E enjte, 28 Maj 2015

0

Kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ka përshëndetur vendimin e Gjykatës së Apelit, për pezullim të ndërtimeve tek diga e Liqenit.  

Veliaj e konsideroi këtë si fitoren e parë kundër modelit të SHQUP-it në bashki.

Gjykata Administrative e Apelit la sot në fuqi vendimin e shkallës së parë që i kishte dhënë të drejtë INUK-ut për ndërprerjen e punimeve.

Statusi i plotë i Erion Veliajt në “Facebook”:

Lajm i mirë – Me vepra, jo me fjalë! Gjykata e Apelit sapo vendosi në favor të INUK/IKMT për Pallatin tek Diga e Liqenit-ndërtimi pezullohet! Faleminderit gjithë qytetarëve që besuan dhe mbështetën aksionin tonë për të ruajtur Parkun e Liqenit. Patëm kurajon ta denonconim konkretisht e t’i shkonim gjer në fund, kjo është fitorja jonë e parë kundër modelit të Shqup në bashki. Në 21 Qershor kemi verdiktin nga qytetarët se kë model duan për ta çuar Tiranën në ‪‎drejtimi e duhur! Nën administrimin e ri, Bashkia e Tiranës do jetë palë me INUK e qytetarët dhe jo me betonin, si për këtë leje tek diga ashtu dhe 60 lejet që Shqup dha pabesisht në prag fushate e që do shohin të njëjtën betejë për anulim. Bashkë për drejtimi e duhur.

/GS/

0

Autoritetet franceze kanë kthyer sot në Shqipëri 50 shtetas për shkelje të rregullave të qëndrimit në zonën Shengen.

Të riatdhesuarit mbërritën rreth orës 15:00 në portin e Rinasit. Ata udhëtuan drejt vendit tonë në një avion “Charter”, organizuar nga autoritetet franceze dhe agjencia “Frontex”.

Shtetasit e kthyer sot janë penalizuar me heqjen e të drejtës për të udhëtuar drejt vendeve të hapësirës Shengen për 5 vjet.

Operacioni i riatdhesimit u zhvillua nga Policia Shqiptare, përkatësisht strukturat e Policisë Kufitare dhe Migracionit, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese franceze dhe “FRONTEX”.

Në bordin e avionit ishte dhe një përfaqësues i Avokatit të Popullit me qëllim monitorimin e respektimit të të drejtave të shtetasve që u riatdhesuan si dhe në përbërje të eskortës kishte dhe një mjek e një psikolog.
/GS/

0

Presidenti i UEFA-s Mishel Platini ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj presidentit të FIFA-s, Sep Blater, se nëse nuk largohet nga posti, ekipet evropiane mund të bojkotojnë Botërorin. 

“Nëse Blater mbetet president, UEFA do të takohet në Berlin për të diskutuar të ardhmen e marrëdhënieve me FIFA-n. A mund të largohet UEFA nga FIFA? Natyrisht”, ka thënë Platini.

Shefi i UEFA-s në një konferencë për media në Zurih, u ka bërë thirrje 53 ekipeve evropiane që të përkrahin kandidaturën e Princit Ali Bin Al Husein për president të FIFA-s.

Platini, i cili ndihmoi Blaterin të fitonte zgjedhjet e para në vitin 1998, deklaroi gjatë kësaj jave se është koha qe FIFA të reformohet.

“Me kaq mjafton. U mbush kupa. Zgjedhja e Blaterit nuk do të ishte gjë e mirë sa i takon imazhit”, shtoi ai.
/GS/

0

Projektligji i ri për arsimin ka shkaktuar debate në Kuvend mes ministres së Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.

Ministrja Nikolla tha se ai të vlerësohet nga një komision të përbërë nga përfaqësues me vlerë nga çdo fushë.

“Numri i alternativave për një tekst shkon deri në 11. Do të ketë një komision, përfaqësues vlerash të çdo fushe. Kemi garantuar në këtë ligj dy ndërhyrje me një theks të cilat di të përcaktojnë se sa cilësor do jetë teksti dhe së dyti një tekst para se të vendoset duhet më parë të certifikohet. Ne gjetëm në sistem 4 mijë mësues të cilët rezultonin ose të mos kishin arsimin përkatës ose të jepnin mësim jashtë profilit. Ju përgjigjëm në mënyrë emergjente për ta ndryshuar këtë realitet një orë e më parë. Komisioneve përfaqësues të prindërve dhe të përfaqësuesve vendor u shtuam edhe cilësinë. Ligji që ka kaluar me Konsensus jo rrallë herë ka qenë një farsë, viktimë e korrupsionit. Propozojmë ndërhyrjet në nenin 60 por për mosheqjen e të drejtës të përfaqësuesve të prindërit dhe drejtorit të shkollës për të zgjedhur dhe hequr mësuesit nga puna”, -tha Nikolla.

Pas fjalës së ministres e ka marrë menjëherë fjalën ish-kryeministri Berisha, i cili akuzoi qeverinë se me këtë ligj qeveria po vendos korrupsionin. Shumën që Ministria e Arsimit po përdor për rikonstruksionin e godinës Berisha e ka cilësuar si një shpenzim të panevojshëm dhe shumë të madh për këtë institucion.

“Nuk do i lejoj vetes të them atë që meriton. U ftoj ju që të vizitoni një shkollë të ndërtuar nga BB në Kamzë me një shpenzim 1.3 milion euro dhe imagjinoni ju do të shpenzoni 1.2 milion euro për godinën e ministrisë.”

Një fjalë nën zë e Nikollës ka bërë që Berisha të ashpërsojë tonet, duke i thënë ministres të ketë kujdes, pasi ai nuk është Edi Rama.

Nikolla: T’ju vijë turp.
 

Berisha: Të kem turp. Mbaj gojën. 1.2 milionë euro për rindërtimin e Ministrisë së Arsimit. Ata burra që sheh aty janë me diplomë më shumë se ty. Mbajë gojën, nuk jam Edi Rama unë. Çoja atij atë fjalë që the. Të bësh tender t’i 5 milionë euro tek stadiumi Dinamo për mikun e Ramës”.

“Vetëm injoranca mund të thotë që nuk ka mësues jashtë profilit. Ju vendosët ordinerë dhe militant në vend të tyre. Më mirë një mësues fizike që nuk di të bëjë llogari sesa një nallban apo një militant. Shqipëria nuk ka një ligj.

 

Zonjë, e vërteta është që nuk ka abuzim më të madh se të shpenzosh gjithë ato shumë për kolltuqe e dërrasa në Ministri. Mjerë ai institucion që të ka ty në post”, vijoi Berisha.

/GS/

 

0

Me ngrohjen e motit dhe ringjalljen e natyrës, në ajër fillojnë të përhapen polenet të cilët shkaktojnë alergji. Alergjia ndaj poleneve bashkë me lodhjen sjell dhe rënien në mësime te fëmijët.

Sigurisht që fëmijët janë ata të cilët i shijojnë më shumë këto ditë plot diell e temperatura më të ngrohta. Por nuk duhet harruar se kjo është koha më e përshtatshme për përhapjen e poleneve. Alergjia ndaj poleneve shfaqet me shenja si lotim, kruajtje të syve dhe hundës, sekrecione nga hunda, teshtima, rinit alergjik i cili shkakton bllokimin e hundëve, kollë, marrje fryme etj. Në shumicën e fëmijëve të prekur nga riniti alergjik mund të shfaqen dhe kollë, marrje fryme dhe problemet me hundën. Nëse riniti alergjik i shfaqur në pranverë nuk kurohet, mund të shndërrohet në astmë alergjike.

Alergjia ndaj poleneve fillon zakonisht në muajin mars, vazhdon gjatë prillit e majit dhe përfundon me polenet e barit të shfaqura gjatë muajve gusht deri në nëntor.

Nëse bashkë me ardhjen e pranverës fëmija juaj ndihet i lodhur, ka skuqje në fytyrë apo pjesë të tjera të trupit, kruajtje, lotim të syve, rrjedhje hundore, teshtima të njëpasnjëshme, bllokim të hundëve dhe hemorragji nga hundët, mund të jetë i prekur nga riniti alergjik.

Rruga më efektive e kurimit të astmës alergjike është vaksina e marrë nga goja, hapat dhe vaksina e bërë në krah. Vaksinat ndaj alergjisë janë e vetmja mënyrë e ndryshimit të potencialit të ecurisë së astmës. Përveç kësaj, asnjë kurë tjetër nuk mundëson largimin e sëmundjes nga trupi. /Start/Aisa Kokiçi/

0

Sot kanë dalë në shitje biletat për finalen e Kupës së Shqipërisë Kukësi – Laçi, që do të luhet të premten (29 maj) ora 20:00 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.

Çmimet janë si më poshtë:

Tribunat A dhe B1000 lekë;

Tribunat D1 dhe D3300 lekë;

Tribunat C dhe E200 lekë.

Biletat mund të blihen në biletarinë pranë “Qemal Stafës” si dhe përballë Pallatit të Kulturës në qytetin e Laçit.

“Federata Shqiptare e Futbollit këshillon të gjithë të interesuarit të blejnë bileta vetëm në pikat e autorizuara të shitjes në mënyrë që të shmanget çdo parregullsi dhe çdo tifoz të jetë i sigurt për pjesëmarrjen e tij në këtë ndeshje”, thuhet në komunikatën zyrtare të Federatës.

Ndërkohë, FSHF-ja ka përcaktuar edhe ndarjen e tifozërive në shkallët e stadiumit: mbështetësit e Kukësit do të vendosen në tribunat B, D1 dhe C, kurse për ata të Laçit janë rezervuar tribunat A, D3 dhe E.

/Start/

0

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në Forumin Ekonomik të Vjenës që u mbajt sot në Tiranë, është takuar me homologun e tij shqiptar Edi Rama, por edhe me homologët nga vende të tjera, përfshirë edhe kryeministrin serb dhe atë maqedonas, me të cilët ka mundur të shkëmbejë edhe disa mendime të shkurtra.

Pas punimeve të Forumit në Tiranë, kryeministri Mustafa tha për disa nga mediat e rajonit se është takuar me Vuçiçin, Gruevskin dhe homologun e Malit të Zi, me të cilët ka biseduar për ngjarjen në Kumanovë dhe për mundësitë dhe bashkëpunimin që duhet të kenë vendet e Ballkanit, për të shmangur situata të tilla.

“Unë pata takim me kryeministrin Rama me të cilin biseduam për bashkëpunimin, lidhur me realizimin e marrëveshjeve të cilat i kemi nënshkruar, lidhur me sfidat e tjera që paraqiten para nesh. Unë them se kemi arritur një bashkëpunim shumë të mirë, natyrisht që ka edhe hapësira më tutje që ky bashkëpunim të përparojë. Bisedova edhe me kryeministrin e Maqedonisë. Temë diskutimi kryesisht ishin problemet dhe situata që ndodhi në Kumano vë, se si të menaxhohet të tejkalohet situata dhe të krijojmë kushtet për stabilitet të mëtejshëm, në Maqedoni, Kosovë dhe në Ballkan. Të dy palët u shprehëm se jemi të angazhuar të bashkëpunojmë dhe t’i shërbejmë këtij stabiliteti. Po ashtu takova edhe kryeministrin e Malit të Zi, me të cilin këmbyem mendime lidhur me bashkëpunimin e deritanishëm, i cili është mendoj shumë i mirë, por edhe për mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm në fushën e turizmit, ekonomisë por edhe të ngritjes së nivelit të përfaqësimit diplomatik të Kosovës dhe të Malit të Zi”, tha Mustafa.

Ndërsa, me kryeministrin Vuçiç, duket se nuk ka pasur shumë diskutim përtej shtrëngimit të duarve.

Mustafa tha thjesht se e pyeti Vuçiçin si kishte shkuar takimi me kryeministrin Rama, dhe se Kosova e sheh si shumë të rëndësishëm takimin mes tyre.

“E pyeta se si ka kaluar takimi me kryeministrin Rama dhe i thashë se këtë e shohim si një takim mjaft të rëndësisëhm. Ai u pajtua me këtë, por nuk vazhduam më tutje”, tha Mustafa.

E, duke vijuar më tej në marrëdhëniet dhe dialogun me Serbinë, Mustafa shtoi se Qeveria e Kosovës ka vërejtje në raport me zbatimin e disa marrëveshjeve, të cilat i janë bërë të ditura edhe Brukselit.

Lidhur me shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, Mustafa tha se ky ndryshim është në interes të gjithë qytetarëve të Kosovës, për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit, por se për këtë duhet të dialogohet me serbët dhe me komunitetet e tjera.

“Ne megjithatë duhet të kemi pajtueshmërinë e shumicës në Kuvend, sepse me Kushtetutë duhet të vendoset me 2/3 në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Tek ne në mënyrë specifike kërkohet 2/3 e dyfishtë, sepse përpos numrit të arsyeshëm të deputetëve duhet të vendosen edhe 2/3 e pakicave që janë në Kuvend, dhe kjo nënkupton se duhet të dialogojmë me serbët dhe me komunitetet e tjera që të marrim dhe përkrahjen e tyre, ne do mundohemi që këtë ta bëjmë që ti bindim ata që shndërrimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, është në interes të gjithë qytetarëve të Kosovës; është në interes të ndërtimit të paqes, stabilitetit dhe se ajo është forca që nuk do ti shërbejë vetëm një komuniteti por të gjithë qytetarëve”, tha më tej Mustafa.

Ndërsa sa i përket punimeve të Forumit Ekonomik të Vjenës, Mustafa mendon se aktivitete të tilla janë të një rëndësie të madhe, dhe se deri tani është arritur të konkretizohen disa prej projekteve të cilat do të ndihmojnë jo vetëm zhvillimin ekonomik por edhe komunikimin mes njerëzve, ndërmjet vendeve por po ashtu do ti kontribuojnë paqes dhe stabilitetit.

“Ne jemi të interesuar që të vazhdojmë autostradën, nga Durrësi e cila pastaj do të vazhdoj kufirin dhe do të përcillet në territorin e Serbisë në mënyrë që ky investim i bërë deri më tani të shfrytëzohet më tepër për nevoja ekonomike. Po ashtu jemi të interesuar që të ndërtojmë autostradën deri në kufi me Maqedoninë dhe pastaj pjesa maqedonase të vazhdojë deri në Shkup e cila pastaj do të jetë një lidhje shumë e mirë dhe ekonomike por dhe e qytetarëve. Jemi të interesuar dhe po punojmë që të bëjmë dhe projektin e hekurudhës në tërë gjatësinë e saj në terri torin e Republikës së Kosovës, e cila na lidh me Maqedoninë dhe me Serbinë dhe pastaj na lidh edhe me vendet e tjera të BE-së, dhe po ashtu që më tutje të punojmë në trasmisionin e sistemit energjetik, sidomos me Shqipërinë. Sigurisht që më tutje duhet të merremi vesh edhe me bashkëpunimin tonë në fushën e politikave fiskale në mënyrë që ato ti adaptojmë sa më afër dhe në mënyrë që ato të mos paraqesin pengesa dhe diferenca më të mëdha në bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik ndërmjet vendeve tona”, tha Mustafa. /kp/

0

Gjykata Administrative e Apelit ka rrëzuar padinë e firmës “Gener 2” e cila po ndërton kompleksin e pallateve poshtë digës së liqenit.

Kështu mbetet në fuqi vendimi i shkallës së parë që i kishte dhënë të drejtë INUK për ndërprerjen e punimeve.
Me këtë vendim gjykate pritet që IKLMT, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së territorit të bllokojë kantierin e nisur poshtë digës.
Për kompleksin poshtë dikës janë zhvilluar dhe një sërë protestash nga shoqëria civile.

Kjo është hera e dytë që drejtësia shprehet për këto ndërtime me dy vendime të ndryshme. Më 14 janar Gjykata e Shkallës së Parë Administrative hodhi poshtë vendimin e INUK.

INUK-u e apeloi vendimin në Gjykatën e Apelit duke fituar përkohësisht betejën për pezullim.

/GS/

0

Tiranë – Në Parlament kanë nisur diskutimet për projektligjin e ri për arsimin.

Deputeti socialist Ben Blushi, tha se rreth 20 mijë mësues në të gjithë vendin janë pjesë e zgjedhjeve elektoral, nga 40 mijë që ka sistemi arsimor. Ky fenomen, deputeti socialist thotë se dëmton sistemin arsimor, ndërsa nënvizon se qeveria nuk po mbështet arsimin publik, por vetëm arsimin privat.

“Ca problemi ka arsimit sot? Mësuesit. Një shkollë e bukur, me teknologji. Shkolla është libri dhe mësuesi. Ky ligj kam përshtypjen u krijon një pasiguri të re mësueseve. I thotë se nëse një prind është i pakënaqur port mësuesin, ai ka të drejtë të iniciojë procedurën e shkarkimit për mesësin. Unë besoj e kemi detyrimin që mësuesit ti japim garanci. Do hiqja me ligj dhe t’i nxjerrim mësuesit nga zgjedhjet.

T’i përdorim mësuesit si kope dhe mbledhim votat si detyrim, pasi këtu shkolla ka mbaruar. 40 mijë mësues janë minimumi 20 mijë komisionarë, nëse i fusni këta në zgjedhje, shkolla ka vdekur. Mësuesi nuk mund të jetë i politizuar. Ai nuk mund të përdoret për zgjedhjet. Ky projekt ligj i jep të drejtën të largohej një mësues. Po kush i emëron mësuesit. Po bëjmë zgjedhjet mbi një sistem me 61 njësi. Për arsimim ka nja 36”, tha Blushi.

Ai shprehu edhe një tjetër shqetësim, ai për uljen e nxënësve nëpër shkolla. “Numri i nxënësve në shkolla është ulur. Ka dy arsye që ikin shqiptarët nga Shqipëria; për punë dhe për arsim. Për të pasur një mbrojtje të arsimit publik, meqenëse numri i nxënësve është ulur, numri i shkollave privat është rritur. Si ka mundësi? Nuk dua të stimulohet arsimi privat, e mënjanohet ai publik. Një vilë me dy dhoma e kuzhinë, me një oborr 150 m katrorë quhet shkollë e mesme. Nuk po vendosim një standard.”, tha Blushi.

 

/GS/

 

 

0

Fier – Gjykata e Fierit e ka ‘pastruar’ nga të gjitha akuzat kryebashkiakun në largim Baftjar Zeqo. Ai akuzohej nga Prokuroria për shpërdorim detyre.

Ndërkohë, prokuroria pritet ta apelojë vendimin e marrë sot. Gjykata ka shpallur gjithashtu të pafajshëm edhe shtatë zyrtarë të tjerë të komisionit të Strehimit në Bashkinë Fier, të akuzuar nga disa qytetarë për shpërdorim detyre lidhur me shpërndarjen e banesave sociale në këtë qytet.

Prokurorët Artur Cara dhe Enkeleda Shehu kishin kërkuar dy vite burg për kryebashkiakun e zgjedhur nga Partia Socialiste.

 

/GS/

0

Përkeqësohet bilanci i viktimave në Teksas të SHBA-ve, ku ka shkuar në 21 numri i viktimave  si pasojë e motit të keq.

Autoritet thonë se bilanci  ka shumë gjasa të rritet pasi numri i të humburve është të paktën 40 persona.

Mijëra banorë të prekur nga përmbytjet janë evakuuar dhe qindra shtëpi janë shkatërruar.

Operacionet për shpëtimin e jetëve të njerëzve vijojnë, ndërkohë që është shpallur gjendja e jashtëzakonshme ne 14 qarqe të vendit.

Këto janë konsideruar si përmbytjet më të këqija që kanë goditur jugun e SHBA-ve vitet e fundit.

/GS/

0

Manaferrat e shijshme dhe luleshtrydhet me ngjyra të ndezura ndihmojnë në parandalimin e inflamacionit të stomakut, gastritit.