E shtunë, 23 Maj 2015

0

Legjenda e Barcelonës, Hristo Stoiçkov, ka lëshuar thumba ndaj Realit duke u shprehur se në Madrid e kanë mendjen më shumë te skuadra e basketbollit.

“Galaktikët” e mbyllën sezonin pa trofe, ndërkohë që Barça e siguroi titullin në Spanjë një javë para fundit si dhe do të luajë finalet e Kupës së Mbretit dhe Ligës së Kampionëve.

“Është turp që ata kanë fituar vetëm një kampionat në shtatë sezonet e fundit”, u shpreh ish-sulmuesi bullgar për “Radio4G”.

“Mendoj se edhe në këtë moshë unë do të kisha fituar më shumë duke luajtur me plot ish-lojtarë. Duket se këtë vit Reali e kishte mendjen më tepër te skuadra e basketbollit (e cila të dielën e shkuar u shpall kampionë e Evropës), pasi finalet do t’i shohin në televizor”.

49-vjeçari kritikoi edhe tifozët madrilenë, të cilët disa herë gjatë këtij sezoni fishkëllyen kapitenin Iker Kasijas: “Ikeri është një ikonë e futbollit që ka fituar gjithçka dhe nuk duhet të largohet nga Reali vetëm se një grusht tifozësh nuk e duan”.

Reali i Madridit i jep fund sezonit të shtunën kundër Getafes në shtëpi, e më pas trajneri Ançeloti pritet të largohet për t’i bërë vend Rafa Benitezit.

/Start/E.B/

0

Skënderbeu ka ngritur sot në qiell trofeun e Superligës 2014-2015, të pestin radhazi e të gjashtin në historinë e vet.

Në një mbrëmje festive, bardhekuqtë kurorëzuan triumfin me kupën prej ari, ndërkohë që para ndeshjes ndaj Vllaznisë ekipi, presidenti Ardian Takaj dhe trajneri Mirel Josa u vlerësuan me titullin “Qytetar Nderi” i Korçës.

Nuk kishte si festa të mos paraprihej nga një fitore (2-0) e vulosur nga golat e Berishës në pjesën e parë dhe Prognit në të dytën, që i ngjit “Ujqërit e deborës” në kuotën e 79 pikëve gjithsej, 4 më shumë se Kukësi që sot bëri detyrën duke mposhtur 2-1 Flamurtarin.

Ndërkohë Partizani fitoi lehtësisht 3-0 ndaj Elbasanit duke vulosur vendin e tretë dhe pjesëmarrjen në eliminatoret e Ligës së Evropës e duke lënë jashtë Tiranën që mundi 1-0 Teutën në kryeqytet. Tani shpresa e vetme e bardhebluve për të luajtur në Evropë mbetet fitorja e Kukësit ndaj Laçit në finalen e Kupës së Shqipërisë.

Në duelin tjetër të javës së fundit, Laçi triumfoi 4-1 përballë Apolonisë në Fier.

Kjo është renditja përfundimtare e Kategorisë Superiore për këtë sezon:

superliga

/Start/E.B/

0

Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane, Erion Veliaj, prezantoi sot programin e tij për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale të 21 qershorit.

Gjatë fjalës së tij Veliaj tha se në kryeqytet ekipi i tij ka identifikuar 3000 probleme, duke filluar nga infrastruktura, gjelbërimi, arsimi, trafiku, tregjet etj., për të cilat ai u zotua se do t’i zgjidhë brenda 300 ditëve të para.

“Fushata jonë bazohet të vullnetarët – deklaroi kandidati i majtë -. Kemi 80 tillë, që kanë mbaruar urbanistikë dhe arkitekturë, të cilët jo detyrimisht kanë teser partie, por që janë pjesë me zemër e kësaj nisme. Ata në 8 muaj kanë bërë inventarin e degradimit të Tiranës, duke verifikuar, identifikuar problemet infrastrukturore.  Janë 3000 probleme si rrjedhojë e degradimit, që janë objekt i 300 ditëve të para të punës”.

Më tej, ish-ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë prezantoi dhe disa nga projektet afatgjata të programit të tij, duke vënë në krye ndërtimin e një kampusi të ri universitar. Po ashtu Veliaj premtoi përmirësimin e infrastrukturës rrugore, duke përfunduar të tri unazat – të madhen, të ndërmjetmen dhe të voglën – ndërsa tha se shumë shpejt Tirana do të ketë dhe një hyrje të re, atë nga Rruga Dibrës, ku kalon segmenti i Rrugës së Arbrit.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama edhe një herë shpalosi arsyet se pse qeverisja e tij është drejtimi i duhur për vendin. “Politika jonë nuk është politikë e gënjeshtrës, por e të vërtetës. Ne në 18 muaj kemi ndërmarrë një sërë reformash të cilat ndryshuan drejtimin e vendit, nga degradimi te zhvillimi”, u shpreh kreu i qeverisë, duke iu referuar me radhë reformave në energji, arsim, shëndetësi e luftën kundër korrupsionit.

Duke kthyer vëmendjen te zgjedhjet lokale, Rama nënvizoi se për të vijuar në rrugën e duhur duhen kryetarë bashkie të aftë me vizion dhe që janë të gatshëm për bashkëpunim. “Kandidati i djathtë mund të jetë burrë i mirë, por nuk mund të bëjë gjë, pasi nuk e lë SHQUP-i. Prandaj vota për Aleancën për Shqipërinë Evropiane është një votë për qytetin, për komunitetin tuaj. Kjo nuk është çështje e një njeriu, por çështje e një vizioni, një programi dhe një familjeje që i jep vendit kandidatin e duhur”, tha Rama.

/Start/

0

Altin Lala, Erion Bogdani dhe Klodian Duro janë disa nga emrat e shquar të futbollit shqiptar që pajisen me licencën e trajnerit profesionist.

Sot në qendrën e ekipeve kombëtare në Kamzë u shpërndanë diplomat për 18 kursantët që përfunduan kursin njëvjeçar të nivelit të lartë “UEFA PRO 3”.

Kjo licencë u jep trajnerëve të rinj të drejtën për të punuar në të gjitha klubet e Evropës.

“Është shumë e vështirë dhe krejt ndryshe, sepse kur je futbollist mendon për veten dhe për ekipin, kurse si trajner duhet t’i shohësh të gjithë si lëvizin në fushë si dhe duhet të dish të menaxhosh edhe lojtarët e stolit apo presidentin dhe drejtorin e klubit”, tha Bogdani lidhur me ndryshimin mes të qenit futbollist dhe trajner.

Kurse për Altin Lalën, “nëse si futbollist duhet thjesht të bësh detyrat e tua, si trajner ke një përgjegjësi krejt ndryshe. Ke përgjegjësi për të gjithë futbollistët, stafin, marrëdhëniet me median, pra është një punë shumë komplekse”.

/Start/E.B/

0

Nga sot Udineze do të ketë “bazën” e saj edhe në Shqipëri, pas marrëveshjes së binjakëzimit të firmosur në Tiranë mes Akademisë së klubit italian dhe Akademisë Internacional Tirana që ndodhet në Pezë-Helmës.

Drejtori i përgjithshëm i “Udinese Academy”, ish-futbollisti Masimiliano Ferrinjo, ka parashtruar projektin disavjeçar, por edhe rrugëtimin që do të ndiqet dhe mënyrën se si do të veprohet. “Bashkëpunimi ynë do të jetë ekskluzivisht me Akademinë Internacional Tirana, që do të jetë pika jonë e referimit në Shqipëri. Duam që ky binjakëzim të na japë mundësi në të ardhmen që të kultivojmë lojtarë të talentuar, por edhe trajnerë apo përgatitës të aftë. Kemi qenë disa herë në Tiranë dhe e kemi parë kompleksin, që përmbush të gjitha kushtet”, shpjegoi Ferrinjo.

I kënaqur nga ky bashkëpunim u shpreh edhe presidenti i Akademisë Internacional Tirana, Ervin Canollari, i cili deklaroi: “Është një akord i rëndësishëm dhe që na hap dyer të reja drejt Evropës. Janë bërë investime dhe do të vazhdohen të bëhen”.

Hapi i parë konkret i projektit do të jetë nga 29 qershori deri më 3 korrik, kur do të zhvillohet një fazë përzgjedhëse me pjesëmarrjen edhe të trajnerëve të moshave të Udinezes.

/Start/

0

Stephen Curry po shkëlqen në parket me Golden State Warriors në NBA, por në konferencën për media pas fitores ndaj Huston Rockets e tërë vëmendja u përqendrua te vajza e tij dyvjeçare, Riley.

/Start/

0

Gjatë periudhës së fillimit të kopshtit do t’ju duhet të përballeni me disa shqetësime të fëmijëve. Fëmija juaj për herë të parë do të ndahet nga shtëpia dhe nëna. Ndërkohë që disa fëmijë mësohen lehtë me kopshtin, disa të tjerë e kanë shumë të vështirë të ambientohen. Prandaj mos ikni menjëherë sapo të hyni në kopsht. Qëndroni pak me të derisa të fitojë pak siguri në vetvete.

Fillimi i kopshtit dhe periudha e ambientimit është një problem shumë i rëndësishëm si për fëmijën ashtu edhe për familjen. Nëna ndahet për herë të parë nga fëmija dhe fajëson veten se mos ndoshta “po e braktis atë”. Por përkundrazi, ky mendim e vështirëson dhe më shumë procesin e ambientimit të fëmijës me kopshtin. Familjet që duan të fusin fëmijët në kopsht më parë duhet të përgatisin veten dhe të përmirësojnë sjelljet e tyre.

Kur fillon kopshti, problemi që hasim më shpesh është mosndarja e fëmijës nga nëna. Fëmija që nuk dëshiron të shkojë në kopsht përdor armë si të qarit, bërtet, gënjen për dhimbjen e kokës apo të barkut. Sjellja e nënës e vështirëson edhe më shumë ambientimin e fëmijës në kopsht. Kur fillohet kopshti, prindi duhet të mbajë një qëndrim konstant dhe të mos lëshojë pé përsa i përket zbatimit të rregullave. Familjet duhet ta përgatisin fëmijën për kopsht me anë të sjelljes së tyre. Vendosmëria dhe ekuilibri në sjellje do të ndihmojë fëmijën të kuptojë domosdoshmërinë e qëndrimit në kopsht. Në vend të përjetimit të përbashkët të ankthit dhe frikës së fëmijës, përpiquni ta dëgjoni dhe kuptoni shqetësimin e tij. Duke folur rreth gjërave nga të cilat frikësohet duhet të jeni udhëzues në tregimin e rrugëzgjidhjes. Për shkak të reagimeve të ashpra të fëmijës, disa ditë mund ta mbani në shtëpi. Mirëpo kjo sjellje nuk duhet të zgjojë te fëmija ndjenjën e mosshkuarjes në kopsht të nesërmen. Duhet t’i theksohet në mënyrë koherente domosdoshmëria e shkuarjes në kopsht. Fëmija duhet të informohet më parë rreth problemeve me të cilat mund të përballet në marrëdhëniet shoqërore dhe mjedisit ku do të qëndrojë.

Fëmijët duhet të dëgjohen dhe të respektohen mendimet e tyre. Bërja e pyetjeve të tepërta, lavdërimi i kopshtit, interesi i tepërt rreth ushqimit, vajtje-ardhja e shpeshtë në kopsht gjatë fillimit të tij dëmton ambientimin e fëmijës. Në vend të mbytjes së fëmijës me pyetje të tepërta mund të dëgjoni gjërat që tregon dhe t’i thoni që ndiheni krenar për të. Informacionin rreth fëmijës duhet ta merrni nga edukatoret pa praninë e tij. Nga ana tjetër, në momentin kur duket se gjithçka shkon mirë fëmija mund të mos dëshirojë të shkojë në kopsht. Pa ju kapur paniku përpiquni të kuptoni shkakun. Mungesa e dëshirës për të shkuar në kopsht nuk lidhet gjithnjë me ndonjë problem të kopshtit. Shumë probleme të ndryshme si lindja e një fëmije tjetër, problemet me nënën, tensioni brenda familjes janë disa nga shkaqet që ia heqin fëmijës dëshirën për kopshtin. Në këtë rast kërkoni ndihmën e specialistëve të kopshtit.

Qëndroni larg këtyre gjërave:

– Mos dilni nga kopshti me nxitim dhe pa i thënë fëmijës ”mirupafshim” apo “unë po iki”. Fëmija do të ndihet i humbur dhe i braktisur;

– Kur ta lini në kopsht, fëmija mund të qajë apo të bërtasë, por ju përpiquni ta qetësoni. Nëse vendosni të qëndroni me të çdo ditë, atëherë ai nuk do të mësohet kurrë me kopshtin;

– Pasi ta qetësoni, dorëzojani edukatores. Nëse nuk arrini ta bëni këtë, atëherë fëmija nuk do të mund të veprojë si i pavarur dhe kjo do ta bëjë atë të ndihet i dobët dhe pa besim te vetvetja;

– Mos e detyroni të flasë kur kthehet nga kopshti. Përpiquni të jeni dëgjues të mirë kur ai të fillojë të tregojë vetë.

Çfarë duhet bërë ditën e parë të kopshtit?

Bëni një mëngjes me gjithë familjen dhe ndani kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur.

Nëse fillon të qajë, mos e detyroni shumë dhe silleni në shtëpi. Lënia në kopsht, ashtu siç nuk do ta lehtësojë ambientimin e tij, mund të nxisë urrejtjen ndaj kopshtit.

Për të mos u ndier vetëm, mund të marrë me vete diçka shumë të dashur për të si arushin e preferuar, fotografinë e dikujt nga familja apo batanijen e tij. /Start/Aisa Kokiçi/

0

Në varësi të kushteve, sot njerëzit nuk arrijnë të kenë kohën e duhur për t’u ushqyer shëndetshëm duke u përpjekur ta kalojnë ditën me ushqime të gatshme të marra në treg pasi kthehen nga puna. Por te këto produkte ka shumë kripë, yndyra, kolesterol dhe substanca të tjera shumë të dëmshme për shëndetin nëse konsumohen shpesh.

Ja disa hapa të vegjël që mund t’i ndiqni për një ushqyerje të shëndetshme të familjes suaj:

1. Ndryshoni mesataren e ushqimeve të shpejta. Në vend të ushqimeve plot kalori konsumoni ngadalë dhe shkallë-shkallë më shumë fruta dhe produkte të shëndetshme. P.sh. në vend të një pakoje me patatina mund të hani tre lloje frutash (mollë, portokall, rrush);

2. Kur të shkoni në treg mos u ndalni te pjesa ku shiten produktet e paketuara si patatina, fara apo të tjera të ngjashme, por kaloni nga pjesa ku shiten produkte me pak yndyrë, pa sheqer dhe kolesterol si frutat e freskëta, zarzavatet, peshku etj.;

3. Lexoni etiketën e ushqimeve të blera, megjithatë kjo nuk do të thotë që produkti i cili ka pak yndyrë apo është dietik është më i shëndetshmi. Nëse ka pak yndyrë mund të ketë shumë kripë dhe nëse ka pak sheqer mund të ketë shumë yndyrë;

4. Zgjidhni porcione në masa të pranueshme. Llogariteni porcionin për një person sa një grusht. Dikush e llogarit edhe më shumë, por është e tepërt;

5. Mundohuni ta mësoni veten dhe shqisat e shijimit me zgjedhjen e ushqimeve të shëndetshme. Ëmbëlsia e qershisë apo kumbullës nuk mund të krahasohet me shijen e një ëmbëlsire të gatshme. Ju duhet të mësoheni edhe një herë me shijet e ushqimeve të shëndetshme dhe natyrale. Në vend të gjërave të gatshme filloni të konsumoni më shumë fruta dhe zarzavate. Nëse i konsumoni shpesh, gjuha juaj do të mësohet me këtë shije;

6. Mësoni disa alternativa bazë kundër ushqimeve të yndyrshme. Në vend të majonezës zgjidhni hardallin (sinapin), sepse ka më pak kalori dhe yndyrë. Në vend të orizit të bardhë zgjidhni orizin ngjyrë kafe, merrni bukë gruri ose tërshëre. Mishin e kuq zëvendësojeni me mish pule. Përpiquni që ushqimet t’i gatuani në furrë (t’i piqni) dhe qëndroni larg gjërave të skuqura. Në vend të lëngjeve të frutave apo pijeve freskuese pini ujë. Disa lëngje frutash përmbajnë karbohidrate dhe kalori. Për makaronat dhe sallatën tuaj zgjidhni salca me pak kalori. Në vend të qumështit të yndyrshëm konsumoni qumësht pa yndyrë dhe djathë gjysmë të yndyrshëm. Dhe zëvendësoni patatinat apo fërgesat me zarzavate të gatuara me avull;

7. Përpiquni të përgatisni një pjatë shumëngjyrëshe. Mund të zgjidhni produktet për të cilat ka nevojë trupi juaj dhe të kombinoni ngjyrat. Provoni një herë kombinimin e frutave dhe zarzavateve. Ushqehuni me ushqime të cilat luftojnë gripin, kancerin dhe sëmundjet e tjera;

8. Mos lini pas dore asnjë vakt. Mos e filloni ditën pa mëngjes. Kur kaloni një vakt ju shtohet më shumë oreksi dhe do të depozitoni më shumë yndyra. Mund të hani gjëra të shpejta, por sigurohuni të jenë të shëndetshme;

9. Mos hani gjë 2 – 3 orë para se të flini. Lëreni trupin të djegë mbetjet e fundit të marra nga ushqimet e konsumuara brenda ditës;

10. Shikoni ndryshimet e bëra në stilin e jetesës pa pasur nevojën e një diete. Secili prej nesh ka një program të caktuar. Gjeni më të përshtatshmin për ju. Për këtë zgjidhni ushqime të shëndetshme. /Start/Aisa Kokiçi/

0

Përfaqësuesja e Francës do të vijë në Elbasan me plot yje për miqësoren e 13 qershorit përballë Shqipërisë.

Mungesa e vetme është sulmuesi i Realit të Madridit, Karim Benzema, i dëmtuar.

Kjo është lista e 24 futbollistëve të thirrur nga trajneri Didier Dedhamps:

Portierë: Hugo Loris (Totenhem), Stiv Mandanda (Marsejë), Stefan Rufie (Sent-Etien);

Mbrojtës: Patris Evra (Juventus), Kristof Zhalle (Lion), Loren Koshielni (Arsenal), Eliakim Mangala (Mançester Siti), Bakari Sagna (Mançester Siti), Mamadu Sakho (Liverpul), Benua Tremulinas (Sevilja), Rafael Varan (Real Madrid);

Mesfushorë: Johan Kabaj (PSG), Maksim Gonalons (Lion), Xhofri Kondogbia (Monako), Blez Matuidi (PSG), Dimitri Paje (Marsejë), Pol Pogba (Juventus), Musa Sisoko (Njukasëll);

Sulmues: Nabil Fekir (Lion), Olivier Zhiru (Arsenal), Antuan Grizhman (Atletiko Madrid), Aleksandre Lakazet (Lion), Matje Valbuena (Dinamo Moska), Pol-Zhorzh Ntep de Madiba (Renë).

/Start/

0

Tiranë – Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako priti delegacionin e Policisë gjermane të kryesuar nga Dr. Dieter Romann, President i Policisë Federale gjermane.

Gjatë bisedës, drejtori Çako ka theksuar se Policia është e angazhuar maksimalisht për të frenuar fenomenin e azilkërkuesëve në vendet e BE-së.

“Falë angazhimit të strukturave të luftës kundër trafiqeve të paligjshme kemi arritur të vëmë nën kontroll disa angjensi turistike udhëtimi të cilat organizonin me anë të mashtrimit udhëtime drejt Gjermanisë. Fluksi është frenuar duke shkuar drejt normalitetit”, nënvizoi Drejtori.

Sipas Policisë së Shtetit, president i Policisë Federale gjermane ka vlerësuar si shumë të shkëlqyer bashkëpunimin me Policinë Kufitare, duke e cilësuar si një bashkëpunim të nivelit shumë të lartë dhe të besueshëm mes dy policive kufitare. Por megjithatë, ai propozoi ekspertizë shtesë për trajnimin e policisë kufitare shqiptare.

Gjithashtu Dr. Dieter Romann ka theksuar se në drejtim të frenimit të fenomentit azilkërkues, autoritetet shqiptare prej shumë kohësh kanë marrrë iniciatiavat e duhura dhe Policia Kufitare po bën punën e duhur.

Kreu i policisë gjermane i ka prezantuar Drejtorit Çako, një trilogji masash të marra nga qeveria gjermane për të frenuar fenominin e azilit:

  • shkurtim të procedruarave dhe afateve të azilit
  • rikthim nga Gjermania në vendet e tyre
  • bashkëpunim operacional me shërbime të përbashkëta në vendet e origjinës.

Nga ana e tij Drejtori i Policisë së Shtetit e ka siguruar për gadishmërinë e Policisë shqiptare për të bashkëpunuar në këtë drejtim, me Policinë gjermane dhe me FRONTEX.

/GS/

 

0

Gjendja e rëndë politike në Maqedoni po influencon negativisht ekonominë e veçanërisht investimet e huaja dhe vendase në sektorin e turzimit. Po ashtu për shkaqe sigurie rrezikohet dhe kthimi i mërgimtarëve gjatë periudhë së verës në atdhe, vë në dukje Menderes Kuçi, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperendimore OEMVP, duke analizar ndikimin e krizës politike në ekonominë e Maqedonisë. “Gjendja e rëndë politike në vend, ka ndikim negativ. Rrezikohet dhe kthimi i mërgimtarëve tanë në periudhën e verës, e që janë stimul i veçantë për rritjen e konsumit të përgjithshëm në Maqedoni, si dhe në mënyrë shtesë dhe rreziku nga zvogëlimi i depozitave të tyre, që në masë të madhe kontribojnë për stabilitetin makroekonomik të vendit dhe sigurojnë stabilitet të një pjesë të rezervave devizore”, vlerëson Menderes Kuçi.

Vazhdimi i krizës politike do të ketë ndikim negativ në ekonominë e vendit, e sidomos në investimet e huaja.“Pasojat e gjithë kësaj do t’i bartin kompanitë dhe qytetarët, ndërsa qeveria këtë do ta ndjejë pasi arka shtetërore do të jetë e zbrazur, indikacione të cilat tashmë dhe kanë filluar të ndjehen. Vazhdimi i krizës politiko-ekonomike do t’i zbeh mundësitë për ta mbrojtur Maqedoninë nga falimentimi”, thotë kryetari i OEMVP-së, Menderes Kuçi

Përfaqësuesit e odave ekonomike që përfaqësojmë interesin e komunitetit të biznesit, kanë paralajmëruar iniciativa të përbashkëta, të cilat do t’i dorëzohen qeverisë në drejtim të stabilizimit dhe normalizimit të krizës politike dhe ekonomike në vend.

Biznesmenët kërkojnë ndihmë

Kriza politike po reflektohet negativisht në sferën e ekonomisë, ndërsa pasojat më së shumti po i ndjejnë kompanitë e mëdha, por pa anashkaluar edhe konsumatorët e thjeshtë, thonë biznesmenët, duke kërkuar siguri politike që të mund të realizojnë parashikimet e tyre investuese në vend.“Kriza politike para së gjithash po ndihet tek oligarkët, apo tek kompanitë e mëdha ku ka ngecje në qarkullimin e kapitalit. Ngecjet në zhvillimin ekonomik po i ndiejnë edhe konsumatorët e thjeshtë, por edhe ndërmarrjet e vogla pasi në situatën e krijuar kemi ulje të kërkesave dhe rritje të shpenzimeve“, thotë biznesmeni Zore Temelkovski.

Ministri i financave, Zoran Stavreski, pranon se biznesmenëve u nevojitet stabilitet i qëndrueshëm që të mund të realizojnë projektet e planifikuara. Stavreski vlerëson se një zgjidhje e krizës politike do të ishte e mirëseradhur për bizneset vendase, por edhe për kompanitë e tjera që hezitojnë për të investuar në Maqedoni.

“Pres që rezultatet në ekonomi tani për tani nuk do të përkeqësohen, por gjithçka varet nga ajo se sa shpejtë do të tejkalohet kriza politike. Vlerësoj se është mirë që të dilet nga kjo situatë dhe bizneset të fillojnë me realizimin e parashikimeve të tyre në ekonomi“, thotë Ministri i financave, Zoran Stavreski.

Ekspertët e ekonomisë të shqetësuar nga pasojat e krizës

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Shkupit, Zoran Ivanovski, thotë se për shkak të uljes së aktiviteteve ekonomike si pasojë e krizës politike, është reale që të pritet rritja e deficiteti buxhetor, apo të mos realizohet mbushja e buxhetit sipas parashikimeve të qeverisë.“Vlerësoj se nuk do të ketë ndryshime të theksuara sa i përket politikës ekonomike në krahasim me periudhën e deritanishme. Konsideroj se është reale që të presim rritje të deficitit buxhetor“, thotë Ivanovski.

Sipas njohësit të çështjeve ekonomike Visar Ademi kriza ekonomike do të manifestohet në dy aspekte, e para duke e ulur fuqinë blerëse të qytetarëve dhe e dyta duke ngrirë investimet e huaja në vend.“Investitorët e brendshëm duke e pasur të ulur konsumin e brendshëm do të kenë shumë më pak para në dorë që të investojnë tek kapacitetet ekzistuese të kompanive të tyre dhe do të ketë shumë më pak vende të reja pune. Kjo do të ndikojë shumë ndjeshëm në ekonomi dhe mendoj se do të ketë një lloj krize ekonomike që do të reflektohet pas pushimeve verore”, thotë Visar Ademi.

Eksperti Zoran Vitanov thotë se tanimë është i dukshëm ndikimi i krizës politike në ekonomi përmes anulimit të marrëveshjeve dhe bllokimit të investimeve nga jashtë. “Prodhimet vendase kanë mbetur të ngujuara në tregun e brendshëm. Blerësit e prodhimeve tona, të njëtet produkte i marin nga shtetet e tjera, sepse nuk kanë guxim të rezikojnë dhe të presin se çka po ndodh në Maqedoni “, deklaron Zoran Vitanov.

Sipas të dhënave të Bankës Popullore të Maqedonisë në muajin shkurt të këtij viti janë regjistruar vetëm 12.6 milionë Euro investime të huaja, investimet e huaja mesatarisht kanë qenë mbi 30 milionë Euro.

0

Kuvendi i Kosovës pritet që të nxjerrë në shqyrtim për miratim amandamentet kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte, më 29 maj.

Njëherësh, pritet që të njëjtën ditë të miratohet edhe ligji për këtë gjykatë i cili është negociuar midis Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Kështu është vendosur në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të mbajtur të premten.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli sërish ka ftuar partitë politike për arritjen e një konsensusi të gjerë rreth këtij vendimi.

Ai ka thënë se pretendimet mbi bazën e të cilave Këshilli i Evropës miratoi raportin e senatorit zviceran,Dick Martit mbi supozimet e tij për trafik organesh të serbëve nga ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po bëhen pengesë për Kosovën.

Kështu që sipas tij, me këtë gjykatë do të zbardhet e vërteta e këtyre supozimeve.

“Pretendimet e Dick Martyt të votuara edhe në Këshillin e Evropës dhe të nxjerra në konkludimet e prokurorit Williamson janë duke u shndërruar pengesë, për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve tanë. Ne nuk guxojmë si institucione dhe si politikanë të lejojmë që e ardhmja e vendit dhe këtyre qytetarëve të mbetet peng. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë pjesë e historisë sonë”, ka theksuar Veseli.

Megjithatë, themelimi i Gjykatës Speciale për krime lufte po kundërshtohet nga opozita.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca e ka cilësuar të padrejtë themelimin e kësaj gjykate.

“Ne e konsiderojmë shumë të dëmshme këtë që ka ndodhur dhe që po procedohen këto amandamente kushtetuese për disa arsye. E para, po krijohet një gjykatë në Kosovë e cila për kah definicioni përjashton trajtimin e krimeve të shtetit të Serbisë që kanë ndodhur në Kosovë”, është shprehur Konjufca.

Kundër themelimit të kësaj gjykate janë pozicionuar edhe dy subjektet tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma.

Për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, koalicioni qeverisës i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës bashkë me pakicat, do të duhet të sigurojnë dy të tretat e votave të deputetëve dhe mbështetjen prej dy të tretave të votave të komuniteteve pakicë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ndonëse i ka cilësuar të padrejta akuzat në raportin e Dick Martyt, ka vlerësuar po ashtu se themelimi i kësaj gjykate duhet të ndodhë.

“Është një padrejtësi shumë e madhe. Por a mjaftojnë vetëm fjalët tona – jo nuk mjaftojnë. Ne duhet ta kemi gatishmërinë tonë që të shkojmë aty ku po kërkohet dhe ta dëshmojmë pafajësinë tonë dhe ta dëshmojmë se lufta e jona çlirimtare ka qenë e drejtë, e pastër që i ka respektuar të gjitha konventat”, ka thënë Grabovci.

Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri vetëm ka rikonfirmuar se kjo parti politike do ta mbështesë themelimin e gjykatës speciale, pasi që dështimi eventual nga institucionet e Kosovës, sipas tij, do ta barte çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“I kemi dy mundësi – ta vazhdojmë atë rrugë që e kemi hapur në prill të vitit të kaluar me votimin e amandamenteve kushtetuese dhe të votojmë edhe tani, apo edhe alternativa, që fatkeqësisht është shumë më e rëndë, që kjo çështje të shkon në Këshillin e Sigurimit”, ka thënë Beqiri.

Selia e Gjykatës Speciale për Krime Lufte pritet të jetë jashtë Kosovës. Në përbërjen e saj do të ketë prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo do të hetojë dyshimet e supozuara në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me pretendimet e senatorit zviceran Dick Marty për trafik organesh të disa civilëve serbë nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilat u hetuan më pas nga një Task Forcë speciale ndërkombëtare. /REL/