtarët dhe prokurorët52 (të gjithë të mbijetuar) që i kanë torturuar,  nuk ndjejnë asnjë fije pendëse dhe asnjë grimë keqardhje për çfarë kanë shkaktuar në jetën e atyre qytetarëve të pafajshëm, madje duke mbrojtur ende me krenari versionet e hetuesive komuniste mbi “agjenturat dhe shërbimet poliagjente”. Gjithësesi impakti i formateve televizive është shumë më i madh, madje edhe kur këto formate emisionesh janë jo ekskluzivisht për dëshmitë e krimeve të komunizmit, siç ka rezultuar, për shembull, emisioni i viteve të fundit të Pandi Laços në Klan TV me titull “Histori pa zhurmues”.

Në një përditshmëri të tejngopur me trashëgimnë e komunizmit nga tekstet shkollore deri tek institucionet studimore, nga agjendat e veprimtarive shtërore e publike, deri tek shpërfillja e shtresës së qindramijëra ish të burgosurish të internuarish, nga mungesa e një qëndrimi të prerë të klasës politike deri tek inkurajimi, shpesh herë i hapur, për identifikim mendor e shpirtëror me Enver Hoxhën dhe sistemin e tij kriminal, e më në fund, – me një toponimi të nginjur me simbolet e komunizmit që derdhin e ndotin me energjitikën e simboleve të tyre negative Institucionet, rrugët dhe sheshet tona publike, roli i mediave ka një një fushë të hapur, ndonëse të minuar, për të realizuar një ndër misionet e saj më fisnike e më humanitare në kërkim të raporteve tona me të vërtetën, pasi deri më tash, asaj i ka rënë për pjesë të jetë e vetmja protagoniste në këtë rol. Me rubrikat speciale mediat realisht po hipotekojnë një pjesë të rëndësishme të kujtesës si të asaj pjese të traumatizuar të shoqërisë sonë, ashtu edhe kujtesën megalomane të një kaste që identifikohet ende me bëmat monstroze të një kaste që ushtroi persekucionin inkuizitar. Ndoshta paradoksalisht roli dhe kontributi i medias në këto 24 vite tranzicioni të tejzgjatur postkomunist, po mbërrin atë efekt në kujtesën tonë kolektive, për të cilin shprehet në mënyrë mbresëlënëse regjizori i famshëm spanjoll, Luis Bunjueli: “Duhet të fillosh të humbësh kujtesën, nëse është e mundur pjesë-pjesë, për të kuptuar që memoria është pikërisht krijuesja e jetës sonë. Jeta pa kujtesë nuk është jetë. Memoria jonë është koherenca jonë, arsyetimi jonë, ndjenja jonë, e pse jo, edhe veprimi. Pa kujtesë jemi kurrkushi!”

 

………………………………………………………………………………………………………………..

[1] Lotman Jurij “Kultura dhe Bumi”, fq. 34, Pika pa sipërfaqe, përkth. A. Tufa, Tiranë 2011
[2] Shih Uran Butka: “Masakra e Tivarit”, Tiranë 2010
[3] Shih libri i Uran Butkës “Lufta civile në Shqipëri 1943-1945”, Plejad, Tiranë 2007
[4] Uran Butka, “Kryengritjet e para kundërkomuniste”, ISKK, Tiranë 2013.
[5] Shih, Uran Butka “Bombë në ambasadën sovjetike”, Tiranë, ASDN 2008
[6] Gazeta shqiptare, 12 shkurt 2008
[7] Gazeta shqiptare 05. 10. 2010
[8] GSH 19. 04. 2012
[9] GSH – 21. 04. 2012
[10] GSH – 24. 04. 2012
[11] Gsh – 22. 05. 2012
[12] GSH – 23. 05. 2012
[13] GSH – 15. 07. 2012
[14] GSH – 18. 08. 2012
[15] GSH – 19. 09. 2012
[16] GSH – 22. 09. 2012
[17] GSH – 20. 09. 2012
[18] GSH – 21. 09. 2012
[19] GSH – 16. 10. 2012
[20] GSH – 17. 10. 2012
[21] GSH – 08. 10. 2012
[22] GSH – 09. 10. 2012
[23] GSH – 11. 10. 2012
[24] GSH – 13. 10. 2012
[25] GSH – 14. 10. 2012
[26] GSH – 29. 10. 2012
[27] GSH – 17. 12. 2013
[28] GSH – 19. 12. 2013
[29] Gazeta shqiptare – 06 . 04. 2014
[30] GSH – 27. 04. 2014
[31] GSH – 28.04. 2014
[32] Gazeta shqiptare – Uran Butka – 27. 12. 2008
[33] Po aty, 28.12. 2008
[34] Po aty – 27. 02. 2009
[35] Po aty – 11. 12. 2012
[36] Po aty – 24. 04. 2012
[37] GSH – 16. 10. 2012
[38] GSH – 17. 10. 2012
[39] GSH – 18.10. 2012
[40] GSH – 19. 10. 2012
[41] GSH – 20. 10. 2012
[42] GSH – 22. 10. 2012
[43] GSH -23. 10. 2012
[44] GSH – 05. 11. 2012
[45] GSH -30. 03. 2013
[46] GSH – 12. 09. 2013
[47] GSH – 30. 11. 2013
[48] GSH- 10. 04. 2014
[49] GSH – 03. 05. 2014
[50] Film me regji të Saimir Kumbaros dhe skenar të Uran Butkës, 2011, produksion i QKKSH dhe TV Klan.
[51] Peeva Adela “Divorce albanian stylle”, shfaqur ne TV Klan me dt. 02. 02. 2013
[52] Në filmin e Pejevës këto të mbijetuar ish-hetues, gjykatës e prokurorë janë përkatësisht Dolores Veliaj (hetuese), Ylli Hila (hetues), Pandi Konomi (prokuror).

1

Para pak kohësh me ra të kuvendoja me V.D, një artist të mbijetuar nga burgjet dhe kamp-burgjet e komunizmit. Duke hamendësuar trysninë e përvojave të tij, e pyeta, se “si ballafaqohesh me kujtesën tënde në jetë dhe në krijimtari personale”. Ai m’u përgjigj jo menjëherë, por në një mënyrë lakonike e kuptimplote: “po bëhen 20 vjet që unë fle në dy krevate”. “Në ç‘kuptim”, i thashë: “A mund të ma sqaroni?”. “E thjeshtë fare”, tha. “Përfytyro: bie të fle në krevatin tim, në apartmentin tim, por gjithë natën endem në krevatet e qelive apo kapanoneve të burgjeve. Habitem fort kur gjumi më del dhe e shoh veten në krevatin e apartamentit tim”. Ky dyshtresim paralel përvojash e sqaronte vetevetiu marrëdhënien e tij me kryemuzën e vet dhe pakashumë, mund t’i merrja me mend, çfarë frymëzimesh i sillte atij Mnemozina.

Doza e hidhur e fatkeqësive, që i ra për short pskikes tonë kombëtre, në mënyrë të veçantë përgjatë shekullit XX, ka dhënë më në fund frytet e helmëta në kujtesën individuale dhe kolektive. Me shembjen e “perandorisë së të keqes”, doli në pah krijesa eksperimentale e saj, njeriu me kujtesë të shkalafitur. Mnemozina (perëndesha e kujtesës) jonë, pa rritur dot të krijojë mirëkuptim në përftimin e tërësisë së identitetit të origjinës me të tashmen, pa arritur të krijojë një lidhje ndërmjet vedi, një logjikë, qëoftë të përftuar prej fragmenteve, endet e verbuar dhe e tromaksur nga drita e përvojës që përjetoi. Është pikërisht kjo dritë e përvojës së mënxyrshme ajo pjesa e hadit me të cilën është mësuar, ngase nuk do t’i nxjerrë në sipërfaqe të Letës imazhet mëkatare të terrinës. Mnemozina jonë heterogjene shfaqet e çoroditur e kontradiktore në përditshmërinë tonë, duke e pllakosur atë me kujën e thellë dhe mallkimet, me ckërmitjen e marrë dhe me absurditetin frenetik, ashtu si figura e kërleshur e mbretit Lir në shtrëngatën e stepës. Një pjesë të poteve të saj ajo u vjen si muzë e përvojës dhe ne përftojmë një përmasë të saj si kujë, duke rindërtuar sipas plagëve kujtesën e të mbijetuarit për ta e për të vdekurit e tyre (at Zef Pllumi, Petro Marko, Uran Kalakulla, Fatos Lubonja, Pjetër Pepa, Ahmet Buhati, arshi Pipa, Visar Zhiti, Uran Butka, Pjetër Arbnori, Agim Musta etj), ndërsa një pjese tjetër ajo u vjen si ngërdheshje saturnale, për vete e për të gjithë të mbijetuarit e tyre (Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha si dhe gjithë veglat e diktaturës, sahnalëpirësit e tyre, ish-ministrat me gjithë rekuizitën, me bëmat dhe nostalgjitë). Kujtesën e ringjall përvoja e të mbijetuarve. Nga njëra anë, përrenj të flligësht narrativë që përbëjnë epope më vete, derdhen dhe ushqenjnë mediat e përditshme. Nga ana tjetër – kujtesa e margjinalizuar dhe e sfumuar e breshërive të pushkatimit, e torturave të qelive, e privimit nga ekzistenca, e dhunës dhe e internimit. Një kujtesë lufton dhe eklipson kujtesën tjetër. Cilën kujtesë të pranojmë të na flasë? Çfarë kumti presim prej tyre? Cili është reflektimi ynë? Shpërngulet përballja e kujtesave nga sfera e përditës, duke e vetëprojektuar ekzistencën në vazhdimësi, tek e ardhmja: ajo lyp kohësimin e saj në historiografi, në art, në shkencë, në sistemin shkollor. Duket se sinoret e veta do t’i zgjerojë ajo kujtesë, që është më e ushtruar në sprint, në spektakël, në klip. Sprinti na magjeps me shkathtësinë, zhdërvjelltësinë, duke mos na lënë asnjë çast të kridhemi në meditim, por të shkasim në sipërfaqe të gazetës, të ekranit, për të ndjekur, të molepsur e pasivë, ritmin e këtij galopi marramendës. Kështu narracioni e përshpejton kohën. Spektakli dhe klipi i studiove televizive na mbërthen në pritje ku endet dhe rotulohet kinse njëfarë enigme e premtuar, që na lidh me deshifrimin e saj dhe na le të zbrazët, këtë herë, duke e ndaluar kohën. Kjo është kujtesa mbizotëruese, që i rrok të dyja dinamikat e kohës: përshpejtimin, zgjatjen dhe pezullimin e saj. Është kujtesa e xhelatëve të mbijetuar, ngërdheshja satanike në karnavalin patësosur të përditshmërisë: ajo shumëfishon dhe klonon vetveten duke shpikur forma fetishizuese mbijetese e vazhdimësie, për të mos u kapur asnjëherë gafil. Ajo ndihet mirë në kushtet e shpërqendrimit që i japin mundësi të korruptojë agjentët teknologjikë, të krijojë aleanca më të fortifikuara në institucionet e kulturës, shkencës, politikës, ekonomisë – në instalimin dhe riprodhimin e imazhit të përgjithshëm publik, të bashkëpunimit, bashkëshoqërimit, ndërkalljes së idesë, se jemi një kujtesë me fat e përvojë të përbashkët, me ideal të përbashkët.

Ja se si flet narrativa e kujtesës së xhelatit: “Boll u zhgënjyem! Lavdi Zotit, utopia e re është prapë përpara. Qëllimi i mirë, endërrimi i mirë, meqë nuk na shpuri në parajsën e komunizmit, tani do të shpjerë në parajzën europiane. Kush është armiku, pengesa, përçarja? Ata pra… ATA, që po na e helmojnë të sotmen dhe po na e sterrosin të nesërmen. ATA me kokën prapa… që nuk duan ta shijojnë jetën. Tekefundit, jo mëkot, janë pikërisht ATA, obskurantët, të paaftët, vulëhumburit, që nuk përfitojnë. Janë ATA që nuk ndahen nga fantazmat e tyre, që na hedhin hije në optimizmin tonë të përbashkët, duke na kujtuar plagët e moçme, fyerjet e parëndësishme, që kërkojnë të na mbajnë peng duke bubrruar të djeshmen pa kthim, të cilën ne së bashku e shembëm… se ku ishin ATA? Në burgje, në internime, të shtypur, sa as pika e gjakut s’u bëhej e gjallë. Të ishte për ATA, as një grimë nuk do të shembej “perandoria e së keqes”, sepse as gishtin e vogël nuk mund ta lëviznin. Ashtu, të gërbulur në lotët e qurret e veta, ATA, të leckosurit, brengaxhinjtë, ankuesit e përjetshëm, të pagdhendur e të pashkolluar, nuk do ta nirrnin kurrë qimen prej qullit. Dhe së fundi, çfarë duan KËTA mosmirënjohës? A nuk ua dhuruam NE lirinë? Le ta provojnë sa u vlen lëkura TANI në LIRI, po qe se vlejnë një grosh. ATA nuk e njohin ç‘është liria. Nuk e dinë ç‘do të thotë të gëzosh, të shijosh jetën e të përpiqesh t’ua përcjellësh atë brezave të tjerë, pa u qurravitur për skërkat e paemra ku prehen të parët e TYRE. Ç’faj paskemi ne? Mos duhet të vëmë thesin në kokë e të qajmë bashkë me TA me kuje e logori? Ne krijojmë pulsin e gjallë të kësaj jete. E ATA? Qajnë, rënkojnë, ankohen dhe duan para, para, para, kompensim, rehabilitim, vëmendje për të dëgjuar historitë e tyre me fantazma. Kujt i hyn në punë kujtesa e TYRE, dëshmive të TYRE, veprave të TYRE? Mos do të ndryshonte gjë vallë? Ne u japim mundësinë të rreshtohen krah nesh. U ofrojmë punë sipas aftësisë që kanë, e po u binden, pse jo, edhe pushtet!”.

Po kujtesa e viktimave të mbijetuara? Narrativa e saj bën dy jetë paralele: një të tashme, për inerci, dhe një jetë tjetër, të vegimit, traumës, hapësirës së pamatë të gjumit, e cila, me t’u mbyllur qerpikët, zbret shkallët me shpirtra e hije që kërkojnë të çlirohen nga harresa, duke u zhvendosur në hapësirat e pikëlluara të përvojave ku plasin farëra hidhërimesh pa ngushëllim. Duar, gjeste, fjalë, rënkime, pengje të një kohe tjetër, që lypin shpjegim, që pyesin, pyesin, pyesin… që kërkojnë të zbardhet e vërteta e tyrë e netëve të zeza, kur drejtësia, mëshira dhe shpresa tek Zoti u reduktuan në një frazë të ankthshme amaneti para plumbave, torturave mizore, kalbjes e plakjes nëpër qeli, shfytyrimit nëpër kampet e punës, poshtërimit, terrorit, dhunimit, degdisjes – gjithçka mbeti e tkurrur në një formulë amaneti – “Rrno vetëm për me tregue!”. E narrativa e tyre është veçse monologu i shpërndarë, i përjashtuar, i shpërfillur, i fyer e i përbuzur, i dënuar të vdesë në heshtje bashkë me TA dhe të vërtetat e tyre. Narrativa e TYRE është një tekst pa vlerë për veshët tanë, që uturijnë e shungullojnë nga zhurma e marrë e galopit dhe spektaklit, sepse vëshët tanë janë të pushtuar nga muzika e delirit dhe s’bën ta ndërpresim, s’bën ta ndërrojmë “stacionin”. Muzika e përzishme e funebre e funeralit na shpërqendron, na bën të biem nga ritmi galopant, na kthen në qenie mendore, ndërkaq që ne s’duhet të mendojmë: mendon Partia! A mund të na kthehet vallë, herëdokur në veshë, kjo muzikë e ndaluar, e mohuar, e përjshtuar nga memorja jonë e tredhur? Me çfarë do t’i mbyllim vallë veshët, kur të na kthehet, tashmë me aht hakmarrës, si ndëshkim i sërishëm, i pamëshirshëm, me tërë piskamat e përvojave çnjerëzore të hadit? A do të jemi në gjendje të përballemi vallë me kujën e mbledhur në grykë të Mnemozinës? Mjeshtëria e harrimit veçse do ta deformojë përvojën të marrë forma të përçudshme, derisa ta hedhë në erë depon e eksplozivit të pëngjeve tona. Në Shtëpinë e Harrimit nuk mund të bujë ndërgjegjia. Bujtësi do të përballet me të shkuarën e krimit, sepse kujtesa e krimit nuk mund të shlyhet me asnjë spektakël narrativ. Krimi i shpërfillur dhe shpërfillja e krimit asgjësojnë çdo formacion moral të vetëdijes. Prej një vetëdije të tillë mbahet gjallë vetëmashtrimi kolektiv. Mnemozina jonë na frymëzon të përjetojmë dhe të përballim dy kujtesa të ndryshme: kujtesa e viktimës është e detyruar të riprodhojë kujën e saj, duke krijuar një narrativë ishullore, të papranuar në publik, ndërsa kujtesa e restauruar e xhelatëve, krijon narrativën dominuese me pedagogjikën e vet të mashtrimit dhe alibisë, duke likuiduar të parën. Vend të tretë për marrëdhëniet tona me të vërtetën, nuk ka. Këtë po mendoja në këto festa nëntori, kur demagogët e politikës së manipulimit i ndanë demonstrativisht kujtesat tona në një palë, që duheshin festuar dhe në një palë tjetër, që s’meritojnë të festohen. Paradoksi ynë i Mnemozinës! Kështu zbresin vertikalisht kujtesat tona, duke përshkuar të gjitha poret e hierarkisë së realiteteve kulturore, sidomos në shkencat letrare e historike.

Kush tha që kultura s’është poltikë? Që strofulla me e sigurtë e demagogjisë politike nuk është kultura? Që në kohën e “rënies së ideologjive”, këtë rol nuk e luan kultura? Teksti i saj mbërrin tek ne, si kujtesë dhe si pakujtesë. Mnemozina na dikton kujën e saj: dikush dëgjon, dikush jo, pavarësisht, se një ditë të gjithë e dëgjojmë, me të vetmin ndryshim: dikush më heret, dikush më vonë…

0

Peter Greenaway:

“Libri i Prosperit”
“Barku i arkitektit” – The Belly of an Architect (1987)
“Gjellëbërësi, hajduti, gruaja e tij dhe dashnori i saj”
“Kontrata e vizatuesit”
“Shënimet e nënkresës”
“Katër kompozitorë amerikanë” (1983) Four American Composers (1983)
“Zeta dhe dy zero”
“Numërimi i të mbyturve” (1988) Drowning by Numbers (1988)
“Foshnja e Makonit”
“Vdekja në skenë” Death in the Scene (1988)
“8 1/2 e femrave” 8½ Women (1999)

Piter Grinuejin, kinoregjizorin e lavdishëm britanik, e po ashtu autorin e shumë art-projekteve multimediale, thonë, vështirë ta gjesh në shtëpi. Dy të tretat e vitit, sipas biografëve, ai i kalon në udhëtime. Herë jep leksione në Havanë. Herë përgatit ekspozita në Kioto. Sipas motiveve te ekspozitës së Vjenës “100 objektet që përfaqësojnë botën” ai vë një operë me të njëjtin titull. Dekoron me konstrukte konceptuale dhe aksesuare qytete të Zvicrës. Planifikon një film të ri me episode nga vise të ndryshme të botës – nga Kolorado gjer në Mançuri.

Ekspozita më madhështore e pikturës, vizatimeve dhe kolazheve të Piter Grinuejit quhet “Familja dhe hiri”, ku në qendër të saj paraqiten dy kurme lakuriqe të mbyturish – burrë dhe grua. Grinuej, sikundërse në fillimet e karierës, ia ka mbushur mendjen vedit se ka vetëmse dy tema të denja për artin – erosi dhe vdekja. (“Nëse ne mundem qoftë dhe pjesërisht ta zotërojmë njërën, atëherë të dytën nuk mundemi, dhe nuk do të mundemi ta zotërojmë kurrë”.) Ai është mirënjohës ndaj atyre që i kuptojnë drejt idetë e tij dhe i quajnë ato zbavitëse. Dhe me gjaknxehtësi hahet me oponentët e tij – kritikët anglezë, të cilët e fajësojnë Grinuejin për gjitha mëkatet e kësaj bote. Për shkak se dhunon figurën, aktorët, kamerën, me një fjalë çdo gjë e gjithçka. Për shkak se fantazia e tij është agresive dhe pa përmbajtje, ndërsa konstruktet ekranore – janë kaba e të papesha “male prej pushi”. E qortojnë Grinuejin në racionalizmin e jashtëzakonshëm “aritmetik”, në epatazh e komilfotizëm.

Kur të metat grumbullohen tepër shumë, ka gjasë të thuash se ke të bësh me një artist të madh. Fjalën artist ndaj Grinuejit mund ta përdorësh me kujdes. Ai e quan pikturën jo vetëm më madhështoren prej arteve, por edhe më të vështirën: në të askund dhe assesi nuk fshihesh dot. Kurse Kinematografia, sipas Grinuejit, – është çështje e intelektualëve të rafinuar që dinë si të ngrenë kurthe dhe të falsifikojnë fakte. Artisti nuk duhet të analizojë. Kur heroi i filmit “Kontrata e vizatuesit” – The Draughtsman’s Contract (1982) përpiqet të përziejë atë çka perceptojnë sytë e tij dhe truri, ai pëson disfatë.

“Kontrata e vizatuesit” është po “F?t?zmadhimi” i Antonjonit. Që ta realizojë filmin e madh mbi çuditë e fotoshiritit më 1986, Antonjoni shkoi në Londrën boheme. Dhjetë vjetë e kusur më pas Grinuejit iu desh të marrë turr prej Londrës në fund të shekullit XVII. Na dalka se ç’prej asokohe realiteti rrëshqitka prej syve të “fotografit” të lashtë – vizatuesit të pajtuar me kontratë që bën një seri të ngjashme me skicat e vizatimeve të një çifligu anglez. Regjistrimi ndërgjegje-kulluar i natyrës fikson diç të ndaluar (tabu) – aromën e komplotit familjar dhe vrasjes. Dhe ajo çka quhej në vjetërsi art, është vetë në gjendje të provokojë dhunë dhe të bëhet e rrezikshme për jetën: vizatuesi vdes.

Sikundërse dhe arkitekti amerikan, i cili vjen në Romë dhe bëhet fli e intrigave, tradhëtisë së gruas dhe kancerit të stomakut (“Barku i arkitektit”, 1987). Problemi i këtij heroi qëndron në faktin se ai e konsideron ligjësitë e arkitekturës bazën e rendit të lartë botëror, lëshohet me fanatizëm në mbrojtje të ngrehinave të vjetra, ai nuk vë re se si erozioni ia shkatërron vetë kurrmin e vet.

“Zeta dhe dy zerot” (1985) A Zed & Two Noughts (1985)

Në këtë film zoologët-binjakë, gratë e të cilëve vdiqën në autokatastrofë, xhirojnë në shirit procesin e dekompozimit të materies së gjallë. Kësisoj ata kërkojnë, sikundërse Darvini, të rrëmihin gjer në parazanafillën e natyrës së evolucionit. Dashnorja e tyre e përbashkët, me të humbur njërën këmbë, në po atë katastrofë, ndahet edhe me tjetrën (për hir të simetrisë – një motiv jashtëzakonisht karakteristik për adhurimin e regullit te Grinueji!). Në fund binjakët kryejnë vetvrasje para fotokameras autaomatike dhe ia lënë mundësinë kameras të pasqyroje edhe dekompozimin e trupave të tyre. Duke filluar “organizatorë ambiciozë të natyrës”, ata përfundojnë si viktima vullnetare të saj.

Në këtë film ka dhe një motiv tjetër – marrosja pas Vermejerit, pëlhurën e të cilit njëri prej personazheve është mësuar ta imitojë me një perfeksionizëm që të kall datën. Arti – është falsifikimi i realitetit – ja edhe një metodë tjetër për ta zbutur natyrën e egër, për ta sistematizuar atë, për ta izoluar në zoopark (ZOO – Z dhe dy zero – në anglisht do të thotë zoopark). Me këtë është marrë gjatë gjithë jetës vetë Grinueji, megjithëse shumë mirë e di që të gjitha përpjekjet e njeriut për ta kapërcyer biologjinë e tij do të jenë kotësia e kotësive. Cinizmi i natyralistit harmonizohet në të tok me veneracionin e kulluar artistik dhe tmerrin religjioz përrballë kaosit.
 

“Mbytje nga numrat” (1988) Drowning by Numbers (1988)

Rregullat e lojës në vdekje përpiqet t’i hartojë një ekspert i gjyqit nga filmi “Mbytje nga numrat” (1988), realizuar në atë farë feje, thuajse Grinueji ka ekranizuar “Makbethin” në zhanrin e komedisë së Renesancës apo madje “komedinë e gjendjeve”. Në vështrim të parë, të gjitha vdekjet në film janë të ngjashme: tre heroina (feministe instiktive) mbysin burrat e tyre – në lumë, në basen, në vaskë. Veprimet njerëzore, prej fatkobëve gjer te të papërfillshmit, gjëllijnë sipas dëshirash të pakonturuara, ndërsa jeta përbëhet prej përpjekjeve për t’u dhënë atyre formën. Ja pse thonë: “rregullat e lojës”. Më mirë të jesh lodër në duart e dikujt, sesa të gjendesh në një botë kaosi i privuar nga trajektorja dhe orbita.

Gjersa heronjtë luajnë me njëri-tjetrin dhe me jetët e të afërmve të tyre, Grinueji luan me shikuesin. “Ç’është tjetër arti, nëmos jo përpjekje për të disiplinuar kaosin?” – thotë ai. Rregulli i kushtëzuar krijohet në nivelin e subjektit (fabulës), në nivelin e strukturës dhe në nivelin e vizualitetit. Regjizorit i ndihmon një vogëlushe, e cila kërcen përmes kërcyeses dhe vendos rregullin e numrave: nga një gjer në njëqind. Ç’prej këtij momenti çdocila mikrongjarje e filmit do të jetë e numëruar skrupolozisht. Kjo lojë e rrezikshme të ndërmend atë që bëjnë prindërit me fëmijët e tyre gjatë kohës së udhëtimit: përshembull, ata numërojnë makinat me njërin fener të thyer. Në fillim të duket se eksperti i gjyqit është afër fitores dhe hë-hë e do të hartojë ligjësinë e vdekjeve. Por paradoksaliteti i Grinuejit i ngreh atij një rreng: ekspërti, duke u përpjekur të mbulojë krimet e femrave, bie vetë viktimë e tyre. Vdes dhe i biri që koleksionon kufomat e kafshëve, dhe vajza e cila është “nomëtisëse” (numëruese shorti).

Nga një shqyrtim më i afërt na del se regulla të përgjithshme të jetës dhe vdekjes nuk ka. Intelekti zbulon ekzistencën e sistemeve të shumllojshme në botë, por që s’janë në gjendje ta ndajnë, cili prej sosh është më i parapëlqyer. Ngadhënjen i shumëurryeri i Grinuejit, irracionaliteti. Jo rastësisht titulli i filmit është – Drowning By Numbers – ndofta mund të përkthehej edhe si “Duke u mbytur në numra”, për ta mbushur atë me kuptimin e anasjelltë.

“Vdekja në skenë” Death in the Scene (1988)

Të mbyturit u bë një ide fikse e Grinuejit, dhe ai madje xhirroi filmin “Vdekja në skenë”, ku udhëheq tashmë jo fantazia, porse numërimin e kufomave të bazuara në kronikat historike? ??????, peshkuar në një lumë parisien gjatë periudhës nga 1795 gjer në vitin 1801.

“Katër kompozitorë amerikanë”

1999 – “Vdekja e kompozitorit” Death of a Composer (1999)

Një tjetër ide fikse u bë për regjizorin fati i kompozitorëve bashkëkohorë. Që në vitin 1983 Grinueji realizoi dokumentarin “Katër kompozitorë amerikanë”, ndërsa në 1999 – filmin “Vdekja e kompozitorit”. Për këtë të fundit ai ndërmori një hulumtim të tërë dhe sqaroi, që duke filluar nga viti 1945 (Anton Vebern) dhe duke mbaruar me vitin 1980 (Xhon Lenon), dhjetë kompozitorë rezultojnë të vdekur prej plumbit(!) në situata të ngjashme, apo, siç i quan ata Grinuej, “prova”. Të gjitha viktimat qënë qëlluar me armë në errësirë me tre plumba; të gjitha ata në momentin e vrasjes mbanin kapelë, syze dhe tymosnin puro ose cigare. Të gjitha këta kishin lënë vejushat e tyre pasionante, dhe të gjithë vrasësit qenë të pajisur me pashaporta amerikane.

Kështu para Grinuej për vite të tëra regjistron si një maniak regjistron objekte të shumllojshme (mullinj, shkallë ose njerëz që bien nga dritaret), përbën alfabetet artistike, katalogjet, hartat dhe grafikët. Në hartat e tij të habit fakti që ju njëkohësisht mund të shihni të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen: aty ku keni qennë, aty ku jeni dhe aty ku do të jeni.

“Gjellëbërësi, hajduti, gruaja e tij dhe dashnori i saj” (1989) The Cook, the Thief, His Wife & Her Lover (1989)

Filmi më skandaloz i Grinuejit. Askund tjetër nuk është shfaqur me kaq mrekulli trilli i fuqishëm i regjizorit, i ndihmuar nga dora e rafinuar e operatorit rus Sasha Vjerni (Sacha Vierny) që ka lënë nam edhe me filmat “Vjet në Marienbad” të Alen Renje dhe “Bukuroshja e ditës – Belle du jodur” të Luis Bunuelit (të dy regjizorët, veçanërisht Renje, kanë pasur ndikim të padyshimtë mbi Grinuejin). Vjerni për vite të tëra u bë bashkëpunëtor i Grinuejit – sikundërse dhe kompozitori i madh Majkëll Najman (Michael Nyman). Akordet e qeta makabre që krijojnë atmosferën e “??ntratës së vizatuesit”, shpalosen në “Gjellëbërësi, hajduti…” sipas parimit të spirales dhe në finale, të duket se shqyejnë me agresivitetin e vet pëlhurën e ekranit. Jo më kot Najman e quan këtë muzikë “fashistizuese” dhe flet për fuqinë e saj diktatoriale. Kompozitori përvijon linjën e lidhjes ndërmjet formave variative të barokut të shekullit XVII dhe postminimalizmit bashkëkohor.

Dizenjatorët Ben van Oz dhe Jan Roelfs (Production Design by Ben van Os Jan Roelfs) ndërkallën fërfëllima në efektin artistik të filmit.Gjatë kohës së festivalit avangardist të Roterdamit, ku u shfaq filmi i Grinuejit, pikërisht ata inskenuan interierin e restorantit vendas. Aty qëndronin nëpër saksi buqeta të papërfytyrueshme – shkurre të tëra kombinuar me një gjethnajë artificiale e të gjallë, më gonxhe harlisëse, me shpesë të egër dekorativë. Përgjatë dhjetë ditëve të ftuarit e festivalit gjithë e më shumë kridheshin në atmosferën e venitjes, ndërsa afër fundit – dhe të kalbëzimit, kur duhma e luleve dhe kërcejve të dekompozuar përzihej me aromën e gocave të detit dhe langusteve, kremrave dhe frutave, verërave dhe salcërave.

“Gjellëbërësi, hajduti…” – është një kryevepër e spektaklit ngadhënjyes piktoresk. Në restorant, në të cilin ngjet paraktikisht gjithë veprimi i filmit, rri varur piktura e Franc Halsit "Banketi i oficerrëve të gardës qytetare të Shën Gjergjit" (1616). Heroi i filmit u ngjason fikurave të kësaj pikture, njëlloj sikur të vizatonin vetveten në “natyr mort”. Porse disa prej tyre janë me të vërtetë të vdekur. Nuvorish Alberti (ai është Hajduti), anipse demnstron brutalitet mashkullor, në thelb është impotent. Pjesa më kryesore e trupit të tij është jo ballor, por gropëz: një gojë e babëzitur, më të cilën ai gëlltit ushqimin dhe më të cilën vjell vulgaritete. Ndërsa ai llup e dërdëllit, gruaja e tij Xharxhina ndërmer aventura dashurie në tualet. Objekti i tradhëtisë së saj të rëndomtë është një intelektual i huaj, që ka ardhur në restorant s’dihet se përse, përpirë jo nga menyja (të vetmin libër që nderon Alberti), porse librat e vërtetë, në kopertina të trasha.

Hakmarrja e Hajdutit, padyshim, do të jetë e tmerrshme, por gjer në çfarë shkalle? Ai e ndjek rivalin, ia mbush gojën me shtupa letre prej librash të urryer dhe ia merr jetën. Hakmarrja e Xhorxhinës del jo më pak simbolike, porse edhe më e tmerrshme. Ajo ia mbush mendjen Gjellëbërësit ta pjekë kufomën e Dashnorit. Dhe i propozon burrit të ngjërojnë pjesën më të shijshme të gjellës, të cilën ajo e ka provuar më se njëherë, veçse në tjetër gatesë. Goja e Albertit krupshëm e nepsore zgjatet drejt mishit të nxehtë njerëzor. Dhe atëherë Xhorxhina qëllon mbi vrasësin.

Strukturalist i lindur, Grinuej në të gjitha filmat e tij zbërthen dhe përshkruan me imtësi modelet e civilizimit dhe kulturave, duke zbuluar truket e saj mizore dhe lidhjen misterioze me kultet primitive, religjionin dhe historinë natyrale, barbarizmin e mitologjisë. “Gjellëbërësi, Hajduti…” – nuk është përjashtim. Këtu në cilësinë e modelit merret kultura ritualore – në pjesën më të madhe – shpikje franceze (megjithëse vetë regjizori parapëlqen restorantet indiane dhe arabe). Grinueji e përfshin kulinarinë në radhën e tre të ashtuquajturave “S të vogla” arte false: couture, coiffure, cuisine (rrobaqepësi, flokëtari dhe kulinari). Nëse kulinaria është religjioni i civilizimit bashkëkohor, atëherë kuzhina (vendi për gatim) është tempulli i saj. Kuzhina në filmin e Grinuejit vërtet i ngjan një kishe, dhe veç në momentin e parë çuditesh kur gjëllëbërësi fillon të këndojë psalme me zërin engjëllor prej sopranoje.

Grinueji sheshazi riprodhon në ekran hapësirën odisenë e madhe të tretjes së ushqimit: depot, ruajtjen dhe përgaditjen e ushqimit (kuzhina), gëlltitjen dhe përtypjen (sallën e zakonshme të restorantit), nxjerrjen e tij (banjon, të gjerë e sterile, si të gjitha ambientet ku gjithçka është e mundësuar, me qëllim që delikatesat me po aq komfortablitet të dalin nga organizmi, po aq sa ç’janë futur në organizëm). Çdocili ambient ka dritën e tij zotëruuese: të gjelbër – kuzhina, të kuqe – restoranti, të bardhë – tualeti. Duke kaluar përmidis këtij “kombinati ushqimi”, njeriu del i tjetërsojtë, mu sikur pjesërisht të jetë i zier.

Dhe megjithatë Hajdutin vulgar është e pamundur “ta tresësh”, domethënë ta civilizosh, Gjellbërësi nuk i lë përpjekjet e tij të dënuara. Ky personazh, i cili mbron dashnorët e fshehtë, gëzon simpatinë më të madhe të Grinuejit; “Në njëfarë mënyre ky jam unë vetë. Në çdo film të ri unë ftoj njerëz të ndryshëm në tavolinë dhe u gatuaj”.

“Gjellbërësi, hajduti…” është gjella e fundit grinuejase, e cila u hëngër, po dhe ajo jo pa gogësimat e kulturës së “shoqërisë perëndimore”.

“Libri i Prosperit” (1991) (Prospero’s Books (1991))

Ky film është versioni kinematografik i “Shtrëngatës” me metodën e “elektrifikimit të Shekspirit” që sidoqoftë, madje pa marrë parasysh benefitin e plakushit Xhon Gillgud, doli për habi krejt i pakurm, që të ndërmend koreografinë, sesa dramën, dhe thuajse i pa gjini, megjithëse Grinueji integroi në film një paradë të tërë me gjenitale mashkullore. Regjizori këtu i lau hesapet tërbimthi me fabulën: ai ç’prej kohësh e ka konsideruar si burimin e të gjitha të këqijave stilistikën narrative që ka përpunuar romani i shekullit XIX ???? me “mishmashin shplodhës dhe meditimet për gjithëfarë dokrrash”. Në vend të kësaj Grinueji përshtjellon në ekran kozmogoninë e tij, bestiarinë e tij mitologjike ku riprodhohen pandërpreje dy faza themelore të jetës natyrore: instiktin seksual dhe vdekjen.

Fabula e Shekspirit humbet pa nam e nishan në “Librin vizual dhe montazhin madhështor të Prosperit”, që shndërrohen një katalog gjigand, apo enciklopedi ose disertacion në frymën e epokës së Shekspirit, në të cilën, njëlloj si në periudhën vijuese baroke të kundrareformës me teatrin e saj të përgjakshëm melodramatik??, sikundërse dhe në kulturën e manierizmit që e zëvendësoi atë – Grinueji kundron paraimazhet e industrisë masive bashkëkohore të imazheve.

“Foshnja e Makonit” The Baby of Macon (1993)

Krizë u bë për Grinuejin njëri prej filmave më të fortë të kinoprocesit të tij “Foshnja e Makonit”. Ky është një film mbi shfrytëzimin e minorenëve. Jo të punës së tyre, por të imazhit. Pafajnisë së tyre si objekt dëshirash të turbullta e të ndaluara dhe burim përfitimi. Shtysë qenë reklamat e fotografive të Oliver Toskanit. Por Grinuej nuk do të kishte qenë vetvetja nëse nuk do ta kishte adresuar ngjarjen në atmosferën e tij të preferuar të shekullit XVII dhe nëse nuk do ta bënte personazhin heroin e mistereve katolike. Duke e perceptuar katolicizmin, nga njëran anë, si kulmin më të lartë të arkitekturës dhe pikturës dhe, nga ana tjetër – si modelin e regjimeve totalitare.

Historia e “foshnjës së shenjtë nga Makoni” është sajuar prej Grinuejit në përputhje të plotë me interesat kulturore të regjizorit. Qyteti i zhytur në mëkate Makoni zbulon sabinë (evlatin) çudibërës, që ka aftësinë të shërojë bashkëqytetarët prej shterpësisë (papjellshmërisë). Për të drejtën e tregëtimit të sekrecioneve natyrore të fëmijës – qurre-jargëve, urinës, djersëve dhe gjakut – shtjellet lufta ndërmjet komunitetit kishtar dhe motrës së ferrishtes. Motra shpall se sekrecionet e ferrishtes janë produkt i shtatzanisë së saj të papërlyeme, dhe mandej kryen vrasje. Në vend të ndëshkimit vajzën e përdhunon i gjithë qyteti, dhe mu në këtë moment shpjegohet përfundimisht se ngjarja në të vërtetë ngjet në skenën e teatrit, megjithatë përdhunimi është i vërtetë, dhe aktorët me përpjekjet e tyre mbërrijnë “vdekjen e plotë seriozisht”. Në veprimin e dramës ndërhyjnë aktivisht spektatorët, veçanërisht një neofit dhe një fanatik fetar Kozimo Mediçi. Kurse në finale regjizori buzagaz u shpjegon spektatorëve të spektaklit dhe filmit se gjithçka kanë parë është një trill e sajesë fundekrye, fantazi, teatër.

Përanash seksit dhe vdekjes, të cilat në film janë cit më ci, një vend kyç zë dhe motivi i lindjes dhe motive të lidhura me të – virgjëria, deflorizimi, shtazania. Ndërkohë që tek Grinuej meshkujt përmbushin funksionin civilizues, aq të parapëlqyer për regjizorin dhe përpiqen të organizojnë rregullin, femrat, si rëndom (ndërmendim “Numërimi i të mbyturve”), shfrytëzojnë burrat për kënaqësitë seksuale, mandej i vrasin. Në “Gjellëbërësi, hajduti…” ky stus-kuo cënohet disi në të mirë të femrave; "Ferrishtja e Makonit" sërish ripërtërin balansin tradicional. Megjithë që këtu viktimë e përdhunimit bëhet femra që luan motrën e Xhulia Ormond ajo është mjaft monstruoze në qëllimin e saj për t’ia hedhur natyrës dhe për të spekuluar me kultet religjioze.

Kritika dhe pupliku e morrën mëni pikërisht këtë film, ku më shumë nga çdo gjë ravijëzohet lidhja ndërmjet bashkëkohësisë dhe miteve kulturore të së shkuarës. Grinuej veçon sosh – përveç pikturës së parapëlqyer hollandeze – teatrin mizor e melodramatik post-elisabetian, post-shekspirian (jakovian – sipas emrit të mbretit Jakov). Grinuej e shtrin këtë fill tek avangarda e shekullit XX tek “teatri i mizorisë” së Antonen Artosë, në “atraksionizmin” agresiv të Ejzejnshtejnit, në “voluntarizmin e imazheve” të Alen Renjesë. Fundi i qindvjetëshit shënon ndërkalljen e trukeve shokuese emocionale të avangardës në industrinë masive të imazheve: atë çka dikur ka qenë epatazh intelektual, u bë metodë divergjente e pablisitisë.

Në njëfarë mase edhe vetë Grinuej ka kaluar, në dimensionin e shkurtuar kohor, po këtë rrugë. Që nga fillimi i viteve ‘80 ai ka qenë autor i njëzetë e gjashtë kinoveprave eksperimentale, të financuara nga kinoinstituti britanik. Në këtë shesh ai bloi në mënyrë origjinale përvojën e jetës së tij jo të pasuar, porse pikante për nga delikatesa. Fëmijë i luftës (viti i lindjes së tij- 942), Grinuej, sipas fjalëve që thotë, kaloi përmes “shkollës fillore tipike angleze – internatit, i cili ruan në vetvete traditën më të keqe – ngacmimet homoseksuale ase djegien e leshrave gjenitale tek të rinjtë, gjithë këtë bohemo-mizori të veprimtarisë adoleshentore”. Të ritë ai ia kushtoi pikturës, pas së cilës dhjetë vjet punoi si montazhier filmash mësimorë në Zyrën Qëndrore të Informacionit të qeverisë.

Idetë e tij mbi kinemanë hodhën shtat prej luftës kundër neorealizmit, të cilin Grinuej e quan vdekjeprurës e të papërspektivë. Ai çmon në kino një jetë tjetër – atë që rikrijohet artificialisht. Ai e quan kinematografinë formë totale artistike, për të cilën ka ëndërruar Vagneri, formë që vjen t’u zërë vendin lëvizjeve të mësha artisike të së kaluarës, çdocila prej sosh ka ekzistuar për afro njëqind vjet. Por edhe kinematografia e ka hëngër çairin e vet, dhe se pikërisht atij i ka rënë për pjesë t’ua bëjë hesapin dy mijvjeçarëve me arte vizive në Evropë. Në vigjilje të mileniumit përforcohet fundamentalizmi religjioz, porse kinematografia, sipas Grinuejit – është para së gjithash gjuha e ateistëve, të cilët kërkojnë një milion herë imagjinatë më të rafinuar. Me hyrjen e televizionit kinemaja nuk vdes: në botën e medias elektronike ajo mbetet diç e ngjashme me vizatimin e shpellave, i cili gjithashtu dikur ka luajtur rolin e gjuhës.

“Shënimet e nënkresës” The Pillow Book (1996)

Meditim mbi natyrën e fjalës dhe pikturës, për rivalitetin dhe shkrirjen dashurore mes tyre e shpunë larg Grinuejin prej kulturës evropiane dhe e shtynë të xhirojë në Japoni dhe Hongkong “Shënimet e nënkresës”. Motivet e veprës së klasikës japoneze ?????? – ditarit të Sej Senagon – Grinueji i integroi në kontekstin bashkëkohor, porse thelbi i gjërave nuk ka ndryshuar. Ashtu sikurse mashkulli dhe femra nënshkruajnë një kontratë dashurie me qëllim lindjen e fëmijëve, po ashtu edhe paraqitja e fjalës shkrihet në kaligrafinë japoneze. Heroina e filmit shkruan poezi erotike në lëkurën e dashnorëve të saj dhe, me qëllim që t’i japë artit nuancë të painteres përfitimi, i dërgon djelmoçat, trupat e të cilëve janë mbushur-cit me herioglife, tek një botues-homoseksual. Grinuej dallon lidhjen ndërmjet kaligrafisë së vjetër dhe reklamës vizuale të kompjuterit. Regjizori, të cilin e quajnë postmodernisti idhnak, dallon në gjuhët e reja artistike një shkulm drejt lirisë, e cila ka qënë njëherë në historinë e kulturës. Ka qenë në epokën e kubizmit, konstruktivizmit, modernizmit, i cili “duket se ka kaluar përskej kinematografisë. Apo ka gjasë, kinematografia ka shkuar përskej modernizmit”.

Grinueji zotëron dy shtëpi. Njëra shtrihet në Londrën Perëndimore dhe është ndërtuar në fund të shekullit XIX në stilin elegant viktorian të vonë. Shtëpia është e mbushur dëng me libra, të cilat rrokullisen për shkallësh. Nga ana e prapme e ngrehinës gjendet studioja e regjizorit. Shtëpia e dytë e tij është në fshat, në visin e quajtur Njuport, jo larg nga Kardifi, në Uells – atdheu i Grinuejit. Shtëpia gjendet majëmalit, në vendet e kënduara prej poetit të madh Uiliam Uordsuorth.

Përveç librave dhe pikturave, në djalëri Grinuej koleksiononte edhe insekte: kjo – si trashëgimi e lënë prej të atit-etimolog. Gjer më sot kabinetin e regjizorit e zbukurojnë shpesë e kafshë të egra të ballsamosura.

Pyetjes së në çfarë shekulli do të dëshironte të jetonte, Grinueji i përgjigjet: “Pa asanjë dyshim – tashti, në shekullin XX-XXI. Unë kam për të tashmen dhe për të ardhmen një interesim të jashtëzakonshëm. Progresi i teknologjisë është aq i vrullshëm, saqë e shndërron rrënjësisht natyrën e njeriut. Unë e dua shekullin e shtatëmbëdhjetë dhe ndjej se jam shumë i lidhur me të. Por të jetoja në atë kohë nuk do të lakmoja.- veçse në XX-XXI! Të paktën për shkak se ekziston kinematografia – mjeti më i përsosur e i rafinuar i shprehjes së gjithçkaje që ka mundur të shpik njeriu”.

0

Fort të dashur e të nderuar kolegë,
Të dashur zonja e zotërinj organizatorë të kësaj Konference Ndërkombëtare!

Për t’u çliruar sadopak nga pesha e nderit të madh që më keni bërë, duke më besuar fjalën hyrëse të kësaj Konference shkencore mbi Letërsinë dhe vlerat e krijimtarisë letrare, shpresoj t’ia dal disi, mbështetur, siç shpresoj, vetëm në sinqeritetin tim e të përvojës sime të deritashme. Meqenëse bëj pjesë tek ata krijues që me letërsinë është i përfshirë në disa forma e disa statuse (poet e prozator, studiues e kritik letrar, përkthyes e mësimdhënës), më duhet të zgjedh njërin për fjalën e sotme, atë të krijuesit. Zgjedhje e vështirë, por dhe vetëdënim i pashmangshëm. Është më kollaj kur shqyrton, analizon, jep gjykime për krijimtarinë e të tjerëve, por si të zhvishesh nga modestia dhe të flasësh për veten? Nuk është fjala për të vlerësuar veten time si autor i një dyzine e gjysmë librash, poezi apo romane, por për një kuptim vetjak mbi thelbin e krijimtarisë letrare.

 

I

Shkrimtarët gjithnjë u shmangen pyetjeve që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me deshifrimin e domethënieve të fshehura në veprën e tij. Jo se shkrimtari nuk është në gjendje të formulojë një mendim a një qëndrim të caktuar, por se kjo do ta detyronte atë të kridhej në një shtjellë shpjegimesh të pasosura, që janë gjithëherë të pamundura e të pamjaftueshme, shpesh të njëvlershme me “rishkrimin nga e para” të veprës. Prandaj, për veprën letrare nuk është mënyra më e mirë t’i drejtohesh për sqarim autorit të saj, ndonëse askush s’e ndalon shkrimtarin të shkruajë, nëse do, komente e analiza mbi veprën e vet. Veçse kjo ndërmarrje e vështirë bart gjithmonë njëfarë rreziku. Cili është rreziku? Pikërisht përkapja e këtij rreziku na çon drejt një zone memce, pasi është elementi irracional ai që i paraprin krijimit letrar dhe, i cili, nuk i dorëzohet dot një gjuhe përshkruese, racionale. E, meqë në këto mistere të krijimit fjala racionale nuk e mund, nuk e përkap, nuk e shterron imazhin irracional që paraprin në zanafillë të krijimit artistik, me lejoni të përdor një metaforë analogjike. E pyetën njëherë Dyzetëkëmbëshin: “Nga cila këmbë e filloni lëvizjen”? Atëherë Dyzetkëmbëshi u mbyll në vetvete në kërkim të përgjigjes dhe, përveçse nuk arriti ta gjejë, ai pas kësaj harroi edhe të ecë. Kjo më së paku na bën me dije se krjimi është një sferë njohjeje apriori, një botë instinktive dhe se instinkti është irracional, nuk i jepet shpjegimit. Ndoshta për ta zgjeruar edhe pak analogjinë tonë, duhet t’i drejtohemi njërit prej miteve më të mistershme – mitit mbi Orfeun. Orfeu, siç e dimë, zbret në Had për të sjellë në dritë të dashurën e tij, Euridikën dhe, siç i është thënë, duhet të prijë drejt dritës pa e sjellë kryet prapa në errësirë. Por kurioziteti dhe dyshimi se mos po e tallin, e shtrëngon Orfeun të kthehet e të shohë. Euridika vdes për herë të dytë dhe këtë herë Karonti nuk lëshon pé. Euridika është ajo lëndë që po mbruhet në terr e fshehtësi, në njëfarë procesi ezoterik, të cilin vështrimi survejues e zhbën në asgjë. Euridika është krijimi në ngjizje, itinerari i tij nga errësira në dritë, ndërsa vështrimi i parakohshëm e vret. Me imazhe të ngjashme janë të mbushura rrëfenjat magjike popullore mbi zanat, shtojzovallet apo floçkat, të cilat, në akord me bestytninë, nëse i survejon në “privatësinë” e tyre, të “shitojnë”.

Letërsia është një botë tepër demokratike. Ajo i jep mundësinë e shfaqjes çdo lloji, çdo tipi të krijimtarisë, sikundërse ka dhe mitet e veta ndikuese e shtypëse. Nuk është e thënë që një metodë, e cila del e suksesshme për një shkrimtar, të ketë të njëjtin sukses te të gjithë të tjerët. Shekulli XIX dhe XX kaluan nën shenjën e kultit të realizmit (apo më saktë, të realizmave) me patosin e tij të objektivitetit dhe njohjes së realitetit. Tani ky besim është lëkundur nën përvojat e një morie shkrimtarësh si Xhojsi, Prusti e Kafka. Hulio Kortazari e thotë: “Qysh në moshën time të hershme, kam patur ndjesinë që realiteti nuk ishte ajo çka më tregonte mësuesja e nëna e që unë mund ta vërtetoja duke prekur ose duke nuhatur, por se kishte edhe ndërkallje të vazhdueshme elementesh që nuk përkonin, nga ndjesia ime për ta, me atë lloj sendesh”. Zanafillat e shumë veprave të famshme kanë qenë ëndrrat, parandjenjat, vegimet. Shtysa për t’i shtjelluar dhe shpjeguar në një gjuhë më të kapshme ka çuar në plazmimin e një vepre letrare. Desha të them se ndjesia jonë e realiteteve nuk përkon me metodat e njohjes dhe me çfarë ofrojnë doracakët e tyre. Po kështu dhe për temat: Një shkrimtar mund të jetojë tërë jetës brenda mureve të një qelie, por atij nuk do t’i mjaftonte tërë kjo jetë, edhe pse i izoluar nga “realiteti”, për të shterruar pasurinë e paçmuar të imazheve të fëmijërisë. Ne nuk do ta dimë asnjëherë me saktësi se ku e merr burimin vepra. Për të vënë në dyshim të vërtetat e realizmit ala tolstojan & Co dhe gjenezën fisnike të artit, kujtojmë poeten Anna Ahmatova me vargun: “Sikur ta dinit se prej çfarë plehërash lind poezia…”.

 

II

Por i rikthehem sërish; të shkruarit nis duke qenë pothuaj gjithnjë një ëndërr, një trill apo një prirje imagjinare. Por ëndrra, dëshira, trilli nuk arrijnë të ngjizin veprën artistike në qoftë se nuk kthehen në një mjeshtëri. Një mjeshtëri, çfarëdo qoftë, kërkon një prirje të fuqishme dhe një praktikë të gjatë. Një mjeshtëri është një detyrë, e cila shpeshherë rezulton e lodhshme apo e mërzitshme për nga durimi dhe sforcimi i vazhdueshëm që lyp, veç ka plot momente kur gjërat shkojnë mirë dhe atëherë vjen shpërblimi i një çlodhjeje, që bëhet më e këndshme ngaqë e ndjen të merituar, të paktën deri në njëfarë mase. Por ndryshe nga mjeshtëritë e tjera, edhe zeja po aq e lashtë e shkrimit nuk është një zanat që transmetohet, ose më saktë, megjithë përpjekjet në këtë drejtim, ajo mbetet e patransmetueshme, sepse nuk është imitimi formal i një praktike. Më kujtohet, në fëmijëri, një grup vajzash të reja, që i luteshin një gruaje në moshë: “A mund të thurni pak më ngadalë, që të shohim si thur ti? Përndryshe ne s’po kuptojmë asgjë”. Gruaja, pa e ngritur vështrimin nga thurja e trikos, u përgjigj: “Mësojeni moj cuca: zanati nuk mësohet, zanati vidhet”. Mesa kuptoj unë, thelbi i fjalëve të asaj gruaje, merret vesh, nuk aludonte për “vjedhje” në kuptimin banal të fjalës, por për një aftësi “përkapjeje” të menjëhershme, instinktive, larg demonstrimit imitativ. Diçka e përngjashme me inicimin. Kështu dhe mjeshtëria e të shkruarit nuk kufizohet thjesht me një detyrë praktike, por me një dhunti të fshehtë, të brendshme, që ta “rrëmben” zanatin nga dora. Edhe në qoftë se dikush mëson njëfarë zejeje të shkruari, që garanton njëfarë niveli të kënaqshëm profesionaliteti, përsëri kjo është e pamjaftueshme nëse ai nuk e ka atë “Hyun e brendshëm” që është magjia e shkrimtarit artist, i cili gjallëron formën e të shkruarit duke i dhënë jetë autentike një bote të pavarur, që vetëzbulohet përmes rrëfimit. Ja pra se ç’është shkrimtari: t’i japësh botës një formë të kuptueshme emocionale përmes fjalëve.

Shkrimtari i përkushtohet një mjeshtërie më të lashtë e më të dobishme nga ç’duket. Po ashtu, dhe shumë më të pasigurt. Sepse në të, siç kemi këmbëngulur më lart, përvoja nuk na ofron asnjë garanci dhe mund të ketë mospajtim skandaloz midis meritës dhe vlerësimit.

Shkrimtari i mirë e di se pa përkushtimin e tij nuk do të mund të arrinte të krijonte asgjë me vlerë, sikundërse e ka një ide që përkushtimi mund edhe të mos garantojë cilësinë e rezultatit, ngaqë përvoja dhe përkushtimi mund të çojnë drejt stërhollimit të ngurtësuar dhe parodisë së vetvetes. Megjithatë, duke i mbetur besnik vetvetes, pavarësisht zhgënjimeve dhe shkurajimit para pasigurive të mjeshtërisë në kohëra të këqija diktaturash, shtypjesh nacionale apo kaose shoqërore, i vetmi shpëtim nga dëshpërimi është vetë përsosja e mjeshtërisë. Vetëm në këtë gjë unë e shoh përmbushjen e përgjegjësisë qytetare të një shkrimtari dhe kjo, mendoj se është e pandryshueshme për të gjitha kohërat.

 

III

Tundimi për t’iu kundërpërgjigjur flakë për flakë plagëve të realitetit shoqëror me një vepër artistike, e cila mandej ta bëjë shkrimtarin “zëdhënës” të sociumit që i takon, është një kurth i rrezikshëm po aq sa dhe banal. Kjo është një sëmundje e mjaft shkrimtarëve të rinj, të cilët besojnë se, duke e kërkuar lexuesin, do të projektohen në memorien dhe vetëdijen e tij. Por nga ana tjetër, ata i largohen vetvetes. Ndoshta suksesi i menjëhershëm i shtyn më tej në këtë rrugë të largimit nga vetvetja, ndonëse ky sukses “popullariteti” nuk është jetëgjatë. Ai zhdavaritet shpejt e më pas vjen hidhësira e zhgënjimit. Kjo rrugë nuk të çon te lexuesi përveçse si një bujtës i përkohshëm. A nuk ndodhi kështu me gjysmëhyjtë e letërsisë së realizmit socialist në letërsinë tonë dhe të gjithë kampit ish-komunist? Ku janë tani ata qindra shkrimtarë, veprat e të cilëve, më shumë se sa lexoheshin, propagandoheshin me detyrim nga diktatura nëpër qendra pune e prodhimi, në uzina e kooperativa, nëpër lagje e nivele shkollore nga fillorja në universitet? Ku shkuan kolanat e famshme me Serinë e Romanit të Zgjedhur (SRZ), Serinë e Tregimit të Zgjedhur (STZ) apo poezinë e zgjedhur shqipe? I shohim përditë të shkapetur ndanë udhësh nga bukinistët skaj trotuaresh, mbi Urën e Lanës apo në kioska qosheve, por këta autorë, këta tituj, nuk na ngjallin tashmë as keqardhjen e sinqertë njerëzore që ndjejmë vetiu kur kalojmë përskej muranave a vendeve me pllaka përkujtimore të të vrarëve anonimë në aksidente gjithëfarësh. Ndjejmë po atë trishtim të ngjashëm me shpalimin e kufomave për diell. Sepse ishte një ndërmarrje e çmendur, absurde, e një shteti totalitar, që u angazhua me të gjitha mjetet terrorologjike, për t’i zënë vendin Letërsisë, me diç artificiale, të përkundërt me të, ndërkohë që shkrimtarët e vërtetë, veprat e vërteta e mandej, lexuesit e vërtetë, i vari, i pushkatoi, i torturoi e terrorizoi, i mbylli nëpër burgje e i degdisi nëpër kampet e vdekjes e shfarosjes, duke ua mbyllur gojën e sytë me dhé.

Ne e dimë tashmë të vërtetën e kësaj përvoje të gjatë e tragjike, që zgjati për gjysmë shekulli në kurriz të letërsisë shqipe. Dimë se si u denatyrua ajo, duke u masakruar në kulmin e zhvillimit të vet të mundimshëm, një zhvillim natyral e kombëtar, për t’ia zënë vendin mandej me një produkt të importuar, një mish të huaj, siç jemi të vetëdijshëm se qe socrealizmi i tipit sovjet, me mutantë gjenetikë alla Terminator në vend të heroit normal. Por kodi i dhunuar i një letërsie nacionale, që ka pushuar së qeni vetvetja për një kohë të gjatë dekadash, që ka pushuar së përjetuari vetveten, paraqet një shëndet të brishtë imunitar përballë sëmundjeve të kohës, përpos veseve të trashëguara. Kodi gjenetik i një letërsie nacionale, të denatyruar e të alienuar në sistem, “hakmerret”, si të thuash, për mospërjetimin gjysmëshekullor të dramës, e cila do të vazhdojë ta përthithë letërsinë tonë si vrima e një zgafelle me vakuumin negativ në arkitektonikën e saj. E ndërsa letërsia jonë përpiqet të vetëpërtërihet nga sëmundjet e vjetra duke zhvarrosur ngadalë të vërtetat e fshehura, ajo nuk ka arritur ende të zhvillojë një sistem imun për përballimin e epidemive të reja. Ne po shohim se me çfarë shpejtësie segmente të fuqishme botuese e multimediale fabrikojnë e katapultojnë mite markash të reja të shkrimtarëve kult, duke çorientuar përkohësisht sistemin e vlerave, tregun, lexuesin e duke përjashtuar nga kjo maratonë e çmendur mendimin e specializuar të kritikës e studimeve letrare. Në këtë mënyrë, atë që bënte dikur propaganda e Lidhjes së Shkrimtarëve me veprat e shkrimtarëve të Partisë, po e bëjnë sot segmentet jo më pak propagandistike, të botuesve e kompanive multimediale, me “shundin” kulturor masovik të autorëve jo më pak të partishëm se baballarët e tyre dje. Por s’duhet të merakoset shkrimtari i vërtetë as për këto katapultime të panatyrshme, as për fatin e letërsisë; në rastin më të mirë, sëmundjet vetëm se përforcojnë imunitetin dhe, ligjësitë letrare, që janë të përjetshme, veçse diferencojnë pa mëshirë shundin e letërsisë masive nga letërsia serioze me vlera artistike jetëgjata, duke e elitarizuar kësodore sferën e krijimit letrar me sistemin e autorëve, veprave, studiuesve dhe patjetër, lexuesve.

 

IV

Pra, detyra e një shkrimtari mbetet asjo që ka qenë gjithmonë: të përsosë mjeshtërinë dhe stilin e tij për të shkruar sa më mirë, duke i mbetur besnik botës së tij të fantazmave torturuese. Shkrimtari duhet t’i çlirojë e t’i mishërojë mandej me gjuhën adekuate zërat e këtyre fantazmëve, të cilat, duke qenë të tij, janë njëkohësisht edhe të shumë të tjerëve, përderisa shkrimtari është një nga qeniet e atij sociumi në të cilin është mbrujtur. Është sociumi, shoqëria, që flet përmes shkrimtarit me zërat edhe fatet e të gjallëve dhe të vdekurve, herë në solo të vetmuara rrëfimesh e herë në kor. E kemi të pamundur të abstragojmë nga këta zëra, ashtu sikundër e ndeshim këtë në një poezi të Konstantin Kavafisit, “Zërat”:

Zëra idealë, të atyre që kanë vdekur,
a të atyre që për ne
kanë humbur si të vdekur.
Herë-herë ata na çuçurisin nëpër ëndrra
Herë-herë nga lukthi i mendimeve shpirti ynë i dëgjon.
Ata na sjellin një çast jehonën
e poezisë zanafillore të jetës sonë,
si një muzikë e largët që meket nëpër natë.

Detyra e shkrimtarit është të shpëtojë pikërisht memorien e këtyre zërave për të cilët flet Kavafisi e që ne i ndryjmë thellë vetes; janë çuçuritjet e tyre të dobëta që kërkojnë të flasin përmes nesh, si një zgjatim i fatit të tyre të ndërprerë me kumtin e një pengu a shqetësimi për të paralajmëruar të gjallët për diçka që nuk i lë të qetë në amëshimin e vdekjes; janë fijet tona të dukshme e të padukshme të identitetit që na lidh me këta zëra, që ata të flasin përmes nesh pa u shkapetur e mekur nëpër natë, është shkrirja e natyrshme e zërave, e fatëve të tyre në një rrëke zërash të gjallë, në kërkim të një rrjedhe të përbashkët shoqërore, etnike, kombëtare kah fytyra e panjohur e ardhmërisë sonë.

Dhe në rastet kur kam shkruar, duke i vendosur mjeshtërisht në çdo fjalë të pesë shqisat, pa i lejuar vetes as më të voglin kompromis, kam shijuar n’ato raste vetminë shpërblyese të krijimit, të panjollosur nga shqetësimi në ke apo nuk ke lexues, apo nga frika se ndoshta do t’i humbasësh ata, duke shpërfillur njëlloj si lëvdatat, si fshikullimet.
Përpos kësaj, edhe nëse nuk ke asnjë garaci për afirmim, duhet dëgjuar urdhri i brendshëm i dhuntisë, që ka çdo shkrimtar i vërtetë: të shkruash sepse duhet shkruar!
 

———-
* Ligjërata e Hapjes së Konferencës Ndërkombëtare "Mbi Letërsinë dhe Krijimtarinë Letrare" në Universitetin e Europës Jug-Lindore (UEL), Tetovë, 25. 04. 2014

1

Parafjalë

Në verën e vitit 2011, i nxitur nga leximi i memuaristikës së shkrimtarëve dhe intelektualëve të dënuar politikisht nga regjimi komunist, pata rënë në gjurmë të disa veprave e dorëshkrimeve me vlerë e, ndër to, edhe në raste të rralla përkthimesh artistike nëpër burgjet dhe kampet e internimit. Kisha hartuar një listë me titujt e autorët e përmendur gjatë leximit të memuareve, të cilët isha venë t`i gjeja për t’i botuar. Një ditë vere të atij viti, pra, pata lënë takim me një zotni Lekë Pervizin, i dënuar e internuar politik nëpër kampet e internimit, por edhe piktor, poet, shkrimtar, përkthyes e botues me banim në Belgjikë, ku pas vitit 1990 emigroi dhe tash ushtron aktivitetin e tij krijues. Lekë Pervizi qe ai që më lidhi me trashëgimtarin e dorëshkrimit të poemës “Orlandi i çmendun” të Lodovico Ariostos. E ky përkthyes ishte  profesor Guljem Deda, i ndarë nga jeta në Peruxhia të Italisë që në vitin 1993. Për fat të mirë gjeta mirëkuptim të menjëhershëm me trashëgimtarin e Guljem Dedës dhe dorëshkrimi i poemës u përgatit, derisa doli nga shtypi në qershor 2010 në një botim luksoz. Dorëshkrimi i poemës në shqip qe dorëzuar pranë Akademisë së Shkencave, Ministrisë së Kulturës dhe Lidhjes së Shkrimtarëve të regjimit komunist, ku s`pati asnjë përpjekje për ta botuar, me sa duket, për shkak se poema voluminoze qe përkthyer në gegnisht dhe se politikat botuese të shtetit komunist pas vitit 1972 (viti i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës së Njësuar Letrare), nuk rezultojnë të kenë lejuar botime në gegnishten letrare as për krijimtarinë origjinale, as të përkthyer. Pas rënies së komunizmit, në vitet 2000 dorëshkrimi qe dorëzuar në shtëpinë botuese “55”, e cila e mbajti me vite të tëra pa e botuar. E përkthyer përgjatë 17 viteve të internimit, e po aq viteve të tjera e mbetur nëpër redaksira, sidomos pas vdekjes së përkthyesit, vepra më në fund botohet nga Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në vitin 2013 në 2 vëllime me nga 772 faqe secili, me kopertinë e letër speciale, e ilustruar si në origjinal, më pikturat dhe gravurat e piktorit Gustav Doré.

Po kush është përkthyesi i saj?

1. Rreth autorit: kush është përkthyesi i poemës “Orlandi i çmendun”?

Profesor Guljem Deda është nga ata përfaqësues të elitës së lartë kulturore të brezit më të ri në fund të viteve 1930,  të cilët, fill pas studimeve në universitetet më të njohura të Europës, kthehen plot ëndrra të bukura në atdhe për t`i shërbyer me pasion e vetëdije intelektuale zgjimit të vetëdijes kulturore. Janë me dhjetra e qindra të rinjtë idelistë që kthehen nga universitetet më në zë të Kontinentit për të bashkëpjestuar me bashkëatdhetarët e tyre mahninë e një bote të qytetëruar e të magjepsur me dijet shkencore dhe artet e bukura. Ne sot disa i njohim e disa jo. Po me siguri, këta studentë kishin të përbashkët lartësimin kulturor të shqiptarëve dhe daljen nga gjendja e një injorance të trashëguar në shekuj të gjatë pushtimi, mungese të çarëdo lloj formocioni shtetëror kombëtar. Ne njohim shembujt e Musine Kokalarit, Sabiha Kasimatit, Qenal Draçinit, Myzafer e Arshi Pipës, Gjergj e Kudret Kokoshit, Vedat Kokonës e Selman Rizës e shumë të tjerë, të mbijetuar e të vrarë nën tehun e gijotinës, sikundërse me disa dhjetra të tjerë të dënuar përjetësisht nga ideologjia komuniste me galerën e punës së detyruar në kompet e internimit.

Profesor Guljem Deda u lind në Shkodër me 5 shkurt 1915. Studimet i kreu në kolegjin Saverjan të etënve jezuitë në qytetin e lindjes, e mandej vijoi studimet e larta në Universitetin e Padovas, në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në vitin 1937 me një tezë të titulluar: Osservazioni linguistiche sul Cuenus Prophetarum di Pietro Bogdani, i udhëhequr dhe asistuar nga profesori i shquar italian, Taliavini (vepër që gjendet tash në planin e botimeve të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit). Teza e tij mori velrësimin më të lartë “Summa  cum laude”.  Mbas studimeve kthehet në vendlindje ku jep mësim në gjimnazin e Shkodrës deri në vitin 1939 si profesor i gjuhës shqipe dhe i letërsisë greke dhe latine. Në këto vite përkthen në gjuhën italiane pjesë prej visarit të shqipes dhe përkthen në shqip Jetën e Krishtit të shkrimtarit francez F. Mauriac. Po asokohe nis të shkruajë poemën historike Vegimi. Kjo poemë përbëhet prej 5 tingëllimash, të cilat ai mbërriti t`i përfundojë vetëm pas pesë dekadash, mbasi burgu dhe internimi i dhanë një tjetër rrjedhë jetës së këij intelektuali të talentuar. Në vitin 1943 Guljem Deda themelon gazetën "Balli i Rinisë" ku përveç impenjimit politik antibolshevik, shpalos dhe dashurinë e tij për letërsinë dhe përkthimin.

Deri këtu punët i shkojnë mirë, po shumë shpejt jeta e tj do të marrë një kthesë tragjike. Me ardhjen e komunistëve në pushtet i pushkatuan gjashtë njerëz të familjes, axhallarë e kushërinj, kurse atë vetë e burgosin në janar 1945. Njeh, veç burgut, punën skllavëruese në kampin e shfarosjes në Vloçisht të kënetës së Maliqit, prej nga shpëton gjallë.

U lirua me 1951, dhe dërgohet me thye gurë me varre në nji gurore në Tarabosh. Nji ditë prej ditësh e thërret në takim shefi i Degës së Punëve të Brendshme, kolonel Hilmi Seiti, i cili i prpozon me bashkëpunue me Sigurimin (të bahej spiun), ku si këmbim i ofrohej të punonte si profesor dhe i lejohej të shkruente e të botonte krijimtarinë e vet letrare. I sigurohej edhe shtëpi e tjera privilegje… mjaft që ta hidhte at firmë në deklaratën e bashkëpunimit që kishte përpara…!! Guljem Deda u përgjigj me përbuzje me një jo të preme! “Do të pushkatohesh ose do të vdesësh në burg! – i kërcënohet xhelati i Degës. "Bani çka të doni, ja ku m`keni, po nji deklaratë të tillë turpi s`do ta keni kurrë prej meje!!”.1

Pas këtij akti fillon vargani i pasosur i Kalvarit të tij nëpër kampet e internimit me punë të detyruar: e hypin në një kamion bashkë me të tjerë dhe e dërgojnë në Shtyllas ku bashkë me të internuar të tjerë i vënë të hapin kanalin faraonik Vjosë-Levan-Fier. Pas përfundimit e degdisin në Kuç të Kurveleshit, në një shpatinë të egër shkëmbore. Siç rrefen bashkëvuajtësi i tij, piktori e studiuesi Lekë Pervizi, "nga njëqind të burgosunit politikë të Kuçit, gjashtëdhjetë ishin intelektualë të naltë të kohës së Mbretnisë: ish ministra, profesorë, funksionarë të naltë, shkrimtarë, poetë, gjuhtarë poliglotë, avoketën, gjyqtarë, piktorë, inxhinjerë, agronomë, gazetarë, ambasadorë, fetarë … Lemi, siç e thërrisnim ne, zakonisht lexonte ndonji libër në qoshen e tij, në atë dhomë ku dhjetë vetë rrinim bri njeni-tjetrit, si sardelet në kuti, vendosë në dy rreshta. Dhe ja, në nji ditë të qershorit 1957, i vjen në takim me lejë speciale, i vëllai i tij, Paçi, me veprën e Ariostos, Orlando Furioso, dhe nji letër nga miku i tij prof. Mark Dema, gjithashtu përkthyes nga origjinali i "Eneidës" së Virgjilit nëpër burgje e kampe internimi. Në letër prof. Mark Dema e këshillonte dhe e nxiste me përkthye Orlandin… “I ndaluem, siç je, prej çdo krijimtarie letrare, dhe në at izolim të thellë ku je, së pakut mund ta kalosh jetën me këtë përkthim”.2

Për kët punë edhe shokët e kolegët e tij, që kishin kalue burgjet, e që mendonin se vetëm Lemi ishte në gjendje me e sjellë në shqip veprën e Ariostos e nxitën. Ishte njifarë lëvizje disidente, kundërshtuese, e heshtun dhe e nëndheshme. Kjo lëvizje qe propozue nga Prof. Pashko Gjeçi, i cili ndërkohë kishte përfundue përkthimin e "komedisë Hyjnore" të Dantes në burgun e Burrelit, ma i tmerrshmi i regjimit. Në këtë vazhdë ishin përkthye nga intelektualët e burgosun politikë mjaft autorë të mëdhenj, ku veç Dantes, qenë edhe Tasso, Petrarka, Bokaçio, Hygoi, Balzaku, Stendali, Tolstoi, Turgenievi, Pushkini, Lermontovi, Manni, Dikensi, Shou, Shileri, Gëte, Zvajgu, klasikët greko-latinë, etj. Regjimi e kishte lejue at punë prej të burgosunve, duke qenë se pseudoletrarët e vet, s`po arrinin me krye asgja për s`mbari, për injorancë gjuhësore po dhe për mediokritet kulturor e artistik.3

2. “Orlando furioso” e Lodovico Ariosto-s, në shqip: “Orlandi i çmendun”

I tanë Ariosti, sipas përkthyesit prof. Guljem Dedës, asht në këtë kryevepër të dytë (mbas Komedisë Hyjnore) të letërsisë italiane. Ky poem kalorsjak heroko-komik asht vazhdimi i "Orlandit Dashunues" të poetit të madh Boiardo . Në dy tubëzat e para të poemit kemi të shenjuem në vija të përgjithshme argumentin që do të zhvillohet gjatë dyzetegjashtë këngëve: gratë e kalorësit, armët, dashunitë, punët e sjelljet e njerzishme, veprat guximplote, që ndodhën kur Maurët kalune detin e i rane Francës, ai këndon, e Orlandin që prej dashnisë krisi ndër mend e u tërbue faret.

Mbi tri fije kryesore endet e shtjellohet kjo pëlhurë e madhe, në të cilën vijnë tue u gërshetue shumë fije të tjera shumëngjyrëshe të poemit: lufta ndërmjet Lindjes Saraçene e Perëndimit të Europës; dashunija e Orlandit për Angjelikën e të çmendunit e tij për shkak të saj; dashunia e Rugjerit dhe Bradamantes, prej të cilëve do të rrjedhi shtëpija e Estensëve, së cilës i dedikohet poemi. Prijs i ushtrive të Perëndimit asht Karli i Madh (që lind në v. 742 e vdiq në v. 814) ndërsa i Saraçinëve asht Agramanti, mbret i Tunizisë… Thelbi kryesor, siç e thotë dhe titulli, asht marrija e Orlandit, e nipit të Karlit të Madh. Rreth këtyre figurave e episodeve të luftës vërtiten qindra persona e episode të tjera.

3. Poetika e poemës “Orlandi i çmendun”

Ariosto mban një qëndrim të nënvizuar ironik ndaj aventurave të përshkruara në poemë, duke e shprehur këtë nuancë si në përshkrime, ashtu edhe në digresionet e shumta lirike, të cilat, më vonë u bënë një prej elementeve më të rëndësishme të poemës së re europiane. Në digresionet autoriale analizohen edhe tema krejt “serioze”; kështu, Ariosto kuvendon me lexuesin mbi artin e poezisë, kritikon luftëtarët italianë dhe lan hesapet me smirëzinjtë e dashakeqët e tij. Elementët e shumëllojshëm kritikë e satirikë janë shpërndarë përgjatë gjithë tekstit të poemës; në një prej episodeve më të famshme kalorësi Astolf fluturon mbi një hipogrif5Hënë, që të kërkojë mendjen e çmendur të Orlandit, dhe që ndesh banorin e atjeshëm apostull Gjonin. Apostulli i kallzon atij një luginë, ku gjenden të gjitha gjërat, që kanë humbur njerëzit, e ndër to edhe bukuria fëmërore, virtytet e zotërinjve dhe dhuntia e Konstantinit.6

Pa u shmangur në anë të analizës psikologjike, Ariosto kridhet krejtësisht në elementin përralltar, i cili, sikundër e përmendëm, përbën vetëmse bazën e poshtme të strukturës së këtij romani kalorsiak në vargje. Hegeli nuk është i saktë, kur shkruan, se «Ariosto ngrihet kundër përrallësisë së aventurave kalorsiake». Me vlerën e interpretimit ironik dhe trajtimit lojacak Ariosto përfton, si të thuash, të drejtën për t`u dehur me fantastikën përralltare, me stërfryrjet hiperbolike dhe me imazhet ekstravagante, nëpërmjet ndërlikimit të linjave të mbivendosura fabulare, kthesave të papritura e të pazakonta në fatin e personazheve. Përveç kësaj, prania e trillit artistik nënvizohet më shumë më fort, se në romanet klasike të kortezisë, pik&eum