E diel, 24 Maj 2015

0

Është shembur sot me shpërthim të telekomanduar pallati 5-katësh që ndodhej në oborrin e Fakultetit Ekonomik në Tiranë.

Ndërtesa u rrethua sot nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, ndërsa për shembjen e tij u hapën mbi 300 vrima në të gjitha kolonat mbajtëse ku ishte vendosur lëndë eksplozive.

Objekti në fjalë është dëmshpërblyer dhe prishja e tij bëhet për interes publik.

Megjithatë, administratori i ndërtesës Pavlin Kalusha pretendon se nuk i është komunikuar vendimi për dëmshpërblimin.

Ky është objekti i dytë që prishet në harkuan kohor të një viti në zonën përreth fakultetit Ekonomik. /GS/

1

Kreu i qeverisë Edi Rama prezantoi sot në Divjakë kandidatin e aleancës ASHE për këtë bashki, Fredi Kokoneshi.

Kryeministri tha se qeveria ka bërë shumë punë për 18 muaj, por ka ende shumë për të bërë.

Ai theksoi se skema e re për bujqësinë do të rrisë punësimin dhe të ardhurat e fshatit.

“Kemi planifikuar skemë të re për bujqësinë, duke krijuar mundësinë për rreth 100 milionë dollarë në vit për fermerët që krijojnë rritje punësimi. Do të jetë një fond në dispozicion të sipërmarrësve me projekt dhe para, por që kërkojnë edhe një ndihmë financiare nga shteti. Në këtë mënyrë do të bëjmë rritjen e punësimit dhe kalimin e fshatit nga kushtet mesjetare, në një fshat që do të prodhojë para dhe përfitim për çdo familje”, deklaroi Rama .

Rama bëri thirrje që vota 21 qershorit të mos hidhet kot, pasi sipas tij interesi i Partisë Demokratike janë zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 duke synuar që të përdorin edhe bashkitë për luftën ndaj qeverisë.

“Po të kishit votuar në 23 qershor, jo për ne, por për besëlidhjen e SHQUP-­it, do ishim diskutuar gjera të tjera. SHQUP-i thotë votoni  të kthehemi atje ku ishim, se ishim më mirë të ktheheshin atje ku ishim që mos t’i paguajmë dritat. Pasi ai thotë se atje ku e gjetëm shesh ta bëjmë sërish përshesh. SHQUP-­i thotë qe të votoni për të dhe të grisim atë hartë të madhe dhe të kthehemi me mbi 600 komuna. Si griset harta nëse voton për kandidatin e SHQUP­-it? Juve do kërkoni shkollë e çerdhe, ai kandidati do kërkojë t’i rrëzojmë Rama­-Meta. Ju do doni çdo ditë të enjte të shihni debatet në Kuvend, por jo çdo ditë këtu në sheshin e Divjakës. Ndaj s’keni për çfarë e doni. Po votuat kandidatët e SHQUP-i morët veten dhe qytetin më qafë, pasi fushata e tyre s’ka lidhje me problemet që duhet të trajtojë populli për të investuar. Kandidatët e tyre s’kanë lidhje me këtë punë. nëse ndonjëherë dhe ndonjëra do guxojë të kundërtën, nuk e lë SHQUP-i, pasi do i trajtojë partitë si llogore. Dhe shpresojnë që në 2017­ën do puthen me Milon, dhe jo më të puthen me vullnetin e popullit shqiptarë. Ne sot kemi bërë një hap kolosal duke përfshiri 50% të grave në këshillat bashkiakë.  I dhamë fund historisë së diskriminimit të grave”, tha Rama.

/GS/

0

Lideri i opozitës Lulzim Basha vijoi turin e tij për fushatën elektorale të zgjedhjeve vendore në qytetet e Beratit dhe Peqinit.

Kreu i PD-së u tha banorëve se vota e tyre është një mesazh kundër papunësisë dhe varfërisë.

“Në qoftë se shumica prej jush këtu , të djathtë e të majtë, mendoni se kjo nuk është aspak rruga e duhur, e punësimit, e pakësimit të varfërisë, e së ardhmes dhe perspektivës për të rinjtë, t’i japim një mesazh të fortë me votën tonë, me një votë kundër papunësisë, kundër varfërisë, kundër mosmbajtjes së premtimeve dhe kundër mosbërjes asgjë për të mbajtur premtimet”, tha Basha në Berat.

Basha bëri thirrje që në 21 qershor të votohet APPE që të ndëshkojnë me votë keqqeverisjen.

“Taksat i rrit, çmimin e energjisë e rriti, akcizën e naftës e rriti. Të paktën të lante borxhin. Jo, e rriti edhe borxhin. Ku janë paratë? Të paktën të mbaronte rrugën, as rruga nuk mbaron. Ku janë paratë? Ku janë 100 milionë dollarë që i mungojnë buxhetit të shtetit për periudhën janar-prill? Përgjigja vjen me votë më 21 qershor”, u shpreh kryetari i PD-së. /GS/

0

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin e tyre me ligjin e ri rus, i cili ndalon, siç thuhet, organizatat e padëshirueshme joqeveritare.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka nënshkruar ligjin të shtunën, duke u dhënë të drejtë prokurorëve të shtetit që të fusin në listën e zezë organizatat, të cilat “paraqesin kërcënim për kapacitetet mbrojtëse të Rusisë, sigurinë, rendin publik ose shëndetin publik”.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Marie Harf, ka thënë se kjo masë “do të kufizojë më tej punën e shoqërisë civile në Rusi”.

Harf po ashtu ka thënë se ligji është një tjetër shembull për politikat shtypëse të Kremlinit ndaj zërave të pavarur.

Legjislacioni, i cili është miratuar nga të dyja dhomat e Parlamentit të Rusisë këtë javë, po ashtu parasheh gjoba ose dënime me burg për individët që punojnë për “organizatat e tilla”./Rel/

0

Bordi organizues i festivalit “Eurovizion” bën me dije se do të anulohen  pikët e dhëna dje nga Maqedonia dhe Mali i Zi.

“BBC” shkruan se këto dy vende kanë thyer rregullat që përcaktojnë se pikët përfundimtare të një shteti përcaktohen 50% nga votimi i publikut dhe 50% nga juria profesioniste e atij shteti.

Mësohet se ato nuk kanë pasur një juri profesioniste por kanë dhënë pikët e tyre vetëm nga rezultati i televotimit.

Maqedonia votoi përfaqësuesen e Shqipërisë, Elahaida Dani me 12 pikë ndërsa Mali i Zi me 10 pikë.

Megjithatë heqja e pikëve të këtyre vendeve nuk do të cenohet fitorja e Suedisë.

Ky skandal vjen në një kohë kur ka polemika të shumta për aspektin gjeopolitik të festivalit.

/GS/

 

0

Vetëm gjatë këtij viti Doganat e Kosovës kanë hapur rreth 19 raste disiplinore me rreth 40 zyrtarë të dyshuar për shkelje të procedurave doganore, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci.

Rastet, sipas tij, kanë të bëjnë me korrupsion, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, shkelje të ndryshme të Rregullores së punës së Doganave dhe shkelje tjera ligjore.  “Dogana e Kosovës, gjatë vitit 2014, ka rritur aktivitetet e saj në luftimin e dukurive negative brenda në doganë.

Gjatë vitit të kaluar kemi pasur 42 raste të procedurave të ndryshme disiplinore kundër zyrtarëve doganor”, tha Stavileci  “Në këto raste kanë qenë të përfshirë mbi 80 zyrtarë, ku 11 prej tyre janë dërguar në procedurat e mëtejme në Prokurori.

Gjatë vitit 2014, Dogana ka ndërmarrë 17 raste të suspendimit të doganierëve”.  “Në vitin 2015 e deri më tani, kemi hapur 19 raste disiplinore, në të cilat dyshohet se janë të përfshirë mbi 36 zyrtarë, ku kemi procedurë penale në dy raste me nga pesë zyrtarë”, bën të ditur Stavileci.

Dogana e Kosovës ditë më parë kishte njoftuar për suspendimin e një zyrtari doganor me dyshimin se ka bërë futjen e mallrave pa taksa doganore brenda territorit të Kosovës.  Doganat e Kosovës janë kontribuesi kryesor i buxhetit të shtetit, i cili grumbullon për arkën e shtetit tri tatime kryesore: Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në import, taksën doganore dhe akcizën.

Të gjitha qeveritë pas luftës, duke përfshirë edhe qeverinë aktuale, kanë deklaruar se do të luftojnë këto dukuri negative, madje, duke e vendosur si prioritet në politikat e tyre parandalimin e ekonomisë joformale, korrupsionit dhe formave tjera të ekonomisë së zezë.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit, ndërkaq, thonë se me gjithë faktin se ka pasur hapa pozitiv në zvogëlimin e nivelit të ekonomisë joformale, ende ka hapësirë për mobilizim dhe angazhim për të luftuar këto dukuri negative.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se dukuritë negative, siç janë këto që paraqiten brenda institucioneve, si Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës, janë të dëmshme për zhvillimin e bizneseve.

“Zakonisht, flitet për masa jo shumë konkrete dhe efikase në luftimin e korrupsionit. Shifrat e tilla të suspendimit të doganierëve nuk janë të kënaqshme, meqenëse ka prani edhe më të madhe të korrupsionit dhe të veprimeve tjera të kundërligjshme. Megjithatë, japin një sinjal shprese se ka institucione që kanë marrë masa për parandalimin e këtyre dukurive brenda institucioneve të tyre ”, thotë Zeka.

Sidoqoftë, masat e ndërmarra nga Doganat e Kosovës sipas zëdhënësit të këtij mekanizmi, AdriatikStavileci, tregojnë përkushtimin e Doganave për çrrënjosjen e keqpërdorimeve eventuale dhe përkushtim për të shërbyer me devotshmëri kundrejt qytetarëve të Kosovës.

Ndryshe, në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që shmang kontrollin doganor duke bartur mallra dhe kalon vijën kufitare, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. /REL/

0

Flamuri i Shqipërisë etnike që u valëvit në ndeshjen me Serbinë u rishfaq në Vjenë gjatë kompeticionit të Eurovizionit.

Një person është ngjitur në skenë dhe ka valëvitur flamurin e Shqipërisë së madhe.

Flamuri ishte i njëjti që u lëshua me dron në stadiumin e Partizanit në Beograd. Personi në fjalë u largua nga skena pas ndërhyrjes së sigurisë.

 Agjencia serbe e lajmeve “Tanjug” shkruan se ngjarja e bukur u prish për pak momente nga një shqiptar, i cili u ngjit në skenën ku ndodhej ekrani i madh.

/GS/

 

0

Është Suedia fituesja e edicionit të 60-të të Festivalit Evropian të Këngës.

Në Vjenë, kënga “Heroes” e interpretuar nga Mans Zelmerlov mblodhi 365 pikë duke lënë pas rusen Polina Gagarina me “A million voices” (303 pikë) dhe grupin italian “Volo” me këngën “Grande amore” (292).

Ndërkohë Shqipëria u rendit e 16-ta mes 27 konkurrentëve në natën finale. Elhaida Dani me këngën “I’m alive” grumbulloi 34 pikë, aq sa Armenia.

Në votimet e 40 shteteve pjesëmarrëse, përfaqësuesja jonë mori pikët maksimale nga Maqedonia (12), 10 nga Mali i Zi, 6 nga Greqia dhe po aq nga Belgjika.

renditja

/Start/E.B/

0

Interi gabon dhe humbet trenin e fundit për në Ligën e Evropës.

Në javën e parafundit të Serisë A, zikaltrit u mundën 3-2 në fushën e Xhenoas në fund të një përballjeje spektakolare dhe plot emocione.

Në “Marasi” miqtë milanezë gjetën të parët golin me Ikardin (19’), por vendasit u përgjigjën vetëm pesë minuta më pas me Pavoletin.

Palasio i dha sërish epërsinë të besuarve të Mançinit (30’), ndërsa në minutën e 38-të Ikardit iu mohuan dy gola për pozicion të parregullt brenda pak sekondash.

Pak para pushimit mes pjesëve (41’), një gafë mes Ranokias dhe Handanoviçit i dha mundësi Lestienit të rikthente baraspeshën.

Një minutë para fundit të ndeshjes, pas rasteve të panumërta në të dyja portat, sllovaku Juraj Kuçka me kokë vulosi suksesin e vendasve të cilët ngjiten në pozitën e pestë me 59 pikë.

Ndërkaq, Interi mbetet i teti në kuotën 52 dhe vetëm një dënim i mundshëm i Xhenoas për mungesë licence nga UEFA e mban matematikisht në lojë për një vend në eliminatoret e Ligës së Evropës sezonin e ardhshëm.

E nëse zikaltrit nuk ia dalin, kjo do të ishte hera e parë që nga sezoni 1957 – 1958 që asnjëra nga skuadrat e Milanos nuk luan në Kupat e Evropës.

/Start/E.B/

0

Thoma Strakosha pritet të huazohet tek ekipi i Salernitanës, që me shumë mundësi do të luajë në Serinë B sezonin e ardhshëm.

Drejtuesit e Lacios e kanë marrë këtë vendim për t’i dhënë mundësi portierit të talentuar shqiptar të fitojë eksperiencën e nevojshme në fushë.

Klubi italian në pronësi të presidentit të Lacios, Lotito, ende nuk e ka zyrtarizuar lëvizjen, por gjithsesi gjithçka duket fakt i kryer.

20-vjeçari është portieri i tretë te Lacio dhe e ka thuajse të pamundur për të luajtur, pasi i duhet të fitojë konkurrencën me Federiko Marketin dhe Etrit Berishën.

Ndërkohë, kujtojmë që te Salernitana në sezonin 2003-2004 është aktivizuar edhe ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Erjon Bogdani, i cili shënoi 8 gola.

/Start/

0

Juventusi nuk toleron askënd dhe në javën e parafundit të Serisë A mposht Napolin 3-1.

Edhe pse me një formacion rezervash, skuadra e Alegrit ishte dominuese duke triumfuar me meritë falë golave të Pereirës (13’), Sturaros (77’) dhe Pepes me penallti (93’).

Miqtë napolitanë, të cilët barazuan përkohësisht me David Lopezin në minutën e 50-të, me këtë disfatë i zbehin akoma më tepër shanset për një vend në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Pas lojës, “Zonja” ngriti para tifozëve të vet trofeun e Serisë A, i dyti për këtë sezon pas Kupës së Italisë.

/Start/E.B/

0

Bekim Balaj nuk ndalet së shënuari në kampionatin kroat.

Sulmuesi shqiptar gjeti sërish rrugën e rrjetës me skuadrën e tij Rijeka në takimin e fituar 3-0 përballë Osijekut në javën e parafundit.

Balaj zhbllokoi shifrat në minutën e 18-të duke i hapur rrugën fitores së vendasve.

Ky ishte goli i nëntë në kampionat për bomberin e kombëtares kuqezi, i dhjeti gjithsej që kur iu bashkua nënkampionëve të Kroacisë në afatin kalimtar të janarit.

/Start/