Parlamenti grek voton ligjin për emigrantët

1

Parlamenti grek ka votuar në parim kuadrin e ri ligjor për emigrantët e ligjshëm, gjatë një seance plenare mes debatesh të forta mes partive që ishin pro dhe kundër këtij ligji.

Pro legjislacionit të ri, që do të quhet Kodi i Emigracionit, votuan deputetët e Demokracisë së Re, të PASOK-ut, të së Majtës Demokratike, si dhe grupi i deputetëve të pavarur. Ndërsa partia komuniste, Agimi i Artë dhe Grekët e Pavarur, votuan kundër.

Partia më e madhe opozitare, SYRIZA abstenoi, pasi më parë e kishte cilësuar si pozitive përpjekjen, por duke theksuar se është e pamjaftueshme.

Duke prezantuar Kodin para deputetëve, ministri i Punëve të Brendshme, Leonidas Grigorakos, deklaroi se me kuadrin e ri ligjor të emigracionit, unifikohen 20 ligje ekzistuese dhe 6 dekrete presidenciale, si dhe 42 akte.

Ai veçoi si risi faktin se me vënien në zbatim të kodit të ri, u hapet rruga mijëra emigrantëve të cilët kanë mbetur pa punë për shkak të krizës, të kërkojnë punësimin në vende të tjera të Bashkimit Europian.

Kodi i ri konfirmon edhe shfuqizimin e dispozitave të mëparshme që lehtësonin marrjen e nënshtetësisë nga fëmijët e emigrantëve. Tashmë ata do të kenë mundësinë që të aplikojnë për nënshtetësinë vetëm pasi të kenë mbushur moshën 18 vjeç.

Sipas të dhënave që paraqiti në parlament ministri grek i punëve të brendshme, në Greqi ka 473.424 emigrantë të ligjshëm, që disponojnë aktualisht leje të rregullt qëndrimi.

/Start/

1 KOMENT